• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARCO RUBIO – KRYEDIPLOMATI I RI I SHTETEVE TË BASHKUARA

January 23, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Marco Rubio, (53-vjeç) ish-Senatori republikan nga shteti Florida, jo krejt i panjohur për lexuesit — një yll i ri i Partisë Republikane të Amerikës për më shumë se një dekadë tani, përflitej për do kohë se do emërohej në ndonjë detyrë të lartë në mandatin e dytë të Administratës së Presdentit Donald Trump, megjithse kishte ssfiduar Z. Trump në fushatën e përzgjedhjes së kandidatit republikan për president 

—Frank Shkreli: Senatori Republikan antikomunist Marco Rubio në krye të Diplomacisë Amerikane? | Gazeta Telegraf

—Frank Shkreli/ Një yll i ri i partisë Republikane në SHBA? | Gazeta Telegraf – 

Ashtu edhe ndodhi, parashikimet u bënë realitet. Dy muaj më parë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump e emëroi ish-Senatorin Marco Rubio në detyrën e Sekretarit të Shtetit – në krye të diplomacisë amerikane për katër vitet e ardhëshëm. Të hënën, menjëherë, pas betimit të Donald Trump në mandatin e dytë presidencial në Shtëpinë e Bardhë, Dhoma e plotë e Senatit amerikan, me vota unanime (99-0) konfirmoi emërimin e Z. Rubio në krye të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ndërsa ditën e të martë ai bëri betimin në detyrën e re para Zevendës-presidentit J. D. Vance, duke u bërë kështu anëtari i parë i kabinetit të Zotit Trump në administratën e tij të dytë.  Sekretari i Shtetit, i emëruar nga Presidenti dhe me miratimin e Senatit, është këshilltari kryesor i Presidentit për politikën e jashtme. Me ndihmën e 80-mijë diplomatëve dhe nëpunsve të tjerë të DASH — të vendosur në Washington dhe në ambasadat amerikane anë e mbanë botës — Sekretari i Shtetit zbaton vizionin e politikës së jashtme të Presidentit.  Si ë tillë, këtë vizion, Kryediplomati i ri amerikan, Zoti Marco Rubio e njoftoi, publikisht, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, javën e kaluar  Opening Remarks by Secretary of State-designate Marco Rubio Before the Senate Foreign Relations Committee – United States Department of State,  angazhimin e tij për një politikë të jashtme të përqendruar tek interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke folur në hollësi mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme nga këpndveshtrimi I tij dhe administratës Trump, përfshirë kërcënimet nga Partia Komuniste Kineze, imigracioni në masë dhe konfliktet anë e mbanë botës, ndërsa paralajmëroi gjithashtu edhe për diktatorët në Moskë, Teheran e Phenian, që shkaktojnë destabilitet në botë.

Por, “Përfundimisht”, theksoi Z. Rubio, për administratën e Presidentit Trump, “përparësia numër një e Departamentit të Shtetit është interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, duke shtuar se. “Udhëzimi që ai (Presidenti Trump) ka përcaktuar për politikën e jashtme, është i qartë”, nënvijoi ai para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme. “Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që ne financojmë, çdo politikë që ne ndjekim, duhet të justifikohet duke iu përgjigjur këtyre tre pyetjeve:

A e bën Amerikën më të sigurt?

A e bën Amerikën më të fortë?

Dhe, a e bën Amerikën më të begatë?”

Z. Marco Rubio e zhdërvjelloi këtë ide disi më gjerësisht para Komisionit të Senatit të Punëve të Jashtme të mërkurën e kaluar:  “Të jesh i kujdesshëm në përpilimin e politikës së jashtme nuk do të thotë braktisje të vlerave tona. Por, s’do mend se ndërsa ne mbetemi kombi më i pasur dhe më i fuqishëm në botë, pasuria jonë nuk ka qenë kurrë e pakufizuar dhe forca jonë nuk ka qenë kurrë e pafund. Vendosja e interesit tonë thelbësor kombëtar, mbi të gjith tjerat, nuk është izolacionizëm; por është kuptimi i arsyeshëm se një politikë e jashtme e përqendruar në interesin tonë kombëtar nuk është ndonjë relikë e vjetëruar. Që nga shfaqja e shtetit-komb modern, mbi dy shekuj më parë, vendet kanë vepruar bazuar në atë që ata e perceptojnë si interesin e tyre kryesor kombëtar – kjo ka qenë normë, jo përjashtim. Dhe për vendin tonë, vendosja e interesit të Amerikës dhe e amerikanëve, mbi gjithçka tjetër, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme apo më e nevojshme se sa është sot. Sepse në fund të fundit, si mundet Amerika të promovojë sot kauzën e paqës në botë, nëqoftse nuk është vet e sigurt brenda kufijve të saj? Çfarë dobie ka Amerika për aleatët tanë nëse nuk është e fortë, për veten? Dhe si mund t’i japë fund Amerika vuajtjeve të fëmijëve të Zotit, anembanë botës, nëse, së pari, nuk është e begatë këtu ku jetojmë, në vendin tonë?”, theksoi ndër të tjera Marco Rubio, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme.

Gjënë e parë që ai bëri ditën e martë, Sekretari i Shteteit Marco Rubio vajti në ndërtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit për tu prezantuar dhe për të shprehur mirënjohjen për diplomatët amerikanë që shërbejnë në Washington dhe

anë e mbanë botës. Sekretari Rubio paralajmëroi, me atë rast se, po, “do ketë ndryshime por, ndryshimet nuk kanë për qëllim të dëmtojnë njeri, as të ndëshkohet ndokush”.

Gjatë seancës së miratimit në detyrën e tij të re, të mërkurën e kaluar, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme dhe në fjalimin që mbajti në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, Sekretari Rubio, i lindur në Amerikë, por me prindër nga Kuba – foli për familjen e tij dhe prindërit e tij të arratisur nga Kuba në vitin 1956, të cilët, sipas tij, erdhën në këtë vend pa asgjë, por vetëm me një ëndërrë, për një jetë më të mirë, tha Z. Rubio. Kjo ditë, shtoi ai, më kujton se ishin, prindërit e mi, të cilët nuk janë më me ne, ata të cilët përgatitën rrugën që më solli mua këtu ku jam sot. Falë atyre, nenvijoi ai, “unë kam pasur privilegjin që të kem lindur në vendin më të madhërishëm në historinë e botës”. Përveç mirënjohjes për prindërit dhe familjen e tij, Sekretari i ri i Shtetit – ndryshe nga shumë para-ardhës tij tij –në prak të fillimit të detyrës së re në krye të diplomacisë amerikane — falënderoi të Madhin Zot për bekimet që i ka akorduar atij në jetën e vet.

“Besimi im është kritik dhe është diçka në të cilën do të mbështetem dhe do të mbështetem shumë në muajt në vijim. Në një botë të trazuar – ne jemi thirrur të promovojmë kauzën e paqes dhe të mirën e përbashkët. Kjo detyrë është bërë më e vështirë se kurrë”. Si përfundim, vazhdoi Sekretari i Shtetit Rubio, “Unë do të mbështetem shumë në besimin tim dhe do të lutem për bekimet e Zotit, që ai të më japë forcën, mençurinë dhe guximin për të bërë atë që është e drejtë, në këto momente të vështira”, është shprehur Z. Rubio.

Në fjalimin e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Rubio vlerësoi se, me fundin e luftës së ftohët dhe me triumfin e demokracive perendimore mbi komunizmim, në Amerikë u krijua njëfarë konsensusi politik nga të dy partitë kryesore se, “Tani kishim arrijtur në fund të historisë”, siç u shpreh ai. “Se të gjitha kombet e botës tani do të bëheshin anëtarë të demokracisë të udhëhequr nga vendet perëndimore demokratrike. Se një politikë e jashtme që i shërbente interesit kombëtar, tani mund të zëvendësohej me një politikë që do t’i shërbente rendit të ri liberal botëror. Me besimin se i gjithë njerëzimi tani ishte i destinuar të braktiste sovranitetin dhe identitetin kombëtar dhe në vend të kësaj do të krijohej një familje e madhe njerëzore dhe të gjithë do bëheshin qytetarë të botës. Kjo nuk ishte, thjesht, një fantazi. Tani ne e dimë se ishte një mashtrim i rrezikshëm”, ka thenë Z. Marco Rubio në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, të mërkurën që kaloi, duke shpjeguar përparësitë e politikës së jashtme të administratës së Presidentit Trump.

Ndërkaq, Z. Rubio paralajmëroi mbi “krizën historike të migracionit” në masë, jo vetëm në Amerikë por anë e mbanë botës, që sipas tij, është një krizë që po kërcënon të destabilizojë shoqëritë dhe qeveritë e ndryshme në botë. Ndërkohë, që sipas tij, anë e mbanë botës perëndimore, “qeveritë tani censurojnë e madje ndjekin penalisht kundërshtarët e mbrendshëm politikë”, është shprehur Rubio.

Prandaj, “8 dekada më vonë, neve na kërkohet edhe njëherë që të krijojmë një botë të lirë nga kaosi aktual në botë, ndonëse kjo nuk do të jetë e lehtë. Një gjë e tillë do jetë e pamundur pa një Amerikë që beson në vetvete dhe që angazhohet në botë, duke vendosur, edhe njëherë, interesat tona themelore kombëtare, mbi çdo gjë tjetër”, theksoi Rubio, duke u mbështetur edhe në mandatin e dhenë administratës Trump nga zgjedhsit amerikanë:  “Ata duan një Amerikë të fortë – një Amerikë të fortë dhe të angazhuar me botën, një Amerikë me një objektiv të qartë për të promovuar paqën në botë dhe sigurinë e begatinë në vendin tonë, Amerikën… Një premtim i dhenë, një premtim i mbajtur që do jetë thelbi i misionit të Departamentit Amerikan të Shtetit”, ka thenë Z Rubio në fund të dëshmisë së tij para antarëve të Komisionit të Senatit që merret me Punët e Jashtme të Amerikës.

Duke reflektuar mbi fjalët e Sekretarit të ri të Shtetit, Z. Marco Rubio, drejtuar Senatit, punonjësve dhe diplomatëve amerikanë në Washington dhe anë e mbanë botës, është e pamundur të heq nga mendja aktualitetin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në përgjithsi dhe ato midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në veçanti.  Sa i përket marrëdhënieve Tiranë-Washington, nuk e di se ç’të them, në këtë ndërrim të administratave në Washington. Nuk besoj se e ekzagjeroj kur them se ato vazhdojnë të jenë në nivelin më të ulët në këto tri dekada, ndoshta me përjashtim të vitit 1997. Frank Shkreli: Thikë m’u në zemër të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane!     | Gazeta Telegraf  Më duket si një ftohje e shëmtuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona — një pauzë e pashpjegueshme në marrëdhëniet dy-palëshe! Për mua, dikush ka vepruar sistematikisht dhe në mënyrë djallëzore që të sillnin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në këtë pikë dëshpërimi, pas aq shumë përpjekjesh për t’i vendosur ato në nivelin që duhej dhe që meritonin, historikisht. Kush dhe pse?! Keqëbërsit, kurrë mos bëfshin hajër!  Në pikën më të ulët ku janë sot – duke e goditur rëndë gjënë më të mirë, për shumë shqiptarë kudo në botë – rivendosjen e marrdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës 35-vjet më parë – pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.  Sidoqoftë, presim dhe shpresojmë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të nxirren nga absurditeti aktual dhe të sillen në normalitetin diplomatik, ashtu siç u ka hije dy kombeve, historikisht, mike. 

Fjalët e Sekretarit të Shtetit mbi vizionin e politikës së jashtme të administratës së Presidentit Trump janë të qarta. Se si dhe nëse ai vizion do mund të shëndërrohet në një realitet më të mirë për Shtetet e Bashkuara, për marrëdhënie më të mira midis Shqipërisë dhe Amerikës-Kosovës dhe Amerikës dhe për një Amerikë më të fortë, më të sigurt, apo më të begatë dhe për një botë në paqe – atëherë kjo mbetet për tu parë, në muajt dhe vitet e ardhëshme.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë të vështirë!

Image

Presidentja e Republikës së Kosovës ishte ndër udhëheqsit e parë ndërkombëtarë që, në emër të popullit të Kosovës, dërgoi urimet e saj Sekretarit të ri të Shtetit (DASH), Z. Marco Rubio për detyrën e re në krye të diplomacisë amerikane. “Kosova pret me padurim të bashkpunojë me ju për fuqizimin e alancës tonë të fortë dhe për promovimin e vlerave tona të përbashkëta, përball sfidave të kohës në të cilën jetojmë”, shkruan e para e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në urimin e saj drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit me rastin e fillimit të punës në krye të diplomacisë amerikane në administratën e Presidentit Donald Trump. *Foto nga një takim i para disa muajve i Presidentes së Kosovës me Senatorin Marco Rubio në zyrën e tij në Kongres.

Filed Under: Politike

Rezoluta rreth komunizmit në Amerikë

January 22, 2025 by s p

Besim Ndregjoni/

Një lajm i gëzuar në fundvitit 2024 erdhi nga shteti i lirisë dhe demokracisë nga Amerika. Para pak ditësh Kongresi Amerikan me shumicë votash miratoi Rezolutën H.R. 5349, akti vendimtar për mësimin e së vërtetës rreth komunizmit në shkollat amerikane. Në shkollat shqiptare diktatori që vrau elitën shqiptare njihet si udhëheqës i Luftës së Dytë Botërore. Akti vendimtar kaloi me shumicë vote në numrin 327 po dhe 62 jo. Në këtë kurikulum mendohet se do të përfshihet edhe tragjedia shqiptare e rreth 46 vjet të diktaturës komuniste. Kjo rezolutë u përgatit nga kongresistja Maria Elvira Salazar, republikane e Floridës dhe u përkrah nga 27 kolegë e saj”. Komunizmi është një nga ideologjitë politike më shkatërruese që bota ka parë ndonjëherë, – tha kongresistja Salazar duke folur në Kapitol Hill – mësimi rreth së vërtetës së komunizmit – tha ajo – është e rëndësishme, sepse të rinjtë tanë duhet të kujtojnë krimet e komunistëve, përfshirë ato që u janë shkaktuar zgjedhësve të mi dhe familjarëve të tyre në diskritin 27 të Floridës (kubanez, kinez, shqiptar, rusë, venezulianë e të tjerë) projektrezoluta thotë se mbi 100.000.000 njerëz kanë vdekur për shkak të trashëgimisë tragjike të komunizmit. Studentët amerikanë meritojnë të dinë të vërtetën.

Po studentët shqiptarë, kur do ta mësojnë të vërteten e komunizmit. Akti vendimtar i mësimdhënies së komunizmit do të ndihmojë për të korrigjuar këtë gabim, ndërsa ne punojmë për ta fshirë këtë ideologji të ligë në heqjen e saj prej hirit të historisë. Së bashku, ne mund të kujtojmë viktimat dhe të qëndrojmë në anën e duhur të historisë. Të dy përfaqësuesit e Kongresit, si demokratët edhe republikanët u shprehën: “Të sigurohemi që të rinjtë e Amerikës dhe gjeneratat e ardhshme e udhëheqësve të kuptojnë plotësisht rëndësinë e lirisë dhe demokracisë në Shtetet e Bashkuara, është jetike”. Po Shqipëria, kur do ta bëjë një gjë të tillë? Kur do t’i kujtojë viktimat e komunizmit enverist zyrtarisht dhe kur do t’i dënojë krimet e komunizmit?! Shembulli nga Shtetet e Bashkuara të iniciatores kongresistes Maria Elvira Salazar është një mësim për deputetet shqiptarë që të bëjnë ligje për votuesit dhe jo ligje për të rritur rrogat e tyre, politika dhe institucionet shqiptare përpara kësaj rezolute duhet të turpërohen për sjelljen e tyre 35-vjeçare ndaj antikomunistëve shqiptarë. Të turpëroheni ju, politikanë dhe drejtues të shtetit shqiptar, se keni 35 vite që s’keni kërkuar falje për këto krime makabre që iu kanë ndodhur antikomunistëve shqiptarë.

Në emër të 6000 familjarëve të të zhdukurve shqiptarë nga Partia Komuniste, të 917 mijë viteve burg të 34.000 të burgosurve politikë, të 100.000 familje të internuarve e dëbuar politikë, falënderojmë përzemërsisht kongresisten Maria Elvira Salazar, republikane e Floridës për këtë ligj sa njerëzor, edhe ndërkombëtar. Falënderojmë e solidarizohemi me Kongresin amerikan, duke i shprehur mirënjohjen tonë për këtë rezolutë që i shërben paqes dhe dënimit të krimeve të komunizmit. Nisur nga ky lajm i gëzuar për mbarë komunitetin antikomunist shqiptar, që përballoi vuajtjet dhe torturat çnjerëzore të xhelatëve komuniste, Unioni Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë duke luftuar heshtjen vrastare të politikanëve shqiptarë ndaj krimeve të komunizmit dhe glorifikimit e ideologjisë komuniste në ndërtimin e sistemit demokratik nga politika 35-vjeçare ndaj këtij krimi më 20 janar i bëri një thirrje kombëtare parlamentit shqiptar, duke ua dorëzuar të gjithë deputeteve të këtij parlamenti thirrjen tonë në fillimin e sesionit të ri parlamentar që t’i bashkohen kësaj rezolute të Kongresit Amerikan dhe të dënojnë krimet e komunizmit, t’ju kërkojnë falje për heshtjen e tri dekadave që kanë bërë ndaj bashkëkombësve të vet, duke mos i dënuar këto krime.

Thirrjen tonë kombëtare po e bëjmë publike para shqiptarëve dhe të dënojmë heshtjen makabre të këtyre politikanëve të paskrupullt, që e kanë kthyer demokracinë në një sistem korrupsioni e shkatërrimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Thirrja e jonë është një kambanë alarmi që këta politikanë ligjvënës të luftojnë e të dënojnë krimet e komunizmit që të mos kemi prishje të ekuilibrave të shoqërisë, se prishja e ekuilibrave në një shoqëri e çon popullin drejt konfliktit e urrejtjes. Detyrimi ligjor për t’i dënuar krimet është kushtetues dhe kombëtar. Çdo heshtje ndaj krimit komunist, siç keni bërë gjatë këtyre tri dekadave, iu ngarkon dhe iu bën bashkëfajtorë me krimin e kriminelin. Ne presim që Kuvendi i Shqipërisë si organi ma i lartë i shtetit shqiptar si republikë parlamentare t’i bashkohet rezolutës së Kongresit amerikan për t’i edukuar brezat e ardhshëm me paqe e me urrejtje ndaj krimit.

Filed Under: Politike

Presidentja Osmani: Presidenti Rugova mbetet simbol i paqes e lirisë

January 21, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, kanë bërë homazhe te varri i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: “Me krenari dhe respekt të thellë, bashkë me përfaqësues të korit diplomatik, bëmë homazhe në nderim të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, njeriut që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Ati themeltar shquhej për vizionin e tij largpamës për një Kosovë të lirë, të pavarur, demokratike dhe të integruar në familjen euroatlantike. Ai mbetet simbol i paqes e lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme”!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në përvjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen e tij. Presidentja Osmani ka shkruar: “Kujtimi për presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova, nuk është vetëm histori, por busulla jonë nacionale. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vizitova familjen e tij, në të cilën edhe më shumë e kuptojmë madhështinë dhe urtësinë me të cilën ai ndërtoi vizionin që na frymëzoi ne dhe do t’i frymëzojë brezat që vijnë për dashurinë e pakusht ndaj Kosovës”.

Filed Under: Politike

“Trump 2, urime, shpresa dhe mirënjohje kombëtare”

January 20, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sot, datë 20 Janar 2025, në hollin e Capitol Hill, Washington, do të zhvillohet ceremonia e betimit të Presidentit të 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.T.Z Donald Trump , i cili kundër pothuaj të gjithëve (Deep state, fake-news dhe exit polleve fake), i fitoi të gjitha (Shtëpinë e Bardhë, Senatin, Kongresin dhe votën popullor)), duke u ri-kthyer triumfalisht për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në pamundësi të pjesëmarrjes fizikisht (përgjigjur ftesës Senatorit Republikan Roger Wicker, Chairman of ASC), në statusin e Senior Ekpertit të Sigurisë, që në dy fushatat (16/2024) ka konfirmuar publikisht besimin dhe mbështetjen në projektin e Tij për: “Amerikën përsëri të madhe” (e shqipëruar edhe më të fortë), ose një superfuqi të pakonkurueshme dhe të pamposhtur, nëpërmjet gazetës Panorama i shpreh urimet më të përzemërta dhe i uroj suksese në 4 vitet në vijim, Presidentit Trump.

Po ashtu, i uroj përzemërisht suksese si dhe mbetem besimplotë se Trump-2 do ta shpëtojë/shërojë ShBA nga “Deep State; demokracia fasadë, korrupsioni i politikaneve të lartë; ushtria e burokratëve me kullaro demokratike, si dhe interesat e filantropistëve” që kanë pushtuar jo vëtem shtetin Amerikan, por edhe Kombin tonë të ndarë në dy shtete sovrane (Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës).
Nga ana tjetër, mbetem shpresëplotë, seTrump2 do të shërbejë edhe për Paqe dhe botë, europë, rajone, etj më të sigurt. E thënë më qartë, pa fuqinë e pakonkurueshme të SHBA, nuk ka as NATO, as Paqe as Stabilitet dhe as besim te rendi dhe mekanizmat e sigurisë gloale.

Prandaj, pa hyrë në detaje që nuk janë subjekt i ketij shkrim-urimi, mbetem shprëseplotë se Trump-2 duke përdor forcën e Leadership-it të Tij, të integruar me fuqinë e pakonkurueshme ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të ShBA, do të triumfojë në Ukrainë, Lindjen e Mesme, etj, duke i gjunjëzuar, Rusinë-Putiniste, Kinën, Iranin, Kim-Jongun, veçmas apo edhe në Aleanca të mundshme.
Por, pse jam besimplotë se Presidenca Trump-2 do të jetë mbështetje e fortë për interesat (mbarë) Kombëtare, të cilat fatmirësisht i gjej të konvergojnë edhe me interesat gjeopolitike të ShBA në Ballkan:

Së pari, në statusin e Ekpertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe marrëdhënieve me ShBA/NATO dhe si i privilegjuar/ftuar të ndaj: “vleresime strategjike për rreziqet e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perendimor” në forumet/Institutet dhe kokegët e Senatit të USA në fundvitin e 2024, etj, ripërsëris mirënjohjen kombëtare për Presidencën Trump-1, konkretisht për Marrëvëshjen e Paqes, nënshkruar nën përkujdesjen/imponimin e Tij në Dhomën Ovale, (shtator 2020)” nga Kryetarët e Weveribe të dy vendet sovrane (Kosovë-Serbi), si dhe “qershinë mbi tortē”, njohjen nga Izraeli të Kosovës.

Së dyti, mbetem sigurisht shpresëplotë se, Trump-2 do të “ri-investohet personalisht”, për të përmbyllur Projektin e Tij/Marrëvëshjen e Paqes (2020), të përmirësuar përkundër: “oshilacioneve të Millosheviçit dhe interesave gjeopolitike të Rusisë-Putiniste në Rajon; riciklimit te frikshëm të garës së armatimeve dhe axhendes bolshevike e përjetësisë së pushtetit të Dodik-ëve të korruptuar ne Rajon”, pra për imponimin e zbatimit të një: “paketë me investime gjeostrategjike si autostrada e paqes Beograd-Prishtinë dhe lidhje me koridorin 8; port rajonal në ujërat e thella të Adriatikut (RSh), si dhe njohje të reja për Kosovës”.

Së treti, ndërkohë që janë tërhequr “me zvarritje” nga deliret e (mbi) Pushtetit se: “Trump-1, përbënte kërcënim për ShBA dhe marrëdhëniet me RSh”, edhe gjatë Trump-2 do të (keq) zhgënjehen sovranistët e Prishtinës edhe pashallarët e Tiranës zyrtare, pasi edhe Presidenca-2 ka për të provuar se prioritet i Presidentit Trump nuk janë emrat e pushtetarëve të radhës as partitë politike (u thënçin), por: “vetëm konvergjenca e interesave gjeopolitike Amerikane me ato Kombetarë/RSh në rajon, Adriatik dhe mesdhe”.

Së fundmi, mësimi i përbotshëm nga fitoria historike e Trump-2, është se krizat e nuk zgjidhen vetë, as vetem me fjalime cinike, as me peshqeshe “alla-Sulltanatë”, por as se “do na vijë vetë Domald Trump të shpëtojë Shqipërinë” e (keq) gjunjëzuar nga demokracia fasadë, shteti i kapur nga korrupsioni në çdo qelizë si dhe fuqia elektorale/kriminale e mbipushtetit”.

Parë kështu, j’u i bej thirrje vllazërore bashkë-qytetarëve (sigurisht edhe emigrantëve), që në zgjedhjet 11 Majit 2025 t’i përbashkohemi misionit historik të 1990 “për Shqipërinë demokratike si gjithë Europa”, duke j’u rikthyer shqiptarëve besimin te vlerat e të djathtës: “Familja, Atdheu, Tregu, Interesat Kombëtare, balancat demokratike të pushteteve dhe orientimi Euroatlantik i Kombit tonë të bekuar”!

Zoti e bekoftë Presidencën Trump-2, interesat kombëtare dhe partneritetin strategjik me ShBA-të si dhe aspiratën e Shqiptarëve, për ti bërë RSh dhe Kosovën si USA dhe gjithë Europa demokratike.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Expert për SK, Rajonin dhe USA/NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

“REBELI”, NJË LIBERAL AMERIKAN NË TIRANËN ORIENTALE…

January 18, 2025 by s p

Sokol Paja/

“Rebeli” i Ilir Ikonomit na njeh imtësisht me Shqipërinë, politikën shqiptare, institucionet dhe shqiptarët në vitet 1920-1924. Këto katër vite janë me luhatje të vrullshme të cilat shkaktojnë stuhi politike të panjohura më parë në Shqipëri që nga shpallja e Pavarësisë. Monografia e z.Ikonomi skanon dhe na jep detaje historike me veprimtarinë e gjërë politike, diplomatike si dhe fetare e kulturore të Imzot Fan Nolit. Udhëtimi i tij që nga Amerika e largët dhe ardhja në Shqipëri më 8 prill 1921 në një terren me një larmishmëri politike, konjuktura dhe përplasje brenda dhe jashtë partie pëshkruhet me detaje në libër, deri në momentin e largimit përfundimtar nga Shqipëria më 26 dhjetor 1924. “Rebeli” si dëshmi historike, mjeshtrisht hedh dritë, trajton me detaje dhe skicon figura politike e atdhetare që dominuan dhe tronditën skenën politike shqiptare 1920-1924.

Libri përshkruan udhëtimet e Nolit nëpër Evropë dhe ecejaket për të zbritur në territorin shqiptar dhe pengesat e shtetit shqiptar me preteksin se cënonte marrëdhëniet me Greqinë. Studiuesi Ilir Ikonomi përmes “Rebelit” na sjell një rrëfim të jetës së Peshkop Nolit ku çështja e autoqefalisë së Kishës Ortodokse dhe zhvillimi i saj ishte një paralele që shoqëroi Nolin klerik e politikan gjatë gjithë rrugëtimit të tij diplomatiko – politik. Autori Ikonomi referohet në burimet arkivore kryesisht të huaja si: raportet e ministrit amerikan Grant-Smith, atij britanik Harry Eyres; francezit Jean Béguin Billecocq si dhe të shumë diplomatëve perëndimorë.

Është interesante sesi gazeta Dielli e shihte Nolin si shpëtimtarin e Shqipërisë, teksa libri citon nga një artikull ku thuhet se tek ai “Shqipëria do të gjejë udhëheqësin që i duhet sot, këshilltarin e vërtetë, njeriun që do ta nxjerrë nga baltovinat e sotme në rrugën e drejtë, në udhën e përparimit”.

Noli u fut në Parlamentin shqiptar që quhej Këshilli Kombëtar si deputet i Vatrës dhe Sotir Peci për shkak të marrëdhënies së komplikuar me Nolin më herët te gazeta Kombi në Boston, tentonte ta mbante larg Nolin nga Shqipëria duke i ofruar pozita të larta shtetërore jashtë Shqipërisë. Në libër përshkruhen anëtarët e Parlamentit Shqiptar ku “Shumë prej deputetëve mbanin fezin e bardhë ose të zi, trashëgim nga Turqia; të tjerë e kishin kokën zbuluar. Hoxha Kadri mbante një fez të kuq me turban të bardhë sipër. Noli kishte ardhur me veshje civile, mjekrën e kishte të gjatë, ndërsa kapela me strehë e bënte të dukej si klerik hebre”.

Maturia dhe diplomacia e shkëlqyer e Nolit në Lidhjen e Kombeve, diskursi kundër Jugosllavisë e Greqisë, me një oratori dhe elokuencë të shkëlqyer, jo vetëm tërhoqi vemëndjen e opinionit publik ndërkombëtar si dhe të mediave por dhe lartësoi imazhin e Shqipërisë në Perëndim. Noli paraqitet te “Rebeli” si një atdhetar i madh, poliglot me njohuri të disa gjuhëve të huaja, i ditur, i zgjuar, i aftë të përdorte një retorikë brilante në takimet e tij publike qoftë brënda apo jashtë vendit. Po ashtu ky libër përshkruan fushatën e mbledhjes së fondeve nga shqiptarët e Amerikës veçanërisht nga Vatra e njohur në opinionin publik si “Huaja kombëtare” e Vatrës për shpëtimin e shtetit shqiptar.

Libri na njeh dhe me ankesën e Kostë Çekrezit dhe padinë e avokati Arthur Baldwin në Departamentit amerikan të Shtetit se zgjedhja e Fan Nolit deputet nga Vatra cënonte interesat amerikane. “Rebeli” pasqyron në detaje intrigat e politikës së Tiranës gjatë viteve 1920-24 që rrëzojnë qeveritë e njëpasnjëshme në Tiranën e brishtitë politike, institucionale, ekonomike dhe kulturore. Interesante në studimin “Rebeli” paraqitet elita intelektuale e diasporës në Amerikë në angazhim dhe veprimtari plitike pjesëmarrëse aktive ku Federata Vatra luante rol të veçantë. Fan Noli shfaqet në libër si një njeri i rrethuar nga xhelozë dhe intrigantë, shpifës, mashtrues, ambicjozë, të etur për pushtet dhe ego personale për të përmbushur qëllimet dhe përfitimet personale.

Me veprimtarinë dhe suksesin e tij në Lidhjen e Kombeve pa frikë mund të thuhet se Fan Noli ka qenë Ministri i Jashtëm më i suksesshëm që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Ai ishte një kalibër i veçantë intelektual, diplomatik e kulturor. Studimi “Rebeli” paraqet figurën trimërore dhe burrërore të Elez Isufit, rebelimet e Gjon Markagjonit, Bajram Currit kundër qeverisë dhe nxjerrë në pah njeriun energjik, të fortë e të mprehtë, Ahmet Zogun, i gatshëm për të shtypur kryengritjet e rebelimet kundër tij.

Studimi “Rebeli” na njeh me veprimtarinë e grupimeve politike në skenën shtetërore e parlamentare të Tiranës si: Bashkimi i Shenjtë, Partia Popullore, Partia Përparimtare, Partia Indipendente, Partia Liberale, Ahmedistja, Klika etj. Tirana paraqitet në libër si një fushëbetejë përplasjesh, përleshjesh, vrasjesh e lufte të tmerrshme politike. Rrëfimet të rrënqethin me panorama kryengritjesh, “revolucionesh”, rebelimesh të armatosura, përleshje e vëllavrasje, ekzekutime me varje në publik etj.

Përmes “Rebelit” mësojmë se Federata Vatra ndihmoi opozitën e Fan Nolit dhe themeloi në Shqipëri gazetën “Shqiptari i Amerikës” në Korçë më 21 tetor 1922, e drejtuar nga Hasan Bitincka. Faik Konica i dha një dorë të fortë Nolit nëpërmjet kritikave të ashpra në gazetën Dielli në Boston duke e quajtur qeverinë “Sodoma e Re”, deputetët e shumicës i quante “Klika e Dudumëve”, ndërsa ministrat “palaço” dhe “hajdutë”. Në libër paraqiten me shumë interes debatet e ashpra në Parlamentin e Shqipërisë, sulmet ndaj Vatrës, Diellit e Faik Konicës dhe mbrojtja e shkëlqyer që bën Fan Noli duke renditur vlerat e Faik Konicës dhe kontributin historik dhe ekonomik të Vatrës për shtetin Shqiptar.

Një tjetër fakt interesant në libër përmëndet se më 27 prill 1923, drejtori i Zyrës së Shtypit, Terenc Toçi, i rekomandoi qeverisë të ndalohej gazeta Dielli me masa ligjore, pasi ajo “ftonte popullin për kryengritje” dhe “helmonte shpirtin e popullit”. Në libër mësojmë përceptimin e Imzot Nolit mbi kabinetin qeveritar të kundërshtarëve teksa i quante Kabineti i Pykave. “Ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlerat civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Noli këto i shoqëronte me “pesë anarkitë” shtetërore, shoqërore dhe institucionale: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike, anarkia e idealeve.

Në libër përshkruhen udhëtimet e shpeshta të Nolit në Itali e Austri, intervistat për gazetat perëndimore dhe kontaket e rregullta e miqësitë me diplomatët perëndimorë. Noli në shenjë respekti dhe nderimi mbajti një fjalim brilant në Parlament për ndarjen nga jeta të presidentit të SHBA Woodrow Wilson, të cilin Noli e quante amerikani i madh, idealisti bujar dhe mbrojtësin e Shqipërisë. Libri na njeh imtësisht me Nolin madhështor që shkëlqen së jashtmi në diplomacinë ndërkombëtare dhe i dobët për të qeverisur vendin së brëndshmi. Studimi “Rebeli” shpalos fjalimin e Nolit në Lidhjen e Kombeve, më 10 shtator 1924 ku ai kërkoi ndihmë ekonomike për Shqipërinë përmes një retorikë të fortë, argumenteve të fuqishme, logjikës dhe finesës diplomatike.

Studiuesi Ilir Ikonomi te “Rebeli” përshkruan përplasjet politike të Zogut dhe Nolit, rivalitetet politike në Shqipëri, luftën e etur për pushtet, luajalitetin e skenës politike përgjatë viteve 1920-24 si dhe analizon atentatet politike gjatë kësaj periudhe. Figura e atentatorëve Beqir Valteri e Avni Rustemi, dialogjet, planet dhe skena politike, përplasjet dhe intrigat politike, kaosi gjithëpërfshirës dhe pa dyshim opozita e fortë e Faik Konicës kundër qeverisë nëpërmjet gazetës Dielli zënë një vënd të rëndësishëm në libër. Përgjatë viteve 1920-1924 Fan Noli tentoi të sillte qytetërim në një botë shqiptare orientale që nuk ishte gati për atë kapërcim aq të shpejtë kulturor e institucional. Libri na njeh me detaje mbi veprimtarinë e Fan Nolit në raport me kryeministrat që qeverisën Shqipërinë përgjatë periudhës 1920-1924: Sulejman Pashë Delvina, Iljaz bej Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet bej Vërlaci dhe Iljaz bej Vrioni.
Nga “Rebeli” mësojmë se krisja e parë e Nolit me Konicën erdhi kur Noli nuk dënoi atentatin që iu bë Zogut në Parlament. Faik Konica e këshillonte Nolin që të organizonte zgjedhje politike në Shqipëri në mënyrë që Shqipëria të kishte një qeveri legjitime të ardhur nga zgjedhjet e lira.

Si pasojë e këtyre përplasjeve politike gjatë kësaj periudhe ndodhën vrasje politike, armiqësi politike për interesa pushteti dhe shumë konflikte të armatosura. Pakënaqësitë në rritje ndaj qeverisë së Nolit, mosrealizimi i premtimeve për reforma, mungesa e njohjes ndërkombëtare, lufta e ashpër e kundërshtarëve, mospajtimi i Zogut dhe rikthimi i tij në dhjetor 1924 solli dështimin dhe rrëzimin e qeverisë së Nolit. Në libër detajohen të përmbledhura qeveri afatshkurtra që ngrihen e bien, atentate, kryengritje, rebelime, vrasje, hakmarrje, diplomaci, pushtet e intriga të pa imagjinueshme. Me një gjuhë të ëmbël e stil të pasur autori Ilir Ikonomi pasuron kolanën historike mbi Imzot Nolin nëpërmjet studimit të thelluar hulumtues, përshkrues, rrëfyes e orientues. Përmes “Rebelit” gazetari i shquar Ilir Ikonomi i bën një tjetër shërbim të shkëlqyer historiografisë, shtetit, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT