• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreziqet dhe kërcënimet nga shërbimet sekrete të Kinës

August 24, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Një nga elementët e rëndësishëm, përveç shumë të tjerave të cilat i kemi analizuar gjatë shkrimeve të kaluara, në pjesën e luftës tregtare midis SHBA-ve dhe Kinës duke i përkeqësuar këto marëdhënie në nivelet më të ulëta historike, janë kërkesat e vazhdueshme të drejta të Washingtonit që Kina të ndalojë vjedhjen e pronësisë intelektuale të sekreteve teknologjike, ushtarake dhe ekonomike të SHBA-ve. Kina në të gjitha rastet i ka mohuar këto akuza shumë të vërteta, ku më shumë se 100 raste të hetimeve dhe dënimeve të realizuara në SHBA nga FBI-ja vërtetojnë të kundërtën. Aktivitetet dhe operacionet e fshehta të agjensive inteligjente të Kinës janë duke ndryshuar balancën e fuqisë në botë, duke krijuar një impakt negativ në ekonominë amerikane dhe të vendeve të tjera të huaja, duke krijuar sfida në rritje për agjensitë e brendshme të sigurisë, sigurinë kombëtare dhe politikën e huaj të këtyre vendeve.

Shkelja e ligjeve të një vendi të caktuar, është praktikë e zakonshme e botës të spiunazhit. Gjatë gjithë kohës, një shërbim i caktuar sekret ekzekuton operacione spiunazhi kundër një vendi tjetër, nëpërmjet shkeljes të ligjeve të atij vendi, këtu mund të përmendim edhe shërbimet kryesore inteligjente ruse jashtë vendit të tyre. Ndryshimi i aktivitetit të agjensive amerikane, është se shumë vende të tjera realizojnë operacione inteligjence për të përcaktuar dhe kundërshtuar vjedhjen e teknologjive të tyre ushtarake dhe të industrisë të avancuar, në mënyrë që ato të mos përdoren kundër kombit amerikan, forcave të tyre të armatosura dhe sigurisë së tyre kombëtare. Krejtësisht ndryshe nga kjo qasje, aktivitetet e shërbimeve inteligjente të Kinës kanë objektiv kryesor zhvillimin sa më të shpejtë të ekonomisë dhe të forcave të tyre të armatosura, nëpërmjet vjedhjes dhe trasferimit të teknologjisë të avancuar perëndimore në vendin e tyre.

Me qëllim avancimin sa më të shpejtë të ekonomisë, industrisë, teknologjisë dhe modernizimin e forcave të armatosura me armët më moderne të kohës, gjatë 20 viteve të fundit të gjitha strukturat e Republikës Popullore të Kinës qofshin ato shtetërore, private por edhe agjensitë e inteligjencës janë përqëndruar në ‘vjedhjen’ e sa më shumë projekteve shkencore nga Federata Ruse, Japonia, Korea e Jugut, vendet e BE-së dhe veçanërisht nga SHBA-të.

Sigurimi i teknologjisë moderne ka qënë prioritet kombëtar që nga koha e Mao Ce Dun-it, ushtria e të cilit ishte krejtësisht e varur nga Bashkimi Sovjetik. Por kërkesa për avancimin teknologjik të Kinës u rrit shumë gjatë kohës së liderit vizionar të Kinës Ten Hsiao Pin-it. Nën drejtimin e presidentit Xi Jinping, fokusi në këtë drejtim u rrit aq shumë sa në vitin 2015 ai miratoi planin kombëtar të quajtur: ‘Made in China 2025’, i cili konsistonte në një plan 10 vjeçar industrial. Objektivi i këtij plani është që të ketë efekte përtej vitit 2025, pra duke e kodifikuar si: ‘Një strategji të transformimit të Kinës në një fuqi moderne prodhuese deri në vitin 2049 në botë’. Viti 2049 është përcaktuar si kufiri i fundit të këtij objektivi, për shkak se Republika Popullore e Kinës atë vit do të festojë 100 vjetorin e krijimit të saj. Por duhet thënë se tashmë edhe pse jemi në mes të vitit 2024, Kina në fushën e teknologjisë të avancuar ka arritur një sukses të paimagjinueshëm nga askush më parë.

Në ditët e sotme, Kina është vendi me teknologjinë më të avancuar të survejimit në botë, me një numër kamerash në dispozicion për të monitoruar shtetasit e saj dhe të huaj më shumë se 1.1 miliardë. Të gjitha këto kamera janë të afta të dallojnë fytyrat e shtetasve nëpërmjet përdorimit të teknologjisë të ‘Inteligjencës Artificiale’ (AI). Kina ka sot në dispozicion superkompjuterin më të shpejtë në botë, tunelin supersonik të erës më të fuqishëm në botë dhe sistemin e parë me inkriptim kuantik të komunikimit satelitor në botë. Kina në vitin 2010 e kaloi SHBA-në si fuqia më e madhe prodhuese në planet. Pra në këtë realitet, Kina ka shumë mundësi të avancojë edhe më shumë deri në vitin 2025 dhe 20 vite më vonë unë besoj se me këtë ritëm avancimi ajo mund të jetë superfuqi teknologjike e shekullit të XXI-të.

Lista e planit për të realizuar prioritetet e Kinës janë: Përmirësimi i prodhimit dhe i novacionit, integrimi më i mirë i industrisë dhe i teknologjisë, forcimi i bazës industriale, forcimi i emrave dhe firmave kineze në botë, rritja e prodhimit të automjeteve që përdorin energji ‘green’, primovimi i shpikjeve dhe i invacionit në vend.

Realizimi i këtyre objektivave nuk është aspak i lehtë, pasi pavarësisht faktit se industria dhe teknologjia kineze janë zhvilluar shumë, përsëri kompanitë japoneze, amerikane, gjermane, franceze, korano jugore, ruse, etj në disa fusha janë përpara. Për këtë qëllim, Kina është hedhur në ‘sulm’ për të ‘siguruar’ me çdo formë informacione dhe teknologji nga gjithë kompanitë kudo nëpër botë. Në momentin kur Kina të arrijë objektivin e saj dhe të bëhet vend lider për teknologjinë, atëherë makinat e saj bujqësore, pajisjet mjekësore, anijet e mëdha të transportit detar dhe portet në të cilat ato udhëtojnë në bashkëpunim me ekonominë e saj e cila do të jetë më e fuqishmja në botë, do të influencojë në kontrollin gjeopolitik dhe gjeoekonomik global.

Fakti që një numër kaq i madh i aktiviteteve të spiunazhit kinez ka lidhje me realizimin e objektivit kombëtar “Made in China 2025” dhe me teknologjitë kryesore, tregojnë qartë udhëzimet e Partisë Komuniste për të intensifikuar përpjekjet për grumbullimin e teknologjisë nëpërmjet spiunazhit. Në shtesë mund të përmendim edhe vjedhjet në fushën e ‘Teknologjisë Informative’ me 150 raste në Luginën Silicon në veri të Kalifornias, më shumë se 140 raste në shtetet amerikane të Masachusets-it, Michigan-it, New York-ut, Pensilvanias, New Jerseyt, Texas-it dhe Floridas.

Në këtë këndvështrim, zyra e BE-së e cila është përgjegjëse për ‘Vjedhjet Intelektuale’ ka deklaruar se 63 për qind e vjedhjeve të përgjithshme në këtë fushë gjatë viteve 2013-2016 janë bërë nga agjensitë, kompanitë, individë ose shërbimet inteligjente të Kinës. Në SHBA, sipas Raportit të Komisionit të ‘‘Vjedhjeve Intelektuale & Shkencore’ për vitin 2017, më shumë se 70 për qind e vjedhjeve teknologjike i përket agjensive të Kinës. Në rast se në këtë investigim futet edhe Hong Kongu, atëherë ajo shkon në 87 për qind.

Në vitin 2019, kostot financiare vjetore të ‘‘Vjedhjeve Intelektuale & Shkencore’ nga Kina shkojnë në shumën 600 miliardë dollarë për ekonominë botërore, ndërsa humbjet vjetore të SHBA-ve nga Kina si pasojë e ‘‘Vjedhjeve Intelektuale, Shkencore dhe IP-ve’ janë 360 miliardë dollarë.

Në gjykimin tim, në ditët e sotme Republika Popullore e Kinës paraqet një nga rreziqet më të mëdha për sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe aleatëve të saj. Këtë e përforcon edhe fakti se ekonomia e saj po rritet dita ditës në koordinim të vazhdueshëm me Federatën Ruse, me vendet anëtare të BRICS-it dhe Organizatës të Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Fuqia e madhe ekonomike, i mundëson Kinës të alokojë sasi të mëdha financiare në drejtim të forcimit të mbrojtjes kombëtare, shërbimeve dhe operacioneve të inteligjencës, investimeve infrastrukturore dhe ekonomike në të gjithë botën dhe planeve afatgjata për t’u bërë superfuqia e ardhshme e botës. Kina ka objektiv për të kundërshtuar me çdo mjet interesat e SHBA-ve dhe të aleatëve të saj në rajonin e Detit të Kinës Jugore, Detin e Kinës Lindore dhe në rajonin e Indo-Paqësorit.

Nga viti 2012 dhe deri në ditët e sotme në vitin 2024, nën drejtimin e presidentit Xi Jinping, Kina ka shfaqur siguri të lartë dhe është bërë shumë aktive në nivel global. Presidenti Xi i ka kushtuar rëndësi ‘Ringritjes të Madhe të Kinës’ dhe të ashtuquajturës ‘Ëndra Kineze’. Presidenti Xi Jinping e ka përcaktuar si prioritet të lartë politikën e jashtme të vendit, duke e përcaktuar diplomacinë e vendit të tij si diplomaci e një vendi të fuqishëm, duke u mbështetur në ‘Marëdhëniet e reja si një fuqi e madhe botërore’.

Politikat ekonomike, ushtarake, teknologjike dhe së fundi edhe diplomatike, janë forcuar shumë gjatë viteve të fundit nën presionin e vazhdueshëm të presidentit Xi Jinping. Ekspertët ndërkombëtarë deklarojnë se nën drejtimin e tij, Kina ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndërkohë që vetë kinezët kohën e drejtimin nga presidenti Hu Jintao e konsiderojnë si ‘dekadën e humbur’.

Ndërkohë, me qëllim forcimin e Kinës në arenën ndërkombëtare, gjatë dekadës të fundit Kina i ka kushtuar një vëmendje të veçantë modernizimit, ristrukturimit dhe forcimit të forcave të saj të armatosura, pra të Ushtrisë Popullore Çlirimtare (PLA). Rritja e rëndësisë të fuqizimit të tregtisë, rritja ekonomike, rritja e nivelit të investimeve jashtë vendit, rritja e prezencës së qytetarëve të saj jashtë vendit shpesh në vende me mungesë të theksuar të sigurisë publike dhe me kërcënime nga grupet terroriste, kanë detyruar presidentin Xi Jinping dhe lidershipin e agjensive kineze të sigurisë të marrin masa për mbrojtjen e interesave të tyre dhe qytetarëve të saj në të gjithë botën.

Si rezultat i këtyre ambicjeve dhe i reformave deri në ditët e sotme, Kina ka një prezencë të rëndësishme diplomatike, ekonomike, njerëzore dhe ushtarake në 30.000 ndërmarrje ose projekte shtetërore jashtë vendit, ku më shumë se 100 milionë qytetarë kinezë udhëtojnë çdo vit jashtë vendit. Sasia e përgjithshme e investimeve të kompanive private dhe të qeverisë të Kinës përfshirë edhe projektet jashtë vendit që nga viti 2005 deri në vitin 2020 ishte rreth 2 trilionë dollarë.

Prezenca e Kinës në sejcilin vend ka lidhje në mënyrë të veçantë me sigurimin e informacioneve të ndryshme të inteligjencës, të cilat paraqesin interes kombëtar nga agjensitë relevante, sigurimin e burimeve natyrore, ku këtu mund të përmendim investimet në ndërtimin e fabrikave, minierave, aeroporteve, porteve, autostradave, tubacioneve të naftës dhe të gazit të lëngët por jo vetëm, ndërkohë që numri i përgjithshëm i shtetasve kinezë të cilët jetojnë jashtë vendit është më shumë se pesë milionë.

Dr. Dritan Demiraj është autori i librit: “Shërbimet sekrete të Kinës, Struktura, misionet, metodat dhe kapacitetet e tyre”.

Filed Under: Politike

GAZETA DIELLI NË PROMOVIM TË SHKOLLAVE SHQIPE NË MBARË BOTËN, GJUHË SHQIPE DHE KULTURË KOMBËTARE TE SHQIPTARËT NË SUEDI

August 23, 2024 by s p

Arta Emiri mësuese e gjuhës shqipe në Stockholm, Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Stockholm, Suedi, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Arta Emiri bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

QËNDRA E GJUHËVE DHE NDIHMA PËR MËSIMIN E GJUHËS AMTARE

Qëndra e Gjuhëve (Språkcentrum) është një njësi në kuadër të Departamentit të Mësimit dhe Shëndetit të nxënësve në administratën e arsimit në Suedi. Misioni i Qendrës Gjuhësore është të mundësojë mësimin e gjuhës amtare dhe udhëzimin e studimit në gjuhën amtare për nxënësit në të gjitha format e shkollave publike. Aktivitet e Qendrës gjuhësore kanë për qëllim të mbajnë dhe të zhvillojnë multilinguizmin e fëmijëve dhe të rinjve dhe të kontribuojnë në rritjen e arritjes së qëllimit për nxënësit me gjuhë amtare përveç suedishtes. Rreth 17 000 nxënës në shkollat fillore dhe të mesme marrin mësim të gjuhës amtare çdo javë nga 450 mësuesit e Qendrës gjuhësore. Mësimi i gjuhës amtare jepet në rreth 70 gjuhë të ndryshme. Administrimi dhe administratë e njësisë aktualisht ndodhet në tre adresa në qytetin e Stockholmit. Në Qendrën e gjuhëve edhe gjuha shqipe ka degën e saj, mësuesit e kualifikuar për zhvillimin e ushtrimit të mësimit të gjuhës shqipe të nxënësit shqiptarë që kanë ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut si edhe tek ato nxënës qe kanë lindur në Suedi, por kanë shfaqur interes për të mësuar gjuhën shqipe. Mësimi i gjuhës shqipe është i përfshirë në sistemin arsimor suedez ku pas mësimit të lëndëve bazë, nxënësit kanë mundësinë të marrin mësimin e gjuhës amtare sipas orarit të përcaktuar nga mësuesit e gjuhës shqipe dhe i miratuar nga shkolla publike. Materialet mësimore janë përcaktuara deri në fillim të vitit shkollor, duke u mundësuar nga shteti shqiptar dhe ai Kosovar. Shpërndarja e teksteve bëhet nga ambasadat respektive të dy shteteve.

KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDERIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR

Përcaktimi i materialeve mësimore për çdo vit të ri shkollor bëhet nga stafi i mësuesve të gjuhës shqipe pranë qendrës gjuhësore. Ekziston mundësia që materialet mësimore të blihen online nga shteti shqiptar, këtu llogaritet me një numër të kufizuar, pasi shpenzimet monetare bëhen nga vetë institucioni i Qendrës gjuhësore, por rreth 3 vitëve të fundit duke qenë se kemi patur një kontakt të vazhdueshëm me ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, kanë bërë të mundur që të gjitha kurrikulat mësimore që janë botime enkas për Diasporën të botuara nga Qëndra e Botimeve për Diasporën të dërgohen dhe të shpërndahen falas për nxënësit që marrin mësimin e gjuhës shqipe. Kjo gjë na e ka lehtësuar mundësinë për pasjisjen me tekstë çdo vit, por edhe nga ka pasuruar medioteken e gjuhës shqipe e cila është mjaft e rëndësishme për mësuesit që aplikojnë mësimin e gjuhës shqipe në Suedi. Kurrikulat mësimore janë tekste të përbashkëta midis dy shteteve (Shqipërisë dhe Kosovës) dhe janë të përshtatshme për çdo nxënës që lexojnë gjuhën shqipe. Gjithashtu janë tekste të çertifikuar nga të dy Ministritë Arsimore të dy shteteve. Nuk mund të lë pa përmendur që ka një bashkëpunim të mirë edhe me komunitetin shqiptar këtu ne Suedi, sepse shpesh here kanë kontribuar duke sjellë tekste, pra përmend këtu transportin e tekstëve shqip kundrejtë asnjë lloj pagese, pra falas. Çdo prind ia ofron mësimin e gjuhës shqipe fëmijës, sepse nota dhe pikët që nxënësi merr në mësimin e gjuhës shqipe, në fund të vitit shkollor janë të llogaritshme njëlloj si nota dhe pikët që merr në mësimin e gjuhës suedeze, por ka edhe nga ato prindër që nuk e kanë shumë në dispozicion kohën të merren me fëmijët e tyre, për shkak se punojnë me ore të zgjatura dhe nuk shfaqin interes nëse fëmija e tyre nuk meson gjuhë shqipe. Do t’i bëja thirrje që të jenë më pak të vëmendshëm ose të kujdesshëm ndaj kësaj gjëje, sepse për momentin as prindi dhe as fëmija nuk e kuptojnë rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe, por ajo më së pari është identitet, pra ruan lidhjen e fortë që ke me njerëzit e tu në Shqipëri, pastaj ruajtja dhe mësimi i gjuhës shqipe është një nder dhe pasuri që nuk zbehet kurrë, as nder vite e as ndër shekuj, sepse vetë gjuha shqipe po del se është gjuhë e të gjitha gjuhëve të tjera evropiane.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SE IDENTITETIT KOMBETAR TË SHQIPTAREVE NE SUEDI

Mësimi i gjuhës shqipe bëhet me tekste të gjuhës shqipe dhe është një mësim që nuk si qëllim në vetvete të mbetet i lidhur ngushtë ne kontekstin gjuhësor ç’ka do të thotë mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare përfshin gjithë aspektin e identitetit kombëtar. Në mësimin plotësues të gjuhës shqipe nxënësit kanë mundësi të mësojnë dhe zgjerojnë njohuritë e tyre edhe në rrafshin patriotik, këtu përfshihen historia, gjeografia, figurat me të njohura dhe të ndritura të gjithë historisë shqiptare dhe trevave të saj, momentin historik të alfabetit të gjuhës shqipe, hapja e parë e shkollës në gjuhën shqipe, e shumë e shumë të tjera. Pra ajo çfarë dua të theksoj dhe nënvizoj, që mësimi i gjuhës shqipe nuk është thjeshtë një ore mësimi ku nxënësi mëson të shkruajë dhe të lexojë, por shkon përtëj asaj që mendohet, sepse qëllimi kryesor është të ruajmë gjuhën tonë të bukur, gjuhën e Përendisë thonë Rilindasit, përmes figurave të ndritura historike në përiudha dhe kohë të ndryshme, pra ta shohim dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur sepse është identiteti jonë, që nuk humbet kurrë. Në Suedi përmes mësimit të gjuhës shqipe nxënësi njihet me historinë dhe pozitën e saj gjeografike duke u ndalur në ditë dhe data të caktuara historiko – kulturore që Shqipëria dhe Kosova (Dardania) kanë. Shpeshherë fëmijët sjellin me vete në klasë veshje popullore të krahinave dhe trevave të ndryshme të Shqipërise dhe Kosovës (Dardanisë). Kjo aspak nuk i ka penguar apo cënuar fëmijët, por ka gjetur mbështëtje nga fëmijët suedeze, si edhe shumë mësues shprehin kuriozitet për të njohur fjalë të ndryshme përshëndetëse në gjuhën shqipe dhe histori nga ajo. Ka disa shkolla që kanë bërë projekte mësimore duke lidhur mësimin e gjuhës shqipe me atë suedeze dhe kjo ka nxitur edhe fëmijë të vendeve të ndryshme të shprehin kujdes dhe interes ndaj gjuhës shqipe.

MËSIMI SHQIP NË SHKOLLAT PUBLIKE SUEDEZE ËSHTË E MIRATUAR ME LIGJ

Shoqëria suedeze them se e ka pritur mirë mësimin shqip këtu, sepse mësimi shqip në shkollat publike suedeze është e miratuar me ligj nga vetë shteti suedez. Shpesh disa shkolla shprehin gadishmërinë për t’u përfshirë në dygjuhësinë, pra hartojnë projekte mësimore ku bëjnë ndërlidhjen e gjuhës suedeze me gjuhën shqipe, por edhe të tjera. Shoqëria suedeze e quan një të drejtë dhe barazi të fëmijëve për të ruajtuar gjuhën e tyre të origjines, madje nxënësve që vijnë nga Shqipëria ose Kosova në Suedi dhe nuk dinë suedisht u jepet mundësia që të kenë mësuesin e tyre të gjuhës shqipe në klasë për të mesuar suedisht. (Përkthimi i lëndëve të ndryshme suedeze në gjuhë shqipe dhe anasjelltas). Unë mendoj që shoqëria suedeze është një shoqëri që të respekton, sepse kujt i ke respektuar gjuhën dhe identitetin, e ke nderuar përjetësisht atë përson. Këtu në Suedi opërojnë një lëmi e madhe shoqatash që mundohen t’i vijnë në ndihmë apo t’i jenë pranë komunitetit shqiptar. Bashkëpunimi ka qenë i mirë me një shoqatë që kam patur mundësinë të bashkëpunoj. Janë organizuar aktivitete të ndryshme si për fëmijë të grupmoshave të ndryshme, por edhe për të rriturit, duke ju dhënë kështu mundësine për të bashkëvepruar dhe ndihmuar njëri-tjetërin në një vend të huaj. Kjo është bërë edhe për të ruajtur traditën e vendit nga vijmë. Disa shoqata janë shprehur të gatshme për të sjellë edhe tekstet në gjuhën shqipe falas për fëmijët e komunitetit shqiptar. Ka shoqata që nuk janë në Stockholm, por që organizojnë seminare për mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, organizojnë aktivitete mjaft tërheqëse për femijët dhe të rriturit, pra shoqatat mund të them që janë mjaft aktive dhe të gjalla.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË DHE FËMIJËT ME DYGJUHËSI

Çdo mësimdhënie përmes teknologjisë nuk është as e lehtë, por as edhe e paarritshme. Mësimdhënia përmes teknologjisë ka avantazhet e saj, sepse të mundëson një mësimdhënie ku mund ta ndërthurësh me tekniken, metoda ndërvepruese, të afron në kohë dhe hapësirë me nxënësin, pr ka dhe disavantazhet si ajo e largimit nga libri, nga shkrimi, pra nga një prekje konkrete me librin. Fëmijët në dygjuhësi kanë patur vështirësi me shumë në të folur se sa në të shkruar. Shqiptimi i disa bashkëtingelloreve dyshe ia vështirëson pak të folurën, por duke qenë se kanë në grup shokë/shoqe që vijnë nga Shqipëria dhe Kosova komunikimi shqip ndërmjet tyre ka qenë më i shpeshtë. Fëmijët me dygjyhësi kanë shprehur dhe vazhdojnë të shprehin një interes të veçantë për të mesuar shqip, kjo ndodh edhe kur njëri nga prindërit është suedez apo i ndonjë kombësie tjetër.

EFEKTI QE KA PASUR TË FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI SHQIP

Është një ndjenjë që kur i pyes fëmijët që si ndjeheni kur dëgjoni shqip në Suedi, ato nuk dinë të përgjigjen, por qeshin ashtu të pafajshem, por me sy plot gëzim dhe krenari. Ato ndjehen si në shpinë e tyre të largët, atdheu. Gjuha që fëmijët mësojnë është atdheu i tyre. Faktikisht çdo fundjavë, zakonisht të shtunave unë në disa biblioteka të Stokholmit lexoj shqip për fëmijë të grupmoshave të ndryshme, por jo vetëm ketë. Organizohen aktivitete ku fëmijët kanë mundësinë të luajnë, të lexojnë, të shkruajnë shqip. E gjithë puna bëhet vullnetarisht, por në bashkëpunim me bibliotekat e Stockholmit të cilat më bëjnë të mundur ambientin fizik si edhe mjete të ndryshme artistike. Fëmijët, unë, dhe kushdo që flet shqip ndjehet krenar, sepse flasim shqip, lexojmë shqip dhe shkruajmë shqip në nje vend të huaj, por që na e respekton identitetin. Në tetor të vitit 2021 në kuadër të javës ndërkombëtare të librit për fëmijë, bashkia e Stokholmit dhe biblioteka ndërkombëtare në Stokholm Kungsholmen bibliotekë, zhvilloi javën e librit për fëmijë. Ky aktivitet që mbahet prej 20 vitesh për herë të parë pati në panelin e vet një shkrimtare shqiptare për fëmijë, zj.Rudina Cupi. Realizimi i këtij projekti nuk ka qenë i lehtë, por ka qenë një rrugëtim 1 javor i mbushur me dashuri, me identitet dhe krenari që jam nga Shqipëria. Çdo fëmijë, nxënës, student shqiptar, shqiptar i Kosovës ishtë i/e lumtur. Atë javë bibliotëkat në Stokholm u veshën kuq e zi, flitej shqip edhe nga suedezet. Të ndjehesh krenar se je shqiptar është t’i sjellesh një copë atdheu çdo atdhetari që jeton dhe punon larg tij. Shpresoj të kem bërë me të voglën e kësaj gjëje të bukur, por projekte të tjera mbetën për t’u bërë akoma në emër të Atdheut.

KUSH ËSHTË MESUESE ARTA EMIRI?

Arta Emiri ka lindur në Tiranë dhe ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës në vitin 2008 dhe në vitin 2013 mbaron studimet në Mastër për Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Universitëtin e Tiranës. Nga viti 2009 -2016 ka punuar si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin ”Skënderbeu” Krujë dhe prej vitit 2017, ajo jeton në Stokholm të Suedisë. Atje studioi për gjuhën suedeze dhe në vitin 2020 merr licensën për mësuese e gjuhës shqipe dhe suedeze në shkollat suedeze. Prej vitit 2019 punon mësuese e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare me fëmijët shqiptarë, me fëmijët shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në shkollat publike të Stokholmit. Përvec angazhimit të saj në mësimdhënie, ajo është përfshirë edhe në projektë të organizuar nga shteti Suedez, por edhe të vetëorganizuar nga vetë ajo, për të pasuruar bibliotekat e Stokholmit me libra shqiptarë për fëmijë dhe të rritur. Angazhimi i saj më i madh tani është që në çdo bibliotëke të Stockholmit të shkruhet fjala përshendetëse “Mirë së vjen në bibliotekë”.

Filed Under: Politike Tagged With: Arta Emiri, Sokol Paja

SKËNDERBEU DHE LUFTA E DYTË E KOSOVËS (17-19 TETOR 1448)

August 22, 2024 by s p

Prof. dr. Lulëzim Lajçi/

Ndër ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të shekullit XV, pa dyshim, radhitet edhe Lufta II e Kosovës (1448). Kjo ngjarje historike tërhoqi vëmendjen e shumë kronistëve, historianëve dhe njëherësh la gjurmë në shumë dokumente të kohës. Këto burime të dorës së parë, në kohën më të re, u studiuan nga historianë të shumtë shqiptarë dhe të huaj, e në studimet e tyre u hodh dritë për këtë ngjarje që ka një rëndësi jo vetëm për historinë tonë kombëtare, por edhe më gjerë. Rëndësia e kësaj lufte për historinë e popullit shqiptar është se u zhvillua në zemër të Dardanisë së lashtë, e jo në tokat e Gjuragj Brankoviqit, siç thuhet zakonisht në literaturën historiografike, dhe se përmes kësaj ngjarjeje ndërkombëtare mund të kuptohet qartë roli që kishin shqiptarët, me në krye Skënderbeun, në Evropë.

Janosh Huniadi, që nga vitit 1446 mëkëmbës perandorak i Hungarisë në vend të Ladislav Posthumsit të mitur, nuk e harroi turpin që e përjetoi afër Varnës (1444) dhe vazhdimisht mendonte të hakmerrej.

Në vitin 1448 Huniadi ishte në pozitë që edhe njëherë t’i sulmonte osmanët. Synimet e tij nuk ishin aq ambicioze siç qenë ato gjatë fushatës së Varnës (1444). Mirëpo, kësaj radhe synimet e tij ishin që të bashkohej me Skënderbeun, e më pastaj të pushtojë Maqedoninë dhe Serbinë Jugore.

Skënderbeu që i vetmi që iu përgjigj ushtarakisht kësaj ftese të Huniadit për fushatë kundër osmanëve. Se vërtetë Skënderbeu kishte planifikuar t’i ndihmonte Huniadit në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 dëshmojnë një mori burimesh të kohës.

Sipas dokumenteve venedikase, më 4 tetor të vitit 1448, nën muret e Lezhës, Skënderbeu bëri paqe me Republikën e Venedikut, duke kërkuar, pos tjerash, edhe që në afat prej 15 ditësh Republika t’ia paguante një provizion prej 1400 dukatesh, me arsyetim se kishte dëshirë t’i ndihmonte Huniadit.

Për këtë qëllim Skënderbeu kishte kërkuar ndihmë edhe nga Raguza. Mirëpo, edhe pse një vit më parë Senati raguzan i kishte dhënë Skënderbeut 500 litra barute si ndihmë, kësaj radhe ai u refuzua.

Kur është fjala për aleatët e tjerë të Huniadit duhet thënë se Despoti serb, refuzoi çdo ndihmë me arsyetim se ushtria e krishterë do të jetë tepër e dobët që të mund të arrinte çka do qoftë kundër ushtrisë së Muratit II. Halkokondili, por edhe shumë burime tjera bashkëkohore, pohon madje: “Në kohën kur (Murati II) donte të sulmonte me të gjitha forcat (Sfetigradin), për të dytën herë arriti prej Gjuragjit, prijësit të tribalëve lajmi se Jani (Janosh Huniadi), mbasi kishte grumbulluar peonët, kaloi Istrin (Danubin) dhe po marshonte kundër tij (sulltanit)…”.

Venediku, përfundimisht i kënaqur që bëri marrëveshje të frytshme me sulltanin, që i siguronte tregti të papenguar nëpër Levant, gjithashtu nuk donte të lëshohej në plane të tilla. As Alfonsi, mbret i Aragonës, sundimtari i Napolit dhe i Sicilisë, aspak nuk ishte i gatshëm të hynte në aventurën luftarake me rezultate të pasigurta. Janosh Huniadi më kot i qe drejtuar edhe papës Nikollës V, i cili në shkurt të vitit 1447, si pasardhës i Eugjenit IV, mori Selinë e Shën Pjetrit. Kurse Republika e Raguzës, e ndihmoi kryqëzatën vetëm me të holla.

Për këtë ndërmarrje ushtarake Huniadi grumbulloi ushtrinë buzë Danubit. Bërthama e ushtrisë së tij ishte nga Transilvania dhe kishte vetëm një kontingjent hungarez me në krye Frankon nga Talovak, Ban i Dalmacisë dhe Kroacisë dhe me dhëndrin e tij, Mihail Silagy /Micheal Szilagyi/ dhe Janosh Sikej /Szekely/. Ushtria e Huniadit marshoi nëpër Serbi, duke bërë një përparim të shpejtë. Me Serbinë Huniadi sillej si me një vend armiqësor. Rreziku i afërt që e shkaktonte armiku e kishte nxitur Huniadin që në fund të kalonte në marshe të gjata, të mundimshme, të cilat për nja njëzet ditë e sollën në fushën e famshme kosovare, në Fushën e Kosovës, ku më 17 tetor para syve të osmanëve, tërhiqet në kampin e fortifikuar.

Në Fushën e Kosovës Huniadi ndaloi ushtrinë që të çlodhej nga ai rrugëtim i gjatë, por gjithashtu edhe priste marshimin e Skënderbeut.

Forcat e Huniadit u befasuan me ushtrinë e Muratit II, i cili marshonte drejt Fushës së Kosovës në Veri. Kjo ishte një befasi jo e mirëseardhur, aq më tepër për Huniadin. Ai tani ishte para një vendim të vështirë, të tërhiqej në brendi të Serbisë, drejt Hungarisë dhe të përballej me sulmet e mundshme kundër ushtrisë së tij gjatë tërheqjes apo të qëndronte dhe të luftonte, megjithëse nuk ishte një pozicion i mirë nga mund të luftonte dhe gjithashtu Fusha e Kosovës ishte pak studiuar nga Huniadi e oficerët e tij. Në këto rrethana, hapi i parë i tij ishte dërgimi i shumë kalorësve drejt Prishtinës që ta bllokonin hyrjen e saj. Ata ishin të suksesshëm, megjithëse ndeshjet e tyre me osmanët përshkruhen si të përgjakshme. Në fund të ditës e gjithë ushtria osmane ishte pozicionuar në pjesën veriore të lumit Llab. Distanca mes dy kampeve ishte diku 4-5 kilometra.

Gjatë rivistës që sulltani ua bëri trupave, kuptohet sipas burimeve osmane, aty gjendeshin 50.000-60.000 ushtarë. Kronistët oksidentalë i çmojnë forcat e tyre, duke e tepruar si zakonisht, madje në 150 mijë njerëz, pra trefish më tepër. Në suitën e sulltanit gjendej edhe Mehmet Çelebiu (Mehmet Pushtuesi)

Ushtria e Huniadit numëronte një legjion prej 24.000 deri 30.000 vetash. Duke përfshirë në këtë total edhe forcat e vllehve që shkonin diku në rreth 10. 000 ushtarë. Këto forca udhëhiqeshin nga princi Dan i Vllahisë. Forcat e tjera të Huniadit ishin të përziera nga këmbësoria dhe kalorësia. 2000 deri 3000 pjesëtarë të artilerisë përmenden në burime si gjermanë, ashtu si edhe këmbësoria nga Transilvania.

Kur është fjala për pjesëmarrjen e shqiptarëve në në këtë ekspeditë, është me interes të veçantë letra e Pasqualis Junii de Sorgo, e datës 5. 9. 1448, nga e cila del se në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 morën pjesë edhe shqiptarët.

Trupa osmane ishin pozicionuar përballë bregut jugor të lumit Llab, krahu i tyre i djathtë pushonte përgjatë lumit Sitnica. Trupat e Rumelisë ishin pozicionuar në krahun e majtë, në qendër dhe në anën e djathtë. Të dy krahët përmbaheshin plotësisht nga kalorësia, nga dy linja të spahinjve me shumë radhë të akinxhinjve qitës si dhe prej kalorësisë së lehtë që përbëhej prej rekrutëve. Në qendër ishte edhe këmbësoria në tri linja. Linja e fundit përbëhej nga jeniçerët, ku ishte edhe vetë sulltani, linja e dytë ishte artileria. Për rreth jeniçerëve dhe artilerisë ishte një llogore defensive dhe përqark kësaj në të tri anët ishte linja e parë e këmbësorisë e përbërë nga rekrutët asabë.

Huniadi e kishte vendosur kampin e tij në kodër nga mbikëqyrej e gjithë toka përreth tij. Linja e parë, në qendër, përfshinte kalorësinë e rëndë dhe në të dy krahët mbulohej nga kalorësia e lehtë. Ai personalisht komandonte qendrën e linjës së dytë e cila përbëhej nga trupat mbretërore, mercenarët dhe nga ca flamurtarë nga Transilvania.

Pas kësaj, Huniadi kishte pritur repartet e Skënderbeut. Mirëpo, Murati II, i cili ishte i informuar, nga Gjuragj Brankoviqi për të gjitha këto, e sulmoi Huniadin dhe e detyroi të hynte në luftë para kohe.

Kështu, forcat shqiptare me në krye Skënderbeun, ishin ende në rrugë kur filloi Lufta e Dytë në Fushën e Kosovës (17-19 tetor 1448). Kronistët osmanë shkruajnë se në ditën e parë të krishterët u kishin shkaktuar humbje të mëdha osmanëve. Në përleshjet e para Muratin II e kishte shpëtuar vetëm superioriteti i ushtrisë së tij.

Luftimet më 18 tetor 1448

Burimet që flasin për luftimet e mbrëmjes së ditës së parë janë të pakta. Halkokondili konstaton se hungarezët ishin vërsulur gjatë natës drejt kampit osman, por ishin zmbrapsur nga jeniçerët.

Luftimet e 19 tetorit 1448

Renditja e ushtrisë osmane, i ngjante asaj të ditës paraprake. Përveç se kalorësia nga Thesalia ishte zhvendosur nga kontingjenti i Rumelisë dhe ishte përqendruar ijëve, përreth ushtrisë hungareze. Huniadi gjithashtu përforcoi krahun e majtë me Janosh Sikej /Szekelyin/ dhe njerëzit e tij, i cili më parë kishte qenë i vendosur në qendër dhe e përforcoi këtë krah edhe me forcat rezervë të kalorësisë. Huniadi shumicën e këmbësorisë e kishte përqendruar në qendër dhe shoqëroheshin nga shumica e trupave mobile të artilerisë

Luftimet më 19 tetor 1448

Osmanët filluan sulmet përmes kalorësisë nga Anadolli. Ata u ndeshën me hungarezët në krahun e djathtë. Ana e dobësuar e majtë e osmanëve filloi të përleshej me hungarezët me në krye Loshoncin /Losonczin/, i cili ishte nën presion dhe kishte vështirësi të mëdha që t`i parandalonte osmanët që kishin synim të kalonin prapa linjave hungareze. Në këto rrethana Huniadi me të dy krahët e ushtrisë së tij u drejtua qendrës kundër këmbësorisë osmane. Asabët u shtynë tutje nga zjarri i artilerisë dhe nga sulmet e këmbësorisë. Artileria osmane dhe jeniçerët mundën ta ndalonin përparimin e këmbësorisë hungareze. Sidoqoftë, kalorësia hungareze, e udhëhequr personalisht nga Huniadi, depërtoi drejt vijave – radhëve të jeniçerëve.

Në një situatë mjaftë të vështirë, sulltani kishte urdhëruar komandantin kryesor të kampit të bagazhit-transportit, Sinan beun që të përforcojë qendrën me gardën e kampit. Këto forca ishin të mjaftueshme që t’i stabilizonin linjat osmane të luftës dhe që t`u mundësojnë jeniçerëve që të rimarrin veten. Pas këtyre luftimeve Huniadi tërhoqi forcat e qendrës prapa duke i kthyer ato në pozitat e mëparshme.

Në këtë situatë të vështirë, trupat hungareze në anën e djathtë ishin nën presion, kurse ana e majtë ishte në pamundësi që të ecte përpara kundër qitëseve osmanë. Në këto rrethana Turhani dhe kalorësia e Thesalisë arritën prapa shpinës së hungarezëve në krahun e majtë. Në pamundësi manovrimi dhe që t`i ikej këtij sulmi dhe rreziku Dani me vllehtë e tij ishin dërrmuar keqas dhe ishin detyruar që të dorëzoheshin. Anadollasit filluan që t`i shkatërrojnë ijët e trupave hungareze. Në këto rrethana Huniadi kishte urdhëruar që të tërhiqeshin drejt kampit. Qendra hungareze dhe krahu i majtë arritën të tërhiqeshin në kamp pa shumë humbje, porse krahu i djathtë ishte asgjësuar, kurse vetë Skej /Szekeli/ ishte vrarë gjatë luftimeve.

Rrjedhoja e luftimeve

Fatkeqësisht pas tre luftimesh Huniadi vendosi që të tërhiqej në orët e hershme të mëngjesit. Në tërheqje e sipër nëpër Serbi, drejt Danubit, Huniadi ishte zënë rob nga Gjuragj Brankoviqi. Sipas dëshmive të Giacomo di Luccarit, Gjuragji me këtë rast kishte urdhëruar që Huniadi të mbytej në lumin Resava dhe vetëm pas ndërhyrjes së Pasqual Sorgos, që atëbotë ishte çeonik i despotit dhe ambasadorit Damiano Giorgi, ky kishte mbetur gjallë. U lirua kah fundi i vitit, pas nënshkrimit të marrëveshjes mjaft të pakënaqshme, të cilën natyrisht papa e kishte shpallur të pavlefshme dhe ishte kthyer në Segedin.

Lajmin për disfatën e ushtrisë hungareze Skënderbeu e kishte marrë vesh në kohën kur ishte duke shpërthyer, me forcën e armëve, kufirin e Misisë, meqë Gjuragj Brankoviqi i kishte mbyllur të gjitha rrugët dhe shtigjet, me të vetmin qëllim që ta pamundësonte bashkimin e këtyre forcave me ato të Huniadit, në frontin e përbashkët kundër “dhëndrit” të tij -Muratit II.

Prandaj, për të mos mbetur pa u dënuar për këtë krim, siç shkruan Barleti, Skënderbeu i kishte sulmuar viset që i sundonte Gjuragji dhe kishte shkretuar një pjesë të tyre. Gjatë kohës kur kthehej për në Krujë ishte takuar me hungarezët dhe polakët e mbetur gjallë pas asaj kërdie dhe me këtë rast i kishte ndihmuar jo vetëm më të holla dhe ushqime për disa ditë me radhë, por ua kishte siguruar edhe anijet për të shkuar së pari në Raguzë e prej këndej për në Hungari.

Sipas Fran Babingerit 17000 njerëz të ushtrisë së Huniadit qenë vrarë, në mesin e të cilëve edhe lulja e bujarisë hungareze. Kurse humbjet osmane, po sipas këtij autori ishin dyfish më të mëdha. Pas përfundimit të kësaj lufte, sulltani kishte urdhëruar që nga ushtarët e rënë në këtë fushëbetejë të varrosen vetëm më të merituarit, ndërsa kufomat e ushtarëve të rëndomtë të mblidheshin në grumbull e të hidheshin në Sitnicë, e cila nga ky veprim ishte ndotur aq shumë, sa një kohë të gjatë pas kësaj as peshku nga ky lum nuk ka mundur të hahet. Disfata e Varnës dhe kjo në Fushën e Kosovës i hodhën hije të zezë lavdisë ushtarake të Janosh Huniadit.

Nga sa u tha më lart, me gjithë përgatitjet për këtë luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare në krye me Skënderbeun nuk arritën të merrnin pjesë në luftë. Rrjedhimisht trupat e Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në luftën që u zhvillua më 17-19 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.

Pra, veç përgatitjeve dhe gatishmërisë së Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të luftës në fjalë, përgjithësisht shkrimtarët, historianët unanimisht e zënë në gojë vonimin e shqiptarëve me Skënderbeun në krye për t`u bashkuar me trupat hungareze. Si shkak i “vonimit” të kryetrimit shqiptar në këtë ngjarje ndërkombëtare, për ta ndihmuar aleatin tij, konsiderohet pothuajse unanimisht se Skënderbeu qe i penguar prej despotit serb Gjuragj Brankoviqit, aleat i dhëndrit, pra Muratit II, i cili i mbylli Skënderbeut të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte. Një pjesë e madhe e burimeve të kohës, duke arsyetuar “vonesën” e Skënderbeut në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448, nxorën në shesh edhe pashkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur ta pranonte luftën para ardhjes së Skënderbeut në Fushën e Kosovës, gjë që u mirëprit nga Murati II, i cili duke u druajtur veçanërisht përfshirjes së shqiptarëve, mezi priste të hynte në Luftë.

Ky konstatimi i cili është i pranishëm edhe në historiografinë shqiptare, mendoj se nuk qëndron. Në marrëveshjen mes “Lidhjes Shqiptare” dhe Venedikut, të datës 4 tetor 1448, pos tjerash, del edhe ky fakti i rëndësishëm, se Skënderbeu kërkoi 1400 dukate, në aftat prej 15 ditësh, për t`iu bashkuar ekspeditës kundër Perandorisë Osmane. Po të kemi parasysh datën 4 tetor dhe 15 ditët e ardhshme të afatit për marrjen e kësaj shume nga Republika e Shën Markut, del qartë se Skënderbeu me të deleguarin e Huniadit, për të cilin informon Halkokondili, ishte marrë vesh që kjo luftë të fillonte me siguri diku pas datës 19 tetor, e jo siç ndodhi më 17-19 tetor 1448. Pra, të gjitha meritat për disfatën e Huniadit, i takojnë tradhtisë së Gjuragj Brankoviqit, e kurrsesi vonesës së Skënderbeut. Sepse në kohën kur Huniadi priste në Fushën e Kosovës repartet e Skënderbeut, Murati II, i cili ishte informuar për të gjitha këto nga miku i shtëpisë – Gjuragjit, e kishte detyruar Huniadin të hynte në luftë para kohe.

Përfundim

Për dallim nga e ashtuquajturën – e imagjinuar Beteja e Kosovës (1389) që është mbështjellur me vellon e mitit serb, me të vetmin qëllim që përmes kësaj ngjarjeje të “dëshmohet” para botës se para ardhjes së osmanëve në Ballkan Kosova ishte tokë serbe, Lufta e Kosovës e vitit 1448, nga sa u tha lartë, është një ngjarje e vërtetë historike, për të cilën dëshmojnë shumë dokumente.

Prandaj, në nderim të dhjetëra mijëra ushtarëve të vrarë, hungarezë, shqiptarë, vllehë kam apeluar qysh në vitin 2009 që pikërisht në atë vend ku ka ndodhur Lufta e Dytë e Kosovës, ngjarje kjo e karakterit ndërkombëtar, të ngritët një monument madhështor. Si ide ky monument duhet të kishte një bazament prej 14 metrash dhe një lartësi pre 48 metrash qe do te simbolizonte vitin 1448 kur edhe ndodhi kjo luftë..

Thonë e treta e vërteta. Për herë të parë e kam ngritur këtë çështje në vitin 2009 me një rast kur isha mysafir në RTK në programin kulturo-artistik që e udhëhiqte Mustafë Ferizi, herën e dytë e kam ngritur vitin 2014 në Konferencën ndërkombëtare që u mbajt në Budapest me temën Albanians and Hungarians: Historical smilarties and differences in Centuries, ku edhe kam lexuar kumtesën që lidhej pikërisht me Luftën e Dytë të Kosovës dhe më datë 25.03.2019 ju kam drejtuar Kryetarit te Komunës z. Xhafer Gashit me Kërkesë për të ndarjen një parcelë toke prej 25-30 ari në Mazgit, ku do të ngritej një obelisk madhështor kushtuar dy gjeneralëve më të mëdhenj të shekullit XV, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Janosh Huniadit, bartësve kryesor të rezistencës kundër osmane në Evropë në shekullin XV. Ky obelisk do të ishte edhe një shenjë nderimi për 17000 të vrarët në Mazgit, në Luftën e Dytë të Kosovës më 17-19 tetor 1448. Fatmirësisht kjo Kërkesë u miratua nga KK i Obiliqit – Kastriot dhe kjo konference shkencore që po e mbajmë sot ne Asamblenë e Kastriotit nuk është e rastësishme, kjo konference i paraprinë gurthemelit te obeliskut qe do te vendoset me 17 tetor te këtij. Faleminderit shume i nderuari kryetar Xhafer Gashi, faleminderit drejtorit te drejtorit Arben Berisha, faleminderit gjithë asamblistëve qe e votuan këtë projekt dhe na shkoftë puna mbare.

Filed Under: Politike

Vatra Miami, një zemër bashkimi për shqiptarët e Floridës së Jugut

August 21, 2024 by s p

Dr. Iris Halili

Kryetare e Vatra Miami/

Vatra Miami ka si mision të saj kryesor të mbledhë rreth vetes çdo bashkëatdhetar që ka emigruar në Floridën e Jugut, nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kjo iniciativë synon të bashkojë të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes gjeografike apo dialektit. Për Vatra Miami, ajo që na bashkon është gjuha, atdhedashuria dhe mbi të gjitha, ndjenjat e përbashkëta shqiptare që na bëjnë të jemi një komb.

Në këtë frymë, Vatra Miami zhvilloi një takim të ngrohtë dhe mbresëlënës me komunitetin e diasporës shqiptare të ardhur nga rajonet e Kosovës dhe me banim në rrethin e Palm Beach-it. Iniciativat paraprake të këtij takimi kanë ardhur falë mikpritjes dhe zemrës së madhe të zonjës së nderuar nga Kosova, Dr. Vlora Sulejmani. Takimi i fundit i zgjeruar u organizua falë punës aktive të zonjës Tina Jakupi, e cila po përpiqet të kontaktojë bashkëatdhetarët biznes në biznes apo kudo ku ata jetojnë apo punojnë në zonën e Palm Beach, ku edhe ajo jeton me familjen. Zonja Jakupi ka lindur në SHBA, por mban shumë të gjalla lidhjet me tokën e të parëve të saj në Gostivar dhe gjithashtu mban të gjalla të gjitha lidhjet me bashkëatdhetarët e saj nga çdo vis i Shqipërisë. Ajo, së bashku me zonjën Sulejmani, tashmë janë bërë anëtare të Vatra Miami dhe po bëjnë një punë shumë dinjitoze në zgjerimin e shoqatës me sa më shumë bashkëatdhetarë.

Mesazhi i Vatra Miami në këtë takim ishte i qartë: Shqipëria e bashkuar fillimisht ekziston në zemrat tona, pastaj në mëndjet tona, dhe më pas në zgjedhjet tona, dhe ja ku jemi të gjithë të bashkuar në tokën ku kemi fatin të jetojmë në vetëm në harmoni. Ne që jetojmë në Floridën Jugore duhet të jemi gjithmonë të gjithë bashkë, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të forcojmë lidhjet mes nesh, t’i bëjmë biznes njeri-tjetrit, dhe vetëm kështu Shqipërinë e bashkuar do ta kemi te Vatra Miami dhe te Klubi Flas Shqip, ku të gjithë flasim shqip sepse jemi shqiptarë, dhe ku portreti i Skënderbeut na nderon dhe na bashkon sipas amanetit të tij të madh se vetëm bashkë mund të fitojmë çdo betejë dhe të jemi më të fuqishëm!

Në takim u diskutua për historinë e Vatra-s, qëllimin e saj kryesor që është ruajtja e gjuhës dhe traditës shqiptare, dhe vlerën e Klubit Flas Shqip, që po mbledh bashkë fëmijët tanë dhe do t’u dhurojë atyre gjuhën e nënës dhe bashkë me të, uratat e saj që tingëllojnë më bukur në gjuhën amtare. Gjatë këtij takimi, zonjat e pranishme nga qytetet e Boynton Beach dhe Lake Worth kërkuan të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e klubit ku mësimi i gjuhës zhvullohet falas. Kjo solli fillimin e punës për hapjen e një klasë tjetër, si rezultat i numrit të madh të nxënësve që u propozuan t’i shtohen Klubit Flas Shqip, që tashmë do të ketë katër klasa me afro 60 fëmijë , një arritje kjo e madhe në një periue tdhë kohe vetëm disa mujore. Në takim morri fjalën edhe mësuesja vullnetare e klasës së qytetit West Palm Beach, zonja Liljana Rrumbullaku , e cila ndër të tjera theksoi vullnetin e saj të mirë për ti shërbyer komunitetit pas mëse 20 vitesh pune si mësuese në Tiranë dhe SHBA. Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip falënderojnë të gjitha zonjat pjesëmarrëse për kohën, dashamirësinë e treguar.

Ky takim do të pasohet me një seri takimesh në qytete të tjera të Floridës së Jugut. Në kohën e emigracionit të madh drejt SHBA-së, si dhe migrimit brenda territorit të SHBA-së, është shumë e rëndësishme që çdo degë e Vatrës të njihet me numrin dhe popullsinë e bashkëatdhetarëve në zonën ku ajo vepron. Pikërisht për këtë, Vatra Miami ka si qëllim kryerjen e një censusi për njohjen e shqipfolësve në zonën e saj dhe inkurajon të gjitha degët e tjera të përpiqen të plotësojnë sa më mirë këtë database, si dhe të përpiqemi të përcjellim thelbin e krijimit dhe mbijetesës 113-vjeçare të Vatra-s që është sa i thjeshtë në dukje por që shpesh bëhet shumë i vështirë në realitet: të duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin se jemi shqiptarë dhe flasim një gjuhë nuk ka rëndësi nga vijmë. Vetëm kështu do i ruajmë të gjalla vlerat kombëtare dhe do mund të jemi më të aftë të ndihmojmë fatet e vëllezërve tanë përtej oqeanit ! Modeli i bashkimit kombëtar fillon nga ne! Ai më shumë se gjeografik është dhe mbetet shpirtëror!

Filed Under: Politike

PËRGËNJËSHTRIM NGA VATRA!

August 16, 2024 by s p

New York, 16 Gusht 2024 /

Federata   Pan-Shqiptare   e   Amerikës “Vatra” përgënjeshtron një dizinformim të qëllimshëm, të vazhdueshëm, përçarës e dashakeq, të shpërndarë nga z. Mal Berisha në median e tij sociale.  

Sqarojmë opinionin publik dhe mediat e interesuara, se znj. Nazo Veliu jo vetëm që nuk është më Sekretare e Federatës ‘Vatra’, por prej një viti ajo është përjashtuar unanimisht nga Vatra, për shkelje të vazhdueshme të kanunores dhe ligjeve të SHBA-ve dhe aktualisht ndodhet në proces penal në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, përmes të cilës znj. Nazo Veliu së bashku me disa individë të tjerë jo anëtarë të ‘Vatrës’ ju është ndaluar pjesëmarrja e përfaqësimi, për të cilat gjykata ka marrë vendim që të jenë të përjashtuar nga të gjitha aktivitetet, funksionet dhe në të njëjtën kohë të qëndrojnë larg selisë të ‘Vatrës’ në Bronx, New York.

Ndërkohë sqarojmë opinionin publik se z. Mal Berisha për të disatën herë gënjen dhe keqinformon opinionin publik. Si antar i “Nderit të Vatrës” atij nuk i lejohet të keqinformojë, ndërkohë që është i informuar për masat e marra nga Kryesia dhe Këshilli i ‘Vatrës’ në mbledhjen e datës 17 Mars 2024 në Boston, masa të cilat janë publikuar në media dhe në të gjitha degët e ‘Vatrës’ në SHBA dhe në Kanada. 

Faderata ‘Vatra’ i bën thirrje Mal Berishës dhe individëve të tjerë keqdashës, të cilët kanë bashkëpunuar me ne dhe pretendojnë se flasin në emër të ‘Vatrës’ pa status dhe autorizimin e kryesisë, të ndalojnë menjëherë keqinformimet, përhapjen e lajmeve të rreme, të ndalojnë përçarjen dhe frymëzimin e disa vatranëve dhe të ish-vatranëve të cilët janë gjetur fajtorë për shkak të akteve vandale, fyerjeve, shkeljen e vazhdueshme të rregullave të kanunores dhe veprimeve të tjera antiligjore.

Federata ‘Vatra’ i tërheq vëmendjen Mal Berishës të qëndrojë në nivelit e anëtarit të nderit, të personit të cilin ‘Vatra’ e ka vlerësuar e nderuar dhe jo të vazhdojë të mundohet të përçajë komunitetin shqiptar në New York se do të dështojë me turp. 

Vatra është aset kombëtar dhe e shenjtë.

Rroftë Vatra

Rroftë Kombi Shqiptar. 

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 651
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT