• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REFLEKSE TË 28-ËS

November 17, 2021 by s p

Anton Çefa/

Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksionesh. Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën na përflak, një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet, një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë, një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.

U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skënderbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet. Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi. Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi. Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona  shkëlqeu në Prishtinë. Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe refleksione tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja të gjysmëhënës, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist. Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë  të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij. E kush nuk shpirtësohet në vetëdijësimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra! E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !  E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha ! E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksioni të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen! Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion . Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në  zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se 

“Zoti vetë e tha me gojë,

           që kombe shuhen përmbi dhe,

     por Shqipëria do të rrojë; 

      Për të, për të luftojmë ne.”

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Cefa

KRYETARI I VATRËS URON PROF.DR. RIFAT LATIFIN ME RASTIN E EMËRIMIT SI MINISTËR I SHËNDETËSISË NË KOSOVË

November 16, 2021 by s p

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” z.Elmi Berisha ka uruar mikun dhe bashkëpunëtorin e tij prej disa dekadave Prof.Dr. Rifat Latifin me rastin e marrjes së detyrës si Ministër i Shëndetësisë në Kosovë. Në mesazhin e urimit kryetari Berisha shkruan:

I dashur Prof. Dr. Rifat Latifi

Në emrin tim personal, ne emër të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve ju dërgojmë urimet më të përzemërta me rastin e emërimit tuaj si Ministër i Shëndetësisë në Kosovë. Ky lajm na ka gëzuar dhe na ka bërë krenarë të gjithëve. Miku im i çmuar Profesor Latifi, bashkë ne njihemi dhe bashkëpunojmë prej dekadash në dobi të çeshtjes kombëtare. Kjo arritje, ky vlerësim e përgjegjësi për ti shërbyer atdheut tonë, është një moment besimi, krenarie, force, shprese e detyrimi për të çuar përpara shëndetësinë në Kosovë dhe punët e mira në Kosovën tonë të shtrenjtë. Vatra me të gjitha kapacitetet dhe burimet do të jenë në mbështetjen tuaj kurdoherë. Janë të veçantë njerëzit si ti miku im Dr. Latifi për integrigetin, ndershmërinë dhe profesionalizmin. Të gjithë ne jemi të bindur se shëndetësia në Kosovë do njohë suksese dhe modeli e puna juaj prej dekadash në shërbim të Kosovës, sot do të dalë në dritë më shumë se kurrë. Diaspora shqiptare në botë, kapaciteti i saj intelektual dhe eksperienca është si një Oqean i madh. Nderime të larta edhe për Kryeministrin z.Albin Kurti i cili vlerësoi aftësitë tuaja të jashtëzakonshme profesionale e menaxheriale. I dashur miku im Profesor Latifi, emërimi juaj si Ministër i Shëndëtsisë, është një hap briliant dhe shumë i qëlluar pasi gërshëtimi i përvojave Amerikane dhe atyre vendore do të avancojë shëndetësinë dhe të gjitha proceset integruese dhe zhvillimore të Kosovës. Ky lajm do ketë impakt pozitiv në tërë diasporën por në veçanti te shqiptaro-amerikanët e shumë profesionistë të lartë shqiptarë në diasporë që të kthehen e ti shërbejnë Kosovës. Urimet më të përzemërta miku im.VëllazërishtMe krenari e gëzimKryetari i VatrësElmi Berisha

Filed Under: Politike

Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve në “Ditët e Alfabetit”

November 16, 2021 by s p

Shkup, 15 nëntor 2021 – “Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve” ishte tema e ditës së sotme të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, me ç’rast referuan studiues të njohur të letërsisë shqiptare. Në fjalën e hapjes, udhëheqësi i Departamentit të Letërsisë Shqipe në ITShKSh, Emin Azemi, tha se arbëreshët i mbajti gjallë letërsia, qoftë ajo gojore apo e shkruar, kurse figurat historike, siç ishte ajo e Skënderbeut, për arbëreshët e Italisë përveç që nënkuptonin atdheun e të parëve, ato ishin edhe bërthama tematike e fabulare e krijimeve të tyre artistike. Kultura arbëreshe në përgjithësi dhe letërsia në veçanti për botën shqiptare paraqet kalendarin më të ndritshëm kulturologjik e emancipues. Letërsia artistike dhe gazetaria fillin e ka tek arbëreshët me poemën Këngët e Milasoas të De Radës dhe me të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, gjithashtu e De Radës,  në të cilën ai  shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, u shpreh Azemi. Më tutje, studiuesi i njohur Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kalabrisë, foli në temën “Rreth letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, Hamit Xhaferi nga Universiteti i Evropës Juglindore iu qas temës “Mbi disa veçanti të letërsisë arbëreshe”, Kamber Kamberi nga Universiteti i Gjakovës foli në temën: “Mbi krijimtarinë e Françesk Anton Santorit”. Studiuesi nga Universiteti i Shkupit Zeqirja Neziri referoi në temën: “Gjella e Shën Mërís Virgjër” (1762) e Jul Varibobës, Labinot Berisha në temën: “Neumenia” e Anton Santorit, tragjedia e parë në gjuhën shqipe (botimi i Prishtinës)”, dhe Arben Veselaj paraqiti kumtesën “De Rada, një pamje johistoriciste”. Studiuesi Arben Fetoshi pati një qasje të zgjeruar rreth librit “Triptikon arbëresh” të autorit Arben Veselaj.

Dhe krejt në fund, këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, solli emocione të veçanta me interpretimin e këngës më të re nga repertori i tij me titull “Baladë për Zef Kakocën”, që i kushtohet kantautorit dhe artistit të madh arbëresh Zef Kakoca, i cili kohë më parë iku në amshim.      

Në “Ditët e Alfabetit -2021” në vijim do të ketë aktivitete të njëpasnjëshme deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të ndryshëm do të shtjellohen temat: “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetimit”, “Françesko Altimari studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandala studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, etj. 

Filed Under: Politike

Në Kosovë 38 komunat zgjodhën kryetarët, 21 në balotazh të dielën e 14 Nëntorit 2021

November 15, 2021 by s p

-Në Zgjedhjet Lokale 2021 të dielën e 14 Nëntorit në 21 nga gjithësej 38 komunat e Kosovës u votua  në balotazh-raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarëve, pasi të dielën e 17 Tetorit 2021 në garën per kryetarë vetëm në 17 komuna u përcaktuan fituesit që në raundin e parë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Nëntor 2021/ Të dielën e 14 Nëntorit 2021 në 21 nga gjithësej 38 komunat e Kosovës u votua  për zgjedhjen e kryetarëve në balotazhin – raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, pas votimeve të dielën e 17 Tetorit 2021,  kur në 17 komuna u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.

Votimet e balotazhit për 21 kryetarë komunash u zhvilluan në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri, Podujevë, Gllogoc, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Shtime, Viti, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Në votimet e balotazhit Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në 5 komuna – rikthehet me kryetar në komunën e kryeqytetit Prishtinë, me fitoren e kandidatit të saj Përparim Rama, përballë Arben Vitisë – kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje – partiisë që qeverisë Kosovën, e cila në asnjë komunë nuk arriti rezultatin mbi 50% të votave që e kishte në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit 2021, prandaj në asnjë komunë kandidatët e saj nuk u zgjodhën kryetarë që në raundin e parë.

Kandidatët tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që fituan balotazhin janë: Ilir Ferati në Istog, Burim Berisha në Fushë Kosovë, Ruzhdi Shehu në Junik, Sokol Haliti në Viti.

Në balotazhin për kryetarë 5 komuna i fitoi edhe Partia Demokratike e Kosovës: Në Prizren me Shaqir Totajn, në Vushtrri me Ferit Idrizin, në Gllogoc me Ramiz Lladrovcin, në Dragash me Shaban Shabanin, në Kaçanik me Besim Ilazin.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në 4 komuna: Në Gjilan me Alban Hysenin, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Kamenicë me Kadri Rahimajn, në Shtime me Qemajl Aliun. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi garën e balotazhit për kryetarë në 3 komuna: Në Gjakovë me Ardian Gjinin,  në Klinë me Zenun Elezajn dhe në Rahovec me Smajl Latifin.

Nisma Social Demokrate fitoi në 1 komunë: Në Malishevë me Ekrem Kastratin.

Iniciativa Qytetare për Obiliqin fitoi garën në komunën e Obiliqit me kandidatin Xhafer Gashi.

Në Mamushë komunën e vetme të Kosovës të banuar me shumicë nga komuniteti turk fitoi partia e këtij komuniteti KDTP  me kandidatin Abdulhadi Krasniq.

Në komunën e Kllokotit garën e raundit të dytë e fitoi kandidati Vladan Bogdanoviç  nga Lista Serbe, e cila në raundin e parë fitoi edhe në 9 komunat tjera me shumicë serbe të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të balotazhit pas votimeve me pjesëmarrje 37,85% të qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe të ardhura me postë nga diaspora.

Në 17 Tetor – raundin e parë të zgjedhjeve lokale Partia Demokratike e Kosovës ka fituar garën për kryetarë në 4 komuna: Në Mitrovicën e Jugut me Bedri Hamzën, në Ferizaj me Agim Aliun, në Skenderaj me Fadil Nurën, në Hanin e Elezit me Mehmet Ballazin.

Në raundin e parë  kryetarë komunash janë zgjedhur 2 kandidatë të Lidhjes Demokratike e Kosovës: Gazmend Mahaxheri në Pejë dhe Imri Ahmeti në Lipjan.

Poashtu në  2 komuna fitoi garën për kryetarë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Në Suharekë me Bali Muharremajn dhe në Deçan me Bashkim Ramosajn.

Zgjedhjet Lokale 2021 në Kosovë janë të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.

Në Kosovën e lirë zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000.

Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.

Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë – Mamusha është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. 

Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garonin  32  parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.

Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave ishte 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale ishte 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është 1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar ishte 5 364  (meshkuj 3 413, femra 1 951).

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila  është shpërndarë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmbante 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021.

 Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrim edhe të serbëve në Kosovën veriore. Në Mitrovicën e veriut dhe tre komunat tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan serbët kanë refuzuar regjistrimin e popullsisë.

Në 4 komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe e ku ka edhe lagje e fshatra shqiptare për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 numri në listën e qytetarëve me të drejtë vote për Mitrovicën e veriut ishte 17 721, për Leposaviçin 12 707, për Zveçanin 6 879 dhe për Zubin Potokun  6 443.

Filed Under: Politike

ARBËRESHËT E ITALISË, NJË GUR KUJTESE NË PESHOREN E NDËRGJEGJJES SONË

November 14, 2021 by s p

Prandaj edhe përpjekja jonë si studiues në kuadër të ITSHKSH është e orientuar drejt mobilizimit shkencor për një ndërgjegjësim më të madh kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së lashtë arbëreshe, një objektiv ky që do të shpërfaqet gjatë ditëve në vijim në  kuadër të Ditëve të Alfabetit që fillojnë sot dhe përfundojnë më 22 nëntor. Shpresojmë që në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, me gjithë potencialin tyre kulturor, në të ardhmen të jenë një gur kujtese në peshoren e ndërgjegjes sonë.

Nga Skender ASANI

Më shumë se 600 vjetë, menjëherë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu,  në Itali  jeton një komunitet shqiptar i ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga arvanitasit e Greqisë, kryesisht nga zona e Peloponezit, Epirit, dhe ishujt e Jonit. 

Arbëreshët e Italisë sot paraqesin një subtrakt kulturor e tradicional mjaft specifik në saje të ruajtjes me dashuri e fanatizëm të gjuhës, kulturës, besimit, mënyrës së jetesës, dokeve, e zakoneve.

Ata e ruajtën me plot dashuri edhe emërtimin arbëresh, duke e bërë këtë emërtim edhe pjesë zyrtare të administratës vendore.

Deri më tani janë bërë shumë studime dhe janë organizuar një sërë konferencash shkencore, të cilat kanë hedhur dritë mbi profilin kolektiv e individual të arbëreshëve dhe këmbënguljen e tyre për të ruajtur identitetin dhe prejardhjen në një ambient të huaj. Dhe një nga pyetjet më të shpeshta që bëhet aktualisht në qarqet shkencore është se si është e mundur që një komunitet i ardhur nga jashtë të ruajë identitetin e tij gjuhësor e kulturor. Për rrjedhojë ka ardhur vetvetiu edhe përgjigja se ka qenë krenaria  për vendin e origjinës, që u bë edhe motivi kryesor i letërsisë arbëreshe, pastaj kompaktësia e jetesës së përbashkët në vendin ku u vendosën, ato që ndikuan në ruajtjen e identitetit të arbëreshëve. Kjo përpjekje shekullore për t’u dukur ndryshe nga të tjerët, bëri që arbëreshët të identifikoheshin lehtësisht nga vendasit për shkak të gjuhës së veçantë që përdornin në komunikimin e tyre të përditshëm.

Të vendosur në Jug të Italisë, kryesisht në Kalabri, Sicili dhe në disa zona të tjera, arbëreshët patën një favor vet ambientin rural që ndikoi në mosndikimin e madh të kulturës italiane në jetën e tyre të përditshme. Prandaj ne sot kemi katunde të tëra arbëreshe, ku koloriti gjuhësor i arbërishtes përbën shenjën dalluese në tabela rrugësh dhe institucionesh.

Por ky realitet nuk është gjithkund i pranishëm dhe sidomos në zonat urbane ku u vendosën arbëreshët e ku kontaktet me vendasit ishin më të mëdha. Kjo ndikoi që përgjatë dekadave e shekujve, arbëreshët nuk mundën t’i shpëtojnë asimilimit dhe tani sipas një statistike që është bërë nga hulumtimet shkencore rezulton që  rreth 30 lokalitete arbëreshe janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën dhe identitetin e origjinës duke u integruar në atë italiane. 

Prandaj ky është edhe motivi qendror që sivjet ITSHKSH në kuadër të Ditëve të Alfabetit të trajtojë pikërisht çështjet identitare që lidhen me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe, si një përpjekje për të reflektuar në ndërgjegjet tona për një mobilizim më të madh në shpëtimin e këtij komuniteti nga kthetrat  asimilimit. Kjo edhe për faktin se aktualisht  në të gjithë Italinë njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe, në të cilat jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë. Prej tyre më të dalluara janë disa qarqe apo regjione, ku arbëreshët janë vendosur më masovikisht siç janë  Kalabria, me rreth 60.000 banorë, të vendosur në 30 komuna dhe 3 qendra më të vogla banimi, kryesisht në provincën e Kozencës. Një komunitet i madh është vendosur në ishullin e Sicilisë, pranë Palermos, por edhe në zonat tjera ku arbëreshët jan të shpërndarë dhe nuk janë kompakt si në Kalabri dhe n Sicili.

Nëse i hedhim një sy hartës demografike, do të shohim se komunitetet arbëreshe më të mëdha për nga numri i popullsisë dhe territorit janë Piana degli Albanese (Hora Arbëresh) në Palermo, Spezzano Albanese, San Demetrio Corone (Shën Mitri), San Giorgio (Mbuzat), San Sofia d’Epiro (Shën Sofia e Epirit), Vaccarizzo (Vakarici) në provincën e Kozencës, San Marzano di San Giuseppe në Taranto etj.

Ndërkaq komunitete të konsiderueshme arbëreshë gjenden edhe në qendrat e mëdha të metropolit në Itali, si në Milano, Torino, Napoli, Bari, Cosenza, Crotone dhe Palermo. Gjithashtu, komunitete arbëresh që mbijetojnë fort dhe mbajnë akoma të gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën e jetesës të vendit të tyre të origjinës gjenden edhe në SHBA, Kanada, Argjentinë dhe Brazil, si rrjedhojë e emigrimeve kryesisht në fund të shek. XIX e fillim të shekullit XX.

Neve si studiues na takon të hedhim më shumë dritë mbi specifikat e mbijetesës arbëreshe nëpër shekuj. Na takon të zbërthejmë edhe më tepër vitalitetin e arbëreshëve, të cilët,  për më shumë se 6 shekuj e ruajtën identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.

Vetëm duke e studiuar më hollësisht këtë komunitet, siç do të veprojmë edhe në ditët në vijim, përmes kumtesave e kontributeve shkencore, do të nxjerrim si përfundim se arbëreshët e Italisë paraqesin një nga rastet unikale në botë në ruajtjen e vetëdijes dhe krenarisë së tyre kombëtare, në saje të përkushtimit që treguan  poetët, gjuhëtarët dhe muzikologët arbëreshë. Ky kontribut kolosal i tyre ka ndikuar që në truallin arbëreshë të kryhen eksplorime të shumta gjuhësore, folklorike e etnografike edhe nga studiues shqiptarë e të huaj, të cilët dëshmuan për begatinë identitare që ruajtën arbëreshët, që ishte edhe një hallkë e fortë lidhëse në mes të truallit të origjinës dhe arealit kulturor evropian. Prandaj jo rastësisht romantizmi evropian së pari trokiti në dyert  poetëve arbëreshë, siç ishte rasti me Jeronim de Radën dhe me poemat e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, “Serafina Topia” etj.

ITSHKSH me plot vetëdije iu ka  qasë temës bosht që lidhet me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe me qëllim të sensibilizimit të opinionit shkencor dhe jo vetëm, që ky komunitet i ynë të shpëtojë nga tendencat e asimilimit që po ndodhin si rezultat i kontaktit me vendasit por edhe i globalizimit në çdo aspekt të veprimtarisë njerëzore.

Insituti ynë para dy vitesh realizoi një vizitë studimore në disa vendbanime arbëreshe të Kalabrisë dhe studiuesit  tanë janë kthyer me mbresa të thella nga këto treva të cilat dëshmojnë për një prezencë mjaft vitale të elementit arbëresh. Nga kjo vizitë përpos mbresave të pashlyera, na mbeti vragë në shpirt edhe tendenca gjithnjë e në rritje e asimilimit të arbëreshëve, që po vjen si rezultat i problemeve ekonomike dhe të zhvillimeve të diferencuara Jug -Veri, ku nevoja për punësim drejt Veriut të Italisë apo vendeve të tjera, po e bën të veten dhe për pasojë elementi arbëreshë dalngadalë po shkrihet në ambientet e mëdha urbane të Italisë. Kjo ikje e tyre drejt Veriut të zhvilluar  ka sjellë si rrezik permanent fenomenin e braktisjes së vendbanimeve historike të arbëreshëve. 

Mospërdorimi i gjuhës në komunikimin e  përditshëm është hapi i parë drejt asimilimit dhe humbjes së identitetit arbëresh. Fatkeqësisht me një fenomen të tillë u ballafaquan edhe shqiptarët katolikë të Shkupit, tash  e disa dekada më parë dhe tani na kanë mbetur vetëm disa fotografi dhe kujtime nga ata, për të dëshmuar se në Shkup dikur, para një shekulli, kishim një komunitet aktiv që ishte zëri më autentik i prezencës shqiptare këtu.

Prandaj edhe përpjekja jonë si studiues në kuadër të ITSHKSH është e orientuar drejt mobilizimit shkencor për një ndërgjegjësim më të madh kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së lashtë arbëreshe, një objektiv ky që do të shpërfaqet gjatë ditëve në vijim në  kuadër të Ditëve të Alfabetit që fillojnë sot dhe përfundojnë më 22 nëntor. Shpresojmë që në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, me gjithë potencialin tyre kulturor, në të ardhmen të jenë një gur kujtese në peshoren e ndërgjegjes sonë.

(Fjalë rasti në hapje të manifestimit tradicional “Ditët e Alfabetit”)

Filed Under: Politike Tagged With: Skender Asani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 264
  • 265
  • 266
  • 267
  • 268
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT