• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A po shkojnë shqiptarët nga Perëndimi apo Lindja?

August 13, 2019 by dgreca

Nga Skënder MULLIQI/

   Luhatja  e shqiptarëve më saktë të shprehem e  disa udhehëqësve  ndërmjet  Perëndimit dhe Lindjës , është duke na shkaktuar dëme të mëdha.Shtrohet pyetja ku kemi qenë dhe ku jemi tash? Me Perëndimin apo Lindjën ?Shumë kush mendon së Ballkani ka mbetur diku në mes,  as andej as këndej.Të dytët mendojnë   së shqiptarët kan qenë dhe janë më shumë  Properëndimor.Kurse  pjesa e tretë  mendon së me traditë edhe më mentalitet anojmë kah Lindja.Megjithate ka një përgjigje racionale e bazuar në fakte historike dhe në përvoja së shqiptarët  I takojnë botës Perëndimore.Duke u bazuar në kulturën dhe traditën si vlera fundamentale dhe ekzistenciale për një popull.. .

 Dy shtetet tona  nuk janë duke ecur kahut të duhur historic e shumë më pak po funksionojnë si shtete demokratike.Pushtetet po veprojnë të ndara nga  populli, dhe kjo po prodhon kriza të vazhdueshme politike e institucionale , mos të flasim për stagnim të rrjedhave ekonomike .Po e bëjnë jetën e vet, ndarazi nga shumica .Nuk kemi shoqëri të integruar, së ky drejtim moti I është lëshuar stihisë  .Modeli do të thosha përfekt I shoqërive të integruara i bazuar në vlerat kulturore -institucionale  janë: Amerika, Zvicra, Gjermania dhe disa shtete të Evropës.Bota Perëndimore është shëmbulli i kultivimit të kulturës si bashkësi e organizuar  dhe të  kultivimit  të tolerancës fetare.Ne rrethanat dhe kushtet kur lihën anash këto vlera , nuk kemi mundësi të flasim për institucione demokratike,  dhe as ta paramendojmë një shtet më kulturë politike të mirëfilltë.Elitat të cilat nuk I përceptojnë ose nuk kan dijeni të përceptimit të politikës kulturore , shteti  fillon të dezintegrohet.

 Kuazi elitat politike   janë duke na shkaktuar dëme të mëdha. Një formulë e tillë qeverisese më vendin , e këtyre drejtuesve të politikës të dy shteteve shqiptare , është duke  na sjellur para aktit të kryer, sidomos në planin e saj të  jashtëm.Sjelljët e tilla dualiste politike të orjentuara më shumë ka Lindja ,janë  duke krijuar mjegullë të madhe në opinionin  e gjerë public. Ata të cilët po ulën në dy karrige të Përendimit dhe  ate të Lindjës , nuk iu duhen shqiptareve .Deklarativisht këto elita  janë për Përendimin , kur se faktikisht më  Lindjen.Kjo shumë I  ndihmon dezintegrimit kulturo-politik të  Kosovës  dhe  të Shqipërisë. Ajo që po na mungon më së shumti është koncenzusi nacional kur bëhët fjalë për tema të mëdha.Me udhëheqje  mashtruese , më rrena të organizuara , më hajni, nuk bëhët shteti.Ata që janë duke punuar kunder shteteve  tona dashur apo  me mos dije , sa më parë  do të duhej tu lëshojnë vend forcave përparimtare – demokratike.Në rrethana të tilla, politike jo të mira , tema Perëndim, Lindje ,  po e krijon një ambient  tjetër propagandistic më politika dinake  të te gjitha llojeve .Kjo ka krijuar seriozitet dhe kujdes në hapat e metejme të protagonistëve  të saj. Sigurisht, së kjo nuk është në interesin e jetës normale të qytetarëve ,dhe  nuk është as në interesin nacional. Me këto forca politike vështirë së krijohet ambijent I volitshem për veprime serioze, në ruajtjën e sovranitetit dhe territorit të Kosovës , e sa për planët zhvillimore shumë pak  kemi çka flasim…Shqiptarët shpëtimin gjithmonë e kan gjetur të bota e përparuar perëndimore  dhe Amerika, kurse prej shteteve të Lindjës na kan ardhë dhe po  vazhdojnë të na vijnë vetëm të keqija  shumë  të kushtueshme …

Filed Under: Politike Tagged With: Skender Mulliqi-Shqiptaret-Perendim-Lindje

Veseli: Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta

August 12, 2019 by dgreca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se beson që Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta, meqë për të “është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes”.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Veseli ka thënë se lirimi i parakohshëm i ish-pjesëtarit të njësisë “Akrepat”, Miodrag Sholaja, nga autoritetet e Serbisë, është një akt i turpshëm.

“Kosova nuk duhet të lejojë që historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin”, ka shtuar ai.

Javën e kaluar është bërë e ditur se Miodrag Sholaja, i dënuar për masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë më 1999, është liruar me kusht, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij.

Gjykata e Apelit në Beograd, në vendimin e datës 31 korrik, ka marrë vendim për lirimin e tij, tre vjet para përfundimit të dënimit, pasi ka kryer 12 nga 15 vjetët sa ishte i dënuar me burgim.(Europa e Lire)

Sholaja ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në masakrën e Podujevës, në mars të vitit 1999, ku pjesëtarët e njësisë “Akrepat” qëlluan për vdekje 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë prej moshës dy deri në 15 vjeç, dhe shtatë gra.

Përveç tij, Veseli ka përmendur edhe lirimin e një viti më parë të Sasha Cvjetanit, i cili po ashtu ishte liruar pa përfunduar dënimin e tij me burgim.

Cvjetan ka qenë një tjetër anëtar i njësisë “Akrepat” i dënuar me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në masakrën e vitit 1999 në Podujevë.

Ndaj këtij vendimi, në emër të dy familjeve Duriqi dhe Bogujevci pati reaguar e mbijetuara e masakrës, Saranda Bogujevci.

“Kjo na bënë të kuptojmë si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i takon drejtësisë. Nuk është e interesuar që t’i dënojë dhe të mbajë dënimin për kriminelët e luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje. Si familje jemi shumë të zhgënjyer e të mllefosur dhe është e papranueshme që një person të lirohet për krimet të luftës”, pati thënë Bogujevci.

“Akrepat” fillimisht u krijuan si një formacion paramilitar në territoret e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Filed Under: Politike Tagged With: Kadri Veseli-Bashkimi Europian

“NARKOTIKA” DHE PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË NË BOTË

August 11, 2019 by dgreca

“Mjerë ai brez në të cilin gjykatësit meritojnë të gjykohen”- Talmud (Kodi i lashtë i ligjeve hebraike)/

Nga Eugjen Merlika/

            Më 7 gusht, para mesnatës, TV shtetëror italian Rai 3 përcolli në ekranin e tij një film dokumentar të titulluar “Narkotika”. Ishte një bashkëpunim i i televizionit me Rojen e financës dhe Autoritetin e kundër drogës.Filmi trajton problemin e mprehtë të përhapjes së drogës n’Evropë e në botë, të burimeve të saj, të industrisë së prodhimit, të mënyrës së shpërndarjes, të fitimeve financiare e të bashkëpunimit të organeve të ndryshme gjyqësore e policore të Vendeve të ndryshme në luftën kundër prodhimit e përhapjes së saj.

            Shqipëria nuk ishte objekti i vetëm i shtjellimit të kësaj dukurie të përbindëshme me pasoja rrënuese për miliona qënie njerëzore e për familjet e tyre. Por Shqipëria , është njëri ndër Vendet kryesore ku ishte përqëndruar vëmëndja e kamerave të prodhuesve të filmit. Ishte një shfaqje tepër e dhimbëshme dhe e shëmtuar për cilindo që ndjen sado pak shqetësim  për fatet e Vendit tonë. Nuk e  di nëse e kanë parë atë film ata njerëz që për gati tridhjetë vjet, në nivele të ndryshme, kanë qenë në drejtimin e tij e, për më tepër ata që, drejt për së drejti, mund të quhen përgjegjës për anë të ndryshme të dukurisë, për të mos folur për ata, jo të pakët, që kanë përfituar e përfitojnë çdo ditë nga kjo mynxyrë njerëzore.

            Përfytyresa që krijon filmi është ajo e një Vendi që është kthyer në një depo të stërmadhe të lëndëve narkotike që vijnë nga prodhuesit më të mëdhenj si Kolumbia, Meksika, Afganistani etj. Në këto Vende, simbas autorëve të filmit, veprojnë drejt për së drejti banda shqiptare të organizuara deri në përsosje, për të cilat nuk ekziston asnjë skrupull moral, të inkuadruara tashmë organikisht në krimin global, madje duke ngjitur me shpejtësi shkallët drejt qëllimit të zotërimit të tij me mënyrat më të sofistikuara. Filmi vë në dukje fuqinë e veprimit të bandave shqiptare të drogës në Hollandë, n’Angli, në Itali e gjetiu.

            Njëri ndër personazhet e intervistuar në film është gjykatësi i kundër drogës italiane Nicola Gratteri i cili, ndërmjet të tjera vështirësive që paraqet lufta kundër trafikut botëror të narkotikëve, thekson si pengesë kryesore për dukurinë shqiptare faktin se “ata nuk luftohen në Vendin e tyre”. Mendoj se është ky pohimi më i rëndësishëm e më emblematik në kontekstin e asaj dukurie. Ai ngre para opinionit publik të huaj dhe atyre që shqyrtojnë kërkesën shqiptare për të filluar bisedimet për antarësi në Be një mal pikëpyetjesh që mund të dëmtojë të gjithë proçesin. Ai pohim ve në diskutim gjithë punën e organeve shtetërore që, gjatë të gjithë këtyre viteve, kanë qenë të ngarkuara të luftojnë dukurinë, duke hedhur një hije të errët mbi vetë shtetin shqiptar.

            Nëse bashkëpunimi i organeve përkatëse shqiptare me organizmat e antikrimit botëror, në këtë rast italian, lë aq për të dëshiruar sa që të krijojë jo thjesht dyshime, por bindje se shqiptarët nuk e luftojnë krimin në Vendin e tyre, tregon se kemi arritur në pikën e vlimit e duhet një kthesë rrënjësore për të ndryshuar drejtim. Një gjë është e sigurtë: ata që kanë drejtuar Shqipërinë në njëzet vitet e fundit e që, qëllimisht apo për negligjencë, kanë lejuar të arrijë sistemi në këtë gjëndje majisjesje e kutërbimi duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të përgjigjen para dikujt. Se çfarë natyre do ketë ajo llogaridhënie nuk mund të përcaktohet me hamëndje gazetareske, por duhet të jetë, ndërmjet të tjerash, madje në krye të tyre, lëndë për organet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen si pasojë e reformës së saj. Ndërsa në planin politik pasojat duhet të jenë në përfundimet e votimeve të cilat, për arsye të ndryshme përfshirë edhe teka të drejtuesve politikë, janë bërë për shqiptarët “mollë e ndaluar”.

            Filmi flet mjaft për Lazaratin, duke pohuar se të ardhurat prej kanabisit që kultivohej aty arrinte shumën prej 2 – 3 miliard euro, sa një e katërta e PPB të gjithë Shqipërisë. Ai nuk shtjellon se si e ku mbarështoheshin këto shuma marramendëse në kohën e qeverimit PD e PD – LSI, por tregon se si kjo veprimtari u ndërpre mbas ardhjes së “rilindjes” në pushtet më 2013. Në të flitet, nëpërmjet intervistave me banorët e fshatit, se si u zhvillua ndërhyrja e forcave të rendit në Lazarat e madje përmend edhe vrasjen e një oficeri te policisë. Por gjithashtu pohon se fundi i përvojës së Lazaratit, dikur “strategjike”, nuk qe fundi i dukurisë që madje mori përmasa shumë më të mëdha me qeverinë e vitit 2013.

            Në film flitet për ish minstrin Tahiri, të paditur për bashkëpunim me trafikantët e drogës, por për të cilin, deri tani, organet hetuese nuk po krijojnë dot një impiant padije bindëse për gjykatën. Paaftësi e organeve hetuese, përfshirë dhe e atyre italjanë, fshehje me mjeshtëri e gjurmëve të krimit, prirje për t’i mbuluar ato, apo mungesë e plotë e tyre? Fakti që prej disa vitesh opinioni publik shqiptar përpëlitet në këtë mëdyshje tregon se ka shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet në sistemin e drejtësisë, një tjetër sinjal ky që forcon tezën e filmit.

            Ky i fundit çuditërisht nuk përmend një tjetër fakt dëshmues të padisë së tij, atë të ish ministrit Xhafaj që strehonte në familje vëllanë e tij, edhe se kishte një kërkesë nga drejtësia italiane për ekstradim, si pasojë e një dënimi për trafik droge përtej Adriatikut. Nuk duhet të harrojmë trajtimin që i u bë një tjetër trafikanti të drogës nga shteti shqiptar,Klement Balilit. Qindra policë, për muaj e vite vinin vërdallë pa mundur të gjenin strehën e tij brënda Shqipërisë, deri sa i kërkuari me një mandat ndërkombëtar nga gjykata greke, në mënyrë qesharake, “u dorëzua” vetë në dorën e shefit të përgjithshëm të policisë së shtetit, për t’u dënuar në një proçes të përshpejtuar e për të marrë një dënim, për të thënë pak, bujar.

            Filmi ve në dukje edhe një tjetër dukuri. Nga vrojtimet ajrore të Rojes së financës italiane vihej re se në vitin 2018 ishte pakësuar shumë toka e mbjellë me kanabis, por në këtë vit ishte shtuar përsëri deri në rreth 20 % të sipërfaqes. Si shpjegohet kjo luhatje e ndjeshme nga një vit në një tjetër i kultivimit të narkotikëve? A ka dorë shteti për mirë apo për keq në këtë dukuri? Cila është përgjegjësia e tij në këtë rast? Apo ai mund të shkarkojë përgjegjësinë, si gjithmonë, duke mohuar faktet e dhëna?

            Filmi “Narcotika”, në thelbin e tij, nuk përbën diçka të re e të padëgjuar, mbasi bëhet fjalë për dukuri të njohura, të cilat janë objekte të padisë publike mes dy krahëve të politikës shqiptare, kryesisht nga ana e Opozitës jashtë parlamentare. Por ai, që shikohet nga italianë apo evropianë, i ve si qëllim vetes të japë një radiografi të dukurisë botërore të drogës, të shtrirë në të gjithë sistemin e saj të arterieve e kapilarëve të ndërlikuar. Fakti që Shqipëria është një nga arteriet më të rëndësishme të këtij organizmi infernal e të stërmadh, është një goditje e fuqishme përfytyresës së saj në botë, është një grusht fytyrës së qindra mijra e milionë shqiptarëve të ndershëm në botë e në atdhe, që jetojnë me djersën e ballit e që në të voglën e tyre e nderojnë emrin e tij. Shqetësimi me të cilën përcolla deri në fund atë film më solli ndërmënd shumë bashkatdhetarë që ndoshta shikonin të njëjtin spektakël e provonin të njëjtat ndiesi e kishin të njëjtat mendime si ata që shpreha në këtë shkrim.

            Por filmi trajtoi edhe një tjetër vështrim të realitetit shqiptar, për të cilin flitet pak ose aspak në jetën e përditëshme, i lënë në heshtje krejtësisht nga politika. Është problemi tejet i dhimshëm i njerëzve të ngujuar vite me rradhë në shtëpitë e tyre, kryesisht në fshatrat e Shqipërisë së Veriut, si pasojë e gjakmarrjes. Si gjithmonë shpjegimi për evropianët gjindet te ligji i lashtë i malësive, kanuni, pa u munduar të thellohen në thelbin e dukurisë që është ngadalësia apo mungesa e drejtësisë shtetërore, si hallka më e rëndësishme e zinxhirit kriminal të gjakmarrjeve.

            Kjo plagë e hershme e shoqërisë malsore shqiptare, për të cilën u munduan t’a zvogëlojnë apo t’a shmangin fare prej kohësh klerikë e shqiptarë të mëdhenj në shpirt, sado e kufizuar në territore të caktuara, përbën sot një problem madhor që duhet të shqetësojë opinionin mbarëshqiptar. Për të liruar qindra shqiptarë nga ngujimi disavjeçar, për të kursyer jetët e qindra djemve të vegjël që rrezikojnë ngujimin në një moshë të re, për të sjellë normalitetin në jetën e qindra familjeve, duhet një zotim i madh në nivel të përgjithshëm, në rradhë të parë të organizmave shtetërore, por do të ishte një mision i lëvdueshëm për të gjithë kombin. Nuk duhet të jetë “Narkotika” që të na e kujtojë atë detyrë të madhe.

            Figura e mësuese Lilianës që, me lotë ndër sy, flet për nxënësit e saj të vrarë apo të  ngujuar, me çiltërsinë e dhëmshurisë e të ndjenjës, mbetet figura më e dashur për spektatorin, një përfaqësuese e denjë e Shqipërisë fisnike e të traditës, e braktisur nga një kohë shumë e gjatë lufte kundër saj.

            Filmi është një pasqyrë që na vihet para sysh si shoqëri e si shtet, për t’u vetëdijësuar për problemet tona, por është dhe një fletë llogarie që na vjen mbas 28 vitesh demokracie, një bilanc me të cilin duhet të ballafaqohemi në botën në të cilën duam të bëjmë pjesë. Nuk është ende një gjyq me vendim të pakthyeshëm, por nëse nuk do të jemi në gjëndje në pak kohë të ndryshojmë kursin e ecjes sonë 180°, rrezikojmë të përfundojmë me një përjashtim fatal nga proçeset evropiane me pasoja rrënuese edhe për brezin e ardhshëm.            Gusht 2019               

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika- Narkotika-Shqiperia

HAVZI NELA…

August 10, 2019 by dgreca

Në përvjetorin e ekzekutimit/Nga Reshat Kripa/

 10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të jetonte i lirë dhe nuk e linin as për të jetuar.

            Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas njëmbëdhjetë vitesh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

            24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosin dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

            Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek, në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar lexues.

            Megjithatë vargjet e tij  mbijetuan. Ato  vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

A e dini çfarë kam hjekë,

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: – Ai urreu mizorin! –

Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

            Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

            Brenda vetes time ndjej një revoltë. Dua të thërras, dua të çirrem. Askush nuk më jep përgjigje. Heshtja sundon kudo. Më dhemb zemra për këtëpoet të madh që Atroposi i preu fillin e jetës. Ndaj pyes:

            –    Deri kur do t’i kemi mbi krye vrasësit e poetëve? Deri kur?

Kjo pyetje kërkon përgjigje. 

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat Kripa-Havzi NELA-Pervjetori

SHTETI, QË FYEN POETIN MARTIR HAVZI NELËN

August 10, 2019 by dgreca

Nga Besim Ndregjoni/

      31  VITE MË PARE VAREJ POETI I LIRISE  HAVZI NELA  /  

Sot mbushen 31  vite që poetidisident , martir i lirisë, ndahet tragjikisht dhe fizikishtë nga Kollovozi e Kukësi nga Shqipëria atdheu i tij i dashur që i kushtoi jetën e tij në mbrotje të  lirise dhe dashurise njerzore.  Cdo vit   përkujtimor, përveç ritualit  të  kujtesës mbi ata që nuk janë më midis nesh e që u a morën jetën pa të drejtë  e ka të pashmangshëm edhe bilancin e ndërgjegjes sonë mbi ta, refleksionin e marrëdhënieve tona me ta, përderisa i kemi pranuar si pjesë e pandarë e kuptimit të ekzistencës sonë.
Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashte  politikës , është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij,  janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën  çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Kukësi ia ka bërë nderimet , duke i vënë emrin e tij nje shkolle gjimnazi. Dhe mbas 31  vitesh i ban nje bust dhe e vendosen para gjimnazit që mban emrin e tij, dhe jo aty ku ishte varur ne litar. Presidenti, e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. të propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me  nderimin e  poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë.  Por nuk është aspak kështu për poetin që shkruante nga katakombet komuniste për “Frymën e Helsinkit”.  Poezi hym, edhe sot mbas dhjetra vitesh. Nuk është aspak kështu, sepse atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet,  për poetin që vargjet i shkruante qelive,  duke sfiduar xhelatët e  diktaturës , për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë, për këtë poet, pra, shteti ynë e paska të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e ka fyer  kujtimin e tij duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës. Shteti nuk nderon Havziun , por ata që vrane lirine e Havziut..

Drejtësia e shtetit tonë nuk ka  marrë mundimin për këta 31  vjet të hapë një proces penal për të gjithë ata që ideuan, organizuan dhe përmbushën me gjakftohtësi, si në skenat mesjetare, varjen e poetit në litar më 10 gusht 1988, duke shënuar rekordin e turpit dhe të së keqes në krejt globin tokësor.  Të gjithë ata persona që ishin pjesë  e krimit, ishin dhe janë ende gjallë. Çfarë u bë me ta, vallë? Me ata të gjithë? Me ata një e nga një ? Ekzekutorët e tij  patën të gjithë karrierë të lavdishme politike e profesionale                          

Së paku tre prej tyre që kanë hedhur firmat në aktin e dënimit me varje të Havzi Nelës, dihen. Ish-Presidenti diktator komunist Ramiz Alia, të cilin shteti e përcolli zyrtarisht me një ceremoni funerale si një hero, në shtrat të topit dhe për të cilin, të nesërmen u shkrua nëpër gazeta me lavde e superlativa dhe politikanët  tanë e pagëzuan si politikan të matur, të qetë e liberal, një lloj Gorbaçovi  shqiptar që shmangu gjakderdhjen, duke e lënë krejt në harresë faktin se të gjitha aktet e pushkatimeve i firmoste po ajo dorë kriminale “ që druhej mos derdhë gjak”(!). Dy personat e tjerë që firmosën dokumentin janë gjallë. Ata kanë njohur kulmin e karrierës politike e administrative në shteti demokratik shqiptar. Njëri, ish-deputet, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i dekoruar më 8 janar 2004 me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa tjetra, ish-kryetare e I. l D.P, e dekorurar me po këtë titull në vitin 2009 nga Presidenti tjetër i radhës. Nuk është vetëm rasti i Havzi Nelës, por edhe i martirëve të tjerë. Po njësoj janë dekoruar më parë xhelatët që vranë Trifon Xhagjikën, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin. Logjika është e thjeshtë: nëse shteti, me segmentet e politikës, pranon, nëpërmjet dekorimit të martirëve, të na i bëjë ata pjesë të vetëdijes sonë qytetare, atëherë, për të shmangur kontradiktën dhe pafytyrësinë duhet të ndëshkojë, të gjithë ata që çuan në vrasjen e poetëve. E pakta moralisht duhej të bênte  pezullimin e këtyre vrasësve nga postet e rëndësishme shtetërore e politike.  Standardi i këtij shteti demokratik  është i dyfishtë, kriminal, hipokrit fyes, si për kujtimin e viktimave, ashtu dhe për ndërgjegjen tonë qytetare tani që e kemi mësuar të vërtetën. Shteti demokratik   me  këto nderime jep  shembullin më të keq: të nderojsh  viktimat si martirë nga njëra anë, dhe njëkohësisht, t’u hapësh  mundësi për karrierë marramendëse vrasësve të tyre në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament.  Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tone.  Nderimi nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm. Cdo ditë shtypi shqiptar boton jetshkrimet e udhëheqëve komunist. Mbushen faqet e gazetave me tituj bombastikë e emisione televizive, se si Nexhmija i kushtonte kujdes Enverit që mos të na vdiqte nga seksi natën. Dhe në faqet e shtypit dhe emisionet televizive nuk ka kohe e mundësi për Hvziun, Pjetër Meshkallën, për Fishtën, e Visarin me herojt e Spaçit dhe Burrelit. Shtypi gjerman shkruan në Shqipëri nderohet diktatori nëpër Muze dhe përbuzen viktimat… Ismail Kadareja bën një sugjerim  ne 20 vjetorin e varjes poetit.. “Poeti është  në botë e  amshuar, por shoqeria shqiptare  a është e qete.”. Në rrugëtimin tone  drejt përparimit dhe Europës, është  shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “Frymën e Helsinkit” kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin. Pikërisht , politika  shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të verteten e krimit komuniste. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet. “Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës, Vilsonit dhe Gencit, thjesht sepse ata ishin njerëz realë, se litari, plumbat e togës dhe vdekja e tyre qe reale dhe se vepra e tyre letrare vazhdon të jetë reale, të dëshmojë për ta. Europa si ëndërr, së cilës po i sillemi vërdallë, frymoi për së pari si ajër i vjedhur lirie në Kollovoin e Havzi Nelës,  e në  Bërzhezhdën e Vilsonit dhe Gencit,  nëpërmjet vargjeve të poetëve martirë. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist  shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me  Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashte Europes se ajo nuk na pranon me vrasesit e poeteve por me matirizimin e poeteve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët: Vdekja për liri nuk më tremb aspak. Si e duron robninë zemra e një trimi?Kështu shkruane një vit para vdekjes poeti ynë Havzi Nela.

Besim Ndregjoni

Filed Under: Politike Tagged With: Besim Ndregjoni-31 vite- Varja e Havzi neles-Shttei

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • 412
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT