• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatra nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë ish Kryeministrin e Italisë Silvio Berlusconi postmortem

February 4, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Elmi Berisha nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë ish-Kryeministrin e Italisë Silvio Berlusconi – postmortem në sallën Bogdani të Hotel Tirana International, të hënën pasdite. “Ky nderim, i pari në radhë, i përgjigjet misionit historik të Vatrës për të nderuar kontributin e udhëheqësve që kanë ndihmuar shqiptarët dhe kanë qenë mbrojtës të të drejtave të tyre ,” tha Kryetari Berisha. Ai shtjelloi se Silvio Berlusconi ka qenë krah shqiptarëve në kohë të vështira duke e konsideruar stabilitetin e Ballkanit si përparësi strategjike për rajonin dhe Evropën.

Në ceremoninë e nderimit, Dr. Marco Marrone, ish këshilltar i Silvio Berlusconit dhe përqafësuesi i posaçëm i familjes Berlusconi, erdhi enkas nga Roma për këtë rast. Ai e lexoi në ittalisht letrën e falenderimit nga vëllai Dr. Paulo Berlusconi. Z. Marrone i dhuroi Kryetarit Berisha kravatën e stilit të veçantë të Silvio Berlusconit. Nga ana e tij, Presidenti i Vatrës i dhuroi një gur nga minierat e Mitrovicës për zyrën e Paolo Berlusconit dhe një tjetër atij si dhuratë personale.

Gjatë ceremonisë drejtuar nga editorja e anglishtes e gazetës Dielli Rafaela Prifti u lexua për të pranishmit në shqip letra e z. Paulo. Berlusconi drejtuar Kryetarit të Vatrës.

Një falenderim i veçantë ju dha mikut të vjeter të Vatrës dhe ish-kryebashkiakut të Shëngjinit Salvador Kaçaj për ndihmesën e tij për ceremoninë.

Zëvendës-shefja e Ambasadës amerikane në Shqipëri Kathryn Hammond dhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri z. Skënder Durmishi morën pjesë në ceremoni ku erdhën edhe shumë përfaqësues të kulturës, arsimit e të tjerë.

Medalja e Artë e Lirisë nga Vatra shoqërohej me çertifikatën e punuar enkas me motivacionin:

“The Pan Albanian Federation of America bestows The Gold Medal of Freedom posthumously to Former Prime Minister of Italy Silvio Berlusconi

As a tribute to a rare statesman for advocating on behalf of the Albanian nation promoting friendship between our countries in service of a better future for all of us.

The medal is presented by the President of Vatra Dr. Elmi Berisha on this day February 3rd, 2025 in Tirana, Albania”.

Filed Under: Politike

Vatra Chicago festoi 2 vjetorin e themelimit

February 3, 2025 by s p

Vatra Chicago/

Vatra Chicago festoi 2 vjetorin e themelimit të degës së saj në atmosferën entuziaste të pjesmarrësve .Të ftuarit e nderit ishin nënkryetari i Federatës Pan Shqiptare Zoti Alfons Grishaj dhe Drejtori i përgjithshëm i të gjitha degëve të Vatrës për USA dhe Canada, Zoti Rajmond Rakaj. Fjalën e hapjes e mori kryetarja e Vatrës Zonja Mirela Kanini e cila së pari i uroi mireseardhjen gjithë të ftuarve. Pas një bilanci të shkurtër të aktiviteve të kryera gjatë këtyre dy vjetëve ajo falenderoi personalisht secilin nga anëtarët e kryesisë për përkushtimin e tyre si vijon:

Ernest Nasto ( nënkryetar) për mbështjetjen e plotë në vendimarrjet, Emanuela Cako ( shefe e kabinetit), për punën e palodhur dhe përpikmërinë që e karakterizon. Ardian Ruci ( sekretar i degës) për kordinimin e eventeve të shumllojshme dhe lidhjet e forta me komunitetin. Shkëlzen Cakeri për gatishmërinë e përhershme dhe devotshmërinë që tregon i cili është gjithashtu( krijues dhe mirëmbajtës i Vatra Chicago website). Aurora Ajdini që është gjallëria e Vatrës dhe e cila dallon nga të gjithë për kontributin e saj në anëtarësimet më të larta në Vatër. Dhimo Jano i cili përveç punës së tij si anëtar kryesie ka qënë dhe është mbështetësi më i mirë financiar i Vatra Chicago dhe sponsorizues i disa eventeve. Artan Nati ( treasurer), për punën e tij në drejtimin e financave së bashku me Anjeza Mucën që është gjithashtu dhe e ngarkuara për design/ marketing të degës Vatra Chicago, Blerta Hasimi e cila i është bashkuar kryesisë kohët e fundit por jep kontribut të çmuar në arritjen e objektivave. Të gjithë së bashku ne jemi si ingranazhet e një makine që plotësojnë njëra tjetrën dhe Vatra është si një fëmijë i yni që i dhamë jetë dhe duam që të rritet shëndetshëm. Kemi hasur dhe vështirësi por i kemi kapërcyer. Kemi dhe diferencat tona por ruajmë respektin dhe mirëkuptimin gjatë debateve konstruktive- theksoi Zj. Mirela Kanini. Pastaj Z. Alfons Grishaj ishte ai që mori fjalën duke përgëzuar kryesinë dhe vatranët në Chicago për punën e mirë dhe rezultatet. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kësaj organizate ndër vite dhe bëri të ditur disa nga planet për të ardhmen gjë që shkaktoi entuziazëm në sallë. Më pas përshëndeti dhe Drejtori i Përgjithshëm Zoti Rajmond Rakaj i cili në fund i dhuroi Vatrës Chicago një pllakatë mirënjohje për punën e dalluar dy vjeçare. Gjatë kësaj mbrëmje të ngrohtë dhe shumë të këndshme që zgjati mbi 3 orë u shkëmbyen biseda, idera dhe të gjithë u larguan me dëshirën e mirë për të bashkëpunuar më shumë në të ardhmen dhe për ta ngritur Vatrën e Nolit dhe Konicës në nivele akoma më të larta. 🇦🇱🇦🇱🇦🇱

Filed Under: Politike

MASAKRAT NDAJ GRAVE, PLEQVE, FËMIJËVE DHE TË BURGOSURVE NË KOSOVË MË 1998-1999

February 1, 2025 by s p

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).

Jusuf Osmani

Abstrakt

Gjenocidit serb ndaj popullatës shqiptare në Kosovë në vitet 1998-1999 i kanë paraprirë dhe nxitur propaganda dhe gjuha fyese, urrejtja dhe diskutimet e shumta të politikanëve serbë në organet më të larta shtetërore e qeveritare në mitingjet e shumta antishqiptare në Kosovë dhe jashtë Kosovës, planet e Akademisë Serbe të Shkencave, shkrimet e gazetave ditore, mediet elektronike, si dhe botimet “shkencore” të dirigjuara një kohë të gjatë, etj. Rol të theksuar ka luajtur Kisha Ortodokse.

Në luftën e fundit të agresorit serb më 1988-1999 ndaj popullatës shqiptare në Kosovë kanë ndodhur krime gjenocidiale barbare aq të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë, që ushtruan pa mëshirë pjesëtarët e forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe, ku nuk kursyen as gratë, gratë shtatzëna, foshnjat, fëmijët, pleqtë, të burgosurit dhe të tjerë.

Masakrimet, vrasjet masive të grave, fëmijëve, pleqve, të burgosurve e të tjerë, dhunimet e vajzave dhe të grave të reja, djegiet dhe shkatërrimet masive të vendbanimeve, të ekonomisë dhe pronës, nuk u mjaftonin forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, por për t’i humbur gjurmët e krimeve hapnin varreza masive dhe individuale akoma të paidentifikuara, në Kosovë dhe jashtë Kosovës, në Serbi. Ka shumë raste kur kufomat janë varrosur, por pas disa ditësh janë zhvarrosur dhe dërguar në vende të panjohura. 

Gjenocidi, krimet, masakrat dhe dhuna e ushtruar ndaj popullatës shqiptare, posaçërisht ndaj grave, fëmijëve, pleqve, në Kosovë në periudhën 1998-1999 janë më të rëndat dhe më tragjiket në Evropë. Lufta e fundit në Kosovë ka shënuar përmasat e një tragjedie, e cila la mijëra të vdekur dhe të zhdukur, qindra të plagosur, mijëra objekte të ndryshme të rrënuara, femra të dhunuara, popullatën e dëbuar dhe shumë pasoja të tjera.

Fjalë çelës: gjenocidi, krimet, vrasjet, fëmijët, pleqtë, gratë, të burgosurit, forcat serbe, Kosovë.

Krimet dhe vrasjet në Kosovë

Vitet 1998-1999 ishin vitet e vrasjeve, djegieve dhe të masakrimeve të qindra e të mijëra qytetarëve të pafajshëm e të pambrojtur, përfshirë edhe fëmijë, gra, e pleq. Janë këto vite të zhdukjes së dhjetëra, qindra e mijëra anëtarëve të familjeve shqiptare. Faktet dëshmuan se pikërisht këtë e parashihte faza e fundit e skenarit të çmendur serbomadh kundër shqiptarëve të Kosovës – skenarit për vrasjen dhe zhdukjen e një populli të tërë nga trojet e veta shekullore. 

Në luftën e fundit të agresorit serb më 1988-1999 ndaj popullatës shqiptare në Kosovë kanë ndodhur krime gjenocidale aq të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë, që ushtruan pa mëshirë pjesëtarët e forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe, ku nuk kursyen as gratë, gratë shtatzëna, foshnjat, fëmijët, pleqtë, të burgosurit dhe të tjerë. Përveç kësaj, krimet në Kosovë përfshinin dëbimin e popullatës, masakrat, pastrimin etnik, dhunimet, plaçkitjet, helmimin e puseve, fshehjen e kufomave, fshirjen e identitetit, keqpërdorimin e civilëve dhe puna e dhunshme, shkatërrimin e vendbanimeve dhe minimin e terrenit. Krimi në Kosovë ishte masë e paraparë dhe e planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake.

Masakrimet, vrasjet masive të grave, fëmijëve, pleqve, të burgosurve e të tjerë, dhunimet e vajzave dhe të grave të reja, djegiet dhe shkatërrimet masive të vendbanimeve, të ekonomisë dhe pronës, nuk u mjaftonin forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, por për t’i humbur gjurmët e krimeve hapnin varreza masive dhe individuale akoma të paidentifikuara, në Kosovë dhe jashtë Kosovës, në Serbi. Ka shumë raste kur kufomat janë varrosur, por pas disa ditësh janë zhvarrosur dhe dërguar në vende të panjohura. 

Veprimtaria kriminale e forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe që ushtruan kundër popullsisë shqiptare në Kosovë ishte tërësisht identike, pothuajse në mbarë Kosovën. Vetëm viktimat shqiptare janë të ndryshme e të shumta. Kjo tregon për mënyrën e organizuar të frikësimeve, përndjekjeve, terrorizimeve, burgosjeve, ngritjes së kampeve të përqendrimit, plaçkitjeve, djegieve e shkatërrimeve, krimeve makabre e më në fund edhe zhdukjen e kufomave të të vrarëve, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimeve. “Nuk kam besuar që njeriu mund t’i bëjë diçka të tillë njeriut, derisa vizitova Kosovën”, deklaroi ish-senatori amerikan, Robert Dol, më 6 shtator 1998, para gazetarëve në Prishtinë, pasi ishte kthyer nga një vizitë që u bëri zonave të përfshira në luftime.

Gjenocidi, krimet, masakrat dhe dhuna e ushtruar ndaj popullatës shqiptare, posaçërisht ndaj grave, fëmijëve, pleqve, në Kosovë në periudhën 1998-1999 janë më të rëndat dhe më tragjiket në Evropë. Lufta e fundit në Kosovë ka shënuar përmasat e një tragjedie, e cila la mijëra të vdekur dhe të zhdukur, qindra të plagosur, mijëra objekte të ndryshme të rrënuara, gra të dhunuara, popullatën e dëbuar dhe shumë pasoja të tjera. Gjenocidi e krimi i tillë në Kosovë i zbatuar nga agresori pushtetar serb, kanë qenë veprime që kanë qenë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Vrasjet e qëllimshme dhe të paligjshme të civilëve – ekzekutimet pa gjyq – ishin një pjesë e rëndësishme e fushatës “së spastrimeve”. Në të gjithë Kosovën u vranë nga policia serbe, nga ushtarët dhe nga forcat paramilitare të implikuara në vrasjet e stilit “ekzekutim në vend”, civilë të cilët dihej mirë se nuk ishin luftëtarë dhe ndër të cilët kishte shumë gra dhe fëmijë. Ato ishin masakra të vërteta. Sipas Human Rights Watch, në përgjithësi vrasjet kishin tri motive të qarta. E para ishte përshpejtimi i procesit “të spastrimit” nëpërmjet kërcënimit dhe ngjalljes së frikës. E dyta, ishte eliminimi i individëve që dyshoheshin se luftonin në radhët e UÇK-së apo ndihmonin atë, dy gjëra që shpeshherë ishte vështirë të dalloheshin nga njëra-tjetra. Ndër individët e vënë në shënjestër kishte udhëheqës të shquar politikë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe biznesmenë të pasur. E treta ishte kryerja e vrasjeve për hakmarrje: disa masakra u kryen pasi forcat serbe dhe jugosllave pësuan humbje nga ana e UÇK-së. Vrasjet nuk ishin rezultat i rastësishëm i dhunës së forcave qeveritare, përkundrazi, ato ishin planifikuar me kujdes dhe vinin në jetë operacionet, që i shërbenin qëllimit strategjik të qeverisë.

Një “raport i brendshëm”, i cilësuar “tepër sekret”, i hartuar nga shërbimet sekrete të “Ushtrisë Jugosllave”, në janar/shkurt të vitit 2000, jep një pamje të përmasave të krimeve të tmerrshme që kryen forcat ushtarake serbo-jugosllave gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë.

Siç del nga ky dokument, për shumë nga oficerët, propaganda që bën Beogradi është e pavërtetë dhe e pabesueshme. Komandanti i një njësie tankiste ka hedhur poshtë pretendimet e pavërteta serbe se fushata e Kosovës kishte për synim shtypjen e “separatistëve” shqiptarë, duke thënë: “Gjatë gjithë kohës sa kam qenë në Kosovë nuk kam parë asnjë ushtar armik dhe njësia ime nuk është përfshirë asnjëherë në luftime apo nuk ka hapur zjarr ndaj objektivave ushtarake. Tanket moderne janë dërguar kundër fshatrave të pambrojtura shqiptare. Tanket, që kushtojnë 2.5 milionë dollarë amerikanë secili, janë përdorur për të masakruar fëmijë shqiptarë”, ka thënë ky oficer, për të përfunduar se për gjithë këtë “më vjen turp!”.

Më 25 janar 2001, në një transmetim radiofonik të një dokumentari në Radion Publike Nacionale të Shteteve të Bashkuara, të titulluar “Fshehja e krimit”, tregohej se forcat serbe e jugosllave transportonin në mënyrë sistematike trupat e shqiptarëve të vrarë në kompleksin e minierave të Trepçës pranë Mitrovicës, ku shndërroheshin në hí. Sipas raportit që citonte luftëtarë serbë dhe “një zyrtar të informuar mirë të shërbimeve sekrete serbe”, në Trepçë ishin kremuar 1 200- 1 500 kufoma… Burra të dyshuar për lidhje me UÇK-në, vriteshin aty për aty. Një dyshim i tillë mund të bazohej ndonjëherë thjesht te fakti, që dikush kishte moshën e një luftëtari.

Për të argumentuar përfshirjen e strukturave më të larta shtetërore në veprimtaritë kriminale dhe si të tilla me përmasa gjenocidale, në vijim po i referohemi një raporti të Organizatës ”Human Rights Watch”. Në raportin e tetorit 2001, kjo organizatë hulumtuese (faktmbledhëse) për krimet në Kosovë, shkruan: „Ushtria jugosllave kishte komandën e përgjithshme gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Sipas ligjit, ajo kishte nën varësinë e saj policinë dhe forcat paraushtarake, megjithëse zyrtarët e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe ushtruan dukshëm një influencë të rëndësishme gjatë fushatës. Ushtria kontrollonte rrugët kryesore dhe kufijtë duke koordinuar dhe lehtësuar kështu “spastrimin etnik” (në Kosovë). Policia dhe forcat paraushtarake u përfshinë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në dëbimin e civilëve dhe shkatërrimin e fshatrave, për të cilën kishin mbështetjen e artilerisë së ushtrisë (serbe-vërejtja ime). Gjatë këtyre operacioneve burrat veçoheshin nga gratë dhe fëmijët për t’u marrë në pyetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ekzekutoheshin në vend.”

Ideologu e nacionalisti serb, Dobrica Qosiq, më 12 qershor 1999, në kujtimet e tij në librin “Kosovo”, Beograd, 2004, në mes tjerash tregon për takimin dhe bisedën që ka zhvilluar me patriarkun Pavle. “I kam thënë: “Lartmadhëria e Juaj, më thuani ju lutem, se çka ka ndodhur në Kosovë dhe Metohi”. A kanë bërë serbët vepra të këqija. Dhe ata kanë plaçkitur dhe vrarë në vendet ku janë zhvilluar luftërat me shqiptarët. Dhe i kanë rrënuar disa xhami, që kurrsesi nuk është dashur të ndodhë”. “Patriku ka heshtur dhe duke vështruar në kryqin e tij, me një zë që mezi dëgjohej ka thënë: Po edhe serbët kanë bërë vepra të këqia. Edhe ata kanë plaçkitur dhe kanë vrarë në vendet ku janë zhvilluar luftimet me shqiptarët dhe i kanë rrënuar disa xhami, që kurrsesi nuk është dashur të ndodhë..”.

Në një intervistë në “American Radioworks”, me të ashtuquajturin “Millosh”, pjesëtar i një njësie speciale të policisë sekrete, ky në mes tjerash deklaron përkitazi me grupet paramilitare: “…. Të gjitha këto grupe kishin zonat e tyre, ku kryenin operacione dhe ishin të lejuar të bënin çfarë të donin. Ata viheshin qëllimisht në vende të caktuara, e ndërkohë u thuhej të bënin atë që donin, me kusht që detyra të realizohej. Ishte detyra e tyre të vrisnin, të përdhunonin e të bënin atë që dëshironin….”.

Shumë shqiptarë të vrarë në Kosovë, trupat e pajetë të tyre janë zhvendosur jashtë Kosovës, me qëllim të zhdukjes së shenjave të krimit të kryer. Kjo është vërtetuar në hapjen e varrezave të shumta nëpër Serbi. Përveç kësaj, dyshohet se shumë kufoma të shqiptarëve janë djegur në furra të shkritoreve, siç flitet edhe në atë të Zveçanit. 

Vrasjet e fëmijëve

Nataliteti më i lartë te shqiptarët në Kosovë në krahasim me viset tjera të ish Jugosllavisë ishte temë e shkrimeve negative në propagandën zyrtare serbe. Thuhej se ai është pjesë e politikës së paramenduar që të shtohet popullsia shqiptare. Kjo i kishte nxitur shumë paramilitarë serbë që të bënin vrasje edhe në fëmijë. Por, me të gjitha normat ndërkombëtare në botë, si në paqe edhe në luftë fëmijët janë të mbrojtur. 

Mirëpo, nga pushteti serb fëmijët konsideroheshin armiq të ardhshëm të Serbisë, andaj edhe këta u vranë e u masakruan në forma të ndryshme. Ata masakroheshin dhe ekzekutoheshin nga forcat serbe po sikur të ishin të rritur. Ka shumë raste kur fëmijët janë vrarë në mënyra më mizore. Madje, janë masakruar edhe foshnjat e palindura, në bark të nënave, ose ata të porsalindurit. Në disa raste, qëllimi i vrasjeve të fëmijëve ishte edhe tmerrimi dhe traumatizimi i prindërve dhe të rriturve të tjerëve. Ata janë marrë dhe vrarë para prindërve ose prindërit janë vrarë para tyre. Kishte raste të shumta kur fëmijët merreshin pengë për përfitime materiale, ndërsa disa fëmijë femra ende të mitura janë dhunuar. Vrasjen e fëmijëve të shumtë e dëshmon numri i madh i fëmijëve të vrarë në regjistrin e personave të vrarë dhe të masakruar nëpër tërë Kosovën. Një dëshmitar serb në mes tjerash tregon: “Në tre muajt e ardhshëm kam parë tmerret – si janë vrarë fëmijët, civilët dhe meshkujt dhe femrat. Se si plaçkitej me të madhe, gjatë natës është bartur malli i vjedhur nëpërmjet kanaleve të caktuara etj. 

Vrasjet e fëmijëve, Forcat e armatosura serbe, edhe përkundër Konventës për të drejtat e fëmijëve (1998) dhe Deklaratës botërore për mbijetesën, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve (1990), në fund të shekullit XX në Kosovë, kundër popullit shqiptar, posaçërisht kundër fëmijëve kanë zbatuar kampanjë të koordinuar, afatgjatë, gjithëpërfshirëse dhe të fortë. 

Gjatë kohës së eskalimit të luftës në vitin 1998, e posaçërisht në periudhën pas fundit të muajit mars 1999, pësimet e fëmijëve ishin të shpeshta dhe mjaft të mëdha. Ndër aspektet më makabre të konflikteve, janë vrasjet me paramendim të fëmijëve shqiptarë, të cilët i vinin në shënjestër ushtarët serbë. 

Fëmijët e tjerë që nuk ishin vrarë, kanë përjetuar lëndime të rënda që ishin në kundërshtim me të drejtën humanitare, duke përfshirë edhe torturën dhe keqtrajtimet. Fëmijët shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së agresorit pushtetar serb në mënyrë sistematike dhe masovikisht e individualisht janë vrarë dhe plagosur. Duke u bazuar në numrin e madh të fëmijëve të vrarë, mund të konstatohet se ndaj fëmijëve shqiptarë të Kosovës janë bërë akte të planifikuara, të organizuara dhe sistematike me qëllim të asgjësimit të shqiptarëve, në aspektin nacional, etnik dhe fetar. 

Fëmijët shqiptarë jo vetëm që nuk ishin të kursyer nga dhuna shoviniste, por në të kundërtën, ata posaçërisht ishin në shenjestër. Ishin në shënjestër të forcave serbe me motivacion se ata ishin ”armiq të ardhshëm të Serbisë”. Kështu që, “armiqtë e ardhshëm të Serbisë” llogariteshin edhe foshnjat në djep dhe në gji të nënës. Një grua e përshkruan se si ka dëgjuar pjesëtarin e njësive paramilitare i cili ka thënë se duhet të vriten të gjithë fëmijët, sepse këta, nëse rriten, do të hakmerren.

Një “raport i brendshëm”, i cilësuar “tepër sekret”, i hartuar nga shërbimet sekrete të “Ushtrisë jugosllave”, në janar/shkurt të vitit 2000, jep një pamje të përmasave të krimeve të tmerrshme që kryen forcat ushtarake serbo-jugosllave gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë. Veçanërisht tronditëse ishin dëshmitë për vrasjen e fëmijëve. “Dëshmitë e përbashkëta të oficerëve në terren, tregojnë se njësitë e Ushtrisë jugosllave kanë qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 800 fëmijëve shqiptarë nën moshën 5 vjeç“. 

  Gazeta, DIE ZEIT e Hamburg-ut ka botuar një shkrim tronditës mbi shtazëritë e kriminelëve serbë në Kosovën e kësaj pranvere të përgjakur, ku në mes tjerash shkruan: “… Gjatë ngrënies Mirko ka rrëfyer për shokun e tij Josipin, për luftën në Kosovë dhe mbi atë se si kishte qëndruar aty pranë kur Josipi kishte vrarë fëmijën. Josipi dhe Mirko nuk e dinin se prej nga vinte fëmija, nuk e dinin si quhej, nuk e dinin se sa vjet kishte. Por, kjo aq u bënte, sepse e vetmja që i interesonte Josipit, ai e shihte me sy: ishte shqiptar. Ishte një “shiptar”. Andaj Josipi në orët e para të pasditës së 6 prillit 1999 mori një çekan dhe me shtatë goditje copëtoi kafkën e fëmijës. Ishte rreth tetë vjeçar. E tërë kjo nuk kishte zgjatur më shumë se dhjetë sekonda. Pastaj, thotë Mirko, “përbindëshi i vogël më në fund vdiq”. Mirko kishte parë se si shokun e tij, Josipin, e kishte shkundur neveria. Diç nga truri i djaloshit kishte përlyer uniformën. Josipi kishte marrë një leckë dhe ishte përpjekur ta fshijë masën me ngjyrë të përhime në të verdhë. Por, truri nuk po fshihej. “Mut i mallkuar”, kishte dëgjuar Mirko shokun e tij Josipin duke u çjerrë. Ky ia kishte dhënë një shqelm trupit të fëmijës së vdekur. Pastaj kishte marrë kufomën, e kishte futur në një valixhe, e kishte “stolisur” me gjashtë granata dore përreth dhe e kishte lidhur atë me një spagë me kyçin e valixhes…”.

Një oficer i quajtur Drazhen, i cili ka marrë pjesë në luftë në Kosovë, kujton: ”Kam parë me sytë e mi se si një rezervist rreshtoi para një muri rreth 30 gra dhe fëmijë shqiptarë. Mendova se ai donte vetëm t’i frikësonte ata, por pastaj shkoi pas një mitralozi të rëndë kundërajror dhe tërhoqi këmbëzën. Plumbat 12 milimetërsh i këputnin në mes trupat e tyre. Më dukej si një skenë e ndonjë filmi aksion, por në fakt ajo ndodhi me të vërtetë”. Drazheni përfundon: “Nuk e di se si do të jetoj me këto kujtime, se si mund t’i rris fëmijët e mi. Unë dëshiroj t’i shoh para gjykatës ata që kanë kryer këto krime.” 

Një epror i ushtrisë jugosllave, i quajtur Mirosllav Filipoviç, i cili kishte folur për gazetën “Danas”, në mes tjerash kishte deklaruar se ushtria jugosllave është përgjegjëse për vrasjen e së paku 800 fëmijëve shqiptarë. “Tanket serbe janë përdorur për të masakruar fëmijët shqiptarë…”. 

Në bazë të ekspertizave mjekësore është konstatuar se shumica e viktimave ishin ekzekutuar nga afër, ndërsa një numër jo i vogël janë masakruar edhe me armë të ndryshme të ftohta. Në mesin e trupave të shqiptarëve të gjetur në varrezat masive në Batajnicë, një numër i madh i trupave ishte i grave dhe fëmijëve. 

Një dëshmitar tjetër serb tregon edhe për vrasjen e fëmijëve në djep. “Në shtator të vitit 1998 kemi luftuar në fshatrat mbi Prizren, si në Lez, Lybiçevë, Hoçë e Qytetit, në të ashtuquajturën pastrim i terrenit. Nuk do ta përmendi emrin e policit, edhe sot është gjallë, është pensionist, në rrethana të qeta në djep e vrau fëmijën, i cili nuk ishte më i vjetër se katër muaj. Me thënien se “Më mirë shqiptar i vdekur, sesa shqiptar i gjallë”. Kam dashur që ta vrasë. E kuptova se nuk kam shkuar në Kosovë me grup të policëve, por me grupin të cilin nuk mund ta definoj, se ata nuk ishin as kriminelë. Isha me sadistët, të sëmurit, maltene më kanibalët, vetëm se nuk i kanë hëngër ata njerëz. Raste të tilla të vrasjeve të fëmijëve dhe të tjerëve ka pasur shumë në Kosovë.

Shumë fëmijë për shkak të kushteve të vështira gjatë qëndrimit ose lëvizjeve e dëbimit kanë vdekur nëpër male. Kanë vdekur edhe fëmijët e porsalindur. 

Gjatë luftës në Kosovë (1998- 1999), nga hulumtimet e bëra në terren dhe regjistrimin e viktimave të luftës është konstatuar se më shumë se 11% e viktimave të luftës janë fëmijët. Sipas të dhënave të grumbulluara për numrin e fëmijëve të vrarë dhe të pagjetur, por të rënë edhe dëshmorë në Kosovë në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999 janë gjithsej 1.396 fëmijë (1011 meshkuj dhe 385 femra) të moshës deri 18 vjeç. Ndërsa, të nacionalitetit serb kanë pësuar 14 fëmijë. Gjithsej 1300 fëmijë të vrarë dhe të pagjetur. Ndërsa, deri në moshën 5 -vjeçare kanë pësuar 299 fëmijë, duke mos llogaritur ata që kanë vdekur menjëherë pas lindjes dhe nuk ishin të pagëzuar, si dhe ata në bark të nënës së vrarë. Duhet përmendur se më 12 dhjetor të vitit 1998 nga shërbimi sekret serb, në kafenenë e quajtur “Panda” në Pejë janë vrarë 6 persona serbë, prej tyre 5 fëmijë, me qëllim që të akuzohen pjesëtarët e UÇK-së se kinse ata po bëjnë krime edhe ndaj fëmijëve.

Shumë fëmijë për shkak të kushteve të vështira gjatë qëndrimit ose lëvizjeve e dëbimit kanë vdekur nëpër male. Kanë vdekur edhe fëmijët e porsalindur. Statistikat e organizatave humanitare ndërkombëtare, që kanë vepruar në Kosovë, në fund të vitit 1999, kanë publikuar të dhënat e tyre se si pasojë e luftës 27.000 fëmijë kanë mbetur jetimë, 12.000 prej të cilëve pa asnjërin prind. Gjatë luftës në Kosovë (1998- 1999), nga organizatat e ndryshme humanitare është konstatuar se 20% e viktimave të luftës janë fëmijët dhe se 5% e viktimave të fëmijëve në Kosovë është më e lartë se ajo e të gjitha vendeve të pushtuara nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Numri i përmendur i fëmijëve të vrarë gjatë gjatë luftës në një vit e gjysmë, vendet dhe mënyrat e vrasjeve, qartë tregojnë që vrasjet nuk ishin të rastësishme, që fëmijët nuk ishin viktima kolaterale, por qëllim i sulmuesve. Vrasja e fëmijëve të pafajshëm e të paaftë për vetëmbrojtje, dëshmon për urrejtjen e sulmuesit. Kjo statistikë për dhunën ndaj fëmijëve është më tragjikja në historinë e re të Evropës.

Fëmijët janë vrarë në regjione të ndryshme të Kosovës dhe se janë vrarë në mënyra të ndryshme nga armët e zjarrit apo armë të ftohta dhe se trupat e tyre janë gjetur nëpër vende të ndryshme (në shtëpi, në rrugë, nëpër pyje, nëpër strehimore të improvizuara, në automjete transporti). 

Vrasjet e femrave shqiptare

Femra shqiptare që ngaherë ishte në shënjestër të propagandës shoviniste serbe. E njohur ishte thënia e Vasa Çubriloviçit për gruan shqiptare në vitin 1937, e cila me lindshmërinë e saj e mundi projektin serb për shpërngulje të shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës me elementin serb. Një propagandë e ashpër serbe kundër nënës shqiptare u zhvillua në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë të shek. XX. Pas vitit 1981 në shënjestër të propagandës nacionaliste serbe u gjet nataliteti i madh i shqiptarëve, që u manifestua përmes dhunës ndaj shqiptarëve që atëherë (policët godisnin femrat shqiptare, studentët në gjenitalet e me kërcënimin morbid: “më s’do të lindësh separatistë” (1981); pastaj serbët tentuan që “shkencëtarisht” ta vërtetonin këtë tezë morbide, se kinse, shqiptarët i shfrytëzojnë gratë për numër enorm lindjesh (gratë lavartiçe) për synimet e tyre separatiste pa vullnetin e tyre. Gruan shqiptare e paraqitnin si injorante që nuk di asgjë tjetër, pos të prodhojë fëmijë. Kjo i çoi serbët drejt verbërisë nacionaliste, për të arritur deri te shqyerja e barkut të nënave shqiptare (madje edhe shtatzënave dhe vrasja në fund e pjellës së tyre. Kjo urrejtje ndaj femrës shqiptare u reflektua edhe në vrasje të shumta në luftën e vitit 1998-1999. Vrasjet e femrave shqiptare ishin një atak vrastar, jo vetëm në jetën dhe në integritetin fizik të femrës shqiptare, por edhe në nderin dhe dinjitetin moral e shpirtëror të saj dhe jo vetëm të saj, por edhe të burrit e të fëmijëve të saj, të të afërmve dhe të të njohurve të saj. 

Gratë gjatë luftës ishin të rrezikuara në një formë tjetër nga meshkujt. Ato, përveç që në shumë raste janë vrarë, ato ishin dhunuar ose seksualisht keqtrajtuar. Në gjendje më të vështirë ishin gratë shtatzëna. Ato në shumë raste lindin në kushte të pazakonshme, në pyll, në stacion të trenit, duke pritur gjatë rrugës, në kalimet kufitare, etj. Kështu që shumë foshnje të porsalindura vdisnin. Në disa raste për shkak të urrejtjes së madhe, gratë shtatzëna goditeshin në bark, ose ushtarët i vritnin ose ua nxirrnin frytin. Gratë në luftë u bënë një grup potencial i madh i frikës, kërcënimit, urisë, sakrificës, vrasjeve, dhunimeve dhe spastrimit etnik. 

Sipas shënimeve me të cilat posedojmë në periudhën janar 1998 deri më 12 qershor 1999 në Kosovë janë vrarë apo zhdukur 1.776 femra, të moshave të ndryshme, duke përfshirë edhe 52 femra të kombësisë serbe që u vranë ose janë zhdukur. Disa prej atyre femrave shqiptare kanë rënë edhe dëshmor.

Vrasjet e të rinjve 

Në shënjestër të forcave serbe ishin vënë edhe të rinjtë shqiptarë. Vrasjet e tyre bëheshin në forma të ndryshme. Vriteshin vetëm se ishin meshkuj dhe të rinj dhe me mundësi potenciale të inkuadrohen në UÇK. Më të rrezikuarit ishin të rinjtë, të cilët pësonin më së shumti, duke ikur dhe ziheshin meqë vinin nga zonat, të cilat ishin çerdhe të UÇK-së. Kishte raste kur ndonjë i ri apo edhe i moshuar është vrarë se e kishte mbiemrin e njëjtë me luftëtarët e njohur të UÇK-së. Të rinjtë merreshin dhe ndaheshin nga konvojet, merreshin në fshat me rastin e rrethimit. Ata ose vriteshin menjëherë, madje edhe para familjeve, ose torturoheshin ose merreshin dhe për fatin e tyre nuk dihej më kurrë. 

Të rinjtë para se të vriteshin provokoheshin nga forcat serbe duke i detyruar të thoshin “Rroftë Serbia”, të ngrinin tre gishtërinjtë etj. Si motiv merrnin kinse në duart e tyre po u vjen era barut, sepse kanë luftuar në radhët e UÇK-së. 

Vrasjet e familjeve të tëra 

Ndër modalitetet e posaçme të gjenocidit të ushtruar është vrasja e anëtarëve të shumë familjeve dhe zhbërja e institucionit më të nderuar dhe më të mbrojtur të shqiptarëve. U bënë vrasje e masakrime të familjeve të tëra shqiptare. Të vrarë ishin me dhjetëra e dhjetëra banorë. Karakteristikë e këtyre dhe shumë rasteve të tjera si këto është fakti se vrasjet kanë qenë të qëllimta dhe janë kryer, pothuajse në të gjitha rastet, brenda shtëpisë. Shkak i sulmit ishte qenia e tyre shqiptare. Objekt i sulmit ishte familja shqiptare si bërthamë e entitetit shqiptar të Kosovës, kurse viktima të dhunës e të gjenocidit në të shumtën e rasteve ishin, fëmijët e të rinjtë, gratë dhe të moshuarit.

Këtu duhen përmendur familjet Jashari në Prekaz të Poshtëm, Deliu e Ahmetaj në Abri, Bogujevci nga Podujeva, Muçolli në Poklek, Hoti në Krushë të Madhe, Berisha në Suharekë, Krasniqi në Carallukë, Gashi nga Tërnja, Krasniqi në Pastasel, Morina në Astrazub, Gërxhaliu nga Studimja e Poshtme dhe shumë të tjera. 

Përkitazi me vrasjen e familjes së Selatin Gërxhaliut në Studime të Poshtme të komunës së Vushtrrisë, më datën 31 maj 1999 ku pothuajse të gjithë ishin fëmijë, një i afërm i tij, që kishte shkuar për ta thirrë policinë në Vushtrri dhe kishte ardhur të hetonte në vendngjarje kishte deklaruar: “Policët dhe gjykatësi hetues erdhën e bënë fotografi. Na thanë që do të na japin kopje të fotove, gjë që nuk ndodhi. Kur hyra brenda, gjykatësi hetues, një grua nga Mali i Zi, ia plasi të qarës. Njëri nga policët e pyeti, pse po qante. Gruaja tha: “Po fëmijët, çfarë kanë bërë?”. Njëri nga policët, Dragan Petroviç ia ktheu: “Kjo është luftë, shoqe”. Unë i thashë atij: “Lufta është burrat me burra, kështu që po ua mbajti shko në pyll dhe lufto me UÇK-në. Këta janë fëmijë që i kanë vrarë në gjumë”. Petroviçi pa nga unë, por nuk më foli. Pasi bënë fotografitë, thanë se do t’i varrosnin të vrarët, sepse do të sillnin njerëz nga Mitrovica. Ata shkuan në Vushtrri me veturë, por më pas u kthyen dhe na thanë neve që t’i varrosim të vrarët”. 

Vrasjet e pleqve dhe të invalidëve

Edhe pleqtë e shumtë dhe invalidët në Kosovë rënë viktima të luftës. Shumë prej tyre në pamundësi për të ikur ose duke e konsideruar vetën të moshuar, nuk u larguan nga shtëpia, me gjithë insistimin anëtarëve të familjes që së bashku të largohen. Ata që janë gjetur në shtëpi, armiku i ka vrarë ata në mënyrë më mizore duke i djegur, masakruar madje, edhe duke i hedhur në puse, siç është rasti në fshatin Dragaçinë të Suharekës, ku 11 pleq të fshatit i kanë hedhur në një pus. Shumë pleq në aspektin tradicional bartin plisat e bardhë, pikërisht ata ishin në shënjestër për shkak të plisit dhe pësonin duke u vrarë ose duke u keqtrajtuar në mënyrën më barbare. Ky sulm në ta konsiderohej si sulm në kulturën dhe në traditën shqiptare

Pleqtë dhe invalidët, duke mos pasur mundësi të lëviznin në mënyrë të pavarur, ata barteshin në forma të ndryshme nga të afërmit, si bartje në shpinë, në karroca të dorës dhe të tjera. Ka pasur raste kur pleqtë janë fshehur nëpër male me ndonjë të afërm dhe kanë qëndruar me muaj të tërë. 

Shumë pleq gjatë qëndrimit nëpër male dhe lëvizjes prej një vendi në vendin tjetër, për shkak të kushteve të vështira jetësore, vdisnin. Vdekje të tilla ka pasur edhe në kampin e Bllacës. 

Një dëshmitar serb në Gjykatën e Beogradit dëshmon për shumë vrasje. Përkitazi me vrasjen e një plaku thekson: “Më kujtohet edhe një vrasje që Luçica e ka kryer në fshatin Pagarushë, jo larg Rahovecit. Pas marrjes së fshatit, një grup i policëve, në mesin e të cilëve isha edhe unë, shkaku i shiut u strehuam në një shitore buzë rrugës në qendër të fshatit. Papritur u paraqit një njeri me shkop në dorë dhe me plis në kokë. Ishte shqiptar në moshë mbi 80 -vjeçare, shkonte qetë, me kokë të ulur. Kur kaloi afër shitores, Luçica e ngriti pushkën dhe e mori në shenjë, ne të gjithë e shikonim me habi, duke mos besuar që ai do të shtijë në plakun e paarmatosur. Por, ai e vrau me gjakftohtësi, duke shtirë në të nga një afërsi e vogël…”.

Në luftë pësuan edhe shumë të moshuar dhe invalidë. Në bazë të të dhënave që kemi arritur t’i grumbullojmë në Kosovë janë vrarë apo zhdukur 1.843 persona mbi moshën 65 -vjeçare, që mund të konsiderohen pleq. Disa persona të moshuar kanë rënë si dëshmorë në altarin e lirisë.

Vrasjet në burgje 

Në burgjet e Serbisë, por edhe në Kosovë para dhe gjatë luftës mbaheshin me mijëra shqiptarë të arrestuar në mënyra të ndryshme, nën akuzat “bashkim për veprimtari armiqësore” dhe “terrorizëm”. Disa prej tyre janë vrarë në burgje që para lufte. Mirëpo, gjatë luftës u bë vrasja masive e të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, më 22-24 maj 1999. Duhet theksuar se gjatë luftës më se 2.000 shqiptarë ishin marrë peng dhe burgosur në burgjet e ndryshme të Serbisë, disa prej të cilëve më vonë janë liruar. 

Vrasjet e intelektualëve e
veprimtarëve politikë e humanitarë 

Individët apo grupet, të cilat në një farë mënyre kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën publike të shqiptarëve të Kosovës, në masë të madhe ishin keqtrajtuar, burgosur, bastisur, madje edhe vrarë. Të rrezikuar ishin grupe të ndryshme: politikanët dhe individët e tjerë të shquar, liderët fetarë, mjekët, gazetarët, profesorët, studentët, veprimtarët e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ata që punonin në organizatat e huaja joqeveritare që deri më atëherë vepronin në Kosovë, si dhe personat e pasur. Ata konsideroheshin “armiq” ose elementë subverzivë. Andaj, në Kosovë, objekt i dhunës dhe i terrorit serb u bënë edhe intelektualët e veprimtarët politikë e humanitarë.

Vrasjet e inskenuara dhe mburoja njerëzore 

Mbrojtja e civilëve dhe joluftëtarëve në konfliktet e armatosura shtrihet edhe në ndalimin e shfrytëzimit të atyre personave me qëllim që të ndikojnë në rrjedhën e operacioneve të luftës. Ky parim sidomos është definuar në të drejtën humanitare ndërkombëtare, e cila rregullon konfliktin e armatosur ndërkombëtar, ku ndalon shfrytëzimin e popullatës civile ose të individëve që në ndonjë vend ose territor për „mbrojtje të operacioneve ushtarake”. Palëve në konflikt gjithashtu u ndalohet që të largojnë individët ose grupet me qëllim që të fshehin qëllimet ushtarake nga sulmet. 

Ky ndalim i shfrytëzimit të „mburojës njerëzore” është e lidhur ngushtë me dy parimet e tjera të përbashkëta me konfliktet e armatosura ndërkombëtare dhe të brendshme. Njëri ndalon marrjen e pengjeve, tjetri ndalon shkaktimin e dëmit „atyre që nuk janë të ndërlidhur drejtpërdrejt në veprimet armiqësore”. Shfrytëzimi i këtyre “mburojave njerëzore” është e ndaluar me nenin 28 të Konventës së Gjenevës, në të thuhet: “Pjesëmarrja e personit për mbrojtje nuk guxon të shfrytëzohet që pikat ose trevat e caktuara të mbrohen nga operacionet ushtarake”. 

Mirëpo, forcat ushtarake e policore serbe vepruan në të kundërtën. Civilët dhe të burgosurit shqiptarë në Kosovë janë shfrytëzuar që të mbrojnë forcat e armatosura nga sulmet e NATO-s.

Mburojat njerëzore nuk janë shfrytëzuar vetëm për mbrojtje kundër sulmeve të NATO-s. Ato shfrytëzoheshin për fitim të epërsisë në terren gjatë kohës së operacioneve ushtarake. Civilët dhe të burgosurit viheshin para ushtarëve serbë në sulm kundër njësive të UÇK-së dhe shërbenin si mburojë. Ata deklaronin se nëse një ushtar serb vritet, ata që ishin si mburojë do të vriteshin të gjithë. Në shumë raste njësitë ushtarake i detyronin civilët të shkonin para me qëllim që ato lokalitete mund të ishin të minuara. Kishte raste kur popullata nuk lejohej të largohej nga fshati, ku qëndronin njësitë ushtarake serbe me qëllim të mbrojtjes nga sulmet e anës kundërshtare. Popullata që qëndronte aty ishte e detyruar që të kryente punë të ndryshme për njësitë ushtarake. Ka edhe raste të tjera, sidomos të burgosurit shqiptarë shfrytëzoheshin për kryerjen e punëve të rrezikshme në dobi të forcave të armatosura serbe. 

Të dy strategjitë janë paramenduar me qëllim të krijimit të mbrojtjes njerëzore të forcave serbe ndaj sulmeve të NATO-s dhe të UÇK-së. Raste të tilla të mburojës njerëzore dhe të pësimit të civilëve apo të zënëve peng në Kosovë ka shumë, siç ishin rastet në Korishë të Prizrenit e në Lluzhan të Podujevës, në Bishtazhin të Gjakovës, etj.

Vdekjet nga pasojat e luftës 

Gjatë asaj kohe në Kosovë pati edhe vdekje të shumta si pasojë e luftës. Shumë banorë ishin detyruar t’i lëshojnë shtëpitë dhe banesat e tyre dhe të strehohen nëpër male, të vendosur nëpër tenda ose në qiellin e hapur që ishin rrezik i përhershëm, jo vetëm nga granatimet serbe, por edhe nga të ftohtit, uria, etja, mungesa e barnave etj. Disa kalonin edhe kilometra të shumta prej një vendi në tjetrin për strehim. Si pasojë e të gjitha këtyre shumë veta kanë vdekur, sidomos fëmijë, pleq, të sëmurë, të hendikepuar dhe të tjerë. 

Pësimet nga minat 

Armët dhe armatosja, përdorimi i të cilave është i përkufizuar ose posaçërisht janë të sanksionuara me të drejtën humanitare janë: armët dhe armatosja biologjike, kimike, ato për djegie, laserike, minat etj. Këto të fundit janë vendosur në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës. Minat ishin vrasësit e padukshëm. 

Gjatë gjithë vitit 1998 e gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1999, forcat serbe e jugosllave vendosën në Kosovë afro 50.000 mina antitank dhe antipersonel, sidomos gjatë kufirit me Maqedoninë e Shqipërinë. Minat paraqesin mjetet më vdekjeprurëse të luftës në Kosovë. Sipas të dhënave të “Kosova Live”, të datës 20 nëntor 2000, në Kosovë janë të vrarë 103 persona dhe 394 të gjymtuar nga minat. Pak a shumë e njëjta gjë thuhet edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në korrik 2000, ku nënvizohej se nga 12 qershor 1999 deri në korrik 2000, si pasojë e minave dhe predhave të paplasura, u vranë 101 vetë e u plagosën 395 të tjerë. Minat ishin vendosur edhe nëpër shkolla. Sipas një raporti të një Agjencie Amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar, më shumë se 900 shkolla kishin nevojë të pastroheshin nga minat. 

Kështu, përveç formës së vrasjes, njësitë ushtarake minuan një pjesë të madhe të tokës së Kosovës, kryesisht në pjesët kufitare të Kosovës me Maqedoninë dhe me Shqipërinë, dhe si pasojë e kësaj shumë persona, kryesisht fëmijë gjatë dhe pas luftës e humbën jetën ose pjesë të trupit. Të dëbuarit gjatë tërheqjes nuk guxonin të largoheshin jashtë rrugës së trasuar. Nëse vepronin ndryshe, pësonin. Duhet përmendur rasti i minimit të tërë territorit të fshatit Milaj në Hasin e Prizrenit. 

Të dëbuarit gjatë tërheqjes nuk guxonin të largoheshin jashtë rrugës së trasuar. Nëse vepronin ndryshe, pësonin. Përkitazi me këtë duhet përmendur rasti i familjes Berisha nga Bardhi i Madh, e cila më 15 prill 1999 në pjesën kufitare me Shqipërinë, vetëm se e lëshoi dy-tri metra trasenë e rrugës për të kaluar më shpejt në kufi, nga minimi i asaj pjese u vranë 5 anëtarë, kryesisht fëmijë. 

Qendra MACC pranë KB (Mine Action Coordination Center), e cila pas luftës është formuar në Kosovë, ka raportuar se deri nga mesi i muajit korrik 2000 nga minat dhe mjetet e tjera të paeksploduara janë pastruar 1,1 milionë metra katrorë të tokës. Raporti i Sekretarit gjeneral gjithashtu thekson se ekipet të cilat i ka koordinuar MASS kanë demontuar 3.405 mina kundër këmbësorisë dhe 3.768 mina kundër tankeve, 3.066 kasetë bomba. Përveç kësaj, KFOR–i në periudhën e njëjtë ka pastruar 16.000 shtëpi, 1.165 shkolla dhe më shumë se 2.000 kilometra rrugë. 

Edhe pas mbarimit të luftës, nga minat e vendosura, pësonin sidomos fëmijët duke lozur apo duke ruajtur bagëtinë. Rreziku më i madh ishte në prag të pranverës dhe gjatë verës, pra, në kohën e përmirësimit të motit kur njerëzit janë më të angazhuar në punët e tjera, me çka shtohet edhe rreziku nga pësimi prej minave, bombave dhe mjeteve të tjera shpërthyese të paeksploduara. Karakteristikë tjetër është se një pjesë e konsiderueshme e viktimave ishin të miturit (shumica nën moshën 14 -vjeçare). Ata përbënin 50% të të vrarëve nga minat dhe 58% të të plagosurve.

Ndotja e ujit si formë e vrasjes

Një prej formave të krimeve, përkatësisht formë e hapur e vrasjes së civilëve, gjatë vitit 1998 dhe 1999 në Kosovë ishte praktika e përhapur e ndotjes së puseve të ujit, e cila është e ndaluar nga ligjet e luftës. Protokolli II, Neni 14 i Konventës së Gjenevës thotë: “Është e ndaluar të sulmosh, shkatërrosh, zhvendosësh ose të nxjerrësh jashtë përdorimit, për atë qëllim, objekte të domosdoshme për mbijetesën e popullsisë civile, të tilla, si produktet ushqimore, zonat bujqësore për prodhimin e artikujve ushqimorë, drithërave, gjësë së gjallë, instalimeve të ujit të pijshëm, si dhe të strukturave ujitëse.” 

Në disa pjesë të Kosovës, forcat serbe e jugosllave i bënin qellimisht të papërdorshme burimet e ujit – puset, duke vendosur kemikale, kafshë të ngordhura, madje edhe kufoma njerëzish në ujë. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), i cili drejtoi një operacion për higjienizimin e ujit në Kosovë, “besohet se më nga 20 mijë puse të Kosovës, me shumë se gjysma u ndotën me kufoma kafshësh apo njerëzish, me plehra, ose thjesht u shndërruan në ujë i ndotur për mospërdorim. Nga janari – në shtator 1999, ICRC pastroi më shumë se 1.700 puse.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve

Për të konstatuar numrin e të vrarëve dhe personave të pagjetur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 së pari është dashur të caktohen disa kritere. Së pari periudha kohore që personat janë vrarë apo janë zhdukur. Gjatë periudhës kohore janar 1998 deri më 12 qershor 1999 kur forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë. 

Për çdo viktimë është shënuar emri, emri i prindit dhe mbiemri, vendi i lindjes (emri i vendbanimit dhe komuna), data e lindjes ose mosha, vendi i lindjes, gjinia (meshkull ose femër), data kur është vrarë ose data kur është parë për herë të fundit (për të zhdukurit) dhe vendi ku ka pësuar.

Viktimat në Kosovë gjatë luftës, janar 1998 – 12 qershor 1999

(Numri i viktimave sipas komunave)

A picture containing text, screenshot, diagram, line

Description automatically generated

Nga rezultatet e hulumtimit për periudhën janar 1998 deri më 12 qershor janë regjistruar këto të dhëna për çdo viktimë me shënimet e theksuara më lart: Gjithsej të vrarë dhe të pagjetur – shqiptarë dhe ndonjë tjetër i nacionalitetit turk, boshnjak e romë: 11.507 persona (9.793 meshkuj dhe 1.714 femra). Prej tyre të vrarë 8.162 persona (6.667 meshkuj dhe 1.495 femra); të pagjetur gjithsej 1.137 persona (954 meshkuj, 183 femra); dëshmorë: gjithsej 2.208 (2.172 meshkuj dhe 36 femra). Ndërsa, të vrarë dhe të pagjetur të nacionalitetit serb dhe malazezë, në periudhën janar-12 qershor 1999, të bazuar në të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe disa të dhënave të marra nga faqja e internetit, në Kosovë, përkatësisht banorë të Kosovës janë vrarë apo janë zhdukur 595 persona (543 meshkuj dhe 52 femra), prej tyre janë vrarë 192 persona (161 meshkuj dhe 31 femra), të pagjetur janë gjithsej 116 persona (96 meshkuj dhe 21 femra), ndërsa të angazhuar në forcat e armatosura janë 287 persona. 

Gjithsej, sipas hulumtimeve kam arritur që t’i regjistroj këto viktima në luftën në Kosovë në vitet 1998 – 1999: gjithsej të vrarë e të pagjetur të të gjitha nacionaliteteve: 12.102 persona (10.366 meshkuj dhe 1.766 femra). Nga këta të vrarë: 8.354 persona (6.828 meshkuj dhe 1.526 femra); të pagjetur: 1.253 persona (1.049 meshkuj dhe 204 femra); Të rënit në uniformë janë gjithsej 2.495 persona (2.459 meshkuj dhe 204 femra).

Përveç këtyre mënyrave të vrasjeve të popullatës shqiptare në luftën e agresorit serb në vitet 1998-1999, janë bërë dhunime ndaj femrave shqiptare, është bërë dëbimi masiv nga vendlindja e popullatës shqiptare, u shkatërruan shumë objekte banimi dhe ndihmëse, shkolla, xhami dhe shumë objekte të tjera ekonomike dhe infrastrukturore. Shumë persona ende janë të zhdukur dhe shumë forma të tjera të gjenocidit dhe krimit, por nuk janë objekt trajtimi në këtë temë, andaj nuk do të ndalemi në shqyrtimin e këtyre temave.

Filed Under: Politike

Shpirti estetik i kombit si edukim nga De Rada te Konica

January 30, 2025 by s p

Ndriçim Kulla/

“Nisje dhe themel për çdo dituri është gjuha, e cila, në të njëjtën kohë, mban të gjallë edhe kombësinë e shtrenjtë të popujve. Shtetet shkatërrohen e zhduken; trojet e lashta të disa fiseve zihen nga fise të tjera që vijnë më vonë. E vetmja që e shquan dhe e bën të njihet një popull kudo ku mund ta kenë hedhur dallgët e jetës është gjuha”. Kështu shkruan De Rada në një nga veprat e tij më të arrira “Parime të Estetikës”, ku ai bart idetë dhe shqetësimet e tij më autentike, iluzionet dhe thellimet më teoriko-estetike e filozofike.

“Çdo gjuhë mund të quhet edhe shpirti i ndjeshëm i popullit që e flet. Vetëm gjuha njerëzore pasqyron plotësisht gjendjen e brendshme të shpirtit, sepse fjalët, pa humbur kuptimin e përcaktuar, shprehin fizionominë e thellësinë e shpirtit”. Me këto fjalë, De Rada shkruan jo vetëm testamentin e tij estetik duke iu drejtuar arbëreshëve, por duke pasur parasysh edhe lexuesin italian dhe evropian, me sytë e kthyer gjithnjë drejt atdheut të vet të humbur, përtej Adriatikut. Tërë kozmopolitizmin dhe mediteranizmin antik do ta derdhë në librin “Parime të estetikës”, vepër që është mbështetur në përvojat më të qëndrueshme dhe më të njohura të estetikës, artit dhe letërsisë botërore. Vlerë të veçantë, të dorës së parë, kjo vepër me karakter teoriko-estetik ka edhe për funksionin dhe misionin e theksuar pragmatik, të kërkojë zgjidhje të çështjeve themelore nga jeta e arbëreshëve, veçmas në drejtim të identitetit, të gjuhës dhe lashtësisë, të dëshmojë përkatësinë arbëreshe brenda familjes së madhe evropiane, afërsinë e saj me kulturën dhe lashtësinë antike europiane.

Nuk ka dyshim se Jeronim de Rada në këtë vepër, bashkëvendësve dhe bashkëkombësve u përcjell porosi të përhershme, pra të përjetshme, të tillë çfarë është edhe vepra e tij, porosi për origjinën, për rrënjët e etnisë dhe të kaluarën e lavdishme, për atdheun e të parëve, për gjuhën, gjuhën sidomos që ka bartur dhe ruajtur shpirtin arbëresh gjatë shekujve, veçmas përmes poemës për Skënderbeun. Dhe, siç thotë vetë Jeronim De Rada, të gjitha ato që e përbëjnë, që janë qenia, etnia, t’i kenë të shenjta. Kapitulli i tretë i kësaj vepre, e pjesërisht edhe ai i fundit, si shtyllë parësore kanë këtë mision. Ajo që duhet veçuar nga ky kapitull është analiza që i bën De Rada ndjenjës së patriotizmit, si një ndër veçoritë madhore të njeriut që e çmon edhe si manifest të bukurisë, të përsosmërisë. Porosia që rrezaton nga kjo pjesë e estetikës është objektivi dhe ëndrra që shtrihet në krejt rrugën krijuese dhe jetësore të de Radës. I shqetësuar që të mos e lërë në harresë tek bashkëkombësit e vet origjinën dhe rrënjët e të parëve, për ta bërë të përjetshme, për ta ngritur në këtë lartësi ideale ndërgjegjen kombëtare në botën shqiptare arbëreshe.

Rrezatimi i këtij misioni përmes teksteve që ai shkruan ndryshon vetëm gjuhën dhe diskursin. Tek parimet estetike, porosia vjen si një komunikim saktësisht i qartë përmes tekstit diskursiv, të cilin de Rada e shkarkon nga kornizat e rrepta të parimeve, të kodeve. Prandaj shumë kapituj dhe nënkapituj, por edhe pasuse të kësaj vepre, herë thuren me gjuhën e esesë, herë me ligjërimin bisedimor të llojit “unë mendoj se të bukurit” ose “unë jam i bindur se dashuria për atdheun”, ose “unë them se e madhërishmja etj.”, me çfarë Jeronim de Rada dëshmon se dijen nga kjo sferë e ka përvojë, e ka formim jetësor, e ka bindje të brendshme, e ka perceptim të vetin jetësor dhe kulturor. Diskursi personalizues përballë disa parimeve estetike, përballë disa kategorive si e madhërishmja, e bukura, dashuria, heroikja apo trimëria, rrezaton një shpirt dhe mendje të madhe kreative, që le gjurmë të vetën kudo. Parimet e estetikës nuk është tekst që vjen vetëm nga një ekspert, nga një specialist i një fushe për shërbime praktike shkollore, por vjen nga një dije, nga një perspektivë krijuese që merr dhe jep njëkohësisht.

Nga kjo lartësi e mendimtarit dhe misionarit, Rada do të vërë në lidhje dashurinë, të madhërishmen, bukurinë, si kategori të dijes së estetikës dhe filozofisë, me dashurinë për atdheun, për motin e madh, për gjuhën në hapësirën shqiptare arbëreshe, dashuri që do të rrezatojë dhe shtrihet mbi tërë hapësirën shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Dhe, në këtë mënyrë “ai i ngre kategoritë atdhe e gjuhë në dhunti njerëzore dhe në parime të shenjtë.” Në kapituj të tërë të kësaj pjese të estetikës duket sikur kategoritë e kësaj fushe si e bukura, e madhërishmja, trimëria, heroizmi, mirësia janë dhurata qiellore, thuajse të shenjta për autorin, që është paracaktuar t’i identifikojë me dashurinë arbëreshe për origjinën, e sidomos me rrënjët antike të shqiptarëve; t’i identifikojë me dashurinë e ngritur në adhurim shenjtëror për atdheun e të parëve, e veçmas me gjuhën dhe historinë, me figurën e Skënderbeut dhe bëmat heroike të tij, t’i identifikojë ato kategori estetike me ciklin epik, monument madhor i gjeniut shqiptar arbëresh, i ruajtur në kujtesën arbëreshe katër shekuj me radhë, t’i barazojë ato me tërë atë që është shpirti dhe urtia arbëreshe: fillimi e themeli i çdo diturie është gjuha që popujve u mban gjallë kombësinë e tyre të shtrenjtë.

Jeronim de Rada beson që gjuha shqipe, pra gjuha e bashkëkombësve të vet, është në sërën e gjuhëve më të zhvilluara të Europës, mbase superiore edhe përballë asaj italiane, greke, e mbase edhe asaj latine: për rrënjët e veta antike, thotë De Rada, por edhe për thjeshtësinë e saj me të cilën është e zonja të shprehë nuancat më bujare. Entuziazmi dhe bindja për këtë mundësi të veçantë shprehjeje vinte edhe nga besimi i de Radës se rrënjët antike të shqipes datojnë që nga pellazgo-ilirët dhe de Rada njësoj si edhe Skënderbeu i paracaktuar në fushën e betejave për çlirimin e atdheut, edhe ai qe i ardhur për ta vazhduar luftën e madhe pas humbjes së madhe që beson se e tillë e madhe ajo është humbje edhe për Europën. Dhe krejt çfarë thuhet në veprën “Parime të estetikës”, në të vërtetë është një thirrje për njohjen, për ruajtjen dhe për mostretjen e gjuhës shqipe dhe shpirtit shqiptar dhe arbëresh.

Për ta përballur këtë tezë apo vizion testamentar me idetë e një tjetër korifeu të gjuhës shqipe, Faik Konicës, disa dekada më vonë, do të duhej të trajtonim edhe çështjen e shumëdebatuar të identitetit shqiptar. “Problemi i identitetit individual ose kolektiv është mjaft kompleks, delikat dhe shumë domethënës. Në botën e sotme nuk ekziston identitet kombëtar që nuk i është nënshtruar një kontinuiteti evolutiv. Identiteti i shqiptarëve nuk bën përjashtim në këtë proces dialektik. Duke marrë parasysh se bota e brendshme e njeriut reflektohet në mënyrë eksplicite edhe në kujtesën kolektive, se identiteti, në fund të fundit, mund të konsiderohet edhe si proces i vazhdueshëm në krijimin e konceptimit të ideve asociative, që në mentalitetin tonë i pranojnë vlerat e se kaluarës, ndaj, jo rastësisht, vjen e bëhet bashkë lidhja e identitetit të menduar nga ana e dy korifenjve të lartpërmendur të letrave shqipe”. Së pari, ata nuk e konsideronin përkatësinë etnike si një lloj fitore, kërkim të fitoreve, apo si rezultat i humbjes. Nëse ekziston ndonjë triumf në jetën e tyre, ai është triumfi i humbjes. Gjithë jetën e kalojnë nëpër paradokset e ekzilit absolut larg vendit të tyre, në kërkimin të rrugës së kthimit, secili prej tyre krijon fragmentet e identitetit letrar. Shumë përgjigje aktualizohen sot, kur ne shqiptarët akoma gjendemi para miteve të së shkuarës dhe aspiratave të botës së sotme të globalizimit dhe integrimeve, duke kërkuar shpëtimin në mitizime të reja, me animin nga Evropa ose nga Lindja. Jeronim de Rada dhe Faik Konica i kanë sistemuar dhe konceptuar përgjigjet e tyre që në shekujt XIX dhe XX . As De Rada, as Konica s’kanë qenë peng, të kufijve dhe territoreve shqiptare, por veprimtaria e tyre e imponon filozofinë e mërgimit. Edhe veprat dhe veprimet e tyre s’kanë qenë të ngarkuara prej horizontit të kufijve.

Jeronim de Rada s’ka qenë kurrë në Shqipëri, kurse Faik Konica, prej 65 viteve të jetës, 60 i kaloi jashtë vendit të lindjes. Të dy e kultivojnë mitin e kthimit: Jeronim de Rada besonte se kthimi mund të ndodhte vetëm nëse mbrohej identiteti i arbëreshëve në tokën e huaj, si antitezë e heshtjes dhe diskontinuitetit të kulturës, gjuhës, letërsisë shqiptare të shekujve të humbur. Edhe Faik Konica, me instrumente gati të ngjashme me ato të De Radës, e kultivoi mitin e kthimit.

Në kohën tonë aktualizohen tezat për karakterin evropian të identitetit të shqiptarëve, por sikur harrohet se procesi i evropianizimit nuk është gjë e re te shqiptarët, sepse ai i ka pasur për protagonistë autorë si Jeronim de Rada, Faik Konica dhe Rilindësit tjerë. Në këtë drejtim, njësoj si rilindësit tjerë: Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri…, për të dëshmuar lashtësinë e popullit shqiptar dhe gjenezën evropiane të tij dhe të gjuhës shqipe, e shtjellojnë tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve, të proklamuar nga arbëreshët qysh në shekullin XVII. De Rada dhe Konica do ta kultivojnë, secili në kohë dhe rrethana të caktuara, edhe mitin e kthimit të gjuhës shqipe. Për të dy kolosët, çështja e gjuhës, me të gjitha amplitudat e mundshme do të mbetet çështje obsesive, rreth së cilës do të shtjellohen angazhimet tjera letrare ose shkencore.

Gjeneza e formimit të mitit të gjuhës shqipe, gjer atëherë të ndaluar nëpër shkolla, ishte e para që duhej ringjallur. Duke qenë të dy me kulturë të thellë evropiane, secili sipas kushteve dhe rrethanave të caktuara, do ta kenë të qartë se misioni i kthimit mund të realizohet. De Radës së pajisur me kulturë italiane i shkoi për dore të ofrojë një model të kodifikimit të arbërishtes, që mund të konsiderohej edhe si kodifikim i parë i shqipes. Këtë e arriti me veprat e tij monumentale “Këngët e Milosaos” dhe “Skanderbeu i pafanë”, në një kohë kur shqipja ishte larg mundësisë së kodifikimit, për shkak të kufizimeve të hegjemonisë osmanturke. Faik Konica që braktisi studimet në liceun Galatasaraj të Stambollit (edhe pse në gjuhën frënge), duke dashur të distancohet prej modeleve osmano-turke të mendimit, vazhdoi shkollimin dhe aktivitetet e veta në Francë. Poligraf dhe poliglot, si shumë Rilindës të tjerë, ai e filloi në Evropë ,betejën e madhe të ideve për t’i njohur dhe kuptuar shqiptarët, për ta universalizuar kauzën e tyre. “Ky mision qe gati i pamundshëm për ato kohëra, njësoj si misioni i Jeronim de Radës, me të cilin ata e filluan dhe e mbaruan jetën e tyre. Alibi e këtij flijimi ishte një lloj estetizmi evropian, karakteristik për të dy rilindësit, secili pjesë e një dikotomie të mundshme në kërkim të identitetit të shqiptarëve pas ndarjeve historike, sidomos pas invazionit të Perandorisë osmane”.

Së këndejmi, “mund të thuhet se veprat e tyre, letrare, shkencore e politike të Jeronim de Radës dhe Faik Konicës, janë në kërkim të identitetit kompleks të shqiptarëve, duke u nisur prej labirintit dhe enigmës gjuhësore. Ndryshe nga Faik Konica, De Rada ndjek rrugën dhe qëndrimin e vet ndaj estetizmit evropian. Dilemat e tij nuk janë si ato të dualitetit konician”. Faik Konica një pjesë të identitetit të vet burimor do t’ia sakrifikojë identitetit evropian, do ta fshehë identitetin e parë, jo vetëm me pseudonimet me te cilët i nënshkruante veprat e tij të shkruara për lexuesit evropianë me pseudonimet Phyruss Bardhyli apo Trank Spiroberg…, por edhe me miqësitë kozmopolite, me frekuentimin në qarqet avangarde të Parisit dhe sidomos me miqësinë dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me Gijom Apolinerin.

Është gati rast pa precedent në historinë e letrave që një shkrimtar ta fshehë me aq mjeshtri identitetin e parë me identitetin e dytë, jo me qëllim të eliminimit, por për ta theksuar identitetin e parë. Ky është identiteti i gjuhës shqipe, fondamenti i identitetit të përgjithshëm shqiptar. Në fillim të shekullit të kaluar, kur në Evropë promovohej një lloj mondializmi, prej autoriteteve të linguistikës së asaj kohe nisi të promovohet nevoja për dominimin e një gjuhe artificiale, si: esperantoja, golapuku… Faik Konica, asokohe drejtor i revistës “Albania”, me mish e me shpirt, gati me penë të gjakosur, u inkuadrua në polemikë me autoritetet e mëdha të kohës dhe u pozicionua kundër zgjedhjes se esperantos, duke mbrojtur kësisoj gjuhët natyrore me histori mijëravjeçare, gjithnjë duke pasur në mendje shqipen, për fatin e së cilës luftonte edhe me “Albanian” e tij. Kësisoj, ai ia doli t’i bëjë për vete tezat e shkrimtarëve të njohur të asaj kohe: Remi de Gurmonit, Gijom Apolinerit dhe të disa kolosëve të tjerë. 20 vite pas polemikës melinguistët e njohur evropianë dhe pas botimit të esesë “Sprovë për gjuhët natyrore dhe gjuhët artificial”, Faik Konica, në gazetën Dielli (18 nëntor 1922), që botohej në Amerikë dhe të cilën e redaktonte vetë, “do ta zbulojë sekretin e rinisë militante, do ta çlirojë personalitetin prej pjesës evropiane, duke shkruar: “Shqipja është një gjuh’ e gjallë; s’munt ta përdorim si esperanton ose volapukun, duke e shtrembëruar me ukaze arbitrare… Një gjuhë është si një barishte: do sherbime delikate, që të mos thahet, po të rritet e të japë lule…’’

Është me interes të shënohet në një kontekst evropian, se edhe teza të cilën e mbron Konica gjatë polemikës në Esenë (me te cilën pajtohej edhe Apolineri, duke synuar t’ua japë goditjen e fundit dijetarëve të esperantos), është aktualizuar në kohën tonë në librin e Umberto Ekos, “Gjuhët e përkryera”. Eko vjen po në ato përfundime të Konicës, duke u dhënë përparësi gjuhëve natyrore.Edhe Jeronim de Rada edhe Faik Konica, pa pretendime që të shkruajnë vepra për lavdinë e tyre letrare, si rallë kush në histori, i shërbejnë kauzës së njohjes, konfirmimit dhe kërkimit të rrënjëve të gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe. Nisma, qëllimi kryesor dhe euro-albanizmi i tyre do të jetë gjuha shqipe, gjurmimi i gjenezës së saj, mbledhja e trashëgimisë folklorike, vendosja e alfabetit, norma kyçe e kodifikimit. Vizioni i De Radës dhe misioni i Konicës, edhe pse të shkruara në një hark kohor prej 41 vitesh, plotësojnë njëra-tjetrën me çështjet identitare, gjuhësore dhe letrare shqiptare. Ata duken se janë dy anë të një medalje, që përplotësojnë njëri-tjetrin, një medalje që sot duhet ta pastrojmë, lustrojmë e shkëlqejnë të gjithë ata që duan shpirtin e kombit, gjuhën e tij.

Filed Under: Politike

Përpjekjet e SHBA-së dhe John Ratcliffe në Ballkan dhe Kosovë

January 29, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

John Ratcliffe dhe ndikimi i tij në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor gjatë administratës Trump

John Ratcliffe, gjatë mandatit të tij si Drejtor i Zbulimit Kombëtar (DNI) në administratën e Donald Trump (maj 2020 – janar 2021), luajti një rol kyç në formësimin e politikave të sigurisë dhe mbështetjes strategjike të SHBA-së në rajone me interes strategjik, si Ballkani Perëndimor dhe Republika e Kosovës. Duke udhëhequr një rrjet të gjerë agjencish inteligjente, përfshirë CIA-n dhe NSA-n, Ratcliffe ofroi informacion dhe analiza të thelluara që ndikuan drejtpërdrejt në vendimmarrjen e politikës së jashtme të administratës Trump.

Mbështetja për sovranitetin e Kosovës dhe njohjet ndërkombëtare

Një nga prioritetet e administratës Trump në Ballkan ishte mbështetja për sovranitetin e Kosovës dhe nxitja e njohjeve ndërkombëtare për të. Ratcliffe dhe agjencitë që mbikëqyrte, përmes analizave dhe aktiviteteve të inteligjencës, ndihmuan në identifikimin e sfidave dhe kërcënimeve që Kosova përballej në këtë drejtim.

Marrëveshja e Uashingtonit (shtator 2020)

Në shtator 2020, Marrëveshja e Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfaqësoi një moment kyç për rajonin. Përpjekjet për arritjen e kësaj marrëveshjeje u mbështetën nga inteligjenca amerikane, e cila ofroi analiza mbi ndikimin e jashtëm dhe sfidat e brendshme që kërcënonin procesin e dialogut. Ratcliffe u sigurua që informacionet mbi përpjekjet destabilizuese nga Rusia dhe Kina, të cilat synonin të pengonin normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të përdoreshin për të krijuar kushte më të mira për suksesin e marrëveshjes.

Kjo marrëveshje përfshinte elementë ekonomikë, si ndërtimi i hekurudhave dhe autostradave që lidhin dy vendet, dhe kishte për qëllim të zvogëlonte varësinë e rajonit nga aktorët e jashtëm destabilizues.

Strategjia për njohjet ndërkombëtare

Inteligjenca amerikane, nën drejtimin e Ratcliffe, monitoroi përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të bllokuar njohjet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në vitin 2020, raportet treguan se Rusia përdorte fushata dezinformuese dhe lobim agresiv në Kombet e Bashkuara për të bindur disa shtete të tërhiqnin njohjet e Kosovës. Përmes ekspozimit publik të këtyre përpjekjeve dhe mbështetjes diplomatike, SHBA ndihmoi në ruajtjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës.

Kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez në rajon

Rusia dhe Kina, si dy nga kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, kanë shfrytëzuar dobësitë politike dhe ekonomike të rajonit për të rritur ndikimin e tyre. Ratcliffe, përmes mbikëqyrjes së tij strategjike mbi inteligjencën amerikane, siguroi që informacionet për këto përpjekje të ndaheshin me aleatët rajonalë dhe të parandalonin veprimet e dëmshme.

Ekspozimi i ndikimit rus

Në fund të vitit 2020, inteligjenca amerikane zbuluoi përpjekje të koordinuara nga Rusia për të përdorur platformat e mediave sociale dhe kanalet diplomatike për të përhapur dezinformata mbi Kosovën dhe për të minuar dialogun me Serbinë. Këto fushata kishin për qëllim të thellonin ndarjet etnike dhe të rrisnin tensionet politike. Raportet nga DNI ndihmuan qeveritë në rajon dhe partnerët ndërkombëtarë të neutralizonin këto aktivitete.

Projekti kinez “Rruga dhe Brezi”

Kina vazhdoi të ofronte projekte infrastrukturore në Ballkan përmes iniciativës së saj globale “Rruga dhe Brezi”, e cila shpesh shihet si një mjet për rritjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Pekinit. Nën drejtimin e Ratcliffe, agjencitë amerikane siguruan analiza mbi rreziqet e mundshme të këtyre projekteve për Kosovën dhe rajonin, duke ndihmuar partnerët lokalë të shmangnin varësinë ekonomike nga Kina.

Siguria dhe lufta kundër terrorizmit

Kosova ka qenë një partner i rëndësishëm i SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, duke u fokusuar në parandalimin e radikalizimit dhe riintegrimin e shtetasve të kthyer nga zonat e konfliktit.

Riatdhesimi nga Siria (2020)

Në vitin 2020, Kosova realizoi një operacion të madh për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, përfshirë gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e ISIS-it. Ky operacion u mbështet nga inteligjenca amerikane, e cila ofroi informacion mbi sigurinë dhe lokacionet e saktë të personave të kthyer. Ratcliffe luajti një rol të rëndësishëm në sigurimin e analizave të detajuara për të garantuar suksesin e këtij operacioni humanitar dhe të sigurisë.

Neutralizimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë sfida të vazhdueshme për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit. Ratcliffe, përmes mbikëqyrjes së agjencive të inteligjencës, ndihmoi në identifikimin dhe luftimin e rrjeteve kriminale që operonin në rajon.

Operacionet kundër trafikut të drogës

Në vitin 2020, inteligjenca amerikane ndihmoi autoritetet kosovare në çmontimin e disa rrjeteve të trafikut të drogës dhe armëve, të cilat kishin lidhje ndërkombëtare. Këto përpjekje jo vetëm që forcuan sigurinë e brendshme të Kosovës, por edhe rritën besimin e saj si një partner strategjik i SHBA-së.

Gjatë kohës së tij si Drejtor i Zbulimit Kombëtar, John Ratcliffe luajti një rol thelbësor në mbështetjen e interesave amerikane në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Përmes mbikëqyrjes së inteligjencës amerikane, ai ndihmoi në promovimin e sovranitetit të Kosovës, forcimin e sigurisë rajonale dhe kundërshtimin e ndikimit të aktorëve destabilizues si Rusia dhe Kina. Raste konkrete si Marrëveshja e Uashingtonit, riatdhesimi nga Siria dhe lufta kundër krimit të organizuar janë dëshmi e rëndësisë së rolit të tij në formësimin e politikave strategjike të administratës Trump për rajonin.

II.Aktualisht, situata politike dhe diplomatike që lidhet me Kosovën vazhdon të jetë komplekse, me një sërë sfidash dhe mundësish në raport me zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale. Pritjet për hapat që mund të ndërmerren në çështjen e Kosovës varen kryesisht nga tre shtyllat kryesore: dialogu Kosovë-Serbi, dinamika e marrëdhënieve me fuqitë ndërkombëtare (SHBA, BE, Rusia, Kina) dhe funksionalizimi i shtetit brenda kornizës ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë-Serbi: Një moment kritik për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur në një fazë të vështirë për shkak të tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës dhe refuzimit të Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Aktualisht, priten hapa konkretë në këto drejtime:

a) Zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë

Një nga çështjet qëndrore është zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë në Bruksel dhe në Uashington, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Bashkimi Evropian po ushtron presion që të arrihet një marrëveshje për implementimin e asociacionit, ndërsa Kosova po insiston që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e saj, duke shmangur krijimin e strukturave që do të minonin sovranitetin e shtetit.

b) Angazhimi i Shteteve të Bashkuara

Me inaugurimin e administratës së re të Donald Trump në janar 2025, pritet që SHBA të ketë një qasje më aktive në procesin e dialogut. Trump dhe ekipet e tij, përfshirë figura si John Ratcliffe, mund të ushtrojnë presion mbi të dyja palët për të arritur një marrëveshje historike. SHBA mund të fokusohet në një marrëveshje që përfshin njohjen reciproke, të mbështetur nga angazhime ekonomike dhe politike, për të ulur ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

c) Zgjidhja e tensioneve në veri të Kosovës

Incidentet e vazhdueshme në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përfshirë barrikadat dhe përleshjet, kanë bërë që ky rajon të jetë një pikë kyçe për sigurinë e përgjithshme. Aktualisht, NATO dhe KFOR po mbajnë një prani të shtuar, dhe pritet një angazhim më i madh për të zbutur tensionet dhe për të garantuar stabilitetin.

Rritja e bashkëpunimit me fuqitë ndërkombëtare

a) Roli i SHBA-së në mbështetje të Kosovës

Administrata Trump e ka theksuar prioritetin e saj për t’u përballur me ndikimin rus dhe kinez në Ballkan. SHBA pritet të rrisë mbështetjen e saj për Kosovën përmes:

Mbështetjes diplomatike për njohje të reja ndërkombëtare.

Kosova ende nuk është njohur nga pesë vende të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia, dhe Rumania). Pritet që SHBA të punojë me këto vende për të garantuar njohjen e Kosovës si pjesë e integrimit evropian.

Forcimi i bashkëpunimit ushtarak.

SHBA mund të thellojë marrëdhëniet e saj ushtarake me Kosovën përmes trajnimeve, furnizimit me pajisje dhe rritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

b) Roli i BE-së dhe pengesat nga brenda

BE mbetet ndërmjetësi kryesor në procesin e dialogut, por mungesa e unitetit brenda vetë unionit ka krijuar sfida. Greqia dhe Spanja po sinjalizojnë mundësinë e një qasjeje më pozitive ndaj Kosovës, gjë që mund të nxisë një përparim në procesin e njohjeve.

c) Kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez

Kosova mbetet një objektiv për ndikimin destabilizues të Rusisë dhe Kinës, veçanërisht përmes Serbisë. Pritet që SHBA dhe BE të punojnë për të ekspozuar dhe parandaluar këto ndikime përmes sanksioneve dhe mbështetjes politike e ekonomike për Kosovën.

Përshpejtimi i integrimit ndërkombëtar të Kosovës

Kosova po kërkon me ngulm anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, INTERPOL dhe UNESCO, por Serbia dhe aleatët e saj vazhdojnë të bllokojnë këto përpjekje. Në 2025 pritet:

a) Nxitja e aplikimeve të reja

Kosova po planifikon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me shpresën se mbështetja e aleatëve evropianë dhe SHBA-së do të mjaftojë për të tejkaluar kundërshtimet e disa shteteve.

b) Lobimi për njohje të reja

Me ndihmën e SHBA-së, Kosova mund të punojë për të rikthyer njohjet që janë tërhequr për shkak të fushatës diplomatike të Serbisë dhe Rusisë. Përpjekjet do të fokusohen kryesisht në Afrikë, Azi dhe Karaibe.

Funksionalizimi i shtetit të Kosovës

Kosova duhet të fokusohet gjithashtu në përmbushjen e standardeve demokratike dhe shtetndërtimit për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar. Prioritetet kryesore do të jenë:

Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.

Këto masa janë thelbësore për të bindur BE-në dhe aleatët perëndimorë për përkushtimin e Kosovës ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve.

Pritet që Kosova të forcojë marrëveshjet ekonomike ndërkombëtare, duke përfshirë investimet amerikane në sektorin e energjisë dhe teknologjisë.

Në situatën aktuale, Kosova përballet me një moment të rëndësishëm historik. Aktivizimi i administratës Trump dhe presioni i aleatëve evropianë mund të sjellin përparime në dialogun Kosovë-Serbi dhe në njohjet ndërkombëtare. Megjithatë, suksesi do të varet nga angazhimi i vetë institucioneve të Kosovës për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar, duke ruajtur sovranitetin dhe stabilitetin e brendshëm.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT