• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROFESOR DR. GËZIM ALPION SJELL NËNË TEREZEN NË FEDERATËN GJITHË-SHQIPTARE VATRA NË NJU JORK

May 1, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli*

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
See the source image

Disa fjalë të një natyre jo formale…shënime me rastin e promovimit të librit, “Nenë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, i autorit Prof. Dr. Gëzim Alpion, i Universitetit Birmingham të Anglisë.

Nuk kisha përgatitur ndonjë vlerësim zyrtar si të thuash sepse e di se shumë prej jush i kini lexuar mendimet e mia modeste në lidhje me këtë libër – pasi jam munduar të pasqyroj me disa shkrime, zhvillimet, reagimet dhe vlerësimet ndaj librit të Profesor Alpionit, ç’prej botimit e këtej.

Turneu i promovimit të librit për Nenë Terezën, e çoi autorin Gëzim Alpion, në dy universitet ndër më të njohura amerikane dhe botërore, Universiteti Georgetown në Washington dhe Universiteti Harvard në Boston dhe në Federatën Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork, por edhe tek  Zëri i Amerikës për një intervistë –për të cilat kam bërë një shkrim paraprak javën që kaloi — Frank Shkreli: Nënë Tereza në Amerikë | Gazeta Telegraf.   Vizita e Profesorit Alpion në Shtetet e Bashkuara ka tërhequr edhe vëmendjen e njerës prej gazetave të mëdha të Indisë, “Telegraf-India” online – e cila botoi të shtunën — ditën që Profesor Alpion foli për veprën e tij në kryeqendrën e Vatrës — këtë njoftim për lexuesit e vet anglisht-folës duke thekësuar rëndësinë e promovimit të librit të Dr. Alpion në Shtetet e Bashkuara:

Different images –”Something struck me about Mother Teresa during her beatification ceremony in Rome in 2003. St Peter’s Square, I remember, was packed with thousands of her followers from all over the world. I thought of her as belonging to India. She was ‘Mother Teresa of Calcutta’, after all. But others claimed her as the most important figure in the Catholic Church after the Pope. And it is the Catholic side of her life that Gezim Alpion is exploring in a lecture tour that is taking him to New York and the universities of Harvard and Georgetown. “The two Teresas are not contradictory,” he told me before leaving for America. Alpion, who is an academic at Birmingham University in the UK and of Albanian origin, has written several scholarly books on Mother Teresa, including one revealing her “dark night of the soul” in Mother Teresa: The Saint and Her Nation…” – (Telegraph-India online, April 30, 2022.)

Ç’prej botimit të librit “Mother Teresa, “The Saint and her Nation”, kam ndjekur dhe jam munduar të pasqyroj zhvillimet në lidhje me librin e Dr. Gezim Alpion në artikuj e që janë botuar, edhe në gazetën Dielli të Vatrës dhe në disa portale e gazeta, anë e mbanë trojeve tona në Ballkanin Perëndimor. E kam berë këtë se ia di vlerën dhe rëndësinë kësaj vepre, sidomos për lexuesit anglisht folës të botës. Kam pasur kënaqësinë që t’ua shpërndaj kontakteve të mia amerikane edhe njoftimet në anglisht nga Universiteti Birmingham dhe nga shtëpia botuese “Bloomsbury Publishing”, me rastin e botimit të librit ose kur Dr. Alpion bënte promovime para grupeve të ndryshme akademike të tjera. Të njëjtën metodë kam përdorur edhe me vlerësimet në anglisht që janë bërë për librin, nga India, në Angli e deri këtu në Amerikë.  Shumica e vlerësimeve të librit kanë qenë shumë pozitive qoftë nga bota akademike, qoftë edhe nga personalitete kishtare botërore, të pakën nga ato që kam lexuar unë, të cilat Profesori i nderuar m’i ka përcjellur vazhdimisht — e për çka e falënderoj nga zemra.   E kam berë këtë, jo për të ndihmuar Profesorin e nderuar, se për fat të mirë nuk ka nevojë për ne — megjithëse e meriton mbështjetjen e gjithë neve – por sepse kam qenë dhe jam i bindur se ky libër ka një rëndësi të veçant për historinë e jetës dhe të verpimtarisë së Nenë Terezës, por mbi të gjitha, është një burim i vyer në anglisht që të huajt të mësojnë për “Themelet Iliriane të Qytetërimit Perëndimor”.

Në të vërtetë, është një libër që po të mos ekzistonte, do duhej të çpikej.  Por për fat të mirë është shkruar nga Prof. Alpion dhe si të thuash tani, për këtë libër, nami ka marrë dhenë. Bota anglisht-folëse, më në fund, falë këtij libri po mëson se Nenë Tereza ishte shqiptare, jetoi, veproi dhe ndërroi jetë si e tillë dhe që origjina e saj të mos vihej më në pyetje.

Personalisht, e kam pritur mirë librin e Profesorit Alpion në gjuhën anglisht, “Mother Teresa: “The Saint and her Nation”, botuar nga Bloomsbury Publishing, sepse shumë heret – në të vërtetë pothuaj para 45-50-viteve të pakën – unë dhe shumë të tjerë si unë e kemi ndier nevojën për një libër të tillë në anglisht, që të  fliste për origjinën dhe rrënjet shqiptare të Nënës Tereze. Ne shqiqptarët, natyrisht e kemi ditur se Nenë Tereza ishte shqiptare, por jo të tjerët.   Gjatë disa dekadave në Washington, duke filluar nga të 70 e 80-tat, si pjesë e punës time atje, shpesh ndodhte që me amerikanë dhe të huaj flitej për Nenë Terezen dhe origjinën e saj. 

Por, siç dihet propaganda serbe, por edhe ajo maqedonase e asaj kohe, ishin, vendosmërisht, kundër origjinës shpiptare të Nenë Terezës dhe propaganda e tyre, ishte aq e përhapur sa që bota anglisht-folëse e konsideronte atë – bazuar në shkrimet falso të propagandës së tyre, si murgeshë bamirëse me origjinë sllave, serbe ose maqedonase, ose jugosllave, por kurrë si shqiptare. Nëqofste ka ende sot anglisht folës që nuk dinë se nga vjen Nenë Tereza unë u them: lexoni librin e professor Alpionit.: “Mother Teresa: The Saint and her Nation”., (Nenë Teresa: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj).

Prandaj unë besoj se ky libër, i Profesorit Alpion do duhej të ishte shkruar nja 50-vjetë më parë për të luftuar dhe korrektuar propagandën e atëhershme anti-shqiptare kundër Nenë Terezës dhe origjinës së saj.  Në atë kohë nuk kishte burime në anglisht për Nën Terezen, siç është sot libri i Profesorit Alpion. 

Një kujtesë të shkurtër nga qershori i vitit 1985 – Presidenti Reagan kishte ftuar Nenë Terezen në Shtëpinë e Bardhë për t’i dekoruar asaj “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, që është çmimi më i lartë që Presidenti amerikan u akordon personave (kryesisht amerikanë) me merita dhe kontribute të jashtëzakonshme ndaj sigurimit dhe interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ndaj paqës në botë dhe për arritje të veçanta në fushën e veprimtarisë publike ose private.   Në fjalimin e rastit në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës së Medaljes Presidenciale të Lirisë Nënë Terezës, Presidenti Regan e ka karakterizuar murgeshën me origjinë shqiptare, si “Heroinën e kohëve tona”. Ai ka thenë me atë rast, se ndonëse kjo medalje, tradicionalisht, u jepet shtetasve amerikanë, Z. Reagan ka shpjeguar me atë rast se në shenjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, nrnë Terezës po i akordohej kjo decorate, pasi sipas vlerësimit të tij, “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtar dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogla nacionaliste”, është shprehur ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, duke folur për veëprimtarinë dhe jetën e Nënë Terezës.

Por në motivacionin e dekoratës së Shtëpisë së Bardhë, Nenë Tereza ishte identifikuar si “jugosllave” dhe më kujtohet fakti se me atë rast iu dërgua një letër Shtëpisë së Bardhë me të cilën u tërhiqej vëmendja se ishin të gabuar në konstatimin e tyre, se Nenë Tereza ishte shqiptare me origjinë dhe jo slave ose “jugosllave”. Përgjigja e Shtëpisë së Bardhë ndaj kësaj letre ka qenë, po ne nuk gjetëm asnjë burim në anglisht që përcaktonte origjinën e Nenë Terezës si shqiptare. 

Ky shembëll pasqyron rëndësinë e librit në anglisht të Profesor Gëzim Alpion, megjithëse sot bota anglisht-folëse, falë punës së vyer akademike të Profesorit tonë të nderuar, besoj se bota, kryesisht, tani e di se Nenë Tereza ishte dhe mbetet shqiptare. 

Për të huajt, sidomos për anglisht folësit në botë, libri i autorit Dr Gëzim Alpion promovon anë e mbanë botës mugeshën shqiptare, duke e lidhur, përjetësisht, Nënë Terezen me identitetin kombëtar të shqiptarëve. 

Më në fund, në një shënim personal e falënderoj Profesorin Gëzim Alpion për kontributin e tij në këtë fushë, por edhe për durimin dhe fisnikërinë që ka treguar ndaj meje në shkëmbimet që kemi patur gjatë viteve…Urimet e mia më të përzemërta për suksesin që libri, “Nenë Tereza: Shënjëtorja dhe Kombi i Saj” po shënon anë e mbanë botës anglisht folëse, me urimin për suksese të tjera në fushën akademike për Profesiorin tonë të nderuar: lartë e më lartë!

Frank Shkreli

KUSH ËSHTË PROF. DR. GËZIM ALPION: Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Neëman, para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham.  Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Birminghamit.  Specializimet e Profesorit Gëzim Alpion janë në disa fusha akademike, përfshirë sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.  Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.

Frank Shkreli

 *Këto shënime po botohen me rastin e promovimit të librit: Nenë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit Prof. Dr. Gëzim Alpion – në Federatën Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork me datën 30- prill, 2022. 

*Fotot janë nga gazetari i njohur shqiptaro-amerikan Beqir Sina


Njoftimi nga Universiteti Birmingham në Angli për prezantimtin e Prof dr. Gëzim Alpion në Federatën Pan-Shqiptare Vatra në Nju JorkDiagram, text

Description automatically generated

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

   Profesor Dr. Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham

                        Autori me Profesorin Gezim Alpion në hyrje të Vatrës, 

D7CD44E4-F73A-474E-809D-ABF534098289.jpeg

                                     Me Kryetarin e Vatrës, Z. Elmi Berisha

8D4C6BF8-746D-4DCB-9FDF-249A76ABE081.jpeg

 Redaktori i Gazetës Dielli, Z. Sokol Paja duke paraqitur mysafirin e nderuar nga Anglia

May be an image of 8 people and people standing

Një foto përkujtimore me Profesor Dr. Gëzim Alpion, me disa prej pjesëmarrësve që kishin ardhur për të nderuar Profesorin Alpion dhe veprën e tij kushtuar Nenë Terezës, — “Nenë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj” – një vepër kjo që lidhë përjetësisht Nenë Terezen me identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

KOMUNITETI SHQIPTAR NË NJU JORK PËRCOLLI ME DHIMBJE PETRIT RAKAJ, 43 VJEÇ

April 30, 2022 by s p

Përgatiti: Dalip Greca/

New York, 29 Prill 2022- Familjet Rakaj dhe Mrnaçaj në Nju Jork dhe Michigan, miqtë, të afërmit dhe komuniteti, përjetuan këto ditë ndarjen e dhimbshme nga jeta të Petrit Rakaj, i datëlindjes 15 Korrik 1978. Petriti u nda nga jeta me 25 Prill 2022, në moshën 43 vjeçare. Me ikjen e tij ai la në pikëllim të thellë prindërit Nua Rakaj e Diella Rakaj(Mrnaçaj),Vëllain Çesk, motrat Vali, Drita, vëllain Aleks, motrën Leonora, vëllezërit Alfons, Berti e Valentin si dhe të gjithë të dashurit e fiseve Rakaj dhe Mrnaçaj. Petriti ishte nip i vatranëve(Mark Mrnaçaj, djal i motrës Diella) dhe nip i Pal Rakaj(babai i Mondit). Lajmi i dhimbshëm ka trishtuar mbarë komunitetin,i cili kreu homazhe të Enjten me 28 Prill, nga ora 2pm deri 9pm në shtëpinë mortore, F.Ruggiero & Son’s Funeral Home, 732 në Yonkers, NY.Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit u kremtuan të Premten me 29 Prill, në orën 11:00 am në Kishën “Zoja e Shkodrës”. Meshën e drejtoi famullitari Dom Pjetër Popaj. Në emër të familjes përcolli mesazhe dhimbjeje për ikjen në amshim të Petritit, i vëllai Albert Rakaj. Përmes lotëve dhe zërit që i dridhej nga dhimbja, Alberti tha se kjo vdekje ksihte shkaktuar dhimbje të madhe për të gjithë familjen e fiset Rakaj e Mrnaçaj, të shpërndarë anë e mbanë botës-E kam të vështirë sot të flas për ty, o vëlla i dashur, por e kam obligim t’i them pak fjalë për jetën tënde, i shtrenjti vëlla.Ti ishte fëmijë, 14 vjeçar, kur more rrugët e mërgimit në Greqi, e më pas në Itali, e prej andej në Agli.Ike fëmijë, por hallet të rritën e të burrëruan para kohe, duke u bërë krah për familjen.E ndihmove sa munde. Ti u bëre strehë e ndihmove shumë shokë e miq që të trokitën në derë sepse ti e kishe zemrën e madhe, të mbushur me dashuri… Zoti deshti që të sillte në vendin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë vend të bekuar. Ardhja jote na i ngrohu zemrat, veçanërisht nanës e babaës. Të gjithëve na kishte marrë malli dhe të pritëm krah hapur.Më pas Alberti kujtoi dhimbjen me të cilën ishte përballë familja para 25 viteve: Në vitin 97 familja jonë përjetoi me dhimbje të madhe largimin nga kjo jetë të vëllait tonë 20 vjeçar, Linit.Nëna jonë ishte rritur gjithmonë me vuajtje e dhimbje se regjimi komunist ia burgosi babën e ia internoi familjen.Në internim u rrit edhe ajo. Vdiq në mënyrë të pa pritur dhe kushërini në Amerikë në moshën 30 vjeçare Nik Mernaçaj në demonstratat kundër komunizmit.Si kjo plagë nuk u shërua por u ba dhe ma e madhe? Alberti shprehu dhimbje për mungesën në këtë përcjellje të fundit të dy vëllezërve, të Çeskut në Angli dhe të Alfonsit në Itali, që e patën të pamundur udhëtimin për t’i hedhur një dorë dhe’, por ata kanë shkuar në Atdhe, ku kanë çelë dyert mortit për të nderuar ty, vëlla i dashur, po presin miq e fis atje. Duke iu rdjetuar pjesmarërsve në meshë, Alberti tha se kjo fatkeqësi, që na gjeti, vdekja e vëllait tonë të dashur, Petritit, na i ka plagosë rëndë zemrat dhe shpirtrat të gjithë ne familjarëve dhe tërë fisit tonë,por falë Zotit, shtëpinë e kemi plot me djem e vajza, nipa e mbesa, kemi pranë kushërinj e miq, që na e zbusin dhimbjen dhe lusim Zotin të na japë forcë për ta përballuar dhimbjen. Alberti e ka mbyllur mesazhin e tij: E kemi të vështirë të themi Lamtumirë, o vëlla i dashur. Krishti të pastë në Parriz! Shpirti yt pushoftë në Paqe! I përjetshëm do të mbetesh në zemrat tona! Të pranishmit në Meshë janë përlotur nga mbesa e Petritit, Meri Ujkaj, e cila fillimisht, falenderoi të gjithë ata që iu gjendën familjes dhe të afërmëve për të përballuar këtë tragjedi të parakohshme. Ajo solli në kujtesë vizitën e dajës Petrit në Amerikë në vitin 2004. Ai bënte gjithçka për t’i bërë të lumtura mbesat dhe nipërit.Në kujtesën e Merit, daja Petrit ishte përherë i sjellshëm, i veshur me shije, elegant, ishte mendjemprehtë, i zgjuar, i prirur për të bërë gjëra të jashtzakonshme.Mbesa kujtoi gjithçka të bukur për dajën e saj. Në fund lotët dhe dhimbja i mundën fjalët!Dashuri, respekt e dhimbje për dajën e dashur.Për një moment u duke se Meri po dialogonte me dajën e dashur: -Ne mund të pyesim si,? Pse dhe nëse? … ose mund të bëjmë atë që na kanë mësuar gjithmonë, t’i besojmë fjalës së Perëndisë. Është Fjala Jote që unë kërkoj të ndriçoj këtë kohë të errët. Na ndihmo të të shohim me gjithë lavdinë dhe dhembshurinë Tënde, në mënyrë që të bekohemi me kuptimin e vullnetit Tënd. Besimi ynë në ty, Zot Perëndi, është ajo që na mban në këmbë. Kjo është arsyeja pse një grua si gjyshja ime qëndron ende e fortë edhe sot e kësaj dite, pavarësisht nga fatkeqësitë me të cilat u përball. Ne jemi mësuar gjithmonë të qëndrojmë në lutje dhe të kërkojmë Fjalën e Tij për udhëzim. Ai na thotë të mos shqetësohemi. Për ta kërkuar atë për ngushëllim në të panjohurën. Ai na thotë te Zbulesa 21:4 “Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje, as vajtim, as klithmë, as dhimbje, sepse rendi i vjetër i gjërave ka kaluar.” Ajo që dihet është se nuk e njeh më dhimbjen. Është premtimi i Zotit! Pra, ne duhet të gjejmë gëzim në rilidhjen e Perëndisë si familje dy vjet më parë, që i lejova gjyshërit e mi të të mbanin në krahë për herë të fundit. Dhe tani, jenë në krahët e Jezusit ku hyni, Ju dhe vëllai juaj, Lini, e dini paqen përfundimtare. Unë do të vlerësoj të gjitha momentet e mia me ju… Do më mungoje, Daja im i dashur.Mbas Meshës i ndjeri u përcoll në varrezat “Gate of Heaven”, ku u organizua ceremonia e varrimit në drejtimin e dom Pjetër Popaj. Lot dhe kurora të shumta me lule…Në emër të familjes falenderoi Pal Rakaj. Familja shtroi drekë në Tramonto Restorante, NY. Në emër të Vatrës ngushëlloi familjen dhe miqtë ish nënkryetari i Vatrës z. Asllan Bushati. Nju Jork, 29 Prill 2022

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, PETRIT RAKAJ

Presidentja Vjosa Osmani takoi kongresistin Steny Hoyer, kongresistin Darrell Issa, senatorin Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen

April 29, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur gjatë ditës djeshme në takime nga lideri i shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kongresisti Steny Hoyer, kongresisti Darrell Issa dhe bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, senatori Ben Cardin dhe kongresisti Steve Cohen. Gjatë takimit me kongresistin Hoyer, Presidentja Osmani diskutoi rreth rëndësisë së përkrahjes amerikane në Kosovë e më gjerë, si dhe për domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë e lirisë, e cila në Kosovë është arritur pas shumë sakrificave. Në takim po ashtu u bisedua rreth zhvillimeve në kontinentin evropian pas luftës në Ukrainë. Kongresisti Hoyer siguroi Presidenten Osmani që Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane. Në takim me kongresistin Darrell Issa, i cili njëherësh është anëtar i grupit për çështje shqiptare, u diskutua për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe për situatën e sigurisë në rajonin tonë. Presidentja Osmani e falënderoi kongresistin Issa që është një zë i rëndësishëm në përkrahje të Kosovës duke potencuar fushat e ndryshme të interesit të dyanshëm ku mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, në takime te ndara me bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ne Kongresin Amerikan, senatori Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen, Presidentja Osmani i falënderoj për mbështetjen që historikisht i kanë dhënë Kosovës dhe potencoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në periudhën në vijim të fuqizimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Gjatë takimit me senatorin Cardin dhe kongresistin Cohen, Presidentja Osmani diskutoi edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sigurinë në kontinentin tonë, ndikimin malinj të Rusisë dhe nevojën që SHBA të jetë sa më shumë prezente në rajonin tonë.

Filed Under: Politike

28 PRILL 1912-2022; 110 VJETORI I THEMELIMIT TË VATRËS / ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

April 28, 2022 by s p

…NJOLLA E KRIMINELIT MBI BALLIN E ATDHETARIT 

ARSHI PIPA: Vdiq Flamurtari i moçëm!/ Si rrojti: vdiq me nder/ I pastër, i devoçëm,/E pa u përkulë nji herë./… Ndër qela- u sos t’Burrelit,/Me dhunën e tradhëtarit,/Me njoll’n e  kriminelit/ Mbi ballin e atdhetarit/…

NGA DALIP GRECA*

ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

       Me 28 prill 1955 pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të orëve të para të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish kryetar i Shoqatës atdhetare”Besa Besën”,kryetar i shoqatës “Arsimi”, bashkthemelues i Vatrës, nënkryetar i saj, shoqërues i dorëzimit të Imzot Nolit Prift, deputet në Parlamentin shqiptar, nën/prefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i Bashkisë së Korçës, një ndër themeltarët e Vatrës, menaxheri i parë i Diellit si gazetë e Vatrës, dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka.  

Shpirti i atdhetarit u shua në ditën e themelimit të Vatrës, me 28 prill, si për të dëshmuar se jeta e tij prej martiri ishte pazgjidhshmërisht e lidhur me Vatrën kombtare, së cilës ai dhe patriotët e tjerë i dhanë përjetësinë.

        Jeta e atdhetarit u shua në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste. Atdhetarit të orëve të para edhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Nuk ka varr. Vatrani që kishte vënë jetën në themelet e atdhetarizmit ndëshkohej në mënyrën më çnjerëzore. Cili komb tjetër i ka ndëshkuar atdhetarët në mënyrë kaq kriminale?
      Kristo Kirka pat ardhë në Amerikë që më 1905. Ai qe një ndër atdhetarët që iu përkushtua kombit dhe ishte me fat që pat miqësi e aktivitet të përbashkët me Sotir Pecin, Fan S. Nolin, Faik Konicën, Kristo Floqin,Koço Kotën, Elio Tromarën e të tjerë patriotë, që përbëjnë elitën e diasporës në SHBA. Që më 1906 iu përgjigj thirrjes së Sotir Pecit për të ndihmuar gazetën”Kombi” ,e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës, dhe jo vetëm dhuroi, por edhe mblodhi ndihma për të.Kur Noli iu bashklua Pecit si redaktor i Kombi-t, Kristo Kirka, e shoqëroi në Natick dhe u bëri thirrje të ndihnin Kombin, që të vazhdonte botimin. I pari dhuroi kursimet e veta Kirka dhe pas tij Kol Tromara, Andrea Pani, Ilo Tromara, Sotir Noka, Ilo Zdruli dhe shumë të tjerë. Noli i falenderoi me fjalë zemre.Kur Noli do të themelonte shoqatën Besa-Besë, Kirka ishte pjesë e shoqatës.
      Kur Noli do të dorëzohej prift, Kristo Kirka ishte në komisionin dëshmus të ortodoksëve shqiptarë pranë Kishës Ruse në Nju Jork, së bashku me Sotir Pecin, Vangjel Miller, Spiridon e Gaqo Dushi , Kol Rodhe e të tjerë patriotë korcarë, që i dhanë shpirt lëvizjes kombtare në SHBA.
Më 1908 Kristo Kirka është zgjedhur kryetar i Shoqërisë Besa-Besën, detyrë që duket se e ka mbajtë dhe më 1910, ç’ka e dëshmon një letër e Faik Konitzës, e 11 shkurtit të atij viti,kur kryente detyrën e editorit të Diellit dhe i drejtohej me mesazhin falenderues:”Shoqërisë Besa-Besën, kryetarit të palodhur të saj Kristo Kirka,pleqësisë së nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj…”.

  Kristo Kirka kontribuonte paralelisht në disa shoqata, që vepronin atë kohë në SHBA. Me 1911 ai kryente detyrën e arkëtarit të Shoqërisë teatrale”Lahuta” që e kishte qendrën në Cochituate në Massachusetts. Ishte dhe kontributi i tij që kjo shoqatë kulturore vuri me sukses në skenë dramën”Vdekja e Pirros”(1910), shkruar nga Mihal Grameno dhe komedinë “Një gjyq në Rekë” të Kristo Floqit më 1911.

Ndërkohë, kontributi i tij në shoqatat “Besa-Besë” dhe “Arsimi” ishte parësor. Ai ishte në krahun përparimtar në debatet që paten shpërthyer në Shoqatën Besa-Besë në vitet 190-1911, ku debatohej se ç’krah duhej të merrte shoqata, atë të Austro-Hungarisë apo të Turqisë që po gremisej.Dielli shkruantë në numrin e 9 nëntorit 1911se Kristo Kirka kishte triumfuar me kritikat e rrepta kundër përçarsve.

 Qëndrimin e tij pro Austro-Hungarisë, Kirka e shfaq edhe në një takim në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai denoncoi krimet serbe në Kosovë dhe shprehu përkrahje për Austrinë, e cila duke çliruar tokat shqiptare të Kosovës martire, do të fitojë përgjithnjë dashurinë dhe mirënjohjen e kombit shqiptar.

Për Kirkën, dy fqinjët tanë, grekët në Jugë dhe serbët në Veri, ishin armiqtë tanë, që rrezikojnë ekzistencën e Kombit të lashtë shqiptar. Në një miting të madh, organizuar me 2 shkurt 1913, ku shqiptarët protestuan kundër masakrave dhe barbarive greke në jug të Shqipërisë. Demonstrata u organizua nga Shoqëria”Arsimi” e Korçës, ku Kirka ishte në bordin drejtues, dhe kishte qenë kryetar i saj. Edhe Vatra ishte pjesë e organizimit të kësaj demonstrate.Në krye të mitingut ishte Kristo Kirka. Dielli, në kronikën e vet përshkruse, ka përcjellë pjesë nga fjalimi i kryetarit Kirka,i cili ngriti lart vlerat e qytetit të tij të lindjes, Korçës, si djep i Shqiptarisë, ku u ngrit e para shkollë shqipe, ku u botuan të parat gazeta shqip, të parat shtypshkronja. Ai tha se do të ishte një çnderim i madh nëse Korça mbetej jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

 Kirka firmosi telegramin e mitingut të madh të Bostonit, drejtuar ministrit të Jashtëm britanik, Sir Edward Grey. Në të shkruhej” Mijëra shqiptarë të krishterë protestojnë kundër masakrave që po bën ushtëria greke nër burrat dhe gratë në Korçë dhe fshatarve rrotull, si dhe kundër pothua 80 fshatrave cilët i përmbysnë rrotull Devollit. Një telegram i tillë iu dërgua dhe qeverisë së përkohshme shqiptare. Në arkivin e familjes Kirka, ruhet dhe telegrami, që atë Kohë Kristo Kirka mori nga delegatët shqiptarë, që ndodheshin atë kohë në Londër. 

Gazeta Dielli e 27 Shkurtit 1913 e ka përcjellë tekstin e atij telegrami:” I nderçmi atdhetar; Ju përhirojmë për atdhesinë që çfaqni.Korçarët, kurdoherë atdhetarë, u çfaqnë në këto çaste kritke të zotët të luftojnë për të drejtat e tyre.Me sa na mundet, u përpoqmë dhe përpiqemi që Korça, një nga më të bukurat xhevaire të kurorës shqiptare, t’i mbetet Shqipërisë dhe mundim t’ju sigurojmë që do t’i shpëtojë nga thonjtë armiqëve…”

Vatra, me patriotë të tillë si Kristo Kirka, shpëtoi Korçën dhe Gjirokastrën nga thonjtë e grekëve. Eshtë e njohur deklarata e Venizellosit se ishte Vatra ajo që ia hoqi nga duart Vorio Epirin.

 Sipas Diellit të 2 majit 1913, në një tjetër miting të madh, shqiptarët e Amerikës protestuan fuqishëm kundër vendimeve të Konferencës së Londrës.Menaxheri i gazetës”Dielli” Kristo Kirka, denoncoi grabitjen e tokave shqiptare me vendime të ndërkombëtareve. Kirka ngre lart luftën e trimave shqiptar të Kosovës me gjeneralin popullor Isa Boletini dhe e mbylli fjalimin me vargjet e poezisë”Oso Kuka”.
Kristo Kirka ishte delegat në të gjitha takimet themeluse të Federatës “Vatra” dhe në mbledhjen themeluse ai u zgjodh menaxher i Diellit. E kreu edhe detyrën e kryetarit të degës së Vatrës nr 1 për Bostonin, që në themelimin e degës, ndërkohë u zgjodh nënkryetar dhe kreu edhe detyrën e kryetarit.
Atdhetari i përkushtuar gjatë të gjithë kohës ishte në krye të veprimtarive antigreke që organizonin shqiptarët e Amerikës. Madje në mitingun madhështor të 2 shkurtit 1913, në “Phoenix Hall” në Boston, organizuar nga Shoqëria Korçare “Arsimi” me përkrahjen e “Vatrës” ai ishte drejtus i mitingut kundër barabarizmave greke në jug të Shqipërisë.
Kristo Kirka sipas gazetës Dielli , 2 maj 1913, ishte në krye të një mitingu të organizuar në Boston në mbrojtje të kufijëve të Shqipërisë, si reagim kundër vendimeve coptuse të Konferencës së Londrës.
            Më 1914, atdhetari i palodhur, ndodhet në Rumani dhe me delegacionin e shqiptarëve të Rumanisë shkon në Durrës dhe urojnë dhe mbështesin Princ Vidin. Po atë vit Kristo Kirkën e gjejmë në Korçë, i emëruar përgjegjës për punët publike. Gjatë përpjekjeve të grekëve për të aneksuar Korçën, Kristo Kirka ishte në krah të Themistokli Gërmenjit, me detyrë përgjegjës për mbrojtjen e postblloqeve të qytetit nga sulmet e andartëve grekë.Pas hyrjes së grekëve në Korçë, Kristo Kirka me atdhetarë të tjerë detyrohen të lënë vendin. Rikthehet sërish në radhët e Vatrës duke u bërë si më parë një përkrahës i zjarrtë i Nolit.

    Në janar 1921,Këshilli i Vatrës e ngarkon Kristo Kirkën përfaqësues të posaçëm të Vatrës në Shqipëri.Duke qenë një figurë që gëzonte besim në popull ai u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Shqiptar për katër vite.Më 1924 Qeveria e Nolit e dërgoi konsull në Boston.
      Në vitin 1933 rikthehet në Shqipëri, edhe pse ishte kundërshtar i monarkisë, për atdhetarizëm emërohet nënprefekt në Himarë dhe më pas në Bilisht.Ishte i fundit kryetar bashkie i Korçës para instalimit të diktaturës komuniste, para ardhjes në pushtet të komunistëve.Refuzoi ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit. Sapo komunistët hynë në Korçë, arrestohet nga njësiti guerril; e lirojnë pas një jave. Pas dy muajsh e propozojnë për kryetar fronti për shkak të popullaritetit që kishte; por sërish refuzon, duke paraqitë si shkak moshën e mahde. Me 12 maj 1946 arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Arrestohet vatrani që kishte lënë Amerikën për të bërë Shqipërinë! Atdhetarizmi shpërblehet me burg! Pas 9 vitesh vuajtjesh në burgun e tmerrshëm të Burrelit, dha shpirt, por trupi i tij nuk iu kthye familjarëve.Martiri mbeti pa varr!
Poeti antikomunist, Arshi Pipa,bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do të shkruante aso kohe  elegjinë përjetësuse”Elegji për atdhetarin Kristo Kirka”. Në vargje shpërthen dhimbja për atdhetarin dhe mllefi për diktaturën, që i mohoi dhe varrin:

Vdiq Flamurtari i moçëm!
Si rrojti: vdiq me nder.
I pastër, i devoçëm,
E pa u përkulë nji herë.

Ndër qela- u sos t’Burrelit,
Me dhunën e tradhëtarit,
Me njoll’n e  kriminelit
Mbi ballin e atdhetarit

A u pezmatu, a u-lodh
Se ashtu u-shpërblye i pafati?
Se fëmija pranë s’ju ndodh
Se vorr, as vorr, nuk pati?

Nuk fali, nuk mallkoi.
Por kur fjala ju-pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për Flamur!…për Atdhe…!

(Arshi Pipa- Libri i Burgut)

VATRA, SHTETI I MUNGUAR SHQIPTAR

Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dha gjithëçka për të shpëtuar Shqipërinë, madje sakrifikoi jetët e drejtuesëve të saj..Siç ka shkruar Faik Konica, një ndër shtyllat e Federatës, sekretari i Komisionit të  bashkimit të shoqërive që vepronin në SHBA më  1912,- “Vatra” mori përsipër të veprojë  në vend të shtetit të vdekur shqiptar.”

 “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës ka bërë punë të mëdha për Shqipërinë: Emëroi dhe financoi delegatët e Shqipërisë në Evropë dhe Uashington, që i shërbyen çështjes kombëtare në  çastet më të vështira gjatë Luftës së Parë  Botërore e më pas.

 Ishin harxhet e Vatrës ato që financuan jo vetëm diplomatët shqiptarë, por edhe miq të Shqipërisë si dhe agjensi të huaja të specializuara që punuan në ato vite për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare. Protestat e shumta, telegramet dhe deklaratat e organizuara nga Vatra në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë kancelarive, konferencave, forumeve ndërkombëtare, qenë  jetike për kombin.

Ishte Vatra ajo që me 3 qershor 1917 nisi fushatën e lobimit për mbrojtjen e pavarsisv së Shqipërisë nën moton”Për shpëtimin e Shqipërisë”, ku u mblodhën 150 mijë dollar. Pa kaluar tre vjet nisi fushata tjetër në ndihmë të qeverisë shqiptare “Huaja Kombëtare”, ku mblodhën më shumë se 198.000.00 dollarë amerikanë, që për kohën ishin shuma të mëdha, ndërkohë që punëtorët a pakualifikuar s’arrinin të merrnin më shumë se 5-7 dollarë në javë.

Një kontribut i çmuar i Vatrës ishte ai për zgjimin e kombit dhe ndriçimin e vetëdijes kombëtare.“Dielli” dhe Federatës “Vatra”, zgjuan nga plogështia shekullore jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Shqipërisë.Ndihma që dha” Vatra” për arsimimin e shqiptarëve dhe kulturën kombëtare, janë të pamohushme. Më shumë se 200 mijë tekste shkollore për shkollat shqiptare i sponsorizoi “Vatra”,ndërkohë që nxiti botimin dhe përkthimin e dhjetëra veprave letrare, përkrahu materialisht dërgimin e studentëve shqiptarë në shkollat amerikane etj. Nga diaspora e Amerikës Shqipëria fitoi edhe Kishën Autoqefale Orthodokse, që u bë një nga shtyllat e forcimit të shtetit.

Pas Luftës së Parë  Botërore, si dhe në prag të Luftës së Dytë  Botërore, shumë prej vatranëve patriotë iu përgjigjën zërit të Atdheut,  lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë. Disa prej tyre u ndëshkuan nga diktatura komuniste që u instalua në Shqipëri, pa qenë  fajtorë e pa u gjykuar si të atillë. Atdhetarët e orëve të para ranë në kurthin e diktaturës,e  cila shumëzoi me zero kontributin atdhetar dhe sakrificat e mëdha që ata kishin bërë për Shqipërinë.

Është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda. Ajo “Vatër” që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, ajo VATER, që mbrojti Shqipërinë përmes Amerikës në Konferencën e Paqes, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar vatranëve patriotë, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar idologjinë vëllavrasëse komuniste. Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Kryetari i Vatrës Kol Tromari, komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës Aqif Përmeti, Editori i Diellit Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij, siç kishte ndodhë edhe me Kristo Kirkën.

PARADOKSI- VATRANËT U SHPËRBLYEN ME PLUMBA 

Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetari i Vatrës më  1917 dhe 1918, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë, deri edhe jeten? Po Bahri Omari, editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, komandant i Trupava Vullnetare të Vatrës që la Amerikën për të mbrojtë Shqipërinë nga barbaritë e grekëve?  Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit:”Jepni për Nënën”? Shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të Beratit.U mbeti ndër duar hetuesve komunist gjatë torturave çnjerzore në qelitë e vdekjes! Edhe vatranë të tjerë: Ish kryetari i Vatrës dhe editor i Diellit Aqile Tasi,Koço Kota, Kristo Floqi, Kol Rodhe, Kol Kuqali, Andon Frashëri, do të plaseshin në burgjet e diktaturës.

        Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare. 

PA KOMENT-LETRA E KRISTO KIRKËS PËR MID’HAT FRASHËRIN

Boston Mass, 27 prill, 1920

Z. Mid’hat Frashëri,

Delegat i Vatrës.

40 Rue de l’Artois

Paris, Francë

Muarëm letrën tuaj me datë 21 Mars

Për dr. Adhamidin, përsa na shkruani, u habitmë, se nuk dimë gjësendi dhe nuk kemi dëgjuar gjë. Do ish mirë po të kini më tepër dritë, të na bëni të njohur.

      Sa për politikën që mban Dielli dhe të cilën e gjeni Italo-file vimë t’ju themi se Dielli nuk ka mbajtur politikë të tillë, por munt disa nga artikujt e tij t’ju duken si të tillë. Redaksia e Diellit si dhe neve, ju lutemi tepër që hera-herën të na shkruani nga një raport, i cili të botohet në gazetë dhe të shfaqni politikën tonë. Kësisoj Dielli të shkelë mbi ato gjurmë, se pa mos patur një dritë të tillë, gazeta nga ndonjë herë munt të gabohet pa dashur. Me raporte më të dendur dhe më të gjatë, Vatra dhe Dielli, ndritohen mjaft dhe dinë të punojnë më mirë.

   Nga një kabllo që muarmë me datë 20 prill nga dr. Mihal Turtulli, delegati i Vatrës, muarëm dhe demicjen e tij(dorëheqjen), si delegate i Vatrës. Kjo na hidhëroi tepër se nuk dimë shkaket që doktori jep dorëheqjen.Duket që e gjen të tepërt që Vatra të ketë delegatë sot kur qeveria ka të sajët.

  Nuk dimë edhe se si gjykoni juve mbi këtë çështje, duhet delegatët e Vatrës të qëndrojnë edhe në Paris apo duhet të veprojnë në Shqipëri, ku ka fushë veprimi më të gjërë dhe është  nevoja për ta?

    Më 17 të këtij muaji, ju dërguam një kabllo, siç ju dërguam dhe delegatëve të tjerë të Vatrës, ku ju thoshim se duhet në këto raste të jeni të bashkuar dhe në harmoni me delegacjen zyrtare të Qeverisë sonë. E gjetmë të arsyeshme se një mosbashkëpunim dhe një përçarje na duket në këto kohëra është tepër i rrezikshëm.

    Në raportin financial të zotit Mehmet Konica me datë 22 nëntor, 1919 vemë re si ai ju ka dërguar për broshurën ”Shqiptarët dhe sllavët” franga 2910.20(dy mijë e nëntëqind e dhjetë). Gjithashtu u ka dërguar për rrogë franga 3.095.20(tri mijë e nëntëdhjetë e pesë e 20) për rrogën dhe harxhe. Vatra u ka dërguar së këtejmi në Midi-Clarence, Svicre, më 13 dhjetor 1919  franga 10.000(Dhjetemijë). Me që Kuvendi i Vatrës i përmotshëm po afrohet, dëshirojmë që të kemi një raport financial për këto të holla dhe për rrogën tuaj , që kështu dhe hesapet e mvarura t’i mbyllim dhe t’ia paraqitim Kuvendit. Shpresojmë të na dërgoni këtë raport përpara 15 Qershorit që vjen.

         Ju përshëndosh atdhetarisht dhe mbetem juaji me besë

                Kristo Kirka

Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Arkivi Qendror I Shtetit

Fondi 35, dosja 38,fletet 142-143


Diçiturat e fotografive:

 1-Kristo. Kirka 17 Janar  1883- 28 Prill 1955

2- Fan S. Noli, Sotir Peci, Kristo Kirka, Boston 1908

3-Imzot Noli, shoqeruar nga Kristo Kirka, Korçe, 11 dhjetor 1921

5-Kristo Kirka dhe ambasadori amerika Grant Hugh, qershor 1938 ne Hoçisht, Korçe.

4- Kristo Kirka, Konsull ne Nju Jork, 1925..

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Kristo Kirka

NËNË TEREZA NË AMERIKË

April 28, 2022 by s p

Aktivitete kushtuar Shenjtëreshës shqiptare.

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ky vit shënon 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës (5 Shtator, 1997) në moshën 87 vjeçare. Duket se janë në plan një mori aktivitetesh, anë e mbanë botës, për të shënuar këtë përvjetor, përfshir botën shqiptare, përfshir komunitetien shqipotaro-amerikan.  Disa prej veprimtarive në kujtim të Nenë Terezës, kanë filluar këto ditë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Këtyre aktiviteteve u ka prirë Dr. Profesor Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham të Anglisë, anëtar i Departamentit të Sociologjisë që nga viti 2002.  Profesori Alpion — biograf i njohur, ndërkombtarisht, i jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës — është autor i dy librave në gjuhën anglisht mbi Nënë Terezën, përfshir librin botuar kohët e fundit, “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”–  Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf – Përveç librave, Profesor Alpion është i njohur gjithashtu edhe për kumtesat e tija të shumta — në anglisht dhe shqip –anë e mbanë botës, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës.  Profesori Alpion më kishte njoftuar kohë më parë për turneun e tij në Shtetet e Bashkuara – vërtetë një dhuratë për publikun amerikan dhe shqiptaro-amerikan për të mësuar më shumë nga biografi i njohur në anglisht i Nënës tonë Tereze mbi jetën e kësaj figure të madhe të kombit shqiptar.

Profesori Alpion e filloi turneun e tij në Amerikë, kushtuar Nenë Terezës dhe librit më të fundit të tij, “Mother Teresa: The Saint and Her Nation”, me 26 Prill në Washington, fillimisht, me një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe — Dr. Alpion: Brezi i ri në Shqipëri dhe Kosovë po ballafaqohet me një shpirt materialist (zeriamerikes.com)

Në intervistën e tij me gazetarën e VOA-s Menada Zaimi, Profesori i Universitetit Birmingham të Anglisë, Dr. Gëzim Alpion tha, ndër të tjera, se brezi i ri në Shqipëri dhe Kosovë po ballafaqohet me një shpirt materialist. Ai shtoi se ky shpirt, i cili është në kundërshtim me atë që kishte shprehur Nënë Tereza në jetën e saj, duhet kuptuar se nga po vjen, theksoi ai për Zërin e Amerikës. “Ne shqiptarët kemi një figurë, një shenjtëreshë si Nënë Tereza për të treguar se në jetë ka diçka që është më e rëndësishme se ana materiale. Ana shpirtërore është gjithnjë frymëzuese. Unë shpresoj që Nënë Tereza do të vazhdojë të frymëzojë shqiptarët në Ballkan në mënyrë që ne të mësojmë se si të jemi më pranë atyre që janë në nevojë”, nënvijoi Dr. Gëzim Alpion në intervistën e tij me VOA-n shqip.

Zoti Alpion shtoi për Zërin e Amerikës në shqip, se Nënë Tereza nuk duhet të shihet vetëm si një figurë që duhet studiuar vetëm nga teologët por edhe nga sociologët, studiuesit e çështjeve të grave dhe atyre gjinore. Sipas Dr. Gëzim Alpion, studimi nga shumë fusha të tjera akademike do të hidhte më shumë dritë në aspektin shumë dimensional të figurës së Nënë Terezës, citon Zëri i Amerikës në portalin e vet, Prof. Alpion.

Pas intervistës me Zërin e Amerikës, Dr. Alpion ishte ftuar nga Universiteti Georgetown, i njohur si ndër më mirët dhe më të njohurit në Amerikë dhe në botë — një takim ky i organizuar falë Entit të Studimeve Katolike të universiteti të njohur jezuit në kryeqytetin amerikan.  

Graphical user interface

Description automatically generated

Njoftimi i kumtesës së Profesorit Alpion në Universitetin Georgetown, Washington, DC

Pas kumtesës në Universitetin Georgetown, Profesori Alpion u nis për në Boston, më sakt drejt një universiteti tjetër me nam e zë, në Amerikë dhe në botë, Universitetit Harvard, për të mbajtur një kumtesë edhe atje për librin e tij më të fundit: “Nenë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, kësaj radhe organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

                              Text

Description automatically generated Njoftimi nga Universiteti Harvard për ligjëratën e Profesor Dr. Gëzim Alpion mbi jetën shumë dimensionale të Nënë Terezës

Dr. Alpion do të flasë në Harvard University, me 27 prill — në një ligjëratë e organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.  Takimi do të mbahet në sallën “Harvard Hall 201”, në orën 6:00 të mbasdites.

Stema e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit
Icon

Description automatically generated

Nga Bostoni, Profesori dhe studiuesi i njohur dhe biografi i Shën Nenë Terezës do niset për Nju Jork, metropolin e Amerikës dhe të botës, por edhe të komunitetit të madh shqiptaro-amerikan, ku të shtunën me 30 prill, në ora 3:30 pas dreke, do të paraqesë librin e tij më të fundit: “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj”, në mjediset e Federatës Vatra, në Bronx New York, i ftuar nga Federata Pan-Shqiptare Vatra, organizata më e vjetër dhe më e madhe e shqiptarëve të Amerikës

Shape

Description automatically generated with low confidence

– e themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica – e që sivjet feston 110-vjetorin e themelimit të saj nga këta dy gjigantë të Kombit shqiptar.

Me ligjëratën e tij në VATËR, këtë të shtunë, me sa jam i informuar unë, studiuesi Alpion, të pakën siç duket deri tani, i mbyllë kumtesat e këtij turneu, mjaft të suksesshëm,  në Shtetet e Bashkuara, kushtuar promovimit të librit në anglisht: “Mother Teresa: The Saint and Her Nation” (Nenë Tereza: Shënjëtresha dhe Kombi i Saj). Por, këtu në Amerikë, nuk mbarojnë aktivitetet e tjera kushtuar Nenë Terezës në komunitetin shqiptaro-amerikan.

May be an image of 1 person, outdoors and monument

“Shën Tereza” bashkon shqiptarët në Kishën Zoja e Shkodrës më 3 Maj 2022

Ndërkaq, Kisha Katolike shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut me statujën (në përfundim e sipër, duke pritur inaugurimin zyrtar) të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – gjithashtu ka njoftuar (si më posht) se “Qendra Nëna Tereze e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës”, në bashkpunim me Federatën Pan-Shqiptare Vatra dhe me Gazetën Shqiptaro-Amerikane, Illyria, organizojnë, javën që vjen, gjithashtu një simpozium me rastin e 25-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Shën Nënë Terezës. Ja dhe njoftimi për këtë

seminar, që do të zhvillohet javën që vjen, kushtuar Nenë Terezës shqiptare, organizuar nga tri organizata përfaqsuese të komunitetit shqiptaro-amerikan, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës, Federata Pan-Shqiptare Vatra dhe gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria.Graphical user interface, text

Description automatically generated

Ndërsa në Detroit të shtetit Miçigan me 24 prill, në ambientet e Qendres kulturore “Nene Tereza” të Kishës Zoja Pajtore, sipas portalit të saj, u mbajt një aktivitet i gjerë letrar për promovimin e dy librave të  autorit e biografit të mirënjohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, i mirënjohuri, Dom Lush Gjergji: “Albanian people in my heart”, me nje permbledhje bisedash me Nënë Terezën dhe “Shën Jeronimi Ilir”, si përkthyes dhe dijetar i Kishës. U promovua gjithashtu edhe libri i Ines Angeli Murzaku, “Mother Teresa, Saint of the Peripheries”, ku i ftuar nderi ishte shkrimtari dhe poeti disident, Visar Zhiti. Edhe Zonja Edlira Zhiti, bashkëshortja e Visarit, përshëndeti dhe foli rreth një libri të saj kushtuar Nënë Terezes. Të ftuar ishin edhe kryetarët e Shoqatave atdhetare në Michigan.  Edhe ky ishte gjithashtu një takim i shqiptarëve të Amerikës, pa dallim, rreth Nenë Terezës, ndër ngjarjet e kësaj jave kushtuar Shënjtëreshës shqiptare, e që tregojnë një gjallëri aktivitetesh të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe “Anën shpirtërore (të Nenë Terezës) që është gjithnjë frymëzuese”, për shqiptarët, siç u shpreh studiuesi dhe biografi Dr. Gëzim Alpion në intervistën dhënë Zërit të Amerikës me këtë rast. Foto nga portali i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Detroit. 

            Dom Lush Gjergji duke folur në aktivitetin kushtuar Nenë Terezës, organizuar nga Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Detroit

                 A person standing at a podium

Description automatically generated with low confidenceShkrimtari dhe Disidenti anti-komunist Z. Visar Zhiti duke mbajtur kumtesën kushtuar Nenë Terezës në Kishëpn Katiolike Shqiptare, Zoja Pajtore e Shqiptarëve në shtetin Miçigan

Foto e disa pjesëmarrësve në aktivitetin e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Miçigan

Përgatitur nga Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, NËNË TEREZA NË AMERIKË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 230
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT