Idriz Lamaj*/
Më 1896, në katundin Kardhiq, në zemër të Labërisë, lindi Hasan Dosti, kryetari i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Rrjedh nga një familje emri i së cilës ka qenë lidhur gjithmonë me lëvizjet kombëtare. Me 1912 Hasan Dosti ishte në Janinë me shumë bashkatdhetarë të tjerë për të vazhduar studimet në gjimnazin e atjeshëm. Pikërisht në këtë qytet Hasan Dosti ndjenë më shumë se asnjë herë dashurinë për atdhe dhe adhurimin e pafund për të. Për përhapjen e idesë kombëtare Hasan Dosti ndodhet në lidhje të ngushtë me heronjët e vendit të tij, Çerçiz Topullin me shokë.
Në mbarim të luftës së madhe të 1914-tës, mbas largimit të trupave të okupacionit, e gjëjmë Hasan Dostin kryesekretar të Prefekturës së Gjirokastrës. I dhënë mbas studimeve, me sakrifica të mëdha, Hasan Dosti me 1922 shkon për të vazhduar shkollën në Paris, ku me 1925 diplomohet në shkenca politike. I paisur me një vullnet të hekurt, ai vazhdon studimet dhe me 1927 merr titullin Doktor në Drejtësi në Fakultetin e Parisit Sorbonë, gradë univeristare e çmuar dhe lakmuar nga gjithë bota.
Karriera e Hasan Dostit si njeri i ligjit, është nga më të shkelqyeshmet. Ushtron profesionin e lirë si avokat në Gjirokastër, dhe një vit më vonë, emërohet më 1929 gjykatës në Berat. Po në atë vit, mbas tetë muajve, emërohet ndihmës gjykatës i diktimit në Tiranë. Më 1937 e gjëjmë përsëri gjykatës në Berat dhe me 1938 kryetar i gjyqit të shkallës së parë në Korçë. Njohuritë e thella të Hasan Dostit në lëmën ligjore çmohen prej të gjithëve dhe më 1939, emërohet në një nga vendet më të larta të magjistraturës së Shqipërisë, si Anëtar i Gjykatës së Diktimit, detyrë që e mban deri me 1942 kur bëhet kryetar i asaj gjykate të lartë në degën penale. Në gushtin e vitit 1943, në Kongresin e Mukajt, Hasan Dosti zgjidhet si kryetar dhe marrëveshja që u arrit në mes të Nacionalçlirimatres, Ballit Kombëtar e Legalitetit i detyrohet përpjekjeve të vazhdueshme të Hasan Dostit. Dihet që marrëveshja u prish nga komunistët mbas pak ditësh.
Hasan Dostit nuk i mungoi kurrë detyrës së tij patriotike. E gjejmë në të gjitha lëvizjet politike nga dashuria e madhe për liri. Menjëherë mbas pushtimit të Shqipërisë nga forcat e armatosura italiane, Hasan Dosti është nga të partë që gjëndet krah Lumo Skendos, Mitat Frashërit, themeluesit të Ballit Kombëtar. Dhe mbeti gjithmon pranë tij si antar i Komitetit Qëndror. Me vdekjen e tij shokët e zgjedhin si kryetar të Ballit Kombëtar dhe unanimisht u zgjodh nga Ekzekutivi Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e lirë”.
Prej natyrës i ëmbël dhe i qetë, Hasan Dosti mbetet i papërkulshëm kur ndodhen në mes interesat e larta të atdheut. Nga karriera e tij e gjatë si njeri i ligjit, trashëgon një kuptim të gjërë maturie dhe pjekurie. Hasan Dosti është i zoti të bisedojë dhe të zgjidhë çdo problem sado i rëndë me një gjakftohësi dhe arsyetim të jashtëzakonshëm. Në jetën e tij të thjeshtë e shohim shpeshherë të veshur pa kujdes, gadi sikur të donte të mbetet i padukshëm, por me sjelljet e tija fisnike dhe bisedimin e ëmbël shkëlqen kudo.
Gjithashtu profesioni i tij si gjykatës i ka lënë një kujdesje të jashtëzakonshme. Përpara se të japi një vendim ose edhe një gjykim të thjeshtë, Hasan Dosti do të peshojë mirë dhe thellë të gjitha argumentat e problemit të parashturuar. Ka një kujdes të madh të mos zemrojë asnjeri; nuk di të fyej kurrë dhe ka një respekt mistik për lirinë individuale. Eshtë i përgaditur intelektualisht për çdo bisedim, qoftë politik, qoftë shoqëror, qoftë shkencor. Fjala e tij dhe mendimi i tij vlejnë për të gjithë shqiptarët dhe respektohet prej të gjithëve.
*(Biografi e botuar në gazetën ” Shqipëria “, 30 shtator, 1951. Marrë nga libri i autorit: “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë”)