
Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/
Në historinë e kombeve, ka raste kur një trup shpirtëror ndahet në dy realitete shtetërore, por nuk i humb kurrë rrënjët e përbashkëta. Kështu është rasti ynë, rasti i shqiptarëve: Shqipëria dhe Kosova – një lis me dy degë. Të ndara nga kufij të vendosur me dhunë historike, por të bashkuara nga gjuha, gjaku, kultura dhe kujtesa kombëtare.
Ky lis nisi të rritej në shekuj të vështirë, në troje të rrahura nga perandori dhe luftëra. Por rrënjët e tij u thelluan në lashtësinë ilire dhe u ushqyen nga vetëdija se ky popull, ndonëse i copëtuar, nuk do të humbte kurrë frymën e vet. Në themel të këtij lisi është Lidhja e Prizrenit (1878), ku shqiptarët për herë të parë kërkuan institucionalisht bashkimin kombëtar. Ishte kjo një përpjekje që i dha kuptim dhe drejtim trungut, duke mbjellë idenë se bashkimi është i natyrshëm, ndërsa ndarja është një imponim.
Në shekullin XX, Shqipëria fitoi pavarësinë në vitin 1912, ndërsa Kosova mbeti nën administrim të huaj, për dekada të tëra të shoqëruara me shtypje, diskriminim dhe mohimin e identitetit kombëtar. Por degët e këtij lisi nuk u thanë. Përkundrazi, edhe nën represion, ato vazhduan të frymojnë përmes shkollave në gjuhën shqipe, letërsisë së rezistencës dhe kulturës së bashkuar. Kontributi i Martin Camajt, Esad Mekulit, Ali Hadrit, Rexhep Qosjes, por edhe shumë të tjerëve nga të dy anët e kufirit, dëshmon për një literaturë dhe vetëdije të përbashkët që nuk njeh ndarje gjeografike.
Në vitet e ‘90-ta, kur regjimet komuniste po rrëzoheshin në të gjithë Europën Lindore, lisit shqiptar iu dha një goditje tjetër: Kosova hynte në një nga periudhat më të errëta të saj. Por aty doli në pah një tjetër degë e fuqishme e trungut shqiptar: Lëvizja për Pavarësi e Kosovës, me figura si Ibrahim Rugova, i cili mbrojti qetësisht por me vendosmëri identitetin e Kosovës, dhe më pas komandanti legjendar Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që shkrinë jetën për lirinë e kombit. Ishte populli i njëjtë që priste ditën e bashkimit në liri, jo më si shtetas të ndryshëm, por si bij të së njëjtës tokë.
Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, degët e lisi filluan të përkulen më afër njëra-tjetrës. Sot, Shqipëria dhe Kosova ndajnë institucione të përbashkëta, mbledhje të përbashkëta qeveritare, programe arsimore të harmonizuara, bashkëpunim ekonomik dhe diplomatik. Në fushën e kulturës dhe sportit, janë të panumërt rastet kur artistë, shkrimtarë, aktorë e sportistë janë përfaqësues të të dy anëve, por me një identitet: shqiptar.
Në arenën ndërkombëtare, Kosova dhe Shqipëria e përfaqësojnë një zë të përbashkët për çështjet kombëtare. Ato janë dy degë që i japin hijeshi, fuqi dhe ekuilibër trungut të kombit. Ndonëse të ndara në struktura politike, ato mbeten një në qëllime, në kujtesë historike dhe në idealet për një të ardhme të dinjitetshme për shqiptarët kudo që ndodhen.
Në Ditën e Flamurit, ai valëvitet njësoj në Prishtinë dhe në Vlorë. Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Tiranës i dridhet zemra po aq sa Drenicës.
Shqipëria dhe Kosova janë sot shembulli se historia nuk mund të shuajë identitetin, dhe se një komb mund të mbijetojë edhe kur trupi i tij copëtohet – për sa kohë që shpirti i tij rri gjallë.
Shqipëria dhe Kosova – një lis me dy degë, por me një zemër që rreh njësoj për atdheun dhe lirinë.