
Paulin Zefi/
Sikurse del nga veprat e jetëshkruesve klasikë dhe atyre më të vonë, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhej, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut rrallë herë e humbiste gjakftohtësinë, por gjithmonë tregohej shumë i matur. Kurrë nuk i braktiste ushtarët e vet të plagosur në fushën e betejës, por gjithmonë kujdesej për ta dhe pas përfundimit të çdo beteje, ai hynte nëpër tenda, sepse donte të shihte personalisht plagët e rënda, të ishte i pranishëm kur realizoheshin ndërhyrje kirurgjikale dhe të monitoronte vazhdimisht procesin e trajtimit mjekësor (1). Asokohe, në qytetet dhe malësitë tona kishte “mjekë”, që dinin të mjekonin plagët e armëve, por edhe të shëronin sëmundje të ndryshme (2). Bie fjala, mjeku i parë nga Kosova, që përmendet në burimet mesjetare raguzane që në vitin 1349 është njëfarë, Milicius de Presarin (Milo i Prizrenit), i cili është marrë me kirurgji, përkatësisht me urologji (3). Në kohët e hershme, në fshatin Karmë të Shkodrës (midis Vaut të Dejës, Komanit e Shllakut) ishin të njohur kirurgët popullorë të familjes, “Mjekaj”; në Ungrej të Kashnjetit (Lezhë) ata të familjes “Mjeku (4)” dhe po ashtu, familja “Mjeku” në Malaj të Mirditës (5). Shërues popullorë të tillë kishte edhe në Krujë, Kurbin, Mat, Dibër, Elbasan, Prizren etj. (6). Po ashtu, në vendin tonë, gjatë Mesjetës së Vonë kanë ekzistuar edhe institucione për kujdesin shëndetësor, ku garantohej trajtimi i pacientit nga një personel i specializuar, pra spitale të moçme, të cilët, njësoj si në vendet e tjera të Europës u ndërtuan kryesisht pranë kuvendeve dhe manastireve (7). Gjatë Mesjetës, në Perëndim, mjekësia ishte shumë e varur nga Kisha Katolike, e cila drejtonte spitale, azile, kolonitë lebroze dhe rregullonte mësimdhënien në universitete (. Në këtë periudhë, spitalet ruanin lidhjen simbolike dhe materiale me Kishën dhe Doktrinën e Krishterë, bazuar në idenë se trupi dhe shpirti ishin të lidhur ngushtë dhe të ndikuar reciprokisht. Prandaj, mjekët refuzonin të trajtonin pacientë që nuk kishin bërë një rrëfim, pasi sakramenti i rrëfimit e pastronte shpirtin nga mëkatet (9). Mjekët ishin murgj dhe nëpërmjet praktikimit të mjekësisë nëpër manastire ata lehtësonin mjerimin njerëzor (10). Shërbimi mjekësor ofrohej falas, sepse gjithçka lidhej me bamirësinë. Kjo bëhej konform mësimeve të dy Etërve të mëdhenj të Kishës, Shën Agustinit dhe Shën Ambrozit, të cilët predikonin detyrimin e kujdesit shëndetësor ndaj të sëmurëve (11). Duke qenë se spitalet ndodheshin pranë manastireve, ata shpesh imitonin manastiret. Pacientëve u kërkohej herë pas here të ndiqnin rregullat e manastirit dhe disa spitale pranonin 12 pacientë meshkuj, duke ju referuar në mënyrë të qartë 12 Apostujve të Jezu Krishtit (12). Ndërtimi dhe mënyra e organizimit të spitaleve të moçme në Arbëri gjatë Mesjetës së Vonë u bë sipas dy modeleve, atij me ndikim bizantin ose lindor dhe atij me ndikim të fortë italian ose perëndimor. Kjo kushtëzohej nga vetë pozicioni gjeografik i vendit tonë, midis Lindjes dhe Perëndimit. Gjatë viteve 1327-1335, u ndërtua Spitali i Deçanit (ku trajtoheshin të sëmurët nga epilepsia, tuberkulozi, reumatizmi dhe leproza), më vonë Spitali i Prizrenit dhe Spitali i Artanës/Novobërdës, por gjithashtu në disa burime të shek. XIV ndeshim edhe gjurmët e para të dokumentuara për zhvillimin e farmacisë, kur në vitet 1339-1340 në Prishtinë përmendet farmacisti i shquar i kohës, Zanini (13). Burimet e kohës dëshmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për ekzistencën e një numri të konsiderueshëm spitalesh dhe të disa prej barnatoreve ose farmacive të para në Arbëri në qytetet e Albania Veneta, si: Shkodra, Durrësi, Lezha, Drishti, Ulqini, Tivari, Budva dhe Kotorri. Vetëm brenda mureve të qytetit të Kotorrit kishte 3 spitale, të cilët ishin: “Hospitale S. Crucis (Spitali i Kryqit të Shenjtë)”, “Hospitale Spiritus Sancti (Spitali i Shpirtit të Shenjtë)”, që u shërbenin të varfërve (pauperum) dhe “Hospitale S. Lazari (Spitali i Shën Lazrit)”, i cili shërbente posaçërisht për trajtimin e lebrozëve, pra një Leprosarium i mirëfilltë, dhe që përmendet për herë të parë në burimet e shkruara në vitin 1431 (14). Nga ana tjetër, janë vetë statutet e disa prej qyteteve të lulëzuara të Arbërisë Veneciane, që dëshmojë në mënyrë të qartë kulturën e lartë shëndetësore që ekzistonte, jo vetëm nëpër manastire, por edhe jashtë tyre, në qytetet mesjetare arbëre. Në disa prej këtyre statuteve përfshihen rregullore që tregojnë një shqetësim për shëndetin e publikut, ku ndalohet shitja e peshkut jashtë tezgave të tregut të peshkut, ndalohet shitja e kafshëve të ngordhura apo shitja e mishit të qenit në vend të mishit të dhenve, ka rregullore për mbrojtjen e pastërtisë së rrugëve, kanalizimeve, puseve, përrenjve e lumenjve dhe çdo shkelës penalizohej me gjobë ose me ndëshkim trupor (15). Pra, të gjitha këto evidenca, që i ndeshim te statutet e qyteteve arbëre, hedhin poshtë mendimin e përgjithshëm se gjatë Mesjetës qytetet kanë qenë shumë të ndotur. Ndërsa, përsa i përket Mjekësisë duhet të theksoj se asokohe, shtetet italike kanë qenë lider në këtë fushë, siç kemi edhe sot Italinë. Që në shek. XI, në qytetin Salerno, në bashkëpunim me Manastirin e Monte Casino, u themelua shkolla e mjekësisë (Universiteti) ose qendra më e madhe e studimit dhe e mësimit në Botën e Krishterë, e cila u vu në krye të rilindjes së mjekësisë në Europë (16). Të gjithë universitetet dhe shkollat mjekësore u krijuan fillimisht në Itali dhe më pas u zhvilluan nëpër vende të tjera të Europës. Kjo është arsyeja pse pjesa më e madhe e mjekëve më të njohur gjatë Mesjetës së Vonë kanë dalë nga Universitetet italiane, po ashtu edhe spitalet dhe farmacitë më të njohura në Arbëri janë themeluar kryesisht në qytetet e Arbërisë Veneciane. Nga hulumtimet e medievistit të shquar shqiptar, J.Drançolli, së fundmi mësojmë edhe një fakt tjetër shumë interesant, i cili mbart një rëndësi të veçantë. Duke u mbështetur në dokumentet zyrtare të ruajtura në Arkivin Shtetëror të Padovës dhe Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, ai flet pikërisht për mjekun personal të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ishte “Gjergj Spani”, pjesëtar i familjes së njohur bujare dhe princërore të Arbërisë, që pasi mori doktoraturën në shkencat mjekësore në Universitetin e Padovës, në Itali, u bë i njohur si mjek dhe bibliofil mjekësor jo vetëm në Padova, por edhe në Piove di Sacco, pranë Padovës, një qendër e njohur edhe sot për mjekësinë moderne (17). Pra, me pak fjalë, pranë Kryeheroit shërbente një mjek arbër i specializuar në njërin prej institucioneve arsimore më të shkëlqyer të Europës Perëndimore.
BIBLIOGRAFIA:
1) G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 43.
2) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.
3) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445-446.
4) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.
5) P.Doçi, Prejardhja e familjeve princore, f. 79-81.
6) N.Dedaj, Skënderbeu bashkëkohës: Sprovë publicistike, f. 72.
7) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445.
8)A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 75.
9) T.Buklijaš, Medicine and Society in the Medieval Hospital, në: Croatian Medical Journal, 49:2, April 2008, f. 151-154.
10) A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 76.
11) Ibidem, f. 76.
12) T.Buklijaš, Medicine and Society in the Medieval Hospital, në: Croatian Medical Journal, 49:2, April 2008, f. 151-154.
13) J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 445-446.
14) V.Živković, Sacral Topography, Charity and Hospitals in Late Medieval Kotor, në: Tracing Hospital Boundaries: Integration and Segregation in Southeastern Europe and Beyond, 1050-1970, Chapter 9, (Volume Editors: Jane L. Stevens Crawshaw, Irena Benyovsky Latin and Kathleen Vongsathorn), Brill, 2020, f. 193–212.
15) G.Milović-Karić & Đ.Milović, Tragovi zdravstvene kulture u srednjovjekovnome budvanskom statutu, në: Acta Med. Hist. Adriat., 8 (2), 2010, f. 261-266.
16) A.Gudha, Historia e Mjekësisë, e ilustruar, f. 77-78.
17) Më gjerësisht shih J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 447-450.
Nga: Paulin Zefi.
Lezhë, më dt. 13.03.2025.