• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arsimi shqip dhe zgjimi i vetëdijes kombëtare te arbëneshët e Zarës

December 31, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Në konkurrencë me kulturën sllave dhe italiane në Zarë, e cila u përpoq t’i asimilonte kombëtarisht, identiteti etniko-kulturor i arbëneshëve tregoi qëndrueshmëri përgjatë shekujve XVIII dhe XIX. Për më tepër, qysh në fillim të shekullit XX, arbëneshët e Zarës treguan një interes të organizuar për ngjarjet në atdheun e vjetër. Në fund të shek. XIX edhe ata dhanë një kontribut të shquar në lëvizjen për çlirim kombëtar. Idetë e tyre atdhetare, intelektualët arbneshë i publikuan përmes gazetës së tyre “Zani i Shqyptarit”, që u botua në disa numra në Zarë. Përpjekjet për të mbështetur vendin e origjinës u shprehën edhe nga telegrami i urimit që “Komiteti Kombëtar i Arbëneshëve të Zarës” i dërgoi kreut të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë Ismail Qemalit, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 nëntor 1912. Lidhjet me shtetin shqiptar u zgjeruan gjithnjë e më shumë deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, kur dolën vështirësi të reja, sidomos pas vitit 1920, kur Zara u aneksua nga Mbretëria italiane.

Nga viti 1814, në Zarë funksiuan dy shkolla: njëra e tipit të liceut francez dhe tjetra, Seminari i Zmajeviçit. Ndërkaq, nga viti 1817, atje nis të funksiononte edhe Normalja në gjuhën italiane, kurse në Arbënesh vepronin dy shkolla fillore dhe bashkë me atë të Zarës edhe dy shkolla të mesme: njëra italiane dhe tjetra kroate. Shkolla italiane kishte më tepër karakter komunal, kurse kroatja karakter krahinor. Në ato shkolla arsimoheshin edhe arbëneshët. Ndër mësuesit e gjimnazit të Zarës në vitin shkollor 1833-1834 përmendet Ivan Marushi, mandej Mitër Stipçeviçi, Spasoje Albanezi e ndonjë tjetër. Në Arbënesh, nga viti 1864, me nisjen e punës së Shkollës Normale për meshkuj me mësim në gjuhën kroate (e vetmja e këtij lloj për tërë Dalmacinë), nis edhe procesi i arsimimit masiv të arbëneshëve. Ajo, do të kthehet në një vatër të rëndësishme për përgatitjen e kuadrove të propagandas kombëtare, si një qendër me rëndësi e përhapjes së ideve të Rilindjes kombëtare kroate dhe si njëri prej faktorëve më të rëndësishëm që ka përshpejtuar procesin e kroatizimit të arbëneshëve.

Midis 800 nxënësve, sa kanë kaluar në bankat e asaj shkolle brenda 55 vjetëve, përmenden edhe një numër i madh arbëneshësh, ndër ta: Kërto Vukiçi, Mate Kërstiçi, Ante Vukiçi, Marko Petani, Niko Stipçeviçi, Ivan Buliçi, Kërsto Kërstiçi, Mate Marshani, Josip Petani, Josip Vladoviç Rela, Marko Marushiçi, Bozho Deshpali, Kërle Qurku, Josip Gjergja, Shime Deshpali etj.

Në Arbënesh, nga viti 1897 nisi të funksionojë një shkollë fillore private, e cila është e para dhe e vetmja për të gjithë Dalmacinë. Në atë shkollë mësimi zhvillohej në gjuhën italiane dhe ndiqej nga shumë arbëneshë. Në këtë kohë punonte edhe një shkollë popullore dyvjeçare për femra, e cila më 1903 numëronte 189 nxënëse. Për shkak të numrit të madh të nxënëseve, ajo shkollë ngrihet në triklasëshe.

Hapja e shkollave në gjuhën shqipe nga Austro-Hungaria brenda territoreve shqiptare kishte filluar që nga mesi i viteve 50-të të shek. XIX dhe do të zgjerohej gjatë gjysmës së dytë të atij shekulli. Në vitet e fundit të shek. XIX, Qeveria austro-hungareze filloi të interesohet për kolonitë shqiptare, të vendosura jashtë vendit. Ky interesim ishte rezultat i rritjes së rivalitetit midis qeverive të Vjenës dhe të Romës për sfera ndikimi në Shqipëri. Duke përkrahur zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare, Vjena mendonte të fitonte simpatinë e popullit shqiptar. Për të formuar identitetin e dëshiruar kombëtar të arbëneshëve, mësimi i gjuhës shqipe u fut në shkollën italiane në vitin 1896 dhe nga viti 1901 në shkollën fillore kroate për nxënësit që gjuhë amtare kishin arbënishten.

Mësuesi i parë i gjuhës shqipe në shkollën kroate është At Pashk Bardhi, pas të cilit mësimi i shqipes u dha nga mësues të tjerë: Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Koleci, Anton Paluca, Nikollë Rrota, si dhe Pal Gjerga, Josip Gjergja etj,(arbëneshë nga Zara). Shkolla funksionoi deri në vitin 1921, kur u mbyll nga italianët që e morën në zotërim Zarën dhe e mbajtën deri në vitin 1943.

Mësimi i gjuhës shqipe nisi në Shkollën Normale kroate me tri orë në javë dhe në shkollën profesionale ngjitur Normales, me katër orë në javë. Ndërkohë u organizua kursi për të rritur. Këta të fundit i ndiqnin mësimet e kursit dy herë në javë. Nga viti 1903, filloi mësimi i gjuhës shqipe edhe në shkollën femërore me nga tri orë në javë.

Në vitin 1905, Konsullata e Përgjithshme e Austro-Hungarisë në Shkodër i kërkoi Pashk Bardhit që të përgatiste një raport në lidhje me numrin e nxënësve që ndiqnin kurset e gjuhës shqipe në Zarë. Sipas raportit të përgatitur nga ai, të cilin Konsulli i Përgjithshëm Kral ia dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, del se “kurset e gjuhës shqipe i ndiqnin 130-150 nxënës; mësimet e gjuhës shqipe në Institutin Pedagogjik i ndiqnin 7-10 nxënës me nga tre orë në javë; në shkollën ushtrimore mësimet i ndiqnin 60-70 nxënës me nga katër orë në javë, si dhe 60-70 nxënëse të Shkollës së vajzave i ndiqnin mësimet e atij kursi me nga tre orë në javë”. At Bardhi e konsideronte si “tepër të vlefshme futjen e gjuhës shqipe si lëndë fakultative edhe nëpër gjimnaze”, pasi sipas tij “nxënësit më të talentuar arbëneshë i ndiqnin mësimet në gjimnaze dhe jo në Institutin Pedagogjik”. Nga ana tjetër, Konsulli Kral i këshillonte eprorët e tij në Vjenë që “t’i mundësonin mësuesit Pashk Bardhi që të zhvillonte mësime private edhe në shkollën italiane”, ku gjuha shqipe do të mësohej njësoj si në të dy gjimnazet shtetërore, si lëndë fakultative, për çka kishin dhënë pëlqimin e tyre edhe Guvernatori austro-hungarez i Dalmacisë dhe Inspektori i shkollave provinciale.

Gjatë sundimit austro-hungarez në territoret shqiptare kanë dhënë mësim në shkollat shqipe disa mësues nga Arbëneshi si: Kërsto Peroviçi, inspektor i shkollave të Malit të Zi dhe mësues në Guci; Tomë (Ivo) Moroviçi dhe Nikollë Peroviçi; Milan Kërstiçi në Plavë; Shtjefën Peroviçi në Martinaj; Josip Vladoviç Rela në Vuthaj etj.

Pas Luftës së Parë Botërore, Zara u bë pjesë e MBretërisë së Italisë dhe, gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, shqipja fillimisht u tolerua, por në vitet e mëvonshme u ndalua të flitej dhe të mësohej në shkolla. Aktualisht në Zarë mësohet gjuha shqipe si lëndë me zgjedhje në nivelin e arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm.

Filed Under: Politike

“5 kërcënimet kritike për ardhmërinë Euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë dhe Kosovën”

December 30, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj, mesazhe nga Washington, USA/

Me statusin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s (pra pa asnjë funksion zyrtar), por më shumë se kurrë më parë i privilegjuar, që isha “i ftuar nderi” nga Instituti i Senatorëve Republikanë McCain & Mark Kirk, Instituti Amerikan për Leadershipin, si dhe Qëndra për Çështjet Globale dhe USA-ICC në Chikago (në datat 15-20 Dhjetor 2024)!

Përveç takimeve me Senatorë dhe Ekspert të Armed Services Committee, përfshi Kryetarin e sapo-nominuar (që merr detyrën në 03/01/2025), Senatorin Republikan Roger Wicker, pata nderin (suprizën e vizitës) të merja pjesë edhe në Sallën e Mbledhjeve të Senatit (Senate Chamber) gjatë diskutimeve për buxhetin e mbrojtjes 2025 (që ështe edhe eksperienca & ekspertiza ime bazë). Gjithashtu zhvillova takime me Z.Paul McCarthy, drejtor i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (sigurisht përfshi R.Sh/Kosovë) si dhe takime me Expert, gjeneral/koleg dhe miq për/me të cilët kam patur privilegjin të punoj ndër vite!

Në takimet e sipër përmendura, pata privilegjin të ndaja përmbledhje mbi: “historinë e përrgjakshme; arritjet, sfidat dhe shpresat nga Trump -2 për paqen, stabilitetin demokratik dhe ardhmërinë euro-atlantike të 6 Ballkanit Perëndimor”. [English = The bloodshed history; straggling achievements, the threats and challenging future of Western Balkan, by taking into consideration at least my hopes from the elected President Trump during his second term”] !

I. Në vijim gjeni përmbledhje të shkurtër mbi: “5 kërcënimet kryesore dhe 5 mesazhet bazë për paqen e qëndurueshme dhe stabilitetin demokratik të 6 vendeve të Ballkanit Perendimor, përfshi Kombin tim me dy shtetet sovrane”, që ndava dhe përcolla në këto takime:

Kërcënimi nr. 1: përtej paranojave bolshevike të përjetësisë së pushtetit, apo që fajin gjithmonë e kanë 100 % armiqtë e jashtëm Moska, Pekini, etj, në koordinim me armiqtë e brendshëm (opozita e radhës), të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë (fatkeqësisht) edhe Kombin tim, në të 2 shtetet (Republika e Shqipërisë dhe Kosovës), i gjej të pushtuara, nga “shtetet e dështuara si dhe demokracia burokratike; privatizimi i partive politike dhe listës së të emëruarve në Kuvend; korrupsioni i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë; interesat e oligarkisë së nënëdheshme dhe krimit të organizuar; axhenda e ekstremistëve dhe e sovranistëve folklorik si dhe mungesa e besimi të qytetarëve te zgjedhjet e lira, demokracia funksionale dhe ardhmëria Euroatlantike”.

Kërcënimi nr. 2: riciklimi burimeve të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore në Ballkanin Perëndimor (RSh, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mal i Zi, Serbi dhe Bosnje – Hercegovina), produkt jo vetëm i “hartës së padrejtësive ndaj kombit tonë” dhe aleancave historike pas 2 luftërave botërore (1918/1945) por edhe shpërdorimit folklorik të arritjeve si dhe oportuniteteve gjeopolitike pas luftës ballkanike si dhe çlirimit të Kosovës (1999);

Kërcënimi Nr. 3: rikthimi i frikshëm te gara e armatimeve (ballkani fuçi bariuti…) si dhe “heshtja e kancelarive si dhe burokracisë diplomatike” për armatosjen (deri në dhëmbë) të Serbisë së Vuçiçit me armatime të gjeneratës së fundit (Mig-29; Rafale, raketa dhe drone vrasës … !!), mbetet kërcënim Nr.1 jo vetëm ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës (njëherësh trupave të KFOR/NATO!) por dhe për bashkëjetesën paqësore, stabilitetin demokratik si dhe ardhmërinë euro-atlantike të qytetarëve të Ballanit Perëndimor, pra për Serbët, Boshnjakët, Malazesët, Maqedonasit dhe Shqiptarët!

Kërcënimi nr. 4: interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan dhe Adriatik si dhe përpjekjet dëshpëruese për të hapur një front lufte në rajon mbas sulmit neo-Nazist ndaj sovranitetit të Ukrainës (shkurt 2022); makthet e z. Vućić (ministrit të Millosheviçit) për t’ju rikthyer opsionit të luftës gjakatare, pra ndryshuar me fuqinë e armëve/ushtarakisht të kufijve ndërshtetërore të Rajonit; krimi organizuar si dhe Dodik-ëve të korruptuar jo vetëm në Banjs Luka, mbeten këmbanë ulëritese jo vetëm për Ballkanin Perëndimor!

Kërcënimi nr. 5: përpjekjet pragmatike për supermaci gjeo-ekonomike të Kinës Popullore, por edhe mungesa e kohezionit mes vendeve të BE për paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme në Ballkan; zgjimi e aleancave historike (rasti Francës që i shet Serbisë 12 avionë Rafale me vlerë 3 miliard Euro etj) si dhe pafuqia e proçedurave burokratike e BE.

II. Në vijim gjeni edhe 5 mesazhe ose këshilla respective që ndava në këto takime:

Mesazhi ose misioni Nr 1: domosdosmëri kritike për t’u përballur dhe mundur këtë “bandë politikanësh me kollare perëndimore” që jo vetëm kanë pushtuar, privatizuar dhe poshtëruar Institucionet politike, shtetërore dhe Kombëtare, por bashkë më këto, kanë vjedhur pronat, votat, integritetin, besimin dhe shpresat te ardhmëria euro-atlantike e rajonit, përfshi dhe në të 2 vendet të kombit tim të bekuar.

Mesaazhi Nr 2: STOP rikthimit te gara e armatimeve vrasëse, por nënshkrimi i një platforme rajonale të shoqëruar me një paketë me zhvillimim e projekteve dhe masave të bashkëjetesës paqësore dhe masave të mirëbësimit reciprok ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor !

Mesazhi Nr. 3: mbetet domosdoshmëri një vlerësim strategjik i rreziqeve rajonale (RSDR) nga USA/NATO si dhe “imponimin” e Beogradit Zyrtar se: “(1) do të ruajë balancat e fuqisë dhe aktiviteve ushtarake sulmuese [ndërsa nuk kërcënohet nga askush], pra me Tanke, Mig -29, Rafale (francez), raketa vrasëse dhe dronë të gjeneratës së fundit (Ruso-Kineze), etj, deri në masën që të mos kërcënojë fqinjët (posaçërisht sovranitetin e Republikës së Kosovës); ndoshta edhe (2) rikthimin e Marrëveshjes së Kumanovës (06/1999), që: “nuk do të lejohen instalime dhe as aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësore), në kufijtë ndërshtetërorë“.

Mesazhi Nr. 4: përkundër dezinformimeve cinike kundër Presidentit Donald Trump si dhe oshilacioneve Staliniste në Kremlin, Beograd, etj, mbetem shpresëplotë që “marrëveshja e Paqes e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nën përkujdesjen e Trump-1” por edhe më e përmirësuar* (pa pandorën e kufijve mes 2 vendeve sovrane, Kosovë-Serbi), do të imponohet nga Presidenca Trump-2, e shoqëruar me një: “investime gjeostrategjike si dhe njohje të reja si rasti i Izraelit në Shtator 2020”, ndërkohë që kujtoj se asnjë njohje e re për Kosovën gjatë Presidencës Biden !?

Mesazhi nr 5: keqardhje në mos neveri për sovranizmat folkloriko – bollshevike, pasi pa mirënjohjen dhe prezencën e çlirimtarëve (USA/NATO) nuk mund të ketë paqe, stabilitet demokratik dhe ardhmëri Euro-atlantike për vendet e Rajonit, përfshi RSh dhe Kosovën!

Mesazhi përmbyllës: duke kujtuar mesazhin ulëritës të Holokausit “falni por mos harroni”, besoj edhe më fort se përtej hijenave të urrejtjes shekullore, zgjimit të oshilacioneve të Kremlinit, rikthimit te gara e armatimeve vrasëse, demokracisë burokratike, krimit të organizuar, axhendës së politikanëve të korruptuar, etj zhvillimi i masave të bashkëjetesës paqësore mes popujve, demokracia funksionale dhe ardhmëria Euro-Atlantike mbetet opsioni dhe misioni i vetëm edhe për 6 vendet e Ballkanit perëndimor !

Në shtesë, duke falënderuar me mirënjohje organizatorët për privilegjin, si dhe 10-ra mijëra kolegë/ushtarakë, intelektualë, patriotë mendjehapur si dhe qytetarë të zakonshëm në të gjithë hapësirën kombëtare për konsideratat inkurajuese përgjatë angazhimit 15 viteve të fundit, më duhet të garantoj, se gjithçka kam bërë përfshi edhe këtë oponencë të detyruar në DC, nuk janë kurrsësi arsye për t’u gjunjëzuar para kësaj elite politike të (vetë) diskredituar por motiv edhe më i fortë për t’u përulur ndaj përgjegjësive dhe për t’u përballur me këtë realitet të pluralizmit fasadë, demokracisë burokratike, si dhe shtetit së kapur nga babëzia për të vjedhur; mungesa balancave demokratike si dhe fuqia e mbipushtetit.

Me këtë rast, konfirmoj publikisht angazhimin tim politik në zgjedhjet e 2025, ndërsa po ashtu mbetem ushtar i së djathtës moderne, ku: “Familja, Atdheu, Zoti, liria, vota, siguria, prona, tregu, dinjiteti, interesat kombëtare, balancat e pushteteve dhe orientimi euroatlantik”, mbeten vlera, shpresa dhe misioni ynë i përbashkët që Shqipëria, të bëhet si gjithë Europa, edhe për inat të leader-ve dështakë, politikanëve zullumqarë, shtetarëve kusarë si dhe sekserëve të gjithëpushteteve që kanë pushtuar, vjedhur dhe sundojnë Shqipërinë edhe në 34 vitet e fundit.

* Gjeneral ® Piro AHMETAJ:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut;

Anetar i Bordit të Izrael House, si dhe ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

FISHTA AKADEMIK, SATIRIK DHE…HOKATAR

December 28, 2024 by s p

Frano Kulli/

Në 84 vjetorin e vdekjes

At Gjergj Fishta, pikë ma së pari ka qenë frat, prift françeskan, qysh se është shugurue  në vitin 1893 , kur ishte 22 vjeç, rrugë në të cilën ishte nisë në fëmininë e tij të herëshme e nuk ju nda mâ deri sa mbylli sytë, duke i provuar të gjitha shkallët e hierarkisë së Urdhërit të cilit i përkiste. Thotë meshën e parë në Troshan prej ku edhe ishte nisë në rrugën e Shejtnisë, masandej Frat në Gomsiqe, në  Kushe të Hotit, në Kishën e Kuvendin françeskan të Lezhës, kishë e cila, sipas një legjende është shenjuar prej vetë Shën Françeskut, diku rreth vitit 1219, kur ai kishte ndërmarrë udhëtimin e tij këndej e ndër Dalmate, për të përhapur Urdhërin. Si dëshmi që përafron gojëdhënën dhe origjinën e Kishës është një pllakë që ruhet edhe sot në derën e saj ku shkruhet: (Hoc templum Fratrum Minorum ædificatum ast anno MCCXL-Ky tempull i Vëllazënve të Vogjël u ndërtue në vjetin 1240) Po të shumtën e viteve të jetës e kaloi në Shkodër, në Kuvendin e françeskanëve të Gjuhadolit, si bashkëvëlla me fretën e si provincial i tyre. Dhe me të njëjtin devocion si në ditën e parë.

1) 

Zotni Lukë Luka, rreth një vit më parë, nga arkivi i familjes së vet postoi në njërin prej rrjeteve sociale foton e kunorëzimit të prindërve të Zojës së tij të ndjerë, Netës.

Shuk Leniqi e Lajde Daija, në ditën e martesës. Fotoja mban datën 17 maj 1936. Është shkrepë prej mjeshtrit Kel Marubi. Vendndodhja është elteri (altari) i Kishës françeskane në Gjuhadol , Shkodër.

Duke pasë edhe lejen e bekimin e poseduesit të kësaj relike (foto), po bëj edhe dy komente të shkurta:

Së pari, vlera qytetse e estetike që fotoja ka. Në foto janë rreth shtatëdhjetë persona, burra e gra, por edhe fëmijë. Të gjithë të veshur bukur e shik, prej te më i madhi e deri te më i vogli. Çifti, me veshje klasike të rastit, nusja me vel e kunorë, të dy të ulun ne gjunj, në momentin e ndërrimit të unazave, duke ia vendosur unazën në gisht njëri-tjetrit, simboli i bashkimit e krijimit të familjes së shejtë, me besim e dashni aty në shtëpinë e Hyjit, si bërthama themelore e shoqnisë. Kumarët, dëshmitarët e martesës, janë zotni Palok Noga (me qirin tradicional në dorë) dhe Kolë Mjeda me të shoqen. Në sfond të fotos kori i kishës. Secili i venduem me vend e me rend, simbas lidhjes e përafrisë që kishin me çiftin protagonist e me rastin e papërsëritshëm të tyre në jetë, siç është kurorëzimi i martesës në kishë për katolikët. Cilësia e fotos është e tillë sa personat që pozojnë aty njihen fytyrë për fytyrë e emër për emër. Edhe pse fotoja është e gati 90 vjetëve më parë. Se, përndryshe, për nga kompozimi dhe elementët e përgjithshëm të saj, por edhe prej paraqitjes së pozantëve nuk kishte se si të dallohej, nëse fotoja ishte bërë në Venecia, Firence, Romë, Vjenë a diku tjetër në Europë.

Së dyti, në foton e një momenti solemn familjar të një familjeje qytetse të Shkodrës janë edhe më së paku tre persona publikë, njeri më me peshë se tjetri. Edhe kjo shejë e një bashkëjetese plot kulturë e sharm, në harmoni të plotë të qytetarëve, me rendet e klasat e shoqërisë që përfaqësojnë. Meshtari i zgjedhur për kunorzimin, françeskani i madh At Gjergj Fishta, Kolë Mjeda (1885-1951) deputeti i Shkodrës për disa legjislatura e zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare, mbajtës edhe i posteve të tjera publike të kohës, kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1924-’25), prefekt i Dibres e deputet i saj, gjithashtu. Po edhe më i riu i tyre, prifti i sapo shuguruem asokohe, dom Ernest Çoba, i cili masandej më vonë, tridhjetë vjet më vonë, kur revolucioni ateist mbyll kishat dhe prelatët e klerikët mbarë (ata që kishin mbetë ende gjallë) i mbyll në burgje, do të ishte Arqipeshkvi i fundit i Shkodrës cili ndrroi jetë në mënyrë enigmatike në spitalin e burgut të Tiranës, në dimrin e vitit 1980 (8 janar).

Nuk është e njohur ndonjë foto tjetër e Fishtës në një rast sakramenti si ky. Deri tani, jo. Edhe zotni Luka, megjith moshën e njohjeve që ka, më thotë gjithashtu se nuk din për ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Dhe ka shumë gjasa të mos ketë. Se sikur të kishte, me siguri mbamendjet qytetëse të Shkodrës do të na e kishin bërë me dije. Ashtu sikurse na vijnë prej asaj kohe nëpërmjet kujtesës së transmetuar kumte si: “Të dielen që meshën te fretnit e thote pader Gjergji, kisha ishte plot e përplot e predku (predikimi) i tij e lête gjindjen me gojë hapë”. Dhe kështu, kërshëria rritet edhe më tepër.

Po pse atëherë dasmën e Shuk Leniqit e shuguron Fishta?! Dhe ndodhte tani (viti 1936), kur Fishta ishte 65 vjeç dhe kur mosha e famës së tij kishte mërrijt në maje. E, kur veprimet e punët sakramentare për té, tashma ishin gjithnji e më të pakta. Me siguri ka qenë një shtysë e empati e fortë. Shuku ishte tipografi i shtypshkronjës së fretënve. Vetmjaftueshëm për pader Gjergjin e Madh, për të bërë edhe punët e fratit të përvujtë …

Kjo ceremoni e veçantë, pati jehonë nga që celebrimin e bani Pater Gjergji (rasti i vetëm i tij, me modesti e fisnikni) e u ndoq prej shumë zojave e zotnive me veshje moderne të kohës, familjarë, miq e shokë të ftuem në darsmë, na ban me dije në diçiturën e fotos së publikuar, zotni Luka.

C:\Users\User\Desktop\fishta3-780x439.jpg

Foto e vitit 1936: Gjergj Fishta duke kurorëzuar martesën e shtypshkruesit të françeskanëve!

2)

Emnimi i At Gjergj Fishtes antar i Akademisë Italiane.

Fishta është propozuar për antar në këtë akademi nga kompozitorët Mascagni e Pelosi dhe psikologu, gjithashtu mjaft i njohur Agostino Gemelli, të cilët…nuk ishin fashistë e as nuk kishin pasë mardhënie të mirë me fashizmin.(Qasje që nxjerr krye herë herë në të rallë edhe sot, me njetin pë ta njësuar akademikun-poet kombëtar të shqiptarëve me bashkëpuntorin fashist !!) Thua ta kenë pëlqyer lahutën si vepër fashiste ata ?!

Ai ishte i vetëdijshëm  dhe e kishte vlersuar ashtu siç qe emrimin e vet në Akademinë e Italisë. Në këtë kuptim s’kish se si ti mungonte kortezia e momentit dhe kjo është e shprehur  e asnjëherë e mohuar prej Fishtës. Një dëshmi autentike e kësaj kortezie na vjen nga bashkëkohësia. Është një telegram që Fishta i dërgon Musolinit, me falënderimin për pranimin e tij antar i Akademisë italiane. 

Padre Fishta al Duce

L’accademico Padre Giorgio Fishta ha inviato al Duce il seguente telegramma:” Grazie Duce dell’alto onore del titolo d’accademico d’Italia che per Vostra benevola disposizione mi é stato attribuito e che io considero quale sicuro indice del generozo Vostra interessamento anche per la stirpe albanese, virtû questa ignota sino ad oggi alla diplomazia europea. Padre Giorgio Fishta

(At Fishta Duçes. Akademiku At Gjergj Fishta i ka dërguar Duçes telegramin e mëposhtëm (vijues): “Faleminderit Duçe për nderimin e lartë me titullin Akademik i Italisë që falë disponimit (vullnetit) Tuaj dashamirës më është atribuar (dhënë) dhe që unë e konsideroj si tregues të sigurt të interesimit Tuaj bujar kundrejt prejardhjes time shqiptare, virtyt që i është njohur deri më sot diplomacisë evropiane. At Gjergj Fishta”)

Dëshmia e Ernest Koliqit

“…Fatkeqsisht, disa prej atyne që hiqen si supernacionalistë, pozitë të cilen fituan tue ndejtë strukun mbas nji patriotizmi fals, e qortojnë poetin për faktin se me 1939 pat pranue me u emnue Akademik i Italisë. Akuzojnë mendjemadhsisht për mungesë patriotizmi mjeshtrin, i cili harxhoi tanë jetën e vet për t’u mesue shqiptarve se si me e dasht atdheun. Dhe akuza, jo veç në Shqipninë e sotme, por mjerisht edhe në ndonji pjesë të Diasporës, ka gjetun nji lloj kodifkimi. Dhe nuk synohet me u denigrue thjeshtë njeriu dhe politika e tij aqsa komuniteti prej të cilit ai rrjedhë, besnikëria ndaj traditave që i japin tharm veprës, e qytetnimi perëndimor që na ushqen me shpirtin e madh. Tue i akordue interpretuesit të shpirtit shqiptar titullin akademik, Italia dishronte me nderue Shqipninë. Qeshë i pranishem në Romë në qeshorin e vitit 1933 kur u muer vendimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kishin thirrë për tu këshillue rreth çeshtjes në fjalë. Morën pjesë në ketë mbledhje, veç tjerve, Zenone Benini nënsekretar për çështjen shqiptare. Ambasadorët Jakomoni i San Savinios e Karlo Straneo.

U kërkoj ndjesë ndijuesve të nderuem nëse jam i detyruem me përmend ndërhyrjen që bana me ketë rast. Ndjej si detyrë me e zbulue ketë të vërtetë, për me e davaritë hijen me të cilen përpiqen me errsue kujtimin e Poetit, të cilin e pata udhërrëfyes dhe mbështetje në rrugën time letrare.

Benini, që drejtonte mbledhjen, njoftoi se qeveria Italiane, për t’i nderue në mënyrë konkrete vlerat kulturore të kombit shqiptar, propozonte tre shkrimtarë si antarë të Akademisë së Italisë. Emnat që u përmenden ishin: Patër Gjergj Fishta, Torenc Toçi, Ernest Koliqi. Benini e dalloi menjëherë se fytyra qe kontraktue. Kishte shpresue me e pa tue shkëlqye nga krenaria, sepse me pyeti “ Nuk e miraton ketë ide?” U ndieva i detyruem me folë me sinqeritetin ma të thellë. U përgjigja se ideja më dukej shumë e mirë e që nji nderim kaq i naltë për vlerat e kulturës shqiptare do t’i kënaqte e do ti mbushte me krenari tanë shqiptarët, por shtova se Koliqi duhej konsiderue si nji autor, cikli letrar i të cilit vijonte me qenë në zhvillim, kësisoj ende nuk ka mbërrit në atë pikë që i jep kunorzimin e përhershëm një shkrimtari.

  Sa për Toçin, nuk mund të mohoj se asht nji koltivues i vyeshëm i studimeve juridike e nji gazetar i stervitun, por nuk ka botue asnjë vepër letrare a shkencore të tillë, sa me meritue dinjitetitin e Akademikut. E mbylla me fjalët se në të tre këta emna, Fishta asht i vetmi personalitet i pakundërshtueshëm, i denjë për tu pranue në bashkësinë e naltë kulturore italiane, me që ai dhe vetëm ai, përmblidhte në vete dhuntinë ma të shkëqlyeme të krijimtarisë artistike të rracës. 

Benini, tue drejtue kah të pranishmit, vlerësoi konceptin e naltë, që unë kisha për Akademinë e Italisë. Mandej deshti me dijtë nëse ekzistonte në Shqipni ndonji tjetër shkrimtar që meritonte me ndejtë përkrah Fishtës. U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: zz. Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin prej shumë kohësh në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi. Fundja tue njoftë natyrën e tij krenare, qeshë i sigurtë se do ta kishte refuzue me përçmim vlersimin e naltë, nëse do t’ishin përfshi edhe dy shqiptarë të tjerë me merita letrare ma të pakta. Sigurisht se do ta kishte refuzue, e jo për mendjemadhsi, por sepse tue pranue krahas tij dy të tjerë mjaft ma të pakët se ai për nga formimi letrar, emnimi do t’ishte zveshë nga vlera e vërtetë e do të kishte marrë kuptim tjetër.

Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII: “Jam i kënaqun për emnimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar”

Mandej poeti e la ketë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situaten evropiane. Ishim në fillimin e 1940-ës.Nji fat i kobshem po na ndjek!” – thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “ E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë….”

3) 

Fishta satirik

 Shkrimet e deriatëherëshme satirike të Fishtës, me 1907 qenë përmbledhë e botuar në “Anzat e Parnasit”. Nga “Lahuta…” qenë botuar dy këngë, nga tridhjetë që ajo do të ketë në formën e saj të plotë kur do të pagëzohej edhe si kryevepra e tij dhe e Epikës shqiptare, gjithashtu. Po se çvend zë satira në vetëdijen krijuese të autorit Fishta, le të sjellim një episod nga mbamendja e kohës. Shkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara  ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet[Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesorë e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken”[Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. Atë Fishta e pveti:”Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin… “… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret. Madje, njihet deri më tani se publikimi i parë i Fishtës është një vjershë satirike “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë”, e botuar në nëntorin e vitit 1899, në “Albania” të Konicës, që asokohe dilte në Bruksel.

 “Gomari i Babatasit” qe shkruar, inskenuar edhe botuar në 1923. Në kohën kur doli ajo tronditi skenën shkrimore e intelektuale, por atë politike mbi të gjitha, me thellësinë e mendimit e forcën e satirës që fshikullonte dallaveret e shumta të politikës e mbartësve të tyre, kryesisht. Edhe “Visku…” që për “arsye prudence”[maturie], siç autori na pohon, mbeti e pabotuar…

Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku. Mbas ndalimit të tij edhe satira mbeti e transmetuar heshtazi e frikshëm vetëm si…lexim anekdodik. Në vend të satirës së tij, që në bashkëkohësí kishte pasë arrit majat , “lexohej”, transmetohej Fishta hokatar. Pra qarkullonin gojë më gojë anekdotat e tij dhe përreth tij sidomos, herë të thëna bukur e herë jo bukur. 

C:\Users\User\Desktop\Fishta- foto me dekoratat.png

Fishta, foto Marubi; me 4dekoratat: nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani

4)

Fishta hokatar (prrallaxhuer, si kishin me i thanë në Zadrimë)

Janë të panumërta shakatë, anekdotat, batutat e “prrallat” e Fishtës . Të tijat , a që i janë mveshur atij, që humorin e kishte gjenetik. Njëra prej disave që një i njohur e dashamir i tij, mësuesi Gjush Sheldija e sjell të shkruar në përmbledhjen e tij “Humor shkodran”, në kapitullin:Pader Gjergj Fishta.Tregon Gjushi: Gjon Shqarri ka qenë njeri qefit dhe jeten e ka kalue “kudo rafsha mos u vrafsha” e madje, shpesh kishte qef me u tallë me të mdhej e gjind të meçëm.Nji ditë ndali pader Gjergjin në rrugë e nisë me e pvetë [pyetë]:

-Si mundet, pader Gjergj, shpirti i njérit [njeriut] me dalë, kur për shembull ta marrin atë njéri qi âsht tuj dekë e ta shtrijnë në nji arkë druni, mandej arken drunit ta fusin në nji tjeter veshë me xink[zink] sipri e ta pshtjellin [mbështjellin] me pafta hekuri ?…

Pader Gjergji e pâ njiherë mandej iu soll:

-M’difto Gjon, ti a ke flokë, lëkurë e rrashtë ?

-Poo.

-Edhe trutë, do ta keshë xanë [mësuar] në shkollë, se janë të mbështjelluna me nji mazë[cipë] të hollë ?

-Si urdhnon.

-Po bâj séri [çudi] pra se si tuj pasë flokë, lëkurë, rrashtë e cipë…mendt kanë mujtë me të dalë ?…

C:\Users\User\Downloads\Kopertina Fishta rileximi simulation.png

Filed Under: Politike

Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada

December 27, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada. Njëkohësisht si simbol i vazhdimit të traditës dhe trashëgimisë së Presidentit Rugova, i cili vendosi themelet e forta të shtetësisë së Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me SHBA-të”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Filed Under: Politike

AGO AGAJ – ‘’Kosovari nga Vlora‘’  

December 26, 2024 by s p

Atdhetari që s’pushoi së menduari për fatin e K O S O V Ë S.

Përshtypje  udhëtimi.   Kosovë, 1941.

Për  DIELLIN  nga  nipi  i Tij,  Qemal Agaj.  

Duke organizuar librat dhe gjithçka që xhaxai im, Ago Agaj, la mbrapa, gjeta një shkrim me përshtypje udhëtimi të tij në 1941 në krahinën e Kosovës. Në ato pak faqe – një koncentrim letrar – ndihet krenaria, malli, dashuria dhe shqetësimi i autorit për të ardhmen e Kosovës. 

Ato faqe të zverdhura nga koha dhe korektuar me dorë, m’u shfaqën si një thesar prehistorik. Me këto mbresa udhëtimi, 80 vjet më parë, me titull, ‘’UDHËTIM NË KOSOVË DHE NË HISTORI’’ Ago Agaj, fillon librin e tij, ‘’ MILOSHI HEROI I KOSOVËS,’’ një studim i rrallë, ku tenton të vërtetojë se luftëtari në Betejën e Kosovës, 1389, që vrau Sulltan Muratin, ishte me origjinë Shqiptare.

Po i sjell për lexuesit e Diellit këto përshtypje udhëtimi në 30 vjetorin e vdekjes.

 ‘’ Në vitin 1941-1942, më ra rasti ta shihja Kosovën ashtu siç dëshëroja, përsëlargu me dylbi e plot mall, që nga maja e lartë e malit Bishtrik, duke u pështetur për murin e tyrbesë të një të shenjti (Sari Salltëk). Kur një pjesë e madhe e Dardanisë ishte bashkuar me Shqipërinë, nuk më mbante gjë.

     Natyrisht synimi i parë ishte shtëpija e Lidhjes së Prizrenit dhe kalaja në brinjë të malit ku Abdul Frashëri qe burgosur disa kohë. Pashë në Gjakovë vendin e tragjedisë së rrjedhur nga dilema: zakoni, besa, burrërija kundër vullnetit të masave të ndezura edhe ato prej një ideje. Abdullah Pashë Dreni zgjodhi tradicionin dhe vdekjen. U shua me ç’pati e ku pati bashkë me mysafirin dhe këtë nuk e preu në besë.

    Tragjedi kjo që pret hala një dramaturg të aftë që t’a përshkruaj. Rrallë popuj kanë akte vetmohimi të tillë.

     U ngjita në Plavë e Gusinjë të Ali Pashë Gusinjës dhe të Ferrit. Pashë vendet e luftimit kundra ushtrisë turke në Çernavelë e Kaçanik ku shkëlqeu gjenia ushtarake e Isa Boletinit dhe e Idris Seferit, si dhe trimërija e një katholikut të paemër (fatkeqësisht) i cili kur pa se shokët u tronditën prej gjëmëmit shurdhonjës të topave të armikut, mbasi këtë armë s’e kishin parë as dëgjuar më parë, tha: ‘’ Përse, o shokë, do të jetë vdekja prej ‘pushkës së madhe’ më e hidhur se prej plumbit të mauzerit’’ dhe u lëshua drejt për drejt, arriti te topi i parë dhe i ndihmuar prej shokëve që e muar pas, e hodhi topin në greminë, ( Ekrem Bej Vlora, Lebenserinnerungen, Band II, 1912-1925,) Munchen, 1973.

     Pashë monumentat e mbetura të pa prekura që nga koha e Car Dushanit: Manastirin e thjeshtë të Graçanicës dhe atë madhështorin e Deçanit ku ruhet trupi i ballsamosur i këtij sunduesit më të madh të mbretërisë serbe. Dora e tij e hollë dhe delikatesi ajo e një zonje, është në kundërshtim me ‘ dorën e fortë’ që imagjinohet për të.

     Natyrisht dola dhe në malet e Rugovës në vendin e viganëve kokëmbështjellë, në kufinë e vjetër të kohës turke në Qafë të Çakorrit prej ku kanë ardhur përhera dyndjet nga Mali i Zi dhe lehtësisht përfytyrohet se ç’kanë pësuar dyndësit në grykën që del në Pejë prej atyre kokëmbështjellëve.

    Dhe së fundi në Prishtinë ku m’u desh të qëndroja pakë më gjatë se kishte ç’të shihja. Të paktën me sytë e imagjinatës. Në Veri të këtij qyteti është vëndi ku u përpoqën ushtritë serbe, bosnjake – hercekovine e ato shqiptare, me atë të Turqisë. Këta ishin përpjekur edhe më parë me Bizantinët, Bullgarët e Serbët dhe i kishin thyer. Por një rezultat përfundimtar nuk kishin pasur. Për këtë rezultat fati kishte zgjedhur një copë tokë shqiptare, që kaluar në histori me emrat: Kosovopolje, Amselfeld, Fushëkosovë. Të gjithë këta emra kanë të njëjtin kuptim: Fushë e Mëllënjave.

    Sëpari u poqa me tyrbenë e Ghazi Mestan Pashait, më tej një ndërtesë ku ruhen flamurët e asaj beteje. Në kodër një vënd i rrethuar me tela me gjëmba të ndryshkur që shëmtonin vëndin: aty kishte qënë diçka që duhesh të kujtonte Miloshin, vrasësin e Sulltan Muradit.

    Në fund të kodrës turbeja e pastër e Sulltanit vetë e rreth saj varret e pashallarëve të ndryshëm të vrarë në atë ndeshje dhe më vonë. Një familje shqiptare banonte aty afër në një ndërtesë të mirë e të madhe: familja kujdestare brez pas brezi e tyrbesë dhe e varreve.

    Në krye të varrit të Sulltanit një letër e shkruar me pak rreshta dhe Sadi Pejani i shkolluar në Stamboll na e përkëtheu: ‘’ Mos ia kini për mëri askujt vdekjen time se përpara betejës iu luta Zotit të më merrte shpirtin e të më jepte fitoren.’’  Dhe ashtu u bë. Kjo ishte shkurtimisht përmbajtja e letrës dhe porosia e fundit e të vrarit.

Me pakë imagjinatë, duke dalë në maj të kodrës mund të përfytyroje sulmin e kalorisë së rëndë e të ngrirë në hekur të ballkanit dhe atë të kalorisë turke të lehtë e të shkathët dhe gjithë zhvillimin e ndeshjes, por për këtë duhet një penë tjetër më e aftë.

    Kjo ndeshje e një dite qe përfundimtare dhe vulosi fatin e popujve ballkanik gjer përtej portave të Vjenës gjatë qindra vjetëve. Ne Shqiptarëve na solli një luftë dhe gjakëderdhje gjatë afro pesë shekujve. Na shkëputi nga ndikimi evropian, që kishte filluar ‘’Rilindjen’’ e saj, na dha liri të plotë në çdo pikpamje, por na mohoi lirinë politike dhe kështu mbetëm prapa përsa i përketë qytetërimit modern edhe më shumë se sa Turqia vet.. Dëm i madh, të cilin populli ynë që prej ditës së pavarësisë po përpiqet me vrull të madh që ta zhduk.

    Por të mos harrojmë që kjo ndeshje tmerronjëse, e cila i dha fitoren turqve, na shpëtoi nga sllavizmi i plotë dhe vazhdojmë sot të jetojmë si komb me gjuhë e të gjitha karakteristikat kombëtare.

    Më tej varrit të sulltanit më hoqi vrejtjen një fshat i cili nuk pajtohej kurrësesi me përqarkjen: Në të dy anët e rrugës një rradhë shtëpish me arkitekturë, stil e dimensione të njëjta rradhitur në largësi të njëjtë si ushtarë, si shtëpitë ashtu dhe pemët. Ky fshat quhej Milosh-evë. 

   Më përtej një faqe mali, një fshat tjetër ku nxirrej qymyr, Obeliç. U kuptua , Milosheva ishte krijuar prej autoritetit përkatës si model për të gjitha ngujimet e mëtejshme serbe në tokat e grabitura prej Shqiptarëve dhe emri i plotësuar Milosh Obeliç, si simbol nxitës për guxim e vetëmohim.

   Nuk kisha kohë të qëndroja më shumë, se gjenerali Drazha Mihajlloviç kishte sulmuar provincën autonome shqiptare që kishte mbetur brënda kufijve serbe pa u bashkuar me Shqipërinë. Kjo provincë përbëhej prej Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe Pazarit të Ri. Qëndra në Mitrovicë kishte mbetur me Serbinë jo për arësye etnike se Podujeva kishte  95% Shqiptarë, por për shkak të minierës së Trepçës, e pasur shumë në plumb e më në flori e argjënd, të cilën Gjermania nuk mund ta linte në dorën e Italisë e cila në atë kohë kishte zaptuar vëndin tonë, sidomos në kohën që luftonte kundër botës mbarë.

   Për të fituar këtë autonomi u përpoq një komitet i përbër prej, Ferhat Dragës, Rexhep Mitrovicës, Bedri Pejanit, me përfaqësonjës në Beograd Ali Dragën (biri i Ferhatit) dhe Vehbi Frashëri( biri i Mehdi Bej Frashërit). Jashtë komitetit e më vehte punonte Xhafer Deva. Rëndësi kishte Ferhat Beu si shtylla kryesore e papërkulëshme e rezistencës kombëtare që kishte vuajtur edhe burgim të gjatë prej serbëve dhe Xhafer Deva, i ri dinamik, shumë i kulturuar dhe me talent politik të shquar. Kërkoheshin e u fituan të drejta siç u ishin dhënë minoriteteve të tjera p.sh. Baçka e populluar prej Gjermanëve që në kohëra të lashta para disa shekujve.

   Pasi u proklamua prefekti prej Shqiptarëve dhe autoritetit ushtarak gjerman (shkruesi i këtyre radhëve), u procedua me shpejtësi në krijimin e administratës shqiptare, administrata vetë, drejtësia, arsimi, shëndetësia, financa dhe para të gjithave gjindarmërija me uniformë të veçantë me stemën e Skënderbeut në kapelle.

   Kjo autonomi me liri veprimi të plotë nxiti rininë në Shqipëri, ngjalli moskënaqësinë e autoriteteve politike Italiane në vendin tonë dhe më vonë edhe një ndërhyrje të Mussolinit vetë pranë autoriteteve më të larta të qeverisë gjermane. Njëkohësisht shtyti në  veprim ushtarak gjeneralin mbretnor, Drazha Mihajlloviç, që vazhdonte luftimet e tij maleve kundra gjermanëve dhe i panënshtruar qeverisë serbe të asaj kohe, për t’a shuar këtë kandil lirije shqiptare.

Për arësye rivaliteti politik edhe Vojvoda i famshëm i Çetnikëve, Kosta Pestanasi, në bashkëpunim të fshehtë me Beogradin, nuk deshi të mbetej prapa dhe na sulmuan befas në postat e gjerndarmërisë në kufi dhe masakruan gjindarmët tanë, se asnjë nuk u dorëzua i gjallë në Banjskë. Gjëndja ishte shumë kritike mbasi fuqi ushtarake Gjermane, përveç atyre të ngarkuarve me administrimin ushtarak, nuk kishte. Këtë gjëndje të keqe e shpëtoi vetëm ndihma e shpejtë e fshatarëve. Mjaftuan disa telefonime dhe disa kalorës të dërguar natën në krahina dhe në mëngjes arritën vullnetarët e parë dhe u hodhën pa vonesë në luftim, por nuk ishin kurrësesi në gjendje t’i bënin ball divizionit të regjur në luftë të Drazhës dhe atij të Çetnikëve të Vojvodës.

    Atëhere u desh një udhëtim i rrufeshëm i Xhafer Devës, Bajazid Boletinit dhe shkruesit të këtyre radhëve natën fshehurazi, nëpër Pejë, Gjakovë e të tjera vende të Kosovës dhe me thirrjen tradicionale të Dardanëve: ‘’O burra në luftë ,’’ u lëshuan për në front, kush me armë e kush pa armë, aq burra sa duheshin.

    Kush nuk e ka parë me sytë e tij gatishmërinë e këtij populli për t’u hedhur në  zjarr kur vendi është në rrezik, nuk ka si e imagjinon as si e beson. Mal më bëhej zëmra kur shikoja këta difa të lëshoheshin drejtë vdekjes sikur shkonin në dasmë. Luftonin më këmbë, pa u ruajtur dhe duke e paralajmëruar armikun më parë me anë sokëllimash e thirrjesh. Natyrisht që edhe vriteshin dhe unë vajtoja me lot mungesën e një batalioni Labër e Mirditas që i sosen armikut në strofkë natën pa u ndier.

  I kam parë në Kopaunik, Banjskë, Grykën e Rrogoznes, në Pazar të Ri e të tjera vende dhe sot pas 34 vjetëve, këtu në vëndin më të lirë e më të pasur të botës, duke shkruar këto radhë, më kujtohen ata që s’janë më prej tridhjetë e ca vjetëve. Përjashta bie bora flok – flok posi atëhere dhe prijësat e këtyre trimave më dalin si hije përpara: Asllan Boletini, Shaban Poluzha, Mehmed Gradica, Bislim Bajgora e sa e sa të tjerë të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk i përmënd dot se mosha e madhe dhe koha e gjatë që ka kaluar m’i ka fshirë nga kujtesa emrat e tyre. Luftuan si luanë dhe mbrojtën vëndin me gjoks më tepër se sa me armë. 

Kater vjet më pas kësaj ngjarje, po këta burra i dolën përpara valës mbytëse sllavo – komuniste, luftuan si heroj të vërtetë dhe lanë jetën e tyre glorioze në Drenicë, në betejën e fundit për atdhe e liri, vetëm, pa asnjë ndihmë ose shpresë nga jashtë. Pas këtyre u shua dhe plaku i rezistencës 25 vjeçare, Ferhat Bej Draga. Më parë i dha rrugën e mërgimit djalit të vetëm që i kishte mbetur, Aliut dhe vetë vendosi t’i shtronte krahët baltës së atdheut, të bëhej njësh me atë për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën e gjatë të Tij.

   Gjithë ata që këndojnë këto rreshta, duhet të mos i quajnë elegji e beletristik, por të mundohen e t’a njohin mirë karakterine këtij fisi shqiptar, eksplozivitetin, gatishmërinë e tij për t’u hedhur në flakë si asnjë fis tjetër i kombit tonë. Dhe sidomos ata që merren me çështjen e Kosovës duhet të jenë të ndërgjegjshëm e shumë të kujdesur.

   Pasi u qetësua vëndi, duke u kthyer për në Tiranë, kalova prap nëpër fushën e ndeshjes fatrëndë dhe shikova rrethe përqark se mos shihja ndonjë përkujtimore sado të vogël të asaj ndeshje në të cilën, pak dekada më vonë, Huniadi i famshëm la po në këtë fushë ushtrinë e dërrmuar prej Turqve dhe vetë shpëtoi natën e pa hënë me pak përcjellësa duke ikur për në Veri (Hungari). Skënderbeu që do t’a kishte shpëtuar, arriti tepër vonë dhe s’i mbeti gjë tjetër veçse t’i merrte hakën duke i rën Sërbisë anë e mbanë. 

   M’u kujtua edhe më shumë Miloshi, pasi ndërkohë kisha dëgjuar që Kosovarët e quanin hero të tyre dhe doja të dija diçka më tepër mbi këtë figurë legjendare, por nuk pata mundësi.

    Këtu në këtë vënd të bekuar u takova pas njëzetë vjetëve e pasi brodha tre kontinente, me mikun e vjetër e të dashur, eruditin e historisë tonë, Hasan Dostin dhe Kongresi i Parë i Lidhjes së Dytë të Prizrenit më dha rasti të bisedonim mbi historinë e Djepit të Shqiptarizmës dhe mbi Miloshin. Hasan Dosti më premtoi dhe më dërgoi literaturën përkatëse që kishte gjetur Ai në përpjekjet e tij shumëvjeçare e të palodhura për të mbledhur dokumenta historike që i përkasin popullit tonë.

   Pjesët përkatëse të kësaj literature dhe gojdhanën që vazhdon në Shqipëri, (krahinën e Elbasanit) të vërtetuar prej shumë vetave e që meritojën respekt e besim, po e parashtroj këtu, mbasi është pranuar prej gjithë botës, se çdo gojëdhanë (legjendë ) ka një bërthamë të vërtete.

   Sipas kësaj gojëdhane, Miloshi ka lindur e është rritur në Shqipëri, ku edhe sot jetojnë pasardhësit e tij, pra paska qënë Shqiptar.

   Përpara se të fillojmë me përshkrimin e legjendës të Miloshit, na u duk e arësyeshme të përshkruajmë edhe ndeshjen fatrëndë në Fushë – Kosovë, pa të cilën nuk do të ishte përmëndur fare në histori emri i heroit të kësaj beteje. Prandaj po japim më poshtë gjithë sa kemi mundur të mbledhim prej historianëve të ndryshëm mbi ndeshjen në fjalë…’’  ( A.Agaj, vazhdon me historinë e Heroit të Kosovës, Miloshin)

 Shkruar në Teqenë  Bektshiane  në                                                                                               Taylor (Detroit), Michigan, në Janar, 1975.

AGO   AGAJ , (1897 – 1994.)

Atdhetar dhe veprimtar i shquar, lindi në Smokthinë të Vlorës në Mars, 1897. Në vendlindje mori mësimet e para, kurse shkollën e mesme dhe studimet e larta i kreu në Vjenë në degën e Agrikulturës. I pranishëm në ngritjen e Flamurit në 1912. Pas studimeve,1919, kthehet në Atdhe.  Si anëtar i delegacionit të Vlorës, merr pjesë në Kongresin e Lushnjes në Janar, 1920. Gjashtë muaj më vonë, luftëtar në Luftën e Vlorës dhe ‘’Kronikan Autentik dhe i mrekullushëm’’, i kësaj lufte heroike. 

Bashkëpuntor me Profesorin Gjerman, Ernst Nowak në 1924 në hartimin e topografike dhe gjeologjike të Shqipërisë. Në vitet 1925-26, bashkëpunon me shkencëtarin Zviceran,, Dr. Miller, në kërkimet vajgurore të nëntokës shqiptare. Punoi si agronom në krahina të ndryshme të vendit. Drejtori i parë  i shkollës Bujqësore të Lushnjës. Gjatë luftës së Dytë Botërore shërbeu si  Ministër i Bujqësisë dhe Ekonomisë. Në 1943 emërohet Prefekt në Mitrovicë. Merr pjesë në 16-20 Shtator, 1943, në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, organizuar me nismën e Xhafer Devës me në krye Bedri Pejanin, ku u formua një Organizatë Politike Kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve kombëtare, ku si kryetar u zgjodh, Rexhep Mitrovica. Për dashurinë ndaj Kosovës, ai do të quhej, ‘’Kosovari nga Vlora.’’ Për të përkujtuar atdhetarin e shquar, sot në Mitrovicë një rrugë mban emrin, AGO AGAJ.

Me ardhjen e diktaturës, si anti –komunist, largohet nga Shqipëria. Emigron fillimisht në Austri  dhe Itali. Më vonë në Egjypt, ku punon si agronom në kohën e Mbretit Faruk. Me rrëzimin e Mbretërisë nga një grusht shteti ushtarak udhëhequr nga Naser, në 1952, ashtu si dhe Familja Mbretërore e Zogut, largohet nga Egjypti dhe vendoset përfundimisht në SH.B.A. 

Ka botuar në organet e shtypit të Diasporës, studime historike, gjurmime në fushën e folklorit, monografi etj. Në fjalën ne tij me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Bllokut Kombëtar Indipendent,(1946 -1971), midis të tjerash thotë: ‘’Komunizmi është i vjetër sa njerëzia dhe ka dështuar sa herë është vënë në zbatim. Edhe këtë herë, sado i perfeksionuar që të jetë, do të dështojë, se është në kundërshtim të plotë më ligjet e natyrës së njeriut dhe natyra nuk i fal kurrë  kundërvepronjësit…Shumë kohë para Marksit, i cili shikon vetëm anën materiale, një njeri shumë më i madh nga ai, ‘KRISHTI’, ka thënë se: ‘Njeriu nuk jeton dot vetëm  me ushqimin e trupit, por i duhet edhe ushqimi i shpirtit.’  Ushqimi i shpirtit është liria e mendimit, e cila shfaqet me fjalë, shkrim e veprim dhe ndrit e udhëheq njerëzimin gjithnjë më lartë.’’ 

 Libri i tij, ’’Miloshi Heroi i Kosovës,’’ është një studim enciklopedik, që në kundërshtim me studjuesit sllav, Heroin që vrau Sulltan Muratin në Betejën e Fushë – Kosovë, 1389, e paraqesin me origjinë serbe, Ago Agaj dokumenton se Ai ishte Shqiptar dhe pasardhësit e tij janë familja Blloshmi, nga Librazhdi. 

Është po ashtu autor i librit, ‘’Lufta e Vlorës.’’ Si pjesëmarrës i asaj ngjarje historike, që përcaktoi fatin e Shqipërisë si shtet jo i copëtuar, përshkrimet e tij marrin përmasa epike, kur mendon se fshatarët e një krahine në Jug – Perëndim të Shqipërisë, të  pa stërvitur dhe ‘’me dyfeqet lidhur me gjalmë,’’ siç thotë një vjershë popullore, i shtyrë nga Atdhe-dashuria, hedh në det forcat e një shteti të fuqishëm si Italia. Ngjarje si kjo, janë të rralla në historinë e luftrave.

Kur në vitin 1991, Poeti Visar Zhiti, me rastin e një vizite në SH.B.A. i telefonon nga New York-, u,  pyetja e parë e Xhaxhait ishte: ‘’Bir! Më thuaj si e kam Kosovën.’’ Ja pse ai quhet ‘’Kosovari nga Vlora.’’

Pata fatin t’a takoj Xhaxhanë ( kështu e thërasim në familje), në vizitën time të parë në SH.B.A., në 1990. Shtëpia e Pleqve, ku Ai banonte, ishte jo më shumë se 100 hapa larg nga shtëpia e babait tim dhe vëllait të Tij, Daverit dhe e vizitoja pothuajse çdo ditë.  Trup-gjatë me flokët e zbardhura të shpupuritura edhe pse 93 vjeç dhe me shikim të mjegulluar, qëndronte drejtë, si një figurë Mitologjike. Ky burrë me kulturë të gjerë, fliste rrjedhshëm Gjermanisht, Italisht, Frëngjisht, Arabisht dhe Anglisht. Katër vjet më vonë, Qershor 1994, kur u vendosa përfundimisht me familje në Amerikë, e takova Atë përsëri, por fatkeqësisht për një kohë të shkurtër. Ndërroi jetë në  moshën 97 vjeç, 24 Dhjetor, 1994, në Clearwater, Florida, ku dhe unë banoja.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT