• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria dhe Kosova të kërkojnë zhvendosjen e dialogut nga Brukseli në Uashington për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme

March 17, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Prej më shumë se një dekade, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë i përqendruar në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pavarësisht premtimeve për një marrëveshje përfundimtare, ky proces është shndërruar në një rrugë pa krye, ku Serbia vazhdon të sabotojë njohjen e Kosovës dhe të instrumentalizojë këtë dialog për të forcuar pozitën e saj ndërkombëtare. Ndërkohë, BE-ja ka dëshmuar një qasje të pasigurt, shpesh duke toleruar politikën destruktive të Serbisë dhe duke i bërë presion të njëjtë Kosovës, sikur të ishte një palë e barabartë në një konflikt të ngrirë.

Brukseli-Qasje e Dështuar.Bashkimi Evropian, në vend që të luajë rolin e një ndërmjetësi të drejtë dhe objektiv, ka vazhduar të mbajë një qëndrim të dyfishtë, shpesh duke u përkulur para interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj brenda BE-së, si Franca, Hungaria, Sllovakia dhe Greqia. Kjo ka çuar në disa probleme të mëdha:

1. Barazimi i Kosovës me Serbinë – Dialogu në Bruksel ka krijuar perceptimin se Kosova dhe Serbia janë dy shtete me status të barabartë në negociata, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe: Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa Serbia është agresori që shkaktoi luftë dhe gjenocid.

2. Tolerimi i politikave destruktive të Serbisë – Për vite me radhë, BE-ja nuk ka vendosur asnjë sanksion të rëndësishëm ndaj Serbisë, pavarësisht se ajo vazhdon të destabilizojë rajonin, të forcojë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, dhe të refuzojë të njohë Kosovën. Përkundrazi, BE-ja ka përdorur masa ndëshkuese kundër Kosovës, siç ndodhi me masat ekonomike të vitit 2023 pas tensioneve në veri të vendit.

3. Lobimi i pesë shteteve mosnjohëse të BE-së – Pesë vendet anëtare të BE-së (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja) refuzojnë ende të njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo ka bllokuar përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat evropiane dhe ka minuar procesin e normalizimit.

4. Mungesa e presionit përfundimtar ndaj Serbisë – Përkundër faktit që Serbia vazhdon të marrë fonde të mëdha nga BE-ja dhe ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ajo nuk është ndëshkuar për refuzimin e saj për të respektuar marrëveshjet e arritura në dialog.

Uashingtoni-Alternativë e Domosdoshme për Dialogun

Në të kundërt, SHBA ka treguar vazhdimisht një qasje më të vendosur dhe më efektive për zgjidhjen e çështjeve në Ballkan. Disa raste konkrete tregojnë se ndërhyrja amerikane ka sjellë ndryshime të menjëhershme dhe të qëndrueshme:

1999 – Ndërhyrja e NATO-s: Ndërsa BE-ja ishte e paaftë të ndalonte masakrat e Serbisë në Kosovë, SHBA, përmes NATO-s, ndërmori sulmet ajrore kundër forcave serbe, duke çliruar Kosovën nga regjimi i Millosheviqit.

2008 – Pavarësia e Kosovës: SHBA ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Kosovës dhe ndihmoi vendin të sigurojë mbështetje ndërkombëtare, përkundër hezitimit të disa vendeve evropiane.

2020 – Marrëveshja e Uashingtonit: Nën ndërmjetësimin e administratës Trump, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik, e cila përfshinte hapa konkretë për bashkëpunimin rajonal. Kjo tregoi se SHBA mund të sjellë rezultate konkrete përmes presionit diplomatik dhe strategjive të qarta.

Pse Duhet Zhvendosur Dialogu në Uashington?

1. SHBA ka qasje më të prerë dhe efektive – Ndryshe nga BE-ja, e cila shpesh ndikohet nga burokracia dhe interesat e brendshme të vendeve anëtare, SHBA vepron me vendosmëri kur bëhet fjalë për stabilitetin në rajon.

2. Serbia e respekton më shumë autoritetin e Uashingtonit – Pavarësisht lidhjeve të saj me Rusinë dhe Kinën, Serbia e di që SHBA ka ndikim të madh në zhvillimet ndërkombëtare dhe nuk mund ta injorojë plotësisht presionin amerikan.

3. Marrëveshjet e arritura nën SHBA janë më konkrete – Përvoja ka treguar se kur SHBA ndërmjetëson, marrëveshjet janë më të qarta, më të detyrueshme dhe kanë mekanizma zbatimi më efikas.

4. Evropa po tregon të njëjtat tendenca të vjetra – Siç dëshmohet nga afrimi i Francës dhe Gjermanisë me Serbinë për shkak të interesave të tyre energjetike dhe ekonomike, Evropa po e trajton Kosovën më shumë si një problem dytësor sesa si një partner të barabartë.

Çfarë Duhet të Bëjnë Shqipëria dhe Kosova?

Për të realizuar këtë zhvendosje strategjike, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërmarrin një sërë hapash konkretë:

Të bëjnë një kërkesë zyrtare për zhvendosjen e dialogut nga Brukseli në Uashington, duke argumentuar dështimet e BE-së dhe avantazhet e ndërmjetësimit amerikan.

Të intensifikojnë lobimin në Kongresin dhe administratën amerikane, duke kërkuar që SHBA të marrë një rol më aktiv në procesin e negociatave.

Të krijojnë një front të përbashkët diplomatik me shtetet mike, si Britania e Madhe, Kroacia dhe shtetet baltike, për të shtyrë përpara këtë iniciativë në forume ndërkombëtare.

Të refuzojnë çdo marrëveshje që nuk garanton njohjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së, duke shmangur çdo formë të presionit për kompromise të dëmshme.

Koha ka treguar se dialogu në Bruksel është shndërruar në një farsë diplomatike, ku Kosova humbet kohë ndërsa Serbia fiton terren politik. Nëse Shqipëria dhe Kosova nuk ndërmarrin hapa konkretë për ta zhvendosur këtë proces në Uashington, atëherë do të vazhdojnë të jenë viktima të lojërave gjeopolitike evropiane. Vetëm SHBA ka fuqinë dhe vullnetin për të sjellë një marrëveshje të drejtë dhe përfundimtare, që garanton sovranitetin e plotë të Kosovës dhe integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Filed Under: Politike

Vatra uron Imzot Joan Pelushin me rastin e zgjedhjes si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë

March 16, 2025 by s p

New York, 16 Mars 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra uron përzemërsisht Hirësinë e Tij Imzot Joan Pelushin me rastin e zgjedhjes si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit, gjithë Shqipërisë dhe Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kontributi i spikatur, integriteti, personaliteti, përshpirtshmëria dhe shërbimi i devotshëm i Imzot Joanit prej 32 vitesh në ringritjen institucionale dhe shpirtërore të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, forcimin e lidhjes së gjallë fetare me besimtarët, përparimin e arsimit teologjik, zhvillimin mediatik, kulturor e publicistik të institucionit kishtar, rritjen e prezencës fetare në aktivitet kulturore e atdhetare, forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës, bashkëpunimin e shkëlqyer dhe dialogun ndërfetar, është një garanci për të ruajtur, zhvilluar e trashëguar harmoninë e vëllazërinë fetare shqiptare si një vlerë të veçantë për kombin tonë dhe shembull frymëzues për mbarë botën.

Urimet më të përzemërta Imzot Joani.

Zoti ju ndihmoftë.

Zoti ju bekoftë.

Me gëzim të veçantë

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

KRITIKAT E MENDIMET E FAIK KONICËS JANË AKTUALE SOT

March 15, 2025 by s p

Prof. Assoc. Dr. Thanas L. Gjika/

(Me rastin e 150-vjetorit të lindjes së F. Konicës)

Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të periudhës së Pavarësisë. Ai, para Andon Zako Çajupit dhe Atë Gjergj Fishtës, me shkrime të shumllojshme ndihmoi dukshëm për krijimin e vetëdijes kritike të popullit shqiptar, vetëdije që është një nga nivelet më të larta të të menduarit njerëzor.

Mirëpo vepra e tij deri sot nuk ka qenë e njohur dhe e studiuar plotësisht, prandaj F. Konicës nuk i është dhënë ende vendi që meriton në historinë e popullit shqiptar si një nga ideologët e Rilindjes; si i pari krijues i alfabetit latin të shqipes; si krijuesi i prozës letrare realiste dhe i kritikës letrare; dhe as si një nga themeluesit e gjuhës letrare shqipe, që përdorim sot. Ky nënvlerësim i Faik Konicës ka pasur disa arsye kryesore:

Së pari, shumë mendime dhe veprime të tij ishin të parakohëshme, prandaj nuk u kuptuan prej shumicës së bashkatdhetarëve të kohës, madje ngjallën zili, dhe e kritikuan;

së dyti, F. Konica i botoi shkrimet e tij tek revista “Albania” e nëpër gazeta e libra që u shtypën me tirazh të ulët, prandaj ato u lexuan / u njohën prej pak lexuesve;

së treti, F. Konica në kritikat e veta përdorte shpesh epitete fyese, dhe kjo i acaronte të kritikuarit. Kjo dobësi u shfrytëzua edhe prej kuzhinave të huaja antishqiptare për të shpifur kundër tij.

F. Konicën e kanë nënvlerësuar në fillim disa atdhetarë të shquar si Sami Frashëri, Mit’hat Frashëri, Ismail Qemali, Fan Noli, dhe simpatiznatët e tyre. Për të edhe sot përsëritet opinioni i gabuar sikur ai ishte “dembel dhe nuk kishte lënë asnjë vepër të përfunduar, dhe se ishte kontradiktor në shkrimet e tij”. Këtë opinion të gabuar e përforcoi më tej diktatura komuniste.

Vetëm Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës ka bërë përpjekje të vijueshme për ta studiuar sa më thellë e për ta botuar sa më të plotë veprën e F. Konicës duke filluar që nga viti 1975, kur ajo organizoi seminarin shkencor ndërkombëta për 100-vjetorin e lindje së tij. Ajo ka sponsorizuar gjithnjë studiuesit, si është dhe rasti i studiuesit Fotaq Andreas për përkthimin e botimin e dy ramaneve të panjohur të F. Konicës më 1916, dhe sot më 15 mars 2025 për botimin dhe promovimin e antologjisë madhore mbi 900 faqe “Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”.

Kumtesat shkencore që janë mbajtur në këto seminare shkencore dhe botimet e studiuesit F. Andrea hedhin poshtë opinionin e gabuar dhe vërtetojnë se F. Konica nuk ka qenë “dembel”, por ka qenë krijues shumë prodhimtar. Vetëm tek koleksioni 12-vëllimsh i rev. “Albania”, ai botoi mijëra faqe me artikuj, kryeartikuj, ese, skica, poezi, botoi dhe vepra të plot. Gjithashtu ai nuk ka qenë kontradiktor në mendimet dhe qëndrimet e tij.

Tipari dallues i F. Konicës, tipar të cilit ai i qëndroi besnik gjatë gjithë jetës, ka qenë orientimi europian. Ky orientim, që përbënte thelbin e botëkuptimit të F. Konicës, ka qenë kultivuar tek ai që në fëmijëri prej nënës së tij, Lejla Delvina, e cila i mësoi atij frëngjishten që e kishte mësuar në liceun francez “Gallata Sarai” të Stambollit. Më tej ai vijoi edukimin europian në “Seminarin Katolik të Jeziutëve” në Shkodër, në liceun “Gallata Sarai”s, në Dizhon e Paris dhe së fundi në Universitetin Harvard, Boston, MA. Formimi dhe orientimi europian ka qenë shkaku që ai fitoi simpatinë e mjaft bashkatdhetarëve elitarë si Atë Gjergj Fishta, Atë Fan Noli, Andon Z. Çajupi, Ernest Koliqi, Namik Resuli, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, etj, por edhe mërrinë e disa të tjerëve. Orientimi europian i F. Konicës ka qenë dhe vijon të jetë edhe sot një orientim i drejtë, kurse orientimi lindor (prorus, proturk, progrek, proserb, e probullgar), që ai i luftoi me të drejtë, kanë qenë të gabuar.

Si politikan atdhetar dhe si sociolog i mprehtë ai zbuloi disa nga plagët e popullit tonë, prej të cilave po sjell këtu njërën: “shqiptarët kapen pas individëve dhe jo pas ideve”, (“Albania Nr. 16,15-30 korrik 1898). Nga ky mentalitet vuajmë edhe sot shumë prej nesh, sidomos nostalgjikët e diktatorit e të diktaturës komuniste dhe puthadorët e politikanëve të tranzicionit. Duke i qëndruar besnik ideve / idealeve të veta demokratike e patriotike F. Konica u detyrua të kritikonte dhe miqtë e tij të ngushtë, kur këta u larguan nga ato ideale.

Si historian i mirëformuar F. Konica në shkrimin vlerësues për Ali Pashë Tepelenën, formuloi qartë parimin themelor për vlerësimin e personaliteteve historike të çdo kohe, parim që ka rëndësi për të gjithë histoianët tanë e të huaj, të djeshëm e të sotëm: “Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e rojti… Fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre” (Albania, Fruer / shkurt, 1902).

Kritikat dhe mendimet e F. Konicës që vlejnë edhe sot janë me qindra, prandaj nuk po zgjatem këtu. Për të kuptuar më mirë pse ky mendimtar i shquar u kritikua dhe u nënvlerësua prej disa bashkatdhetarëve të tij, po përmend disa raste.

Sami Frashëri: Pagëzimi katolik i F. Konicës në verë të vitit 1895 dhe botimi i revistës “Albania” me alfabet krejt latin, nuk u pëlqyen prej shumë atdhetarëve. As një prej atdhetarëve myslimanë nuk u konvertua në i krishter. Kurse krijuesit e alfabetit të Stambollit, të cilët krahas shkronjave latine shtuan dhe 10 shkronja greke për tingujt “ë,ç,dh,ll,gj,rr,sh,th,xh,zh”, nuke pranuan alfabetin e F. Konicës.

Sami Frashëri, ndonëse ishte dhe vetë mendimtar i shquar, pasi lexoi shumë numra të revistës “Albania”, ku F. Konica trajtonte probleme të rëndësishme me stil elegant e konciz dhe me gjuhë të pastër, nuk e vlerësoi, por i shkroi Murat Toptanit, dhëndrit të Naimit: “I dashur biri ynë Murat, mos e dëgjo Faik Konivën. … nuk bëjnë të gjithë mizat mjaltë.” (AQSh, Fondi: S. FRASHERI, Dosja: Korrespondenca).

Mit’hat Frashëri. Biri i Abdyl Frashërit, ishte një atdhetar e intelektual enciklopedist, mirëpo dhe ai mbronte me fanatizëm alfabetin e Stambollit. Në tetor-nëntor të vitit 1908 Mit’hati Frashëri punoi për të organizuar Kongrsin e Alfabetit në qytetin Manastir. Ai donte që të përjetësonte përdorimin e alfabetit të Stambollit, prandaj e ftoi me shumë vonesë F. Konicën, që ky të mos mundëte të merrte pjesë. Dhe vërtet F. Konica nuk mundi të merrte pjesë.

Vëllezërit Dom Ndre Mjeda dhe Dom Lazër Mjeda më 1899, duke ndjekur rrugën e F. Konicës, krijuan një alfabet me shkronja krejt latine, të cilin e përdori “Shoqëria Bashkimi”. Ky alfabet i ri kishte tri shkronja më të mira se alfabeti i F. Konicës dhe ky reflektoi dhe e përmirësoi alfabetin e vet. Kurse Sami Frashëri dhe anëtarët e komisionit që krijuan alfabetin e Stambollit nuk pranuan ta përmirësonin alfabetin e tyre, madje Mit’hat Frashëri nguli këmbë në Kongresin e Manastirit që të përdorej vetëm alfabeti i Stambollit. Kurse Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Sotir Peci e disa të tjerë, votuan për alfabetin e “Shoqërisë Bashkimi”. Komisioni organizues u detyrua të vendoste, që për ca kohë të përdoreshin të dy alfabetet dhe mbas dy vjetësh, Kongresi i Dytë i Manastirit, vendosi që gjuha shqipe të përdorte vetëm alfabetin latin të “Shoqërisë Bashkimi”. Ky vendim mund të ishte marrë 11 vjet më parë, kur “Shoqëria Bashkimi” krijoi këtë alfabet dhe F. Konica e miratoi atë.

Ismail Qemali. Në vitin 1900 F. Konica e vlerësoi shumë Ismail Qemalin kur ky e braktisi parlamentin turk dhe shkoi në Paris e Bruksel. U lidhën ngushtë dhe vendosën të bashkëpunonin së bashku. Mirëpo midis tyre erdhi shpejt ftohja, sepse I. Qemali hartoi një artikull dhe e dorëzoi për ta botuar. Faiku e botoi duke i hequr dy paragrafë ku autori shprehte vlerësim pozitiv për politikën greke, të cilën “Albania” e kishte luftuar si politikë “hileqare”. F. Konica i hoqi dy pjesët sepse i qëndronte besnik mendimit që kishte shprehur më parë për politikën greke: “Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të qenë miq me grekët, ata [kupto: qarqet sunduese – Th. Gj.], përkundrazi, nuk kanë bërë gjë tjatër veçse na kanë sharë, përçarë, shtypur”.

Pavarësisht nga kjo ftohje me I. Qemalin, F. Konica shkroi disa herë për të duke e vlerësuar lart. Mirëpo më 8 korrik të vitit 1913, kur F. Konica, pasi kryesoi Kongresin e Triestes për të mbrojtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar, shkoi në Vlorë. Kryetati i Qeverisë së Vlorës nuk shkoi vetë dhe as dërgoi ndonjë ministër për ta pritur. F. Konica u largua brenda ditës dhe shkoi në Durrës. Po ta kishte pritur dhe ta kishte emëruar I. Qemali F. Konicën Minstër të Arsimit, ose Drejtor të gazetës qeveritare “Përlindj’ e Shqipëniës”, ky intelektual i shquar, do të kishte dhënë një kontribut të ndjeshëm. Shkrimtari i famshëm frances Apoliner e kishte vlerësuar F. Konicën që më 1904 “Enciklopedi e gjallë, … i denjë për kryeministër të Shqipërisë”,

Fan Noli. Miku më i afërt i F. Konicës ka qenë F. Noli. Ai e vlerësoi enciklopedizmin e tij, prandaj shkroi: “F. Konica më mësoi gjithçka”, pasi lexoi koleksionin e revistës “Albania” e shpalli disa herë veten “nxënës të Faik Konicës”. Mirëpo edhe këta dy miq u grindën midis tyre. Kur F. Noli për të luftuar Ahmet Zogun, u lidh me lëvizjen komuniste, ndërgjegja e F. Konicës nuk mund ta falte kalimin e mikut të tij nga pozitat e një demokrati në pozitat e një përkrahësi e popullarizuesi të ideve revolucionare komuniste. Kjo kthesë e F. Nolit nisi në pranverë të vitit 1925, kur ai dërgoi në Moskë grupin e të rinjve me Sejfulla Malëshovën, Zai Fundon, Koço Tashkon etj, që të kualifikoheshin e të krijonin më tej partinë komuniste shqiptare. Simpatia e F. Nolit për qeverinë komuniste të Rusisë Sovjetike u thellua në nëntor të vitit 1927, kur ai shkoi në Moskë, ku mori pjesë në ceremonitë e festës së 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Pas kthimit në Gjermani ai shkroi poezitë revolucionare “Anës Lumenjve” dhe “Rrent o Marathonomak”, dhe mori pjesë në Kongresin e Internacionales Komuniste…

Në vitin 1932, kur Noli shpalli se nuk do të merrej më me politikë, F. Konica, Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, i shkroi Ministrisë së Jashtme të ShBA-ve që ta lejonte F. Nolin të vinte në Amerikë. Noli u kthye në Boston, ku vijoi punën si Peshkop i Kishës Shqiptare të Amerikës. Faiku edhe pse më i madh në moshë bëri hapin e parë për bashkim; shkoi në Boston dhe mori pjesë në meshën e Peshkop Nolit. Miqësia u vendos sërisht, por grindja e tyre shkaktoi përçarje midis mërgimtarëve të kolonisë shqiptare, në simpatizantë të Nolit, ose të Konicës. Deri më sot miqësinë dhe grindjen e dy kolosëve, Konica-Noli, nuk e kanë sqaruar drejt të gjithë studiuesit e tyre, me përjashtim të studiuesit Rafael Floqi, në “Dielli”, 5 mars 2025, dhe unë në Hyrja e kësaj antologjie.

Ndonëse u pajtuan dhe bashkëpunuan deri në vdekjen e F. Konicës, në ndërgjegjen e Nolit kishte mbetur shija e hidhur e kritikave që i kishte bërë dikur “mentorii” i tij. Në prill të vitit 1962 në ceremoninë e 50-vjetorit të krijimit të Federatës Vatra, Peshkop Noli mbasi e vlerësoi F. Konicën si “Kryelëronjës të gjuhës shqipe, zbulues të flamurit”, “një nga themeluesit e Federatës Vatra”, etj, e mbylli vlerësimin me fjalët: “por Faiku ishte dembel, nuk na la asnjë vepër të mbaruar”. Një karakterizim i tillë për F. Konicën nuk kishte pse të thuhej prej Peshkop Nolit, i cili kishte lexuar koleksionin e plotë 12-vjeçar të revistës brilante “Albania”, të cilin e kishte vlerësuar shumë lart. Në këtë koleksion ai kishte lexuar shumë shkrime të mjeshtrit Konica, që përbëjnë vëllime me ese, artikuj, polemika, vëzhgime, skica, tregime e poezi.

Po ashtu Peshkop Noli kishte njohuri se Konica sa ishte gjallë kishte shkruar e botuar disa libra të plota si studimet frëngjisht “Ese mbi edukimin” Bruxelles 1898, 20 f.; “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, Bruxelles 1904, 147 f., analizën “Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare” (1899, 84 f.); përkthimin e përrallave arabe libër më vete “Një mijë e një netë“ botim i Federatës Vatra, si dhe broshurën juridike “Kanunorja e Vatrës”, vepër e shkruar prej Kristo Floqit dhe F. Konicës, botuar prej Federatës Vatra më 1912.

Pas vdekjes së F. Konicës, në janar të vitit 1943, Peshkop Nolit iu dorëzuan për t’i ruajtur 32 arka me libra të bibliotekës së eruditi Konica, dhe një arkë me dorëshkrime origjinale të tij. Tek kjo arka e fundit ishin jo vetëm dorëshkrimi anglisht i studimit “Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës Jug-Lindore”, të cilin e botoi më 1955 Qerim Panariti, por dhe dorëshkrimi i plotë i romanit satirik “Doktor Gjëlpëra…”, dorëshkrim që autori ia kishte dorëzuar të plotë Bahri Omarit, redaktorit të gezetës “Diellit” në korrik 1924, roman që nuk u botua i plotë sepse u ndërpre në fund të dhjetorit 1924 me kthimin e Ahmet Zogut në fuqi. Në atë arkë kanë qenë shumë letra të F. Konicës me personalitete të ndryshme, si dhe dorëshkrimet e plota të dramës “Mustaqet”, dhe të përmbledhjes me tregime “Kandili i kuq”, etj, për të cilat F. Konica i kishte kërkuar ndihmë Federatës Vatra më 1923 për t’i botuar, por për mungesë fondesh nuk u botuan.

Diktatori Enver Hoxha: Nënvlerësimin më të madh F. Konicës, ia bëri diktatori Enver Hoxha. Së pari ky nuk pranoi kërkesën e F. Nolit për të varrosur në atdhe trupin e F. Konicës. Më tej ai dha urdhër që të mos shkruhej asnjë fjalë vlerësuese për të, por vetëm kritika e sharje, sepse sipas tij F. Konica ishte “armik i popullit”, “mbrojtës i bejlerëve”. Mirëpo dihej botërisht se F. Konica ia kushtoi gjithë jetën çlirimit dhe demokratizimit të Shqipërisë, se ishte i vetmi intelektual aristokrat që e kishte tradhëtuar klasën e vet. Ai i vlerësonte njerëzit jo sipas ndarjes klasore, ose fetare, por sipas përkushtimit ndaj atdheut. Diktatori komunist e luftoi F. Konicën sepse ky e kishte kritikuar hapur komunizmin në vitet 1923-1930 si sistem që “nuk mund të jepte frute në Shqipërinë e vogël e të varfër”.

Intelektualët shqiptarë, që u formuan në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990, duke mos e njohur veprën e F. Konicës dhe duke iu bindur vijës së partisë shtet, shkruan kritika ndaj tij.

Edhe unë e kam kritikuar Faik Konicën. Kur punoja në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave më ngarkuan të shkruaja për “Enciklopedinë e Popullit Shqiptar” botim i vitit 1985, zërin për F. Konicën. E kritikova jetën dhe veprën e këtij kolosi, kurse shefat e mij kur e redaktuan shkrimin e nxinë edhe më shumë.

Ismail Kadare. Për fat të keq edhe shkrimtari më i talentuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, intelektuali me famë botërore, Ismail Kadareja, përsëriti me fjalë të tjera mendimin e gabuar se Konica “ka qenë kontradiktor në mendimet e veta”. I Kadareja në esenë e tij që u botua në vëllimin “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë” ONUFRI, 1998, theksoi se Faik Konica “kishte optikë kundërthënëse”.

Kuzhinat e huaja antishiptare, ose shqiptarë të paguar prej tyre. Në vitin 1990, kur u kuptua se kapitullimi i sistemit komunist do t’i sillte mundësi të reja zhvillimi popullit shqiptar, kuzhinat e huaja antishqiptare, për të ngjallur urrejtje tek populli shqiptar ndaj dy kolosëve: F. Konicës dhe F. Nolit, hodhën në qarkullim dy shpifje. 1. Sikur F. Konica kishte thënë: “Shqipëri të kam dhjerë, s’më kuptove asnjëh”, dhe 2. Sikur F. Noli kishte shkruar: “Po të duash t’i vësh botës zjarrë, merr me vete tre a katër kosovarë”. Këto dy thënie nuk janë gjetur në asnjë shkrim të botuar prej këtyre autorëve, as prej Ilir Ikonomit dhe asprej F. Andreas, të cilët janë studiuesve më të mirë të jetës dhe të veprën së tyre. Këto thënie nuk janë përmendur as prej miqve e bashkëpunëtorëve të tyre, që kanë jetuar me ta. F. Konica në shkrimet e tij ka kritikuar disa dobësi të popullit shqiptar, por i nisur nga qëllimi që ta ndihmonte t’i korrigjonte dobësitë e tij dhe jo jo që ta mohonte si popull. Ai i kushtoi jetën clirimit, emancipimit dhe demokratizimit të popullit dhe atdheut të vet.

Po ashtu dhe F. Noli deri më 1912 shkroi disa herë për trimëritë e luftëtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe më vonë shkroi për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit shtypës serb. Prandaj them me bindje se këto dy thënie nuk janë krijuar prej F. Konicës e F. Nolit, por prej kuzhinave antishqiptare, ose prej ndonjë shqiptari të paguar prej tyre.

Të gjitha nënvlerësimet, kritikat dhe shpifjet që i janë bërë F. Konicës do të bien poshtë pasi të lexohen shkrimet e tij të përmbledhura në antologjinë ”Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”, vepër madhore, që hap një epokë të re në studimet koniciane.

Kritikat që ka bërë F. Konica ndaj atdhetarëve të kohës, ndonëse të ashpra, kanë qenë të drejta e të moralshme, dhe ishin shkruar të shtyra prej atdhedashurisë.

Sot, kur po përpiqemi të hyjmë në Bashkimin Europian, na duhet të mënjanojmë epitetet fyese në kritikat tona, të zhdukim zilinë ndaj kolegëve që janë po aq të aftë, ose më të aftë se ne, dhe të mos shprehim mendime për vepra e personalitete, që nuk i kemi njohur vetë.

Ky shkrim do të lexohet në promovimin e librit “Faik Konica – për një Shqipëri europiane”, që do të organizohet nga Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës më 15 mars 2025 me rastin e 150-vjetorit të lindjes së F. Konicës tek Bentley University Waltham, MA. Varianti i plotë është botuar brenda librit (HYRJE f. XV – XXV).

Filed Under: Politike

“Mjekësia në Arbëri gjatë Epokës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”

March 14, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Sikurse del nga veprat e jetëshkruesve klasikë dhe atyre më të vonë, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhej, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut rrallë herë e humbiste gjakftohtësinë, por gjithmonë tregohej shumë i matur. Kurrë nuk i braktiste ushtarët e vet të plagosur në fushën e betejës, por gjithmonë kujdesej për ta dhe pas përfundimit të çdo beteje, ai hynte nëpër tenda, sepse donte të shihte personalisht plagët e rënda, të ishte i pranishëm kur realizoheshin ndërhyrje kirurgjikale dhe të monitoronte vazhdimisht procesin e trajtimit mjekësor (1). Asokohe, në qytetet dhe malësitë tona kishte “mjekë”, që dinin të mjekonin plagët e armëve, por edhe të shëronin sëmundje të ndryshme (2). Bie fjala, mjeku i parë nga Kosova, që përmendet në burimet mesjetare raguzane që në vitin 1349 është njëfarë, Milicius de Presarin (Milo i Prizrenit), i cili është marrë me kirurgji, përkatësisht me urologji (3). Në kohët e hershme, në fshatin Karmë të Shkodrës (midis Vaut të Dejës, Komanit e Shllakut) ishin të njohur kirurgët popullorë të familjes, “Mjekaj”; në Ungrej të Kashnjetit (Lezhë) ata të familjes “Mjeku (4)” dhe po ashtu, familja “Mjeku” në Malaj të Mirditës (5). Shërues popullorë të tillë kishte edhe në Krujë, Kurbin, Mat, Dibër, Elbasan, Prizren etj. (6). Po ashtu, në vendin tonë, gjatë Mesjetës së Vonë kanë ekzistuar edhe institucione për kujdesin shëndetësor, ku garantohej trajtimi i pacientit nga një personel i specializuar, pra spitale të moçme, të cilët, njësoj si në vendet e tjera të Europës u ndërtuan kryesisht pranë kuvendeve dhe manastireve (7). Gjatë Mesjetës, në Perëndim, mjekësia ishte shumë e varur nga Kisha Katolike, e cila drejtonte spitale, azile, kolonitë lebroze dhe rregullonte mësimdhënien në universitete (😎. Në këtë periudhë, spitalet ruanin lidhjen simbolike dhe materiale me Kishën dhe Doktrinën e Krishterë, bazuar në idenë se trupi dhe shpirti ishin të lidhur ngushtë dhe të ndikuar reciprokisht. Prandaj, mjekët refuzonin të trajtonin pacientë që nuk kishin bërë një rrëfim, pasi sakramenti i rrëfimit e pastronte shpirtin nga mëkatet (9). Mjekët ishin murgj dhe nëpërmjet praktikimit të mjekësisë nëpër manastire ata lehtësonin mjerimin njerëzor (10). Shërbimi mjekësor ofrohej falas, sepse gjithçka lidhej me bamirësinë. Kjo bëhej konform mësimeve të dy Etërve të mëdhenj të Kishës, Shën Agustinit dhe Shën Ambrozit, të cilët predikonin detyrimin e kujdesit shëndetësor ndaj të sëmurëve (11). Duke qenë se spitalet ndodheshin pranë manastireve, ata shpesh imitonin manastiret. Pacientëve u kërkohej herë pas here të ndiqnin rregullat e manastirit dhe disa spitale pranonin 12 pacientë meshkuj, duke ju referuar në mënyrë të qartë 12 Apostujve të Jezu Krishtit (12). Ndërtimi dhe mënyra e organizimit të spitaleve të moçme në Arbëri gjatë Mesjetës së Vonë u bë sipas dy modeleve, atij me ndikim bizantin ose lindor dhe atij me ndikim të fortë italian ose perëndimor. Kjo kushtëzohej nga vetë pozicioni gjeografik i vendit tonë, midis Lindjes dhe Perëndimit. Gjatë viteve 1327-1335, u ndërtua Spitali i Deçanit (ku trajtoheshin të sëmurët nga epilepsia, tuberkulozi, reumatizmi dhe leproza), më vonë Spitali i Prizrenit dhe Spitali i Artanës/Novobërdës, por gjithashtu në disa burime të shek. XIV ndeshim edhe gjurmët e para të dokumentuara për zhvillimin e farmacisë, kur në vitet 1339-1340 në Prishtinë përmendet farmacisti i shquar i kohës, Zanini (13). Burimet e kohës dëshmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për ekzistencën e një numri të konsiderueshëm spitalesh dhe të disa prej barnatoreve ose farmacive të para në Arbëri në qytetet e Albania Veneta, si: Shkodra, Durrësi, Lezha, Drishti, Ulqini, Tivari, Budva dhe Kotorri. Vetëm brenda mureve të qytetit të Kotorrit kishte 3 spitale, të cilët ishin: “Hospitale S. Crucis (Spitali i Kryqit të Shenjtë)”, “Hospitale Spiritus Sancti (Spitali i Shpirtit të Shenjtë)”, që u shërbenin të varfërve (pauperum) dhe “Hospitale S. Lazari (Spitali i Shën Lazrit)”, i cili shërbente posaçërisht për trajtimin e lebrozëve, pra një Leprosarium i mirëfilltë, dhe që përmendet për herë të parë në burimet e shkruara në vitin 1431 (14). Nga ana tjetër, janë vetë statutet e disa prej qyteteve të lulëzuara të Arbërisë Veneciane, që dëshmojë në mënyrë të qartë kulturën e lartë shëndetësore që ekzistonte, jo vetëm nëpër manastire, por edhe jashtë tyre, në qytetet mesjetare arbëre. Në disa prej këtyre statuteve përfshihen rregullore që tregojnë një shqetësim për shëndetin e publikut, ku ndalohet shitja e peshkut jashtë tezgave të tregut të peshkut, ndalohet shitja e kafshëve të ngordhura apo shitja e mishit të qenit në vend të mishit të dhenve, ka rregullore për mbrojtjen e pastërtisë së rrugëve, kanalizimeve, puseve, përrenjve e lumenjve dhe çdo shkelës penalizohej me gjobë ose me ndëshkim trupor (15). Pra, të gjitha këto evidenca, që i ndeshim te statutet e qyteteve arbëre, hedhin poshtë mendimin e përgjithshëm se gjatë Mesjetës qytetet kanë qenë shumë të ndotur. Ndërsa, përsa i përket Mjekësisë duhet të theksoj se asokohe, shtetet italike kanë qenë lider në këtë fushë, siç kemi edhe sot Italinë. Që në shek. XI, në qytetin Salerno, në bashkëpunim me Manastirin e Monte Casino, u themelua shkolla e mjekësisë (Universiteti) ose qendra më e madhe e studimit dhe e mësimit në Botën e Krishterë, e cila u vu në krye të rilindjes së mjekësisë në Europë (16). Të gjithë universitetet dhe shkollat mjekësore u krijuan fillimisht në Itali dhe më pas u zhvilluan nëpër vende të tjera të Europës. Kjo është arsyeja pse pjesa më e madhe e mjekëve më të njohur gjatë Mesjetës së Vonë kanë dalë nga Universitetet italiane, po ashtu edhe spitalet dhe farmacitë më të njohura në Arbëri janë themeluar kryesisht në qytetet e Arbërisë Veneciane. Nga hulumtimet e medievistit të shquar shqiptar, J.Drançolli, së fundmi mësojmë edhe një fakt tjetër shumë interesant, i cili mbart një rëndësi të veçantë. Duke u mbështetur në dokumentet zyrtare të ruajtura në Arkivin Shtetëror të Padovës dhe Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, ai flet pikërisht për mjekun personal të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ishte “Gjergj Spani”, pjesëtar i familjes së njohur bujare dhe princërore të Arbërisë, që pasi mori doktoraturën në shkencat mjekësore në Universitetin e Padovës, në Itali, u bë i njohur si mjek dhe bibliofil mjekësor jo vetëm në Padova, por edhe në Piove di Sacco, pranë Padovës, një qendër e njohur edhe sot për mjekësinë moderne (17). Pra, me pak fjalë, pranë Kryeheroit shërbente një mjek arbër i specializuar në njërin prej institucioneve arsimore më të shkëlqyer të Europës Perëndimore.

BIBLIOGRAFIA:

1) G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 43.

2) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.

3) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445-446.

4) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.

5) P.Doçi, Prejardhja e familjeve princore, f. 79-81.

6) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.

7) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445.

8)A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 75.

9) T.Buklijaš, Medicine and Society in the Medieval Hospital, në: Croatian Medical Journal, 49:2, April 2008, f. 151-154.

10) A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 76.

11) Ibidem, f. 76.

12) T.Buklijaš, Medicine and Society in the Medieval Hospital, në: Croatian Medical Journal, 49:2, April 2008, f. 151-154.

13) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445-446.

14) V.Živković, Sacral Topography, Charity and Hospitals in Late Medieval Kotor, në: Tracing Hospital Boundaries: Integration and Segregation in Southeastern Europe and Beyond, 1050-1970, Chapter 9, (Volume Editors: Jane L. Stevens Crawshaw, Irena Benyovsky Latin and Kathleen Vongsathorn), Brill, 2020, f. 193–212.

15) G.Milović-Karić & Đ.Milović, Tragovi zdravstvene kulture u srednjovjekovnome budvanskom statutu, në: Acta Med. Hist. Adriat., 8 (2), 2010, f. 261-266.

16) A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 77-78.

17) Më gjerësisht shih J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 447-450.

Nga: Paulin Zefi.

Lezhë, më dt. 13.03.2025.

Filed Under: Politike

BOTOHET ANTOLOGJIA “FAIK KONICA – PËR NJË SHQIPËRI EUROPIANE”

March 13, 2025 by s p

 Përgatitur nga Fotaq Andrea/

Me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Faik Konicës, më 15 Mars 2025, falë ndihmës bujare të Federatës Panshqiptare “Vatra”, të Kryesisë së Degës së Vatrës -Boston  dhe nën përkujdesin dhe drejtimin e Prof. Ass. Dr. Thanas L. Gjika.

FAIK KONICA – IDEATOR I SHQIPËRISË MODERNE

Parathënia e librit

Kjo antologji, me mbi 900 faqe, e ilustruar edhe me rreth 50 foto e dokumente nga Jeta dhe Vepra e Faik Konicës, përfshin krejt korpusin e shkrimeve në frëngjisht të përlindësit shqiptar hartuar gjatë viteve 1897-1909 dhe botuar në revistën Albania. Pasuar nga artikuj, recensa, ese, promemorie, prozë, etj., si dhe mori letrash të nxjerra nga epistolari i gjerë i tij, këto shkrime përbëjnë një vëllim më vete dhe, përgjithësisht, janë prurje të reja, ose pak të njohura nga lexuesi. Shfaqet në to gjithçka e bukur, e fuqishme dhe patriotike nën penën koniciane, ku del në pah forca e mendimit dhe e stilit të tij sintetik, me atë karakteristikë të veçantë që shkrimet i drejtohen plot kulturë, dije e dinjitet rilindësve shqiptarë, publikut të gjerë që ndiqte Albania-n, si dhe personaliteteve të shquara me të cilët ai mbante letërkëmbim.

Nga ana tjetër, shkrimet e kësaj antologjie, me tituj herë-herë evazivë te Albania (për t’iu shmangur rrezikut të përhershëm të censurës së huaj e sidomos asaj turke) përmbajnë një kronologji ngjarjesh historike për Shqipërinë në fazën e qëndresës së saj epike drejt formimit të shtetit të ri, kur perandoria osmane po përjetonte vitet e saj të fundit dhe kur shtetet fqinje ballkanike, në lojën antishqiptare politiko-diplomatike të Fuqive të mëdha, orvateshin të copëtonin e të zhduknin krejt kombin shqiptar. Gjëmon në këto shkrime ideali përlindës shqiptar, ndjenja e fuqishme kombëtare, thirrja e shpirtit konician për zgjim e lartësim të ndërgjegjes kombëtare, për atë “stërvitje mendore të popullit”, siç shprehej ai në kuptimin e emancipimit shoqëror e kulturor, për të ecur në Histori gjithmonë përpara, drejt progresit.

Dhe s’ka si të mos theksojmë që në fillim që, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, më 4 dhjetor 1912, Faik Konica, në emër të Federatës PanShqiptare “Vatra” të Amerikës i drejton mesazh kuptimplotë Asamblesë kombëtare shqiptare të Vlorës, për të lartuar –  në formë thirrjeje  –, idealin për “themelimin e një Shqipërie të re e të lirë europiane, me model shtete të tilla si Norvegjia, Danimarka, Holanda e Belgjika”. “Mos e bani Shqipniën nji shtet oriental, si Khiva, Bukhara, Afganistani e Tunisia” – paralajmëron ai, tek kërkon një Shqipëri moderne, me orientim e zhvillim pro perëndimor, europian, ashtu siç dëshmojnë vetë lidhjet historike të vendit tonë me kontinentin e lashtë. 

Me këtë pikësynim, duke hulumtuar për lidhjet tradicionale të Shqipërisë me Europën,  Konica përfshin tek Albania e tij shkrime nga kronistët francezë me portrete kapedanësh të famshëm shqiptarë të Kalorësisë së lehtë europiane themeluar nga stradiotët albanoi, flet për gjakun dhe kontributin shqiptar në Europë dhe në kulturën europiane, krenohet me emrat e artë të kombit tonë që kanë lënë gjurmë në Histori, nga Pirro Burri te Ali Tepelena e Bushatllinjtë, dhe domosdo i thur himn “Babait të Kombit”, siç e quan ai Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin, mbrojtësin e Europës dhe të Krishtërimit.  Gjithçka të mirë, të bukur, të vyer që Shqipëria ka pasur tradicionalisht, ajo ia ka përcjellë historikisht Europës, që nga virtytet, traditat, zakonet, doket, deri te vetë shpirtërorja e popullit pasqyruar në folklorin e pasur kombëtar, te proverbat shqipe që Konica i përkthen për të shfaqur thelbin e mendimit estetik të urtësisë popullore shqiptare. Jo pa qëllim, krejt numri i parë i Albania-s i prezanton shqiptarët si bij të shqipes në dy kuptimet e saj: si gjuhë e lashtë me bukuri e forcë shprese, dhe si shqipe mali – emblemë qëndrese, kur Bajroni u këndonte për herë të parë bijve të saj, duke i krahasuar shqiptarët me skocezët dhe duke i shfaqur ata si europianë të kahershëm e të denjë, me vendin e tyre të nderuar në Europë e Histori. “Shqiptarët, thotë Konica që në faqen e parë të Albania-s, kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në Histori të Europës”.  

Shqipëri europiane, Shqipëri moderne, Shqipëri e përparuar – ja ideali i Konicës me përkushtim rilindës kombëtar, që e nisi dhe e vazhdoi me Albania-n në Bruksel e Londër, për dymbëdhjetë vjet rresht, në moshën më të bukur rinore 20-30 vjeçare, për ta përfunduar, gjithnjë në rolin e kryeredaktorit, me Diellin e “Vatrës” shqiptare në Amerikë, ku shpërthyen, me rrezatim të fuqishëm patriotik, erudicioni dhe mendimi i tij proteiformë, që i rezervuan edhe një vend të nderuar mes intelektualitetit të kohës. Dhe domosdo, përderisa vetë kjo antologji shfaq lidhjet e Përlindësit modern në rrafsh europian e më tej, me emra të njohur botërisht, që nga shkencëtari Elisée Reclus, te Apollinaire e Remy de Gourmont, duke kaluar nëpërmjet personalitetesh të tilla të mirënjohura, si L. Benloew, E. Legrand, H. Gaidoz, De Harlez, V. Herny, J. Jarnik, M. Müller, A. Fouillée, E. Verhaeren, S. Reinach, L. Cahun, A. Benedicksen, P. Nocquet, De Waleffe, A. Bauer, Opert, Jensen, Pedersen, Jokl, De Casseres, etj. etj. madje tek i shkruan kartë plot guxim edhe vetë kryeministrit plak të Anglisë, Gladstone, (katër herë kryeministër) që do t’i përgjigjej me respekt atij djaloshi shqiptar 21 vjeçar Faik Konitza, që dinte aq mirë të mbronte të drejtat e Shqipërisë. 

Kampion dhe atlet për modernitet shqiptar, Konicës nuk i mungoi as fryma novatore për të “ndriçuar mendjet”, siç shprehej ai, as fshikullimi për “mendjepalarët e pshatarakët e trashë e të paditur”, për “turçelinjtë” dhe “moravesët” e “çipit të palaçove”. Tek e kërkoi modernen në radhë të parë në ndryshimin botëkuptimor shqiptar, ai ideoi dhe projektoi një shoqëri shqiptare të përparuar e lulëzuar.      

Ndonëse që në fillim Konica e shfaqi Albania-n me karakter gjithëpërfshirës, letrar, linguistik, folklorik, historik e sociologjik, nuk do vononte që ai, pas pesë numrave të para, ta shpallte publikisht revistën e tij edhe me orientim të qartë politik, gjë që do të përbënte boshtin e krejt shkrimeve polemizuese të revistës, në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë e shqiptarëve. Ishte një veprim i guximshëm nga ana e tij për ta bërë kësisoj Shqipërinë faktor dhe pikë referimi në qarqet politiko-diplomatike të kohës, sidomos në botën e ndjeshme të Letrave, ku Albania, organi i parë shumëpërmasor shqiptar në dy gjuhë, do të bënte përshtypje të thellë për vetë përmbajtjen dhe paraqitjen e saj serioze. Në fakt, që në numrin e parë të Albania-s, që në artikullin përurues të saj “Armiqtë e Shqipërisë”, shfaqet toni i rreptë denoncues i Konicës për armiqtë e brendshëm e të jashtëm të kombit dhe, në këtë drejtim, nuk do vonojë të shpaloset vetë misioni rilindës i Albania-s: “Ne, që shkruajmë të përkohshmen, që të tunden shqiptarët nga gjumi, ne bëjmë propagandë”, thekson ai pa kurrfarë ngurrimi në artikullin “Propaganda” (Albania 2). 

Duke e faktorizuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke e shfaqur Albania-n si mbrojtëse të aspiratave të kombit shqiptar për liri e pavarësi, si platformë e program të gjerë pune për zgjim e ndërgjegjësim kombëtar, Konica do t’i hynte kështu realizimit të një prej objektivave madhore të Rilindjes: fuqizimit të  propagandës me penë në dorë, në shërbim të lëvizjes së armatosur, në emër të dashurisë për kombin dhe përkushtimit ndaj atdheut. Kësisoj, botimi i Albania-s në kapërcyell të shekujve XIX-XX, në periudhën kulmore të zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe të organizmit të lëvizjes së armatosur drejt shpalljes së Pavarësisë përbën pamëdyshje Aktin Madhor të ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare, përbën zërin timbrues të vitalitetit të kombit tonë për të demaskuar lojën e Fuqive dhe për të penguar shtetet fqinje në synimet e tyre kundër Shqipërisë. “Albania, vë në dukje Konica, po afirmohet jo thjesht si një gazetë, por si një gazetë nacionaliste par excellence... Ne i qëndrojmë … besnikë idealit për një Shqipëri nacionaliste plot entuziazëm dhe të vetëdijshme për të ardhmen dhe për lidhjet e saj me botën perëndimore” (nënvizimi ynë – F.A.).

Dhe që kombi shqiptar të ndihej i gjallë e plot vitalitet në rrafsh europian, Konica, që në fillim nuk do ngurrojë të nënvizojë se “në pjesën e vet politike, Albania shfaqet si organ i partisë autonomiste”, parti të cilën Konica e quan konkretisht “Lidhja për pavarësinë e Shqipërisë”, në emër të së cilës ai do t’i drejtohej edhe vetë kryeministrit britanik, plakut Gladstone, duke kërkuar kështu përkrahje e mbrojtje të atdheut tek personalitetet e larta të kohës. Ai e ka të qartë se “Lëvizja shqiptare”, siç e cilëson ai vetë Rilindjen Kombëtare, në fazën e parë të saj drejt pavarësisë, dhe përballë rrezikut të egër të lëvizjes xhonturke, do të jetë lëvizje autonomiste, me të drejta të plota vetadministruese për kombin shqiptar, për zhvillim shoqëror, ekonomik e kulturor. “Partia nacional shqiptare, vë në dukje Konica, është i vetmi element progresi”. Dhe më tej, “lëvizja nacional shqiptare është parti moderne, përparimi të vërtetë”.  

I përballur me realitetin e brendshëm shqiptar, Konica dënon “dritëshkurtrit”, siç i quan ai të gjithë ata që janë të lidhur pas së djeshmes e së tashmes, duke depërtuar kështu në thelbin e patriotizmit të vërtetë, për ta dashur Shqipërinë ashtu siç është, “vend i njerëzve të varfër, që ka nevojë për ajër [liri] e për drejtësi”. Ai fshikullon patriotizmin e njëanshëm që përkundet e përgjumet me të shkuarën e lavdishme, pa hedhur vështrimin drejt së ardhmes, pa ndërmarrë hapa konkretë për ndryshim të këtij realiteti. “S’kemi nevojë për shkëlqime të kota, të punojmë në heshtje e me dinjitet për zgjim të plotë të kombit tonë”, këshillon Konica me këtë rast, duke lëshuar njëkohësisht një nga aforizmat e tij të para, me bukuri të rrallë e vlerë përherë aktuale: “Të duash Shqipërinë, do të thotë të kalitësh vullnetin për ta lulëzuar përjetë Shqipërinë”. 

I ndërgjegjshëm dhe i bindur për lulëzimin e një Shqipërie moderne dhe europiane, Konica përcakton qartë synimet madhore që duhet të realizojë “Lëvizja shqiptare”, të cilën ai e do dhe e kërkon me funksion emancipues e gjithëpërfshirës në rrugën drejt progresit, për të zënë kështu me dinjitet vendin e saj të nderuar në bashkësinë ndërkombëtare, përkrah kombeve të zhvilluara. Ai vë përpara “faktesh lakuriq, mendime lakuriq” dhe shpall açik kontrastin brutal në Shqipëri: “mjerimin më të tmerrshëm në më të pasurin e vendeve”, siç shprehet konkretisht ai, në kushtet e sundimit osman, kur vendi vuante prapambetjen e theksuar mesjetare, dhe kur shqiptarëve u ndalohej me ligj deri edhe gjuha e tyre dhe hapja e shkollave shqipe. E në këtë rast, ai e shpall hapur se “Shqiptari e ka një dyfek… dhe se “ideali më i lartë i Drejtësisë e kërkon që ai ta shkrehë kundër tiranisë së turkut e të fqinjëve zaptues”. Revolta dhe forca shkojnë kështu bashkë, paralelisht, nën penën e Konicës, janë të përligjura e të domosdoshme për arritjen e të drejtave më elementare që i janë mohuar kombit shqiptar. “Shqiptarët, vëren Konica, kanë të drejtë të fitojnë me anë të forcës atë që nuk ua japin sipas së drejtës që u takon”. Dhe nuk do vonojë kur Konica, përherë realist e objektiv, do të shprehë entuziazmin dhe optimizmin e tij, në prill 1899, duke deklamuar fuqimisht: “Ora më në fund po bie për shqiptarët: një lëvizje e thellë kombëtare po trondit Shqipërinë… Rinia e sotme shqiptare, brenda një dhjetëvjeçari do të na japë një brez patriotësh të etur për drejtësi e përparim.”  

Por, duke e parë mjerisht, Shqipërinë, në kushtet e prapambetjes më të thellë, kur ai është i detyruar të pranojë se “shqiptarët do të jenë ende për një kohë të gjatë vend i Mesjetës” me plagë të tilla si gjakmarrja dhe kanunet, dhe nga ana tjetër, duke shfaqur merakun e tij për përparim kombëtar, Konica nuk mungon të japë një mësim të madh kur deklaron se “shqiptarëve nuk u mungon ndjenja kombëtare, por u mungon vetëdija e pastër, aq e domosdoshme për përparim”.    

Është e qartë se misioni më fisnik i Albania-s koniciane, nga fillimi në fund, është “ribërja e fuqishme e Kombit dhe e Gjuhës” në kuptimin më gjithëpërfshirës të ripërtëritjes dhe riorganizimit të tyre. Vetë fjalia e parë e faqes së parë të Albania-s përbën një himn dashurie e bukurie për gjuhën e lashtë shqipe, tek shprehet : “E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një moslëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor”. Konica i ngre kështu, me të drejtë, monument gjuhës shqipe, duke e ditur më së miri, si një dijetar poliglot se gjuha është vetë “çekani që farkëton mendjen e zhvilluar” është susta që i jep shtysë “edukimit intelektual të popullit dhe dashurisë për kombin”, që “zhvillimi i saj i çel udhë vetë zhvillimit të Idesë” (Mendimit), vetë jetës intelektuale, botës së dijes e të Letrave. 

Konica e do me shpirt gjuhën amtare, dhe iu përkushtua tërë jetën bukurisë dhe zhvillimit të saj. Gjuhëtar, letrar, përkthyes, poliglot, me aftësi polivalente në fushën e filologjisë, aftësi që i ka venë në dukje më së miri miku i tij europian Apolineri kur e ka cilësuar Konicën tonë “një enciklopedi lëvizëse” duke e krahasuar me një Argus (me njëqind palë sy) dhe një Briare (me njëqind palë krahë e pesëdhjetë koka) kryeredaktori i Albania-s e rroku gjuhën shqipe nga rrënjët duke i njohur e përdorur edhe vetë bukurisht të dy dialektet e saj, toskërishten e gegërishten. Vazhdimisht ai kërkoi e punoi për gjuhën e pastër letrare shqipe, mbi bazën e një alfabeti unik latin, që të shfaqte krejt bazën fonetike të shqipes. Ai e ka të qartë se gjenia e gjuhës shqipe, të cilën ai e ngriti lart, është se mbajti gjallë e të fuqishëm shpirtin shqiptar në shekuj, me tërë atë bukuri e pasuri fonetike e folklorike. 

Në këtë fushë të gjuhësisë, dhe më gjerësisht të filologjisë shqiptare, antologjia “Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane” shfaqet si një pasqyrë kristaline e dashurisë dhe e mundit konician për zhvillimin e gjuhës shqipe mbi bazën e ligjeve të gjuhësisë. Me kompetencën e gjuhëtarit, falë një morie shkrimesh titulluar “Shënime gjuhësore”, dhe mbi bazën e punimeve shkencore të gjuhëtarëve shqiptarë e të huaj (nga Kristoforidhi te G.Meyer), të cilëve ai u referohet shpesh, Konica ngulmon – në bashkëpunim me tërë albanologët vendas e të huaj –,  për zgjidhjen e detyrave parësore që shtron gjuha shqipe e kohës së tij. Kërkon kështu të hedhë bazat e shkencës gjuhësore shqipe, për të përcaktuar rregullat drejtshkrimore themelore, duke u ndalur në probleme të sintaksës, morfologjisë, fonetikës, etj. Por, kryesorja në këtë drejtim është këmbëngulja dhe paepuria e tij për ta parë gjuhën shqipe një dhe të vetme, me shkrirje dhe njësim të dy dialekteve të saj, si faktor absolut të bashkimit dhe fuqizimit të kombit shqiptar. 

Ai është i ndërgjegjshëm se “shqipja ka mbetur e palëvruar qëkurse është krijuar”, se është e zhveshur nga terminologjia abstrakte, duke qenë kështu “e paaftë për të rrahur ide”; andaj dhe detyra urgjente për mbarë shkrimtarët e gjuhëtarët është ta lëvrojnë, ta shkathtësojnë e pasurojnë shqipen, për ta bërë gjuhë letrare të përpunuar, gjuhë standardi, të aftë për përballur forcën shprehëse të gjuhëve të zhvilluara dhe krejt Letrat klasike e moderne. Përshtatja e një alfabeti modern të gjuhës shqipe, për të zhdukur 40 variantet e alfabeteve që përdoreshin deri në atë kohë, mbështetja e alfabetit të Shoqërisë “Bashkimi”, si dhe krijimi i vazhdueshëm i neologjizmave mbi bazën e ligjeve të zhvillimit fonetik të shqipes ishin këto detyra parësore, ku Konica dha kontribut të fuqishëm tek mori për model gjuhën frënge, gjuhën e tij të punës, të cilën ai e njihte me themel dhe e përdorte me bukuri të veçantë. Jo vetëm kaq, por ai depërtoi edhe në hershmërinë e shqipes dhe hyri në polemikë me gjuhëtarë të huaj, si rumunin Hasdieu, për të treguar se shqipja ka vendin e vet origjinal në familjen e gjuhëve indo-europiane, pa kurrfarë prejardhjeje nga dakishtja a gjuhë të tjera.

Është një mision i lartë fisnik i Konicës që zhvillimin e gjuhës ai e pa të lidhur ngushtë me hapjen e shkollave shqipe, duke e shtruar këtë çështje si kërkesë dhe nevojë urgjente për shoqërinë shqiptare, në një kohë kur administrata turke dhe loja ballkanike antishqiptare punonin për përhapjen në masë të gjerë të shkollave greke, serbe e italiane në Shqipëri, vetëm e vetëm dhe si e si që të zhdukej gjuha shqipe dhe të asimilohej kombi shqiptar. Ai bashkëpunoi ngushtë në këtë drejtim, në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, me tërë patriotët dhe rilindësit që aspironin dhe punonin për liri e pavarësi, shtypi dhe botoi abetare e libra shqipe në shtypshkronjën e tij “Përlindja e Shqipërisë”, ndër të tjera edhe Hartën e Shqipërisë, botuar për herë të parë në shqip, si dhe “Kalendarin e Maleve”, që botohet këtu për herë të parë që nga botimi i tij origjinal.

Polemist par excellence, “polemist i penës”, siç thotë ai vetë, me logjikë të rreptë, të ashpër e asgjësuese, me argumente historike, estetike, morale e shkencore, për më tepër me ironi të goditur dhe gjithë nerv e impuls të fuqishëm, Konica i shpalli luftë mediokritetit, sharlatanizmit, “turçëlisë”, mendjeve të mykura, “honxhobonxhove, xhuxhubocëve e xhixhillimëve”, krejt kopukërisë, siç cilësonte ai elementin retrograd e të prapambetur shqiptar, shërbëtorin lëpirës, puthadorasin, pështirakun, servilin, që pengonin e frenonin “me mendësi primitive” zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Polemist po ashtu në plan të jashtëm, sikurse shfaqet ai në faqet e kësaj antologjie, Konica nuk rreshti së demaskuari synimet dhe planet e shteteve fqinje për copëtimin e kufijve të Shqipërisë, duke e konsideruar çdo pëllëmbë tokë të saj të shenjtë, nuk e ndali luftën kundër propagandës antishqiptare me kancelaritë, me revista në zë të kohës, si La Revue des Deux Mondes apo me tellallë të paguar nga qarqe të huaja. “Kush të shan një herë, shaje një herë e gjysmë – A insulteur, insulteur et demi”, përdor Konica shprehjen e vjetër frënge, në kuptimin e ligjit të Talionit, dhëmbë për dhëmbë, duke i nxjerrë ujë të zi gjithkujt që shan Shqipërinë e tij apo vepron në dëm të saj. Dhe nuk mungojnë në këtë drejtim cilësimet për Turqinë europiane, duke tipizuar vetë shtetet ballkanike në mënyrë mjeshtërore: “Rumania, – e urtë”; “Greqia, – urtësuar me dajak”; “Serbia, – Mbretëri e Kafeneve të Bashkuara » ; « Bullgaria, – Principatë e Kafeneve të Bashkuara » ; “Mali i Zi, – kasolle e fshatrave malazeze » ; « Maqedonia, – shtet inekzistent me shumicë dërrmuese shqiptare » ; dhe më në fund, vetë Turqia, – shtet mongol, hordhi parahistorike e endacake e Azisë së Vogël ». Por alarmi konician për kombin shqiptar në rrezik dhe drejt zhdukjes me anë copëtimi është aleanca e sllavizmit (“sllavja tartaro-serbe-malazeze”) me “grekajën” dhe “italianajën, apo primadonën italiane”. Është e kuptueshme që, përballë këtij rreziku iminent, Konica të zgjidhte aleaten e jashtme më të sigurt për Shqipërinë, që do të ishte gjatë tërë kohës që botoi Albania-n Perandoria austro-hungareze, vetë Austria. Dhe argumentet “pse pikërisht Austria”, që derdhte “ergjendin” për çelje të shkollave shqipe dhe ndihmonte lëvizjen nacional shqiptare për autonomi e vetëvendosje janë të shumta tek Albania dhe tek epistolari i gjerë i Konicës me personalitete të larta austriake. Që më 1897 në fakt, Konica e kishte parashikuar këtë rol përkrahës e mbështetës të Austrisë në zhvillimet progresiste shqiptare, duke u lidhur me kancelarinë e Perandorisë austro-hungareze, konkretisht me baronin diplomat Zwiedinek. Ai vlerëson lidhjet tradicionale të Austrisë me Shkodrën, me shkollën franciskane, mbështetjen e saj për fenë katolike, ndihmën financiare për propagandën dhe botimet në gjuhën shqipe, si dhe kontributin e madh në fushën e gjuhësisë, historisë dhe të filologjisë nga ana e albanologëve të shquar austriakë.  

Por tehu i polemikës së tij në këtë vëllim – që ndjek tërë intrigat e vendeve ballkanike, dhe që shkon nga “grekaja”, në kuptimin “kopukëria e leadershipit grek”, te “sllavja” dhe te planet bullgare për krijimin artificial të “Maqedoninë”, në kurriz të kombit shqiptar –, do të drejtohet ashpër edhe kundër arbëreshëve apo shqiptarëve të Italisë, duke pasur parasysh lojën e tyre për mbrojtjen e interesave italiane, lojë që shkon shumë larg, deri te pretendimi për sundim të Italisë në bregun lindor të Adriatikut, për aneksim dhe “bashkim” me “Italinë çizme”. Ai godet me artileri të rëndë arbëreshët, që kërkojnë, sipas tij, të bëhen “primadona e propagandës shqiptare gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të Shqipërisë”, si dhe planet aventureske të Ricciotti Garibaldit të Riut për “Federatën ballkanike”.    

Sigurisht, Parimi i tij në polemikë, që ai e zbatoi me përpikëri është se “e vërteta është përvëluese”, se “e vërteta nuk ka nevojë për t’u shprehur me stil gjarpërues, të yndyrshëm të shkrimeve akademike”, nuk ka nevojë për gjuhë me dorashka, me spërdredhje, me lulka apo me “fryrje panaireske”, sipas fjalëve të tij. Dhe në këtë kuptim, ai shpall hapur që Albania e tij “nuk është shtëpi ku të kurvërohen të vërtetat”. Përballë akuzës “i shitur”, tek cenohet rëndë në nder – akuzë që edhe sot e kësaj dite e përdor ndonjë “xhuxh studiues” antikonician nën ndikimin e diktatit ideologjik komunist -, Konica përdor tërë fuqinë e argumentimit, logjikën e rreptë, por edhe ironinë e tij mjeshtërore për të fshikulluar denigrimin, poshtërimin dhe mediokritetin, me sulmin e tij të papërmbajtshëm verbal. “Të gjithë shqiptarët tashmë e dinë mirë se ne heqim nga goja për t’i shërbyer një ideje, për t’iu kushtuar një vepre, ku humbasim shumë dhe nuk kemi se ç’fitojmë për vetvete. Paska pra karabushë të tillë që as e ndjejnë frymën krenare të revoltës dhe të lirisë që karakterizon fund e krye revistën tonë”.

Dhe duhet thënë se polemika, politika dhe pragmatizmi janë një trinom i pashpërbërë te Konica që përshkon krejt veprën e tij si një fill i kuq, sidomos Albania-n, me aftësinë e tij të veçantë për të qenë realist e objektiv, për të kapur me nuhatje e largpamësi drejtimin e një evolucioni apo të një qëndrimi të caktuar dhe për të bërë përpjekje drejt arritjes së një zgjidhjeje të kënaqshme, tek ka përherë parasysh kompleksitetin e rrethanave, kohën e veprimit, forcat ndihmëse e aleate, etj. 

Në faqet e kësaj antologjie, me shumë interes janë, nga ana tjetër, edhe qëndrimet e Konicës ndaj fesë dhe shtetit laik, çështjet për ekonominë, sociologjinë, kulturën shqiptare, e sidomos vlerësimi që ai i bën rinisë, si e ardhmja e Shqipërisë, të cilën e sheh të lulëzuar, të dhënë pas punës e kulturës, me botëkuptim perëndimor të zhvilluar. Sepse Faik Konica, ideator i Shqipërisë moderne, ngulmoi e punoi që rruga e përparimit të kombit, me ligje dhe ekonomi të zhvilluar, me shoqëri të emancipuar e të kulturuar, të shkojë përherë paralelisht me zhvillimin dhe forcimin e shtetit me të “drejta njerëzore”, siç thotë ai për shtetin e së drejtës, me shoqëri civile e laike, me harmoni fetare, si element bashkimi i kombit, me zhdukje të krejt mentalitetit anadollak, për një botëkuptim të shëndoshë, të përparuar, perëndimor e modern. Është kjo, kërkesa koniciane me vlerë përherë aktuale, që qëndron në themel të kësaj antologjie shpalosur nën penën e tij për Shqipërinë europiane, siç e donte i dituri dhe i ndrituri Faik Konica, i pagëzuar nga Vatranët “Kampion i Përlindjes Shqiptare – Princ i Gjuhës Shqipe”.

Une image contenant texte, homme, journal, Visage humain

Le contenu généré par l’IA peut être incorrect.
Portret-i-Faik-Konices-nga-studioja-Harris-Ewing-20-gusht-1927-718x1024.jpg

Portret i Faik Konicës realizuar nga studioja

Harris Ewing 20-gusht 1927.

Portret i Faik Konicës nga piktori amerikano-polak Joseph Sigall, 1934.

Origjinali i këtij portreti ndodhet në sallën qendrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, New York.

Joseph-Sigall-portret-i-Faik-Konices-1934.jpg
Une image contenant texte, journal, Coupure de presse, Publication

Description générée automatiquement

Artikulli i parë i Faik Konicës 20 vjeçar me pseudonimin Tepeleni dhe

me titull “Shqipëria dhe Turqit” botuar në një ndër gazetat kryesore parisiane

“La Libre Parole,” më 26 dhjetor 1895.

Une image contenant texte, écriture manuscrite, calligraphie, papier

Description générée automatiquement
IMGP5209.JPG

Lazar Taçi, Ilustrim me ngjyra të ballinës së revistës “Albania”, 

përgatitur nga artisti belg Paul-Ange Nocquet, mik i ngushtë i Faik Konicës.

IMG_2209.JPG

Anastas Kostandini (Taso), Faik Konica në Boston

me kostum kombëtar, pastel 2015.

Une image contenant dessin, Visage humain, affiche, peinture

Description générée automatiquement

Faik Konica është zbuluesi i flamurit të Skënderbeut.

Une image contenant texte, livre, papier, Produit en papier

Description générée automatiquement
Une image contenant texte, croquis, écriture manuscrite, lettre

Description générée automatiquement

Kartë postale e botuar nga Faik Konica.

dërguar Mis Edith Durham, e konsideruar nga shqiptarët si

“Mbretëresha e Maleve të Shqipërisë”.

Kartë-postalja është zbuluar në Arkivat e Londrës

nga studiuesi Bejtullah Destani.

Une image contenant texte, capture d’écran

Description générée automatiquement
Une image contenant texte, journal, Police, Coupure de presse

Description générée automatiquement

Albania e Vogël, 1899-1903, gazetë shoqëruese e revistës Albania. 

Nr. 19 i saj, 15 Tetor 1900, doli me dy tituj: “Shqipnia” a “Albania e Vogël”

dhe botoi Thirrjen e parë të Ismail Qemalit drejtuar kombit shqiptar.

IMGP3695.JPG
Une image contenant texte

Description générée automatiquement

Ballina e librit “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale 

të Faik Konicës, alias Pyrrhus  Bardyli, Bruksel, 1904. Fotomontazh. 

Une image contenant texte, capture d’écran, conception, art

Description générée automatiquement
ballina ese per gjuhet me dedikim.jpg

Ballina e librit “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale 

të Faik Konicës, alias Pyrrhus  Bardyli, Bruksel, 1904.  

Une image contenant Visage humain, homme, portrait, Front

Description générée automatiquement
Une image contenant Visage humain, texte, homme, écriture manuscrite

Description générée automatiquement

Foto e viteve 1912-1913.

sc per expo.jpg
Une image contenant peinture, habits, Visage humain, personne

Description générée automatiquement
1465.jpg
Une image contenant peinture, Visage humain, portrait, dessin

Description générée automatiquement
IMG_3718 (1).JPG
Une image contenant texte, affiche, livre

Description générée automatiquement

Dy romane të Faik Konicës, “Martesa e Lejlës dhe “Sotiri e Mitka”, 

shkruar më 1909 dhe botuar më 1911 në Paris nga Aladro Kastrioti. 

Zbuluar e studiuar në dhjetor 2011 dhe botuar për herë të parë 

në nëntor 2016, nga F. Andrea.  

Une image contenant texte, lettre, écriture manuscrite, fournitures de bureau

Description générée automatiquement
2016-08-18-10-16-22-01.jpg
Une image contenant habits, plein air, personne, groupe

Description générée automatiquement

Fan S. Noli, Sotir Peci, Kristo Kirka rrethuar nga bashkëpatriotët, Boston 1908.

Une image contenant habits, personne, Visage humain, gentleman

Description générée automatiquement
Une image contenant Emblème, texte, mammifère

Description générée automatiquement
Une image contenant texte, dessin, carte, Gravure

Description générée automatiquement
Une image contenant chaussures, dessin, croquis, habits

Description générée automatiquement
Une image contenant personne, Visage humain, homme, écriture manuscrite

Description générée automatiquement

Misioni historik i Vatrës fillon me themelimin e saj, me 31 Mars 1912. Faik Konica dhe Kristo Floqi punuan për hartimin e Kanunores dhe Rregullores

të Federatës Panshqiptare të Vatrës.

Une image contenant texte, affiche

Description générée automatiquement
Une image contenant texte, habits, affiche, funérailles

Description générée automatiquement

Delegacioni shqiptar në Kongresin e Triestes, mars, 1913. Faik Konica pas Flamurtarit.

Purje nga Aurel Kaculini, Botimet Jozef, Durrës, 2015.

Une image contenant habits, personne, bâtiment, école

Description générée automatiquement
Une image contenant habits, homme, chaussures, personne

Description générée automatiquement
Une image contenant habits, intérieur, personne, hall

Description générée automatiquement

Vatranë, vitet 1920.

Delegatë të Kuvendit të Vatrës më 1926.

Në mes të këtyre delegatëve ndodhet fotografi me famë botërore shqiptari Gjon Mili

i cili e ka shkruar këtu emrin e tij “John Toti Mili”. Në bazë të kujtimeve të

 tij, Faik Konica i propozoi në këtë kohë të ruante emrin e tij të origjinës “Gjon” 

dhe sot ai njihet me këtë emër: “Gjon Mili”. 

Kujtojmë se “Gjoni i Krujës” është edhe edhe vetë pseudonimi i Faik Konicës

te dy romanet e tij në frëngjisht ” Marttesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”, 1909.

IMG_3138 (1).JPG
Une image contenant livre, croquis, dessin, texte

Description générée automatiquement

Faik Konica në bibliotekën e tij në Mayflower, prill 1939.

Une image contenant grave, cimetière, texte, pierre tombale

Description générée automatiquement
Une image contenant arbre, plein air, Visage humain, statue

Description générée automatiquement

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT