• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luani i Epirit

January 28, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Historiografia botërore ende nuk e ka thënë plotësisht fjalën e vet mbi origjinën etnike, familiare të Ali Pashë Tepelenës si dhe në aksionet e tij politike për të realizuar pavarësinë e shtetit të vet. Ajo luhatet në shtretërit e egzotizmit, orientalizmit dhe paragjykimeve kulturore. Ali Pasha Tepelena është figura më interesante dhe më karizmatike e kapërcyellit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX në historinë e Shqipërisë.

Koha në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij Pashai Tepelenas ishte koha kur Ballkani dhe territoret e perëndimore të tij nën kontaktin e drejtpërdrejt me ushtrinë franceze që pushtuan Ishujt Jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Europën kaluan nga procesi i Mesjetës së vonë në iluminizëm ballkanik dhe nacionalizëm.

Merita e Ali Pashë Tepelenës është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës evoluoi qëndrimet e veta politike nga një shkollë administrative e politike që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet. Kjo përpjekje modernizuese fitoi simpati të madhe mes udhëtarëve të huaj që vizituan Shqipërinë në këtë kohë, duke e trajtuar atë në veprat e tyre shumë herë pozitivisht, por nuk munguan dhe ngjyrat negative në varësi të shijeve, interesave diplomatike dhe afilacioneve kulturore që këta udhëtarë përfaqësonin.

Deri më tash shpesh herë është marrë si i vërtetë pohimet e origjinës së familjes së tij nga një dervish i ardhur nga Konja dhe i vendosur në Tepelenë. Por në fakt një dokument origjinal i parisë së Gjirokastrës, dërguar kryeqytetit të Habsburgëve, Vjenës del qartë origjina shqiptare e Ali Pashë Tepelenës. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është trajtimi i deri më sotëm si një pasha oriental, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Po kështu ai është vështruar nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historisë së Frosinës që paraqesin si një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Mirëpo realitet historike flasin ndryshe. Ali Pasha ishte përfaqësues i një prej familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën.

Epoka protonacionaliste që lindi gjatë sundimit të Ali Pashës ndërtoi kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së pashallëkut të tij, e cila sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar u nda në shqiptarë dhe grekë. Rebelimi i tij edhe pse nuk mori ngjyresat e forta të një revolte të mirëfilltë nacionaliste ndihmoi shumë në krijimin e identitetit kolektiv kundërshtues ndaj Perandorisë që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Në këtë sens nuk mund të thuhet se kjo popullsi iu përgjigj dhe e kuptoi tërësisht mesazhin nacionalist që Ali Pasha Tepelena i drejtoi kur u rebelua ndaj pushtetit qendror, por nuk mund të lihet pa përmendur se në këtë kundërvënie ajo shumë shpejt gjeti orientimin e vet nacionalist. Rebelimi i tij shënon kundërvënien e parë serioze të një pushteti lokal mysliman shqiptar me pushtetin qendror perandorak osman dhe si e tillë përbën një rast të veçantë studimi dhe për këtë arsye ka tërhequr vëmendjen e duhur të historiografisë europiane.

Filed Under: Politike

Roli dhe rëndësia e Federatës Vatra gjatë udhëheqjes së Fan S. Nolit

January 27, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Vatra (Federata Pan-Shqiptare e Amerikës) është organizata më e rëndësishme të diasporës shqiptare në Amerikë dhe ka luajtur një rol kyç për çështjen kombëtare sidomos gjatë periudhës së udhëheqjes së Fan S. Nolit në vitet 1910-1920. Kjo organizatë është themeluar në vitin 1912 dhe pati një ndikim të madh në çështjet kombëtare shqiptare, si dhe në forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve të diasporës dhe atdheut. Fan Noli, si udhëheqës shpirtëror, intelektual dhe politikan, e përdori Vatren si një mjet të fuqishëm për të mbështetur aspiratat për pavarësi dhe zhvillim të Shqipërisë.

Roli i Vatrës në periudhën e Fan S. Nolit:

•Mbështetje politike dhe diplomatike:

Një nga objektivat kryesore të Vatrës ishte sigurimi i mbështetjes ndërkombëtare për Shqipërinë e re. Vatra, nën udhëheqjen e Fan Nolit, ndërmori aktivitete diplomatike për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Pjesë e kësaj ishte angazhimi i madh në Shtetet e Bashkuara dhe organizimi i takimeve me autoritete amerikane për të krijuar presion mbi qeverinë amerikane që të njihej pavarësia e Shqipërisë pas shpalljes së saj në vitin 1912. Për shembull, Noli organizoi takime me figura të larta politike, përfshirë senatoren e njohur të Nju Jorkut, Elihu Root, dhe diplomatë të tjerë amerikanë, për të promovuar kauzën shqiptare.

Një moment i rëndësishëm ishte angazhimi i Vatrës në vitin 1919, gjatë Konferencës së Paqes në Paris, ku përfaqësuesit e Vatrës, si Fan Noli dhe të tjerë, kërkuan të siguronin njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe të parandalonin ndarjen e Shqipërisë nga fuqitë e mëdha evropiane. Vatra loboi fuqishëm kundër planeve të tilla dhe për një Shqipëri të pavarur.

•Mbështetje financiare:

Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Vatrës ishte mbledhja e fondeve për të mbështetur luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, Shqipëria kishte nevojë për ndihma financiare për të mbështetur ushtarakët dhe për të stabilizuar ekonominë. Vatra, nën drejtimin e Fan Nolit, organizoi shumë aktivitete dhe ngjarje për të mbledhur para, si koncerte, mbrëmje kulturore, dhe ngjarje të tjera që ndihmuan në financimin e luftës dhe në mbështetje të qeverisë shqiptare. Noli dhe Vatra i përdorën këto fonde për të blerë armë dhe për të ndihmuar forcat luftarake shqiptare, si dhe për të ndihmuar shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre në Ballkan.

•Promovimi i kulturës dhe arsimit shqiptar:

Vatra, nën udhëheqjen e Fan Nolit, ishte gjithashtu një forcë e fuqishme për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në Amerikë. Ajo organizoi shkolla, biblioteka dhe aktivitete kulturore për të mësuar shqiptarët e rinj të diasporës për historinë, gjuhën dhe traditat e kombit të tyre. Noli e kuptoi rëndësinë e arsimit dhe të ruajtjes së identitetit kulturor dhe nën drejtimin e tij, Vatra ishte e angazhuar në ngritjen e shoqatave kulturore dhe shkollave që ofronin mësime në gjuhën shqipe dhe që përhapnin kulturën dhe traditat shqiptare.

Një shembull konkret i këtij angazhimi ishte hapja e shkollave në qytetet e mëdha të SHBA-së, ku shqiptarët jetonin. Shumë fëmijë të emigrantëve shqiptarë kishin mundësi të mësonin gjuhën shqipe dhe të rriteshin me ndjenjën e identitetit kombëtar.

•Aktivizmi dhe lobimi për të drejtat e shqiptarëve në rajon:

Vatra, nën udhëheqjen e Fan Nolit, ishte gjithashtu e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve në viset e tjera që ndodheshin nën sundimin e shteteve të tjera pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Noli dhe Vatra lobuan fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, Çameri dhe Maqedoni, të cilat në atë kohë ishin nën sundimin e Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Noli, duke qenë një intelektual i angazhuar për çështjen kombëtare, e shihte si detyrë të tij të përhapte informacion për trajtimin e shqiptarëve në këto zona dhe të sigurojë mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tyre.

Një nga momentet e veçanta të angazhimit të Vatrës në këtë drejtim ishte angazhimi për të ndihmuar shqiptarët në Çameri, një rajon i cili ishte shumë i ndjeshëm për shkak të gjenocidit dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga Greqia pas Luftës së Parë Botërore. Vatra, përmes lobimeve dhe mobilizimit të diasporës, tentoi të ndikonte në opinionin ndërkombëtar dhe të siguronte mbështetje për të drejtat e shqiptarëve në këto rajone.

Roli i Vatrës dhe i Fan Nolit gjatë periudhës 1912-1920 ishte shumëdimensional dhe i rëndësishëm për çështjen kombëtare shqiptare. Vatra, përmes mbështetjes politike, financiare dhe kulturore, ndihmoi në konsolidimin e shtetit shqiptar të pavarur dhe në forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve të diasporës dhe atdheut. Kjo Federatë dhe Fan Noli, si lider i saj, kanë lënë një trashëgimi të vyer në historinë e shqiptarëve, duke kontribuar në realizimin e shumë objektivave kombëtare, përfshirë njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë dhe mbështetje për shqiptarët në viset e tjera të banuara me shqiptarë.

Filed Under: Politike

“REÇAK: HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE”

January 26, 2025 by s p

Ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës — Libër i ish-Diplomatit Amerikan William G. Walker.

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

25-vjet më parë forcat terroriste ushtarako-policore të Serbisë fashiste kanë ndërmarrë një sulm barbar kundër banorëve të një fshati të vogël të Kosovës, i quajtur Reçak, nja 30-killometra në jug të Prishtinës. Javën që kaloi, masakra barbare e kryer me 15 të janarit 1999, u kujtua nga qindra pjesëmarrës – përfshir udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës –që morën pjesë në aktivitetet e organizuara për të nderuar dhe kujtuar, si çdo vit, 45 civilët e pafajshëm shqiptarë, të vrarë nga forcat terroriste serbe.

Në veprimtaritë që shënuan 25-vjetorin e kësaj dite të rëndë në historinë e Kombit shqiptar, mori pjesë edhe Ambasadori amerikan William Walker, ish-Shef i OSBE-së në Prishtinë 2-dekada e gjysëm më parë.  Siç dihet, ishte Ambasadori i nderuar amerikan William Walker, ai i cili me të shkuar në vendin masakrës, asaj ngjarjeje të tmershme, atij krimi kundër njerzimit, një ditë më vonë me 16 Janar, 1999 — ku ishin hedhur kufomat në Reçak – njoftoi Shtetet e Bashkuara dhe botën mbarë për masakrën serbe kundër civilëve shqiptarë në Reçak. Ishte vlerësimi i gjendjes së përgjithshme shumë të rëndë në Kosovë në atë kohë dhe sidomos dëshmia e Ambasadorit Walker për masakrën që kishte parë me sytë e vet në Reçak, që çoi më në fund në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave terroriste policore dhe ushtarake serbe në territorin e Kosovës dhe anë e mbanë Serbisë. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-masakra-qe-ndryshoi-politiken-boterore-ndaj-kosoves-2/

Ashtu si edhe çdo vit tjetër, në këtë datë të zezë, Ambasadori Walker e ka bërë zakon dhe viziton Kosovën dhe Reçakun në shoqërimin e udhëheqsve më të lartë Kosovës. Kështu ndodhi edhe sivjet në 26-vjetorin e masakrës në Reçak – aty në “Reçak, fshatin e vogël, me histori të madhe”, siç e cilësoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë përkujtimit të këtij viti, “Aty ku 26-vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre, në këtë pjesë të Evropës”, është shprehur Zonja Osmani. “Kujtesa jonë është mburojë kundër harresës dhe garanci që krime të tilla nuk do të përsëriten kurrë më”, ka thenë Presidentja Vjosa Osmani. “Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët e tij. Është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë që kërkoi dhe vazhdoi të luftonte për liri dhe për të drejtën e ekzistencës”, ka thenë Presidentja e Republikës së Kosovës.  Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjithashtu gjatë ceremonive përkujtimore në kujtim të masakrës së Reçakut tha se deklaratat e Walker, drejtuar Amerikës dhe botës, pas masakrës “ekspozuan brutalitetin me të cilin po përballej Kosova dhe ndryshuan diskursin ndërkombëtar për luftën e Kosovës…Deklaratat e ambasadorit Walker ishin denoncime zyrtare të forcave dhe autoriteteve serbe, të cilat po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë në Kosovë”, është shprehur Kryeministri I republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Reçaku dhe Kosova, në shenjë falënderimi, 8 vite më parë ngritën në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, përmendoren e Ambasadorit William Walker.  Sivjet në 26-vjetorin e masakrës, Ambasadori Walker ia këthei nderin Reçakut dhe Kosovës me botimin e një libri monumental si dëshmi historike për brezat e ardhshëm të shqiptarëve –mbi krimet serbe kundër njerzimit ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak. Një rast ky që sërish sjell në kujtesë atë që ndodhi në Reçak 26-vjet më parë nga një autor dëshmitar okular i asaj masakre. Dëshmi autentike për krimet e kryera nga regjimi i Serbisë në Kosovë,

Një libër-monument, si të thuash, një dhuratë që Ambasadori Walker tha se ia kishte premtuar Kosovës pothuajse 25-vjet më parë. Ai kërkoi ndjesë me këtë rast, duke shprehur keqardhjen e tij që i mori aq shumë kohë ta botonte librin e premtuar. Por, ja më në fund, shtoi ai, libri u botua në shqip dhe anglisht për lexuesit sot dhe për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, nesër. “Jam shumë i kënaqur që u mundësua botimi i këtij libri – i kënaqur gjithashtu se Presidentja dhe Kryeministri më kanë thenë se ky libër është një thesar për rininë e këtij vendi në veçanti dhe për popullsinë e Kosovës në përgjithsi. Për ta është shumë e rëndësishme dëshmia ime e ngjarjeve, pjestar i të cilave isha dhe arsyeja se pse mora pjesë në ato zhvillime 26 vjet më parë”, është shprehur Ambasadori Walker në lidhje me botimin e librit: Reçak: Historia e një Krimi Lufte, që u promovua, javën e kaluar në Librarinë “Duklagjini” të Prishtinës me 15-16 Janar.  

Në një njoftim i datës 14 Janar. 2025 nga zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti thuhet se në një takim që zhvilloi me ish-diplomatin amerikan William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, ata diskutuan një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje. Në këtë takim, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Njëherazi, ai theksoi përpjekjet dhe ndihmën financiare prej 70,000 eurove dhenë nga qeveria e Kosovës për këtë iniciativë të rëndësishme duke bërë të mundur botimin e librit të kujtimeve të Ambasadorit Walker, ku dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut.  Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti tha se ky libër dhe këto dëshmi të Ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë. Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme si masakra e Reçakut. Ndërsa, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha me këtë rast, se “Të rinj, të reja e fëmijë që takuam sot, janë brezi i ri i Reçakut, pasardhësit e viktimave, që dëshmojnë pathyeshmërinë e qëndresën e popullit tonë, përkundër sakrificës e dhimbjes së madhe — Lavdi martirëve e dëshmorëve të Reçakut!, është shprehur Vjosa Osmani. Ndërkaq, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara përkujtoi përvjetorin e masakrës së Reçakut me një NeverForget, duke thenë se Shtetet e Bashkuara i bashkohen popullit të Kosovës duke kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut: “Një pikë-kthese tragjike kjo për njerëzimin, por që nxiti botën të veprojë. Ndërsa nderojmë viktimat, ne ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin,” thuhet në reagimin përkujtimor të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Libri i ish-diplomatit amerikan William Walker, “Reçak: Historia e një Krimi Lufte”, është një autobiografi mbi jetën ç’prej fëmijërisë dhe një përshkrim i veprimtarisë së tij të gjatë diplomatike deri në largimin e tij nga detyra e Shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, që ai kryesonte në Kosovë, në kohën e masakrës së Reçakut.  Ky është një libër nga një ambasador i një vendi të madh mik i Kosovës dhe shqiptarëve – ish-diplomati amerikan Wlliam Walker — i cili si dëshmitar i masakrës së Reçakut, ka shkruar me këtë rast një histori të vërtetë, paanësisht, duke treguar të drejtën dhe ngjarjen e vërtetë të tragjedisë në Reçak – me rëndësi për historinë e Kombit shqiptar por edhe për historinë e Ballkanit dhe të Evropës. Ambasadorit Walker i urojmë jetë të gjatë – është me gëzim e përzemërsi që çdo shqiptar kudo të përshëndesi botimin e William Walker, “Reçak: Historia e një Krimi Lufte”, Lavdi martirëve të Reçakut – I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Frank Shkreli

           

Ambassador William Walker promotes book dedicated to the Racak massacre

Ish-Diplomati amerikan, William Walker duke dedikuar për një blerës librin: “REÇAK: HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE”, në promovimin e veprës së tij, në hapësirat e Librarisë “Dukagjini”, në Prishtinë, javën e kaluar

Image

                                     Lavdi martirëve të Reçakut!

        ImageUdhëheqsit e Republikës së Kosovës nderojnë diplomatin amerikan, Ambasadorin William Walker, njeriun që ekspozoi masakrën brutale të forcave terroriste serbe kundër civilëve të pafajshëm, 26-vjet më parë, në fshatin Reçak të Kosovës

May be an image of 16 people
image slot

                  Versioni anglisht                              Versioni shqip

A group of people standing around a wall with Buekorps Museum in the background

Description automatically generated

Autori me mikun e shqiptarëve dhe me mikun e të VËRTETËS, Ambasadorin William Walker — folësit kryesorë në festimin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë së Republikës së Kosovës — organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, Inc. në Nju Jork, 12 Shkurt, 2023

A book cover with a picture of a person

Description automatically generated

                   

 “Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker – ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës.

Filed Under: Politike

𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦

January 25, 2025 by s p

𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/

25 janari shënon 60 vjetorin e vdekjes së Winston Churchill, një prej shtetarëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të. I njohur si një drejtues i matur dhe vizionar, autor i fjalimeve frymëzuese dhe hero i popullit britanik gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ajo që dihet pak për të është se ai ishte edhe pioner i detantës midis perëndimit dhe lindjes gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Nikita Khrushchev tha: “Në fakt, ishte idea e Winston Churchill për të hapur një linjë komunikimi midis fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovietik pas vdekjes së Stalinit….” Nuk ka asnjë dyshim që Churchill duhet kujtuar si babai i detantës, sikurse e meriton të quhet Luftëtari i Luftës së Ftohtë.

Si në shumë aspekte të jetës së tij, qëndrimi i Churchill ndaj Bashkimit Sovietik dhe Komunizmit vazhdon të gjenerojë shumë debate. I njëjti burrë shteti i cili nxiti luftë ndaj regjimit Bolshevik në vitin 1919, gjithashtu nxiti edhe bashkëpunim me Stalinin në vitet 30-të. Ai shpenzoi vitet e fundit të jetës së tij në detyrë duke bërë thirrje për një takim dhe samit për uljen e tensionit të Luftës së Ftohtë.

Ideja e Churchill për një samit u kundërshtua nga shumica e qeverive perëndimore. Por, pavarësisht kundërshtimeve të forta të Departamentit të Shtetit, Zyra e Punëve të Jashtme Britanike, dhe shumë ministra të jashtëm të qeverive perëndimore, u përpoqën të arrinin një modus vivendi me Moskën gjer në fund të karrierës së tij. Obsesioni i tij për të hyrë në histori si ‘paqebërësi më i madh’ vazhdon të mbetet i admirueshëm sot e kësaj dite, por ideja e tij për një samit kishte tendencën t’i ndante aleatët perëndimorë dhe për më shumë Kryeministrit Churchill i mungonte një politikë e qartë për ta arritur qëllimin e tij.

Për më tepër, ngjarjet e viteve 1951-55 e bënë të pamundur një detantë me Moskën. Duke marë parasysh ngjarjet e atyre viteve është e vështirë të pranosh se idetë e Winston Churchill për një samit me Bashkimin Sovietik do i kishte përmirësuar mardhëniet Lindje-Perëndim. Megjithatë, entuziazmi i këtij burri të madh shteti duhet admiruar, së bashku me dëshirën e tij për të zbutur tensionet e Luftës së Ftohtë, pavarësisht nga kundërshtimet që hasi dhe nga shëndeti jo i mirë që kishte.

Një nga nismat e para të Churchill për të thirrur negociata me Moskën erdhën gjatë fjalimit të tij të ‘Perdes së hekurt’ në Fulton, Missouri, SHBA, në Mars të vitit 1946:

𝑈𝑛𝑒̈ 𝑛𝑢𝑘 𝑏𝑒𝑠𝑜𝑗 𝑠𝑒 𝑅𝑢𝑠𝑖𝑎 𝑆𝑜𝑣𝑖𝑒𝑡𝑖𝑘𝑒 𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑖𝑟𝑜𝑛 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈. 𝐶̧𝑓𝑎𝑟𝑒̈ 𝑎𝑗𝑜 𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑖𝑟𝑜𝑛 𝑗𝑎𝑛𝑒̈ 𝑓𝑟𝑦𝑡𝑒𝑡 𝑒 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈𝑠 𝑑ℎ𝑒 𝑧𝑔𝑗𝑒𝑟𝑖𝑚𝑖 𝑝𝑎 𝑘𝑢𝑓𝑖 𝑖 𝑓𝑢𝑞𝑖𝑠𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑑𝑜𝑘𝑡𝑟𝑖𝑛𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝑠𝑎𝑗… 𝐿𝑦𝑝𝑠𝑒𝑡 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑚𝑎𝑟𝑟𝑒̈𝑣𝑒𝑠ℎ𝑗𝑒, 𝑑ℎ𝑒 𝑠𝑎 𝑚𝑒̈ 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑠ℎ𝑡𝑦ℎ𝑒𝑡 𝑘𝑗𝑜 𝑚𝑎𝑟𝑟𝑒̈𝑣𝑒𝑠ℎ𝑗𝑒, 𝑚𝑒̈ 𝑒 𝑣𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑖𝑟𝑒̈ 𝑑𝑜 𝑡𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑑ℎ𝑎𝑗𝑎 𝑑𝑜 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑒̈ℎ𝑒ℎ𝑒𝑛 𝑟𝑟𝑒𝑧𝑖𝑞𝑒𝑡 𝑡𝑜𝑛𝑎.

Ky fjalim i Winston Churchill bënte thirrje për negociata me Bashkimin Sovietik dhe themelimin e një marrëveshje të gjatë e cila do zbuste tensionin Lindje-Perëndim në vitet e para të Luftës së Ftohtë, por gjithashtu tërhoqi një vëmendje shumë të madhe dhe rezultoi tejet bindës për opinionin e publikut amerikan mbi qëllimet armiqësore të Bashkimit Sovietik nën udhëheqjen e Stalinit:

𝑁𝑔𝑎 𝑆𝑡𝑒𝑡𝑡𝑖𝑛 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑎𝑙𝑡𝑖𝑘 𝑔𝑗𝑒𝑟 𝑛𝑒̈ 𝑇𝑟𝑖𝑒𝑠𝑡𝑒 𝑛𝑒̈ 𝐴𝑑𝑟𝑖𝑎𝑡𝑖𝑘, 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒𝑟𝑑𝑒 𝑒 ℎ𝑒𝑘𝑢𝑟𝑡 𝑘𝑎 𝑧𝑏𝑟𝑖𝑡𝑢𝑟 𝑚𝑏𝑖 𝑘𝑜𝑛𝑡𝑖𝑛𝑒𝑛𝑡.

Ky fjalim u perceptua si shumë anti-komunist dhe themeloi figurën e Churchill si Luftëtari i Luftës së Ftohtë par excellence në Lindje dhe Perëndim. Në fakt, fjalimi i ‘perdes së hekurt’ ishte përpjekja e parë madhore pas lufte e Churchill për të thirrur një samit negociues me Moskën.

Deklaratat e Churchill të vitit 1946 shpesh paraqiten kotradiktore. Ndërsa nga njëra anë ai tërhoqi vëmendjen për kërcënimin sovietik, duke bërë apel për forcë ushtarake dhe duke kundërshtuar politikat më shumë këshilluese sesa duhej ndaj Moskës, nga ana tjetër ai rekomandonte të kërkohej një marëveshje paqësore me Stalinin. Për Churchill ky ishte një drejtim logjik veprimi në mënyrë që të parandalonte përshkallëzimin e një konflikti apo një lufte të tretë botërore. Në lidhje me zhvillimin e bombës atomike amerikane, Churchill pati deklaruar në parlament që nga Gushti i vitit 1945, se “duhen të paktën tre, ose katër vjet, që të tejkalohet nga sovietkët progresi i arrirë në Amerikë.”

Churchill insistoi në besimin e tij se diskutimet e një niveli të lartë me Moskën do i zbuste tensionet Lindje-Perëndim. Më 14 shkurt ai mbajti një fjalim në Edinburgh, dhe për herë të parë përfshiu politikën e jashtme në fushatën e tij zgjedhore, gjer atëherë të dominuar plotësisht nga politikat e brendshme. Ai bëri thrirrje për diskutime me Moskën, duke ritheksuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tij të viteve 1945-46, dhe për herë të parë ai përdori frazën ‘një konferencë për samitin’, si metoda e duhur për negociata.

𝑁𝑢𝑘 𝑚𝑒̈ 𝑑𝑒𝑙 𝑛𝑔𝑎 𝑚𝑒𝑛𝑑𝑗𝑎 𝑖𝑑𝑒𝑎 𝑒 𝑏𝑖𝑠𝑒𝑑𝑖𝑚𝑒𝑣𝑒 𝑚𝑒 𝑅𝑢𝑠𝑖𝑛𝑒̈ 𝑆𝑜𝑣𝑖𝑒𝑡𝑖𝑘𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑛𝑖𝑣𝑒𝑙𝑒𝑡 𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑙𝑎𝑟𝑡𝑎. 𝐾𝑗𝑜 𝑖𝑑𝑒 𝑚𝑒̈ 𝑎𝑝𝑒𝑙𝑜𝑛 𝑠𝑖 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟𝑝𝑗𝑒𝑘𝑗𝑒 𝑠𝑢𝑝𝑟𝑒𝑚𝑒 𝑝𝑒̈𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑘𝑟𝑖𝑗𝑢𝑎𝑟 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑢𝑟𝑒̈ 𝑚𝑏𝑖 ℎ𝑒𝑛𝑑𝑒𝑘𝑢𝑛 𝑞𝑒̈ 𝑒𝑔𝑧𝑖𝑠𝑡𝑜𝑛 𝑚𝑖𝑑𝑖𝑠 𝑑𝑦 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑣𝑒, 𝑛𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑛𝑦𝑟𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑠𝑒𝑐𝑖𝑙𝑎 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑛𝑒𝑠ℎ 𝑡𝑎 𝑗𝑒𝑡𝑜𝑗𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑒̈𝑛, 𝑛𝑒̈𝑠𝑒 𝑛𝑢𝑘 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑒 𝑚𝑢𝑛𝑑𝑢𝑟 𝑚𝑒 𝑚𝑖𝑞𝑒̈𝑠𝑖, 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑘𝑡𝑒̈𝑛 𝑝𝑎 𝑢𝑟𝑟𝑒𝑗𝑡𝑗𝑒𝑛 𝑒 𝐿𝑢𝑓𝑡𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝐹𝑡𝑜ℎ𝑡𝑒̈.

Progresi real i marrëdhënieve Lindje-Perëndim nuk dukej i mundshëm thjesht me anë të mënyrave të paqarta të një ‘procesi diplomatik’ siç kishte thënë ai në janar të vitit 1948. Ai tashmë ishte i bindur se suksesi mund të arrihej vetëm me anë të një takimi të krerëve të qeverive. Ai kishte ndër mend një samit si ai i ‘Tre të mëdhejve’ gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbështetja e opinionit publik ndaj idesë së Churchill për diplomaci nëpërmjet samitit të nivelit më të lartë ishte mënyra për të parandaluar një konflikt global. Sipas tij, Churchill përdori fjalimin e tij në Edinburgh për të luajtur kartën e tij patriotike për të siguruar të drejtën e Britanisë së Madhe për një vend në tavoliën e ‘Tre të Mëdhejve’.

Fjalimi i Churchill në Edinburgh kishte paraqitur qëllimet e tij politike nëse elektorati britanik do ia hapte përsëri derën e Numrit 10, Downing Street. Në zgjedhjet e 20 shkurt 1950, laburistët u rikthyen me një shumicë prej pesë karrigesh më shumë. Kjo fitore e ngushtë bënte të mundshme zgjedhje të parakohshme në një të ardhme të shkurtër ndaj Churchill mundi të qëndrojë si udhëheqësi i opozitës. Për më të shumtën e viteve 1950-51, as qeveria dhe as opozita nuk u përpoqën të mernin iniciativa madhore në politikat e brendshme apo të jashtme. I vetmi përjashtim ishte Churchill, i cili vazhdonte të këmbëngulte në planet e tij mbi samitin.

Është interesante që, ndonëse Churchill kishte bërë thirrje për një ‘marrëveshje’ me Moskën që nga fillimi i vitit 1946 dhe kishte promovuar një samit të ‘Tre të Mëdhejve’ që nga shkurti i vitit 1950, ai nuk shpjegoi kurrë se si këto negociata do çonin në relaksimin e tensionit dhe ndoshta në fundin e Luftës së Ftohtë. Ai mbetej i heshtur përsa i përket temave të cilat do shtroheshin në samit dhe se në çfarë sekuence do diskutoheshin!

Megjithatë, kontributi i Winston Churchill në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe ishte se, që nga muajt e parë të Luftës së Ftohtë ai kishte fillar të lajmëronte një katastrofë të mundshme dhe një holokaust nuklear. Ai kishte prezantuar çështjen e marrëdhënieve të detantës midis lindjes dhe perëndimit si një subjekt për diskutim që nga viti 1946, por ai dështoi të paraqiste një metodologji e cila do mund ta bënte teorinë e tij të përgjithshme më të prekshme në botën politike. Kjo mungesë detajesh kontribuoi në mënyrë decizive në mosbesimin që ekzistonte ndaj tij në qarqet politike në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Kësisoj, ishte vetë ai që e nënvlerësoi vizionin e tij.

Përgjatë ruajtjes së paqes në mbarë globin, tema e vazhdueshme e Churchill ishte fuqizimi i pozicionit të Britanisë në botë. Ai nuk ishte i interesuar vetëm për zbutjen e konfliktit Lindje-Perëndim per se. Ai ishte plotësisht i bindur në rolin themeltar Britanik në nisjen e një politike të tillë, madje, nëse do ishte e mundur, të arriej nën drejtimin e tij. Churchill besonte shumë tek roli i tij misionar për Britaninë e Madhe dhe Perandorinë e saj.

Për Churchill, marëveshja me Bashkimin Sovietik dhe një lidhje më e ngushtë midis vendeve europiane, duke përfshirë riarmatimin europian, i shërbenin vetëm synimiit të tij primar; i cili ishte mirëqënia, pushteti dhe reputacioni i Britanisë së Madhe. Ai planifikoi ta arrinte këtë duke vazhduar ‘një mardhënie vëllazërore’ më të ngushtë dhe më efektive me Shtetet e Bashkuara.

Churchill ishte plotësisht në dijeni të situatës së vështirë ekonomike britanike. Ai besonte se gjatë forcimit dhe zgjerimit të ushtrisë sovietike dhe amerikane, Britania duhet ti ndiqte nga pas. Si rrjedhojë, pozicioni ekonomik botëror i vendit të tij do zvogëlohej më shumë dhe Britania do niste të varej ekonomikisht dhe ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara. Vetëm në një periudhë të détente, e cila do i jepte Britanisë një hapësirë të rimëkëmbej ekonomikisht, sëbashku me një përqendrim të përshkallëzuar të kontrollit të resurseve imperiale, mund të parandalonte, madje mund ta ndryshonte këtë proces.

𝑴𝒖𝒂𝒋𝒕 𝒆 𝒑𝒂𝒓𝒆̈ 𝒏𝒆̈ 𝒅𝒆𝒕𝒚𝒓𝒆̈, 1950-1951.

Pavarësisht shpresave të Winston Churchill për paqe të propozuar gjatë fushatës elektorale, dhe pavarësisht shpresave nga Ministri i Jashtëm, Anthony Eden, që mund të realizohej vërtetë një relaksim i tensionit Lindje-Perëndim, viti i parë i qeverisë konservatore nuk pa asnjë zbutje të Luftës së Ftohtë. Në sipërfaqe dukej se fjalimet mbi détente të drejtuesit të konservatorëve nuk ishin gjë tjetër veçse ‘manovër elektorale’. Por, në fakt, kishte një numër të madh arsyesh përse Churchill nuk mundi ti përmirësonte marrëdhëniet me Moskën gjatë muajve të tij të parë në detyrën e kryeministrit.

Njëra nga arsyet ishte edhe kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara. Bashkëpunimi me amerikanët ishte pa asnjë dyshim esenciale për Churchill dhe dukej se ai po e planifikonte ta ngrinte çështjen e detantës me Presidentin Truman gjatë takimit të tyre në Washington në fillim të vitit 1952.

Idetë e Kryeministrit për një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovietik i kishte detyruar amerikanët të mendoheshin mirë për këtë çështje përpara ardhjes së tij dhe mbrëmja në Williamsburg theksoi mendimet e ndryshme që kishin Eden, Acheson dhe vetë ai, në lidhje me negociatat Lindje-Perëndim. Samiti me sovietikët, për habinë e të gjithëve, nuk u përmend pothuajse aspak gjatë bisedimeve në Washington, dhe fjala detantë nuk bënte pjesë në deklaratat publike të Churchill. Ai kishte mbështetur shpresat e tij tek krijimi i një marrëdhënie personale të fortë me Presidentin Truman, e cila mund të çonte më vonë drejtë detantës, bazuar mbi unitetin anglo-amerikan. Megjithatë, ajo marrëhënie dështoi të lulëzonte dhe detanta u bë një pengesë më shumë në aleancën e fortë anglo-amerikane.

𝑲𝒐𝒏𝒇𝒆𝒓𝒆𝒏𝒄𝒂 𝒆 𝒕𝒓𝒆 𝒇𝒖𝒒𝒊𝒗𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒎𝒆̈𝒅𝒉𝒂 𝒏𝒆̈ 𝑩𝒆𝒓𝒎𝒖𝒅𝒆̈.

Pothuajse menjëherë pasi të merej vendimi për takimin e tre fuqive, planet e takimit të Bermudës hasën një seri problemesh. Më 21 maj, në të njëjtën ditë kur Kabineti Britanik dha miratimin për konferencën, qeveria e Mayer u rrëzua si rezultat i një votimi kundër për finacat në Asamblenë Kombëtare; dhe Franca u zhyt në një krizë politike me një kohëzgjatje të jashtëzakonshme. Churchill nuk pati aspak simpati për ngjarjet në Paris. Ai ishte i gatshëm të vazhdonte me aranxhimet e bëra për në Bermudë me një pjesmarje vetëm Anglo-Amerikane pa kryeministrit francez. Ai ishte shumë entuziast për Bermudën dhe krijoi një agjendë për takimin me idenë e bisedimeve me sovietikët si temë kryesore dhe i dërgoi një mesazh Molotov ku shprehte shpresën se Bermuda do çonte në kontakte miqësore midis Lindjes dhe Perëndimit.

Të tjerët vazhdonin ta shihnin konferencën si një mënyrë për ta kontrolluar Kryeministrin. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e vendosur të vendoste politika në Europë, kryesisht me NATO-n dhe bashkimin e Gjermanisë me perëndimin, dhe shprehën publikisht se Bermuda nuk të çonte domosdoshmërisht në bisedime me sovietikët, dhe e përshkruan konferencën si një mundësi për ‘të diskutuar midis miqsh disa nga vështirësitë e dukshme që po kalon bota e sotme’. Ata u inkurajuan të mbanin këtë qëndrim nga Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer. Kancelari gjerman e kishte bazuar të gjithë politikën e tij në Gjermani të bazuar mbi bashkëpunimin me perëndimin dhe tmerrohej nga rezultatet e mundshme të idesë së Churchill për bisedime me Rusinë, sidomos kur në atë vit zhvilloheshin zgjedhjet në Gjermani.

Adenauer kishte bërë presion ndaj të dyja qeverive, amerikane dhe britanike, që nga mesi i muajit Prill për sigurinë e politikave të tyre në Gjermani, dhe frika e tij përbënte një rëndësi të madhe në Ministrinë e Jashtme Britanike. Me datën 30 Maj, Ministria e Jashtme i dërgoi një memorandum të rëndësishëm Kryeministrit Churchill, e cila theksonte rreziqet e një Gjermanie të bashkuar ‘të neutralizuar’: kjo do të thoshte kthim mbrapa të politikës perëndimore në Gjermani, shkatërrimin e strategjive mbrojtëse të NATO, një Gjermani të dobët në sytë e Rusisë, një zhvlerësim të të gjitha shpresave për një paqe të përhershme midis Francës dhe Gjermanisë, të cilat do sillnin zemërim tek vetë gjrmano-perëndimorët, dhe ndoshta madje do shtynte amerikanët ta braktisnin Europën. Duke hasur argumenta bindëse si këto Kryeministri pranoi se nuk i kishte menduar thellë të gjitha problemet e politikës së tij, por u përpoq t’ia hidhte fajin për problemet në Europë francezëve të cilët dështuan të ratifikonin Komunitetin Europian të Mbrojtjes.

Më datën 16 qershor, një protestë u zhvillua në Republikën Demokratike Gjermane. Protesta u zgjerua nga Berlini Lindor në 300 qytete të tjera të Gjermanisë Lindore. Trupat sovietike arritën me shpejtësi dhe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Protestat u shoqëruan me rrahje dhe dhunime, dhe të paktën 25 demonstrues u vranë dhe disa u egzekutuan, ndërsa ditët dhe javët në vijim u shoqëruan me arrestime të shumta. Churchill ishte i shqetësuar se kundërshtarët e tij për idenë e samitit do përdornin protestat në Gjermani për t’ia bërë këtë çështje edhe më të vështirë. Dhe në fakt kështu ndodhi. Për Eisenhower dhe Dulles, protestat në Republikën Demokratike Gjermane ishin një mundësi për ta shuar përgjithmonë idenë e Churchill. Si mund të negocioej me një qeveri e cila sapo kishte vrarë dhe plagosur demonstrues të paarmatosur?

Protesta në Gjermaninë Lindore kishte ndërlikime në politikat e jashtme të Moskës. Kremlini nuk ishte në humorin e duhur për të aplikuar diplomaci samitesh dhe konferencash. Atyre i dukej me shumë rrezik të hynin në negociata ndërkombëtare me perëndimin. Protestat në Gjermaninë Lindore ishin decisive në largimin e pasardhësve të Stalinit nga ideja e një samiti, pavarësisht se sa shumë Churchill ishte i vendosur të përpiqej.

Në mbrëmje të datës 23 korrik, një javë përpara se Churchill të niste lundrimin për në Bermuda, Kryeministri pësoi një trombozë. Konferenca e Bermudës vazhdonte të shtyhej.

Takimi i Bermudës u mbajt, më në fund, nga 4 deri më 7 dhjetor, dhe kjo për arsyen e një deklarate të bërë nga sovietikët me datën 3 nëntor. Tema më e rëndësishme gjatë bisedimeve ishte, pa asnjë dyshim, Bashkimi Sovietik, dhe shumë shpejt u bë e qartë se idetë e Churchill nuk kishin asnjë mundësi të pranoheshin. Churchill ngulmoi se duheshin hapur kontakte me Rusinë dhe tha se ‘le të sigurohemi që të mos e marim kaq lehtë dhe ta mospërfillim këtë mundësi (vdekjen e Stalinit)’, por Eisenhower e refuzoi këtë ide, duke e krahasuar ‘pamjen e re’ të sovietikëve si ‘një lavire me fustan të ri’. Çuditërisht Churchill nuk tentoi më shumë për një takim midis udhëheqësve perëndimorë dhe sovietikë, por vetëm për hapjen e kontakteve, dhe ai mbështeti parimin e ruajtjes së unitetit perëndimor si elementi themeltar i politikave ndaj Bashkimit Sovietik. Sëmundja, dhe forca e kundërshtarëve të tij, me sa duket patën ndikimin e tyre tek Kryeministri Britanik.

Në fakt, debati kryesor mbi Rusinë u bë në kohën e Konferencës së Berlinit. Churchill e kuptoi se ai kishte dështuar ta bindte Presidentin Eisenhower mbi çështjen e Rusisë prej Sekretarit të Shtetit Dulles: ‘Ky burrë predikon si një pastor kishe metodiste dhe për dreq ka të njëjtin tekst. Se asgjë tjetër veçse të këqija do dalin nga takimi me Malenkov… Ndonëse do jetë e vështirë unë nuk pranoj të mposhtem nga ky bastard. Jam poshtëruar prej vetë plakjes time.’

Por, për ironi, ajo çfarë u bë tema më e rëndësishme gjatë takimit, dhe që i habiti britanikët dhe francezët ishte Eisenhower, i cili bëri një propozim për një mënyrë ndryshe bashkëpunimi me Rusinë: një përpjekje për të shkatuar një kontroll ndërkombëtar mbi energjinë atonike. Eisenhower sugjeroi krijimin e një Autoriteti Ndërkombëtar të Energjisë Atomike të mbikëqyrte përdorimin paqësor të energjisë atomike për përfitimin e më shumë popujve sesa vetëm shteteve nukleare.

Churchill e dinte fare mirë se një fjalim me rëndësi nga Presidenti mbi energjinë atomike (më vonë u quajt ‘Atome për paqen’) do e shkëpusnin vëmendjen e botës nga rezultatet e arritura në Bermudë.

Në sipërfaqe, Bermuda dukej se ishte takimi më i fuqishëm ndëkombëtar që nga Potsdam, por në fakt ishte një dështim, dhe arsyeja e vërtetë për dështimin e saj duhet kërkuar tek idetë e njeriut me të cilin idenifikohej kjo konferencë, Winston Churchill. Idetë e tij për një vizitë në Moskë ose për organizimin e një samiti me Rusinë me një agjendë të hapur lindi nga konferencat e kaluara si Teheran, Yalta dhe Potsdam, por konferencat e kohës së luftës të cilat Churchill shpresonte ti rikrijonte ishin mbajtur gjatë një periudhe bashkëpunimi midis lindjes dhe perëndimit dhe madje edhe atëherë më shumë krijuan probleme sesa i zgjidhën ato.

Nëse do ishte realizuar një takim me udhëheqësin rus Malenkov në vitin 1953, sigurisht është e pamundur të thuhet se si do rezultonte: por dihet se kur samiti u mbajt më në fund në vitin 1955 nuk arriti gjë. Në retrospektivë, është mëse e qartë se një detantë afatgjatë mund të kishte sukses vetëm kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovietik të mësonin, për një periudhë të gjatë, se bisedimet do sillnin më shumë përfitime sesa Lufta e Ftohtë dhe secila prej tyre të kishte interesa të ndiqte politika dialogu.

Politika e Churchill kishte disa probleme. Ajo që binte më shumë në sy ishte besimi i Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme Britanike se politikat e Rusisë nuk kishin ndryshuar pas vdekjes së Stalinit: njerëz si Dulles e konsideronin çdo shenjë ‘moderimi’ nga Moska si shenjë korrektësie të politikave perëndimore – nëse e meritonin të quheshin të ‘moderuara’. Ka gjasa, sipas argumentave të shumë studiuesve, që sovietikët po e konsideronin seriozisht braktisjen e zonës së tyre në Gjermani nëse kushtet do ishin të drejta, ndaj nuk kishin për qëllim vetëm pengimin e Komunitetit Europian të Mbrojtjes dhe ripërtëritjen e Gjermanisë Perëndimore.

Megjithatë, besimi i Churchill se dialogu dhe takimet kokë më kokë me lidershipin e ri rus do sillnin një detantë të sigurtë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim dukej se ishte i ekzagjeruar. Udhëheqja kolektive sovietike ishte më shumë e interesuar në tensionin e brendshëm për pushtet sesa në zbutjen e tensionit të Luftës së Ftohtë. Qëllimet e udhëheqjes sovietike dhe ato të premierit britanik dallonin dukshëm.

Për Henry Kissimger, ky dallim konsistonte tek dallimi i doktrinave dhe prejardhjes politike. Për të, arsyeja kryesore e keqkuptimit midis udhëheqësve të demokracive dhe homologëve të tyre të BRSS, ishte këmbëngulja e të parëve për të zbatuar kriterin e përvojës së tyre të brendshme në nomenklaturën sovietike. Ky ishte një konceptim shumë i gabuar. Brezi i dytë i udhëheqësve sovietikë ishte formuar në një të kaluar që do ishte e paimagjinueshme në demokracitë. Si shërbëtorë të Stalinit ata kishin marë një formim të keq psikologjik. Vetëm balsami i ambicjes së pakufishme mund ta ketë toleruar ndjenjën e përhershme të terrorit nga dënimi me vdekje apo nga jeta në gulag për hapin më të vogël të gabuar – madje edhe për një ndryshim në politikë të bërë nga vetë diktatori.

Mosbesimi patologjik që ishte bërë një mënyrë jetese në nomenklaturën sovietike karakterizonte qëndrimin e tyre edhe në fazën filla pas Stalinit. Pasardhësit e Stalinit harxhuan gati pesë vjet në luftën e tyre për pushtet: në vitin 1953 u ekzekutua Beria; në vitin 1955 u hoq nga posti Malenkovi; në vitin 1957 Hrushovi fitoi mbi të ashtuquajturin grup anti-parti të Molotovit, Kaganovi@it, Shepillovit, dhe Malenkovit, dhe në vitin 1958 ai siguroi pushtet absolut me heqjen e Zhukovit. Edhe dënimi që Hrushovi i bëri Stalinit mund të kishte sinjalizuar një zbutje të komunizmit, por ai edhe atë e përdori hapur si një armë kundër ish kolegëve të Stalinit, të cilët përfaqësonin opozitën kryesore të tij dhe si një mjet për vendosjen e kontrollit mbi Partinë Komuniste.

Një arsye tjetër për dështimin e Churchill ishte rreziku që paraqiste politika e tij për unitetin perëndimor, sidomos për suksesin e KEM. Duke ngritur spekterin për një Traktat Paqeje për Gjermaninë, Churchill i dha një justifikim të shkëlqyer kundërshtarëve të ri-armatimit të Gjermanisë për shtesë kohe. Në dhjetor – me bisedimet amerikane për braktisjen e Gjermanisë – u bë e qartë se problemet e KEM-së kishin potencialin të shkaktonin një ndarje të thellë në botën perëndimore. Sekretari i fundit personal i Churchill ndan të njëjtin mendim në kujtimet e tij: ‘Gjatë asaj kohe unë mendova se Churchill kishte të drejtë që kërkonte me ngulm një takim me krerët e rinj sovietik, dhe se kundërshtimi i amerikanëve dhe i Ministrisë së Jashtme Britanike bazohej mbi arsyetime të gabuara, në mos mbi xhelozinë ndaj Kryeministrit. Tani, pas njohurive më të plota mbi këtë çështje, kam arritur konkluzionin se një aventurë e tillë do kishte qenë shumë e rrezikshme, sepse një sukses i mundshëm do ta kishte dobësuar Aleancën Perëndimore pa siguruar asnjë barazpeshë nga ana e sovietikëve për tu tërhequr nga qëllimet e tyre agresive.’

Ka disa eksperimente në diplomaci që nuk mund të provohen, sepse dështimi sjell risqe të pakthyeshme. Prandaj, udhëheqësit e SHBA-së dhe vendeve perëndimore nuk lejuan asnjë iniciativë të rëndësishme dhe gjatë procesit parandaluan një përpjekje serioze për të shfrytëzuar situatën pas vdekjes së Stalinit, duke ruajtur kohezionin e Aleancës së Atlantikut.

𝑺𝒉𝒕𝒆𝒕𝒂𝒓𝒊 𝒊 𝒎𝒂𝒅𝒉

Historia e Bermudës ishte shpresa e Churchill për një samit me Bashkimin Sovietik në vitin 1953. Presioni i tij për një Samit të tillë e caktoi Bermudën të mblidhej në maj, besimi i tij në takimet diplomatike kokë më kokë dhe me agjendë të hapur, rezultuan në një strukturë të keq-organizuar të konferencës, dhe çështja e bisedimeve me Rusinë u bë tema kryesore e takimit. Nuk është e vërtetë të thuhet se të gjithë të tjerët patën qëndrime negative rreth bisedimeve me Moskën: amerikanët, francezët dhe Minstria e Jashtme Britanike ishin të gjithë të gatshëm të mbanin bisedime me kusht me Rusinë. Por është e drejtë të thuhet se ata nuk prisnin ndonjë rezultat konstruktiv prej këtyre bisedimeve.

Besimi i Churchill tek bisedimet me rusët zgjati edhe përtej Bermudës, ndonëse nuk arriti ndonjë sukses. Pas prillit të vitit 1954, atij iu rizgjua besimi tek bisedimet me Moskën dhe në muajin qershor, në Shtetet e Bashkuara, ai u përpoq të bindte Presidentin Eisenhower dhe Sekretarin Dulles të vepronin edhe një herë. Përsëri, plani i tij e ndau aleancën perëndimore dhe Kabinetin Britanik – në korrik të 1954, Lord Salisbury kërcënoi të dorëhiqej mbi këtë çështje – dhe përsëri Churchill dështoi të organizonte bisedimet me drejtuesit sovietikë. Kur samiti i shumë-dëshiruar më në fund u arrit në Gjenevë, në korrik të vitit 1955, Winston Churchill nuk ishte më Kryeministër dhe ishte Eisenhower ai i cili ishte më optimisti për ‘frymën e Gjenevës’ dhe detantën – një optimizëm që nuk u mbështet nga ngjarjet që pasuan.

Mbledhja e Nivelit të Lartë e Gjenevës rezultoi të ishte shumë larg nga çfarë kishte propozuar Churchill. Në vend që të shqyrtonin shkaqet e tensionit, udhëheqësit pjesëmarës në mbledhje, vetëm sa përmendën cështjet që shpunë në Luftën e Ftohtë. Rendi i ditës luhatej midis përpjekjeve për të fituar pikë propagandistike dhe kërkesës për zgjidhjen e problemeve Lindje-Perëndim me një psokologji amatoreske.

Eisenhower dhe Dulles, me mjeshtëri dhe këmbëngulje, zhvlerësuan atë që kishte mbetur nga Shënimet e Stalinit për Paqen dhe thirrjet elokuente të Churchill për një mbledhje të nivelit të lartë, duke insistuar në zgjidhje specifike për probleme po ashtu specifike. Por, në fund ata arritën në konkluzionin se pritja që të ndodhte një ndryshim i brendshëm sovietik transmetonte një mesazh tepër të rreptë dhe se krijimi i pozitave alternative për bisedime mund të ishte tepër përçarës.

Në fakt, gjatë muajve të tij të fundit në detyrë, Kryeminstri dallonte fare pak në sipërfaqe me Eden dhe Eisenhower në lidhje me politikat e jashtme ndaj Bashkimit Sovietik. Madje, ishte vetë Churchill ai i cili nisi ti ofendonte më shumë krerët sovietikëgjatë kësaj periudhe. Në nëntor 1954, Churchill mbajti një fjalim në Woodford në të cilin ai deklaroi se ai kishte urdhëruar grumbullimin e armëve gjermane në fundin e luftës, me qëllimin për ti riarmatosur gjermanët për një luftë të re me Rusinë.

Si përfundim, shtrohet pyetja se mos ndoshta eksperienca e Churchill me propozimet për bisedime me Rusinë, arsye kryesore që e risolli në postin e kryeministrit në mesin e vitit 1953, ishte në vetvete indikatori më i qartë se ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen si premieri britanik gjatë asaj kohe. Ai ishte i moshuar, i lodhur, duke u bërë më i sëmurë dita-ditës. Insistimi i tij për paqe me Rusinë e bëri të arrinte pikën e arrogancës, më shumë konfident sesa duhet mbi pushtetin dhe rëndësinë e tij, duke mos dëgjuar opinionet dhe këshillat e miqve dhe aleatëve të tij. Inistimi dhe arrogance e tij në ndjekje të qëllimit të tij e dobësuan argumentin e tij në Kabinetin Qeveritar, ku shumë anëtarë besonin se ai kishte shkelur disa konventa kushtetuese me veprimet e tij. Interesat e Churchill në detantë ishin të vërteta, por Kryeministri dukej sikur jetonte në të kaluarën, duke shpresuar të merrte pjesë në samite që vendosnin fatin e botës siç kishte bërë gjatë luftës, por tani ai nuk ishte në gjendje të përballej me problemet e shëndetit të tij të sëmurë me kundërshtimet e një shërbimi civil profesional, Kabinetin Qeveritar, dhe udhëheqësve të tjerë perëndimorë ndaj politikave të tij.

Por çfarë është më e rëndësishme në të gjitha ato përpjekjet e Winston Churchill, është se Kryeministri mbetej akoma një njeri i madh, duke ndjekur pa reshtur ide të mëdha kundër të gjitha gjasave, siç kishte bërë gjithmonë. Arroganca, vetëbesimi, dhe refuzimi për të ndjekur turmën nuk ishin gjëra të reja për të: ato ishin themelet e triumfeve të tij më madhështore. Në një farë mënyre, besimi i tij në diplomacinë mund të ketë marë shtytje nga dëshira për ti rijetuar ato triumfe, por nga ana tjetër, politikat e tij ishin një nisje dhe një frymë e re nga situata e pashpresë që ofronte Lufta e Ftohtë.

Madhështia mund të gjendet si në dështime ashtu edhe në arritje, dhe ndonëse diplomacia e Churchill me Bashkimin Sovietik gjatë periudhës 1951-1955 nuk e arriti qëllimin e saj, ajo nuk ia heq aspak vlerat e reputacionit të tij si një nga shtetarët më të mëdhenj në shekullin e 20-të.

Filed Under: Politike

ISMAIL QEMALI NË 106 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

January 24, 2025 by s p

Ismail Qemali, marrëdhëniet e tij me Italinë për Pavarësinë e Shqipërisë (në burimet arkivore diplomatike italiane)

Dr. Paulin Marku*

Ismail Qemali është ndër figurat kryesorë të veprimtarisë politike e organizative në fillim të shekullit XX. Ai nuk mbeti vetëm në suazën politike, por pati jehonë të madhe dhe në qarqet diplomatike. Ashtu si diplomatët e tjerë, edhe italianët interesoheshin për situatën në Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojat e ngjarjeve në Ballkan, përfshirë dhe ato në viset shqiptare. Kancelaritë e huaja ndiqnin me interes zhvillimet politike të Portës së Larte si dhe të krerëve shqiptar.

Po ashtu, lëvizjet e Ismail Qemalit ndiqeshin me interes dhe nga autoritetet e larta të Stambollit dhe nga diplomacitë e huaja. Ai ishte një personalitet i rëndësishëm në procesin e gjatë dhe të vështirë të Pavarësisë së Shqipërisë. Italia ishte e interesuar për gjendjen e trazuar në Ballkan dhe për çështjen shqiptare. Në arkivin historik e diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë gjenden dokumente të rëndësishme për çështjen shqiptare. Aty ka të dhëna të shumta për situatën politike, ekonomike e kulturore të shqiptarëve. Dokumentet arkivore italiane hedhin dritë mbi lëvizjet dhe organizimin e shqiptarëve, me të dhëna të shumta në spektrin politik, ekonomik kulturor-shoqërore. Po ashtu, gjenden materiale të shumta për elitën politike të kohës në shërbim të lëvizjes kombëtare shqiptare. Një vend të rëndësishëm zënë edhe takimet politike e diplomatike gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar, kryesuar nga Ismail Qemali.

Italia informohej në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet diplomatëve e bashkëpunëtoreve të tyre për lëvizjet e elitës shqiptare dhe për politikën e brendshme të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali, ishte njëri prej tyre që mbronte interesat e popullit shqiptar brenda parlamentit në Stamboll dhe ishte një zë i fuqishëm në politik-bërje, ndaj ngjallte interes veprimtaria e tij. Rikthimi i tij në jetën aktive politike në vitin 1908, falë rivendosjes së kushtetutës dhe legjislacionit perandorak që detyronte Portën e Lartë të shpallte zgjedhjet parlamentare, shikohej pozitivisht nga shqiptaret dhe ndiqej me interes dhe nga diplomatët e huaj. Rikthimi i Ismail Qemalit në atdhe për të marrë besimin e shqiptarëve me votë, për në parlamentin e Stambollit duke bërë fushatë elektorale në zonën Berat-Vlore u ndjek me shumë interes dhe nga Italia. Ai, e priste prej kohësh shpalljen e kushtetutës perandorake dhe daljen e një amnistie të përgjithshme që i lejonte rikthimin në vendlindje. Në takimin e Ismail Qemalit me ambasadorin italian në Londër, San Giuliano, ndodhur në gusht të vitit 1908, pohonte për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë rreth bisedës së tyre.

San Giuliano shprehej se ishte diskutuar për çështjen konstitucionale dhe për situatën e shqiptarëve gegë e toske të cilët dëshirojnë kushtetutën, lirinë, rendin dhe progresin. Në njoftimin e tij, diplomati italian e përshkruan Ismail Qemalin si një burrë inteligjent shqiptar, që e njihte prej vitesh. Ai i kishte folur dhe për programin politik. Bëhet fjalë për vitin 1908 kur San Giuliano mbanë postin e krye-diplomatit italian në Londër që më vonë transferohet në Romë me detyrën Ministër i Jashtme i Italisë. Programi politik i Ismail Qemalit ishte i gjatë, ku përshkruante gjendjen në vilajetet shqiptare, projekt me mendim politik për të ardhmen. Në vitin 1908 shprehej se ishte për një “autonomi të gjere administrative në suazën e Perandorisë”, faktorizim i çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare dhe mbrojtjen nga copëtimi i territoreve shqiptare, themelimin e disa shkollave shqipe dhe shtypjen e shpërndarjen e librave në gjuhen shqipe dhe i kërkonte ambasadorit që vendi i tij të investoje në mënyrë sekrete dhe sa më parë, si dhe investime të kapitalit të huaj. Ndërkohë që Ismail Qemali mbante mandatin e deputetit dhe qëndrimet e tij opozitare ishin publike, bashkë me një grup deputetësh shqiptar në parlamentin e Stambollit, ai vazhdonte të mbante kontakte me diplomatët e huaj dhe herë pas here vizitonte përfaqësues të ndryshëm në Evropë.

Ismail Qemali nuk arriti të fitonte mandatin e II-të, të deputetit në vitin 1912. Ai gjithsesi nuk e ndaloi veprimtarinë politiko-diplomatike nëpër kancelaritë Evropiane për të lobuar në mbrojtje të drejtave kombëtare të popullit shqiptarë dhe përpiqej që të bindte diplomacinë e Vjenës, Romës, Londrës, etj, se ishte në dobi jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të Perandorisë Osmane dhe të Fuqive Evropiane që të njihen sa më parë kufijtë dhe t’i jepej autonomia Shqipërisë. Dokumentet italiane paraqesin veprimtarinë intensive me informacione dhe raporte diplomatike të shumta për takimet dhe udhëtimet e intelektualëve shqiptar.

Përfaqësuesit shqiptarë kishin kërkuar ndihmë dhe mbështetje tek qeveria italiane edhe para 1912 por me daljen e pranverës gjendja në Ballkan ishte e tensionuar dhe shqiptaret përpiqeshin të krijonin aleat në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare. Italia tregohej e kujdesshme në qëndrimet zyrtare, duke i konsideruar probleme të brendshme çështjen e shqiptarëve me Perandorinë Osmane, si dhe për shkak të konflikteve të hapura në Tripoli.

Në një takim që Ismail Qemali kishte zhvilluar me diplomatin italian Labia, ishte shprehur se shqiptarët kishin shpresuar shumë tek ata, por nuk kanë marrë ndihmë nga Italia. Ai i kërkonte konsullit italian, që të komunikonte me Romën zyrtare dhe t’ju shpërndante shqiptarëve një sasi të konsiderueshme armatimesh. Sipas dokumentit diplomatik, thuhet se I. Qemali e motivoi kërkesën e tij me argumentin se, shqiptarët do t’i përdorin armët vetëm për vetëmbrojtje dhe jo për kryengritje sepse i frikësohej rrezikut të ndonjë ndryshimi territorial në dëm të programit shqiptar, pasi Lufta Italo-Turke e kishte dobësuar Perandorinë Osmane. Në gjykimin e tij situata ishte sa premtuese aq edhe e rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë. Në përfundim të takimit, Labia i kishte thënë Ismail Beut se qeveria italiane ishte e gatshme që në rrugë ligjore të nxiste Perandorinë Osmane që të siguronte kushte sa më humane për shqiptarët dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen, ndërsa për pajisjen e shqiptarëve me armë nga ana e Italisë, i kishte dhënë një përgjigje negative. Sipas diplomatit ndihma e Italisë do të shkaktonte trazira të mëdha dhe do të jepte pretekste për interpretime Portës së Lartë.

Ai e këshillonte Ismail Qemalin që shqiptarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të evitojnë lëvizjet kryengritëse.

Citoj dokumentin e diplomatit italian, Labia dërguar Ministrisë së Jashtme të Italisë për takimin e zhvilluar me Ismail Qemalin, i klasifikuar telegram i rezervuar, nr. 230, nga Korfuzi, më 2 maj 1912: “Kam patur mbrëmë një intervistë me Ismail Qemal Beun. Në përfundim, pas të njëjtave deklarata dashamirëse kundrejt Italisë, ai shtoi se shqiptarët nuk kanë marrë deri më tani ndihmat e mëdha që prisnin prej saj. Ai më përsëriti se i kishte paraqitur Shkëlqesisë së Tij Markezit Imperiali, ambasadori ynë në Londër, kërkesën se meqë situata e vështirë në Turqi mund të sillte ndryshime territoriale në dëm të programit shqiptar gjatë dhe pas luftës italo-turke, Italia t’u shpërndante shqiptarëve një sasi të madhe armësh (nga ato të skartuarat e ushtrisë).” Por përgjigja ishte tepër diplomatike dhe e matur. Labia e falënderoi për ndjenjat në favor të Italisë, dhe ju përgjigja se, ishte në dijeni, se qeveria italiane ka bërë gjithmonë gjithçka ne mënyrë ligjore që të nxisë qeverinë osmane t’u siguronte kushte sa më humane shqiptarëve, dhe këtë do vazhdonte ta bënte me një interes të madh.

Diplomati italian pohonte nuk është e mundur të vendoset shpërndarja e armëve pasi kjo mund të krijojë pavarësisht gjithçkaje, një situatë të rrezikshme. Për më tepër elementë trazues shqiptarë nuk janë të gjithë të disiplinuar dhe të bindur. Ë shpërndarja e armëve nga ana e Italisë (që do merrej vesh shumë shpejt) do të jepte padyshim pretekste për interpretime dhe komente false dhe të rrezikshme.

Në qarqet diplomatike italiane situata në viset shqiptare konsiderohej shqetësuese. Këtë e konfirmonte një tjetër diplomat i Italisë nga Athina. Ambasadori pohonte se shqiptaret po bëjnë përpjekje për të siguruar armatime për popullatën. Në vazhdimësi të rendimit të situatës të shqiptarëve përpjekjet për të kërkuar ndihma dhe bashkëpunim me Italinë ishin të vazhdueshme të Ismail Qemalit. Këtë e konfirmon ambasadori italian në Paris nëpërmjet telegramit të tij, dërguar ministrit të Jashtëm San Giuliano, emërtuar, I rezervuar nr. 1564, telegram nr. 670. Në atë takim, Ismail Qemali kishte kërkuar ndihma nga Italia sepse revolta ishte në rritje dhe situata mund të përshkallëzohej dhe për pasoje rrjedhat e ngjarjeve mund të ndryshonin. Citoj: “Qemal Beu u përqendrua në lëvizjen aktuale shqiptare, duke u përpjekur që të marrë një ndihmë nga qeveria italiane. Sipas tij, revolta aktuale është e paracaktuar që të zgjerohet dhe të ketë ndikim të madh në qeverinë qendrore të Kostandinopojës aq sa të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Pavarësisht se Aloisi i kishte paraqitur deklaratat e përsëritura të Italisë për Ballkanin, Ismail Qemali ka këmbëngulur, duke treguar se ndërhyrja e Italisë mund të sillte një ndryshim të favorshëm për përfundimin e veprimeve ushtarake. Ai nuk kishte besim te udhëtimi i ministrit të Brendshëm Osman, Haxhi Adil beu për të kryer reforma në Shqipëri.”

Por, shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme në vitin 1912 nxori në pah disa aspekte të rëndësishme të gjendjes së dobësuar të Perandorisë Otomane, shfaqjen haptazi për realizimin e qëllimit të shqiptarëve, si dhe nxjerrjen në pah të synimeve të fqinjëve ballkanik në dëm të tokave shqiptare.

Diplomacia italiane edhe pse në dijeni të ngjarjeve që ndodhnin në Shqipëri, ajo ishte shumë e kujdesshme në deklaratat zyrtare për situatën e rënduar në këto vilajete, madje evitonte të ndërhynte në punët e brendshme të Perandorisë. Qëndrimet zyrtare ishin për mos të hapur probleme të tjera me Stambollin si dhe për të mos ngjallur rivalitet me Austro-Hungarinë. Në komunikimet telegrafike që kishte patur ministri i Jashtëm i Italisë me diplomate italian, ai ishte shprehur se vendi i tij ishte në dijeni të trazirave që po ndodhnin dhe nuk mbështeste situatën e rënduar dhe masat e ashpra që po ndërmerrte ekspedita osmane në viset shqiptare. Italia pati edhe qëndrime jo zyrtare për përkrahjen e çështjes shqiptare, të cilat ishin iniciuar nga njerëz të pushtetshëm. Siç ishte rasti i vitit 1911 kur në Romë u themelua komiteti me lëvizjen “Pro Albania”, nën kryesinë e Ettore Ferrarit, që mbante postin e kryetarit të partisë Republikane. Komiteti u mbështet edhe nga i mirënjohuri Riciotti Garibaldi. Ai ishte edhe ndër nismëtarët që organizoi ekspeditën prej 500 vullnetarësh garibaldianë për t’u ardhur në ndihmë çetave shqiptare. Vullnetarët që do të niseshin nga vendi fqinj do t’i priste juristi arbëresh Terenc Toçi që ndodhej në Shqipëri, por në momentin e fundit kjo lëvizje u pengua nga qeveria italiane. Roma zyrtare deklaronte zyrtarisht se hiqte dorë nga lëvizja pasi dëmtonte interesat e politikes së jashtme të Italisë.

Tentativat e udhëheqësve shqiptarë për të siguruar ndihmë tek qeveria italiane ishin të vazhdueshme, por ato nuk përmbushen pritshmëritë e shqiptarëve. Ismail Qemali qe në marrëdhënie të mira me italo-shqiptaret. Ai kishte vizituar disa here komunitetin shqiptar në Itali. Edhe kur ishte pyetur në vitin 1907 nëse politika italiane përputhej me programin e popullit shqiptar, Ismail Qemali nuk kishte ngurruar të përgjigjej në mënyrë pohuese. Udhëtimet e Ismail Qemalit u shtuan në vjeshte të vitit 1912. Më 26 tetor 1912 Ismail Qemali niset nga Stambolli për në Bukuresht. Ai së bashku me Luigj Gurakuqin, e të tjerë prijës organizuan emigracionin shqiptar në Bukuresht, të cilët vendosen përgatitjen e një kongresi kombëtar shqiptar.

Gjithashtu, vendosen të dërgojnë telegrame në çdo cep të Shqipërisë se kishte ardhur koha që të realizohen aspiratat kombëtare. Pas takimit në Bukuresht, Ismail Qemali shkoi në Vjenë nga ku i dergoi edhe telegramin të birit rreth të ardhmes së Shqipërisë dhe të bënte të njohur lajmin e mirë në të gjitha anët e vendit. Biseda me Berchtoldin në Budapest, me miratimin e pikëpamjeve mbi çështjen kombëtare shqiptare, me përkrahjen gjithashtu edhe prej Italisë, Ismail Qemali u nis për Trieste ku e prisnin një grup shqiptarësh për t’u kthyer së bashku në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912 u mblodh një asamble kombëtare, kryesuar nga Ismail Qemali dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u formua qeveria e përkohshme. Menjëherë u njoftuan me telegram Fuqitë e Mëdha për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Telegrami i kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, i datës 28 nëntor 1912, drejtuar Ministrive së Punëve të Jashtme të Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Britanisë së Madhe, me anë të cilit njoftonte për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre.

Ndonëse shqiptarët nuk gjeten mbështetjen e pretenduar tek Italia, akti politik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë shënon fundin e procesit të komb-formimit modern te shqiptarët dhe i hap udhë procesit të ngritjes së shtetit shqiptar me mbështetjen kryesisht të Austro-Hungarisë dhe me përkrahjen e Italisë.

*Ribotim.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT