• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKËNDERBEU DHE LUFTA E DYTË E KOSOVËS (17-19 TETOR 1448)

August 22, 2024 by s p

Prof. dr. Lulëzim Lajçi/

Ndër ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të shekullit XV, pa dyshim, radhitet edhe Lufta II e Kosovës (1448). Kjo ngjarje historike tërhoqi vëmendjen e shumë kronistëve, historianëve dhe njëherësh la gjurmë në shumë dokumente të kohës. Këto burime të dorës së parë, në kohën më të re, u studiuan nga historianë të shumtë shqiptarë dhe të huaj, e në studimet e tyre u hodh dritë për këtë ngjarje që ka një rëndësi jo vetëm për historinë tonë kombëtare, por edhe më gjerë. Rëndësia e kësaj lufte për historinë e popullit shqiptar është se u zhvillua në zemër të Dardanisë së lashtë, e jo në tokat e Gjuragj Brankoviqit, siç thuhet zakonisht në literaturën historiografike, dhe se përmes kësaj ngjarjeje ndërkombëtare mund të kuptohet qartë roli që kishin shqiptarët, me në krye Skënderbeun, në Evropë.

Janosh Huniadi, që nga vitit 1446 mëkëmbës perandorak i Hungarisë në vend të Ladislav Posthumsit të mitur, nuk e harroi turpin që e përjetoi afër Varnës (1444) dhe vazhdimisht mendonte të hakmerrej.

Në vitin 1448 Huniadi ishte në pozitë që edhe njëherë t’i sulmonte osmanët. Synimet e tij nuk ishin aq ambicioze siç qenë ato gjatë fushatës së Varnës (1444). Mirëpo, kësaj radhe synimet e tij ishin që të bashkohej me Skënderbeun, e më pastaj të pushtojë Maqedoninë dhe Serbinë Jugore.

Skënderbeu që i vetmi që iu përgjigj ushtarakisht kësaj ftese të Huniadit për fushatë kundër osmanëve. Se vërtetë Skënderbeu kishte planifikuar t’i ndihmonte Huniadit në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 dëshmojnë një mori burimesh të kohës.

Sipas dokumenteve venedikase, më 4 tetor të vitit 1448, nën muret e Lezhës, Skënderbeu bëri paqe me Republikën e Venedikut, duke kërkuar, pos tjerash, edhe që në afat prej 15 ditësh Republika t’ia paguante një provizion prej 1400 dukatesh, me arsyetim se kishte dëshirë t’i ndihmonte Huniadit.

Për këtë qëllim Skënderbeu kishte kërkuar ndihmë edhe nga Raguza. Mirëpo, edhe pse një vit më parë Senati raguzan i kishte dhënë Skënderbeut 500 litra barute si ndihmë, kësaj radhe ai u refuzua.

Kur është fjala për aleatët e tjerë të Huniadit duhet thënë se Despoti serb, refuzoi çdo ndihmë me arsyetim se ushtria e krishterë do të jetë tepër e dobët që të mund të arrinte çka do qoftë kundër ushtrisë së Muratit II. Halkokondili, por edhe shumë burime tjera bashkëkohore, pohon madje: “Në kohën kur (Murati II) donte të sulmonte me të gjitha forcat (Sfetigradin), për të dytën herë arriti prej Gjuragjit, prijësit të tribalëve lajmi se Jani (Janosh Huniadi), mbasi kishte grumbulluar peonët, kaloi Istrin (Danubin) dhe po marshonte kundër tij (sulltanit)…”.

Venediku, përfundimisht i kënaqur që bëri marrëveshje të frytshme me sulltanin, që i siguronte tregti të papenguar nëpër Levant, gjithashtu nuk donte të lëshohej në plane të tilla. As Alfonsi, mbret i Aragonës, sundimtari i Napolit dhe i Sicilisë, aspak nuk ishte i gatshëm të hynte në aventurën luftarake me rezultate të pasigurta. Janosh Huniadi më kot i qe drejtuar edhe papës Nikollës V, i cili në shkurt të vitit 1447, si pasardhës i Eugjenit IV, mori Selinë e Shën Pjetrit. Kurse Republika e Raguzës, e ndihmoi kryqëzatën vetëm me të holla.

Për këtë ndërmarrje ushtarake Huniadi grumbulloi ushtrinë buzë Danubit. Bërthama e ushtrisë së tij ishte nga Transilvania dhe kishte vetëm një kontingjent hungarez me në krye Frankon nga Talovak, Ban i Dalmacisë dhe Kroacisë dhe me dhëndrin e tij, Mihail Silagy /Micheal Szilagyi/ dhe Janosh Sikej /Szekely/. Ushtria e Huniadit marshoi nëpër Serbi, duke bërë një përparim të shpejtë. Me Serbinë Huniadi sillej si me një vend armiqësor. Rreziku i afërt që e shkaktonte armiku e kishte nxitur Huniadin që në fund të kalonte në marshe të gjata, të mundimshme, të cilat për nja njëzet ditë e sollën në fushën e famshme kosovare, në Fushën e Kosovës, ku më 17 tetor para syve të osmanëve, tërhiqet në kampin e fortifikuar.

Në Fushën e Kosovës Huniadi ndaloi ushtrinë që të çlodhej nga ai rrugëtim i gjatë, por gjithashtu edhe priste marshimin e Skënderbeut.

Forcat e Huniadit u befasuan me ushtrinë e Muratit II, i cili marshonte drejt Fushës së Kosovës në Veri. Kjo ishte një befasi jo e mirëseardhur, aq më tepër për Huniadin. Ai tani ishte para një vendim të vështirë, të tërhiqej në brendi të Serbisë, drejt Hungarisë dhe të përballej me sulmet e mundshme kundër ushtrisë së tij gjatë tërheqjes apo të qëndronte dhe të luftonte, megjithëse nuk ishte një pozicion i mirë nga mund të luftonte dhe gjithashtu Fusha e Kosovës ishte pak studiuar nga Huniadi e oficerët e tij. Në këto rrethana, hapi i parë i tij ishte dërgimi i shumë kalorësve drejt Prishtinës që ta bllokonin hyrjen e saj. Ata ishin të suksesshëm, megjithëse ndeshjet e tyre me osmanët përshkruhen si të përgjakshme. Në fund të ditës e gjithë ushtria osmane ishte pozicionuar në pjesën veriore të lumit Llab. Distanca mes dy kampeve ishte diku 4-5 kilometra.

Gjatë rivistës që sulltani ua bëri trupave, kuptohet sipas burimeve osmane, aty gjendeshin 50.000-60.000 ushtarë. Kronistët oksidentalë i çmojnë forcat e tyre, duke e tepruar si zakonisht, madje në 150 mijë njerëz, pra trefish më tepër. Në suitën e sulltanit gjendej edhe Mehmet Çelebiu (Mehmet Pushtuesi)

Ushtria e Huniadit numëronte një legjion prej 24.000 deri 30.000 vetash. Duke përfshirë në këtë total edhe forcat e vllehve që shkonin diku në rreth 10. 000 ushtarë. Këto forca udhëhiqeshin nga princi Dan i Vllahisë. Forcat e tjera të Huniadit ishin të përziera nga këmbësoria dhe kalorësia. 2000 deri 3000 pjesëtarë të artilerisë përmenden në burime si gjermanë, ashtu si edhe këmbësoria nga Transilvania.

Kur është fjala për pjesëmarrjen e shqiptarëve në në këtë ekspeditë, është me interes të veçantë letra e Pasqualis Junii de Sorgo, e datës 5. 9. 1448, nga e cila del se në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 morën pjesë edhe shqiptarët.

Trupa osmane ishin pozicionuar përballë bregut jugor të lumit Llab, krahu i tyre i djathtë pushonte përgjatë lumit Sitnica. Trupat e Rumelisë ishin pozicionuar në krahun e majtë, në qendër dhe në anën e djathtë. Të dy krahët përmbaheshin plotësisht nga kalorësia, nga dy linja të spahinjve me shumë radhë të akinxhinjve qitës si dhe prej kalorësisë së lehtë që përbëhej prej rekrutëve. Në qendër ishte edhe këmbësoria në tri linja. Linja e fundit përbëhej nga jeniçerët, ku ishte edhe vetë sulltani, linja e dytë ishte artileria. Për rreth jeniçerëve dhe artilerisë ishte një llogore defensive dhe përqark kësaj në të tri anët ishte linja e parë e këmbësorisë e përbërë nga rekrutët asabë.

Huniadi e kishte vendosur kampin e tij në kodër nga mbikëqyrej e gjithë toka përreth tij. Linja e parë, në qendër, përfshinte kalorësinë e rëndë dhe në të dy krahët mbulohej nga kalorësia e lehtë. Ai personalisht komandonte qendrën e linjës së dytë e cila përbëhej nga trupat mbretërore, mercenarët dhe nga ca flamurtarë nga Transilvania.

Pas kësaj, Huniadi kishte pritur repartet e Skënderbeut. Mirëpo, Murati II, i cili ishte i informuar, nga Gjuragj Brankoviqi për të gjitha këto, e sulmoi Huniadin dhe e detyroi të hynte në luftë para kohe.

Kështu, forcat shqiptare me në krye Skënderbeun, ishin ende në rrugë kur filloi Lufta e Dytë në Fushën e Kosovës (17-19 tetor 1448). Kronistët osmanë shkruajnë se në ditën e parë të krishterët u kishin shkaktuar humbje të mëdha osmanëve. Në përleshjet e para Muratin II e kishte shpëtuar vetëm superioriteti i ushtrisë së tij.

Luftimet më 18 tetor 1448

Burimet që flasin për luftimet e mbrëmjes së ditës së parë janë të pakta. Halkokondili konstaton se hungarezët ishin vërsulur gjatë natës drejt kampit osman, por ishin zmbrapsur nga jeniçerët.

Luftimet e 19 tetorit 1448

Renditja e ushtrisë osmane, i ngjante asaj të ditës paraprake. Përveç se kalorësia nga Thesalia ishte zhvendosur nga kontingjenti i Rumelisë dhe ishte përqendruar ijëve, përreth ushtrisë hungareze. Huniadi gjithashtu përforcoi krahun e majtë me Janosh Sikej /Szekelyin/ dhe njerëzit e tij, i cili më parë kishte qenë i vendosur në qendër dhe e përforcoi këtë krah edhe me forcat rezervë të kalorësisë. Huniadi shumicën e këmbësorisë e kishte përqendruar në qendër dhe shoqëroheshin nga shumica e trupave mobile të artilerisë

Luftimet më 19 tetor 1448

Osmanët filluan sulmet përmes kalorësisë nga Anadolli. Ata u ndeshën me hungarezët në krahun e djathtë. Ana e dobësuar e majtë e osmanëve filloi të përleshej me hungarezët me në krye Loshoncin /Losonczin/, i cili ishte nën presion dhe kishte vështirësi të mëdha që t`i parandalonte osmanët që kishin synim të kalonin prapa linjave hungareze. Në këto rrethana Huniadi me të dy krahët e ushtrisë së tij u drejtua qendrës kundër këmbësorisë osmane. Asabët u shtynë tutje nga zjarri i artilerisë dhe nga sulmet e këmbësorisë. Artileria osmane dhe jeniçerët mundën ta ndalonin përparimin e këmbësorisë hungareze. Sidoqoftë, kalorësia hungareze, e udhëhequr personalisht nga Huniadi, depërtoi drejt vijave – radhëve të jeniçerëve.

Në një situatë mjaftë të vështirë, sulltani kishte urdhëruar komandantin kryesor të kampit të bagazhit-transportit, Sinan beun që të përforcojë qendrën me gardën e kampit. Këto forca ishin të mjaftueshme që t’i stabilizonin linjat osmane të luftës dhe që t`u mundësojnë jeniçerëve që të rimarrin veten. Pas këtyre luftimeve Huniadi tërhoqi forcat e qendrës prapa duke i kthyer ato në pozitat e mëparshme.

Në këtë situatë të vështirë, trupat hungareze në anën e djathtë ishin nën presion, kurse ana e majtë ishte në pamundësi që të ecte përpara kundër qitëseve osmanë. Në këto rrethana Turhani dhe kalorësia e Thesalisë arritën prapa shpinës së hungarezëve në krahun e majtë. Në pamundësi manovrimi dhe që t`i ikej këtij sulmi dhe rreziku Dani me vllehtë e tij ishin dërrmuar keqas dhe ishin detyruar që të dorëzoheshin. Anadollasit filluan që t`i shkatërrojnë ijët e trupave hungareze. Në këto rrethana Huniadi kishte urdhëruar që të tërhiqeshin drejt kampit. Qendra hungareze dhe krahu i majtë arritën të tërhiqeshin në kamp pa shumë humbje, porse krahu i djathtë ishte asgjësuar, kurse vetë Skej /Szekeli/ ishte vrarë gjatë luftimeve.

Rrjedhoja e luftimeve

Fatkeqësisht pas tre luftimesh Huniadi vendosi që të tërhiqej në orët e hershme të mëngjesit. Në tërheqje e sipër nëpër Serbi, drejt Danubit, Huniadi ishte zënë rob nga Gjuragj Brankoviqi. Sipas dëshmive të Giacomo di Luccarit, Gjuragji me këtë rast kishte urdhëruar që Huniadi të mbytej në lumin Resava dhe vetëm pas ndërhyrjes së Pasqual Sorgos, që atëbotë ishte çeonik i despotit dhe ambasadorit Damiano Giorgi, ky kishte mbetur gjallë. U lirua kah fundi i vitit, pas nënshkrimit të marrëveshjes mjaft të pakënaqshme, të cilën natyrisht papa e kishte shpallur të pavlefshme dhe ishte kthyer në Segedin.

Lajmin për disfatën e ushtrisë hungareze Skënderbeu e kishte marrë vesh në kohën kur ishte duke shpërthyer, me forcën e armëve, kufirin e Misisë, meqë Gjuragj Brankoviqi i kishte mbyllur të gjitha rrugët dhe shtigjet, me të vetmin qëllim që ta pamundësonte bashkimin e këtyre forcave me ato të Huniadit, në frontin e përbashkët kundër “dhëndrit” të tij -Muratit II.

Prandaj, për të mos mbetur pa u dënuar për këtë krim, siç shkruan Barleti, Skënderbeu i kishte sulmuar viset që i sundonte Gjuragji dhe kishte shkretuar një pjesë të tyre. Gjatë kohës kur kthehej për në Krujë ishte takuar me hungarezët dhe polakët e mbetur gjallë pas asaj kërdie dhe me këtë rast i kishte ndihmuar jo vetëm më të holla dhe ushqime për disa ditë me radhë, por ua kishte siguruar edhe anijet për të shkuar së pari në Raguzë e prej këndej për në Hungari.

Sipas Fran Babingerit 17000 njerëz të ushtrisë së Huniadit qenë vrarë, në mesin e të cilëve edhe lulja e bujarisë hungareze. Kurse humbjet osmane, po sipas këtij autori ishin dyfish më të mëdha. Pas përfundimit të kësaj lufte, sulltani kishte urdhëruar që nga ushtarët e rënë në këtë fushëbetejë të varrosen vetëm më të merituarit, ndërsa kufomat e ushtarëve të rëndomtë të mblidheshin në grumbull e të hidheshin në Sitnicë, e cila nga ky veprim ishte ndotur aq shumë, sa një kohë të gjatë pas kësaj as peshku nga ky lum nuk ka mundur të hahet. Disfata e Varnës dhe kjo në Fushën e Kosovës i hodhën hije të zezë lavdisë ushtarake të Janosh Huniadit.

Nga sa u tha më lart, me gjithë përgatitjet për këtë luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare në krye me Skënderbeun nuk arritën të merrnin pjesë në luftë. Rrjedhimisht trupat e Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në luftën që u zhvillua më 17-19 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.

Pra, veç përgatitjeve dhe gatishmërisë së Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të luftës në fjalë, përgjithësisht shkrimtarët, historianët unanimisht e zënë në gojë vonimin e shqiptarëve me Skënderbeun në krye për t`u bashkuar me trupat hungareze. Si shkak i “vonimit” të kryetrimit shqiptar në këtë ngjarje ndërkombëtare, për ta ndihmuar aleatin tij, konsiderohet pothuajse unanimisht se Skënderbeu qe i penguar prej despotit serb Gjuragj Brankoviqit, aleat i dhëndrit, pra Muratit II, i cili i mbylli Skënderbeut të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte. Një pjesë e madhe e burimeve të kohës, duke arsyetuar “vonesën” e Skënderbeut në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448, nxorën në shesh edhe pashkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur ta pranonte luftën para ardhjes së Skënderbeut në Fushën e Kosovës, gjë që u mirëprit nga Murati II, i cili duke u druajtur veçanërisht përfshirjes së shqiptarëve, mezi priste të hynte në Luftë.

Ky konstatimi i cili është i pranishëm edhe në historiografinë shqiptare, mendoj se nuk qëndron. Në marrëveshjen mes “Lidhjes Shqiptare” dhe Venedikut, të datës 4 tetor 1448, pos tjerash, del edhe ky fakti i rëndësishëm, se Skënderbeu kërkoi 1400 dukate, në aftat prej 15 ditësh, për t`iu bashkuar ekspeditës kundër Perandorisë Osmane. Po të kemi parasysh datën 4 tetor dhe 15 ditët e ardhshme të afatit për marrjen e kësaj shume nga Republika e Shën Markut, del qartë se Skënderbeu me të deleguarin e Huniadit, për të cilin informon Halkokondili, ishte marrë vesh që kjo luftë të fillonte me siguri diku pas datës 19 tetor, e jo siç ndodhi më 17-19 tetor 1448. Pra, të gjitha meritat për disfatën e Huniadit, i takojnë tradhtisë së Gjuragj Brankoviqit, e kurrsesi vonesës së Skënderbeut. Sepse në kohën kur Huniadi priste në Fushën e Kosovës repartet e Skënderbeut, Murati II, i cili ishte informuar për të gjitha këto nga miku i shtëpisë – Gjuragjit, e kishte detyruar Huniadin të hynte në luftë para kohe.

Përfundim

Për dallim nga e ashtuquajturën – e imagjinuar Beteja e Kosovës (1389) që është mbështjellur me vellon e mitit serb, me të vetmin qëllim që përmes kësaj ngjarjeje të “dëshmohet” para botës se para ardhjes së osmanëve në Ballkan Kosova ishte tokë serbe, Lufta e Kosovës e vitit 1448, nga sa u tha lartë, është një ngjarje e vërtetë historike, për të cilën dëshmojnë shumë dokumente.

Prandaj, në nderim të dhjetëra mijëra ushtarëve të vrarë, hungarezë, shqiptarë, vllehë kam apeluar qysh në vitin 2009 që pikërisht në atë vend ku ka ndodhur Lufta e Dytë e Kosovës, ngjarje kjo e karakterit ndërkombëtar, të ngritët një monument madhështor. Si ide ky monument duhet të kishte një bazament prej 14 metrash dhe një lartësi pre 48 metrash qe do te simbolizonte vitin 1448 kur edhe ndodhi kjo luftë..

Thonë e treta e vërteta. Për herë të parë e kam ngritur këtë çështje në vitin 2009 me një rast kur isha mysafir në RTK në programin kulturo-artistik që e udhëhiqte Mustafë Ferizi, herën e dytë e kam ngritur vitin 2014 në Konferencën ndërkombëtare që u mbajt në Budapest me temën Albanians and Hungarians: Historical smilarties and differences in Centuries, ku edhe kam lexuar kumtesën që lidhej pikërisht me Luftën e Dytë të Kosovës dhe më datë 25.03.2019 ju kam drejtuar Kryetarit te Komunës z. Xhafer Gashit me Kërkesë për të ndarjen një parcelë toke prej 25-30 ari në Mazgit, ku do të ngritej një obelisk madhështor kushtuar dy gjeneralëve më të mëdhenj të shekullit XV, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Janosh Huniadit, bartësve kryesor të rezistencës kundër osmane në Evropë në shekullin XV. Ky obelisk do të ishte edhe një shenjë nderimi për 17000 të vrarët në Mazgit, në Luftën e Dytë të Kosovës më 17-19 tetor 1448. Fatmirësisht kjo Kërkesë u miratua nga KK i Obiliqit – Kastriot dhe kjo konference shkencore që po e mbajmë sot ne Asamblenë e Kastriotit nuk është e rastësishme, kjo konference i paraprinë gurthemelit te obeliskut qe do te vendoset me 17 tetor te këtij. Faleminderit shume i nderuari kryetar Xhafer Gashi, faleminderit drejtorit te drejtorit Arben Berisha, faleminderit gjithë asamblistëve qe e votuan këtë projekt dhe na shkoftë puna mbare.

Filed Under: Politike

Vatra Miami, një zemër bashkimi për shqiptarët e Floridës së Jugut

August 21, 2024 by s p

Dr. Iris Halili

Kryetare e Vatra Miami/

Vatra Miami ka si mision të saj kryesor të mbledhë rreth vetes çdo bashkëatdhetar që ka emigruar në Floridën e Jugut, nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kjo iniciativë synon të bashkojë të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes gjeografike apo dialektit. Për Vatra Miami, ajo që na bashkon është gjuha, atdhedashuria dhe mbi të gjitha, ndjenjat e përbashkëta shqiptare që na bëjnë të jemi një komb.

Në këtë frymë, Vatra Miami zhvilloi një takim të ngrohtë dhe mbresëlënës me komunitetin e diasporës shqiptare të ardhur nga rajonet e Kosovës dhe me banim në rrethin e Palm Beach-it. Iniciativat paraprake të këtij takimi kanë ardhur falë mikpritjes dhe zemrës së madhe të zonjës së nderuar nga Kosova, Dr. Vlora Sulejmani. Takimi i fundit i zgjeruar u organizua falë punës aktive të zonjës Tina Jakupi, e cila po përpiqet të kontaktojë bashkëatdhetarët biznes në biznes apo kudo ku ata jetojnë apo punojnë në zonën e Palm Beach, ku edhe ajo jeton me familjen. Zonja Jakupi ka lindur në SHBA, por mban shumë të gjalla lidhjet me tokën e të parëve të saj në Gostivar dhe gjithashtu mban të gjalla të gjitha lidhjet me bashkëatdhetarët e saj nga çdo vis i Shqipërisë. Ajo, së bashku me zonjën Sulejmani, tashmë janë bërë anëtare të Vatra Miami dhe po bëjnë një punë shumë dinjitoze në zgjerimin e shoqatës me sa më shumë bashkëatdhetarë.

Mesazhi i Vatra Miami në këtë takim ishte i qartë: Shqipëria e bashkuar fillimisht ekziston në zemrat tona, pastaj në mëndjet tona, dhe më pas në zgjedhjet tona, dhe ja ku jemi të gjithë të bashkuar në tokën ku kemi fatin të jetojmë në vetëm në harmoni. Ne që jetojmë në Floridën Jugore duhet të jemi gjithmonë të gjithë bashkë, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të forcojmë lidhjet mes nesh, t’i bëjmë biznes njeri-tjetrit, dhe vetëm kështu Shqipërinë e bashkuar do ta kemi te Vatra Miami dhe te Klubi Flas Shqip, ku të gjithë flasim shqip sepse jemi shqiptarë, dhe ku portreti i Skënderbeut na nderon dhe na bashkon sipas amanetit të tij të madh se vetëm bashkë mund të fitojmë çdo betejë dhe të jemi më të fuqishëm!

Në takim u diskutua për historinë e Vatra-s, qëllimin e saj kryesor që është ruajtja e gjuhës dhe traditës shqiptare, dhe vlerën e Klubit Flas Shqip, që po mbledh bashkë fëmijët tanë dhe do t’u dhurojë atyre gjuhën e nënës dhe bashkë me të, uratat e saj që tingëllojnë më bukur në gjuhën amtare. Gjatë këtij takimi, zonjat e pranishme nga qytetet e Boynton Beach dhe Lake Worth kërkuan të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e klubit ku mësimi i gjuhës zhvullohet falas. Kjo solli fillimin e punës për hapjen e një klasë tjetër, si rezultat i numrit të madh të nxënësve që u propozuan t’i shtohen Klubit Flas Shqip, që tashmë do të ketë katër klasa me afro 60 fëmijë , një arritje kjo e madhe në një periue tdhë kohe vetëm disa mujore. Në takim morri fjalën edhe mësuesja vullnetare e klasës së qytetit West Palm Beach, zonja Liljana Rrumbullaku , e cila ndër të tjera theksoi vullnetin e saj të mirë për ti shërbyer komunitetit pas mëse 20 vitesh pune si mësuese në Tiranë dhe SHBA. Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip falënderojnë të gjitha zonjat pjesëmarrëse për kohën, dashamirësinë e treguar.

Ky takim do të pasohet me një seri takimesh në qytete të tjera të Floridës së Jugut. Në kohën e emigracionit të madh drejt SHBA-së, si dhe migrimit brenda territorit të SHBA-së, është shumë e rëndësishme që çdo degë e Vatrës të njihet me numrin dhe popullsinë e bashkëatdhetarëve në zonën ku ajo vepron. Pikërisht për këtë, Vatra Miami ka si qëllim kryerjen e një censusi për njohjen e shqipfolësve në zonën e saj dhe inkurajon të gjitha degët e tjera të përpiqen të plotësojnë sa më mirë këtë database, si dhe të përpiqemi të përcjellim thelbin e krijimit dhe mbijetesës 113-vjeçare të Vatra-s që është sa i thjeshtë në dukje por që shpesh bëhet shumë i vështirë në realitet: të duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin se jemi shqiptarë dhe flasim një gjuhë nuk ka rëndësi nga vijmë. Vetëm kështu do i ruajmë të gjalla vlerat kombëtare dhe do mund të jemi më të aftë të ndihmojmë fatet e vëllezërve tanë përtej oqeanit ! Modeli i bashkimit kombëtar fillon nga ne! Ai më shumë se gjeografik është dhe mbetet shpirtëror!

Filed Under: Politike

PËRGËNJËSHTRIM NGA VATRA!

August 16, 2024 by s p

New York, 16 Gusht 2024 /

Federata   Pan-Shqiptare   e   Amerikës “Vatra” përgënjeshtron një dizinformim të qëllimshëm, të vazhdueshëm, përçarës e dashakeq, të shpërndarë nga z. Mal Berisha në median e tij sociale.  

Sqarojmë opinionin publik dhe mediat e interesuara, se znj. Nazo Veliu jo vetëm që nuk është më Sekretare e Federatës ‘Vatra’, por prej një viti ajo është përjashtuar unanimisht nga Vatra, për shkelje të vazhdueshme të kanunores dhe ligjeve të SHBA-ve dhe aktualisht ndodhet në proces penal në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, përmes të cilës znj. Nazo Veliu së bashku me disa individë të tjerë jo anëtarë të ‘Vatrës’ ju është ndaluar pjesëmarrja e përfaqësimi, për të cilat gjykata ka marrë vendim që të jenë të përjashtuar nga të gjitha aktivitetet, funksionet dhe në të njëjtën kohë të qëndrojnë larg selisë të ‘Vatrës’ në Bronx, New York.

Ndërkohë sqarojmë opinionin publik se z. Mal Berisha për të disatën herë gënjen dhe keqinformon opinionin publik. Si antar i “Nderit të Vatrës” atij nuk i lejohet të keqinformojë, ndërkohë që është i informuar për masat e marra nga Kryesia dhe Këshilli i ‘Vatrës’ në mbledhjen e datës 17 Mars 2024 në Boston, masa të cilat janë publikuar në media dhe në të gjitha degët e ‘Vatrës’ në SHBA dhe në Kanada. 

Faderata ‘Vatra’ i bën thirrje Mal Berishës dhe individëve të tjerë keqdashës, të cilët kanë bashkëpunuar me ne dhe pretendojnë se flasin në emër të ‘Vatrës’ pa status dhe autorizimin e kryesisë, të ndalojnë menjëherë keqinformimet, përhapjen e lajmeve të rreme, të ndalojnë përçarjen dhe frymëzimin e disa vatranëve dhe të ish-vatranëve të cilët janë gjetur fajtorë për shkak të akteve vandale, fyerjeve, shkeljen e vazhdueshme të rregullave të kanunores dhe veprimeve të tjera antiligjore.

Federata ‘Vatra’ i tërheq vëmendjen Mal Berishës të qëndrojë në nivelit e anëtarit të nderit, të personit të cilin ‘Vatra’ e ka vlerësuar e nderuar dhe jo të vazhdojë të mundohet të përçajë komunitetin shqiptar në New York se do të dështojë me turp. 

Vatra është aset kombëtar dhe e shenjtë.

Rroftë Vatra

Rroftë Kombi Shqiptar. 

Filed Under: Politike

HASAN DOSTI, IN MEMORIAM…

August 16, 2024 by s p

Idriz Lamaj*/

Më 1896, në katundin Kardhiq, në zemër të Labërisë, lindi Hasan Dosti, kryetari i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Rrjedh nga një familje emri i së cilës ka qenë lidhur gjithmonë me lëvizjet kombëtare. Me 1912 Hasan Dosti ishte në Janinë me shumë bashkatdhetarë të tjerë për të vazhduar studimet në gjimnazin e atjeshëm. Pikërisht në këtë qytet Hasan Dosti ndjenë më shumë se asnjë herë dashurinë për atdhe dhe adhurimin e pafund për të. Për përhapjen e idesë kombëtare Hasan Dosti ndodhet në lidhje të ngushtë me heronjët e vendit të tij, Çerçiz Topullin me shokë.

Në mbarim të luftës së madhe të 1914-tës, mbas largimit të trupave të okupacionit, e gjëjmë Hasan Dostin kryesekretar të Prefekturës së Gjirokastrës. I dhënë mbas studimeve, me sakrifica të mëdha, Hasan Dosti me 1922 shkon për të vazhduar shkollën në Paris, ku me 1925 diplomohet në shkenca politike. I paisur me një vullnet të hekurt, ai vazhdon studimet dhe me 1927 merr titullin Doktor në Drejtësi në Fakultetin e Parisit Sorbonë, gradë univeristare e çmuar dhe lakmuar nga gjithë bota.

Karriera e Hasan Dostit si njeri i ligjit, është nga më të shkelqyeshmet. Ushtron profesionin e lirë si avokat në Gjirokastër, dhe një vit më vonë, emërohet më 1929 gjykatës në Berat. Po në atë vit, mbas tetë muajve, emërohet ndihmës gjykatës i diktimit në Tiranë. Më 1937 e gjëjmë përsëri gjykatës në Berat dhe me 1938 kryetar i gjyqit të shkallës së parë në Korçë. Njohuritë e thella të Hasan Dostit në lëmën ligjore çmohen prej të gjithëve dhe më 1939, emërohet në një nga vendet më të larta të magjistraturës së Shqipërisë, si Anëtar i Gjykatës së Diktimit, detyrë që e mban deri me 1942 kur bëhet kryetar i asaj gjykate të lartë në degën penale. Në gushtin e vitit 1943, në Kongresin e Mukajt, Hasan Dosti zgjidhet si kryetar dhe marrëveshja që u arrit në mes të Nacionalçlirimatres, Ballit Kombëtar e Legalitetit i detyrohet përpjekjeve të vazhdueshme të Hasan Dostit. Dihet që marrëveshja u prish nga komunistët mbas pak ditësh.

Hasan Dostit nuk i mungoi kurrë detyrës së tij patriotike. E gjejmë në të gjitha lëvizjet politike nga dashuria e madhe për liri. Menjëherë mbas pushtimit të Shqipërisë nga forcat e armatosura italiane, Hasan Dosti është nga të partë që gjëndet krah Lumo Skendos, Mitat Frashërit, themeluesit të Ballit Kombëtar. Dhe mbeti gjithmon pranë tij si antar i Komitetit Qëndror. Me vdekjen e tij shokët e zgjedhin si kryetar të Ballit Kombëtar dhe unanimisht u zgjodh nga Ekzekutivi Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e lirë”.

Prej natyrës i ëmbël dhe i qetë, Hasan Dosti mbetet i papërkulshëm kur ndodhen në mes interesat e larta të atdheut. Nga karriera e tij e gjatë si njeri i ligjit, trashëgon një kuptim të gjërë maturie dhe pjekurie. Hasan Dosti është i zoti të bisedojë dhe të zgjidhë çdo problem sado i rëndë me një gjakftohësi dhe arsyetim të jashtëzakonshëm. Në jetën e tij të thjeshtë e shohim shpeshherë të veshur pa kujdes, gadi sikur të donte të mbetet i padukshëm, por me sjelljet e tija fisnike dhe bisedimin e ëmbël shkëlqen kudo.

Gjithashtu profesioni i tij si gjykatës i ka lënë një kujdesje të jashtëzakonshme. Përpara se të japi një vendim ose edhe një gjykim të thjeshtë, Hasan Dosti do të peshojë mirë dhe thellë të gjitha argumentat e problemit të parashturuar. Ka një kujdes të madh të mos zemrojë asnjeri; nuk di të fyej kurrë dhe ka një respekt mistik për lirinë individuale. Eshtë i përgaditur intelektualisht për çdo bisedim, qoftë politik, qoftë shoqëror, qoftë shkencor. Fjala e tij dhe mendimi i tij vlejnë për të gjithë shqiptarët dhe respektohet prej të gjithëve.

*(Biografi e botuar në gazetën ” Shqipëria “, 30 shtator, 1951. Marrë nga libri i autorit: “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë”)

Filed Under: Politike

KOLË IDROMENO, GJENIU DHE HUMANISTI RILINDAS NGA PARGA

August 15, 2024 by s p

Arben Iliazi

05 Self-portrait, 1931
(National Art Gallery, Tirana)

Kolë Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër dhe vdiq më 12 dhjetor 1939. Familja e tij, ishte një nga familjet më të njohura të Pargës në Çamëri, prej ku u larguan në kohën e Ali Pashë Tepelenës, për t’u vendosur në Korfuz në pranverën e vitit 1819. Në Korfuz gjetën strehim edhe familje të tjera shqiptare nga Suli. Nga familja e Idromenove, në shek XIX-të janë shquar intelektualët Andrea Idromeno dhe Mihail Idromeno. I pari Doktor ne teologji dhe profesor ne Korfuz dhe i dyti Doktor në drejtësi. Këta ishin gjyshi dhe xhaxhai i Kol Idromenos (AQSH, Fondi 71, Dosja nr 13, Dok. nr 1).

Andrea Idromeno kur ishte mësues në Korfuz, përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e ”Ungjillit sipas Matheut” dhe ”Dhjatës së Re” në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pjesmarrja e Andrea Idromenos në përkthimin e këtyre dy veprave në gjuhën shqipe, me të folmen e camërishtes, tregon atdhedashurinë e tij dhe dëshirën e madhe për të kultivuar gjuhën amtare.

Në Korfuz Andrea Idromeno ka mbledhur nga historitë e mërgimtarëve shqiptarë të Pargës dhe të Sulit dhe me këto të dhëna ka përgatitur një vepër historike. Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, të atin e Kolës, që kishte lindur në Korfuz. Arsen Idromeno, babi i piktorit te shquar Kol Idromeno, në vitin 1856 u shpërngul përgjithmonë në Shkodër. Ai filloi të punojë si inxhinjer e projektues.

Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër.

Kolë Idromeno është figura më e kompletuar e më multidisiplinare në artin shqiptar. Ai ishte piktor, arkitekt, urbanist (projektues i Shkodrës), fotograf (nxënës i Pjetër Marubit), skenograf, siparist, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe fillimtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. 

Në moshën 15-vjeçare në vitin 1875, filloi studimet për pikturë në Venecia të Italisë, ku njihet nga afër me veprat e rilindasve si Civeli, Montegnas, Gentili, etj. Aty vazhdoi mësimet vetëm për dy vjet. Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, po e tërhiqte edhe fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. Duke parë aftësitë e të birit në lëmë të fotografisë, Arsen Idromeno, vendosi të hapi edhe ai bashkë me të birin një atelie fotografike. Punën në të e drejtonte dhe e përballonte vet Kola i cili shfaqi pasion dhe zell të madh si artist dhe teknolog në proçeset e fotografimit. Gjatë punës si fotograf, Kola, bën lidhje miqësore me shumë njerëz të të gjitha shtresave, duke u bërë kësisoj njeri i njohur në qytet. Gjatë 1871-1874 i përkushtohet veprave të para në akuarel, “Portreti i mësuesit”, “E vorfna”, “Baresha”, etj. 

Një nga veprat më të dalluara të Kolë Idromenos është “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në këtë pikturë ai kujton largimin e parardhësve të tij nga Parga drejt Himarës. Në këtë vepër Idromeno përjetëson në art trimat luftëtarë të Pargës dhe të mbarë Çamërisë. Pas vizatimeve dhe akuareleve të para Idromeno, kur ishte vetëm 23 vjeç, 2 shkurt 1883, punoi portretin e të motrës që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, ”Motrën Tone” , e quajtur edhe “Mona Liza” e Shqipërisë. Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar, ose portreti i parë madhor i pikturës shqiptare, siç e cilëson studiuesi Mikel Prenushi.

Më 1898 piktori u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest. Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Në këtë periudhë kemi “Bardhejt” e “Lugu i kaçakeve”. Me këto vepra shpreh dashurinë për natyrën. Vepra të tjera janë “Dy rrugët” dhe “Fajda”, “Kur hin dreqi mrena”. Në 1898 merr pjesë në një ekspozitë në Budapest dhe në 1923 në ekspozitën e pikturës në Shkodër. Në 1924 mbaron pikturën “Darsma Shkodrane”, ku tregon me realizëm të veçantë lumturinë e vashës që po martohet.

Në periudhën 1924-1937 vjen “Zezaku i Beldijes”. Me këtë vepër autori shpreh simpatinë për njerëzit me ngjyrë. Një vepër tjetër është “Autoportreti”, “Portret i një fshatari”, “Bariu”, “Fytyrë fshatari”.

Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postribës”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Më 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit për të  kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë  dhe dhënien e Camërisë  mbretërisë  greke; pra për Idromenon nuk diskutohet vetëm në rrafshin artistik. Ai qe një përfaqësues i shquar i Rilindjes Kombëtare, patriot i madh që aspironte pavarësinë e Shqipërisë. E gjithë veprimtaria e Idromenove tregon jo vetëm shqiptarinë e tyre, por edhe qëndrimin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Veprat e Kolë Idromenos janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939).

Kolë Idromeno, Mjeshtri poliedrik i artit shqiptar, konsiderohet si babai i pikturës së parë realiste shqiptare, me një stil krejtësisht të veçantë dhe virtuoz. Realizimi i tij evidentohet fuqishëm në vështrimin stilistik. Ai krijoi dhe konsolidoi stilin e tij vetjak, që shpaloset nga vepra në vepër me një ekuilibër koloristik dhe kompozicional, me mjete artistike të kursyera, me një ngrohtësi shpirtërore dhe dashuri për njeriun. Arti i tij vendosi për herë të parë në qendër të krijimit ralizmin humanist shqiptar.

Kolë Idromeno i dha historisë së artit dhe bashkë me të historisë së shoqërisë shqiptare, jo vetëm mjeshtërinë e madhe të krijimit, teknikave, zhanreve të reja, por edhe filozofinë e madhe të artit të ri, duke përcollë mesazhe të rëndësishme për gjeneratat që do të vinin. Idromeno ishte mjeshtër i peizazheve, po aq sa mjeshtër i tablove kompozicionale dhe portreteve.

Në realizimin e portretit i përdor penelatat në mënyrë të zhdërvjellët, duke krijuar një harmoni perfekte të ngjyrave, Idromeno, duke i portretizuar subjektet e tij me gjallëri dhe spontanitet të rrallë, me koloritin e tij të veçantë, duke kapur lehtë butësinë, buzëqeshjen, pa qenë kurrë i detyruar të paraqesë pozicione të sforcuara apo të trishtuara.  

Te punimet e tij si “Portret i Skënderbeut”, “Bardhaj”, “Lugu i kusarëve”, “Portret burri”, “Portret i Marubit” etj. piktori e ka përqëndruar dritën në portretin e figurës, i cili realizohet me një kolorit delikat, me kalime sfumature nga drita në hije dhe me realizim shumë të kujdesshëm të tipareve e detajeve të portretit. Portretet e tij, për nga racionaliteti, harmonia, çiltërsia, idealizmi, ekuilibri, moderimi, bukuria dhe madhështia, janë një miksim  i shkëlqyer i realizmit me ato të teknikave impresioniste.

Idromeno orientohet kryekëput drejt lirisë së plotë që i ofronte Impresionizmi, i ndjeshëm ndaj ngjyrave të veshjeve dhe peizazhit. Pra Kolë Idromeno ishte një mjeshtër madh i penelit midis realizmit, impresionizmit dhe imagjinatës, duke mbetur i pakrahasueshën në stilin e tij.

Në historinë e pikturës shqiptare të traditës, do të spikati përjetësisht emri i Kolë Idromenos, këtij gjeniu të papërsëritshëm të piktures me rrënjë nga Camëria, që ka lënë gjurmë të pashlyera në artin shqiptar. Veprat e tij, tablotë, portretet, peizazhet, si “Motra Tone”, “Dasma shkodrane”, “Dy rrugët”, “Shkrepi i Ulqinit”, “Portret fshatareje”, “Plaku i Postribës”, etj. do të mbeten “gurë të çmuar” në historinë e pikturës shqiptare  të traditës.

Motra Tone- fotot Galeria e Arteve
Picture
06 Portrait of a Man Wearing a Hat, 1931
(Fico collection)
09 Portrait of a Man
(National Art Gallery, Tirana)
Photo Gallery: Exhibition “Kolë ...
Picture
Picture
Picture
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
2.Kole Idromeno | Art shkodran

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT