• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA PRITI DIVËN E MUZIKËS SHQIPTARE PARASHQEVI SIMAKU

December 25, 2024 by s p

Sokol Paja/

Vatra priti në një takim të ngrohtë e shumë të përzemërt divën e muzikës shqiptare Parashqevi Simaku. Ajo shoqërohej nga aktivisti i të drejtave të njeriut, biznesmeni Elton Ilirjani, aktivistja Elvira Tata, aktorja Julia Ilirjani, Klark Kadri Morinaj e patriotë të tjerë. Në fjalën e ngrohtë e plot dashuri Parashqevi Simaku e rikthyer në mesin patriotëve të saj e artëdashësve të panumërt, shprehu mirënjohjen e saj të thellë ndaj Elton Ilirjanit dhe Elvira Tatës për mbështetjen e fuqishme dhe foli me respekt ndaj Vatrës. Gjatë fjalimit të saj, e ëmbël dhe e buzëqeshur, e dashur dhe e bukur, mirënjohëse dhe falenderuese, ajo rrëfeu me dinjitet pak nga jeta e saj dhe përmallshëm citoi Papa Françeskun duke dhënë mesazhe dashurie. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha i shoqëruar nga Ilir Cubi e Kujtim Funiqi e vlerësoi dhe falenderoi divën e muzikës shqiptare Parashqevi Simakun për vizitën në Vatër, kontributin e çmuar në muzikën shqiptare dhe përçimin e vlerave më të larta të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për vite të tëra Parashqevi Simaku ka qenë gëzimi dhe festa e çdo familjeje e organizate kulturore e atdhetare shqiptare në Amerikë me zërin magjik dhe interpretimet e arrira artistike. “Të gjithë shqiptarët lidhen shpirtërisht me Parashqevi Simakun, këngëtaren e shquar të kombit tonë” tha Dr. Berisha duke shprehur mirënjohjen për vizitën te Vatra. E rikthyer së fundmi mes shqiptarëve, kjo është vizita e parë publike e këngëtares Parashqevi Simaku dhe zgjodhi Vatrën për respektin dhe historinë e çmuar të Federatës si përbashkuesja e vlerave kombëtare dhe energjive atdhetare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike

Vepra e Mustafa Krujës

December 24, 2024 by s p

Processed with VSCO with ka1 preset

Nga Marcel Hila/

Në një shkrim të tijin, Pjetër Arbnori, duke dashur që të interpretonte misterin që barte jeta e tij, thoshte se realiteti ia kalon çdo fantazie. E kishte fjalën për sesi i shkuan punët dhe peripecitë e ngjarjeve të tija. Thoshte se kur kishte qenë i ri kishte lexuar shumë libra, kryesisht letërsi artistike, romane e novela, e shprehet se në shumë raste nuk ishte dakord me zgjidhjen që autorët e ndryshëm kishin dhënë për fatet e personazheve të tyre. “Nuk i besoja, sepse e tepronin, jepnin zhvillime të pabesueshme, e nuk i aprovoja. Por kur vonë iu ktheva jetës sime, pashë se ajo ia kalonte çdo fantazie të një autori të mundshëm. Unë që isha dënuar me pushkatim, që u gjenda në qeli në pritje të ekzekutimit të vendimit, më vonë u gjeta se u zgjodha dy herë kryetar i Kuvendit Popullor. Asnjë shkrimtar nuk do të guxonte të fantazonte kështu!”.
Pse e solla këtë shembull? Sepse po kështu është edhe jeta e zotit Eugjen. A do t’i kishte shkuar atij në mendje se ai, i arrestuari që po hetohej se kishte folur fjalë të mira për gjyshin e tij Mustafa Kruja, ai që mori dënimin me shumë vite burg për akuzën e agjitacion e propagandës, ai që u çua në Spaç për ta bërë të dënimin, ai djali i ri që ecte në tunelet e minierës, ndërsa shkonte çdo ditë të nxirrte bakër e pirit duke shtyrë vagonët, ai, pra, a do ta besonte se një ditë do të hiqte ai vetë, me dorën e vet, copën që mbulon bustin e Mustafa Krujës, gjyshit të tij në qytetin e lindjes së tij, në Krujë, me bekimin e institucioneve shtetërore? Kurrë nuk do ta kishte besuar, nëse dikush do t’ia thoshte këto fjalë në atë fillim të viteve ’80, ndërsa i dënuar kishte lënë prindërit në internim. Por ja se edhe në këtë rast, realiteti ia kalon çdo fantazie. Mendja krijuese dhe fantazia e asnjë shkrimtari nuk do të mund ta imagjinonte një gjë të tillë.
Por kjo na çon edhe pak më larg, kjo do të thotë se drejtësia bëhet, vihet në vend, edhe pse kalojnë shumë vite e personi i mohuar e i nëpërkëmbur deri dje, pra plot tetëdhjetë vite i përfolur e i anatemuar, ky person, gjyshi i tij, zë vendin që i takon në mes të qytetit të tij, Krujës. Kjo do të thotë se Zoti ekziston dhe se ka shpresë për të gjithë të nëpërkëmburit, të shtypurit e viktimat e padrejtësive. Çast i madh triumfi i të së vërtetës.
Unë sot jam këtu të flas për një aspekt tjetër të Mustafa Krujës, që nuk e pashë se e cekën në këtë takim: atë se ky njeri human, shpëtoi hebrenjtë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur ishte me detyrën e kryeministrit. Unë jam shkrimtar dhe shkrimtari i përngjet ndërtuesit. Ndërtuesi i banesave, përpara se të fillojë, mbledh lëndën e parë: tullat, llaçin, hekurin e pastaj i vihet punës. Kështu edhe shkrimtari, nëse është një i tillë që shkruan për një roman historik. Ka nevojë për këtë material. Edhe unë, në përpjekjen që të shkruaja romanin “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, që flet për odisenë e një familjeje hebreje në tokën shqiptare, gjeta se Mustafa Kruja nuk ka pranuar që të implikohet në arrestimin dhe depërtimin e hebrenjve e dorëzimin e tyre gjermanëve nazistë.
Gjeta, mes fakteve historike, se Jakomoni, që ishte mëkëmbësi i perandorit italian në Shqipëri, e thërret një ditë zotin Kruja e i kërkon informacion për hebrenjtë që janë këtu, sepse, sipas një kërkese që ka ardhur nga Italia, mbështetur në aprovimin e ligjeve racore antihebraike, të firmosura pak kohë më parë nga vetë Vittorio Emanueli III, kërkohet njoftim për ta se sa janë, nga janë, ku gjenden? Mustafai ngrihet në këmbë e ia refuzon qartë e prerë e i thotë se “unë nuk jam këtu për të arrestuar të pafajshëm e për t’i çuar që të eliminohen padrejtësisht. Nëse ky refuzimi i im përbën problem, unë jap në vend dorëheqjen!”. Mora vesh, në atë material që gjeta, se vetë mëkëmbësi kishte mbetur i mrekulluar nga ky qëndrim burrëror.
Por është edhe rasti tjetër, kur vetë zoti Kruja, propozon në këshillin e ministrave që refugjatët hebrenj që kanë ardhur tashmë në tokën shqiptare, të çohen në kampe, të financuara nga qeveria e tij, larg, në Berat e në Gjirokastër, që gjithsesi të mos jenë afër kufijve veriorë, ku mund të ketë prani gjermane. Dhe e realizon një gjë të tillë, ngritjen e këtyre kampeve.
Po kështu kalon një tjetër peripeci të sikletshme me konsullin e përgjithshëm gjerman, Martin Schliep. Ngjarja kishte qëlluar kështu. Në vitin 1941, në Kosovë, tamam-tamam në Mitrovicë, një grup hebrenjsh, të thuash më mirë i gjithë komuniteti hebre i këtij qyteti, merr vesh se gjermanët duan të bëjnë një mësymje mbi ta, t’i fusin në dorë, t’i arrestojnë e t’i çojnë në Auschwitz. Si parantezë duhet thënë se kur Gjermanët vendosën të zhbënin Jugosllavinë, pasi e pushtuan në prill të vitit 1941, duke pasur informacion të zgjedhur e duke pasur parasysh se në Mitrovicë jetonte edhe një komunitet serb, që italianët, të cilëve iu dorëzua gati e gjithë Kosova (duke formuar atë që u quajt tokat e lirueme) përveç kësaj zone veriore, vendosën ta mbanin ata, sepse vetëm ata mund t’i bënin ballë serbëve, nëse ata do të përpiqeshin të ngrinin krye. E dinin se italianët nuk do të ishin të aftë ta kryenin një gjë të tillë. Një ditë, pra, hebrenjtë, në mënyrë tepër sekrete, njoftohen se gjermanët kanë vendosur që të nesërmen në mëngjes të një dite të caktuar të muajit dhjetor 1941, të kapin hebrenjtë e këtij qyteti e t’i çojnë në Poloni, në kampin e tmerrshëm. Pasi e marrin vesh, në mesnatë, të veshur me zhele e të nxirë në fytyra me qymyr, marrin rrugën në këmbë e kalojnë në territorin që kontrollohet nga italianët e mbërrijnë në mëngjes në Prishtinë. Atje i del dikush para e i drejton për tek spitali civil i qytetit, drejtor i të cilit është Spiro Lito, gjirokastrit, doktor. I porositur nga vetë Kryeministri Kruja, që është kryeministër edhe për territoret e aneksuara të Kosovës, i kërkohet tij që të njoftojë të shtruarit në spital që të largohen për dy ditë, sa të bëjnë dezinfektimin e spitalit e pastaj të paraqiten prapë. Të sëmurët lanë spitalin. Me një shpejtësi skëterrë, të gjithë hebrenjtë e ardhur në qytet, drejtohen, të sugjeruar, tek spitali i zbrazur tashmë e fshihen aty. Nuk vonon e shihen motoçikletat gjermane që kanë shkelur protokollin e kanë hyrë pa autorizim në Prishtinë, në territorin që kontrollohet prej italianëve. Janë në kërkim të hebrenjve, që janë zhdukur pa nam e pa nishan nga Mitrovica, por që një informacion i ka thënë atyre se kanë mbërritur në Prishtinë. Prandaj, ia kanë mësyrë këtij qytetit. Sillen, kontrollojnë, rrinë në pritje, gjurmojnë rrugë, rrugica e qoshe, por nuk gjejnë asgjë. Por nuk mbaron me kaq, sepse është e nevojshme që hebrenjtë të shpërngulen prej andej, që të mos bien viktimë e reprezaljeve të tjera të papritura të gjermanëve e pra lind nevoja që të nisen për në Shqipëri. Kalojnë kufirin e me autorizim të kryeministrit Kruja, mbyllen sytë e futen këtu. Pastaj, struken dikush në një vend e dikush në një vend tjetër e fshihen, treten, si kripa në ujë, pa e marrë vesh askush se ku gjenden.
Ndërkohë, nga informatorë të ndryshëm, njoftohet konsulli i përgjithshëm Martin Schliep se hebrenjtë që kanë ikur nga Mitrovica janë në Shqipëri, të strehuar, që kanë kaluar kufirin nga Kukësi me bekimin e zotit Mustafa. Atëherë, zoti Schliep i kërkon, në zyrën e kryeministrit, informacion për personat që kanë kaluar kufirin dhe a ka ai dijeni për një kalim të tillë. Zoti Kruja mohon se hebrenj kanë kaluar kufirin me dijeninë e tij. “Ka mundësi që të kenë mbërritur, por jo në rrugë zyrtare, nuk janë paraqitur në pikat e kalimit kufitar, por kanë kaluar tinëzisht, ilegalisht!”. Ia doli për herë të dytë të largonte gjurmët nga hebrenjtë. Schliepi u përpoq që ta kërcënonte, duke i thënë se nëse do ta verifikojmë se ke dorë në këtë mesele ose se fsheh informacionin, ju që po prishnin marrëdhëniet mes anëtarëve të aleancës , do të jepni llogari. Por zoti Kruja nuk u lëkund.
Desha të kujtoj edhe se ata që kanë rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë, kudo në Evropë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, i kanë emrat e tyre në mure, në një bulevard, në Jerusalem, që quhet Jad Vashem, rruga e të drejtëve të kombeve. Atje janë shumë e shumë prej atyre që rrezikuan seriozisht jetën për të panjohurit që i ranë në derë. Shqiptarët kanë 69 emra të tillë. Por mungojnë edhe emrat e Mustafa Krujës, Ibrahim Biçakut, Kol Bib Mirakës, Xhafer Devës e Mehdi Frashërit e shumë e shumë të tjerëve, njerëz të thjeshtë, që nuk janë përfshirë deri tashti.
Kur isha në Izrael, në vitin 2018, më qëlloi të njihja një hebre, familja e të cilit ishte shpërngulur nga Gjermania për atje. Iu prezantova si shkrimtar. Më pyeti se çfarë po shkruaja tani. I tregova se “kam në dorë një histori të shpëtimit të një familjeje hebrenjve, familjes Rabinovitz nga Vjena, e cila vjen të kërkojë strehim e shpëtim në Shqipëri!”. Kur ai mori vesh për fabulën e romanit e u njoh me faktin se burra shteti kanë rrezikuar jetën e tyre për shpëtimin e hebrenjve, më pyeti: “a i është mirënjohëse Shqipëria këtyre burrave të mëdhenj që kanë rrezikuar jetët e tyre, duke shpëtuar të panjohurit? Janë treguar në lartësinë e një humanizmi shembullor?”. I thashë se Shqipëria i çoi në plumb të gjithë, si armiq të popullit të vet. “Kanë shpëtuar njerëz të popullit të huaj e kanë tradhtuar popullin e vet? E pamundur!”. U shpreh me keqardhje hebreu në moshë. “Po”, – i thashë, – “ky paradoks na ra për hise!”. “Tragjik populli i juaj deri në absurd!” – më tha.
Sot, pra, Kruja për gëzon jo vetëm se po nderon birin e saj, Mustafa Krujën, por edhe për gjë tjetër shumë më të madhe, shpresëdhënëse për çdo njeri: po përsërit këtu, sy të gjithëve, mësimin që Zoti na e jep pa pushim, edhe pse njerëzit janë të leshtë e të ngadaltë të kuptojnë e të padurueshëm në kohën e veprimit të tij: drejtësia vonon, por nuk harron kurrë të vijë.
Lavdi veprës së zotit Mustafa Kruja dhe gëzim për mësimin e madh moral që po marrim përsëri.

Filed Under: Politike

Kontributi i Kristo Dakos për arsimin shqip dhe për çështjen kombëtare shqiptare

December 23, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Kristo Dako lindi në Korçë me 24 dhjetor 1876. Arsimin fillestar e mori në vendlindje. Në moshën 12 vjeç emigroi me familjen në Bukuresht, ku vazhdoi arsimin e mesëm dhe studioi matematikë në Universitetin e Bukureshtit. Gjatë kësaj periudhe, ai u aktivizua në shoqëritë shqiptare që vepronin në Rumani, shtet që ishte kthyer në një qendër të Rilindjes sonë Kombëtare. Qëllimi i Kristos ishte çlirimi i Shqipërisë nga zgjedha turke dhe liria e saj nga dominimi i klerit grek. I ri në moshë, Dako ra në kontakt me shumë nga pionierët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndër të cilët me zonjushën Sevasti Qiriazi, gruan e parë shqiptare që mori diplomën e shkollës së mesme e të fakultetit; drejtoreshë e parë e Shkollës shqipe të Vashave në Korçë, e cila iu bë shoqja e tij e jetës dhe bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë.

Në vjeshtën e vitit 1906, Kristo Dako emigron në SHBA dhe regjistrohet në degën e filozofisë të universitetit të Oberlindit në Ohajo. Gjatë kësaj periudhe u angazhua me çështjen kombëtare në mes të shqiptarëve të Amerikës, duke u shfaqur si një orator i lindur, një i ri i palodhur që zhvilloi shumë takime me shqiptarët e Amerikës, në të gjitha qytetet, ku ata ishin vendosur, duke ua hapur sytë e ndriçuar mendjen. Ai luftoi shumë për të nxitur integrimin e shqiptarëve në vendin ku ishin vendosur dhe kjo do të bëhej pikë së pari nëpërmjet mësimit të gjuhës. Dako hapi kurse falas në Natik, për t’u mësuar shqiptarëve anglishten, që do t’i ndihmonte për të gjetur punë më lehtë dhe u premtoi t’u mësonte shqipen atyre që nuk dinin ta shkruanin. Bashkëshortja e tij, Sevasti, së bashku me motrën e saj Parashqevinë, hapën një qendër të vogël mësimi të gjuhës shqipe në shtëpinë e tyre në Boston.

Për arsye të kushteve të vështira që u krijuan në Shqipëri, Kristo ndërpreu studimet dhe më 1908 u kthye në atdhe, duke u angazhuar fiqimisht në përpjekjet për zhvillimin e arsimit kombëtar. Në vitin 1909, ai qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit dhe shërbeu në vijimësi si drejtor e mësues i shkollës amerikane, të themeluar nga misionari Charles Telford Erickson në Elbasan, si dhe mësues në Normalen e Elbasanit.

Kristo Dako ka hyrë në analet e historisë si shoqëruesi dhe miku më i afërt i ballkanologut të shquar amerikan, Çarls Riçhard Crane, mikut të afërt të Presidentit Woudrov Willson, në vizitën që ai bëri në Shqipëri, në vitin 1911. Në këtë udhëtim, Dako e njohu mikun amerikan me personalitetet shqiptare më në zë të kohës në si në Elbasan, Tiranë e Shkodër. Në Cetinë takoi edhe Ismail Qemalin, me të cilin biseduan gjërë e gjatë mbi gjëndjen dhe përpjekjet që duheshin bërë për çështjen kombëtare. Njohje dhe miqësi Kristo Dako kishte edhe me figura të tjera, siç ishte koloneli Aubrey Herbert, deputet anglez; Edith Durham; gazetari i Tajmsit Filiph Graves etj., të cilët i ushqente me materiale faktike nga situatat në Shqipëri, të cilat ata i përdornin si argumente në shtypin e kohës.
Në vitin 1913, Dako gjendet në SHBA.

Në qershor të atij viti zgjidhet në kryesinë e “Vatrës”, njëkohësisht i besohet drejtimi editorial i gazetës “Diellit”, organ zyrtar i Federatës “Vatra”. Më 20 korrik 1913, Vatra mbajti një kuvend të jashtëzakonshëm, që e zgjodhi Kristo Dakon President. Ishte një zgjedhje e merituar. “Missionary Herald” i dhjetorit 1912 e quan Kristo Dakon “një burrë i pjekur, që flet dhjetë gjuhë”. Dako qëndroi vetëm një muaj si President i Vatrës, por kjo nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk e zhbën faktin se ai ka qenë presidenti i parë i saj, pasi deri atëherë “Vatra” ishte drejtuar përmes institucionit të sekretarit të përgjithshëm. Po atë vit, Dako u largua për në Shqipëri, sepse e prisnin detyrime të tjera. Me të mbërritur atje vazhdoi punën në shkollën e vashave në Korçë, por pas mbylljes së saj, në korrik 1914, bashkë me familjen shkoi përsëri në Bukuresht e prej andej kaloi në Sofje.

Kristo Dako me Themistokli Gërmenjin drejtuan organin “Lidhjen Kombëtare”. Dako është redaktori i organit tjetër “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”, që dilte në Sofje. Dhe pas një qëndrimi njëvjeçar midis Bukureshtit e Sofjes, Kristo Dako me Sevastinë dhe të motrën Parashqevinë shkojnë përsëri në Amerikë. Këtu Kristo drejtoi “Lidhjen Kombëtare”, e cila krahas “Vatrës”,përfaqësonte shqiptarët e Amerikës. Ndërkohë vazhdoi botimin në SHBA të organit “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”, si vijim i asaj të Sofjes.
Pas Shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit të pavarur, diaspora shqiptare në Amerikë, aq e lidhur dhe e përkushtuar ndaj fatit të atdheut të vet, kishte formuar partinë e parë politike shqiptare, të quajtur “Partia Politike Kombëtare Shqiptare” , në gusht të vitit 1917, në Worcester Mass, të drejtuar nga bashkëshortja e Kristos, Sevasti Qiriazi-Dako dhe më vonë nga ai vetë. Në programin e saj politik, që në fillimet e saj, u mishërua zgjidhja e detyrave historike që iu diktuan shqiptarëve, në momentet dhe situatat politike që po kalonte kombi shqiptar në atë kohë.

Në letrën që Ismail Qemali i drejtoi Partisë Politike Kombëtare Shqiptare me rastin e emërimit të tij si delegat i saj në Europë, përveç falënderimit për përzgjedhjen, shpreh mendime dhe propozime konkrete mjaft të vlefshme, që synonin kryerjen me sukses të detyrave që Partia kishte marrë pësipër. Në tetor 1918, Partia dërgoi dy anëtarë të saj, Kristo Dakon dhe Nuredin bej Vlorën, si përfaqësues në Asamblenë Ndërkombëtare të Kombeve të Robëruara, mbajtur në Sallën e Pavarësisë në Filadelfia, nga 23 deri me 26 tetor 1918. Delegatët shqiptarë në diskutimet e tyre paraqitën në Kuvend kërkesat e shqiptarëve dhe hodhën poshtë pretendimet e kundërshtarëve të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Me 26 tetor 1918, u nënshkrua Deklarata e qëllimeve të përbashkëta të kombeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, e nënshkruar nga dymbëdhjetë përfaqësuesit e Kombeve të robëruara. Në emër të shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë, deklarata u nënshkrua nga Kristo Dako.

Me 12 tetor 1918, Kristo Dako i dërgoi Persidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Woodrow Wilson broshurën “Të drejtat, shpresat dhe aspiratat e Shqipërisë – Forca e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar”, të botuar në vitin 1918. Kristo Dako është takuar dy herë me Presidentin Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë. Në vitet 1921-1922, ai qe deputet i Partisë Përparimtare dhe më pas u bë pjesë e “Bashkimit të Shenjtë”. Në vitin 1921 Kristo Dako u emërua Ministër i Arsimit në Qeverinë disaditore të Hasan Prishtinës, gjatë krizës së dhjetorit 1921. Me dorëheqjen e kësaj Qeverie, ai u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit, duke hapur me 2 tetor 1922 institutin “Qiriazi” dhe me 11 prill 1925 nisi punimet për godinën e re në Kamëz.

Dako njihet si publicist dhe didakt i shquar. Ai ka botuar veprat: “Cilët janë shqiptarët”, Manastir 1911; “Shqipëria, çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, Boston, 19198, që ishte ndër të paktit libra për historinë e Shqipërisë në atë kohë; “Fuqia e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar”, Boston 1919; “Të drejtat dhe kërkesat e Shqipërisë për pavarësi dhe integritet tokësor”, Boston 1919; “Shënime nga jeta dhe vepra e N.M. së tij Zogut I, Mbret i shqiptarëve”; “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Bukuresht 1912. Dako ka hyrë në historinë e letrave shqipe edhe si hartues tekstesh mësimore në matematikë e histori. Pothuajse të gjitha tekstet për lëndët matematikore të përdorura në Shkollën e vashave, por edhe në Normalen e Elbasanit mbajnë firmën e tij, si: aritmetika, algjebra, gjeometria, trigonometria dhe kozmografia. Gjithashtu ai ka botuar edhe një tekst mësimor mbi “Historinë e Shqipërisë”.
Kristo Dako ndërroi jetë në Tiranë, më 16 dhjetor 1941. Për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, si rilindas i gjuhës dhe arsimit shqip, Kristo Dako është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe ai zë një vend nderi ndër emrat më të shquar të atdhetarëve shqiptarë të kohës së tij.

Filed Under: Politike

Ambasadori Jeffry Hovenier – një lider vizionar dhe mik i përkushtuar i Kosovës

December 21, 2024 by s p

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, shprehim mirënjohjen dhe respektin më të thellë për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffry Hovenier, i cili përfundon një mandat të jashtëzakonshëm si përfaqësues i një prej partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trashëgimia që lë pas ky diplomat vizionar do të kujtohet gjatë si një periudhë mbështetjeje të palëkundur, urave të reja të miqësisë dhe diplomacisë ndërtuese për vendin tonë dhe rajonin.

Z. Hovenier ka qenë një figurë unike në shërbimin diplomatik amerikan, i pajisur me një kuptim të thellë të realitetit politik dhe sfidave me të cilat përballet Kosova dhe rajoni i Ballkanit. Që nga emërimi i tij si ambasador në dhjetor të vitit 2021, ai ka qenë një zë i fuqishëm për përparimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe të qëndrueshme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Me angazhimin e tij të paepur, ai ka kontribuar në përpjekjet për të zbutur polarizimet politike, për të nxitur kohezionin social dhe për të zgjeruar perspektivat e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Puna e Ambasadorit Hovenier gjatë këtyre viteve ka qenë një shembull i shkëlqyer i një diplomacie të orientuar drejt rezultateve, duke ndihmuar në forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe promovimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Ndër angazhimet e tij të shumta për dhe rreth Kosovës, procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka marrë një vëmendje të shtuar, duke përgatitur terrenin për një marrëveshje reciproke që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit dhe hapjen e perspektivave për integrime euro – atlantike.

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”,është krenare që ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me një diplomat të tillë të pashoq, i cili ka ndërtuar aleanca të qëndrueshme dhe ka treguar një ndjeshmëri të thellë ndaj aspiratave të popullit shqiptar. Përkushtimi i tij i sinqertë për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin ka frymëzuar një brez të ri liderësh dhe qytetarësh, duke e forcuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Teksa Ambasadori Hovenier i jep fund një karriere mbi 30-vjeçare të përkushtuar ndaj shërbimit diplomatik, ne shprehim falënderimet më të sinqerta për udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme dhe miqësinë e tij të çmuar. Miqësia dhe bashkëpunimi që kemi ndarë gjatë kësaj kohe do të mbeten një testament i marrëdhënies së veçantë mes popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

VATRA mbetet e përkushtuar për të ndjekur vizionin drejt së ardhmes dhe për të vazhduar ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në interes të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Ambasador Hovenier,

ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe ju urojmë suksese të mëtejshme në çdo hap të jetës dhe karrierës suaj të ardhshme. Respekti ynë i ndërsjellë do të mbetet një bazë e fortë për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë në të ardhmen.

Me konsideratat më të larta dhe mirënjohje të thellë,

Kryetari i Federatws Panshqiptare tw Amerikës “VATRA”,

Dr. Elmi Berisha

Ambassador Jeffrey Hovenier – A visionary diplomat and dear friend of Kosova

On behalf of the Pan-Albanian Federation of America VATRA, I express the utmost respect and deep gratitude to the US Ambassador in Kosovo, Mr. Jeffrey Hovenier, at the completion of an extraordinary term as representative of one of the most important partners of Kosovo, the United States of America.

The legacy that the visionary diplomat leaves behind will long be remembered as an era of new bridges of friendship with a clear emphasis on constructive diplomacy for our country and the region.

Endowed with a deep understanding of the political reality and evolving challenges faced by Kosovo and the Balkan region, Ambassador Hovenier is a distinctive professional in the American diplomatic service. Starting with his appointment as Ambassador in December 2021, he has been a powerful voice for progress in the Kosovo-Serbia dialogue towards paving a peaceful stable future for all communities in Kosovo. With his relentless commitment, Ambassador Hovenier has contributed in the efforts to mitigate political polarization, to promote social cohesion and expand Kosovo’s perspectives in the Euro-Atlantic integration.

Throughout his term, Ambassador Hovenier has been an excellent example of a result-oriented diplomacy, aimed at strengthening Kosovo’s democratic institutions while promoting security and stability for all. Among his many commitments for and around Kosovo, the Kosovo-Serbia dialogue has taken increased attention preparing the ground for a mutual agreement that will affect directly in the improvement of the economic and political stability of the country and pave the way for Euro-Atlantic integration.

The Pan-Albanian Federation of America VATRA is proud to have had the opportunity to cooperate with such a peerless diplomat who has built lasting alliances while showing a deep sensitivity to the aspirations of the Albanian people. His sincere dedication to peace, justice and prosperity has inspired a new generation of leaders and citizens strengthening Kosovo’s position on the international stage.

As Ambassador Hovenier ends a career of over 30 years of dedicated diplomatic service, we express our sincere thanks for his outstanding leadership and our good friendship. Both the fellowship and cooperation we have shared serve as a testament of a special relationship between the Albanian people and the United States of America.

VATRA is resolved in its commitment to the future vision and to continue building bridges of cooperation and understanding in the interest of Kosovo and the entire region.

Ambassador Hovenier,

Thank you for all you have done! We wish you every success in your life and career in the future. Our mutual respect will ensure that our friendship and coordination carry well onward

With the highest regard and deep gratitude,

Dr. Elmi Berisha

President of the Pan-Albanian Federation of America VATRA

Filed Under: Politike

Pezullimi i dialogut bilateral me Serbinë dhe kushtëzimi i vazhdimit të dialogut

December 21, 2024 by s p

Prof.Dr.Fejzulla Berisha/

Pezullimi i dialogut bilateral me Serbinë, për shkak se Kushtetuta e Serbisë e trajton Kosovën si pjesë integrale të saj, paraqet një çështje komplekse që kërkon një analizë të detajuar. Ja disa argumente për dhe kundër, si dhe alternativa për një qasje të tillë:

Argumentet Pro Pezullimit

1. Pabarazia në Dialog:

Vazhdimi i dialogut, ndërkohë që Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj, minon sovranitetin dhe legjitimitetin e Kosovës si palë e barabartë.

2. Presion ndaj Serbisë:

Pezullimi mund të ushtrojë presion mbi Serbinë për të ndryshuar qasjen e saj dhe për të harmonizuar politikat e saj të brendshme me realitetin ndërkombëtar.

3. Ruajtja e Integritetit të Kosovës:

Refuzimi për të negociuar nën rrethana të pabarabarta juridike do të sinjalizonte se Kosova mbetet e vendosur në mbrojtjen e sovranitetit të saj.

Argumentet Kundër Pezullimit

1. Izolimi Diplomatik:

Një vendim për pezullim mund të perceptohet si mungesë vullneti për dialog dhe mund të dëmtojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

2. Humbja e Mbështetjes Ndërkombëtare:

Shumë partnerë ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në, e mbështesin dialogun si mekanizëm për normalizimin e marrëdhënieve.

3. Forcimi i Pozicionit të Serbisë:

Serbia mund të përdorë pezullimin për të paraqitur Kosovën si pengesë për procesin e dialogut, duke intensifikuar përpjekjet e saj kundër Kosovës në forume ndërkombëtare.

Alternativa: Kushtëzimi i Dialogut

Kushtëzimi i dialogut me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë paraqet një qasje që kombinon angazhimin diplomatik me mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.

Pse është i nevojshëm kushtëzimi?

1. Ruajtja e Sovranitetit:

Për sa kohë Kushtetuta e Serbisë trajton Kosovën si pjesë të saj, ajo vazhdon të minojë çdo përpjekje për një dialog të barabartë dhe konstruktiv.

2. Shembuj Ndërkombëtarë:

• Gjermania Lindore dhe Perëndimore: Dialogu konstruktiv u bë i mundur vetëm pas njohjes reciproke të ekzistencës së palëve.

• Ish-Jugosllavia: Njohja e pavarësisë së republikave ishte parakusht për përfshirje në organizatat ndërkombëtare.

3. Pengimi i Sabotimeve Politike:

Serbia ka përdorur dialogun për të penguar avancimin ndërkombëtar të Kosovës. Kushtëzimi do të sigurojë që dialogu të fokusohet në çështje të barabarta.

Si mund të implementohet ky kushtëzim?

1. Angazhimi i Partnerëve Ndërkombëtarë:

Kosova mund të kërkojë që BE-ja dhe SHBA-ja të përfshijnë këtë kërkesë si parakusht në agjendën e dialogut.

2. Ndërmjetësimi për Ndryshime Kushtetuese në Serbi:

BE-ja mund të ndërmjetësojë një proces për amendamentet kushtetuese që do të reflektonin realitetin e Kosovës si shtet i pavarur.

3. Përcaktimi i Afateve Kohore:

Kosova mund të insistojë që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë për ndryshimin e Kushtetutës brenda një periudhe të caktuar.

4. Rritja e Presionit Diplomatik:

Angazhimi intensiv me aleatët ndërkombëtarë për të forcuar mbështetjen për këtë kushtëzim.

Përfitimet e Kushtëzimit

1. Konsolidimi i Pozicionit Ndërkombëtar të Kosovës:

Kjo qasje do të demonstronte vendosmërinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e saj.

2. Sinjalizimi i Seriozitetit të Serbisë:

Ndryshimi i Kushtetutës nga Serbia do të dëshmonte përkushtimin e saj për një dialog të barabartë.

3. Rritja e Mbështetjes Ndërkombëtare:

Kushtëzimi do të tërhiqte vëmendjen ndaj sfidave të Kosovës dhe do të forconte mbështetjen e saj globale.

Rreziqet dhe Sfidat e Kushtëzimit

1. Refuzimi i Serbisë:

Serbia mund të refuzojë këtë kërkesë, duke e bërë dialogun të pamundur në afat të shkurtër.

2. Reagimi i Partnerëve Ndërkombëtarë:

BE-ja dhe SHBA-ja mund të shohin këtë qasje si një pengesë për përparimin e dialogut.

3. Izolimi i Kosovës:

Nëse perceptohet si mungesë fleksibiliteti, kjo qasje mund të dëmtojë imazhin e Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare.

Kushtëzimi i dialogut me kërkesën që Serbia ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj paraqet një strategji që siguron një bazë më të barabartë për negociata. Ky hap duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë që përfshin:

• Forcimin e Aleancave Ndërkombëtare,

• Angazhimin Aktiv në Diplomacinë Ndërkombëtare, dhe

• Përgatitjen për Skenarë ku Serbia refuzon të bashkëpunojë.

Vendimi për pezullimin ose vazhdimin e dialogut duhet të bazohet në një vlerësim të kujdesshëm të interesave afatgjata të Kosovës, duke ruajtur marrëdhëniet me aleatët dhe duke forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT