Prof. dr. Lulëzim Lajçi/
Ndër ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të shekullit XV, pa dyshim, radhitet edhe Lufta II e Kosovës (1448). Kjo ngjarje historike tërhoqi vëmendjen e shumë kronistëve, historianëve dhe njëherësh la gjurmë në shumë dokumente të kohës. Këto burime të dorës së parë, në kohën më të re, u studiuan nga historianë të shumtë shqiptarë dhe të huaj, e në studimet e tyre u hodh dritë për këtë ngjarje që ka një rëndësi jo vetëm për historinë tonë kombëtare, por edhe më gjerë. Rëndësia e kësaj lufte për historinë e popullit shqiptar është se u zhvillua në zemër të Dardanisë së lashtë, e jo në tokat e Gjuragj Brankoviqit, siç thuhet zakonisht në literaturën historiografike, dhe se përmes kësaj ngjarjeje ndërkombëtare mund të kuptohet qartë roli që kishin shqiptarët, me në krye Skënderbeun, në Evropë.
Janosh Huniadi, që nga vitit 1446 mëkëmbës perandorak i Hungarisë në vend të Ladislav Posthumsit të mitur, nuk e harroi turpin që e përjetoi afër Varnës (1444) dhe vazhdimisht mendonte të hakmerrej.
Në vitin 1448 Huniadi ishte në pozitë që edhe njëherë t’i sulmonte osmanët. Synimet e tij nuk ishin aq ambicioze siç qenë ato gjatë fushatës së Varnës (1444). Mirëpo, kësaj radhe synimet e tij ishin që të bashkohej me Skënderbeun, e më pastaj të pushtojë Maqedoninë dhe Serbinë Jugore.
Skënderbeu që i vetmi që iu përgjigj ushtarakisht kësaj ftese të Huniadit për fushatë kundër osmanëve. Se vërtetë Skënderbeu kishte planifikuar t’i ndihmonte Huniadit në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 dëshmojnë një mori burimesh të kohës.
Sipas dokumenteve venedikase, më 4 tetor të vitit 1448, nën muret e Lezhës, Skënderbeu bëri paqe me Republikën e Venedikut, duke kërkuar, pos tjerash, edhe që në afat prej 15 ditësh Republika t’ia paguante një provizion prej 1400 dukatesh, me arsyetim se kishte dëshirë t’i ndihmonte Huniadit.
Për këtë qëllim Skënderbeu kishte kërkuar ndihmë edhe nga Raguza. Mirëpo, edhe pse një vit më parë Senati raguzan i kishte dhënë Skënderbeut 500 litra barute si ndihmë, kësaj radhe ai u refuzua.
Kur është fjala për aleatët e tjerë të Huniadit duhet thënë se Despoti serb, refuzoi çdo ndihmë me arsyetim se ushtria e krishterë do të jetë tepër e dobët që të mund të arrinte çka do qoftë kundër ushtrisë së Muratit II. Halkokondili, por edhe shumë burime tjera bashkëkohore, pohon madje: “Në kohën kur (Murati II) donte të sulmonte me të gjitha forcat (Sfetigradin), për të dytën herë arriti prej Gjuragjit, prijësit të tribalëve lajmi se Jani (Janosh Huniadi), mbasi kishte grumbulluar peonët, kaloi Istrin (Danubin) dhe po marshonte kundër tij (sulltanit)…”.
Venediku, përfundimisht i kënaqur që bëri marrëveshje të frytshme me sulltanin, që i siguronte tregti të papenguar nëpër Levant, gjithashtu nuk donte të lëshohej në plane të tilla. As Alfonsi, mbret i Aragonës, sundimtari i Napolit dhe i Sicilisë, aspak nuk ishte i gatshëm të hynte në aventurën luftarake me rezultate të pasigurta. Janosh Huniadi më kot i qe drejtuar edhe papës Nikollës V, i cili në shkurt të vitit 1447, si pasardhës i Eugjenit IV, mori Selinë e Shën Pjetrit. Kurse Republika e Raguzës, e ndihmoi kryqëzatën vetëm me të holla.
Për këtë ndërmarrje ushtarake Huniadi grumbulloi ushtrinë buzë Danubit. Bërthama e ushtrisë së tij ishte nga Transilvania dhe kishte vetëm një kontingjent hungarez me në krye Frankon nga Talovak, Ban i Dalmacisë dhe Kroacisë dhe me dhëndrin e tij, Mihail Silagy /Micheal Szilagyi/ dhe Janosh Sikej /Szekely/. Ushtria e Huniadit marshoi nëpër Serbi, duke bërë një përparim të shpejtë. Me Serbinë Huniadi sillej si me një vend armiqësor. Rreziku i afërt që e shkaktonte armiku e kishte nxitur Huniadin që në fund të kalonte në marshe të gjata, të mundimshme, të cilat për nja njëzet ditë e sollën në fushën e famshme kosovare, në Fushën e Kosovës, ku më 17 tetor para syve të osmanëve, tërhiqet në kampin e fortifikuar.
Në Fushën e Kosovës Huniadi ndaloi ushtrinë që të çlodhej nga ai rrugëtim i gjatë, por gjithashtu edhe priste marshimin e Skënderbeut.
Forcat e Huniadit u befasuan me ushtrinë e Muratit II, i cili marshonte drejt Fushës së Kosovës në Veri. Kjo ishte një befasi jo e mirëseardhur, aq më tepër për Huniadin. Ai tani ishte para një vendim të vështirë, të tërhiqej në brendi të Serbisë, drejt Hungarisë dhe të përballej me sulmet e mundshme kundër ushtrisë së tij gjatë tërheqjes apo të qëndronte dhe të luftonte, megjithëse nuk ishte një pozicion i mirë nga mund të luftonte dhe gjithashtu Fusha e Kosovës ishte pak studiuar nga Huniadi e oficerët e tij. Në këto rrethana, hapi i parë i tij ishte dërgimi i shumë kalorësve drejt Prishtinës që ta bllokonin hyrjen e saj. Ata ishin të suksesshëm, megjithëse ndeshjet e tyre me osmanët përshkruhen si të përgjakshme. Në fund të ditës e gjithë ushtria osmane ishte pozicionuar në pjesën veriore të lumit Llab. Distanca mes dy kampeve ishte diku 4-5 kilometra.
Gjatë rivistës që sulltani ua bëri trupave, kuptohet sipas burimeve osmane, aty gjendeshin 50.000-60.000 ushtarë. Kronistët oksidentalë i çmojnë forcat e tyre, duke e tepruar si zakonisht, madje në 150 mijë njerëz, pra trefish më tepër. Në suitën e sulltanit gjendej edhe Mehmet Çelebiu (Mehmet Pushtuesi)
Ushtria e Huniadit numëronte një legjion prej 24.000 deri 30.000 vetash. Duke përfshirë në këtë total edhe forcat e vllehve që shkonin diku në rreth 10. 000 ushtarë. Këto forca udhëhiqeshin nga princi Dan i Vllahisë. Forcat e tjera të Huniadit ishin të përziera nga këmbësoria dhe kalorësia. 2000 deri 3000 pjesëtarë të artilerisë përmenden në burime si gjermanë, ashtu si edhe këmbësoria nga Transilvania.
Kur është fjala për pjesëmarrjen e shqiptarëve në në këtë ekspeditë, është me interes të veçantë letra e Pasqualis Junii de Sorgo, e datës 5. 9. 1448, nga e cila del se në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 morën pjesë edhe shqiptarët.
Trupa osmane ishin pozicionuar përballë bregut jugor të lumit Llab, krahu i tyre i djathtë pushonte përgjatë lumit Sitnica. Trupat e Rumelisë ishin pozicionuar në krahun e majtë, në qendër dhe në anën e djathtë. Të dy krahët përmbaheshin plotësisht nga kalorësia, nga dy linja të spahinjve me shumë radhë të akinxhinjve qitës si dhe prej kalorësisë së lehtë që përbëhej prej rekrutëve. Në qendër ishte edhe këmbësoria në tri linja. Linja e fundit përbëhej nga jeniçerët, ku ishte edhe vetë sulltani, linja e dytë ishte artileria. Për rreth jeniçerëve dhe artilerisë ishte një llogore defensive dhe përqark kësaj në të tri anët ishte linja e parë e këmbësorisë e përbërë nga rekrutët asabë.
Huniadi e kishte vendosur kampin e tij në kodër nga mbikëqyrej e gjithë toka përreth tij. Linja e parë, në qendër, përfshinte kalorësinë e rëndë dhe në të dy krahët mbulohej nga kalorësia e lehtë. Ai personalisht komandonte qendrën e linjës së dytë e cila përbëhej nga trupat mbretërore, mercenarët dhe nga ca flamurtarë nga Transilvania.
Pas kësaj, Huniadi kishte pritur repartet e Skënderbeut. Mirëpo, Murati II, i cili ishte i informuar, nga Gjuragj Brankoviqi për të gjitha këto, e sulmoi Huniadin dhe e detyroi të hynte në luftë para kohe.
Kështu, forcat shqiptare me në krye Skënderbeun, ishin ende në rrugë kur filloi Lufta e Dytë në Fushën e Kosovës (17-19 tetor 1448). Kronistët osmanë shkruajnë se në ditën e parë të krishterët u kishin shkaktuar humbje të mëdha osmanëve. Në përleshjet e para Muratin II e kishte shpëtuar vetëm superioriteti i ushtrisë së tij.
Luftimet më 18 tetor 1448
Burimet që flasin për luftimet e mbrëmjes së ditës së parë janë të pakta. Halkokondili konstaton se hungarezët ishin vërsulur gjatë natës drejt kampit osman, por ishin zmbrapsur nga jeniçerët.
Luftimet e 19 tetorit 1448
Renditja e ushtrisë osmane, i ngjante asaj të ditës paraprake. Përveç se kalorësia nga Thesalia ishte zhvendosur nga kontingjenti i Rumelisë dhe ishte përqendruar ijëve, përreth ushtrisë hungareze. Huniadi gjithashtu përforcoi krahun e majtë me Janosh Sikej /Szekelyin/ dhe njerëzit e tij, i cili më parë kishte qenë i vendosur në qendër dhe e përforcoi këtë krah edhe me forcat rezervë të kalorësisë. Huniadi shumicën e këmbësorisë e kishte përqendruar në qendër dhe shoqëroheshin nga shumica e trupave mobile të artilerisë
Luftimet më 19 tetor 1448
Osmanët filluan sulmet përmes kalorësisë nga Anadolli. Ata u ndeshën me hungarezët në krahun e djathtë. Ana e dobësuar e majtë e osmanëve filloi të përleshej me hungarezët me në krye Loshoncin /Losonczin/, i cili ishte nën presion dhe kishte vështirësi të mëdha që t`i parandalonte osmanët që kishin synim të kalonin prapa linjave hungareze. Në këto rrethana Huniadi me të dy krahët e ushtrisë së tij u drejtua qendrës kundër këmbësorisë osmane. Asabët u shtynë tutje nga zjarri i artilerisë dhe nga sulmet e këmbësorisë. Artileria osmane dhe jeniçerët mundën ta ndalonin përparimin e këmbësorisë hungareze. Sidoqoftë, kalorësia hungareze, e udhëhequr personalisht nga Huniadi, depërtoi drejt vijave – radhëve të jeniçerëve.
Në një situatë mjaftë të vështirë, sulltani kishte urdhëruar komandantin kryesor të kampit të bagazhit-transportit, Sinan beun që të përforcojë qendrën me gardën e kampit. Këto forca ishin të mjaftueshme që t’i stabilizonin linjat osmane të luftës dhe që t`u mundësojnë jeniçerëve që të rimarrin veten. Pas këtyre luftimeve Huniadi tërhoqi forcat e qendrës prapa duke i kthyer ato në pozitat e mëparshme.
Në këtë situatë të vështirë, trupat hungareze në anën e djathtë ishin nën presion, kurse ana e majtë ishte në pamundësi që të ecte përpara kundër qitëseve osmanë. Në këto rrethana Turhani dhe kalorësia e Thesalisë arritën prapa shpinës së hungarezëve në krahun e majtë. Në pamundësi manovrimi dhe që t`i ikej këtij sulmi dhe rreziku Dani me vllehtë e tij ishin dërrmuar keqas dhe ishin detyruar që të dorëzoheshin. Anadollasit filluan që t`i shkatërrojnë ijët e trupave hungareze. Në këto rrethana Huniadi kishte urdhëruar që të tërhiqeshin drejt kampit. Qendra hungareze dhe krahu i majtë arritën të tërhiqeshin në kamp pa shumë humbje, porse krahu i djathtë ishte asgjësuar, kurse vetë Skej /Szekeli/ ishte vrarë gjatë luftimeve.
Rrjedhoja e luftimeve
Fatkeqësisht pas tre luftimesh Huniadi vendosi që të tërhiqej në orët e hershme të mëngjesit. Në tërheqje e sipër nëpër Serbi, drejt Danubit, Huniadi ishte zënë rob nga Gjuragj Brankoviqi. Sipas dëshmive të Giacomo di Luccarit, Gjuragji me këtë rast kishte urdhëruar që Huniadi të mbytej në lumin Resava dhe vetëm pas ndërhyrjes së Pasqual Sorgos, që atëbotë ishte çeonik i despotit dhe ambasadorit Damiano Giorgi, ky kishte mbetur gjallë. U lirua kah fundi i vitit, pas nënshkrimit të marrëveshjes mjaft të pakënaqshme, të cilën natyrisht papa e kishte shpallur të pavlefshme dhe ishte kthyer në Segedin.
Lajmin për disfatën e ushtrisë hungareze Skënderbeu e kishte marrë vesh në kohën kur ishte duke shpërthyer, me forcën e armëve, kufirin e Misisë, meqë Gjuragj Brankoviqi i kishte mbyllur të gjitha rrugët dhe shtigjet, me të vetmin qëllim që ta pamundësonte bashkimin e këtyre forcave me ato të Huniadit, në frontin e përbashkët kundër “dhëndrit” të tij -Muratit II.
Prandaj, për të mos mbetur pa u dënuar për këtë krim, siç shkruan Barleti, Skënderbeu i kishte sulmuar viset që i sundonte Gjuragji dhe kishte shkretuar një pjesë të tyre. Gjatë kohës kur kthehej për në Krujë ishte takuar me hungarezët dhe polakët e mbetur gjallë pas asaj kërdie dhe me këtë rast i kishte ndihmuar jo vetëm më të holla dhe ushqime për disa ditë me radhë, por ua kishte siguruar edhe anijet për të shkuar së pari në Raguzë e prej këndej për në Hungari.
Sipas Fran Babingerit 17000 njerëz të ushtrisë së Huniadit qenë vrarë, në mesin e të cilëve edhe lulja e bujarisë hungareze. Kurse humbjet osmane, po sipas këtij autori ishin dyfish më të mëdha. Pas përfundimit të kësaj lufte, sulltani kishte urdhëruar që nga ushtarët e rënë në këtë fushëbetejë të varrosen vetëm më të merituarit, ndërsa kufomat e ushtarëve të rëndomtë të mblidheshin në grumbull e të hidheshin në Sitnicë, e cila nga ky veprim ishte ndotur aq shumë, sa një kohë të gjatë pas kësaj as peshku nga ky lum nuk ka mundur të hahet. Disfata e Varnës dhe kjo në Fushën e Kosovës i hodhën hije të zezë lavdisë ushtarake të Janosh Huniadit.
Nga sa u tha më lart, me gjithë përgatitjet për këtë luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare në krye me Skënderbeun nuk arritën të merrnin pjesë në luftë. Rrjedhimisht trupat e Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në luftën që u zhvillua më 17-19 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.
Pra, veç përgatitjeve dhe gatishmërisë së Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të luftës në fjalë, përgjithësisht shkrimtarët, historianët unanimisht e zënë në gojë vonimin e shqiptarëve me Skënderbeun në krye për t`u bashkuar me trupat hungareze. Si shkak i “vonimit” të kryetrimit shqiptar në këtë ngjarje ndërkombëtare, për ta ndihmuar aleatin tij, konsiderohet pothuajse unanimisht se Skënderbeu qe i penguar prej despotit serb Gjuragj Brankoviqit, aleat i dhëndrit, pra Muratit II, i cili i mbylli Skënderbeut të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte. Një pjesë e madhe e burimeve të kohës, duke arsyetuar “vonesën” e Skënderbeut në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448, nxorën në shesh edhe pashkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur ta pranonte luftën para ardhjes së Skënderbeut në Fushën e Kosovës, gjë që u mirëprit nga Murati II, i cili duke u druajtur veçanërisht përfshirjes së shqiptarëve, mezi priste të hynte në Luftë.
Ky konstatimi i cili është i pranishëm edhe në historiografinë shqiptare, mendoj se nuk qëndron. Në marrëveshjen mes “Lidhjes Shqiptare” dhe Venedikut, të datës 4 tetor 1448, pos tjerash, del edhe ky fakti i rëndësishëm, se Skënderbeu kërkoi 1400 dukate, në aftat prej 15 ditësh, për t`iu bashkuar ekspeditës kundër Perandorisë Osmane. Po të kemi parasysh datën 4 tetor dhe 15 ditët e ardhshme të afatit për marrjen e kësaj shume nga Republika e Shën Markut, del qartë se Skënderbeu me të deleguarin e Huniadit, për të cilin informon Halkokondili, ishte marrë vesh që kjo luftë të fillonte me siguri diku pas datës 19 tetor, e jo siç ndodhi më 17-19 tetor 1448. Pra, të gjitha meritat për disfatën e Huniadit, i takojnë tradhtisë së Gjuragj Brankoviqit, e kurrsesi vonesës së Skënderbeut. Sepse në kohën kur Huniadi priste në Fushën e Kosovës repartet e Skënderbeut, Murati II, i cili ishte informuar për të gjitha këto nga miku i shtëpisë – Gjuragjit, e kishte detyruar Huniadin të hynte në luftë para kohe.
Përfundim
Për dallim nga e ashtuquajturën – e imagjinuar Beteja e Kosovës (1389) që është mbështjellur me vellon e mitit serb, me të vetmin qëllim që përmes kësaj ngjarjeje të “dëshmohet” para botës se para ardhjes së osmanëve në Ballkan Kosova ishte tokë serbe, Lufta e Kosovës e vitit 1448, nga sa u tha lartë, është një ngjarje e vërtetë historike, për të cilën dëshmojnë shumë dokumente.
Prandaj, në nderim të dhjetëra mijëra ushtarëve të vrarë, hungarezë, shqiptarë, vllehë kam apeluar qysh në vitin 2009 që pikërisht në atë vend ku ka ndodhur Lufta e Dytë e Kosovës, ngjarje kjo e karakterit ndërkombëtar, të ngritët një monument madhështor. Si ide ky monument duhet të kishte një bazament prej 14 metrash dhe një lartësi pre 48 metrash qe do te simbolizonte vitin 1448 kur edhe ndodhi kjo luftë..
Thonë e treta e vërteta. Për herë të parë e kam ngritur këtë çështje në vitin 2009 me një rast kur isha mysafir në RTK në programin kulturo-artistik që e udhëhiqte Mustafë Ferizi, herën e dytë e kam ngritur vitin 2014 në Konferencën ndërkombëtare që u mbajt në Budapest me temën Albanians and Hungarians: Historical smilarties and differences in Centuries, ku edhe kam lexuar kumtesën që lidhej pikërisht me Luftën e Dytë të Kosovës dhe më datë 25.03.2019 ju kam drejtuar Kryetarit te Komunës z. Xhafer Gashit me Kërkesë për të ndarjen një parcelë toke prej 25-30 ari në Mazgit, ku do të ngritej një obelisk madhështor kushtuar dy gjeneralëve më të mëdhenj të shekullit XV, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Janosh Huniadit, bartësve kryesor të rezistencës kundër osmane në Evropë në shekullin XV. Ky obelisk do të ishte edhe një shenjë nderimi për 17000 të vrarët në Mazgit, në Luftën e Dytë të Kosovës më 17-19 tetor 1448. Fatmirësisht kjo Kërkesë u miratua nga KK i Obiliqit – Kastriot dhe kjo konference shkencore që po e mbajmë sot ne Asamblenë e Kastriotit nuk është e rastësishme, kjo konference i paraprinë gurthemelit te obeliskut qe do te vendoset me 17 tetor te këtij. Faleminderit shume i nderuari kryetar Xhafer Gashi, faleminderit drejtorit te drejtorit Arben Berisha, faleminderit gjithë asamblistëve qe e votuan këtë projekt dhe na shkoftë puna mbare.