• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Protesta e PD – Basha: Xhafaj ministër vetëm nëse kalon mbi trupat tanë

March 17, 2017 by dgreca

auto_basha_cader1489750515

Në një takim me të përndjekutrit politikë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha,  u zotua se nuk do të pranojw  që Fatmir Xhafaj,  të jetë qoftë dhe një ditë ministër i Brendshëm.  Xhafaj, tha ai  është xhelat i komunizmit, i veshur sot me kostumin e trafikantit të drogës, ndaj sipas tij  mund të shkelë në pragun e ministrisë së Brendshme,  vetëm nwse kalon mbi trupat e protestuesve. Kryetari i Opozitës, sqaroi se nuk ka tërheqje nga kauza, duke theksuar se zgjedhjet mund të shtyhen vetëm nëqoftesë qeverisë teknike i duhet kohë të sigurojw standardet.

“Fatmir Xhafaj  nuk do të jetë asnjë minutë ministri i Brendshëm i shqiptarëve, vetëm nëqoftëse kalon mbi trupat tanë” ka qënë ky kërcënimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në çadrën e lirisë, gjatë një takimi me ish të përndjekur politik.  Kjo deklaratë e kryetarit të PD mund të përcaktojë dhe rrugën që do të ndjekë opozita përveç çadrës së protestës në bulevard për  plotësimin e kërkesës për qeveri teknike.

Lulzim Basha: Sakrifica e një populli të tërë për ata mijëra të rinj dhe të reja të klonuar në kufijtë e Shqipërisë që ndiqnin ëndrrën e lirisë që gjendej jashtë diktaturës, rrezikon të përdhoset nga një kryeministër nip i Byrosë Politike të Enver Hoxhës, i cili nuk u mjaftua me gjëmën e kriminalizimit dhe drogës, por ka vendosur t’i propozojë shqiptarëve për ministër të Brendshëm, një nga hetuesit më famëkeq të diktaturës së Enver Hoxhës, një njeri që ka torturuar me duart e tij djem dhe vajza të Krujës, një njeri që pasi hoqi kostumin e hetuesisë veshi bashkë me vëllain e tij kostumin e narkotrafikantit, ky është Fatmir Xhafaj. 

Le të zotohemi bashkë se Fatmir Xhafa nuk kalon pragun e ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë.

E vetmja rrugë për t’i hapur Shqipërisë perspektivën europiane është largimi i Ramës. Është qeveria teknike me mbështetje të gjerë politike pa persona të përlyer me krimin dhe pa persona që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës komuniste, me burra dhe gra, djem e vajza të ndershme që do të sigurojnë luftë kundër krimit, drogës, zgjedhje të lira dhe të ndershme. I bëj thirrje Fatmir Xhafës të tërhiqet nga aventura që ka nisur, ai nuk do të jetë asnjë minutë ministri i Brendshëm i shqiptarëve.

Pas takimit në çadrën e lirisë, Basha  shpjegoi për mediat se nuk ka tërheqje nga kërkesa për qeveri teknike.

Lulzim Basha: Mos e hiqni vëmendjen dhe mos lini zuzarët të hiqni vëmendjen nga kushti i vetëm që PD dhe qytetarët e opozita i kanë parashtruar për zgjedhje. Qeveri teknike me mbështetje politike.

Ndërsa pëë shtyrjen e zgjedhjeve të artikuluara nga ai vëtë, tha se kjo mund të bëhët vetëm në  kuadër të detyrave që qeveria teknike duhet të ketë për të siguruar standardet zgjedhore.

Lulzim Basha: Kushti ultimativ mbetet qeveria teknike. Nëse në kuadër të detyrave që qeveria teknike duhet të bëjë për të siguruar standardet kërkohet shtyrja e zgjedhjeve absolutisht PD nuk do të jetë kundër kësaj.

Përsa i përket instrumenatave për të arritur tek qeveria teknike, Basha tha se çadra e protestës kryesore, duke lënë të kuptohet për  përshkallëzim të strategjisë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: - Basha: Xhafaj, mbi trupat tanë, minister, Protesta e PD, vetëm nëse kalon

NË KËRKIM TË TË PAPËRLYERVE

March 17, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Fjala i “papërlyer” ose e “papërlyer” mund të ketë një domethënje fetare në veshët e disave, sidmos të krishterëve, por fjalori shqip e përcakton si diçka që nuk është fëlliqur me lyrë a me diçka tjetër, me fjalë të tjera i pastër.  Për më tepër, një person i “papërlyer” është dikush që nuk është përzier a që nuk ka marrë pjesë në një punë të keqe, në një krim, e tjera.  I pastër në sjelljet e qendrimet në punë dhe në shoqëri!   Me biografi të pastër, thekson fjalori, dikush pa asnjë njollë në nder!

A ka Shqipëria njerëz të tillë, “të papërlyer”, të cilët mund dhe duhet të shërbejnë me kompetencë në ministritë dhe dikasteret më të larta të qeverisë dhe të shtetit?   Individë të cilët të pakën fillimisht nuk kanë ndonjë “njollë” që do t’i diskualifikonte nga konsiderimi për një post siç është posti i një ministri në qeveri.  Në fakt, si në shumë raste më përpara, edhe kësaj herë, as këto emërime nuk i shpëtuan sitës së kritikave të opinionit publik.  Opozita dhe grupe të tjera, siç janë grupet e të përndjekurve, kanë kritikuar këto ndryshime në qeveri, për arsye të “biografisë” thonë ata.  Sidomos ata ankohen për të kaluarën e njërit prej kandidatëve, atë të emëruarit për Ministër të Punëve të Mbrendshme.  Kritikët u shprehën se duke emëruar individë që kanë pasur lidhje — në një mënyrë ose në një tjetër — me ish-regjimin e Enver Hoxhës, Kryeministri i vendit po kërcënon “kohezionin shoqëror” dhe “luftën e klasave”, pretendojnë ata.  Kjo mund të jetë ose jo e vërtetë, por ky epizod i fundit tregon rishtas arrogancën e trashëguar të pushtetarëve të atij vendi, të cilët, në emërime të tilla, nuk marrin aspak parasyshë pasojat që kanë vendime të tilla në marrëdhëniet shoqërore të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe as historinë moderne të vendit, sidomos historinë e regjimit komunist në Shqipëri dhe përçarjet që ka shkaktuar ai regjim, pasoja të cilat ndihen edhe sot e kësaj dite.  Në vend që të emërohet personi më pak kontraversial, duket se ka më shumë rëndësi, që kandidatët e emëruar, qofshin ministra, qofshin deputetë — të aprovohen nga partia dhe të marrin bekimin e udhëheqsve të partive monopolizuese të politikës, se sa të jenë individë të përgatitur dhe të ndershëm, e pse jo të “papërlyer”, sipas formulës më sipër, persona që janë të pranueshëm dhe të cilët mbështeten nga një shumicë dërmuese e shqiptarëve, pa marrë parasyshë animet politike.

Pa dashur të futem në vlerësimin e “biografive” ose edhe të meritave dhe aftësive të tyre, pro ose kundër kandidatëve që shoqëria shqiptare i konsideron si të lidhur me ish-sistemin komunist — duket se një pjesë e madhe e publikut i konsideron si problematike kandidaturat e tilla, nga cilado parti qofshin, duke i pranuar si vendime nga lartë.  Edhe nëqoftse kandidatë të tillë i kanë përgatitjet e nevojshme për ato poste, ata mbeten gjithnjë — të pakën në pamje dhe dukuri të parë – si tepër problematike për një vend si Shqipëria me një të kaluar komuniste, si ansjë tjetër në Evropë.   Për një vend anëtar të NATO-s dhe për një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, është e pa pranueshme mos përfshirja në detyra kyçe e të pakën ndonjë pinjolli të përndjekurish të ish-regjimit, pa marrë parasyshë nëse emërimet e ministrave janë të pranueshëme ose jo nga ndërkombëtarët.  Pikëspari, ata duhet të jenë të pranueshëm për popullin shqiptar! Çdo qeveri duhet të jetë përfaqsuese e mbarë shoqërisë dhe kjo duhet të demonstrohet pikëspari për nga anëtarët e saj dhe nga ato që ata përfaqësojnë.

A është e mundur, që pas më shumë se 25 vjetë nga shëmbja e komunizmit, Shqipëria të mos ketë individë të aftë që duhej të konsideroheshin për poste të larta në qeveri e në shtet, e të cilët nuk kanë lidhje me trashëgiminë komuniste, me fjalë të tjera, njerëz të “papërlyer”?   Fatkeqssiht duket sikur të konsiderohesh për një detyrë të lartë, duhet domosdoshmërisht t’i kesh rrënjët, si individ ose si familje, në ish regjimin komunist.  Kjo të bën të kualifikuar për punë të lartë shtetërore.

Unë besoj se Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të përgatitur të kalibrit evropian për të shërbyer jo vetëm në politikë, por në çdo fushë të zhvillimit shoqëror, individë që edhe mund të jenë edukuar në universitetet më të mira perëndimore dhe të cilët nuk kanë pasur lidhje me ish-regjimin komunist.  Pse të mos u jepet këtyre personave rasti dhe mundësia t’i shërbejnë atdheut të vet?   Pse bandat politike dhe oligarkët e partive përjashtojnë njerëz të tillë nga jeta politike — të rinjë e të reja, të aftë dhe të zellshëm për t’i shërbyer vendit dhe shoqërisë, ndryshe dhe më mirë nga ç’kemi parë deri tashti?  Për më tepër, pse mos të jetë ndonjë prej tyre, madje edhe pinjoll i ndonjë familjeje të përndjekurish?  Shqipëria është e të gjithë atyre që jetojnë aty, pa marrë parasyshë historinë komuniste dhe pikpamjet politike.  A po mos vallë ata janë të përjashtuar përgjithmonë dhe përfundimisht nga pjesëmarrja në jetën politike, vetëm e vetëm se biografia e tyre nuk është e “pastër”.  Vazhdim ky i luftës civile, luftës së klasave, të shekullit të kaluar?   I madhi Faik Konica ka paralajmëruar se, “Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).Në një shtet normal demokratik, bëhen sa është e mundur, përpjekje që në qeveri zakonisht të përfaqësohen ose të pakën të pasqyrohen pikpamjet e të gjitha shtresave të shoqërisë, pa dallime politike.   Lindë pyetja se pse edhe sot pas më shumë se një çerek shekulli nga rënja e komunizmit, besnikëria ndaj partisë konsiderohet si më e rëndësishme për të shërbyer në poste qeveritare se sa besnikëria e një kandidati ndaj interesave të Atdheut, sidomos kur bëhen emërime për poste të larta qeveritare?

Që Shqipëria dhe kombi shqiptar të udhëhiqen tani dhe në të ardhmen, nga bijtë dhe bijat më të mira të tij – nga më të papërlyerit — pa marrë parasyshë dallimet në pikpamjet ideologjike dhe politike, siç ka thënë edhe Faik Konica, mbetet shumë për tu bërë. “Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”. (Albania 2, 1897,   Faik Konica).FAIK-K3 1931 CBS

Ku është dashuria, ku është vëllazëria, ku është bashkpunimi midis shqiptarëve sot për të mirën e mbarë kombit, për të cilën ka bërë thirrje Faik Konica, më shumë se një shekull më parë?  Të ndarë e të përçarë ashtu si edhe në kohën e Konicës, më shumë se 100-vjetë më parë. Kështu nuk shkohet përpara.  Mjaft është mjaft!  Gjithnjë sipas Konicës: “Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity” (dinjitet tragjik), shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës.  Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë?  Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët”, ka shkruar Faik Konica. (Vepra 2, f 78).

Shqiptarët mund të jenë sot ndër popujt më të braktisur nga klasa politike e tyre. U takon vetë shqiptarëve të vendosin se kush dhe cilët janë levantinët e sotëm – jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por anë e mbanë trojeve shqiptare — si individë dhe si parti, të cilët kanë bërë aq shumë për të sjell kombin në situatën jo të favorshme në të cilën gjëndet sot.

Mbetemi gjithnjë në pritje dhe në kërkim të papërlyerve, për një drejtim tjetër!

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, ne kerkim, TË TË PAPËRLYERVE

Republika e Re mbi gërmadhat e Republikës së Vjetër!

March 16, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Një mjek i nderuar, profesor në Universitetin e Mjekësisë, megjithëse me bindje të majta, është njohur si kritik i spikatur i Rilindjes, veçmas për çeshtjet e shëndetësisë dhe skandalet e shumta të ministrit Beqja. Për këtë shkak ai meritoi respektin e shumë qytetarëve shqiptarë, u bë madje në disa raste simbol i rezistencës kundër korrupsionit dhe mashtrimit të rilindasve bashkëpartiakë të tij.

Por ndodhi protesta e demokratëve dhe u rrit magjia e fuqia e Çadrës së Lirisë. Mjeku aktiv kundër padrejtësive të Rilindjes e lexoi këtë si “rrezik” për familjen e tij politike të majtë. Prandaj u tërhoq nga vetja dhe iu bashkua korit të Rilindjes kundër opozitës. Kaq u desh që edhe të tjerë kritikë të Rilindjes të tërhiqen të strofën e ideologjisë, duke u rikthyer në vathën e vjetër të organizimit politik. E dija se “sado kritikë të jenë të majtët ndaj elitës së tyre politike, ata kur nuhasin rrezikun e kundërshtarit në opozitë dhe vjen era e ndryshimit i bashkohen radhëve të rezistencës së përhershme kundër të djathtës”.

Por në rastin e Rilindjes mendoja se ka një diferencë të thellë midis saj dhe së majtës së përshkruar si moderne, midis oligarkisë dhe Partisë Socialiste. Besoja se logjika do t’i çonte drejt një rezistence morale së paku, e cila do t’i bënte këta kritikë më dinjitozë, më njerëzorë, më idealistë. Megjithatë nuk ndodhi kjo. Shumë prej tyre u bënë pjesë e korit propagandistik të qeverisë së Rilindjes dhe sorosistëve në pushtet. Se ata udhëhiqen nga koncepti: “Më mirë përkrah kriminelëve të familjes time politike, sesa përkrahës i një modeli të ri që vjen nga kundërshtarët politikë”, i cili sot është emërtuar si “Republika e Re”.

Kjo masë analistësh dhe kritikësh kanë marrë përsipër që të barasvlerësojnë qeverisjen e Rilindjes me atë të opozitës. Dhe në kushtet e trashjes së zullumit, Rilindja nuk shpreson më shumë se kaq. Asaj i mjafton ngulitja e nocionit “Të gjithë janë njësoj”, me qëllim që të barazojë rezultatin zgjedhor, të shtojë numrin e votuesve indiferentë, të cilët janë edhe kontigjenti e votimit me blerje. Republikën e Re na e paraqesin të nëjtë me Republikën e Vjetër. Nuk shohin, as nuk duan të shohin se Republika e Re i ka rrënjët e saj në shumë aksione politike krejt të ndryshme me qeverisjen e Republikës së Vjetër. Nuk duan t’ia dijnë se Republika e Re është çlirimi nga krimi dhe kriminelët në politikë, në administratë, në sistemin gjyqësor, në media e në çdo institucion me ndikim në opinionin publik. Modeli i luftës kundër krimit dhe kriminelëve  i Republikës së Re është ngjizur që me imponimin e ligjit për dekriminalizimin, një ligj që u inicua nga kryetari jo deputet i opozitës shqiptare. Pasojë e këtij ligji janë dëshmitë tronditëse që shfaqen çdo ditë për krimet e deputetëve dhe kryebashkiakëve socialistë.

Unë nuk kam dëgjuar në asnjë rast që Lulzim Basha të ketë marrë në mbrojtje ndonjë peshk të vogël të krimit në PD, të ndëshkuar nga ligji i dekriminalizimit. Por jam shokuar me dhjetra raste të alibive që ka shpik Edi Rama në mbrojtje të kriminelëve me damkë në radhët e deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë të rrethit të tij. Eshtë e pashembullt që një kryeministër të shkarkojë de jure një kryebashkiak e ta lejojë atë de facto të ushtrojë detyrën e tij! Por kështu ka ndodhur e po ndodh me Elvis Roshin, mikun e ngushtë te kryeministrit tonë.

Eshtë unik rasti kur kryeministri e përdor në fushatë elektorale një kriminel të dënuar me burgim të përjetshëm dhe një ditë para zgjedhjeve e përcjell jashtë sistemit Tims në kufi me Malin e Zi, që ai t’i shpëtonte drejtësisë! Janë unike në historinë e qeverisjes rastet kur një kryeministër, si ky yni, të dënuarit për krime të rënda si prostitucion, vrasje, trafik droge, grabitje, përdhunime, në fillim i bën deputetë e kryetar bashkie e më pas, kur sipas ligjit shkarkohen, i ngarkon si shefa të zonave elektorale në qarqet nga ata vijnë!

Nuk dua të përmend fakte të tjera, si kanabizimi, vjedhja e shit-blerja e votës, as varfërinë, diskriminimin përballë ligjit e në investime. Nuk po ndalem te rastet e pafund, kur të vobegtët arrestohen e dënohen me burg, ndërkohë që kriminelët e dënuar para Rilindjes dalin një nga një nga qelitë, pavarësisht se janë të dënuar përjetësisht! Nëse do të flisnim për këto, atëherë do të na duhej shumë, shumë kohë të lexonim për atë çfarë përfaqëson Republika e Vjetër.

Por a i shohin së paku këto bëma të Republikës së Vjetër ata që deri sot ishin kritikë të Rilindjes?! Nëse jo, çfarë ka ndodhur me ta? Si u bë që me ngritjen e Çadrës së Lirisë të rikthehen te propaganda kundër Republikës së Re?! E tmerrshme, çfarë mekanizmi perfid për të zhvleftësuar një kauzë të jashtëzakonshme, ndërtimin e një Republike tjetër, të ndryshme nga ajo e Rilindjes, madje të ndryshme edhe nga qeverisjet në kohë para Rilindjes prej vitit 1991 e këtej!

Republika e Re i ka themelet te projektet e opozitës, disa prej të cilave janë imponuar të bëhen ligje. Fatkeqësisht ende këto ligje nuk zbatohen, sepse mungon vullneti politik i rilindasve. E pikërisht këta mohues të ligjit betohen për reformën në drejtësi!!! Republika e Re ka për qëllim rritjen e hapësirës së lirisë së individit dhe harmoninë midis dhunës shtetërore dhe humanizmit, gjithnjë në respekt të ligjit dhe të së drejtës! Republika e Re është dëshmuar tashmë si Republika e Antikrimit, Antikanabizimit, Antihumanizmit, Antioligarkisë! Ndoshta është e para opozitë e një çerekshekulli, e cila nuk ka imponuar zgjidhje në tavolinë, por zgjidhje ligjore për krizat e shkaktuara të qeverisjes së Rilindjes!

Tani i thonë se “kërkon pushtetin në tavolinë”!!! Ndërkaq këta ish-kritikët e Rilindjes i janë bashkuar korit të propagandës qeveritare dhe fillojnë e tjerrin se cilat na qenkan “krimet e qeverisjes se Partisë Demokratike”! Numërojnë Gërdecin, 21 Janarin e madje kthehen e shkojnë deri te vitit 1997! Përmendin edhe zgjedhjet e majit 1996! E ndërkohë ushtrojnë presion të bëjnë zgjedhje kundër vullnetit të opozitës ose pa opozitën. I thonë opozitës se bën bojkot, pse ajo kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, por nuk etiketojnë si bojkot largimin e komisionerëve socialistë nga qendrat e votimit me urdhër të Gramoz Ruçit në mbrëmjën e 25 majit 1996!

Ndërkohë asnjë provë te re nuk kanë sjellë në katër vite, me të cilat të implikojnë në krim kabinetin e PD-së! Thjesht përdorin propagandën. Nuk po ndalem sesi Shqipëria u trondit nga Gërdeci, sepse aty ka shumë dritë-hije, më së pari duhet gjetur kush i vuri flakën barutit dhe pse ndodhi kjo tri javë para se NATO të jepte ftesën e pranimit në Paktin e Atlantikut! Duhet të analizojmë pse qëlloi mbi demonstruesit e 21 janarit njeriu i afërt i Lenka Çukos, nipi i saj?! Ka shumë pikëpyetje, të cilave duhej t’u jepte përgjigje vetë qeverisja e Partisë Demokratike. E pranoj se ajo ishte e paaftë të ndriçonte të vërtetën e këtyre e ngjarjeve, madje edhe të vrasjes së deputetit fierak, Xhindi, në fushatë elektorale, së paku më e paaftë se ideatori e skenaristi i atij krimi makabër!

Përdorimi politik i këtyre ngjarjeve, burimi real i të cilave është i dyshimtë dhe i diskutueshëm, së paku i pandriçuar dhe e paprovuar, edhe pse këta qeverisin prej katër vitesh, është dashakeq dhe propagandë e pastër kundër Republikës së Re! Ndërkaq PD e ka marrë përsipër përgjegjësinë politike të saj. Ish-lideri historik i saj dha dorëheqjen dhe kjo do ishte e mjaftueshme në çdo vend demokratik për të dëshmuar se Republika e Re nuk ka asgjë të përbashkët me Republikën e Vjetër të Rilindjes.

Atëherë pse ish-kritikët e Rilindjes u rikthyen në pozicion kritik kundër Çadrës së Lirisë?! A është kjo një metamorfozë që na ndjek si ogur i zi ne shqiptatëve, duke na shkatërruar në fillim shpirtërat e më pas qenien tonë si komb?! Sa kohë do të na duhet që së paku të krijojmë një elitë të dinjitetit, personalitetit dhe integritetit politik, shkencor, intelektual?! Të krahasosh Lulzim Bashën me Edi Ramën ose Republikën e Re të tij me Republikën e Vjetër të Edi Ramës është jo vetëm mëkat, por heqje dorë nga e vërteta, nga dinjiteti njeëzor, politik e intelektual, është ndjellje e pesimizmit dhe mbjellje e pashpresësisë te shqiptarët! Për çfarë? Se Rilindja dhe e majta funksionon si ideologji militare dhe dëshiron të mbijetojë përmes mashtrimit!

Filed Under: Politike Tagged With: e Republikës së Vjetër!, mbi gërmadhat, Republika e Re

Diana Çuli, mos dil më në publik!

March 15, 2017 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/Nju Jork/4Ilir-Harshova-600x400-300x237

Përmes Agron Tufës, i cili nuk la të zhvillohej një shfaqje letrare organizuar nga Ministria e Kulturës, kushtuar Diana Çulit, kësaj gruaje që ka dhënë ndihmesën e vet në vrasje njerëzish, u bë e para protestë publike ndaj një figure, përfaqësuese e shumë figurave të tjera, që i shërbyen me mish e me shpirt regjimit komunist, madje segmenteve më kriminale të tij dhe sot, në pas komunizëm, kërkojnë të jenë përsëri në qendër të vëmendjes, në krye të shoqërisë dhe politikës, të përfitojnë prej tyre dhe të japin mësime morali, kulture, lirie e demokracie. Për moslejimin e këtij imoraliteti, Agron Tufa dhe njerëzit që e ndihmuan meritojnë çdo mbështetje dhe lëvdim.Mbas kësaj ngjarjeje, televizioni Top Channel organizoi një bisedë me Diana Çulin dhe dy mbështetëse të saj dhe me Agron Tufën dhe dy mbështetës të tij. Arrita të ndiqja pjesën e dytë të atij programi dhe pashë, atë që shihet rrallë: fytyra engjëllore që i dilnin përkrah krimit dhe imoralitetit. Mbrojtja e krimit prej tyre do të thoshte  pjesëmarrje e tyre në krim.

Diana Çulit iu kërkua nga hetuesia politike e kohës një recensë për poetin Genc Leka, recensë që u paraqit si provë fajësie në gjyqin që iu bë atij dhe poetit tjetër Vilson Blloshmi, gjyq që i dënoi të dy me vdekje në vitin 1977.Ndaj kritikave që iu bënë, Diana Çuli, së bashku me mbështetëset e saj, u justifikuan duke thënë pak a shumë se recensa që kërkoi hetuesi për poetin Genc Leka ishte një detyre shtetërore dhe Diana duhej ta kryente; se Diana u gjend para dilemës ta bënte apo të mos e bënte recensën dhe se, po të mos e bënte, mund të kishte pasoja, të humbte punën dhe karrierën si shkrimtare ndërsa, nga ana tjetër, po të mos e bënte Diana, do ta bënte dikush tjetër; se recensa e Dianës nuk e çoi në plumb Genc Lekën, sepse Genc Leka kishte edhe akuza të vjedhjes dhe sabotimit; sepse nuk ishte dënuar njeri me vdekje për shkak të shkrimeve; se kritika letrare ideologjike i ishin bërë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe këta nuk ishin dënuar me vdekje; se Diana ishte një punonjëse e re në redaksinë e gazetës “Drita” dhe atmosfera e asaj periudhe ishte tepër e frikshme e të tjera si këto.

“Erdhi hetuesi në zyrë, – thotë Diana, –  dhe më tha për të bërë një analizë të poezive. Ishte detyrim ligjor për ta bërë”. Dhe Diana iu bind detyrimit ligjor.Në gjyqet që iu bënë kriminelëve nazistë mbas lufte, ata e deklaruan veten të pafajshëm. Pse? Sepse vetëm kishin zbatuar urdhrat dhe zbatimi i urdhrave, sipas tyre, ishte meritë dhe jo krim. Njeriu gjatë jetës së tij merr urdhra nga jashtë, por merr edhe  urdhra nga brenda. Ai duhet të zbatojë vetëm ato urdhra nga jashtë të cilat nuk bien ndesh me urdhrat e brendshme, me urdhrat e ndërgjegjes. Për Dianën, urdhrat e hetuesisë politike komuniste nuk binin ndesh me ndërgjegjen e saj. Gandi thoshte “Mosbashkëpunimi me të keqen është po aq detyrë sa dhe bashkëpunimi me të mirën.” Por a e kuptonte Diana se po bashkëpunonte me të keqen? Nuk e besoj. Duhet thënë që në fillim se regjimi komunist nuk shkonte ashtu kot, kapte një njeri dhe e detyronte të thoshte apo të bënte atë që donte ai. Ai i zgjidhte njerëzit dhe zgjidhte ata që kishte siguri se do ta mbështesnin, dhe Diana dukej se ishte e përshtatshme, se ajo jo vetëm do ta kryente detyrën që i ngarkohej, por do ta kryente ashtu siç do të ishte më mirë për hetuesin.Nuk është e vërtetë se nuk mund të kundërshtoje në komunizëm një detyrë që ta kërkonte partia shtet, siç thotë Diana. Ka plot raste të njerëzve që u janë shmangur detyrave të vëna nga partia dhe organet e saj, natyrisht jo ashtu hapët, por me mënyra të tërthorta, sepse partisë nuk i prishej ndonjë punë e madhe po të mos e kryente dikush punën e saj. Kishte plot të tjerë që mezi pritnin ta bënin atë punë, madje, me entuziazëm.Diana vazhdon shfajësimin: “Nëse nuk bëja unë, do ta bënte dikush tjetër.”Në Talmund jepet ky tregim: Një person u urdhërua nga guvernatori i një krahine për të vrarë një person tjetër dhe u kërcënua se, në qoftë se nuk do të kryente ai atë vrasje, do të vritej nga guvernatori dhe detyrën e tij do ta kryente dikush tjetër. Ai shkoi e u këshillua me rabinin e tij për mënyrën se si të vepronte. Rabini i tha: “Le ta vrasë atë dikush tjetër, le të të vrasë ty guvernatori, ti nuk duhet të vrasësh.”Justifikuesit e Dianës thonë se poetët nuk i vrau Diana Çuli me recensën e saj, sepse ata kishin edhe akuzën e vjedhjes dhe sabotimit. Në të vërtetë, ata nuk i vrau as recensa e Diana Çulit dhe as akuza e vjedhjes dhe sabotimit. Ata i vrau regjimi kriminal komunist. Kur ai regjim të kishte vënë në shënjestër për të të goditur, të vishte njëqind akuza të pavërteta. Edhe atyre poetëve u vuri akuzën e vjedhjes dhe sabotimit dhe atë të poezive jo socialiste. Por kjo nuk ndryshon asgjë për Dianën, ajo e dha kontributin e vet në atë vrasje.

Diana thotë se ishte e trembur nga atmosfera politike e asaj periudhe, se ishte një redaktore e re e gazetës “Drita” dhe se po mos të bënte ashtu siç iu kërkua, mund të  humbte vendin e punës dhe karrierën e saj si shkrimtare. Ta shikosh këtë punë me karakter tërësisht moral në këtë mënyrë, është njëlloj si ta shikosh atë në terma të humbjes dhe fitimit, ta shikosh si një tregtar matrapaz. Asnjë justifikim moral, asnjë keqardhje, asnjë pendesë. Të tjerë, mbështetës të saj, jo vetëm përsërisin justifikimet e Dianës, por thonë se gjëra të ngjashme kanë bërë edhe shkrimtarë të tjerë. Pra, kur një të keqe e bëjnë edhe të tjerë, ti nuk mban përgjegjësi për të keqen tënde, përgjegjësia shpërndahet.

Justifikimi se kritika u ishin bërë nga kolegët e tyre shkrimtarë edhe Xhevahir Spahiut dhe Kasem Trebeshinës dhe ata nuk ishin dënuar me vdekje, pra kritikat letrare nuk ishin vdekjeprurëse, nuk qëndron. Ka një ndryshim të madh këtu. Ndërsa këtyre shkrimtarëve kritikën ua kërkoi ta bënin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Diana Çulit kritikën ia kërkoi hetuesia politike.

Regjimi komunist, ashtu siç përkëdhelte një lukuni shkrimtarësh dhe poetësh që i bënin atë punë që as i ati i Diana Çulit, si oficer sigurimi, nuk ia bënte dot, ashtu dënonte tepër rëndë edhe ata pak shkrimtarë a poetë që mendonte se i kishte kundër.

Mbrojtëset e Dianës thonë se Diana ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë. Diana vetë nuk e thotë këtë dhe këtu ajo tregohet më e ndershme se mbrojtëset e saj. Por ne mund të themi: përse të mos mendojmë se ajo jo vetëm nuk ka qenë në dilemë për ta bërë apo jo atë punë, por e mirëpriti, se ajo e ka parë detyrën që po i ngarkohej si një nder, si një besim që tregonte partia ndaj saj, si një mundësi për autopromovim dhe, mbase, e ka vënë edhe në ato që në ato kohë quheshin autobiografi, me të cilën njerëzit mburreshin kur shkruanin se si e kishin ndihmuar pushtetin popullor.

Mbështetësit e Diana Çulit habiten me njerëz që i sulen një shkrimtareje, një “zonje të letrave”, duke nënkuptuar se shkrimtarët dhe poetët na qenkan një racë në vete, një racë me gjak blu gjë, që po të analizohet si duhet, del krejt ndryshe.

Në gazetën  “Telegraf” të datës 25 maj 2011, jepen këto kujtime të ish-hetuesit të kohës së komunizmit Dilaver Bengasi mbi hetuesinë që bëri ai ndaj një prej të paktëve shkrimtarë jokonformistë e disident shqiptarë, ndaj Kasem Trebeshinës:

Pyetje: “Çfarë ndodhi gjatë arrestimit të tij?

Përgjigje: Asgjë. Ne shkuam tek shtëpia e tij pranë ekspozitës “Shqipëria sot,” dhe i njoftuam vendimin. Pastaj gjatë seancave hetimore unë e kuptova se kisha të bëja me një kolos dhe gjithashtu me një njeri të pafajshëm. Dhe për këtë gjë kërkova disa herë në bazë të dispozitave dhe hapësirave ligjore ta lironim. Por pati disa reaksione nga shkrimtarët.

Pyetje: Çfarë reaksionesh?

Përgjigje: Ata vinin me radhë në hetuesi dhe dëshmonin njëri pas tjetrit kundër Trebeshinës. Dhe kjo e rrezikonte problemin.

Pyetje: Çfarë thoshin shkrimtarët?

Përgjigje: Thoshin se Kasemi kishte sharë qeverinë në librat e tij, por edhe gjatë bisedave të përditshme. Madje, nxirrnin edhe bisedat që ai i kishte bërë në tavolina, për probleme të librave.

Pyetje: Sa ishte numri i dëshmitarëve në gjyq nga Lidhja e Shkrimtarëve kundër Trebeshinës?

Përgjigje: Jashtëzakonisht shumë. Madje ishin pjesëtarë nga ajka e letërsisë së asaj kohe. Mbaj mend se gjatë një ballafaqimi në hetuesi Kasemi e goditi me pëllëmbë njërin prej tyre, i cili në thelb po shpifte kundër tij. Dhe unë i ndava. Por dua të shënoj këtu se në gjyq pjesa më e madhe e dëshmitarëve ishin shkrimtarë. Aty e pashë se sa e dobët dhe e pabesë ishte raca e shkrimtarëve dhe e poetëve shqiptarë të asaj kohe që ishin gati të spiunonin shokun e tyre qoftë edhe për një shaka që mund të kishte bërë më parë.

Diana thotë se vrasjen e dy poetëve e mori vesh në vitin 1994. Unë e besoj plotësisht. Me çfarë indiference kishte nënshkruar ajo verdiktin e saj për poetët! As nuk u interesua të merrte vesh se si kishte ndikuar recensa e saj në dënimin e tyre. E ç’rëndësi kishte për të se ç’u kishte ndodhur reaksionarëve, kulakëve, armiqve të klasës? Për të, ata ishin insekte. A mund të mbajë në mendjen një njeri se kishte shkelur një insekt?

Diana nuk është e vetme në kësi punësh, madje nuk është edhe më fajtorja. Ka plot me mëkate më të rënda se të Dianës, por Diana u bë objekt sulmesh sepse donte të ishte person publik me rëndësi në një kohë që komunizmi kishte rënë, duke harruar se ç’kishte bërë në atë kohë, apo duke e konsideruar atë si një gjë të normale: u bë deputete në Kuvendin e Shqipërisë nga partia e Skënder Gjinushit, përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kryetare e Federatës të Grave të Shqipërisë, aktiviste e shoqërisë civile, anëtare jurish për çmime të kulturës. Të gjitha këto e nxorën në pah dhe e bënë tabelë qitjeje. Shokë e shoqe të Diana Çulit duhet të ulin kokën e të mos lëshojnë më hije në këtë tokë, por njerëz të tillë as që kuptojnë se ç’kanë bërë.

Mbështetësit e Diana Çulit në atë emision kërkuan që të hapeshin dosjet, se, me demek, në dosje Diana do të dilte e pafajshme. Dosjen e Dianës, mbështetësit e saj e kishin të gjallë para syve, por nuk u pëlqente, e donin dosjen në letër. Çfarë hipokrizie!

Mua më duket se fajet e Dianës janë më të mëdha sot, se atëherë. Ajo nuk shpreh asnjë lloj pendese dhe nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie, ajo vetëm përpiqet të justifikojë veprimin imoral të saj. Ajo thotë: “Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk e quaj veten përgjegjëse. Unë nuk e ndjej veten aspak fajtore për akuzat.”

Rregulli i parë i moralit: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të ta bëjnë të tjerët.”

Rregulli i dytë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty.”

Rregulli i tretë i moralit: “Bëji tjetri atë që do që të tjerët të ta bëjnë ty, por bëja plot dashuri.”

Diana Çuli nuk futet dot te rregulli i parë, te më i lehti. Ajo është krejt jashtë.

Diana Çuli, je fajtore, mos dil më në publik, shiko punët e familjes tënde!

Dhe tashti, më në fund, krahasoni, ju, të dashur lexues, që lexuat këto reshta, këtë shoqe, Diana Çulin, socialdemokrate me orientim komunisto-lindor, shkrimtare e veprimtare, që për karrierë ndihmoi të çonte drejt vdekjes një person tjetër pa e çarë fare kokën, me zonjën socialdemokrate me orientim demokrate perëndimore, përsëri shkrimtare e veprimtare, Musine Kokalrin, që sakrifikoi gjithë jetën për parimet e saj, që u ngrit mbi veten, që u përpoq ta bënte këtë Shqipëri një vend më të mirë për të gjithë, që u përpoq të jepte një shembull morali për meskinët, edhe për Diana Çulin (edhe pse në kohën e saj nuk u lejua njeri që ta njihte), që njerëzit të shihnin sot njëri tjetrin me dashuri dhe respekt dhe jo me keqdashje dhe urrejtje!

Mars, 2017, Nju Jork

Filed Under: Politike Tagged With: Diana Culi, Ilir Hashorva, mos dil më në publik!

Thaçi: Rajoni është i kërcënuar, Kosovës i duhet ushtria

March 14, 2017 by dgreca

Themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Këto komente, presidenti Thaçi i bëri sot gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në lidhje me procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës.“Transformimin e bëjnë të nevojshme edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja që Kosova t’i forcojë mekanizmat mbrojtëse të vendit. Kurse ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Thaçi.

“Këto ndikime tjera, janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, prandaj është urgjente që FSK të avancojë në misionin dhe detyrat e saj”, ka thënë Thaçi.

Formimi i ushtrisë, sipas tij, bëhet për ngritur kapacitetet dhe për t’u mbrojtur nga kërcënimet e ardhshme për Kosovën dhe rajonin.“Pavarësisht dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e ruan armiqësinë e saj në raport me Kosovën”, tha Thaçi.Presidenti Thaçi tha edhe këtë herë se Serbia ka plane për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, ngjashëm me veprimet e Rusisë në Krime.“Serbia ka plan për ndarjen e Kosovës, për aneksimin e pjesës veriore, sikurse Rusia Krimenë. Kjo është e vërtetë. E ka planin. Këtë plan e dinë edhe ndërkombëtarët. Unë nuk po them ta bëjmë ushtrinë dhe të përgatitemi për luftë, por ta bëjmë ushtrinë, të jemi më të fortë për paqe, stabilitet dhe natyrisht t’i dalim zot vendit tonë”, është shprehur Thaçi.Po ashtu, Thaçi përsëriti se transformimi i FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese është bërë i pamundur, për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 11 deputetë.

Thaçi tha se kundërshtimi i Listës Serbe është i ndërlidhur me qëndrimin dhe vullnetin politik të Beogradit.

Andaj, si zgjidhje alternative, Thaçi tha se ka vendosur që transformimi nga misioni civil në atë ushtarak, të bëhet përmes ligjit.

Por, shndërrimi i FSK-së në forcë ushtarake përmes ligjit, nuk është mbështetur nga NATO- dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të dyja, kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, Thaçi tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky transformim, shtoi Thaçi është në përputhshmëri me politikat e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

“Propozimi për themelimin e ushtrisë, apo Forcave të Armatosura është në përputhshmëri me orientimet e administratës së re të presidentit Trump i cili thotë se shtetet e pavarura e sovrane duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë tha se “Kosova duhet ta ketë edhe ushtrinë edhe përkrahjen ndërkombëtare”. Njëherësh, ai e ngriti si çështje edhe arritjen e konsensusit të brendshëm politik, sidomos ndërmjet forcave politike shqiptare. Përderisa për komunitetin serb, Ramadani tha se tash për tash nuk mund të llogaritet në mbështetje.

Me projektligjin e ri, Forca e Sigurisë së Kosovës merr përgjegjësi të reja ushtarake, tha presidenti i Kosovës. Një forcë e tillë, vijoi ai, do të jetë e gatshme për angazhim në funksion të paqes në rajon dhe më gjerë.Projektligji për FSK-në është ende në duart e Qeverisë së Kosovës. Aktualisht, mendimin për këtë projektligj e ka dhënë Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës.Ministria për FSK-në ka shprehur pajtimin e plotë dhe ka thënë se mbështet miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky transformim, sipas kësaj Ministrie, do të rezultonte me krijimin e bazës ligjore me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të një sistemi të mbrojtjes dhe sigurisë me kapacitetet e nevojshme shtetërore, në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave shtetërore, si dhe përmbushjen e synimeve për integrime euro-atlantike.Pritet që mendimet e tyre për këtë projektligj, ta japin edhe Ministria e Financave si dhe ajo e Integrimeve Evropiane.Më pas, Qeveria e Kosovës do të vendosë nëse do ta procedojë atë për në Kuvendin e Kosovës, ku do t’i nënshtrohej procedurave të shqyrtimit dhe miratimit. (Zijadin Gashi REL)

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Presidenti Thaçi, Rajoni, Ushtria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 553
  • 554
  • 555
  • 556
  • 557
  • …
  • 652
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT