• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dështimi i një tranzicioni

April 6, 2021 by dgreca

“Pa demokratë nuk ka demokraci”–F. Fukuyama/

“Më të zinj se komunistët janë vetëm komunistët antikomunistë”- V. Havel/

NGA ANTON ÇEFA*/

Gjendja e krijuar në atdhe, në të gjitha ngjyrimet e saj, mungesa e zgjidhjes së detyrave më të rëndësishme që kërkonte tranzicioni nga “demokracia e tipit më të lartë”, ajo e bunkerëve, në një rend të vërtetë demokratik, që do të mishërohej në vlerat më të larta e më autentike të drejtësisë shoqërore, shërimi i plagëve shpirtërore që pati shkaktuar diktatura, përmirësimi i gjendjes ekonomike, sigurimi i të drejtave të individit, integrimi në Evropë, etj., dëshmojnë për dështimin e plotë e të turpshëm të tranzicionit të pretenduem.

            Sot e kësaj dite, Shqipëria vazhdon ende të luajë e të tallet me veten e saj, të mohojë vlerat e saj, të zhytet thellë e më thellë në llumin e saj, të sorollatet nga qorrsokaqet e vjetra, që i la trashëgim diktatura, në vorbullat më frikësuese të kriminalitetit, prostitucionit, vrasjes, dhunës, vjedhjes- panoramë e një shoqërie në rrokullisje. Të gjitha këto si pasojë e një loje të ndyrë politike, shoqëruar me një demagogji neveritëse, që e paraqet veten si përpjekja më fisnike për realizimin e idealeve kombëtare.

            Liria që u fitua me shembjen e diktaturës u shndërrua dhe u përjetua si një anarki e vërtetë, si liri për të shkatërruar, djegur, çoroditur, qoftë fill mbas përmbysjes së diktaturës, qoftë në vitin 1997.

            Periudha e tranzicionit, për të krijuar kushtet e një rilindjeje shpirtërore e ekonomike, duhet të zgjidhte, në hullinë e transformimit të institucioneve shtetërore, krijimin e një rendi të ri të drejtësisë – në pajtim me parimin e ndarjes së pushtetve, – por sikurse edhe përbërësit e tjerë shtetërorë, ai u çorodit, duke u bërë vegël e verbër e politikës, krimit, prostitucionit.

Askujt nuk iu var në qafë përgjegjësia historike për ato që ndodhën gjatë dekadave të regjimit komunist. Nuk u zgjidh, por u minua që në krye të kresë, nevoja më imperative e periudhës së tranzicionit, ajo e pajtimit kombëtar. Nuk u evidentuan krimet, nuk iu vu gishti kriminelëve, nuk kërkoi kush falje, nuk u zhdëmtuan as moralisht, as ekonomikisht e as politikisht të dëmtuarit. Kriminelët u lanë të lirë dhe, tashmë, shumica e tyre janë shndërruar në bosë të tregut kapitalist. Si pasojë, armiqësia dhe përçarja, që kultivoi me aq zell komunizmi, jo vetëm nuk u shdukën; por në sajë të politikës së ndjekur, polarizimi i popullit shkoi edhe më tej.

Pajtimi do të binte me vete bashkimin dhe mobilizimin e të gjitha forcave intelektuale, fizike e shpirtërore – premisë e domosdoshme për rilindjen shpirtërore të popullit tonë dhe progresin ekonomik, politik e kulturor.

            Nuk u zgjidh me ndershmëri çështja e pronës. Shenjtëria e saj, që është një nga gurët më rëndësorë të themelit demokratik, u demonizua dhe u bë burim i një vargu krimesh. Pronarëve të vërtetë, që u ishte marrë prona me ligj e pa ligj,-iu dhanë çelësat e kashtës, siç thotë populli, tamam ashtu siç kishte porositur “ideologu reformator i transformimeve demokratike”, R. Alia.

            Zgjedhjet-themeli tjetër i demokracisë-të cilat duhej të zgjidhnin njëherë e mirë çështjen e pushtetit politik, duke siguruar “qeverisjen e popullit, prej popullit, për popullin”, u shndërruan në një farsë të vërtetë fyese, poshtëruese, nëpërkëmbëse për popullin; prandaj ai përherë e më shumë po i përgjigjet me një abstenim shpërfillës, rrjedhojë e një gjendjeje shpirtërore të pashpresë. Sot Shqipëria qeveriset nga institucione e individë që nuk e kanë mandatin e popullit dhe që veprojnë kundër interesave të tij dhe kundër interesave kombëtare.

            Pesha e rëndë e viteve të diktaturës, duke shkaktuar një tronditje të fortë shpirtërore të popullit, sendërtoi dëshirën, nevojën, detyrimin dhe përpjekjet për t’u larguar nga atdheu. Papunësia, mjerimi ekonomik, mungesa e kushteve më elementare të jetesës, pazotësia për vendosjen e rendit, dhunimi i të drejtave e lirive të njeriut, lulëzimi i krimnit, prostitucionit dhe faktorë të tjerë të kësaj natyre bënë që emigracióni të rritet gjithnjë e më shumë, duke marrë përmasa të frikshme. I vetmi shpëtim i shqiptarëve mbeti largimi nga atdheu, në kërkim të lirisë, të demokracisë dhe sidomos të një krodhe buke.

            Edhe në politikën e jashtme të shtetit shqiptar të merr sytë “shkëlqimi demokratik”i të majtëve tonë të rinovuar. Përmbysja e diktaturës u bë me moton “E duam Shqipërinë si Europa!”, “Të shkojmë drejt Europës!” Dhe u nisem e po shkojmë në Europë. Gjithsesi, “po integrohemi”; por jo me dinjitetin e një populli të lashtë, me krenarinë e një shpirti të brumosur me vlerat e dikurshme morale, me nderin, urtinë e burrërinë që na ka karakterizuar dikur.

            Marrëdhëniet me fqinjin e jugut, janë karakterizuar nga përulja, nënshtrimi, servilizmi e dukuri të tjera të kësaj natyre. Polítika antishqiptare greke po fiton gjithnjë e më tepër terrene të reja, duke marrë pjesë edhe sot e kësaj dite në lojën tonë politike të karrigave.

Komunistët antikomunistë, të cilëve u ngatërrohen nëpër hullitë e trurit e të shpirtit mësimet e pavdekshme të marksizëm-leninzmit dhe, sidomos, ato të udhëheqësit të tyre shpirtëror, Enver Hoxhës, të mobilizuar për të vënë në jetë porositë ramiziane “për ndërtimin demokratik të vendit”, nuk kanë ushqyer kurrë, në asnjë kohë, ideale  demokratike. Ata janë përpjekur dhe përpiqen, të zhytur deri në segmentet më të flliqura të krimit e të prostitucionit, të korrupsionit e të mafies, të minojnë ndërtimin e institucioneve demoktratike dhe çdo ecje përpara të vendit. Edhe ata elementë të paktë në krahun e majtë, që ëndërronin të transformonin partinë e tyre në një të majtë europiane, perëndimore, pothuajse janë neutralizuar.

            E djathta, që duhej të dominonte mbi jetën politike për të realizuar një transformin rrënjësor të vendit drejt demokracisë, u tregua e paaftë dhe u sabotua. Ajo pati në vitet e para dhe ka ende një shtresë intelektualësh patriotë e demokratë, që u orvatën sinqerisht për ndërtimin e institucioneve demokratike, të një Shqipërie demokratike perëndimore. Fatkeqësisht, edhe kjo shtresë, që përbënte shpresën e së ardhmes, nuk u tregua në lartësinë e trashëgimisë së idealit kombëtar rilindas, të cilit i takonte; por u luhat, e pazonja të mbajë një qëndrim konsekuent në zgjidhjen e detyrave që kërkonte koha dhe, më e keqja, u përça e u shpërnda në sa e sa parti, duke humbur aftësinë për një veprimtari konstruktive të mendueme mirë e me përspektivë, për të zgjidhur në mënyrë sa më optimale kërkesat e kohës.

            Kjo shtresë intelektualësh, trashëgimtare nga gjaku dhe idealet e politikës së ndershme atdhetare e demokratike, nuk qe e zonja të bashkohet për të formuar një bllok të djathtë monolit, të aftë për të shkulur rrënjët e komunizmit nga trualli i atdheut. Gjithsesi, kjo shtresë e shpërndarë andej-këndej, por sidomos e strehuar në Partinë Demokratike, si dhe intelektualët patriotë, që kanë qëndruar jashtë partive, do të përbënin të vetmin segment politik shpresëdhënës për shpëtimin e Shqipërisë.(DIELLI- Viti 2003)

*Dielli-Editorial-arkiv-E ribotojme per shkak te aktualitetit, 14 vjet pasi u shkrua nga editori i asaj kohe-Anton Çefa)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Anton Cefa, Dështimi, tranzicionit shqiptar

Dështimi i merituar i Knut Fleckenstein-it

February 28, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Dy janë dështimet e mëdha kësaj të enjte. I pari i përket Donald Trumpit me një ushtarak komunist nga lindja e largët, si Kim Yong Un, aq sa dhe shtypi amerikan po e ironizon me batutën se presidentit iu desh të fluturoj njëzetë orë për asgjë.

Madje në një postim në twitter Trump jo rastësisht thotë se shikoni Vietnamin sot se çfarë ndryshimesh kolosale, edhe koreanët janë vitalë e punëtorë, kësisoj Koreja e Veriut mund të jetë një tjetër ekonomi e fortë e lindjes së largët.

Vietnami është një plagë e pa mbyllur akoma pasi rreth 58 mijë ushtarë a qytetarë amerikanë humbën jetën aty. Më katastrofë është shifra mes vitnamezëve vet, atyre të veriut dhe jugut, afro 2 milion njerëz. Kësisoj përpjekja amerikane nga Hanoi i sotshëm nuk është rastësi. Po në fund të fundit çfarë mund të presësh nga një komunist i dhjamosur? Asgjë!

Dhe dështimi i dytë, por që duhet theksuar me forcë një dështim i merituar është ky i burokratëve të parlamentit europianë me opozitarizmin në Shqipëri. Një përpjekje sa formale aq edhe errët për shumë arsye. 

Tashmë dihet që në raste të tilla ata nuk rekomandojnë dhe nuk mbështesin djegien e mandateve. Por nga ana tjetër dënojnë të ashtuquajturën dhunë në protesta megjithëse kur pak ditë më parë miratuan në këshillin europian një kufizim masash në ndërhyrjet policore. Jo rastësisht kësaj here u takuan edhe me ministrin a shefin në detyrë të policisë shqiptare. Pra një një kotradiksion burokrat i cili ka vend për demokraci të kalibrit si Danimarka a Suedia, jo për këtë të shqiptarëve të telikosur nga informaliteti dhe propaganda.

2) Por çfarë është në fakt konflikti i euro parlamentarëve me opozitarizmin aktual? Një lloj konjukture ku sigurisht ata nuk mund të bëhen palë me bojkotin. Madje po t’i referohemi shtypit të kohës, viteve 2011, 2012, kur bojkotonte Edi Rama, po njësoj shpreheshin edhe atëherë. Megjithatë kur Edi Rama dhe Ilir Meta, fituan zgjedhjet ishin të parët që nxituan të shuanin gjithçka, duke i dhënë udhë një aleance që në të vërtetë nuk i kish shteruar konfliktet e vjetra, përfshi këtu 21 janarin e 2011-tës, por vetëm sa i kish vënë në gjumë për të kaluar radhën. Por jemi tek europianët, parlamentarët. Nëse nuk e dinë shqiptarët, sot këto figura më shumë emër kanë në Shqipëri se sa në vendet e tyre. Përshembull Mogherinin a këtë socialistin gjerman Knut Fleckenstein, më shumë i njohin shqiptarët se sa vendet nga ata vijnë. Për më tepër që për ne kjo puna e anëtarësimit, me detyra shtëpie pa fund, me afrimin e lugës sa tek qeveria e mëparshme, sa tek kjo e sotshmja, është bërë një lojë dërrmuese duke u dhënë shkak partive në fushatat elektorale. Megjithëse një fshatar nga buza e Semanit do të donte më shumë një rrugë të shtruar aty se sa anëtarësimin në europë. Kjo edhe ka një shpjegim, me haraçin më të madh, këto tridhjetë vjetë shqiptarët e kanë pushtuar me kohë europën, madje po u imponohen. Dhe pas disa dekadave do jenë frymë reale në drejtimin dhe destinacionet e pritshme të komunitetit dhe vendeve të tjera përreth. Kësisoj do vi shumë shpejtë dita që dosjet me detyra do plotësohen nga ata vetë dhe jo nga sekretarët e dikastereve shqiptare. Shkurt është një konflikt i kot, pa vlerë, rutinë, burokraci. 

3) Që kjo është lëvizja e duhur opozitare, nuk e luan as topi. Madje është sfida më e bukur politike e këtyre tri dekadave demokraci. Shqiptarët kishin nevojë për një provë të fortë besimi. Duhet ta kishin bërë më herët. Ata që mendojnë mbi listat, mbi emrat, megjithëse mund të ketë ndonjë që do ofrohet, ose mezi po pret të betohet, prapë kjo nuk e zbeh forcën opozitare. Midis nesh ka plot nga ata që vdesin të shkojnë kundër rrymës. Mirëpo fakti që mblidhen për dy orë me sms aq protestues karshi një kuvendi tashmë monopol, është frut i asaj prove besimi. Kështu që një kuvend i stisur nuk ka asnjë fund tjetër veç telendisjes dhe dëmit të zakonshëm të tipit me urra dhe grushtbashkuar rreth partisë. Le të habitet sa të dojë Knut Fleckenstein me përgjigjet e prera të Monikës. Janë kohë të tilla ku edhe politikanët mund të përmirësohen. Janë kohë që kanë me vete edhe rrisqet paralele për sfida të tjera, pasi duhet të kuptohet një herë e mirë se motet fluturojnë si treni elektrik, shancet po ashtu dhe se  mandatet janë ca letra pa vlerë. Knut Fleckenstein është njësoj si të nxjerrësh përmes burokracisë europiane, Taulant Ballën nëpër vendet e rajonit e tu flasi për çfarë nuk njeh, çfarë është e drejtë apo jo drejtë për ‘ta. Një gagarel që u mburret publikisht shqiptarëve se ka mik iks kapo bandë. Çfarë mund t’u thojë ky përshembull boshnjakëve, a bullgarëve etj. Ndaj më vjen mirë kur dëgjoj ato fjalët e Monikës kur i thotë një burokrati europian se e kujt është Shqipëria. Ka vetëm një rrugë, një dhe vetëm një, përmbysja e Edi Ramës. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dështimi, Ilir Levonja, Knut Fleckenstein

DËSHTIMI I REFERENDUMIT NË MAQEDONI

October 2, 2018 by dgreca

Asllani 36NGA ASLLAN BUSHATI/

Ish zv/Kryetar i Vatres/

Investimi i perendimorëve për një “po”  në referendumin e( IRJM ose FYROM), ishte shumë i madh, por edhe dëshpërimi nga  dështimi  është pothuaj  i tillë, vetëm se nuk është deklaruar akoma. Ata (perendimorët), nuk e kanë vënë akoma gishtin mbi arsyet e këtij dështimi, (jo se nuk i dinë), por sepse do të bëjnë edhe lëvizjen e fundit për të bindur nëntë  deputetë të opozitës  që të ndryshojnë qëndrim dhe marrveshja Greqi – FYROM të mund të miratohet në parlament. Qofsha i gabuar, por gjykoj se edhe kjo  do të jetë një përpjekje  po ashtu e dështuar. E them këtë sepse  në gjykimin tim, janë shumë arsye të cilat të mbledhura së bashku  u bënë si ortek  në realizimin e dështimit të referendumit.  Disa prej këtyre arsyve mendoj se janë:

Pyetja e parë shtrohet tek emërtimi  “Republika e Maqedonisë së Veriut”, a ishte me të vërtetë  zgjedhja e duhur që i kënaqte të gjitha palët? Mendoj se jo. Mund të ishte “Republika e Shkupianës” ose “Republika e Ohridës”, për të cilat nuk do të kishte kontestime se sejcili komunitet ruante trashgimninë, identitetin dhe nacionalitetin nën emërtimin e ri dhe do të ishte e pranueshme  si nga maqedonasit e  shqiptarët banues në ato treva dhe  nga grekët. Emërtimi “Maqedonia e Veriut” është parë më shumë si një hile greke për pretendime  teritoriale në të ardhmen se sa një zgjidhje e qëndrueshmë dhe e pranueshme. Pra ky mund të konsiderohet fillimi i dështimit.

Tjetër problem është deklarimi se FYROM ka një million e tetëqind mijë votues të regjistruar, kur në të gjitha votimet e deri tanishme nuk ka patur kurrë më shumë se një million e dyqind mijë. Pyetja shtrohet a u pastruan listat zgjedhore nga ky deficit i një parregullsie të madhe,( sa u la jashtë listës edhe Kryetari i Parlamentit)? Apo të dyja partitë maqedonase LSDM dhe VMRO janë të interesuar që ky numër të qëndrojë i lartë se prodhon më shumë deputet për maqedonasit duke ndarë bashkë fiktivitetin në kurriz të shqiptarëve?

U deklaru  (nën gjuhë )se referendumi  do të jetë konsultativ. Po pse u ul niveli i referendumit në këtë shkallë  , kur në ndihmë të  tij  u prononcuan dhe  shkuan në FYROM  gati të gjithë udhëheqësit euro- atllantikë ? A po ky ishte thjeshtë  një  shteg manovrimi  në rast dështimi  (thënë ndryshe dështim i paramenduar)?

A pati përpjekje serioze (gjatë ndërmjetësimit për emrin e ri ) për të sqaruar se tashgimnia  antike e Maqedonisë së vjetër, nuk ka lidhje me identitetin e maqedonasve të sotëm . Për më tepër  këta të fundit nuk mund të bëhen posedues të saj, vetëm se Jugosllavia e Titos ju dha emërtimin “Republika e Maqedonisë”. Komuniteti  maqedonas  realisht nuk kanë  një identitet të tij (sepse janë një konglomerat me përbërje:  bullgar, vlleh, turq, serb, rom, egjyptian etj) dhe  me insistim po kërkojnë të përvetësojnë  një identitet  që nuk ju takon.

Kryeministri Zoran Zaev me deklarata pompoze u përpoq ti  bindëte  perendimorët se cdo gjë po ecën mirë dhe referendum do të fitojë sesbën. Si mundën perendomorët ta besonin atë kaq qorrazi?

Opozita dhe Presidenti qenë hapur kundër referendumit. Ku e gjenin ata forcën për tu ballafaquar  pa as më të voglin hezitim kunër perendimorëve? A mos vallë pati një lëvizje  të nëndheshme ruso-turke që shërbeu si  gjenerues anti  euro-atllantik e për të cilin askush nuk po thotë një fjalë të vetme?

Pse nuk dolën votuesit e komunitetit maqedon masivisht në referendum sic u trumbetu nga qeveria dhe segmente afër saj? A mos  vallë ka një krizë të fortë  politike brenda  komunitetit maqedonas midis LSDM-së dhe VMRO-DPMN e cila shërbeu si cfryrje e dufit në referendum ?

A është i mjaftueshëm konstatimi  i qeverisë se referendum (ato pak që votuan) ,pati prirje të theksuar pro NATO e BE, për ta legjetimuar një përmbysje në parlament megjithse pjesmarrja ishte shumë e ulët?

Në se skenari i votimit në parlament dështon, Zaevi ka thënë se do të shkohet me një herë në zgjedhjë të jashzakonëshme. Por a ka shanse qe ndonjë parti a grupim politik, të fitojë 81 vota në këto zgjedhje dhe të miratojë në parlament ndryshimet kushtetuese për emrin “Maqedonia e veriut”? Mendoj se jo.  Pra kriza do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, ku  FYROM do të jetë në Gadishullin Ilirik një  shtet me sistem politik si Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Pra synimi NATO-BE do të vijë duke u venitur.

Po për  faktorin shqiptar në ato treva cfarë perspektive ka në këtë situatë shumë komplekse? Ata janë  faktor pro europianë, pro perendimor dhe pro euro-atllantik. Dolën në votime shumë më shumë se maqedonasit dhe votuan pro referendumit. Kurse e ardhmja për to është shumë e pa qartë  dhe  nuk varet vetëm nga qëndrimi i tyre, por është i lidhur  ngushtë me qëndrimin e  komunitetit maqedonas në se do të vazhdojnë të jetojnë në një shtet të përbashkët.

Parë nga ky kënd shikimi, është   bazike dhe e domosdoshme  që  si për votimin në parlament ose shkuarjen në zgjedhje të jashtzakonëshme,  faktori politik shqiptar  të jetë i bashkuar më qëndrime e në vendim marrje , sepse të gjitha opsionet do të shtrohen në tavolinë.

Deri tani numuri  i regjistrimeve fiktive zgjedhore  ka cuar edhe në fiktivitetin e  e mbi popullimit të strukturave të policisë e shërbimeve sekrete me njerëz të komunitetit maqedonas në dëm të komunitetit shqiptar. Por kjo nuk duhet lejuar në të ardhme në asnjë mënyrë  në se maqedonasit duan të jetojnë në të njejtën ngrehinë politike me shqiptarët. Në të kundërt ata vetë do ti shkatërrojnë themelet  e atij shtetit pa emër që sot quhet “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”.

Në se problemi  nuk zgjidhet në parlament, gjykoj (qofsha i gabuar) se  shkatërrimi i IRJM-s po afrohet.  E them këtë se Europa ka zgjedhjet e veta  afër dhe nuk ka kohë për të humbur me një minishtet pa emër dhe identitet. Kurse SHBA-ja ka bërë aq shumë për atë shtet sa do të jetë e lodhur të merret edhe më tej me cingrima.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, Dështimi, Refrendumi ne Maqedoni

Rama e Basha, Edhe Tryeza e dytë në Presidencë, pa marrëveshje

May 4, 2017 by dgreca

  • Rama: Ja oferta jonë, por PD e refuzoi/
  • Basha: Qeveri teknike dhe shtyrje e zgjedhjeve. Negociatat vazhdojnë/

Pas dy orësh negociata në selinë e Presidencës, dy liderët kryesor politikë në vend nuk kanë gjetur ende dakordësinë për zgjidhjen e krizëz politike.Kryeministri Rama tha për gazetarët se palët gjendeshin në të njëjtin pozicion që ishin dje. Rama tha se kishte vendosur në tryeze postin e zv/ kryeministrit dhe  zvministrave. Ndërsa Basha e quajti mos ofertë për zgjidhje. Rama: Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që unë i kam bërë PD-së nëpërmjet kryetarit të saj është ajo e ditura, për të ndërtuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve.Për sa i përket kërkesës këmbëngulëse të PD-së për numërim dhe votim elektronik, kam propozuar që një ministër i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e qeverisë për të përgatitur një projekt të besueshëm. Nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme.Për sa i përket datës së zgjedhjeve, data e zgjedhjeve është më 18. Jemi në limitet e fundit të kohës. Përpjekja për të bërë gjithçka që na takon si qeveri për të garantuar PD-në për aq sa na takojnë rregullat e lojës, nuk kanë shteruar. Dua ta përsëris se një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi.

Basha: Qeveri teknike dhe shtyrje e zgjedhjeve. Negociatat vazhdojnë/

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se propozimet e Kryeministrit Rama për daljen nga kriza, janë propozime teknike dhe jo politike, siç është kërkesa e opozitës.

“Propozimet e ofruara nuk ofrojnë zgjidhje politike. Ajo që është ofruar sot, është një proces monitorimi teknik dhe jo një zgjidhje politike, siç kërkohet dhe lipset. Vendi ka nevojë për zgjidhje politike. Zgjidhja e ofruar nuk është zgjidhje politike”, tha Basha.Kreu i PD tha se janë dy kollona ku bazohet propozimi i opozitës.  “Propozimi ynë ka qenë i qartë dhe me dy kollona. E para qeveria teknike me mandat për të zgjidhur dhe ndalur krimin e drogën. Kollona e dytë është eksplorimi i mundësisë që brenda gjashtë muajve të organizohet votimi dhe numërimi elektronik”, shtoi Basha.

Fjala e plotë:
Takimi sot ishte për fat të keq përsëritje. Rama erdhi pa asnjë ofertë, përvec mosofertës së djeshme që buron nga mungesa e vullnetit si rezultat i gjendjes së rendit dhe sigurisë për shkak të krimit, drogës dhe parave të tij, marshimit të administratës në funksion të PS. Mosrealizimi i dy problemeve si kërcënim për votën e shqiptarëve përbën mos premis për zgjedhje. Nëse nuk pranohet nga pala tjetër që kriminelët e veshur me pushtet vazhdojnë të mbajën pushtetin, kërcënimi që vjen nga droga dhe paratë e drogës që qytetarët të mos kërcënohen nga skalionet e baronëve të drogës, si mund të ketë zgjidhje.

Vendi ka nevojë për zgjidhje politike, këtë e thonë shqiptarët, unë, PD e opozita dhe tashmë e gjithë bota. E di që shqipëria në këto 4 vite ka akumuluar një problem të tmerrshëm të kriminelëve në zyrta e shtetit, kryebashkiakë etj. Bota e njeh problemin e shqipërisë të kthyer në kolumbi në zemër të Europës nga vetë pushteti që e përdor drogën si instrument politik dhe pasurimi. Zgjidhja sipas Ramës e ofruar nuk është politike. Monitorimi është detyrë e institucioneve dhe nuk kufizohet. Përdorimi i administratës nuk pranohet sic ka bërë Rama. Pa njohjen e këtyre dy problemeve për demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme nga krimi e droga, s’mund të ketë asnjë premisë për të gjetur zgjidhje. Vullneti politik i PD dhe opozitës ska munguar në asnjë cast. Vullneti i palës tjetër vihet në fyshim dhe asgjësohet kur ajo nuk pranon përgjegjësi për krizën e vendit tonë kur nuk pranon as prolemet kryesore që e sollën shqipërinë në këtë pikë. Ndaj gjykoj se e vetmja rrugë përpara është realizimi nga pala kundërshtare me një sens realiteti, në radhë të parë të krizës dhe faktorëve të saj, që sjellin problemet krysore, varfëria papunësia shërbimi shëndetësor në kolaps sistemi arsimor në kushte të pafavorshme ëpr fëmijët e studentët ekonomia në ngërc total….të gjitha këto janë product i një shteti të kapur nga krimi e droga. Me paratë e tyre synohet kapja e zgjedhjeve. Realizimi i këtyre të vërtetave, mund të vijë vetëm përmes dy rrugëve. Nëse pala tjetër ndal fshehjen pas gishtit e pranimin e përgjegjësive, për të dalë bashkë kundër krimit e drogës dhe ky realizim do vijë herët a vonë. Shpresoj herët por në çdo rast duke u përballur me vullnetin e një populli, nuk është i gatshëm të pranojë vjedhjen e fundit…do jetë i gjithi në këmbë për të pamundësuar vjedhjen e votës së lirë.
Kemi qënë në proces negociatash. Ajo që u ofrua sot është një proces monitorimi dhe jo zgjidhje politike, që lipset nga momenti dhe shqiptarët.
Propozimi ynë: Qeveri teknike me mandate për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit e drogës në zgjedhjte e ardhshme. Eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve të realizohet votimi dhe numërimi elektronik për të cilat ka munguar vullneti politik.
Propozimet e ofruara që më ishin bërë të ditura nga kanalet afër Ramës, të lobuara prej tij, nuk ofrojnë zgjidhje politike. 4 ministrat teknikë në kushtet kur Rama ka okupuar si manovra politike partitë opozitare, nuk ofron asnjë garanci. Zgjidhja politike vjen përmes vullnetit politik.
Kam paraqitur dy shtylla, skemi marrë asnjë prgj. Sdo zbuloj pozitat tona negociatore, jam i gatshëm që cfarëdo PD ta ofrojmë, të jetë në funksion të zgjidhjes për qytetarët por atyre smund tu japim alibinë se mund të votojnë të lirë kur kjo sdo ndodhë.
Nëse do kishte marrëveshje, nisur nga ajo brenda 3 javëve eksplorojmë nëse votimin dhe numërimin elektronik mund ta realizonim brenda 6 muajve. Kjo ofron garanci për një numër problemesh si tjetërsimi i kartave të identitetit, ato false, votimi i shumëfishtë dhe presioni i 40 mijë militantëve për tjetërsimit të votës në proesin e numërimit.
Jemi në proces negociatash. S’dua t’i paraprij që s’do na çojnë askund. Rama mbetet te propozimi i djeshëm dhe ky është shkaku se bisedimet e sotme ngelën.
Dialogu mënyra jonë e preferuar për zgjidhjen e krizës, sepse besojmë se zgjidhja e kësaj krize të rëndë me kosto për qytetarët duhet të vijë me një faturë sado të vogël. T’u japim qytetarëve një republikë të qytetarëve.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Dështimi, presidenca, Tryeza e date

Dështimi i ratifikimit të Demarkacionit dhe plani i Kadri Veselit!

June 21, 2016 by dgreca

OPINION NGA Faik KRASNIQI/
Kufiri i Kosovës me Malin e Zi, gjithmonë ka qenë tek Çakorri ose tek Kulla e Zhlepit. Kështu ka qenë gjithmonë. Konsideroj që shumica e deputetëve të koalicionit qeverisës e kanë ditur që me këtë marrëveshje Kosova humb territor, por kanë qenë të ndikuar nga partitë e tyre, prandaj edhe kanë heshtur deri më tash. Madje, disa prej deputetëve kanë dalë me ose pavetëdije haptas në mbështetje të kësaj vije kufitare të punuar nga Komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare, të udhëhequr nga Murat Meha, në vend se të kërkonin llogari nga ai, kur ekspertët tanë alarmonin që Kosova me këtë marrëveshje do të humbasë territore. Prandaj, kjo vijë kufitare nuk guxon të ratifikohet në Kuvend kështu siç është punuar nga ky komision, por të krijohet një Komision i ri dhe ky gabim që kishte për tendencë ta tkurrë Kosovën prej mbi 8 mijë hektarë tokë, të përmirësohet e pastaj të dërgohet për ratifikim në Kuvend. Në të kundërtën, çështja e Demarkacionit të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Por, kjo nuk guxon të ngelet me kaq. Liderët e këtij koalicioni dhe përgjegjësit e Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare, si dhe Komisioni i Kuvendit, duhet të japin llogari për këtë idiotësi dhe tradhti kombëtare që kanë bërë. Dikush duhet të futet në burg për këtë gjë, sepse përveçqë është vepër penale, mbi të gjitha është tradhti e lartë kombëtare.
                                                              Plani i Kadri Veselit!
Kadri Veseli ka ambicie të mëdha në politikë. Jorastësisht nuk erdhi fillimisht drejt e në postin e zëvendëskryetarit të PDK-së, post ky që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në asnjë parti, pastaj të kryetarit të Kuvendit dhe jo më shumë se një muaj zyrtarisht edhe kryetar i PDK-së, edhe pse ai ka qenë gjithmonë kryetar nën hije i saj. Tash ai ka në dorë dy armë shumë të fuqishme, për ta prishur koalicionin me LDK-në dhe Kosovën ta dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Demarkacionin me Malin e Zi, dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Që pa dyshim se humbësja më e madhe do të jetë LDK-ja kurdo që të mbahen zgjedhjet, sepse elektorati i saj kurrë nuk do t’ia falë tradhtinë që ua bëri, kur për hir të interesave të ngushta të Isa Mustafës dhe klanit të tij, shkuan në prehrin e PDK-së dhe SHIK-ut. Besoj që do të jetë mësim i mirë ky për LDK-në, po jo vetëm për të, por për të gjitha partitë që lakmojnë pushtetin dhe bëjnë koalicion edhe me ata që deri dje i kritikuan për çdo të keqe që i ka ndodhur Kosovës, që nga krimet ekonomike e deri tek vrasjet me motive politike. S’mund të thuash që je i mirë, derisa qeveris me të këqijtë, që do të thotë se s’ke asnjë dallim me ta.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dështimi, faik Krasniqi, i ratifikimit të Demarkacionit, Kadri Veseli

Artikujt e fundit

  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello
  • JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT