• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK

October 30, 2025 by s p

VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK.

Filed Under: Politike

FROM THE MEETING WITH SENATOR CORY BOOKER

October 29, 2025 by s p

Agim Aliçkaj
Executive Director of the Albanian American Civic League/

– A very important event organized by the Albanian American Civic League

From the moment Senator Booker arrived until the end, there prevailed a warm atmosphere and an open conversation. The entire meeting was dedicated to advancing Albanian and American interests in the Balkans.

The presentation by the leaders of the Civic League—the legendary figures of lobbying in America, Joe DioGuardi and Shirley Cloyes DioGuardi—and others, was at the highest level, marked by sincerity and professionalism.

Kosova was liberated from the claws of the Serbian beast thanks to the centuries-long resistance of the Albanian people, which culminated in the war of the Kosovo Liberation Army, supported from the air by NATO’s bombings led by America.

America helped create the state of Kosova, just as it helped create the state of Albania more than a century ago.

On the other side stands hegemonic Serbia, created by Russia, whose chauvinistic government continues its efforts to destroy Kosova and subjugate the Albanian nation. Unchanged since the time of Milosevic, it continues to act aggressively against neighboring states, destabilizing the Balkans and causing problems for Europe and the democratic world.

Senator Cory Booker, a member of the U.S. Senate Committee on Foreign Relations and the Subcommittee on Europe, is committed to peace, justice, and the protection of human rights around the world. In his remarks, he highly praised the close relationship between the two friendly peoples, the Americans and the Albanians.

We know the suffering of the Albanian people under Serbian occupation, the terrible crimes and the attempt at genocide with the aim of exterminating the Albanian people. We are also well aware of the Serbian government’s aggressive actions to undermine Kosova’s achievements, as well as the destructive activities of the current autocratic Serbian government, its ties and cooperation with Russia and other states hostile to America.

The Republic of Kosova is a peaceful, democratic state, with a people of deep tradition and a permanent friendship with America. America has invested greatly in Kosova and will continue to support it in the development and strengthening of its statehood.

I will use all the opportunities available to me, in my position on the Senate Committees and everywhere possible, to contribute to advancing America’s relations with Kosova in all fields, in the interest of peace and stability in the Balkans and Europe. Recognition of Kosova’s independence by all European states and by Serbia, and its integration into the democratic world, have no alternative.

The importance of this meeting was greatly enhanced by the participation of the delegation from the Presheva Valley, including the Member of the Serbian Parliament Shaip Kamberi, and patriotic activists Ragmi Mustafa and Ragmi Mustafi. The cooperation of the AACL with the leaders of Eastern Kosova has been at a very high level for the past three decades.

In his speech, MP Kamberi emphasized the continuous institutional discrimination by Serbia—the deactivation of addresses, denial of basic rights to Albanians—through the so-called “Serbian World” project, which poses a direct threat to peace and stability in the region. The role of the United States remains decisive in maintaining peace and supporting the new democracies in the Balkans.

After my brief remarks, I handed Senator Booker the full written version of my speech and the pocket-sized book by authors Nusret Pllana and Agim Aliçkaj, “Mos harro kurrë” (Never Forget), which summarizes documented information about the Serbian genocide against Albanians, carried out in five phases from 1884 to 1999.

This meeting represents a valuable activity within the historic mission of the Albanian American Civic League in defense of the interests of Kosova and the entire Albanian nation.

NGA TAKIMI ME SENATORIN CORY BOOKER

  • Një ngjarje shumë e rëndësishme e organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Që nga momenti i arritjes së senatorit Booker e deri në fund, mbretëroi një atmosferë e ngrohtë dhe një bashkëbisedim i hapur. I gjithë takimi iu kushtua avancimit të interesave shqiptare dhe amerikane në Ballkan.

Paraqitja e liderëve të Ligës Qytetare – figurave legjendare të lobimit në Amerikë, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi – dhe të tjerëve, ishte në nivelin më të lartë, e karakterizuar nga sinqeriteti dhe profesionalizmi.

Kosova u çlirua nga kthetrat e bishës serbe falë rezistencës shumë-shekullore të popullit shqiptar, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga bombardimet ajrore të NATO-s të udhëhequra nga Amerika.

Amerika ndihmoi në krijimin e shtetit të Kosovës, ashtu siç kishte ndihmuar në krijimin e shtetit të Shqipërisë më shumë se një shekull më parë.

Në anën tjetër qëndron Serbia hegjemoniste, e krijuar nga Rusia, qeveria shoviniste e së cilës vazhdon përpjekjet për të shkatërruar Kosovën dhe për ta nënshtruar kombin shqiptar. E pandryshuar që nga koha e Millosheviqit, ajo vazhdon të veprojë në mënyrë agresive kundër shteteve fqinje, duke destabilizuar Ballkanin dhe duke shkaktuar probleme për Evropën dhe botën demokratike.

Senatori Cory Booker, anëtar i Komitetit të Senatit të SHBA për Marrëdhënie me Jashtë dhe i Nënkomitetit për Evropën, është i përkushtuar për paqen, drejtësinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Në fjalën e tij, ai vlerësoi lart marrëdhëniet e ngushta midis dy popujve miq, amerikanëve dhe shqiptarëve.

Ne e dimë mirë vuajtjen e popullit shqiptar nën pushtimin serb, krimet e tmerrshme dhe përpjekjet për gjenocid me synim shfarosjen e popullit shqiptar. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm për veprimet agresive të qeverisë serbe për të minuar arritjet e Kosovës, si dhe për aktivitetet destruktive të qeverisë aktuale autokratike të Serbisë, lidhjet dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë dhe shtete të tjera armiqësore ndaj Amerikës.

Republika e Kosovës është një shtet paqësor e demokratik, me një popull me tradita të thella dhe me miqësi të përhershme me Amerikën. Amerika ka investuar shumë në Kosovë dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në zhvillimin dhe forcimin e shtetësisë së saj.

Unë do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë që më ofron pozicioni im në Komitetet e Senatit dhe kudo që të jetë e mundur, për të kontribuar në avancimin e marrëdhënieve të Amerikës me Kosovën në të gjitha fushat, në interes të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe Evropë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet evropiane dhe nga Serbia, si dhe integrimi i saj në botën demokratike, nuk kanë alternativë.

Rëndësinë e këtij takimi e shtoi pjesëmarrja e delegacionit nga Lugina e Preshevës, ku bënin pjesë Deputeti i Parlamentit të Serbisë Shaip Kamberi dhe veprimtarët patriotë Ragmi Mustafa dhe Ragmi Mustafi. Bashkëpunimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane me udhëheqësit e Kosovës Lindore ka qenë në një nivel shumë të lartë gjatë tri dekadave të fundit.

Në fjalën e tij, deputeti Kamberi theksoi diskriminimin institucional të vazhdueshëm nga Serbia – çaktivizimin e adresave, mohimin e të drejtave themelore të shqiptarëve – përmes të ashtuquajturit projekt “Bota Serbe”, i cili përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar në ruajtjen e paqes dhe në mbështetjen e demokracive të reja në Ballkan.

Pas fjalës sime të shkurtër, i dorëzova senatorit Booker versionin e plotë të shkruar të fjalimit tim dhe librin e vogël xhepi të autorëve Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj, “Mos harro kurrë”, i cili përmbledh informacione të dokumentuara mbi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, të kryer në pesë faza nga viti 1884 deri në 1999.

Ky takim përfaqëson një aktivitet me vlerë të madhe brenda misionit historik të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar.

Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: Politike

𝐌𝐢𝐫𝐚𝐭𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐧ë 𝐁𝐫𝐞𝐬𝐡𝐢𝐚 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭ë 𝐩ë𝐫 Ç𝐚𝐦ë𝐫𝐢𝐧ë 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐢𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐜𝐢𝐨𝐧𝐞𝐯𝐞 𝐧𝐝ë𝐫𝐤𝐨𝐦𝐛ë𝐭𝐚𝐫𝐞

October 28, 2025 by s p

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe FNAI – Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali, organizuan në Brescia, Itali, në datë 26 Tetor, Konferencën me temë: “Çamëria nga kujtesa tek e drejta ndërkombëtare”.

Mes dhjetra bashkëatdhetarëve, veprimtarëve kombëtarë, përfaqësuesve të njohur të shqiptarëve në Itali dhe në diasporë, referuan ish ambasadorë, studiues dhe shkrimtarë të mirënjohur, si rrallëkush të dimensionuar me jetën e tyre vetiake prej intelektuali tribun në tragjedinë e kombit shqiptar:

Akademik Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, ambasador dhe ish-zv. Ministër i Jashtëm, shkrimtari, publicisti dhe ambasadori Luan Rama, Prof. Dr. Marenglen Kasmi, historiani Hajredin Isufi, shkrimtari dhe studiuesi Enver Kushi.

Në fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes, 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐅𝐍𝐀𝐈-𝐭, 𝐆𝐫𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐌𝐮ç𝐚𝐣, tha se nuk ka të ardhme pa kujtesë dhe drejtësi pa të vërtetën. Çështjet kombëtare janë edhe çështje të diasporës. Çështja çame është një nga faqet më të dhimbshme në historinë tonë kombëtare, për fat të keq ende e pazgjidhuar. Ne si FNAI ndiejmë detyrimin të japim kontributin tonë për këtë çështje. Falenderoj Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, dhe drejtuesin e saj, zotin Alket Veliu, për këtë bashkëpunim dhe për misionin e madh dhe të vështirë. Zoti Muçaj, falenderoi për pjesëmarrjen edhe Konsullin e përgjithshëm të Shqipërisë në Milano, znj. Anila Pojani, zv. rektorin e universitetit të Breshias,dhe disa veprimtarë të njohur kombëtarë dhe aktivistë të FNAI-t.

𝐊𝐨𝐧𝐬𝐮𝐥𝐥𝐞 𝐞 𝐩ë𝐫𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐬ë 𝐧ë 𝐌𝐢𝐥𝐚𝐧𝐨, 𝐃𝐫. 𝐀𝐧𝐢𝐥𝐚 𝐏𝐨𝐣𝐚𝐧𝐢, tha mes të tjerash: Jam shumë e nderuar të marr pjesë në këtë konferencë, ku mblidhen përfaqësues të dijes dhe diplomacisë shqiptare.Tema e kësaj konference ka domethënie të madhe, sepse lidhet me Çamërinë. Çamëria është pjesë e historisë sonë, që ka nevojë për një trajtim të thellë dhe profesional. Këto aktivitete kanë rëndësi sepse nxisin dialogon dhe shkëmbimin e ideve.

𝐒𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐚𝐫𝐛ë𝐫𝐞𝐬𝐡 𝐓𝐨𝐦𝐚𝐬𝐬𝐨 𝐅𝐞𝐫𝐫𝐚𝐫𝐢, bashkëpunëtor dhe mik i afërt me të ndjerin, etnografin dhe studiuesin e mirënjohur At Antonio Belushi, anëtar i Bibliotekës së vyer që ai ka lënë, e filloi ligjëratën e tij me një sentencë të njohur: “Më mirë të dish se të kesh”. At Antonio Belushi ishte si vëlla me mua. Në librin “Arbërorët një popull i padukshëm” Belushi thotë se ndër arvanitasit e Greqisë – arbërorët, siç ata e quajnë veten – ka hasur në 900 katunde me origjinë shqiptare. Janë katër katunde me emigrantë nga Çamëria që jetojnë në Kalabri. Çamërinë na e dha neve Blioteka Bellushi, tha studiuesi arbëresh Tomasso Ferrari.

Dëshmitari okular, i mbijetuari i gjenocidit, 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐚𝐧𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐇𝐚𝐣𝐫𝐞𝐝𝐢𝐧 𝐈𝐬𝐮𝐟𝐢 tha se “Çështja e gjenocidit nuk ishte diçka spontane. Shpërngulja e popullsisë çame, spastrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një platformë politike e qeverisë greke. Qeveria greke synonte që në territorin e saj që fitoi pas vitit 1912-1913 të mos kishte të huaj nga feja dhe nga kombësia dhe deshi të krijonte një shtet homogjen. Historia e masakrave greke ndaj popullsisë çame duhet parë në një aspekt shumë të rëndësishëm. Pyetja e parë që duhet të bëjë një studiues është: pse shqiptarët e Çamërisë u masakruan që nga viti 1913 deri në vitin 1940 në këtë mënyrë? Duke folur për arsyen e armiqësisë së grekëve ndaj çamëve Isufi tha se shqiptarët kishin një kombësi tjetër, flisnin një gjuhë tjetër dhe kishin një fe tjetër.

𝐀𝐤𝐚𝐝𝐞𝐦𝐢𝐤 𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐃𝐫. 𝐏ë𝐥𝐥𝐮𝐦𝐛 𝐗𝐡𝐮𝐟𝐢 referoi temën: Çështja çame dhe shteti shqiptar. Çështja çame është çështja që ka dalë në krye të listës pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Është ora historike për ta kuptuar përfundimisht këtë gjë. Problemi i tërërsisë territoriale apo copëtimit të trojeve shqiptare është një problem i vjetër. Nga mesi shek. të XIX vendet fqinje kishin përpunuar platformat e tyre nacionaliste për shpërnguljen e shqiptarëve. Projekti serb “Naçertania” i Ilia Garashaninit dhe “Megali Ideja” e greke, e Jani Koletit, që përfshinin në kufijtë e Serbisë dhe Greqisë së madhe edhe tokat shqiptare. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin mes Greqisë dhe Serbisë. Në vitet ’20-’30 nga tribuna e Lidhjes së Kombeve, shteti shqiptar ngriti vazhdimisht problemin e mbrojtjes së të drejtave kombëtare e civile të minoritetit çam në Greqi. Nën trysninë shqiptare, edhe pse Kushtetuta greke nuk e njihte ekzistencën e minoriteteve, Kryeministri Venizellos u detyrua të krijojë një organizëm të veçantë, Komitetin për Minoritetet në varësi të drejtpërdrejtë nga zyra e Kryeministrit, i cili duhej të ndiqte gjendjen e minoriteteve, e në këtë kuadër edhe të minoritetit çam në Greqi. Çështja çame u ndërkombëtarizua falë qëndrimit intrazigjent të qeverisë shqiptare, dhe gjithnjë nën presionin e saj, qeveria greke u detyrua të hapë edhe shkollat e para shqipe në Çamëri.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ndodhej në një pozitë të vështirë për shkak të interesave të fuqive të mëdha dhe pretendimeve territoriale të fqinjëve të saj. Reshtimi në frontin lindor dhe mungesa e marrëdhënieve me Greqinë, bëri që kjo çështje të mos ishte në diskutim për shumë vite. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të tensionuara për shumë kohë dhe kjo çështje u përdor politikisht. Me gjithë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në 1970, pala greke evitoi kontaktet politike mes dy palëve. “Çështja çame si çështje të tjera me Greqinë, si ai i ligjit të luftës, i njohjes së kufirit, i kthimit të pronave qytetarëve shqiptarë i bllokuar me ligjin e 1940-ës, mbetën të gjitha çështje të patrajtuara me liderët e Athinës”.

Kushtet pas vitit 1990 kanë ndryshuar – vijoi historiani. Krijimi i shoqatës Çamëria solli një sensibilizim të opinionit shqiptar dhe presion pozitiv mbi qeverinë. Kur qeveritë shqiptare janë në aksion realizohen edhe gjëra. Nuk është e lehtë edhe për Athinën zyrtare të mbrojë tezën e saj për Çështjen çame, siç e sheh ajo, apo të mohojë Ligjin e luftës. Duke njohur Shqipërinë si vend me të cilin është në gjendje lufte, ajo nuk njeh as kufijtë e Shqipërisë. Problemet ngelen të ngrira.

Pas hyrjes së Shqipërisë në BE, kur edhe BE do bëjë reformën e saj dhe të krijohen kushte barazie reale mes Shqipërisë dhe Greqisë, atëhere çështja çame do të ketë perspektivë zgjidhjeje të sigurtë.

𝐒𝐡𝐤𝐫𝐢𝐦𝐭𝐚𝐫𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐄𝐧𝐯𝐞𝐫 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐢 tha se “Popujt kanë kodet e tyre të mirëkuptimit. Çamët dhe grekët, apo dhe vllehët, që kanë jetuar në Epir, kanë ditur që përtej ndasive të propoganduara nga mendje të çoroditura, të shkonin mirë me njeri-tjetrin. Historiani i njohur Hajredin Isufi, është marrë gjerësisht me këtë temë, pra të marrëdhënieve te mira mes çamëve, grekëve dhe vllehëve në Çamëri. Ka ardhur koha, që t’i ringjallim këto marrëdhënie, sepse jetojmë në një kohë tjetër, ku miqësitë dhe jo armiqësitë, lidhjet dhe jo muret ndarëse, janë ato që na bashkojnë.

𝐀𝐦𝐛𝐚𝐬𝐚𝐝𝐨𝐫𝐢, 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐡𝐤𝐫𝐢𝐦𝐭𝐚𝐫𝐢 𝐋𝐮𝐚𝐧 𝐑𝐚𝐦𝐚 trajtoi temën “Historia e Çamërisë nuk mund të zhbehet nga tentativat negativiste të greqisë së sotme”. Edhe kur historitë janë shkruar nga kronistë të vërtetë, kjo lloj historie kthehet në një makth të vërtetë për politikanët, tha zoti Rama. Shumë krime janë kryer ndaj shqiptarëve të Çamërisë, shumë kërkesa i janë bërë qeversië greke të kërkojë falje, por Greqia vazhdon të këmbëngulë në negacionin e saj. Negacionizëm do të thotë të mohosh një realitet historik. Greqia në rastin e Çamërisë nuk ka zbatuar asnjë detyrim ndaj konventave kundër gjenocidit. Është pikërisht kjo shkelje flagrante e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që Greqia raciste bën presion ndaj shtetit shqiptar, me vend e pa vend, me të gjitha format dhe mënyrat, t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e gjenocidit.

Shembulli i Greqisë “demokratike është mëse i turpshëm. Si mund të fshish nga tekstet historike fjalën “çam” e “Çamëri”? Edhe Shqipëria, përmes presioneve të ndryshme nga Greqia, arriti ta zhdukë emrin “Çamëri” nga kurrikulat shkollore. Historia nuk mund të diktohet. Ajo duhet të udhëhiqet nga konceptet moderne. Historia nuk shkruhet me urdhër.

Gjatë 80 viteve të fundit qeveria greke ka vënë në zbatim një plan për të ndryshuar emrat e fshatrave çamë, tha më tej ambasadori Rama. Toponimia ka rënë kështu pre e nacionalizmit. Emërtimi i vendeve është një proces historik, ato kanë ndryshuar vetëm në kohë luftrash. Ky është tregues i luftrave. Një vend demokratik nuk mund të ndryshojë toponimet për t’i përdorur më pas ato si prova historike”.

𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐃𝐫. 𝐌𝐚𝐫𝐢𝐧𝐠𝐥𝐞𝐧 𝐊𝐚𝐬𝐦𝐢 mbajti kumtesën: Bashkëpunimi i gjenerali grek Zervas me gjermanët gjatë luftës së dytë botërore. Napoleon Zervas-i, “arkitekti” i spastrimit etnik të popullsisë çame dhe organizatori i gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, do të rrekej të justifikonte veprimet e tij kriminale me argumentin se “gjatë luftës çamët kishin bashkëpunuar me gjermanët”. Edhe një pjesë e mirë e historianëve grekë pas Luftës së Dytë Botërore kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Ndonjë bashkëpunim sporadik me gjermanët nuk përfaqëson gjithë shqiptarët e Çamërisë dhe sikurse do të shohim më poshtë, Zervas-i ishte vetë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të gjermanëve.

Bashkëpunimi i Zervas-it me gjermanët është i dokumentuar më së miri në Arkivin Ushtarak të Freiburgut. Po ashtu, ky bashkëpunim është shprehur qartë edhe në studime të historisë ushtarake gjermane.

𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐢 𝐅𝐨𝐧𝐝𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 Ç𝐚𝐦ë𝐫𝐢𝐚 “𝐇𝐚𝐬𝐚𝐧 𝐓𝐚𝐡𝐬𝐢𝐧𝐢”, 𝐀𝐥𝐤𝐞𝐭 𝐕𝐞𝐥𝐢𝐮, falenderoi presidentin e FNAI, Granit Muçaj dhe stafin e ti, për rolin e jashtëzakonshëm në këtë aktivitet, duke i dhënë një pllakatë mirënjohjeje dhe nderimi “për promovimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare në Itali”. Gjithashtu zoti Veliu falenderoi me radhë studiuesit e shquar të panelit: prof Pëllëmb Xhufin, si një zë i fuqishëm pa kompromis dhe mbështetës i hershëm i çështjes çame, prof. Maringlen Kasmin, për studimin mbi kriminelin Zervas dhe kërkimin në arkiva, amabasador Luan Ramën, i cili na ka dhuruar edhe emocione të tjera përmes veprave si “Ode për tempujt që nuk u harruan”, historianin Hajredin Isufi, studiues dhe aktivist që nuk ka pushuar kurrë për studimet çame, por edhe një dëshmitar okular dhe njohës i mirë i çështjes, studiuesin dhe shkrimtarin Enver Kushi, zë i fuqishëm që në ditët e para të krijimit të shoqatës Çamëria, njohës i thellë i kulturës Çame dhe muzeolog, studiuesin arbëresh Tomasso Ferrari, i cili dhuroi një emocion të vecantë, me gjuhën aq e ngjashme me Çamërishten.

Kjo Konferencë, tha zoti Veliu, hodhi dritë mbi çështjen çame dhe Rezoluta tregon se vazhdon tradita e rezolutave, siç ndodhi në vitin 1924, kur çamët iu drejtuan Lidhjes së Kombeve kundër anadallaisë kur, dashakeqësisht, pala greke donte të ngatërronte popullsinë myslimane çame duke e konsideruar turke. Lidhja e Kombeve njohu faktin që në Epirin e Jugut (Çamëri) jetonte një popullsis autoktone shqiptare.

Komiteti Antifashist Çam, në vitin 1946, gjithashtu iu drejtua me një Memorandum Lidhjes së Kombeve, ku kërkuan tre gjëra që kërkohen edhe sot: E drejta për t’u riatdhesuar, kthimi i pronave dhe ndëshkimi i masakrave. Siç dëshmojnë vetë dokumentet e shtetit dhe të Drejtësisë greke çamët jo vetëm nuk janë fajtorë, por po vazhdon gjenocidi edhe sot nëpërmjet mohimit të kthimit në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Ka një përgjigje: Shteti shqiptar nuk po bën detyrën e vet, nuk e ka në axhendën e punës së tij zgjidhjen e Çështjes Çame si problem i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si Minoritet Kombëtar Shqiptar në trojet e veta në Çamëri.

Në fillim të vitit 2003 zëri Çamërisë u dëgjua në Parlamentin Evropian, tha më tej zoti Veliu. I fundit në radhë mund të konsiderohet edhe memorandumi që 6 eurodeputetë të Parlamentit Europian i dërguan komisionerit përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten, i titulluar “Dhunim i të drejtave të pakicës çame në Greqi”. Eurodeputetët Panela, Dypyi, Turko, Kapato, Del’Alba dhe Dela Vedova theksojnë se në qershor të 1944-ës, 44 000 shqiptarë të besimit musliman, u dëbuan me forcë nga tokat e tyre në Çamëri, me akuzën se kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ky dëbim shënon edhe epilogun e genocidit të kësaj popullsie, të cilës, për më shumë, iu konfiskua gjithë pasuria, duke përfshirë këtu trojet e shtëpive, tokat bujqësore, bagëtitë etj. Çamët në Greqi duhet të gëzojnë po ato të drejta, që gëzon edhe pakica greke në Shqipëri – ishte këshilla që grupi i parlamentarëve europianë i propozuan komisionerit të Bashkimit Europian, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten.

Janë krijuar disa precedentë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por për shqiptarët e Çamërisë nuk ka funksionuar asnjëherë E drejta për t’u kthyer në shtëpi, tha zoti Veliu. Drejtësia evropiane duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Ne shqiptarët e Çamërisë kërkojmë që të njihet e drejta dhe të kthehet dinjiteti i munguar.

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” po përgatit një dosje voluminoze me të gjitha dëshmitë për krimet e kryera dhe të pandëshkuara kurrë, një punë e madhe për dukumentimin e tragjedisë. Ne do ta çojmë përpara këtë betejë paqësore deri në rikthim.

𝐒𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐣𝐚 𝐎𝐫𝐧𝐞𝐥𝐚 𝐑𝐚𝐝𝐨𝐯𝐢𝐜𝐤𝐚 lexoi Rezolutën e kësaj konfernce për çështje çame, e cila u firmos nga pjesëmarrësit në këtë Konferencë.

Rezoluta, duke u bazuar në Deklaratat Solemne, Aktet, Protokollet dhe Konventat e njohura, thekson nevojën e njohjes ndërkombëtare dhe zgjidhjes së problemit çam, duke i bërë thirrje OKB-së, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së, qeverive dhe institucioneve të Drejtësisë Europiane dhe Botërore, të mos lejojnë Greqinë t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e gjenocidit dhe të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, qoftë në aspektin teknik, qoftë në atë juridik, duke u mundësuar shqipëtarëve të Çamërisë kthimin në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Gjithashtu kjo Rezolutë kërkon nga shteti shqiptar që çështja çame të futet në agjendën e bisedimeve me palën greke, për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, dhe ngritjen e një zyre shtetërore për çështje çame. Ndërsa nga shteti grek kërkon të njohë zyrtarisht dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë, një ndjesë zyrtare për krimet e kryera, si dhe riatdhesim dhe rikthim të të gjitha të drejtave pronësore dhe qytetare.

Në konferencë, të moderuar nga Dava Gjoka, ndihmuar nga Petrit Aliaj, Ndue Shabaku, Monda Mara etj. përshëndetën edhe veprimtarë nga diaspora dhe trojet etnike.

Filed Under: Politike

Beogradi, Moska dhe instrumentеt е hegjemonizmit të ri jo më me tanke, por me narrativë

October 27, 2025 by s p

Beogradi dhe Moska veprojnë në prapaskenë, duke përdorur qeverinë maqedonase si instrument të hegjemonizmit të ri jo më me tanke, por me narrativë; jo më me dhunë, por me propagandë. Fushata kundër subjektit shqiptar që mishëronte frymën e Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte konkurrencë elektorale, por hakmarrje historike për poshtërimin që Serbia përjetoi në qershor të vitit 1999. Ky projekt, i konceptuar në laboratorët politikë të Beogradit dhe i miratuar në Moskë, synon të dobësojë faktorin shqiptar, të ngadalësojë integrimin evropian dhe të krijojë një “zonë gri” në Ballkan, ku liria shqiptare do të shndërrohet në objekt kompromisi.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Manifestimi i zhvilluar para disa ditësh të tetorit, në prani të zëvendëskryeministrit maqedonas, ambasadorit rus, përfaqësuesve të shtetit serb dhe autoriteteve lokale të Kumanovës, nuk mund të interpretohet si një rastësi protokollare. Ai përfaqëson një akt politik dhe simbolik me pasoja alarmante, që shpalos tentativën për rivendosjen e hegjemonisë serbe mbi territorin dhe kujtesën historike shqiptare. Ky manifestim është pjesë e një projekti më të gjerë destabilizues, ku Beogradi dhe Moska veprojnë në prapaskenë përmes instrumenteve të qeverisë maqedonase, duke përdorur ceremonitë dhe retorikën si mjete të sofistikuara të pushtetit për të manipuluar kujtesën kolektive dhe për të dobësuar pozicionin politik shqiptar.

Rreziku qëndron jo vetëm në veprim, por edhe në indiferencë. Shqiptarët përballen me një sfidë të trefishtë: mbrojtjen e kujtesës historike, forcimin e vetëdijes politike dhe ruajtjen e unitetit moral e politik, në mënyrë që historia të mos shkruhet pa ta. Ky është momenti i hyrjes në një fazë vendimtare një pikë kthese historike që kërkon vetëdije, përgjegjësi dhe veprim të koordinuar për të mbrojtur lirinë, dinjitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit.

Pjesëmarrësit serbë, të shfaqur me uniforma ushtarako-policore, e kthyen vendin në një skenë intimidimi, duke dërguar një mesazh të qartë dominimi mbi kujtesën historike shqiptare. Që nga formimi i qeverisë së dalë nga zgjedhjet e vitit të kaluar, janë organizuar një sërë manifestimesh shtetërore jo vetëm në Zebrenjak, por edhe në qytete të tjera të Maqedonisë të cilat, nën petkun e përkujtimit, kanë promovuar frymën e hegjemonisë serbe dhe kanë synuar normalizimin e pranisë së saj mbi territorin dhe kujtesën shqiptare.

Në të njëjtin vend ku në tetorin e vitit 1912 nisi kasaphana serbe ndaj shqiptarëve, sot vendosen kurora nderimi mbi varret e pushtuesve. Ky akt provokues sfidon jo vetëm kujtesën, por edhe sensin e drejtësisë historike, duke vënë në provë unitetin dhe vigjilencën e popullit shqiptar. Nuk është thjesht një ceremoni, por një paralajmërim i hapur për çdo individ dhe institucion që guxon të harrojë ose të nënvlerësojë rrezikun e rikthimit të pushtetit të vjetër mbi territor, histori dhe ndërgjegje kombëtare.

Historia e vitit 1912 dëshmon këtë tragjedi: trupat serbe hynë në Shkup e Kumanovë me bekimin e Rusisë cariste, duke shndërruar lumin e Vardarit në shtrat gjaku shqiptar. Sot, më shumë se një shekull më vonë, historia po rishkruhet me duartrokitje diplomatike, ndërsa flamujt e ceremonive zyrtare mbulojnë hijen e një narrativi të ri që tenton ta shndërrojë pushtimin në “çlirim” dhe dhunën në “miqësi”. Ky nuk është përkujtim historik, por provokim politik: një strategji për të rikthyer ideologjinë e vjetër sllave në formë të sofistikuar, si pjesë e ndërgjegjes publike të një shteti që po humb busullën euroatlantike.

Retorika parazgjedhore e kryeministrit maqedonas, e evidentuar që nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe e mbështjellë me slogane për “rikthimin e shtetit” dhe “rendin e ligjit”, shfaqet si hapi i parë i një projekti të koordinuar serbo-rus, që kërcënon ekuilibrin politik dhe institucional të ndërtuar me gjak dhe sakrifica pas Marrëveshjeve të Kumanovës (1999) dhe të Ohrit (2001). Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, kjo retorikë u shndërrua në sulm frontal ndaj forcës politike shqiptare të dalë nga lufta e vitit 2001, duke synuar shkatërrimin e saj dhe eliminimin e mburojës institucionale që mbron autonominë dhe integritetin e komunitetit shqiptar.

Ky horizont i trazuar tregon qartë se komuniteti shqiptar rrezikon të zhvendoset nga përfaqësimi i vërtetë; kauzat historike mund të dorëzohen nën ndikimin e jashtëm; dhe vendi mund të zhytet në orbitën e kontrollit të vjetër. Çdo heshtje apo nënvlerësim i këtij projekti shndërrohet në katastrofë institucionale, ku forcat që dikur mbronin të drejtat dhe ekuilibrin mund të fundosën nën presionin e një strategjie të mirëstudiuar dhe të pandëshkueshme.

Beogradi dhe Moska veprojnë në prapaskenë, duke përdorur qeverinë maqedonase si instrument të hegjemonizmit të ri jo më me tanke, por me narrativë; jo më me dhunë, por me propagandë. Fushata kundër subjektit shqiptar që mishëronte frymën e Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte konkurrencë elektorale, por hakmarrje historike për poshtërimin që Serbia përjetoi në qershor të vitit 1999. Ky projekt, i konceptuar në laboratorët politikë të Beogradit dhe i miratuar në Moskë, synon të dobësojë faktorin shqiptar, të ngadalësojë integrimin evropian dhe të krijojë një “zonë gri” në Ballkan, ku liria shqiptare do të shndërrohet në objekt kompromisi.

Rreziku nuk qëndron vetëm në veprim, por edhe në heshtje. Heshtja e institucioneve, mediave dhe elitës akademike është bërë pjesë e strategjisë për normalizimin e ndikimit serbo-rus. Antishqiptarizmi po sofistikohet: infiltron tekstet shkollore, simbolet shtetërore dhe ceremonitë “miqësore”. Sot, shqiptarët përballen me armikun brenda sistemit të maskuar si politikë, institucion dhe heshtje kolektive.

Përballë këtij rikthimi të heshtur të hijes serbo-ruse, kujtesa shqiptare duhet të ngrihet si mburojë morale dhe politike. Ajo nuk është nostalgji, por instrument vetëmbrojtjeje kombëtare. Kujtesa duhet të bëhet akt politik një vijë e kuqe ndaj çdo përpjekjeje për të relativizuar të vërtetën historike. Kush nuk e mbron kujtesën, nuk mund të mbrojë as lirinë.

Ky është moment historik i zgjimit kombëtar. Manifestimi i tetorit dhe retorika e “rikthimit të shtetit” janë vetëm simptomat e një sëmundjeje më të thellë që synon të gjunjëzojë faktorin shqiptar. Reagimi duhet të jetë politik, strategjik dhe i bashkërenduar mbi tri shtylla:Kujtesa historike si mbrojtje kombëtare dhe dokumentim ndërkombëtar i krimeve të vitit 1912;Vetëdija politike, e orientuar drejt vizionit euroatlantik dhe shtetit qytetar;Uniteti moral dhe politik shqiptar, përtej ndarjeve, përballë një rreziku që kërcënon vetë qenien kombëtare.

Historia po hyn në një fazë vendimtare: përplasja ndërmjet projekteve destabilizuese dhe aspiratës për stabilitet është bërë më e dukshme se kurrë. Vetëm një vetëdije e koordinuar kombëtare mund të mbrojë orientimin euroatlantik dhe të ndalë ofensivën e projekteve që synojnë ta shkëpusin vendin nga bërthama e vlerave perëndimore.

Në tetorin e vitit 1912, Vardari rridhte i kuq nga gjaku i shqiptarëve; sot, ai rrezikon të rrjedhë i turbullt nga harresa. Ky është momenti i kujtesës, reagimit dhe përgjegjësisë kombëtare. Vetëm nëse politika shqiptare dhe faktori pro-perëndimor e kuptojnë këtë si pikë kthese historike, Maqedonia e Veriut mund të përballet me dinjitet me sfidat e së ardhmes jo si shtet i penguar, por si komb që njeh rrugën e vet dhe nuk lejon që historia të shkruhet pa të.

Filed Under: Politike

Qeveria e Fan Nolit dhe Çështja e Çamëve

October 23, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Gjatë periudhës së qeverisjes së përkohshme të Fan Nolit, situata e Çamërisë ishte një nga temat më shqetësuese për diplomacinë shqiptare dhe diasporën shqiptare në Amerikë. Sipas gazetës “Dielli”, qeveria e Nolit, menjëherë pas marrjes së pushtetit, ndërmori hapa për të mbrojtur të drejtat e Çamëve, që përballeshin me persekutime të rënda nga autoritetet greke.

Në një memorandum drejtuar Lidhjes së Kombeve, Ministria e Punëve të Jashtme e qeverisë Noli kërkoi që shqiptarët e Çamërisë të përjashtoheshin nga shkëmbimi i popullsive greko-turke sipas Traktatit të Lozanës. Teksti i memorandumit, i botuar edhe nga shtypi i huaj, theksonte:

“Qeveria shqiptare ka bërë thirrje të fuqishme në ndërmjetësinë e Shoqërisë së Kombeve, duke kërkuar që autoritetet greke të respektojnë të drejtën e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë për të mbetur në vendbanimet e tyre historike.”

Analiza e veprimeve të qeverisë Noli tregon një qasje të fortë, por edhe të kujdesshme diplomatike. Edhe pse Traktati i Lozanës nuk përfshinte Çamët në listën e popullsive që duhej të shkëmbeheshin, qeveria greke i trajtoi Çamët si turq, duke u përpjekur të zbatojë politika eksproprimi dhe persekutimi. Argondizza, korrespondent i gazetës italiane “Il Popolo”, dhe I Diellit raportonte se:

“Populli i Çamerisë, përveç disa fanatikëve që u larguan në Anadoll, dëshiron të mbetet plotësisht shqiptar dhe nuk hyn në kategoria të popujve të çkëmbyer. Qeveria greke, përkundrazi, përdor mjete të shumta për t’i detyruar myslimanët shqiptarë të lënë vendbanimet e tyre, duke konfiskuar pasuritë dhe shtëpitë e tyre.”

Sipas Argondizzas, përpjekjet e Çamëve për të kundërshtuar shkëmbimin dhe persekutimin ishin të dukshme përpara komisioneve ndërkombëtare, por efektiviteti i tyre ishte i kufizuar për shkak të rezistencës së qeverisë greke dhe mungesës së mbrojtjes ndërkombëtare. Shtypi britanik, përfshirë gazetën “Near East”, evidentonte se qeveria greke synonte të eliminonte minorancën shqiptare dhe të impononte kontroll mbi tokat e Çamerisë, pavarësisht vendimeve ndërkombëtare.

Gazeta Near East ka famën e një prej gazetave angleze që nuk hezitojnë të tregojnë se qeveria greke ka synim të zhdukë minorancat shqiptare. Qeveria shqiptare, përpara një sjelljeje të tillë, nuk mund të mbetet indiferente për fatin e mbi 50,000 shqiptarëve të Çamërisë. Ajo mbylli memorandumin që kërkonte të njiheshin të drejtat e Çamëve nga komisioni ndërkombëtar dhe insiston që shqiptarët e Çamërisë të përjashtohen nga çkembimi sipas protokolleve, duke kërkuar që një dragoman nga qeveria shqiptare të marrë pjesë gjatë investigimeve për popullsinë çame.

“Marrëveshja e Lausannës për çkembimin e popujve aplikohet vetëm për kombësitë turke dhe greke. Editorit të “Near East” mund t’i ketë shkuar mendja tek kanuni grek për eksproprimin ose konfiskimin e tokave të pronarëve të pasur. Kjo reformë agrare do të zbatohet në Çamëri dhe në disa vise të tjera të Greqisë.

Por për patriotët çamë nuk ka rëndësi çfarë ndodh me pronarët e mëdhenj; ajo që ata kërkojnë është që popullata e Çamërisë të mos trajtohet si turke gjatë çkembimit, por si shqiptare.

Dhe këtë gjë e kuptojnë më së miri në minutën e parë. Muajin që vjen, në Gjenevë të Zvicrës, hapet Kuvendi i Lidhjes së Kombeve. Ky guvernw shqiptar do të përfaqësohej, sipas lajmeve të gazetave italiane, nga Kryeministri i Shqipërisë, Peshkop Noli.

Diaspora shqiptare në Amerikë luajti një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe në mbështetjen morale e materiale të Çamëve. Shoqëria “Çamëria” organizoi fushata mbledhjeje fondesh, mitingje dhe proteste për të tërhequr vëmendjen e mediave dhe të institucioneve ndërkombëtare. Një thirrje për mbështetje, e botuar në gazetën “Dielli”, apelonte:

“Cdo Çam pa përjashtim, anëtar ose jo i Shoqërisë ‘Chameria’, detyrohet të marrë pjesë në këtë fushatë duke bërë detyrën e tij plotësisht; gjithashtu edhe shqiptarët me ndjenja filantropike nuk duhet të harrojnë detyrën e tyre ndaj vëllezërve të tyre fatkeqë, që sot kërkojnë ndihmë për të mos u dëbuar nga Çameria dhe vendosur me pahir në Anadoll.”

Përveç mbështetjes morale, diaspora amerikane kërkoi ndërhyrje diplomatike, duke i dërguar kabllograme dhe memorandum në Lidhjen e Kombeve dhe qeveritë evropiane, duke synuar ndalimin e eksodit të detyruar të shqiptarëve nga vendbanimet e tyre historike.

Përpjekjet e qeverisë Noli dhe të diasporës nuk mund të shpërfilleshin, por pengesat ishin të mëdha. Qeveria greke përdorte metoda të ashpra: konfiskime prone, dhunë dhe kërcënime për internim, duke shkelur çdo parim të mbrojtjes së minorancave. Për më tepër, Traktati i Lozanës nuk e përfshinte Çamërinë si objekt i çkembimit të popullsive, gjë që nënvizonte padrejtësinë e politikave greke.

Argondizza thekson se:

“Përpjekjet e Çamëve për të kundërshtuar çkembimin dhe persekutimin ishin të dukshme, por efektiviteti i tyre ishte i kufizuar për shkak të rezistencës së qeverisë greke dhe mungesës së mbrojtjes ndërkombëtare.”

Analiza e situatës tregon një ngërç të thellë midis normave ndërkombëtare dhe praktikave shtetërore. Ndërkohë që qeveria shqiptare përpiqej të mbrojë të drejtat e Çamëve, qeveria greke vazhdoi persekutimin, duke përdorur metoda që përfshinin konfiskimin e pronave, dhunën dhe kërcënimet për internim, duke shkelur praktikisht çdo parim të mbrojtjes së minorancave të parashikuar nga protokollet ndërkombëtare.

Në përfundim, periudha e qeverisë Noli dhe veprimet e diasporës shqiptare në Amerikë tregojnë përpjekjen për të mbrojtur të drejtat e një komuniteti të margjinalizuar, përballë sfidave të mëdha diplomatike dhe represionit shtetëror. Ky kapitull historik shërben si dëshmi e rëndësisë së mobilizimit ndërkombëtar dhe roli i komuniteteve diasporike në ruajtjen e të drejtave të popujve të shtypur.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 659
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT