• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA E JASHTME E PRESIDENTIT PUTIN

July 25, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Tashmë prej më shumë se dy vitesh, e gjithë bota perëndimore ka dënuar pushtimin kriminal dhe të paligjshëm të Ukrainës nga Federata Ruse. Por ky pushtim nuk ishte i papritshëm për njerëzit që e kanë analizuar dhe studiuar nga afër politikën e jashtme të Federatës Ruse dhe të Presidentit të saj të ‘përjetshëm’ Vladimir Vladimiroviç Putin. Ajo që ka rëndësi të kuptohet fillimisht, është të theksojmë se kjo politikë është vazhdimi i ‘Idesë të Re Ruse’ (ide nga e cila edhe shovinistët serbë po punojnë për krijimin e Botëts Serbe). Është e rëndësishme të theksojmë se në momentin kur Putini mori drejtimin e Rusisë nga Boris Jelsin në fund të vitit 1999, ishte i vendosur plotësisht për të rikthyer madhështinë e saj të dikurshme. Ai e perceptonte ndryshe lidhjen midis politikës së brendshme dhe saj të jashtme nga diplomatët të cilët kishin drejtuar vendin gjatë presidencës së Jelsin-it. Politika e jashtme e Rusisë drejtohej në një masë të madhe nga konsideratat e brendshme.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial 2000-2004, Putini u shfaq duke kërkuar integrim më të madh të ekonomisë ruse në ekonominë globale, duke prezantuar një numër të konsiderueshëm reformash ekonomike në vend. Kjo ishte njëkohësisht koha e bashkëpunimit më të mirë me perëndimin, deri në kohën e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 me SHBA-të dhe fushatës në Afganistan. Kjo periudhë konsistoi në një afrim të konsiderueshëm me Gjermaninë, deri në momentin kur vendet fqinje me Rusinë filluan demostratat e brendshme ose në atë që njihen si revolucionet me ngjyra si në Gjeorgji dhe Ukrainë. Në atë kohë, duhet thënë se Putini kërkoi të afrohej sa më shumë me perëndimin.

Por në momentin kur perëndimi filloi të ushtrojë presion që Rusia të bëhej më demokratike dhe të inkurajonte krijimin e partive të tjera opozitare, ai filloi t’i konsideronte me dyshim marëdhëniet me perëndimin, për arsye se kjo qasje rrezikonte qëndrimin e tij në pushtet. Axhenda e administratës së presidentit amerikan George W. Bush në sytë e presidentit Putin, ishte një axhendë aktive për ndërrimin e regjimeve si psh në Irak, Gjeorgji dhe Ukrainë. Kjo padyshim që paraqiste një sfidë të drejtëpërdrejtë për interesat kombëtare të Federatës Ruse.

Gjatë mandatit të dytë të presidentit Putin 2004-2008, liritë e brendshme u reduktuan ndjeshëm në emër të sigurisë kombëtare. Putini akuzoi perëndimin për një sulm terrorist të ekzekutuar nga muxhahedinët çeçenë në Beslan të Kaukazit të Veriut. Pengmarrja në shkollën e Beslanit në Republikën e Osetisë së Veriut njihet si “masakra e Beslanit”. Ajo filloi në datën 1 shtator 2004 dhe zgjati tre ditë, në të cilën u përfshinë 1.100 persona të mbajtur peng ku rreth 777 prej tyre ishin fëmijë. Kjo pengmarrje përfundoi me vdekjen e 385 fëmijëve dhe civilëve në datën 4 shtator 2004. Ai deklaroi se: “Disa duan të këpusin një copë nga torta jonë, ndërsa të tjerët i ndihmojnë ata”.

Pas ngjarjeve shokuese të ‘revolucioneve me ngjyra’, të cilat shkaktuan largimin e drejtuesve në Ukrainë dhe në Gjeorgji, Putini emëroi Vladislav Surkov-in një politikan gjysëm çeçen, si drejtues tranzitor të saj që në atë kohë njihej si ‘demokracia e menaxhuar’. Vladislav Surkovi kishte qënë më parë një person që publikonte marëdhëniet me publikun dhe autor i sistemit aktual rus. Sistemi të cilin ai e quante ‘demokracia sovrane’, ishte kombinim i ‘retorikës demokratike me qëllimet jodemokratike’. Surkovi theksonte sovranitetin mbi demokracinë, në të cilën shprehej hapur se asnjë fuqi nga jashtë nuk kishte të drejtë të ndërhynte në punët e brendshme të Rusisë. Ai krijoi një grupim të fuqishëm të të rinjve pro Putin që quhej Nashi (Tanët), me qëllim që të luftonte kundër liberalëve dhe të krijonte një seri kampesh verore patriotësh ku grumbulloheshin pionerë dhe të rinj njëlloj si në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Në vitin 2005, presidenti Putin prezantoi reformën e pencioneve, por pensionistët dolën në rrugë për të protestuar duke detyruar policinë dhe forcat e sigurisë të përdornin forcën kundër tyre. Rritja e çmimit të naftës dhe e gazit të lëngshëm gjatë viteve 2000-2008, rriti edhe më shumë besimin e Putin-it për të mos iu nënshtruar perëndimit. Gjatë madantit të dytë presidencial 2004-2008, Putini u përball më fortë me perëndimin.

Gjatë mandatit të tij të tretë 2012-2018, politika e jashtme ishte krejtësisht në dispozicion të rritjes së mbështetjes së tij brënda Rusisë. Në vitin 2011, ai u shokua nga demostratat, të cilat filluan për shkak të zgjedhjeve fallso presidenciale dhe rikthimin e tij në krye të Kremlinit. Ndryshimi i ambasadorit amerikan në Moskë, bëri që Putini ta kuptonte se Washingtoni po punonte kundër tij. Diplomati amerikan John Beyrle, babai i të cilit kishte luftuar gjatë Luftës së II-të Botërore me ushtritë e Amerikës dhe Sovjetike pas arratisjes nga burgjet gjermane, u zëvendësua nga ambasadori Michael McFaul, një ish profesor i Universitetit të Stanford-it dhe këshilltar i Presidentit Barak Obama, i cili që në vitin 1990 kishte punuar për promovimin e demokracisë në Rusi.

Në momentin e fillimit të krizës së Ukrainës në vitin 2013, Rusia e shikonte veten në luftë me perëndimin, duke akuzuar ‘kolonat e pesta’ në territorin e Rusisë, të cilët punonin për destabilizimin e vendit. Me mbështetje të lartë popullore deri në 90 për qind, me një politikë gjithnjë e më bindëse dhe të paparashikueshme, Putini kishte arritur të bindte shumë personalitete në perëndim se përballja me Federatën Ruse nuk ishte njëlloj si me fuqitë e tjera të mëdha dhe se sa më shumë autokrate ishte qeveria aq më agresive ishte edhe politika e saj e jashtme. Në atë kohë, kjo politikë bëri që shumë vende jo perëndimore ta shihnin Rusinë si një partner të besueshëm, i cili nuk ndërhynte në punët e tyre të brendshme ose në sistemin e tyre të brendshëm të politikës dhe kërkonte të krijoheshin rregulla të reja ndërkombëtare e organizata të cilat nuk dominoheshin nga perëndimi si psh BRICS, SCO dhe Forumi Ekonomik Euro-Aziatik.

Në atë kohë, Putini arriti me shumë aftësi të shfaqte nostalgjinë cariste dhe të kohës sovjetike, duke theksuar me forcë se Rusia duhej të kishte vendin e saj në vendimmarrjet botërore si një fuqi e madhe. Simboli carist me dy koka shqiponjash, i cili simbolizon Rusinë që sheh edhe nga lindja dhe nga perëndimi e kishte zëvendësuar çekiçin dhe shkopin nga flamuri i Federatës Ruse. Himni kombëtar i periudhës së Bashkimit Sovjetik u rivendos në protokollin e shtetit, pas dështimit të turpshëm të presidentit Boris Jelsin me një himn tjetër kombëtar. Ai filloi ta shfaqte veten si mbrojtësin e Rusisë dhe të vendeve që kishin qënë më parë republikat e Bashkimit Sovjetik, dhe e konsideronte shpërbërjen e tij si një padrejtësi historike, e cila shkaktoi zvogëlimin e fuqisë së Rusisë. Presidenti Putin mbron me forcë idenë e të drejtës që Federata Ruse të rimerrte rolin e saj që kishte patur në botë përpara vitit 1991.

Ceremonia e mandatit të katërt presidencial të Putin-it në muajin maj të vitit 2018 (2018-2024), shfaqi haptazi ‘Idenë e Rusisë së Re’, duke theksuar më fort se asnjëherë tjetër traditën dhe patriotizmin rus. Në fjalimin e tij të parë si president i rizgjedhur përpara përfaqësuesve vendas dhe të huaj ai deklaroi se:

“Ne të gjithë jemi pasardhësit e Rusisë dhe historisë së saj mijëra vjeçare, paraardhësit e kësaj toke që ka lindur djem, vajza, punëtorë, luftëtarë dhe shkencëtarë të jashtëzakonshëm. Ata na kanë trashëguar në ditët e sotme këtë shtet të fuqishëm. Nuk ka asnjë diskutim, se ne kemi marrë forcë nga e kaluara. Por edhe historia më e lavdishme, nuk është e mjaftueshme që të na sigurojë një jetë më të mirë. Gjeneratat e sotme të Rusisë duhet ta përforcojnë këtë madhështi përmes veprimeve të tyre”.

Gjatë mandatit të tij të pestë (2024-2030), ai është përbetuar se në bashkëpunim me vende të tjera që mendojnë njëlloj si ai ku mund të përmendim Kinën, Indinë, Brazilin, Iranin por jo vetëm, do të punojnë pa pushim për të krijuar një botë multipolare, ku të gjithë të mëdhenjtë duhet të kenë fuqi të njëjtë në zgjidhjen e situatave ndërkombëtare ose në vendimarrjen e botës. Pikërish ky është vizioni që frymëzon botën e Vladimit Putin-it në shekullin e XXI-të.

Shtatë shtyllat kryesore të botës të Vladimir Vladimiroviç Putin-it janë:

Së pari, Putini beson se Rusia ka të drejtën të ulet në tavolinën ku merren të gjithë vendimet kryesore ndërkombëtare dhe të insistojë në përfshirjen e saj. Perëndimi duhet të pranojë se Rusia është pjesë e ‘bordit të drejtorëve’.

Së dyti, Interesat e Rusisë janë po aq legjitime sa edhe të perëndimit dhe do të ushtrojë presion që SHBA-të dhe BE-ja të njohin dhe pranojnë këtë fakt edhe në rast se nuk janë dakort me Rusinë.

Së treti, Rusia ka të drejtë të jetë e privilegjuar në sferën e interesit në hapësirën post Sovjetike. Ajo përcakton perimetrin e saj jetësor të sigurisë, jo në kufijtë e Federatës Ruse por në kufijtë e ish Bashkimit Sovjetik. Rusia do të punojë fuqishëm për t’u siguruar se ish republikat e tij, nuk do të bashkohen me aleancat e tjera politike ose ushtarake të cilat janë armiqësore ndaj Rusisë. Moska duhet të garantohet se strukturat Euro-Atlantike kryesisht NATO dhe BE, nuk do të zhvendosen më afër sesa janë në ditët e sotme, pasi kjo përbën kërcënim të drejtëpërdrejtë të interesave vitale të Federatës Ruse.

Së katërti, Disa shtete janë më sovrane sesa të tjerat. Fuqitë e mëdha si Rusia, Kina, India dhe SHBA-të kanë sovranitet absolut në vendet e tyre, që do të thotë se sejcili është i lirë të zgjedhë se cilës aleancë ka dëshirë t’i bashkohet. Vendet e vogla si Ukraina ose Gjeorgjia nuk janë krejtësisht sovrane dhe Rusia do të insistojë që ato të zbatojnë kërkesat e saj. Rusia nuk kërkon aleatë nga bota perëndimore, por partneritet dhe instrumente me interes reciprok me vende si Kina, India, Brazili, Irani, etj të cilat nuk e kufizojnë lirinë e Rusisë që të veprojë ose ndërmarrë veprime në politikën e saj të brendshme të sigurisë në vend.

Së pesti, Rusia do të vazhdojë të veprojë si mbështetëse e status quo-së, si avokate e vlerave konservatore, një fuqi ndërkombëtare e cila respekton drejtuesit e vendeve të tjera. Perëndimi, sipas Kremlinit promovon kaos dhe mbështet ndërrimin e regjimeve siç e kemi parë gjatë Pranverës Arabe në Libi, Irak, Siri, etj pa menduar aspak për konseguencat e tmerrshme pas këtyre veprimeve dhe kaosit që shkaktojnë në këto vende. Sigurisht, në sferën e saj të influencës, Rusia mund të veprojë si një fuqi revizioniste dhe të përmbysë status quo-në, kur e konsideron se interesat e saj po kërcënohen siç ka vepruar gjatë pushtimit të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe gjatë pushtimit të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut në vitin 2008 në Gjeorgji.

Së gjashti, Rusia beson se interesat e saj plotësohen më mirë kur aleanca perëndimore nuk është solide, për këtë qëllim ata do të vazhdojnë të mbështesin grupet skeptike, nacionaliste, populiste dhe anti amerikane në Europë dhe në të dy anët e Atlantikut.

Së fundi, Rusia do të ushtrojë presion të hiqet dorë nga lufta e ftohtë, rendi liberal, rendi i bazuar nga rregullat ndërkombëtare të cilat drejtohen nga SHBA-të dhe BE-ja, të cilat janë në favor të rendit perëndimor. Për Federatën Ruse, ky rend duhej të ngjante me koncertin e fuqive të shekullit të XIX-të, ku Rusia, Kina dhe SHBA-të do ta ndanin botën sipas sferës së tyre të influencës.

Dr. Dritan Demiraj është autor i librave: “Gjeopolitika e Federatës Ruse, Politika e Jashtme dhe Rendi i Ri Botëror” dhe “Strategjia ushtarake e Federatës Ruse”.

Filed Under: Politike

Martin Camaj, një vullnet qiellor që na shpërbleu me urtësi dhe zemërbardhësi

July 24, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Martin Camaj ishte padyshim një vullnet qiellor që na shpërblen bujarisht me urtësinë e asaj mendjeje të dritshme dhe zemërbardhësinë e atij hiri të lartë. Askush nuk do ta besonte se një i lindur “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’”, do të arrinte të bëhej një emër i rëndësishëm në historinë e letërsisë dhe albanologjisë. Djali i Kolë Camës, njëherësh bari dhe bujk dhe nënës Tereza nga Prekali domosdo do të ishte një përjashtim fatlum. U lind më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, atje ku luten “për qiell e për dhé” sepse më i epërmi vullnet, në skajet e këtyre caqeve ngjizet. Ai zu të fluturojë kur edhe qiellit i vunë gardhe dhe shpresën e fshehën si ëndrrat. Iku në kërkim të lirisë dhe gjeti misionarin e vlerave që e bënë të pavdekshëm.

Martin Camaj i përket një plejade përkushtuesish me mish e me shpirt, për të vënë në themelet e vetëdijes sonë kombëtare një gur të qenësishëm, të dëshmimit të pasurisë shpirtëror dhe gjuhësor. Pena dhe puna, zemërbardhësia dhe urtësia, pasioni dhe përkushtimi, ishin jo vetëm cilësitë veçuese të këtij personaliteti të pashoq të letërsisë dhe albanologjisë, por edhe ai kontelacion yjesh që do të lindte këtë zë të zëshëm të traditës dhe pasurisë sonë kombëtare.

Fikja e një ylli

Më 12 mars 1992, fryma e tij do të këputej. Do të shuhej një prej pishtarëve më kulmues të shqipshkrimit, poezis dhe prozës. Një zemër e tretur duke shndrit do të ndalonte për të lënë si testament, vullnesën e mirë të endur me përkujdesën që diti vetëm ai.

Martin Camaj me mbylljen e syve, u fashit edhe ëndrra e flakëruar në njëmijë diej përmallues, për shkelur në tokën amë. Atij i’a mohuan atdheun, i’a privuan dheun dhe shkrepin, dhimbjen dhe amanetin, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuri nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai lëvroi me parmendën e rëndë të mërgimtarit.

Camaj, megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në Shqipëri, për asnjë moment, nuk e shqiti nga gjoksi shpirtin e lënduar dhe plagën lënguese të të mohuarit. Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes dhe arbërishtes. S’andejmi ai arriti të dëshmonte botërisht mbi atë vlerë që vete ka të mbrujtur shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bari gegnishtes, e pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e gjitha përpjekjeve të mahershme dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyre në rrafshin shkencor, e dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtuar gjithseçka të mirë, e për ta shtruar në një sofër, larushinë e dialekteve, si vlerë gjuhësore, e dallon atë dhe e rreshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.

Martin Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtua, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq se ai ishte arratisur, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit gegnisht, të cilën ai e mylmeu, e pasuroi dhe e lëvroi mjeshtërisht. Me gjithë këtë ai nuk e flligu gojën, nuk e helmoi shpirtin, dhe shërbesës ogurmirë nuk i’a vuri damkën, e cila mund të gjehej e përligjur te ndokush tjetër, por kurrqysh jo tek ai. Duke dëshmuar mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol atnor dhe këshillues, për të gjithë ata që kishin në dorë shqipen dhe i’a deshën t’mirën asaj. Ai nuk bari asnjë herë dallime e dasi, nuk e shikoi shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”.

Ai kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon diversitetet dhe nuk priret hakmarrës e linçues prej qëllesave anatemuese, me nda dhe me veçu, përkundrazi.

Kinse, vërejmë shpërthimet krijuese të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për të ardhur masanej te trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës, Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë të tjerëve, që lindën e u lartësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar, standardit, siç i thonë. Duke mos patur tavan mbi kokat, ata krijuan atë thesar, të cilin me krenari mudn ta pagëzojmë si testament të vlerave të njimendta të letërsisë shqipshkruese.

Camaj rendi pareshtur dhe sfidues duke shkruar dhe lëvruar gegnishten. Vepra u rrit me të, dhe ai e gjalloi përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie njësimi. Ata dhanë dhe morën prej njëri-tjetrit shumëçka, por në kryerend mëvetësuan, motivin e ngulmit për t’u ngjit në më lartat kjartësi, prejnga nuk do të mund ta zbriste ndokush a diçka. Mveshur prej kësaj magjie dhe ngadhnjimi, Martin Camaj bëri me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe deri më 12 mars 1992, sot 27 vite më parë kur hapi i tij ndali, shpirti mori udhën e përjetësisë dhe emri u skalit me shkronja të arta në historinë e lëtërsisë dhe albanologjisë.

Filed Under: Politike

Përkujtojmë sot 94-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe patriotit Bajo Topulli

July 24, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Bajo Topulli u arsimua në Stamboll që në moshën 11 vjeçare, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos. Sipas këshillave të tyre ai shkon në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.

Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare.

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.

Pas Shpalljes së Pavarësisë për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar bashkie, të cilën edhe pse i sëmurë e drejtoi për tri vjet radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, të cilat lanë gjurmë dhe u bënë traditë dhe pjesë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër.

I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. Fjalën e lamtumirës e ka mbajtur Eqerem Çabej, i cili ndër të tjera ka thënë: “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”!…

Filed Under: Politike

Më 23 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementi XI-Albani

July 23, 2024 by s p

QSPA/

Gjon Françesk Albani lindi më 23 korrik 1649 në Urbino, Itali. Ishte papa i 243 i Kishës Katolike. Ai shërbeu si papë nga zgjedhja e tij më 23 nëntor 1700 deri më 19 mars 1721. Në vitin 1668 diplomohet për drejtësi në Romë ku në fokus të studimeve të tij ishin edhe gjuhët e vjetra. Në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Në vitin 1687 zgjidhet sekretar i kanonikëve, më pas në 13 shkurt 1690, emërohet kardinal dhe më 23 nëntor zgjidhet Papë i kishës katolike.

Papa Klementi XI-Albani vdiq më 19 mars 1721 mbasi udhëhoqi kishën katolike për 21 vjet rresht. Mbas emrit të tij Papnor, ai kërkoi që t’i vendosej mbiemri i tj Albani, për t’i treguar botës mbarë se origjina e tij ishte shqiptare. Papa Albani në latinisht shkruhet: “Clementes Undecimo Albani Urbinas“ që në shqip do të thotë “ Shqiptari Klementi XI nga Urbino“. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për punën e tij për bashkimin e Krishtërimit, organizimin e Kuvendit të Arbënit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. U nda nga kjo jetë më 19 mars 1721, në Romë.

https://www.vaticannews.va/…/papa-klementi-xi…

Filed Under: Politike

THE ANCIENT ENLIGHTENED ALBANIAN NATION ENDANGERED BY EXTREMISMS

July 22, 2024 by s p

  • Religious harmony and the protection of traditional Illyrian-Dardanian-Albanian positive values ​​is vital for the Albanian nation

From Agim Alickaj, New York, July 21, 2024

         Prof. Dr. Nusret Pllana was a political prisoner, a freedom fighter and now tireless activist for the documentation of Serbian crimes and the punishment of criminals and the Serbian fascist state. In short, he is a national figure. His concern and open warning about the danger from extremisms within our nation, should be taken seriously by state and social structures at all levels.

         It is a well-known fact that the centuries-old Serbian enemy has sponsored radical Islam as the main tool for the destruction of the Albanian nation and the grabbing of our lands. This is also emphasized in the pamphlet of the Serbian evil chauvinist Vaso Čubrilović “The Expulsion of Albanians”. Fascist Serbia has tried to present us in front of Europe as a backward radical Muslim nation, while itself as a “defender of European Christianity”.

         Thus, Serbia managed to deceive Europe for centuries, paving the way for the genocide against Albanians. Thanks to popular resistance and America’s intervention in 1999, the Albanian nation was saved from extinction. But, a part of Europe still has religious prejudices and is cold towards the Albanian Muslim majority. Precisely for this reason, it is doing its best to bring Kosova back under Serbia’s control by abusing dialogue, insisting on the creation of a completely unnecessary Serbian association, before recognition by Serbia.

          America does not prejudice Muslim Albanians, as long as they cultivate a tolerant, secular Islam. But if our Islamic religion turns into hateful extremism and our culture mixes with Arab culture, we risk losing America’s support. We dare not allow ourselves this because our enemy is not only the Serbian beast. There is also the Russian beast, which only America can put on its tail. Arab and Muslim countries cannot help us, some of them are satellites of Russia.         

         Many historical endeavors have brought us different religions. But, throughout history, although there has been hatred and radicalization from time to time by all religions, the essential majority of the nation has maintained religious tolerance. This has helped the Albanian nation to survive. We must continue this with courage, determination and commitment.

         Religious belief is a personal matter, an individual right regulated by law and guaranteed in true democratic states, such as the Republic of Kosova. Everyone has the right to appreciate, promote and praise their own religion, but not to incite hatred and threaten believers of other religions to impose themselves. Those who do so should be isolated, distanced and prosecuted on legal grounds. Especially if they are financed by Serbia and hostile external sources.

         Radical hateful Christianity is also very dangerous because it encourages hateful radical Islam. Imams and priests do not have absolute immunity, the good ones must be appreciated while the bad ones must be criticized, exposed and opposed, just like politicians.

         And let us never forget that religion can be changed, but the nation cannot. Those who think they can change the nation are losers, miserable and worthless bastards. No one has respect for them.

         The acceptance and promotion of bad values ​​and harmful foreign cultures are also dangerous for the future of the nation. We do not need foreign clothing that belittles, denigrates and enslaves our mothers, sisters and daughters. Nor do we need the other immoral extreme of unrestrained freedom in dressing and behavior. Strong families with tradition have helped preserve our freedom and national identity. They are the backbone of the strong states and nations.

         Regional divisions and hatreds cause national division and weaken the Albanian nation. Like it or not, we are one nation and share the same destiny. True nationals should respect, love and support each other, despite bad politicians who come and go.

         Attention, government, opposition, media, non-governmental organizations, schools and religious institutions, academies of science, families and individuals from all Albanian lands and diaspora. Professor Pllana’s sincere emotional call to protect the nation from various extremisms applies to all of us and is the last warning for our society and countries.

         We all have a duty to preserve, protect and strengthen our peaceful bright nation, with ancient positive traditions and high human and national values.

KOMBI I LASHTË I NDRITUR SHQIPTAR I RREZIKUAR NGA EKSTREMIZMAT

  • Harmonia fetare dhe mbrojtja e vlerave pozitive tradicionale iliro-dardano-shqiptare është jetike për kombin shqiptar.  

Nga Agim Aliçkaj,

Nju Jork, Më 21 korrik 2024

         Prof.  Dr. Nusret Pllana ishte i burgosur politik, luftëtar i lirisë dhe tani veprimtar i palodhur për dokumentimin e krimeve serbe dhe dënimin e kriminelëve dhe të shtetit fashist serb. Shkurt, ai është një figurë kombëtare. Shqetësimi dhe paralajmërimi i tij i hapur për rrezikun nga ekstremizmat brenda kombit tonë, duhet të merret seriozisht nga strukturat shtetërore dhe shoqërore në të gjitha nivelet.

         Është i njohur fakti se armiku shekullor serb e ka sponzoruar islamin radikal si mjetin kryesor për shkatërrimin e kombit shqiptar dhe rrëmbimin e trojeve tona. Kjo theksohet edhe në pamfletin e shovinistit katil serb Vaso Çubrilloviç “Dëbimi i shqiptarëve”. Serbia fashiste është munduar të na paraqesë përballë Evropës si një popull mysliman radikal të prapambetur, ndërsa veten si “mbrojtëse të krishterimit evropian”.

         Kështu Serbia arriti të mashtrojë Evropën me shekuj, duke i hapur rrugën gjenocidit ndaj shqiptarëve. Falë rezistencës popullore dhe ndërhyrjes së Amerikës në vitin 1999, kombi shqiptar u shpëtua nga zhdukja. Por, një pjesë e Evropës ka ende paragjykime fetare dhe është e ftohtë ndaj shumicës myslimane shqiptare. Pikërisht për këtë po bën çmos që ta rikthejë Kosovën nën kontrollin e Serbisë duke abuzuar me dialogun, duke insistuar në krijimin e një asociacioni krejtësisht të panevojshëm serb, para njohjes nga Serbia.

         Amerika nuk paragjykon shqiptarët myslimanë, përderisa ata kultivojnë një islam tolerant, laik. Por nëse feja jonë islame kthehet në ekstremizëm urrejtës dhe kultura jonë përzihet me kulturën arabe, rrezikojmë të humbasim mbështetjen e Amerikës. Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes këtë sepse armiku ynë nuk është vetëm bisha serbe. Është edhe bisha ruse, të cilën vetëm Amerika mund ta ulë në bisht. Vendet arabe dhe myslimane nuk mund të na ndihmojnë, disa prej tyre janë satelitë të Rusisë.        

         Përplasjet e shumta historike na kanë sjellë fe të ndryshme. Por, gjatë gjithë historisë, edhe pse herë pas here ka pasur urrejtje dhe radikalizim nga të gjitha fetë, shumica thelbësore e kombit e ka ruajtur tolerancën fetare. Kjo e ka ndihmuar kombin shqiptar të mbijetojë. Këtë duhet ta vazhdojmë edhe tani e tutje me guxim, vendosmëri dhe përkushtim.

         Besimi fetar është çështje personale, e drejtë individuale e rregulluar me ligj dhe e garantuar në shtetet e vërteta demokratike, siç është Republika e Kosovës. Çdokush ka të drejtë të vlerësojë, promovojë dhe lavdërojë fenë e vet, por jo të nxisë urrejtje dhe të kërcënojë besimtarët e feve të tjera për t’u imponuar. Ata që e bëjnë këtë duhet të izolohen, të distancohen dhe të ndiqen penalisht në baza ligjore. Sidomos nëse financohen nga Serbia dhe nga burime të jashtme armiqësore.

         Krishterimi urrejtës radikal është gjithashtu shumë i rrezikshëm sepse e nxitë myslimanizmin urrejtës radikal. Imamët dhe priftërinjtë nuk kanë imunitet absolut, të mirët duhen vlerësuar ndërsa të këqijtë duhen kritikuar, ekspozuar dhe kundërshtuar, njisoj si politikanët.

         Dhe të mos harrojmë kurrë se feja mund të ndryshohet, por kombi jo. Ata që mendojnë se mund të ndryshojnë kombin janë humbës, të mjerë dhe bastardë pa vlerë. Askush nuk ka respekt për ta.

         Pranimi dhe promovimi i vlerave të këqija dhe i kulturave të huaja të dëmshme janë gjithashtu të rrezikshme për të ardhmen e kombit. Ne nuk kemi nevojë për veshje të huaja që nënçmojnë, denigrojnë dhe robërojnë nënat, motrat dhe vajzat tona. As nuk kemi nevojë për ekstremin tjetër imoral të lirisë së çfrenuar në veshje dhe sjellje. Familjet e forta dhe me traditë kanë ndihmuar në ruajtjen e lirisë dhe identitetit tonë kombëtar. Ato janë shtylla kurrizore e shteteve dhe kombeve të forta.

         Ndasitë dhe urrejtjet rajonale shkaktojnë përçarje kombëtare dhe dobësojnë kombin shqiptar. Na pëlqen apo jo, ne jemi një komb dhe kemi të njëjtin fat. Kombëtarët e vërtetë duhet ta respektojnë, ta duan dhe ta mbështesin njëri-tjetrin, pavarësisht politikanëve zuzar që vijnë e shkojnë.

         Kujdes, qeveri, opozitë, media, organizata joqeveritare, shkolla ​​dhe institucione fetare, akademi të shkencës, familje dhe individë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata. Thirrja e sinqertë emocionale e profesor Pllanës për mbrojtjen e kombit nga ekstremizmat e ndryshëm vlen për të gjithë ne dhe është paralajmërimi i fundit për shoqërinë dhe vendet tona.

         Të gjithë kemi për detyrë ta ruajmë, mbrojmë dhe forcojmë kombin tonë të ndritur paqësor, me tradita të lashta pozitive dhe vlera të larta njerëzore e kombëtare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT