• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SAMI MILLOSHI: “UNË PIKTUROJ SHPIRTIN TIM”

November 13, 2025 by s p

Gazetari dhe shkrimtari Sami Milloshi çeli ekspozitën e dytë të artit në Kolegjin Wheaton në Norton, Massachusetts. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor 2025. Janë rreth 40 piktura të formatit të madh, disa edhe miniatura. Motivet janë kryesisht landscape — pamje nga natyra.

Intervistë e piktorit Sami Milloshit dhënë Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli”, Sokol Paja

1. Cilat janë veçantitë e ekspozitës së dytë të piktorit dhe shkrimtarit Sami Milloshi? Si u prit në Boston nga publiku dhe artdashësit amerikanë?

Së pari, do të dëshiroja t’ju falënderoj përzemërsisht, i nderuar zoti Paja, për ftesën për të folur mbi pikturën time. “Dielli” është një emër i madh i publicistikës shqiptare dhe ju po e mbani gjallë me dinjitet këtë emër emblematik. Unë vij në pikturë nga bota e letrave — jam shkrimtar dhe me një çerek shekulli mbi supe si gazetar aktiv në shtypin e shkruar shqiptar. Duket pak e çuditshme sesi i hyra pikturës. Tetë vjet më parë, i bëra një pyetje vetes: “Çfarë do të bësh kur të dalësh në pension?” Përgjigjja ishte: “Merreu me pikturë.” Dhe ashtu bëra — vajta, bleva kavaletin, paletën, penelat dhe bojrat në një dyqan arti në Brockton, Massachusetts.

Kur vajta të paguaja te arkëtarja, i thashë:
— Please wish me good luck, I am going to be a painter! (Të lutem, më uro fat, sepse kam vendosur të bëhem piktor).
— Good luck! (Paç fat) — më tha ajo dhe qeshëm.
E fillova me shumë dëshirë. Ditë pas dite u bënë disa punë. Meqë ende vazhdoj të punoj në Kolegjin Wheaton në Norton, Massachusetts, i kërkova presidentit të kolegjit të hap një ekspozitë. Ishte viti 2018 — një vit e pak pasi kisha filluar të pikturoja. Natyrisht isha fillestar, por plot pasion, sepse më kishte rrëmbyer piktura. E hapa ekspozitën në qendrën kulturore të kolegjit. U pëlqye.

Presidenti Dennis Hanno madje bleu piktura për zyrën dhe shtëpinë e tij. Blenë edhe disa profesorë dhe studentë. Gjashtë muaj më pas, m’u dha e drejta të flisja për pikturën time në mbledhjen vjetore të profesoratit dhe stafit tjetër të kolegjit (rreth 400 veta). Pas asaj dite, si të thuash, u bëra i njohur si “piktori i kolegjit”. Bëja piktura dhe i shisja po aty. Kjo që kam hapur tani është ekspozita e dytë, e hapur po në Kolegjin Wheaton, tashmë në mjediset e bibliotekës ku edhe punoj.

2. Sa do të qëndrojë e hapur ekspozita? Sa piktura janë? Cilat janë motivet artistike?

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor të këtij viti. Janë rreth 40 piktura të formatit të madh, disa edhe miniatura. Motivet janë kryesisht landscape — pamje nga natyra. Por unë nuk jam piktor realist; unë pikturoj shpirtin tim përballë natyrës. Pse ky vend? — më pyet ti. Sepse ky vend, Amerika, është vend i çudive. Unë kurrë nuk do të isha bërë piktor në Shqipëri. Por Amerika është vendi ku njerëzit që ndjekin një ëndërr bëjnë çudira, duke e shndërruar të pamundurën në të mundshme — pra, në një realitet të prekshëm.

Një mik imi, profesori i matematikës Luigj Gjoka, ish-deputet, ka thënë se: “Te ti, Sami, u zgjua një ëndërr e fjetur e fëmijërisë për pikturën dhe u bë realitet në moshën e burrit.” Ky është, për mua, përcaktimi më i saktë estetik i asaj çfarë ka ndodhur me mua si piktor dhe si krijues në tërësi.

3. Cilat ishin reagimet e amerikanëve mbi veprën tënde krijuese?

Jashtëzakonisht inkurajuese. Amerika ka një veçori: është një mjedis gjigand inkurajues. Një kolege në bibliotekë më tha sot: “Ngjyrat e pikturave të tua më bëjnë të lumtur.” Presidentja e kolegjit, Michaele Whelan, tha se “këto piktura janë perla impresioniste”. Kam shitur me dhjetëra piktura nëpër Amerikë, thjesht përmes komunikimeve të drejtpërdrejta. Por kënaqësinë më të madhe ma japin studentët kur blejnë pikturat e mia.

4. Cilat ishin reagimet e shqiptarëve mbi veprën tënde krijuese? A ju kanë mbështetur shqiptarët e Bostonit? A ka motive shqiptarie kjo ekspozitë?

Kanë qenë reagime pozitive. Në një manifestim kulturor në Kishën Shqiptare në Worcester kam shitur disa piktura. I kanë blerë vëllezërit e famshëm artistë Geg dhe Ndoc Delia. Po, ka pak motive shqiptare, por jo aq sa do të dëshiroja të kisha. Sa i takon mbështetjes së shqiptarëve të Bostonit, mund të them se kam vetëm përkrahje individuale miqsh, por nuk ekziston ndonjë përkrahje si komunitet. Ata as që e dinë se unë jam edhe piktor…

5. Cilat janë mesazhet kryesore që i jepni publikut në këtë ekspozitë?

Paqe me veten, paqe me natyrën, paqe me njerëzit që të rrethojnë. Unë kam tashmë një ide më të qartë për artin: Arti është një univers i vetëm, ku interferojnë të gjitha llojet e artit, pavarësisht formës së shprehjes — qoftë pikturë, letërsi apo muzikë. Një poezi e mirë mund të shfaqet si pikturë, ashtu sikurse një pikturë mund të lexohet si poezi. Ka piktura që tingëllojnë si muzika e Vivaldit…

6. Cilat janë planet për ta vazhduar më tej këtë ekspozitë në shtete të tjera të Amerikës? Po në Shqipëri a keni plane?

Jo, nuk kam ndonjë plan për ta hapur ekspozitën në shtete të tjera të Amerikës. Por kam një ëndërr ta hap një ekspozitë në Shqipëri. Megjithatë, pasi të mbaroj punë me këtë ekspozitë, dua të merrem me botimin e një libri të ri me tregime. Ky është projekti im afatshkurtër tani për tani.

7. Cili është gjykimi juaj mbi mbështetjen që komuniteti, ambasadat, biznesi dhe organizatat patriotike shqiptare i japin artit, kulturës dhe letërsisë në mërgatë

Nuk kam ndonjë informacion të hollësishëm për mbështetjen që jep komuniteti apo ambasadat e të tjerë. Por, sa shoh në përgjithësi, e perceptoj si një vetizolim “alla shqiptar”, që as nuk tenton të integrohet sado pak në këtë mjedis kaq bujar amerikan. Shqiptarët mblidhen në darka e dreka, japin çmime kot së koti për të përkëdhelur gjoja sedrën patriotike. Por, kur vjen puna për fakte konkrete integrimi, këto duhet t’i kërkosh me qiri për t’i gjetur. E gjitha kjo vjen sepse qeveria shqiptare, dhe për rrjedhojë ambasadat e saj — përfshi edhe këtë në Washington — nuk kanë veçse një vizion të mjerueshëm për emigrantët shqiptarë, që janë në numër sa një Shqipëri e dytë.

Ajo që nuk shkon është koncepti klientelist që ka qeveria shqiptare për emigracionin. Është e turpshme. Qeveria e Tiranës mjafton të shohë Kosovën, me çfarë respekti i trajton emigrantët, dhe gjithçka mund të kthehej në rrugë të mbarë. Shkurt, unë nuk kam shpresë se kjo qeveri aktuale e Tiranës mund të ndryshojë ndonjë gjë për së mbari. Nevojitet një ndryshim rrënjësor që ta kthejë fytyrën nga interesat kombëtare shqiptare dhe të mos mbetet peng i agjendave globaliste antikombëtare.

Fotot nga Bujar Veselaj

@followers

Filed Under: Politike

GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN PËR DIELLIN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 6, 2025 by s p

Gazeta “Dielli” – Organ zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, njofton vatranët, abonentët, komunitetin dhe dashamirësit e Diellit dhe të Vatrës rreth Numrit Special të gazetës Dielli me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar:

Çmimet për publikim të njoftimeve, urimeve, reklamave, mesazheve sensibilizuese, botimeve specifike, shpalljeve të ndryshme në gazetë do të jenë si më poshtë:

1 Faqe gazetë – 600 Usd

½ Faqe gazetë – 300 Usd

Gazeta “Dielli” fton të gjithë patriotët shqiptarë në Amerikë, Kanada e më gjërë, organizatat, shoqatat, grupimet atdhetare, institucionet fetare, shkollat shqipe, shoqëritë kulturore, klubet patriotike, rrjetin e bizneseve në mërgatë e mëmëdhe që ti bashkohen kësaj fushate për forcimin e gazetës Dielli dhe promovimin e identitetit, vlerave e historisë sonë kombëtare.

Çdo njoftim duhet të vijë në gazetën Dielli përpara datës 20 Nëntor 2025.

Të gjitha njoftimet duhet të dërgohen në adresën elektronike zyrtare të gazetës Dielli: gazetadielli@gmail.com dhe pagesat përkatëse të postohen në Adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458.

Mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për të gjithë ata patriotë që do i bashkohen kësaj fushate mediatike dhe atdhetare.

Filed Under: Politike

Çfarë treguan zgjedhjet e vitit 2025 për politikën amerikane

November 5, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

Zgjedhjet e para pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhanë një mesazh të qartë, por jo të thjeshtë: demokratët fituan bindshëm në disa gara kyçe, ndërsa republikanët u përballën me zhgënjime të parakohshme për një parti që vetëm një vit më parë kishte rimarrë pushtetin federal. Megjithatë, nën sipërfaqe, rezultati i 4 nëntorit 2025 nuk është thjesht një fitore e njëanshme, por një pasqyrë e polarizimit të ri që po merr formë në politikën amerikane.

1. Një sinjal paralajmërues për republikanët

Humbja e republikanëve në Virgininë dhe Nju Xhersi – dy shtete që shpesh shërbejnë si termometër politik – tregon se fitorja e Trump-it në 2024 nuk është përkthyer automatikisht në besim të gjerë për partinë e tij. Edhe pse presidenti qëndroi në prapaskenë gjatë fushatës, kandidatë si Winsome Earle-Sears dhe Jack Ciattarelli e identifikuan fort fushatën e tyre me axhendën e Shtëpisë së Bardhë. Kjo lidhje, që vitin e kaluar shihej si forcë, këtë herë u shndërrua në barrë pengese.

Shumë votues, sipas sondazheve, shprehën pakënaqësi me gjendjen ekonomike. Pavarësisht rritjes së bursave apo premtimeve për rilindje industriale, kostoja e jetesës dhe çmimet e larta të ushqimeve e energjisë mbeten shqetësimi kryesor. Në këtë kuptim, Trump dhe republikanët po përballen me të njëjtin paradoks që dëmtoi demokratët në vitin 2020: treguesit makroekonomikë mund të duken pozitivë, por perceptimi i qytetarëve për gjendjen personale ekonomike mbetet i zymtë.

2. Demokracia pragmatike dhe kthimi drejt qendrës

Fitorja e Abigail Spanberger në Virginia dhe e Mikie Sherrill në Nju Xhersi nuk është rastësi. Të dyja u distancuan nga retorika e krahut të majtë të Partisë Demokratike dhe u fokusuan në mesazhe të moderuara, duke theksuar sigurinë publike, kujdesin shëndetësor dhe koston e jetesës. Në fjalimin e saj të fitores, Spanberger foli për “pragmatizëm mbi partishmërinë” – një frazë që mund të përshkruajë më saktë strategjinë e re të demokratëve.

Ky rikthim drejt qendrës, që kujton fushatat e suksesit të Bill Clintonit në vitet 1990, mund të shërbejë si recetë për rigjallërimin e partisë në nivel kombëtar. Në një kohë kur shumë votues ndihen të lodhur nga ekstremet ideologjike, mesazhi i moderuar i këtyre grave-lidere u duk se gjeti jehonë. Të dyja kanë biografi që flasin vetë – një ish-agjente e CIA-s dhe një pilote e marinës amerikane – figura që u japin demokratëve besueshmëri në fushat tradicionale ku republikanët dominojnë: siguria dhe shërbimi ndaj vendit.

3. Ekonomia, akoma “çështja e madhe ”

Slogani i vjetër “It’s the economy, stupid” mbetet aktual. Të dhënat e sondazheve të Associated Press tregojnë se më shumë se gjysma e votuesve në Virginië dhe Nju Xhersi e shohin ekonominë si çështjen më të rëndësishme. Kjo shpjegon pse demokratët që u përqendruan te inflacioni dhe pagat reale arritën rezultate më të mira.

Trump, nga ana e tij, e ka vënë theksin te emigracioni dhe çështjet kulturore, por votuesit e këtij viti kërkuan diçka më konkrete: stabilitet ekonomik. Nëse kjo prirje vazhdon, republikanët do ta kenë të vështirë të ruajnë shumicën në Kongres në zgjedhjet afatmesme të 2026-ës.

4. Një referendum i heshtur mbi Trump-in

Edhe pse presidenti nuk mori pjesë drejtpërdrejt në fushata, zgjedhjet u lexuan si një provë e hershme mbi udhëheqjen e tij. Sondazhet tregojnë se rreth 60% e votuesve janë “të zemëruar” ose “të pakënaqur” me drejtimin që ka marrë vendi. Ky është një paralajmërim për një president që sapo ka hyrë në vitin e dytë të mandatit të tij.

Për ironi, strategjia e republikanëve për ta distancuar Trump-in vetëm pjesërisht dështoi: ai mbetet figura që përcakton perceptimin e partisë, qoftë për mirë, qoftë për keq. Në disa zona konservatore, ai mbetet jashtëzakonisht popullor, por në zonat urbane dhe periferike – që përcaktojnë zgjedhjet shtetërore – prania e tij simbolike i largon votuesit e pavarur.

5. Dy fytyrat e Partisë Demokratike: nga qendra te e majta e re

Ndërsa Spanberger dhe Sherrill përfaqësojnë krahun moderat, fitorja e Zohran Mamdani-t në zgjedhjet për kryetar bashkie në Nju Jork shënon një tjetër realitet brenda Partisë Demokratike. Mamdani, një socialist demokrat 34-vjeçar, fitoi bindshëm mbi ish-guvernatorin Andrew Cuomo, duke ofruar një platformë radikale për barazi ekonomike dhe reforma të thella sociale.

Ky kontrast brenda të njëjtës parti tregon se demokratët janë ende në kërkim të identitetit të tyre: a do të mbeten një forcë qendrore që flet për të gjithë amerikanët apo do të përqafojnë një model më të majtë, evropian në frymë?

Nga njëra anë, suksesi i Mamdani-t tregon se vizioni progresist tërheq brezat e rinj dhe votuesit urbanë. Nga ana tjetër, ai i ofron republikanëve një shënjestër të re për sulme politike. Nuk është rastësi që menjëherë pas fitores së tij, komitetet republikane nisën reklama që lidhin demokratët moderatë me “radikalizmin e Nju Jorkut”.

6. Çfarë vjen më pas

Në planin afatshkurtër, këto zgjedhje janë fitore e rëndësishme morale për demokratët dhe sinjal alarmi për republikanët. Por në planin afatgjatë, tabloja është më komplekse.

Trump mbetet një figurë polarizuese që kontrollon bazën republikane, ndërsa demokratët janë të ndarë mes dy qasjeve: pragmatizmit të qendrës dhe idealizmit të majtë. Nëse arrijnë të ruajnë balancën midis këtyre poleve, mund të ndërtojnë një platformë të qëndrueshme për vitet e ardhshme. Por nëse përçarjet thellohen, rrezikojnë të përsërisin gabimet që i çuan në humbje në 2024.

Ndërkohë, ekonomia do të mbetet faktori përcaktues. Nëse amerikanët ndiejnë përmirësim real në xhepat e tyre, republikanët mund të rikuperohen. Nëse jo, ky nëntor mund të shihet në retrospektivë si fillimi i një kthese politike që rikthen demokratët në qendër të skenës kombëtare.

Përfundim

Zgjedhjet e vitit 2025 treguan se elektorati amerikan mbetet i ndjeshëm ndaj çështjeve ekonomike, i lodhur nga polarizimi dhe gjithnjë e më i prirur të kërkojë lidership që ofron stabilitet e pragmatizëm. Demokratët përfituan nga ky moment, por sfida e tyre është ta ruajnë unitetin dhe t’i japin përmbajtje fitores së tyre simbolike. Republikanët, nga ana tjetër, do të duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të mbështeten plotësisht te Trump apo do të kërkojnë një kurs më të gjerë që i flet gjithë vendit.

Në fund, ky ishte më pak një triumf i plotë për demokratët dhe më shumë një mësim për të dyja palët: zgjedhjet fitohen jo me retorikë, por me besimin e qytetarëve se jeta e tyre do të përmirësohet realisht.

Filed Under: Politike

TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS “ALBTVUSA” FESTOI 25 VJETORIN E THEMELIMIT

November 2, 2025 by s p

Sokol Paja/

Michigan, 1 nëntor 2025 – Në “Imperial House” Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës festoi çerek shekull veprimtari mediatike, edukative, kulturore dhe atdhetare në shërbim të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “ALBTVUSA” përfaqëson modelin e arrirë mediatik, shembullin e shkëlqyer, frymën përbashkuese, nivelin e lartë profesional dhe trashëgiminë e shkëlqyer mediatiko-kulturore e atdhetare në Shtetet e Bashkuara. Administrimi vizionar i drejtorit Gani Vila, ndërthurur me profesionalizmin e spikatur e formimin e nivelin lartë gazetaresk të kryeredaktorit Rafael Floqi, energjinë e pasionin e të gjithë stafit e bashkëpunëtorëve, e ka shëndërruar Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës në një institucion serioz e dinjitoz, mediatik, edukativ, komunitar e atdhetar. Nën prezantimin e shkëlqyer të moderatoreve Brikena Hoxhalli, Armela Gjoka e organizatorit Fran Gjoka, mbrëmja festive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara kombëtare në Amerikë, shoqatave e organizatave patriotike, autoriteteve fetare në Michigan e personaliteteve politike, u kurorëzua një sukses i arrirë mediatik e komunitar me emrin dinjitoz “ALBTVUSA”.

E veçantë në mbrëmjen festive ishte pjesëmarrja e Vatrës: kryetari Dr. Elmi Berisha, nënkryetari z.Alfons Grishaj, sekretari Dr. Pashko Camaj, kryetari i Këshillit z.Kolec Ndoja, drejtori i degëve z.Mondi Rakaj, Editori i Diellit, kryetari i degës së Vatrës në Michigan z.Julian Çefa, kryetarja e degës së Vatrës në Worcester znj.Efi Qeleshi e vatranët Bardh Tomaj, Pal Rakaj, Ben Pllumaj e shumë vatranë të tjerë që nderuan një vlerë komunitare e mediatike me emrin e dashur “ALBTVUSA”. E veçantë ishte edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve fetare shqiptare në Michigan: Kisha e Shën Palit-Dom Fred Kalaj, Xhamia Shqiptare – Imam Shuaip Gërguri, Teqeja Bektashiane – Baba Eliton Pashaj, Kisha Orthodokse – At Eugene Shkurti të cilët kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer në zhvillimin e komunitetit, bashkëjetesën fetare e komunitare shqiptare në Michigan e më gjerë. Pjesëmarrës në këtë festë të rëndësishme ishin drejtuesit nga shoqata si: Bijtë e Shqipes, Qendra Ballkanike në Michigan, shoqata Malësia e Madhe, shoqata humanitare Rapsha, Koja, Jehona e Malësisë, Kosova, etj.

Dokumentari prej 13 minutash emocionoi të gjithë të pranishmit me historinë e suksesshme të lindjes e zhvillimit, sfidave e arritjeve të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës teksa drejtori i “ALBTVUSA” z.Gani Vila me përulësi dhe mirënjohje falenderoi mbështetësit dhe pjesëmarrësit në festën e rrugëtimit 25 vjeçar.

Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha theksoi se në këto 25 vite, ky medium ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme të komunitetit tonë në SHBA nga aktivitetet e “Vatrës”, shoqërive dhe institucioneve fetare shqiptare, vizitave dhe personaliteteve të larta nga Tirana, Prishtina e Shkupi. Bashkëpunimi midis “Vatrës” dhe ALBTVUSA është një bashkëpunim i natyrshëm, ky istitucion përbën mision historik në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe mbrojtjen e vlerave shqiptare në Amerikë. Ashtu si “Vatra” më shumë se një shekull më parë ngriti “Diellin” si simbol të dritës kombëtare, sot ALBTVUSA ka një ndikim shqiptar mbi fuqinë e imazhit dhe fjalës së lirë, theksoi ndër të tjera Dr. Elmi Berisha.

Dom Fred Kalaj në fjalën e tij vlerësoi vlerat shqiptare të kultivuara prej Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, ndërsa Imam Shuaip Gërguri uroi misionin e televizionit si një dritare shqiptare, teksa Baba Eliton Pashaj vlerësoi punën e televizionit për bashkimin e shqiptarëve kurse At Eugene Shkurti vlerësoi punën e bekuar në dobi të komunitetit shqiptar në Michigan.

Filantropi dhe biznesmeni i suksesshëm z.Agim Lumani në fjalën e tij vlerësoi historinë dhe punën e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës dhe bëri thirrje shqiptarëve në Michigan për të votuar Robert Lulgjurajn si përfaqësues i shqiptarëve në Kongresin Amerikan. Kryetari i Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu vlerësoi historinë e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë dhe bëri thirrje që shqiptarët e mërguar të mos e harrojnë kurrë Shqipërinë.

Besa Tafilaj vlerësoi veprimtarinë e televizionit, rolin e medias në shoqëri dhe ekspozoi punën e saj në Shtëpinë e Bardhë. Botuesi i gazetës “Illyria” z.Vehbi Bajrami vlerësoi punën kombëtare të “ALBTVUSA”. Z. Fran Gjoka e cilësoi “Televizionin” si dritare që lidh kombin e mërguar me trojet etnike.

Editori i gazetës “Dielli” Sokol Paja theksoi se Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës me programet kulturore, komunitare dhe kombëtare, ka pasur një ndikim të fuqishëm në mërgatën shqiptare të Amerikës për të ruajtur dhe promovuar interesin kombëtar, interesin komunitar, gjuhën shqipe, kulturën kombëtare, historinë, traditat dhe identitetin kombëtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me mijëra emisione televizive, intervista, kronika, profile, reportazhe, portrete, speciale, dokumentare, lidhje direkte, editoriale, komente, opinione, analiza dhe mbulime mediatike për Federatën “Vatra” e Gazetën “Dielli”. Këto vlera dëshmojnë për shërbimin e çmuar dhe mirënjohjen që ky television meriton nga secili prej nesh.

“ALBTVUSA” nderoi me certifikatë mirënjohje “Thank You” për mbështetjen, besimin dhe kontributin e dhënë në përparimin e misionit të “ALBTVUSA” në 25 vjet, si një zë i fuqishëm mediatik e unik i shqiptarëve të Amerikës të cilët janë: Edward Turfe, Agim Lumani, Fran Gjoka, Anila Niklos Coniku, Alfons Grishaj, Pjetër Stanaj, Peti Camaj, Mynyr Nazifi dhe filantropin e humanistin e shquar z.Ekrem Bardha.

Nënkryetari i Federatës “Vatra” z.Alfons Grishaj “Pishtar i Demokracisë” çmoi rrugëtimin 25 vjeçar të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, vlerësoi punën e shkëlqyer të komuniteteve fetare në Michigan dhe apeloi për më shumë reflektim, bashkëpunim e shqiptari prej shqiptarëve në mërgatë e sidomos klasës politike në Shqipëri e Kosovë në dobi të interesit kombëtar.

Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës vlerësoi me “Certifikatë Mirënjohje” për bashkëpunimin dhe kontributin profesional, frytdhënës dhe ndihmën e dhënë ndaj “ALBTVUSA” në 25 vite, për promovimin e kulturës dhe të vlerave kombëtare në diasporë: Elidon Haxhia, Gjok Gojçaj, Ben Pllumaj, Pashko Gojçaj, Besa Tafilaj, Nikollë Hysa, Pal Shkreli, Gjon Gjolaj, Marash Nucullaj, Adriatik Sheko dhe Lulash Palushaj.

Në këtë mbrëmje gala, Dhoma e Përqafësuesve të Shtetit të Michigan përmes përfaqësuesit Philip Peters e nderoi Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës me “Proklamatë” për kontributin e shkëlqyer mediatik në 25 vite histori. Ceremonia festive kulmoi me shfaqjen e trajlerit të filmit kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit që do të realizohet së shpejti në Hollywood.

Kandidati për Kogresin Amerikan Z.Robert Lulgjuraj vlerësoi punën e televizionit “ALBTVUSA” dhe theksoi nevojën e zërit shqiptar që të dëgjohet në Kongresin Amerikan. Ai kërkoi mbështetjen dhe ftoi shqiptarët që përmes votës të bëjnë histori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Renis Nushaj kandidat për Senatin e Shtetit në Michigan vlerësoi vlerat shqiptare të promovuara prej Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës. Botuesi Ramiz Tafilaj në emër të “Gazetës së Alpeve” vlerësoi punën e tyre dhe nderoi me mirënjohje Gani Vilën e Fran Gjokën për veprimtarinë atdhetare, kulturore e mediatike. Ceremonia festive vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes nën argëtimin e këngëtarëve: Aleksander Gjelaj, Dorina Tiko, Nazife Bonjaku, Perparim Mefaja, Anjeza Ndoj, Albina Ndreaj, Bukurie Domi, Kim Vojkollari, Gerona Hyska, Sali Malaj, Misi Gojcaj dhe Alberije Hadergjonaj.

Filed Under: Politike

VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK

October 30, 2025 by s p

VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT