• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONSULLATA E KOSOVËS BASHKOI SHQIPTARËT NË NEW YORK NË DITËN E PËRKUJTIMIT TË VIKTIMAVE TË GJENOCIDIT TË SERBISË NË KOSOVË

January 17, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 16 Janar 2025 – Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, Ambasador Blerim Reka në bashkëpunim me aktivistin e çështjes kombëtare z.Mark Gjonaj organizuan një takim përkujtimor në nderim të viktimave të krimeve e gjenocidit serb në Kosovë. Me pjesëmarrjen e shoqatave patriotike, kulturore, atdhetare e aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës, u përkujtua me respekt, dinjitet e nderim jeta e humbur padrejtësisht e çdo shqiptari dhe qëndresa në Kosovë në përballje me regjimin gjenocidal serb. Në fjalën e mirëseardhjes Ambasador Blerim Reka theksoi nevojën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe ekspozimin e këtyre krimeve të tmerrshme. Mark Gjonaj në fjalën e hapjes apeloi për politikën në Kosovë që të bëjnë më shumë për të ekspozuar krimet e tmerrshme të serbëve në Kosovë dhe nxjerrjen para drejtësisë ndërkombëtare të kriminelëve serbë.

“Çdo cep i Kosovës është larë në gjak e lotë. Ne nuk do të harrojmë kurrë. Përulemi me respekt dhe kujtojmë mbi 13,950 jetë të humbura, 20,000 të mbijetuar të dhunimit dhe 1,620 personave ende të zhdukur gjatë gjenocidit të kryer nga serbët në Kosovë. Është detyrimi ynë moral t’i nderojmë ata, të mbështesim të mbijetuarit dhe të edukojmë botën për të siguruar që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë” tha ndër të tjera Mark Gjonaj. Aktivisti z. Shaqir Gjokaj kërkoi që Serbia të paditet për gjenocid në gjykatën ndërkombëtare.

Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në emër të Federatës Vatra garantoi se zëri i Kosovës dhe çështja e krimeve të pa zbardhura serbe në Kosovë do të dëgjohet fuqishëm në institucionet amerikane. Patrioti Valdet Çobaj diskutoi rreth idesë së ekspozimit të krimeve serbe në Kosovë në Muzeun e New York-ut, Londrës etj. Aktivistja e komunitetit Moza Dajçi theksoi rëndësinë historike të zbardhjes së gjenocidit, ndërsa atdhetari Veri Talushllari vuri në dukje kontributin e kolegëve të tij në luftën për çlirimin e Kosovës dhe i preku pjesëmarrësit me recitimin e poezisë me motiv nga krimet e serbëve në Kosovë “Vërtitet një këmbë”.

Gjeneral Gani Shehu i Batalionit “Atlantiku” apeloi që të mos harrohet e kaluara e dhimbshme por edhe e lavdishme e shqiptarëve të Kosovës dhe apeloi prej të gjithë të pranishmëve që të bëjnë më shumë për ti treguar botës rreth krimeve monstruoze që Serbia bëri në Kosovë. Anëtari i kryesisë së Vatrës z.Ilir Cubi theksoi se zëri i shqiptarëve të Amerikës në demonstrata ndër vite ka sensibilizuar amerikanët dhe mbarë Perëndimin për çështjen e Kosovës. Takimi përkujtimor vazhdoi me biseda dhe shkëmbime idesh për të forcuar më tej komunitetin shqiptar në mërgatën e Amerikës drejtë një veprimtarie edhe më të fuqishme patriotike në dobi të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Politike

“Maj-2025, betejë me demokracinë fasadë dhe pushtetin elektoral”

January 16, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Paraprakisht falënderoj përzemërisht mediat në RSh, Kosovë, Rajon, USA, etj, për publikimin (vetëm nga kapaciteti i ekspertit të sigurisë kombëtare, rajonit dhe USA/NATO-s, pra pa asnjë funksion zyrtar apo politik), të disa dhjetra kontributeve strategjike, përfshi edhe mesazhet e fundvitit 2024 nga Washingtoni mbi 5 kërcënimet thelbësore: “demokracia burokratike, përpjekjet dëshpëruese të Putinit për të hapur një front të ri lufte; riciklimi i frikshëm i garës së armatimeve; axhenda bolshevike e përjetësisë së pushtetit të politikanëve/Dodik-ëve të korruptuar, si dhe pritshmërite nga Trump-2 për paqen dhe ardhmërinë Euroatlantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi R.Sh dhe Kosovën”. 

Në vijim po ndaj një përmbledhje të dedikuar rreth: “krizës më të rëndë të pluralizmit dhe demokracisë prej 1990; shtetit të kapur nga korrupsioni i politikanëve të lartë; privatizimi i pluralizmit; fuqia elektorale/kriminale e mbipushtetit” si dhe misioni jetik i Shqiptarëve në zgjedhjet 11 Majit-2025:

Së pari, në vënd të përgjegjësive kushtetuese, Parlamentit i ka mbetur vetëm protagonizmi delirant i Kryetares së radhës (jo-legjitim, pasi K.K nuk është Pushtet por vetëm speaker/moderatore) për të rehatuar kalërimin e “Skënderbeut të Madhërishëm” në mandatin e 4-ërt, 5-të, pse jo të përjetshëm! 

Thënë shkurt, Kuvendit i ka mbetur ZERO peshë dhe vlerë (përveç borderosë së pagave për të emëruarit e radhës në Kuvend), pasi në 12 vitet që lamë, ASNJË resolutë, marrëveshje dhe Ligj (përveç ligjit për listat e mbyllur…), nuk është miratuar me konsensus. Ndërsa si dëshmitar teknik i proçesit të integrimit në NATO, mund të përmend se me 10-ra, në mos qindra ligje, rezoluta dhe marrëveshje konsensuale si dhe delegacione të përbashkëta në Samite, Bruksel, Washington, etj përgjatë 1999 – 2013. 

Pra, përtej fjalimeve (d)elekuente, djegjes së karrigeve, sharmit të profileve burokratike dhe bejteve folklorike, praktikisht kanë rënë misioni kushtetues i Kuvendit, balancat demokratike të pushteteve (Check & Balance), bashkë me këto ka rënë Republika Parlamentare e RSh! Gjithësesi, problemi Nr.1 i “kësaj terexheje mbetet heshtja cinike e elitës intelektuale, tallavaja e të gjithëditurve nëpër studio ose port-hale si dhe duartrokitjet e socialistëve me “kockë”, kontribute dhe integritet të spikatur” !?

Patjetër që nuk është vetëm fenomen Shqiptar. Prandaj po citoj Foreign Policy: “përveç pritshmërive nga Trump-2, viti 2025 do të dominohet nga beteja globale midis demokracisë burokratike dhe autokracisë”! Besoj që as kolegu/miku im (AC), Fred Kempe, as Foreign Policy, nuk u referohen Rusisë, Iranit, Kinës, Kim-Jongut, etj por: “një liste shtetesh me demokraci të dështuar, të kapura nga korrupsioni dhe me qeverisje autokratike”, ku fatëkeqësishtë është rreshtuar edhe Republika e Shqipërisë. 

Së dyti, më duhet ta theksoj që në fillim që sigurisht nuk jam gjykatës të shpall “kush e ka fajin apo kush është i pafajshëm”; por as pronar dhe as profet i të vërtetës shteruese se: “kush është djalli kush engjëlli”.  Por ngaqë kam vite që kam vetë-vendosur për të mos heshtur, po ndaj këtë shqetësim ulëritës për pluralizmin/demokracinë fasadë (shumë më qesharak se bashkimet profesionale që ofroi Ramiz Alia në 1990), çka në gjykimin tim mbetet qëndra e gravitetit të krizës politike, pra e shtetit të dështuar si dhe besimit të shqiptarëve te vlerat e demokracisë funksionale dhe ardhmëria Euroatlantike e vendit. 

Veçanërisht pas 2008, Kryetarët e gjithë-pushtetshëm dhe shtetarët/emëruarit e radhës, kanë provuar (tashmë edhe nga SPAK) se, pasi kanë privatizuar të ashtuquajturat Parti Politike dhe pluralizmin; bashkë me krimin e organizuar kanë vjedhur votat/mandatet (rasti flagrant i deputetit të bandave të Shijakut); pronat e qytetarëve dhe pasuritë publike, por sot me shumë se kurrë me parë (nga 1990), kërcënojnë seriozisht shpresat e  shqiptarëve  te rotacioni politik, vlerat dhe balancat demokratike të pushteteve.    

Së treti, në vijim gjeni konkretisht aktorët dhe faktorët krizës se pluralizmit dhe demokracisë:

  1. Skuadra e pushtetit (në 12 vjet), për të cilën nuk gjej në asnjë definicion si Parti Politike (as si ideologji, as si strukturë, as si program, kurrësesi në vendimarrje) pasi përveç Kryetarit të pagabueshëm, personazhet e radhës (shumica e skalionit të parë, në Burg ose në SPAK), u duhet të duartrokasin me ngazëllim për emërimet/ç’emërimin e Presidentit, Ministrave, listës së Deputetëve,  si dhe në çdo rast u duhet të demostrojnë përgjërim përpara Udhëheqësit të Madh, ose pronarit të kompanisë që mbart emërtimin Partia Socialiste e Shqipërisë. Sigurisht ka patur ndoshta 100-ra probleme, por kurrë s’ka qënë kështu para 2013! Këtë e pohojnë “nën Zë” edhe disa ish-personalitete në PS, të cila/ët e kujtojnë me nostralgji, kohën kur p.sh KM-Nano, lobonte deri për votat e anëtarëve të kryesisë, etj!   

Për sa pasqyrën e shtetit të dështuar/kapur nga korrupsioni  i politikanëve dhe shtetarëve të lartë, besoj do të mjaftonin MEME-t me premtimet e vetë (sy) Madhit dhe skuadrës së Tij (p.sh socialistit të fundit/ndershëm z.Braçe) në 2013: “për të ndalur braktisjen e vendit dhe për punësimin e 300 mijë të rinjve; shëndetësinë falas dhe ZERO korrupsion; zero toleranc krimit të organizuar dhe drogës; ZERO taksa për naftën, bukën, qumështin, vezët; ZERO influence politike mbi koston për kilometër të rrugëve, ndërtimin e inceneratorëve ambientalist, konçesionet alla-sulltanatë, etj”. 

Ndërsa, këtë listë dështimesh poshtëruese për skuadrën e pushtetit, e gjej aq ngjashme sa batutën kriminale të Enverit: “aty ku ska naftë/sukses ka me siguri armiq”. Dhe kështu ndodhi, vetë Zëvëndësi i parajsës ekonomike dhe taksave-ZERO, arratiset nga vendi si banditët e Xhibudit dhe jo Shtetari nr.2 i një vendi të NATO-s (!); kur Ministri Shëndetësisë Falas fare, Ministri Rendit, njëherësh krye-Komisari Politik i betejës së Stalingradit/Lazaratit si dhe një listë Deputetësh, Kryebashkiakësh, etj  që erdhën në 2013 si “skuadra e qiejve të pastër”, ose flenë pas hekurave, ose gdhihen në dyert e SPAK-ut … !  

Në këtë realitet me shtet të korruptuar deri në palcë, riciklohet tallavaja bollshevike: “fajin për të gjitha dështimet dhe korrupsionin në 12 vitet e fundit e ka armiku brendshëm, pra Gogol-Saliu”, ndërsa dalldija vijon: “jo vetëm mandati 4, që është i sigurt, po të 6-in e ka në xhep PS”. Kjo pasi fuqia e (mbi) Pushtetit e ka gjunjëzuar shtetin dhe administratën shtetërore në një ushtri të pathyeshme elektorale (200 mijë patronazhiste si dhe bonuse/sheqerka për 740 mijë pensionistë), sikur RSh të ishte në Afrikë.

Thënë sa më lartë, shpërdorimin e fuqisë, Institucioneve, parave publike dhe administratës burokratike, si makineri elektorale për mbajtjen e Pushtetit e gjej si krim të rëndë shtetëror (për tu hetuar nga SPAK) mbi demokracinë funksionale, balancat e pushteteve si dhe ardhmërinë Euro-atlantike të Shqipërisë!  

  1. Opozitën zyrtare (me vulë) e gjej po ashtu bashkëpërgjegjëse (nga koka te këmbët) për të gjitha humbjet në 12 vjet si dhe këtë degradim të pluralizmit, demokracisë fasadë dhe shtetit të dështuar !

Ndërsa, ka zero vlerë të merremi me “lule-Kryetarin vulë-humbur”, i cili edhe me 7 donkishot-ministra/e pësoi humbje diskretituese në 2017 (me 43 deputetë); 52 në 2021 dhe 3 palë zgjedhje lokale, ndërsa në vend të dorëheqes, me pa-përgjegjeshmëri perverse i bëri “funeral poshtërues PD-së në 8 Janar 2022”, si dhe “vijon të delirojë me kalërimin mbi max.7x7 egocentrikë të sëmurë të vetëquajtur Euroatlantik-as”! 

Gjithësesi: “mjaft është mjaft”! Kërkush nuk mundet të bëje triumfalin dhe të krenohet për këtë degradim të opozitarizmit.  Kështu për të djathtën, ulëret edhe më fortë mesazhi Atëror i Mit’hat Bej Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftrat, sapo të kenë përfunduar betejat mes vedit”! 

Duke e gjetur aktual këtë mesazh, i bëj thirrje arsyeve fisnike, të ndalin luftën për krye-listën e humbjes turpëruese të radhës, por t’u përulemi jo vetëm demokratë/eve qëndrestarë por edhe mbarëshqiptarëve për emergjencën kombëtare që ka rikthimi i pluralizmit, demokracisë funksionale, balancat kushtetuese si dhe rotacioni demokratik i pushteteve në RSh në Maj 2025.  

  1. Do të lutesha dhe uroja shumë të isha shumë gabim, por përpjekjet për të krijuar një pol/mundësi të tretë, fatëkeqësisht “do të mbetet në tentative”, me zero ose një numur pa peshë për të realizuar rotacionin e elitave (pronarëve) politike si dhe të tranzicionit tejzagjatur, për sa kohë që bashkimi mbetet një mision i pamundur i idealistëve, egocentrikëve, delireve dhe mllefeve primitive.

Nga ana tjetër, mbas 34 vitesh (1990-2024), Kryetarët e pavdekshëm të mbi 80 të ashtuquajtura Parti Politike, përfshi p.sh të vetëshpallurit e boshtit Krye-Euroatlantikas z. Basha, z. Gjuzi, z. Gjela, z. Qorri, etj “bëjnë sikur kanë anëtarë, Forume, Ide-gjeniale, Programe-shpetimi, etj”, praktikisht kanë vetëm një grusht njerëzish që fi(lt)rojnë ditën e zgjedhjeve, pra ZERO peshë për të sfiduar regjimin autoritar të Tiranës zyrtare. 

Në shtesë, falënderoj dhjetra mijëra kolegë/ushtarak (brënda dhe jashtë vendit), intelektualë të shqetësuar, patriot të përkushtuar si dhe qytetarë të zakonshëm në të gjithë hapësirën mbarë-kombëtare, për  konsideratat, inkurajimin si dhe mbështetjen që më keni frymëzuar për përkushtimin tim politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.  

Duke ri-konfirmuar këtë, që në krye të herës më duhet të garantoj se, nuk kam dalë në këtë betejë për tu punësuar, as për tu emëruar, as si barrë elektorale, por për të luftuar fortë dhe kontribuar me Përgjegjeshmëri, Përulësi, Integritet dhe vota shtesë, në këtë betejë jetike për rikthimin e pluralizmit, demokracisë funksionale si dhe shpresës për ardhmërinë Euroatlantike të kombit tonë të Bekuar.   

Me këtë rast, j’u i bej thirrje vllazërore bashkë-qytetarëve (sigurisht edhe emigrantëve), që aspiratat e 1990 për Shqipërinë demokratike si gjithë Europa të mos e lëmë më në dorë të riciklimit të politikanëve kusarë dhe sekserëve të gjithë-pushteteve që kanë privatizuar partitë politike, pluralizmin dhe pronat publike; që kanë përmjerë mbi balancat kushtetuese si dhe sundojnë Shqiptarët edhe në 35 vitet e fundit. 

Autori: * Gjeneral ® Piro AHMETAJ: 

Ekspert për SK, Rajonin dhe USA/NATO, 

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; si dhe ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

Vota e diasporës, shans historik për Shqipërinë dhe shqiptarët

January 14, 2025 by s p

Sokol Paja/

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, shqiptarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do ushtrojnë sovranitetin e tyre kushtetues. Si një ngjarje historike për shtetin, institucionet e shoqërinë, nga diaspora pritet të vijë ndryshimi historik, i shumëpritur, i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm. Pjesëmarrja masive në votime e shqiptarëve nga jashtë Atdheut është kontributi më i çmuar patriotik e vepra më e lartë atdhetare për të shpëtuar shtetin nga kapja e qytetarët shqiptarë nga keqqeverisja, shpopullimi, varfëria, nepotizmi, klientelizmi, aktivizmi, oligarkia, patronazhizmi, neodiktatura, krimi e korrupsioni shtetëror. Vota e diasporës është shpresë për Atdheun, për flamurin kuq e zi, për ndryshimin, për zhvillimin, për ekonominë, për lirinë, për familjen, për jetën, për shpresën, për të ardhmen për shtetin dhe demokracinë.

Shqipëria sot ka më shumë se kurrë nevojë për shqiptarët e mërguar që zemrën e shpirtin e kanë përjetë në Mëmëdhe. Vota është e shenjtë, ashtu si Atdheu ynë i dashur. Çdo votë si kontribut i mërgatës është jetik për të shkundur kalbësirat dhe sjellur në Shqipëri erën e ndryshimeve që kërkon e meriton Atdheu ynë i shtrenjtë.

Të dashur shqiptarë: ndaj Atdheut, familjes e pronës kemi detyrim e përgjegjësi, ndaj pa hezitim duhet të bëhemi pjesë e procesit zgjedhor e fatit të përbashkët për më të mirën që vendi ynë kërkon. Bëhuni pjesë e historisë. Jepni vetes, shtetit e Atdheut një shans historik përmes votës suaj.
Vetëm vota është instrumenti demokratik për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë dhe për të kërkuar një shtet e Atdhe që të jep dinjitet, krenari e nderë.
Voto, Atdheu ka nevojë për ty…

Regjistrohu në: https://diaspora.kqz.gov.al/

Filed Under: Politike

Në Kosovë – Masakra e Reçakut, një nga shumë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë

January 14, 2025 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 14 Janar 2025/ Në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, në 15 Janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë shqiptarë. Ambasadori Amerikan William Walker, në atë kohë shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit.

Në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.

Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e përfunduar në Qershorin e para çerek shekulli – 25 viteve në Kosovë, gjatë së cilës forcat serbe vranë e masakruan më shumë se 12 mijë shqiptarë e mëse 6 mijë rezultonin të zhdukur, derisa në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion shqiptarë i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.

Po para 26 viteve, pas masakrës së Reçakut, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 Shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak. Konferenca u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Në mes të Marsit 1999 përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën. Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për Kosovën.

Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.

Në 24 Mars filloi fushata ajrore e bombardimeve nga NATO prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë. Në këtë vit 2025 bëhen 26 vjet të Lirisë së Kosovës nga Qershori historik 1999…

Në atë kohë raportoja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë…

Një media e Shqipërisë ka shkruar se, “Një nga të paktët reporter në terren ishte Behlul Jashari, gazetari veteran që raportonte për ATSH-në dhe që ishte i pari që raportoi tragjedinë që kishte ndodhur.

Si pasojë e kësaj, Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi menjëherë duke iu referuar raportimit të Jasharit.”

https://tesheshi.com/blloku-gazetarit-ja-raportimet-e…

MASAKRA E REÇAKUT, DISA NGA RAPORTIMET QË BËJA PARA 25 VITEVE:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-15.ata.html

[05] Serb forces attack Shtimje areas

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Serb police and army forces had started early on Friday an offensive against Recak village, Shtimje area.

Sources of the Council for the Human Rights said that heavy artillery was bombing the village while Serb infantry was attacking Albanian villages.

There are no reports on the consequences of the attack but the population is fleeing the area. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[12] Rugova urges deployment of NATO forces to calm situation

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that President of Kosova Ibrahim Rugova told a news conference on Friday that the situation in Kosova was worse, dangerous and tragic and deployment of NATO troops would calm it.

Rugova condemned the attempted assassination of the chief of the Kosova Information Office Enver Maloku calling it an attempt against the independent institutions of Kosova. He added that a “new climate of violence with unclear killings” was created in Kosova.

He called “dramatic” the presence of the Serbian army in Prishtina and blocking of access to Prishtina by Serb armed groups.

Rugova hailed the intervention of the OSCE chairman -in-office Knut Vollebaek and chief of the OSCE mission there William Walker and his staff in calming the worse situation created during the week.

But “the deployment of NATO troops in Kosova will calm the situation and guarantee safety for citizens and that part of Europe and world,” Rugova said. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-16.ata.html

[22] 80 Albanians killed, massacred in Shtimje

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that some 60 to 80 Albanians were killed and massacred by Serb forces in Recak village, according to sources of the Kosova Democratic League in Shtimje.

Most of them were women, old men and children. They were killed while trying to flee the attack and found dead out of the village. Killed and massacred people were also found in houses with 24 persons killed in a room.

Eight out of all killed and massacred in Recak are KLA members. LDK sources in Shtimje said that there were no reports on casualties in Mollopolc and Petrove villages, which were the targets of the attack of large Serb military, police and paramilitary forces.

Sources said that identification of those killed and massacred was continuing. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[24] Kosova leader urges NATO immediate intervention

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the president of Kosova Ibrahim Rugova urged on Saturday an urgent intervention of NATO forces in compliance with the decision on immediate activation of the alliance.

Rugova said that an energetic and decisive international intervention could stop the Serb military and police machine and create preliminaries for a political solution to the Kosova issue. Rugova made the statement after yesterday’s massacres of Serb forces in Shtimje region.

He strongly denounced the massacre of the Albanian population and said that the heavy attack of Serb forces against the Shtimje region was undertaken while the international factors were engaged in finding a political solution to the Kosova issue.

The attack against the civilian population was a flagrant opposition to these efforts, Rugova said in his statement.

He urged international energetic intervention in Kosova in today’s meetings with an extensive delegation of the Foreign commission of the Norwegian parliament and Swiss ambassador to Belgrade Pol Vilfi.

Many political parties and organisations condemned the massive execution of Albanians in villages of Shtimje and asked for urgent deployment of NATO forces in Kosova. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[26] Kosova president declares mourning day

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the Kosova president Ibrahim Rugova declared Sunday a day of mourning in Kosova.

Sources of the presidency said that “following the massacres of dozens of Albanians in the commune of Shtimje by Serb military and police forces, the president of the Republic of Kosova declares Sunday, January 17, 1998 a mourning day in Kosova to honour the victims.” lh/ak/

Filed Under: Politike

PRESIDENTI XHIMI KARTER, PAPA GJON PALI I DYTË DHE TË DREJTAT E NJERIUT NË BOTË

January 13, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
Jimmy Carter photo

                                                                   Jimmy Carter

Javën që kaloi ndërroi jetë, në moshën 100-vjeçare Xhimi Karter mes,  Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1977-1981, i Partisë Demokrate amerikane. Ai jetoi dhe zhvilloi një jetë të gjatë e të pasur aktivitetesh si politikan, biznismen, humanitar, fetar, predikues dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqë. 

Në fjalimet e shumta gjatë ceremonive paraprake të varrimit, folësit dhe media të ndryshme theksuan sukseset e tija në shumë fushë, por edhe problemet me të cilat u përball gjatë mandatit të tij, sidomos ato ekonomike. Por, pak ose aspak, nuk përmend kontributi i tij në fushën e të drejtave të njeriut, që ai i kishte përcaktuar si pjesë e pandashme e politikës së jashtme amerikane. Në të vërtetë, ishte Presidenti Karter, i cili në krahasim me presidentët e tjerë amerikanë para tij – që në fillim të mandatit të tij, ri-drejtoi si të thuash, politikën e jashtme amerikane, duke theksuar rëndësinë e të drejtave të njeriut në botë – dhe duke i bërë këto të drejta pjesë të politikës së jashtme të administratës së tij. 

Për këtë drejtim të ri në politikën e jashtme amerikane, Xhimi Karter njoftoi popullin amerikan dhe botën në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit president në janar të vitit 1977, duke thenë se Amerika, që në themelimin e saj si shtet dhe si shoqëri, ishte e para që ka përcaktuar bazën shpirtërore dhe lirinë njerëzore si vlera të nevojshme për një shoqëri të lirë e demokratike. “Që të jemi të sinqert me veten tonë, ne duhet të jemi të sinqertë edhe me të tjerët. Ne nuk do të veprojmë me vendet e huaja në një mënyrë që shkel rregullat dhe standardet tona këtu në vendin tonë…Pasi ne jemi të lirë, ne nuk mund të jemi kurrë indiferent ndaj fatit të lirisë, kudo tjetër në botë…Morali ynë na dikton qart që se ne duhet të mbështesim shoqëritë dhe vendet që ndajnë me ne respektin e palëkundur për të drejtat individuale të njeriut”, është shprehur Presidenti Carter në fjalimin e tij të parë me rëndësi, si President i Shteteve të Bashkuara, në Janar të vitit 1977. 

Ishte kjo një deklaratë e fortë nga një president i Amerikës — për një përqëndrim të ri të politikës së jashtme amerikane në mbështetje të të drejtave të njeriut kudo në botë – në një periudhë të historisë evropiane dhe botërore — kur lufta e ftohtë midis lindjes e perëndimit, midis shteteve komuniste dhe botës perëndimore demokratike – ishte në kulmin e saj. Ishte kjo hera e parë që një administratë amerikane përcaktonte të drejtat e njeriut si gur-themelin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara në zhvillimin e marrëdhënieve me shtetet tjera.  Kështu filloi dhe vazhdon deri në ditët e sotëme fokusimi i Amerikës për të përfshir të drejtat e njeriut në politikën e jashtme dhe në trajtimin e marrëdhënieve të Washingtonit me vendet e tjera – megjithse rrallë kush i jep kredi për këtë arritje Presidentit Xhimi Karter. 

Vetëm dy vjet pas fillimit të mandatit të tij presidencial, në tetor të vitit 1979, Presidenti Karter, bëhet presidenti i parë në historinë e Amerikës që pret në Shtëpinë e Bardhë Papa Gjon Palin e II – vizita e parë historike e një Pape në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte kjo vizitë e Papa Gjon Palit të II në Washington që i dha një domethënie të re dhe e mbështetjen e tij të forte, frazës “të drejtat e njeriut”, qoftë në politikën ndërkombëtare ashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale midis shteteve – por sidomos në marrëdhëniet dhe në diskutimet midis Washingtonit e Moskës.  

Gjatë asaj vizite – e para në histori e një pape në Amerikë — Papa Gjon Pali i II vizitoi 6 qytete amerikane, duke e paraqitur veten kudo që shkoi, si një “lajmëtar i vëllazërisë dhe paqës”, duke predikuar mesazhin e mirë mbi të drejtat individuale të njeriut, mbi lirinë dhe dinjitetin njerëzor — Drejtuar jo vetëm popullit amerikan por edhe botës.  Një president amerikan i krishtër-protestant, Xhimi Karter dhe udhëheqsi i Kishës Katolike, Papa Gjon Pali i II, sipas një deklarate me atë rast nga Shtëpia e Bardhë, thuhej se në takimin midis tyre me 6 tetor, 1979, “Papa dhe Presidenti kanë renë dakort se përpjekjet për të avancuar të drejtat e njeriut në botë, përbëjnë një ide të domosdoshme për epokën tonë.”  

Duhet të kujtojmë se vizita e Papa Gjon Palit të II në Washington (6 tetor, 1979) erdhi vetëm 4 muaj pas vizitës së Gjon Palit të II në Poloni, atdheun e tij të origjinës.  Një vizitë kjo që, sipas disa historianëve, për atë kohë, ndryshoi Poloninë dhe botën. Vizita në Shtetet e Bashkuara dhe takimi në Shtëpinë e Bardhë e Papa Gjon Palit të II, me Presidentin Xhimi Karter në tetor, 1979, ishte rasti i parë historik kur një president i Amerikës zhvillonte bisedime me udhëheqsin e Kishës Katolike mbi gjendjen në botë dhe mbi shqetësimet për paqën dhe drejtësinë në botë. Ata, sipas, deklaratës zyrtare të Shtëpisë së Bardhë me atë rast, përveç çeshtjeve të tjera ndërkombëtare,  “ndanë besimin se respekti për të drejtat e njeriut dhe për dinjitetin e individit duhet të jenë gur-themeli i politikave vendore dhe ndërkombëtare të shteteve e kombeve. Papa dhe presidenti”, thuhej mëtej në atë deklaratë, “theksuan mbështetjen e tyre për konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, si dhe për organizatat dhe entitetet ndërkombëtare, që i shërbejnë kauzës së të drejtave të njeriut…”, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë në përmbyllje të bisedimeve midis Presidentit Carter dhe Papa Gjon Palit të II në Washington. Deklaratat zyrtare të asaj vizite tregojnë qartë se çeshtja kryesore, ndonëse jo e vetmja, e bisedimeve midis tyre ka qenë avancimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut, si pjesë e pandarë dhe e domosdoshme në marrëdhënie midis shteteve.

Ishte ky një qëndrim dhe përqëndrim i ri mbi të drejtat e njeriut në botë, nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zhvillimin e politikës së jashtme dhe ndërkombëtare – por njëkohsisht ishte edhe një presion moral ndaj komunizmit ndërkombëtar: Bashkimit Sovjetik komunist dhe regjimeve shtypëse komuniste të Evropës Lindore e Qendrore. Angazhimi dhe këmbëngulja e Presidentit Karter se të drejtat e njeriut do bëheshin pjesë e pandarë e politikës së jashtme amerikane dhe se të drejtat e njeriut do mbroheshin nga Amerika anë e mbanë botës — pasqyroheshin gjithashtu, që në fillim, në një letër që Karter i kishte dërguar disidentit të atëhershëm sovjetik, i njohur botërisht, si mbrojtës i të drejtave të njeriut, Dr Andrei Sakharov. Në përgjigje të një letre që Sakharov i kishte dërguar Presidentit Karter, duke i kërkuar presidentit të ri amerikan që të ngrente zërin në emër të gjithë atyre që po luftonin për të drejtat e tyre në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Evropës lindore komuniste. Xhimi Karter ishte përgjigjur disidentit anti-komunist Sakharov: “Të drejtat e njeriut janë një çeshtje kryesore e Administratës time”. Siç kam thenë edhe në fjalimin me rastin e inaugurimit president, ka shtuar Karter në letrën e tij, “Ndonëse ne jemi të lirë, nuk mund të jemi kurrë indifferent ndaj fatit të lirisë kudo tjetër në botë…Ju siguroj se populli Amerikan dhe qeveria jonë do vazhdojnë angazhimin  tonë të fortë për të promovuar të drejtat e nejriut, jo vetëm në vendin, tonë, por edhe anë e mbanë botës”, ishte zotimi i presidentit të ri amerikan Karter dërguar disidentit anti-komunist më të njohur deri atëherë, Andrei Sakharov. 

Xhimi Karter, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, megjithë thjeshtësinë e tij në detyrën më të lartë në botë dhe Papa Gjon Pali i dytë kishin zbuluar se – ndoshta megjithë mospajtimet fetare, njeri katolik e tjetri prostetant — ata vërtetë kishin diçka të përbashkët: kauzën e të drejtave të njeriut, një kauzë që administrata e Presidentit Karter e bëri pjesë të politikës së jashtme duke e promovuar në Amerikë dhe në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën. Ndonëse shumë prej nesh – përfshir autorin e këtyre rreshtave – i japim, kryesisht, kredi Presidentit Ronald Reagan dhe lidhjeve të tija me Papa Gjon Palin e II në luftën e tyre kundër komunizmit – duhet thenë se lufta për zbatimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut në botë, një nismë kjo e Karterit, mund të konsiderohet edhe si kauza e madhe për çlirim nga komunizmi dhe për liri e demokraci shekullin e kaluar në Evropë e që çoi, më në fund, në shembjen e Murit të Berlinit. Një fakt ky që, fatkeqsisht, nuk u përmend aq sa meritonte të përmendej në fjalimet që u mbajtën këtë javë me rastin e ceremonive të varrimit të Presidentit Xhimi Karter, i cili ndërroi jetë me 29 dhjetor, 2024 në moshën 100-vjeçare. 

Trashëgimia e Xhimi Karter në mbrojtje të drejtave të njeriut – gjatë mandatit të tij si president por edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë më 1981 – është ndër shumë të “para” që ai ndërmori gjatë mandatit si president dhe më vonë. Si asnjë president tjetër ai vazhdoi të ishte aktiv në shumë fusha të verpimtaruisë së tij në Amerikë dhe anë e mbanë botës.  Xhimi Karter – ishte presidenti i parë Amerikan – ndonëse jo në detyrë – që ka vizituar Shqipërinë pas shembjes së Murit të Berlinit në shtator të vitit 1993 —Frank Shkreli: Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhimi Karter mbushi 100-vjet, i pari president i Amerikës që ka vizituar Shqipërinë post-komuniste në shtator, 1993 | Gazeta Telegraf  

Frank Shkreli

Karter për Nenë Terezen “Një frymëzim për të gjithë mbështetsit e të drejtave të njeriut”

Xhimi Karter për Nenë Terezen: Kur Nenë Tereza ka marrë Çmimin e Lartë Nobel për Paqe për vitin 1979, Presidenti Karter i ka dërguar asaj një urim. Në letrën dërguar Nenë Terezes me atë rast, Karter vlerësoi punën e saj në ndihmë të varfërve, të sëmurve, refugjatëve dhe fëmijve. Njëkohësisht, Karter ka shtuar se shembulli i saj për përkujdesjen për të tjerët në nevojë është një frymëzim për të gjithë ata që mbështesin të drejtat bazë të njeriut. 

Mother Teresa Nobel Prize Winner

                            Oslo, 1979 – Nobeli i Paqës për Nenë Terezen

         A collage of people standing next to a plane

Description automatically generatedXhimi Karter me avokatin shqiptaro-amerikan Bardhyl Tirana – “Njeriu i Karter-it”, që reformoi Mbrojtjen Civile të Shteteve të Bashkuara

           A person in a white robe shaking hands with a person in a white robe

Description automatically generated Presidenti Xhimi Karter me Papa Gjon Palin e II – Papa i parë në histori që ka vizituar Shtëpinë e Bardhë– Foto by Bill Fitz-Patrick, October 6, 1979 –National Archives, Jimmy Carter Presidential Library and Museum, Atlanta, Georgia

President Carter with Pope John Paul ll during visit to Washington DC, October 7, 1979.

The pope who changed PolandPapa Gjon Pali i II në vizitën e parë në vendlindjn e tij (në Poloni) si udhëheqës i Kishës Katolike Universale, qershor, 1979 më pak se 4 muaj para se të shkonte për vizitë në Amerikë dhe takimin me Presidentin Karter. Historianët, në përgjithsi, janë dakort se Papa me origjinë polake kontriboi ndjeshëm në shembjen e komunizmit. Sipas disave, pa këtë vizitë të Papa Gjon Palit në Poloni në qershor, 1979, ndoshta nuk do kishte lindur lëvizja anti-komuniste polake Solidarnost – krijimi i të cilës, sipas shumë ekspertëve, shënoi fillimin dhe mbarimin e komunizmit zyrtar ndërkombëtar në Poloni dhe në mbarë ish-Evropën komuniste.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT