• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A është e gatshme VMRO-ja e Nikolla Gruevskit “të vdesë” pa kundërshtuar?

February 2, 2017 by dgreca

1 bardhyl_mahmuti

Nga Bardhyl Mahmuti/

Pas dështimit të Nikolla Gruevskit për ta formuar qeverinë, shumëkush mendonte se do t’i jepej mandati LSDM-së, si forcë e dytë parlamentare për nga numri i mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit. Në prononcimet e mia lidhur me këtë çështje në një intervistë ekskluzive për gazetën “Epoka e re” unë kam shprehur skepticizëm sa i përket mundësisë për t’ia dhënë mandatin LSDM-së dhe nuk përjashtova as mundësinë që Gjorgje Ivanovi t’i jep një mandat të dytë VMRO-s.

Gjatë tërë ditës së djeshme Presidenti i Maqedonisë pati konsultime me shumicën e forcave politike parlamentare. Pas takimit me Presidentin e Maqedonisë, Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se kishte shkuar të merrte mandatin, por presidenti nuk ia dha. Nëse vërtetë ai ka besuar se Gjorgje Ivanovi do t’ia jepte mandatin atëherë Zoran Zaev bën publik naivitetin e vet. Për mendimin tim, “MOS-VENDIMI” i Gjorgje Ivanovit për t’i dhënë mandatin LSDM-së është VENDIM që t’i jepet VMRO-së një mandat i dytë për të bërë përpjekje që të sigurojë numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë. Konstatimi i tillë del qartë nga deklarata e Ivanovit “se mandat për formimin e Qeverisë së re do të marrë partia ose koalicioni i cili do të më informoj dhe dëshmojë se ka siguruar shumicë në Parlament”. Prandaj, ky VENDIM i Ivanovit është kohë shtesë për Nikolla Gruevskin që të vazhdojë me përpjekjet për formimin e qeverisë.

Por, situata e krijuar nga kjo formë e vendimit të Gjorgje Ivanovit shtron dilema të shumta. Ajo që më së shumti shfaqet si preokupim ka të bëjë me çështjen nëse LSDM-ja do të mundet të sigurojë “mbledhjen e numrave” të nevojshëm për krijimin e qeverisë dhe në rast se përgjigja do të ishte pozitive cili do të ishte qëndrimi i VMRO-së. Me një fjalë a mund të mendohet që VMRO-ja të pranojë të mbetet jashtë pushtetit.

Secili njeri që ka përcjellë zhvillimet politike në Maqedoni e di fare mirë se VMRO-ja është forca politike që përfaqëson ideologjinë e vjetër, politikën urrejtjes ndërnacionale dhe të ekskluzivitetit etnik. Si mishërim i të vjetrës, ajo bën përpjekjet maksimale për të mbijetuar, aq më tepër kur përfaqëson forcën politike më të madhe në Maqedoni. Kalimi nga kjo gjendje në një gjendje të re që do të ishte në përputhje më frymën demokratike të institucioneve euro-atlantike mund të jetë vetëm si rezultat i luftës që duhet të zhvillohet në mes pikëpamjeve të reja me ato të vjetrat. Përgjigjen nëse VMRO-ja do të pranonte një rirreshtim eventual të forcave politike për të qeverisur me vendin në përputhje me prioritetet që shtrohen për Maqedoninë e gjejmë në thënien e Hegelit. Kur flet për ndryshimet rrënjësore në shoqëri ky filozof gjerman thekson se kalimi nga e vjetra në diçka të re mund të bëhet në dy forma: në mënyrë paqësore, kur e vjetra është e vetëdijshme se duhet të vdesë pa kundërshtuar, dhe në mënyrë të dhunshme, kur e vjetra nuk pranon të vdes pa kundërshtuar… Kjo thënie e Hegelit i jep mundësi secilit lexues të mendojë nëse VMRO-ja e Nikolla Gruevskit është e gatshme “të vdesë” pa kundërshtuar dhe t’ua lëshojë vendin qasjeve të reja. Unë kam bindjen e fortë se VMRO-ja, si forcë kriminale që shndërroi edhe shtetin në shtet kriminal, do të bëjë të gjitha përpjekjet përmes strukturave që i kontrollon për të mbetur në lojë. Për këtë arsye, edhe në rast se LSDM-ja pranon kërkesat e partive politike shqiptare të shtruara në deklaratën e përbashkët dhe krijojnë mazhorancën parlamentare, nuk besoj se gjërat do të zhvillohen aq lehtë. Nuk e përjashtoj mundësinë që Presidenti i Maqedonisë, i cili nuk është asgjë tjetër pos marionetë e Nikolla Gruevskit, të krijojë kushtet për shpërndarjen e parlamentit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Për këtë arsye shqiptarët duhet të jenë unik rreth objektivave strategjike të shtruara në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë. Krahas unitetit të nevojshëm vigjilenca është e domosdoshme sepse të gjithë ata që kanë interes që partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni të bëhen copa në mes veti nxisin mosbesimin dhe përçarjen mes tyre. Fatkeqësisht disa funksionarë të strukturave udhëheqëse të partive nënshkruese të marrëveshjes së 7 janarit 2017 lëshojnë akuza të rënda kundër njëri-tjetrit. Veprimet e tilla janë shumë të dëmshme, sepse pasojat e përçarjes do t’i ndjejmë të gjithë mbi kurrizin tonë.

2 shkurt 2017

Filed Under: Politike Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Nikolla Gruevski, VMRO

APEL NGA SHBA PËR TË PËRNDJEKURIT POLITIKË

January 31, 2017 by dgreca

APEL DREJTUAR KRYETARËVE TË TË PËRNDJEKURVE POLITIKË  LIDHUR ME  PARTINE E RE ALEANCA POPULLORE PER DEMOKRACI/
NGA LORO STAJKA, SHBA/
2 Partia Aleanca Popullore per Demokraci1 Partia Aleanca Popull per Demokraci
Ne foto:Nga takimi i pare i Partise Aleanca Popullore Per Demokraci/
Quhem Loro Stajka , jam lind ne Shirokë të Shkodrës, por sot jetoj Virginia USA. Shkaku i largimit tim nga vendlindja ishte moslejimi dhe rreziku u burgimit nga shfaqja e mendimit te lire, që imponoi rregjimi sllavokomunist i Enver Hoxhës pas luftes se dyte Botnore. Kjo situatë, me luftë e përpjekje më detyroj të arratisem nga vendi im. Në vitin 1954, prona ime u konfiskua pasi konsiderohesha “armik i klasës” Ne Arkivin e Shtetit kam gjet te gjitha dokumentat e prones shtëpisë ku kam lind dhe baçes rreth saj që më grabiti diktatura. E keqja eshte se prej vitit 1993 që kam filluar procedurat për kthimin e pronës.akoma nuk kam perfundu gjyqet që shteti të më kthejë pronën time, veprim që mund të ishte ba menjëherë që në vitin 1991 apo 1992, por nuk ka asnji vështirësi që të bahet në çdo kohë edhe sot, por mungon deshira e politikanëve. Demokracia fillon tek prona private dhe në Shqipëri ka liri fjale dhe organizimi por akoma nuk ka demokraci. Besoj se vlerësmin për kthimin e pronës njëlloj si unë e kanë të gjithë të përndjekurit dhe i gjithë populli. Shteti ka gabuar me pronarët deklaroi në 2013 Sali Berisha por Edi Rama po vazhdon  në rugën e gabuar.
Në gazetën Dielli dt 28 Janar 2017 lexova dhe më ngjalli interes të vaçantë shkrimi me titull “Kuvend kombëtar me të përndjekurit politikë- A DO TE DENOHET ENVER HOXHA? Shkrimi ishte deklaratë e tre subjekteve 1. Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë 2. Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Përndjekurve Politikë. 3. Shoqata e të Përndjekurve Politikë Shkodër. 
Unë jetoj larg dhe nuk di në sa pjesë janë ndarë të përndjekurit sot. Dij të them se mbas rrëzimit të bustit të dikatorit erdha në Shqipëri, dhe me shokë e miq u përpoqëm të organizonim nje parti të djathtë. Shpenzuam mund, kohe dhe fonde por na sabotuan demokratet fallco që ishin spiunët që nxirrnin lloj lloj pengese dhe përfundimisht  dështuam.
Në deklaratën e botuar në Dielli është e drejtë kur thuhet se: “Të përndjekurit politikë jo  të  gjithë kanë të njejtin ideal. Midis tyre ka të djathtë dhe të majtë, ka demokratë, republikanë, liberalë, ballistë, monarkistë, socialist, social-demokratë, madje edhe komunistë”  po kjo është ma se e vërtetë,, por qoftë i majti apo i djathti,  kthimin e pronës së grabitur tek i zoti nuk duhet ta kundështoje askush përveç atij që i pëlqen buka e vjedhur dhe hajnia. . 
Dëshiroj ti drejtoj  thirje kryetarëve të tre subjekteve që kanë shpreh shqetësim për këtë forcë politike:Ndoshta edhe me te drejte se partite kan bijt si fara e hithave, e shi per kete duhet   kujdes nga përçarja qe eshte krijuar nga ish sigurimi.  I drejtohem gjithashtu dhe të gjithë  bashkëvujtesve dhe bashkëatdhetarë të mij kudo që jetojnë, me bindjen qe  kjo Parti e re  të mbështete jo vetëm nga të gjithë ju të përndjekurit që vazhdoni të ndarë e të përçarë në disa shoqata , por mbështetja duhet nga te gjithë shteresat që në këto 25 vjet u keqperdoren  nga forcat politike qe krijoi Ramiz Alia. “United we stand, divided we fall”
Ju që kryesoni shoqatat e të përndjekuve  duhet ti sherbeni kompaktesimit dhe t’a shmangni përçarjen e të përndjekurve në disa shoqata. Të përndjekurit dhe pronarët nuk mund të rrinë nën sqetullën e partive te Katovices. Pa dyshim që 5 kërkesat që ju shtroni në deklaratën tuaj, por edhe të tjera kërkesa që përputhen me Kushtetutën dhe praktikat ndërkombëtare nuk mund të kundërshtohen nga asnnjë forcë politike që pretendon te punojë për çrrëjosjen e komunizmit. Menoj se kjo parti e re që ashtë shpallë me datën 28 Janar 2017, ka mangesi, por fakti se ju e keni parapri në po kete datë me këtë shkrim në gazete, nuk i sherben të përndjekurve dhe as shoqërisë shqiptare.  Nëse këto pika nuk janë ato duhet të shtohen në program. Vetëm nëse programi nuk përmban pronën dhe të përndjekurit ose nuk asht e qartë për këto pika themelore ajo parti nuk duhet të mbeshtetet .Veglat e Ramiz Alise morren pushtetin në 1991  mashtruan me fjalë për demokraci por realizuan Katovicën. Kujdes, ju lutem mos te luajm me dhimjet dhe me plagët e popullit. Mos krijoni sherre e perçarnje, “United we stand divided we fall”boll ka vuajtur ai popull, mbas 54 vjet regjim komunist i krijuar dhe drejtuar nga agjentura serbe, dhe që po vazhdon me 25 korrupsion ku shqiptarët po vjedhin dhe përvetesojnë pronat e njani tjetrit. Nuk asht justifikim se ashtu i hartoi ligjet Ramiz Alia. Përgjegjesi historike kanë dhe të gjithë kryetarët e partive politike që kane qenë te përfaqesuara ne Kuvendin e Shqipërisë në këto 25 vjet 
Kam bindje të plotë se ju që jeni kryetarë të shoqatave që e kundërshtoni kët Parti të re,  nuk keni pengesa që të ndikoni në permirësimin e programit me verejtjet tuaja që kjo Parti te jetë sa ma e dobishme jo vetem per shtresen e të përndjekurve, por per te gjithe shqiptarët ?.Veç programit sugjeroj që ju dhe Partia e re të afroni rreth vetes intelektuale te paster te panjollosun qe femijet shqiptarë të rriten ne demokraci. Nëse kryetari apokushdo tjetër është I njollosur apo nuk është I afte me zbatu programin, propozoni ma te mirin. 
Uroj që ne që jetojmë në emigracion dhe ju që jetoni në atdhe, te mos mbetemi te zhgenjyer si nga ju dhe as nga Partia e porsa formuar të cilës i uroj sukses.

Filed Under: Politike Tagged With: apel, Loro Stajka, Partia e Aleances Popullore, per Demokraci, te perndjekurit

PSE S’PËRPAROJNË SHOQËRITË SHQIPTARE ?

January 30, 2017 by dgreca

Nga Sotir GJIKA*/

 PSE  S’PËRPAROJNË  SHOQËRITË  SHQIPTARE ?- Nën këtë titull z. Faik Konitza, te N. 51 i DIELLIT, në kryeartikullin e javës thoshte :  “Që më 1896 e deri më 1910 kam parë disa dyzina Shoqërish Shqiptare të lindin, të vikasin, të rriten pakë dhe të vdesin. Shumë herë kam pyetur vetveten : vallë pse s’rrojnë – edhe kur rrojnë vallë pse s’përparojnë?”

“Pa dyshim një nga shkaqet e para është karakteri i shqiptarëvet, të cilët individualistë të mësuar të rrojnë e të veprojnë veç e veç, nuk janë të zotët të lidhen për një qëllim të përbashkët, të dëgjojnë dhe të pyesin njëri tjetrin. Shoqërimet janë të rralla në historinë tonë ; edhe kur kanë ngjarë, i ka bërë nevoja e çastit, e cila, posa shkoi ka zgjidhur edhe lidhjen. Merrni pak me mënd ku do t’ishim sot, sa do të kish përparuar Shqiptarësia, sikur Lidhja e Madhe e vitit 1879, e shkaktuar nga Kongresi i Berlinit (shihni DIELLIN N. 31, faqe 1) dhe e trajtuar nga Hodo beg Bushatllia me Kapidanin e Mirditës Prenk Pashën – të kish mbetur, qoftë fshehtazi, qoftë jashtë, të kish qënë e organizuar, të kish punuar dhe të rronte deri në ditë të sotme!”

Pasi zhvillon virtutërisht mos rritjen dhe mos rregullimin e shqiptarëve, në pikpamje Lidhje ose Shoqërie, hedh dritë mbi më të mëdhenjtë lajthime që bëjnë shqiptarët, duke i hapur dyert e Shoqërive çdo njeriu, të cilin pa e peshuar sa derhem vjen, i lëshojnë dhe vëndin e kryesisë!….. Dhe përfundon duke thënë :

“Dhe mos pakësoni me të pa drejtë vlerën e fjalëve aë them, duke besuar se janë mendime të lindura nga zemërimi i çastit. Jo. Këto fjalë i kam thënë disa herë te ALBANIA. Nuk mbahen Shoqëritë me demënte të turbullta në krye. S’godit njeri. Flas përgjithësisht. Heq një mësim. Blatoj një konkluzje për fitim të shqiptarëvet, të vetmit që mund të kenë dhimbje për Shqipërinë”.

Të pëlqyera sa edhe diturake janë këta mendimet, prandaj u erdhi koha sot që t’i përsërisim, duke marrë shkak nga bashkimi që po mundohemi të goditim ne, shqiptarët e Shteteve të Bashkuara. Shpesh lindet një pyetje : pse nuk përfundoi bashkimi që prisnim më 24 të Shën Ndreut? Pseja është kjo : cilido shqiptar që gëzon shtetin e udhëheqjes, ose që ka ato pretenca, ka bërë një parti më vete të tij, për të mos i humbur titulli i shkretë! Gjithashtu dhe Shoqëritë kanë secila zyrtarët e tyre, të cilët dhe ata s’duan të humbasin titujt!!

Me këto sisteme ndarëse dhe të padobishme, duke vepruar shqiptarët, s’kanë mundur kurrë, me shërbimet e tyre të plota, të sjellin atë pemën e bukshime, sepse sëmundja e titujve i ka shtyrë gjithmonë të punojnë edhe kundra qëllimit të tyre ; fjala bie kur shohin që u rrezikohet shteti që përmëndëm. Historia e jetës sonë rrëfen pa masë të këtilla ngjarje, të cilat na kanë sjellë dëme të mëdha për popullin tonë. Prandaj duhet të kemi bindje se ndryshe e kemi pisk.

Le të flasim tani për bashkimin, shkaqet e të cilit që nuk u krye, janë pa dyshim fjalët që thashë më sipër, se përvumjet e igjetëvet shqiptarë në mbledhjen e madhe të Bostonit u rrëfyen fare të pa zemërta, të turbullta dhe etja për bashkim fare e shuar. Shoqëritë heshtën, një heshtje e thellë! Rrëfyen një ironi të madhështuar, përveç dy a treve të cilat u shfaqën për bashkim.

Nuk jemi të shumtë të themi që cilado Shoqëri dhe cilido udhëheqës me adhuronjësit e tyre që s’kanë edhe ata mendimet e tyre për   të mirën e atdheut, po mendimet, or zotërinj  të dashur, të secilit lipset të shpallen, të shfaqen në dritë, të vihen në bisedim tek të gjithë opozicionet, që kësisoj të zgjidhet një më i miri, i pëlqyer prej të gjithë partivet, se koha më s’na pret për të vepruar ndarësisht.

Kur shohim që, në gjithë këtë periudhë të gjatë pune, Shoqëritë tona lindin, vikasin rriten dhe vdesin, pse nuk bëjmë një të fortë e jetëgjatë ? Përgjigja e kësaj është e thjeshtë : s’duam, s’na le egoizmi, na mbyt nakari. Më 1910, kur grekët bënë kryengritjen në Gudi për veprën e përmirësimit dhiato anorthotikon ergon, që u vu në pushtet diplomati kretas z. Venizello, ana e opozitës, Theotakasit, Mavromihalasit, Balazit etj. i mbyti nakari dhe s’dinin se ç’të përdornin, sa i vunë dhe dinamit në hekurudhë, që t’a shuanin fare prej faqes së dheut burrin e shtetit, të vetmin diplomat të Greqisë. Për fat të zi këto sëmundje mushkëringrënëse i kemi parë dhe i shohim në rreth tonë!

Po, o udhëheqësit e Shqipërisë së mjerë, ju betojmë për emrin e shtrenjtë të Shqipërisë, flakini tej mëritë e veçanta personale që ushqeni për njëri tjetrin, përpara bashkimit shpëtimtar s’ka gjë më të fitimshme për juve. Populli tërë shpresat i ka hedhur mbi ju dhe po pret  me padurim lajmin gazmor të BASHKIMIT TË FORTË. Vëllezërit tanë, shqiptarët, në Shqipëri e gjetkë, i ka mbytur lumturia, që kur dëgjojnë për bashkimin e shqiptarëve t’Amerikës dhe armiqtë i zuri data e belaja. Mos u trembni, as mos jeni aspak në dyshim për titujt, se ju sigurojmë që populli u zgjua nga letargjia e gjatë dhe ata patriotë që meritojnë shtet të lartë i njeh, i nderon, i respekton dhe s’i largon kurrë nga tryeza.

*(U botua ne Dielli, 25 Janar 1912 me pseudonimin-SHKËMBI I MBLETËS)

Southbridge, Mass., 25 janar 1912

 

Filed Under: Politike Tagged With: PSE S’PËRPAROJNË, SHOQËRITË SHQIPTARE ?, Sotir Gjika

Ylli Manjani dhe Rilindja rumpalle alla Qosje!

January 30, 2017 by dgreca

Nga  Enver Bytyçi/Dita e parë e javës u hap me një lajm përmbyllës në fund të një odeseje akuzash e kundërakuzash në kampin e Rilindjes: Shkarkohet ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Akuza: Ka folur pa lejen e Endri Fugës, dmth të Padishahut, Sulltan Aladin Edi Rama! Ylli Manjanin e zevendëson Petrit Vasili. Kështu një mjek do ta shërojë drejtësinë e sëmurë, sepse juristi Manjani nuk ishte “i aftë” ta bënte këtë!!! Megjithatë u vu në krye të dikasterit të drejtësisë një kritik tjetër i spikatur i qeverisë Rama! Dhe nuk u shkarkua ai që tronditi në themel aleancën rilindase, ministri i Mjedisit, Lefter Koka! Ilir Meta priti në zyrë mëngjesin e sotëm kreun e ekzekutivit, zotin Rama, dhe pranoi ultimatumin e tij: “Ose shkarkohet Ylli Manjani, ose largohuni nga koalicioni”! Vënia para kësaj alternative e vështirësoi pozicionin e kreut të LSI-së, ndërkohë që ai dha sinjalet e një tërheqjeje që të shtunën, kur kërkoi të ulen tensionet retorike e të “bëhet me shumë punë”. Vetë i kishte nxitur vartësit e tij në qeveri të ngrinin tonet dhe ta telendisnin qeverisjen e zotit Rama dhe po vetë u tërhoq, përkohësisht ose jo, megjithhatë me “bisht nën shalë”. Ilir Meta në mënyrë të pazakontë u vu nën qizmen e Edi Ramës, madje për një ministër, të cilin e dërgoi aty pikërisht për kundërpeshë me aleatin e tij. U duk se debati i nisur para dy javësh do të përfundonte me një divorc të PS-së dhe LSI-së dhe vendi do të shkonte kështu në 45 ditë në zgjedhje të reja, ndoshta me një qeveri ekspertësh ose teknike. Në fakt epilogu i betejës kalorsiake midis dy kokave të qeverisjes përfundoi me prerjen e njërës prej tyre, “të kokës më të vogël”. Shumë njerëz kanë shtruar sot pyetjen se kush fitoi dhe kush humbi në këtë spektakël politik unikal në llojin e vet. Nga pikëpamja politike fitoi kryeministri Rama. Ai provokoi dhe e vuri nën gjunjë aleatin “e fuqishëm” në koalicion. Ju deshën vetëm 45 minuta të qëndronte në ring, jo më shumë. Pas 45 minutash ngriti flamurin e fitores. Humbi kreu i LSI-së, zoti Meta, qoftë dhe përkohësisht! Ndërsa çmimin më të madh nga të tilla lojëra politike duket se do ta paguajnë shqiptarët. Bazuar në deklaratën e ministrit të shkarkuar, zotit Manjani, shqiptarët do të paguajnë dhomat luksoze të hotelit të Balilit, ku ministrat e Ramës bëjnë orgji me paratë e shqiptarëve! Qytetarët e këtij vendi do të paguajnë, gjithnjë sipas zotit Manjani, korrupsionin që bëhet në tavolinën ovale të zbukuruar me flamurin kuq e zi e në sfond portretin e Ismail Qemalit të qeverisë shqiptare, ku votohen vendime korruptive, ku favorizohen bizneset e miqve të kryeministrit e kështu me radhë. Ndërsa fatura e korrupsionit nën tavolinë është shumëfish më e lartë. Ne do të paguajmë kufizimin pa limit të demokracisë, transparencës dhe fjalës së lirë, sepse gardiani i tyre do të vazhdojë të jetë kryeministri Rama dhe shefi i tij i kabinetit, Endri Fuga, I ngarkuar gjithashtu të vëzhgojë shpërndarjen e parave për NGO-të që i bëjnë fresk qeverisë në fushatë zgjedhore! Ne do të paguajmë në votime investimin që qeveria ka bërë dhe bën për përhapjen e kultivimit dhe trafikut të drogave! Ne do të paguajmë kështu rilindjen e diktaturës, të diskriminimit, të dhunës, të luftës për mbijetesë, atë rilindje, të cilën Rexhep Qosja ia kumtoi zotit Rama që kur ky i fundit ishte në opozitë, me qëllim që t’i nënshtronte, përdhunonte dhe poshtëronte shqiptarët! Po jo vetëm kaq. Zoti Manjani u tha shqiptarëve se qeveria Rama është një qeveri e kapur nga mafia dhe një qeveri mafioze është kostoja më e lartë e një kombi. Ai u shkarkua nga detyra menjëherë pasi kërkoi arrestimin e Balilit, që do të thotë se ministrat në këtë vend i emëron dhe shkarkon eskobari, kreu i mafies ballkanike e shqiptare, jo kryeministri i vendit, që do të thotë se ekzekutivin shqiptar e drejton mafia dhe jo politika, aq më pak një elitë politike e orientuar nga interesat e vendit e të kombit! Manjani tha se aleatët i kanë kërkuar zotit Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Por kryeministri në vend të shkarkojë Tahirin, i cili akuzohet për mbrojtjen e trafikantëve të drogës dhe kriminelëve që marrin peng shtetin, shkarkon kritikët e panënshtruar nga mëkëmbësi i tij, Fuga! Kush tjetër, veç shqiptarëve, do ta paguajë gjithashtu këtë kosto të bashkëpunimit me krimin, trafikun, padrejtësinë, antiligjin, antishtetin?! Këto ishin mesazhet e paradites së sotme! Shkarkimi i Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë në fakt ishte simbolikë, nuk është zgjidhja. Simbolika është e dukshme në dritë të diellit. Hashashi është aty edhe pa Ylli Manjanin. Po ashtu ministrat e Ramës në mos fjetshin tashmë në hotelin e Klemenet Balilit, do të flenë në hotelet e Balilajve të Vlorës ose të Shullazëve të Tiranës. Simbolika shkon edhe më tej: Pa lejen e kryeministrit nuk mund të marrin frymë jo vetëm ministrat, por askush në oborrin e tij, madje edhe ata që jetojnë në periferi të këtij oborri kryeministror! Kush guxon, përballet me “shpatën e mprehtë” të Zeusit shqiptar të shekullit të XXI. Në konferencën për shtyp zoti Manjani foli përsëri dhe duket se tani do të jetë “i lirë” nga Rama që t’i shprehë shumë të vërteta të hidhura të qeverisjes së Rilindjes. Gjithnjë nëse zoti Meta do ia japë lejen dhe lirinë e shprehjes. Por së paku Rama nuk ka në dorë ta pengojë më atë. Ka në dorë vetëm të urdhërojë mediat, që ta ndalojnë përhapjen e fjalës së tij. Megjithatë dhe për kaq sa ka folur zoti Manjani ka krijuar identitetin e tij të veçantë, i ka dhënë një dimension të caktuar frymës së lirisë në këtë vend. Por nuk mjafton. Ose duhet shkarkuar gjithashtu ministri Koka, ose duhen deklasifikuar motivet, arësyeja dhe shkaku i shkarkimit të zotit Manjani. Sepse Lefter Koka tha ndoshta diçka më shumë sesa Ylli Manjani. Ndërkaq duhet të shohim në javët në vazhdim nëse Petrit Vasili do të shfaqet si më parë “parimor e kritik”, apo do të struket nën tavolinën ovale të kabinetit me gojën mbyllur dhe dorën lart në miratim të aferave të reja të Rilindjes alla Qosja-Rama. Duhet të shohim edhe eksponentët e tjerë të LSI-së, nëse do të guxojnë pas këtij presioni e diversioni që bëri kryeministri të shprehen lirshëm me kritika për qeverisjen e Rilindjes. Shkarkimi I Ylli Manjanit ishte diversion politik e njëkohësisht test për Ilir Metën. Në finish Rama provoi se është i aftë t’i imponohet aleatit të tij, ndoshta deri në atë masë sa t’ia diktojë kushtet për vazhdimin e koalcicionit qeveritar të Rilindjes 2 pas 18 qershorit, nëse ky koalicion do të marrë votat e shqiptarëve. Modeli I Bashkisë së Durrësit është provuar si produktiv. Duket që zoti Rama do ta detyrojë zotin Meta që të bëjë të njëjtën gjë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkaq opozita duhet të jetë më e fokusuar për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare me aleatët e saj, të cilët i qëndruan asaj besnikë në këto vite shumë të vështira për të për shkak të arrogancës së shfrenuar të Rilindjes së dështuar të bëjë shtet demokratik, human, liberal dhe funksional. Opozita duhet të vijë në pushtet jo pse koalicioni qeverisës grindet dhe pa përfituar nga konflikti në gjirin e mazhorancës. Opozita ka mundësi, aftësi, resurse, energji, eksperiencë, dije dhe kapacitete të krijojë frymë anti-Rilindje me qëllim që t’u japë shqiptarëve shpresën për një kthesë rrënjësore në zhvillimin e vendit. Opozita e Manjanit, Kokës, madje dhe e Ben Blushit e disa të tjerëve që shfaqen si antiRamë me porosi të Ramës nuk e kthen shpresën te shqiptarët. Eshtë opozita reale, e dhunuar, e etiketuar deri në ekstrem me fjalët më fyese nga kreu i mazhorancës, ajo që i bashkon shqiptarët dhe bën të mundur ndryshimin. Mjafton t’i bindë qytetarët e këtij vendi se ky ndryshim nuk do të sjellë zhgënjim.

Filed Under: Politike Tagged With: alla Qosje!, dhe Rilindja rumpalle, Enver Bytyci, Ylli Manjani

TË NDALOJMË PASKOHËN RAMA!

January 30, 2017 by dgreca

Nga Albina DEDA-Deputete PD/

 1-albina-deda

(Refleksione përtej politikës)/

 Ky fillim viti i gjen shqiptarët në trishtimin më të madh ekonomik e social të krahasuar vetëm me vitet e errëta të diktaturës. Kaluan afër 4 vite në përshkallëzim të llahtarshëm të varfërisë, e cila shtresën e mesme e degradoi në limitet e mbijetesës e shtresën vunerabël e ka degdisur rrugëve të Europës, ndërsa të pamundurit mbushin kronikat e zeza me vetvrasje. Katër vitet mavi u transformuan në vite të errëta skamjeje, korrupsioni, pseudoreformash. Droga po helmon vendin dhe Europën, ndërkohë që pushteti e policia janë gardjanët e saj dhe të trafikantëve.Ka kohë që nuk bëhet fjalë për realizim premtimesh apo pritshmëri. Vetëm një gjë progreson e ajo është propaganda. Pushtetet e tjerë demokratike të këtij vendi , krijuar me shumë mund, injorohen në rastin më të mire, por shantazhi e blerja, presioni e intimidimi janë program ditor i kordinuar i Edi Ramës dhe bandës së tij.

Vendi është nën varfëri, terror e arrogancë. Vetë deputetë, ministra e faktorë relevantë në mazhorancë denoncojnë e vetdenoncohen, por asgjë dhe asgjë veçse gangrenizimi i mëtejmë i ekonomisë dhe shoqërisë!

Diplomaci e çakorduar pa busull kombëtare, lojëra të rrezikshme të “liderit” kleptomitoman me ekuilibrat kombëtarë e rajonal.

Me pak fjalë e shqip: çmenduri qeverisëse që na ktheu në Paskohë.

Në Paskohën e baballarëve të atyre që na qeverisin.

Një Paskohë kriminale e oligarkike.

Koha e zezë e Edvin Ramës po tejkalon dhe Paskohën e etërve të tyre.Ata shtetëzonin, këta përvetësojnë. Ata dënonin kundërshtarët, këta i linçojnë, i heqin nga puna e i denigrojnë.

Një Paskohë që rikthen izolacionizmin duke u thirrur për integrim. Thikë në palcë te çdo shqiptar është përkufizimi i qeverisjes së klikës uzurpatore. Nuk bëhet më fjalë për progres por për mbijetesë.

Dhe paradoksalisht propaganda vazhdon në përmasat e marrëzisë së Rajhut të Tretë tek fliste për triumf në prill 1945 kur forcat aleate antinaziste ishin në portat e Berlinit!

Kjo çmenduri e Paskohës do të ndalet medoemos. Dhe në demokraci vota të ndalon. Por cilën votë presin shqiptarët? Votën e miellit të mbijetesës apo hashashit që blihen neveritshëm nga monstrat e Paskohës?! Do presim lirinë e votës nga Roshët apo Gjushët e Edi Ramës! Është marrëzi ta mendosh! Paskoha është dhunë, mashtrim e nënshtrim!

Opozita shqiptare, të cilës i prin PD, ka udhëtuar me guxim e me kauza që  jo vetëm të mos pushkatohet shpresa, por dhe të atrofizohet krimi shtetëror dhe oligarkia. Arritjet nuk janë pak, por nuk do të ketë ndalesë. Ky është mision. Ndoshta misioni me i domosdoshëm në këto dekada. Largimi I Edi Ramës dhe bandës së tij kleptosoriste! Ne jemi këtu të vendosur të përballemi pa kompromis me paskohën. Nuk ka rrugë tjetër. Ndryshe na ndëshkon besimi që shqiptarët na dhanë 26 vite më parë. Sot ne jemi front me shumicën e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve! Kemi me vete idealet e ndërkëmbura dhe shpresat e shembura. Nuk ka formulë sado e sofistikuar e kriminale qoftë, që të mund t’i shtojë jetën oligarkisë. Flladi Trump do përkthehet e materializohet shumë shpejt në Shqipëri.Paskoha është e alarmuar dhe e çorientuar. Ajo po kërkon skuta të errëta për tu strehuar.Revolucioni i shpirtit e krenarisë shqiptare tashmë ka filluar.!

Këto refleksione nuk janë politikë, por pasqyrë e një realiteti të dhimbshëm, që unë dhe njerëzit e vendlindjes time përjetojmë çdo ditë në çdo cep të Mirditës. Ndaj apeli im sot nuk është thjesht politik, por human: Klika dhe Paskoha duhen përbuzur, refuzuar dhe rrëzuar! Qershori po afron. Le të tregojmë se kemi skelet krenarie. Ndryshe do damkosemi si butakë. E Paskoha adhuron butakët, se ata zvarriten!

Filed Under: Politike Tagged With: Albina Deda, ndal, paskoha e rames

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 563
  • 564
  • 565
  • 566
  • 567
  • …
  • 651
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT