• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Klement Zoraqi artisti edukator dhuron gravuren Fan Noli Vatres dhe Diellit

September 3, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Piktori Klement Zoraqi konfirmon thënien e Aristotelit se “Edukimi i ndihmon njeriut të realizoj qëllimin që ka brenda vetes.” Dhe ai vetë është mishërimi i kësaj filozofie. Jo vetëm se i beson asaj si pedagog arti prej 40 vjetëve, por edhe e ka brendësuar atë sepse është ndihmuar ta jetësoj qëllimin e tij në sajë të edukimit dhe prej andej nuk ka rreshtur së dhëni mundësinë brezave të studentëve të arrijnë të njëjtin vetërealizim.

Lindur në Tiranë më 9 mars, 1960, në një familje të përkushtuar artit, kulturës dhe arsimit, ai u përqendrua te piktura qysh në moshën 14 vjeçare. Pasioni për artin e çoi në studion e piktorit të mirënjohur të peizazheve Aristotel Papa. Më pas kreu Zoraqi kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1980-1984) i specializuar për pikturën monumentale në ateljenë e Prof. Niko Progri dhe Vilson Kilica.

Duke folur për vjetërsinë në punë si pedagog i pikturës në Liceun Jordan Misja nga viti 1984 e deri më sot, Profesor Zoraqi thotë me humor se ai mund të jetë mbajtës i një rekordi të denjë për të hyrë në Guiness Book. Rrugëtimit të karrierës katër dekadash në mësimdhënie, ai i ka kushtuar librin “Liceu ynë, Fletë nga ditari pedagogjik”, Ombra GVG, Tiranë 2013.

Paralelisht me mësuesinë, Klement Zoraqi është nderuar me çmime dhe vlerësime të njohura në botën e artit për katër dekada. Ai është emër shumë i njohur i pikturës shqiptare me aktivitet dhe krijimtari të paraqitur në shumë ekspozita vetjake, kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Paris 1996, 1998; London 1996, 1997, 1998; Barcelonë 2001, 2003; New York 2001, etj.

Në portofolin artistik të Zoraqit spikasin natyra dhe peizazhi që janë dallueshëm të tijat si nga peneli e stil edhe nga influenca e klasikëve dhe kontakti nga afër me artin dhe kulturën evropiane veçanërisht atë romane. Ai është përfaqësuar në ekspozitën e 100 piktorëve të Via Margutta, Romë qysh në vitin 1992 dhe është pjesëmarrës aktiv në galeri kolektive arti në Itali, pa e shkëputur kurrë krijimtarinë e tij në Shqipëri. Tek ai dhe vepra e tij manifestohet bashkëjetesa e një artisti shqiptar me kulturën pakrahasimisht të pasur romane me gjurme ne qytetërimin e Romës dhe në mbarë botën. Punimet e Zoraqit në galerinë FAB Gallery (U.A), Tirana 2016 dhe në Galleria Micro-arte visive, Romë 2017 janë vlerësuar shumë nga kritikët e artit. Në tre ekspozita të tjera në Didart Gallery 2006, Muzeu Historik Kombëtar 2007 dhe Kledio Gallery 2010, Zoraqi jep lidhjet shpirtërore me qytetin e tij të lindjes. Kohëve të fundit ai është angazhuar në dizajnin grafik dhe projektimin e veprave të artit në hapësira publike, si tek mozaikët e Teatrit për Fëmijë Pinokio 2022 dhe instalacione të tjera të këtij projekti, ilustrime të botimeve për fëmijë Voskopoja Printing House 2022, si dhe është bashkautor dhe ilustrues i librit “Elogio della Stufa” 2023, në italisht nga shtëpia botuese Strade Bianche, Romë.

Gjatë dekadës së fundit, artisti Zoraqi i jep vend interpretimeve personale të historisë të sjella në punime të peizazheve dhe në portrete, disa prej të cilave i paraqiti në ekspozitën Rrënjët Voskopoja në Muzeun Historik Kombetar 2017.

Gravura Fan Noli, punuar në këtë periudhë, paraqet portretin e figurës shumëdimensionale, frymëzuar nga një foto e vitit 1908, dy vjet pas ardhjes së tij në Amerikë, që përkon me kohën e dorëzimit prift. Në sfondin e gravurës është një bibliotekë me libra dhe një kuadër i shqiponjës dykrenare me një diell – stilizim i logos së gazetës Dielli, që e pati Kombi, ndërsa në plan të parë shihet një fragment i ballinës së Diellit. Piktori Zoraqi ia ka dhuruar gravurën Fan Noli Federatës Vatra dhe redaksisë së gazetës 115 vjeçare – si dy institucione të pazëvendësueshme, të cilat historia t’i jep veçse një herë.

Kolazhi

Foto Klement Zoraqi

Gravura Fan Noli – dhuratë nga piktori Klement Zoraqi për Vatrën dhe Diellin

Korça – nga dritarja e studios se Vangjush Mios,100 x70 cm, vaj mbi kanavace, 2017

Ringjallja – fragment nga “Ikonostasi i Voskopojës” 25 x 60 cm, 2015

Filed Under: Politike

Papë Klementi XI për trajtimin e gjuhës shqipe si një faktor i rëndësishëm identitar

September 2, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Nacionalizmi në Europë, ndër të tjera lindi në kushtet kur filloi përdorimi i gjuhëve kombëtare në liturgjinë kishtare. Si një proces i gjatë historik, në fillim shfaqet në mënyrë të pjesshme dhe të papjekur. Në fazën e tij të parë, të quajtur protonacionaliste, krijohet një bashkëjetesë e treguesve tradicionalë të komunitetit si: gjuha, përkatësia etnike dhe besimi fetar me kushtet e reja të zhvillimeve shoqërore(Flemming, 2002: 78), ku formohen elitat e etnive të ndryshme dhe gjuha e këtyre etnive hyn në përdorim për qëllime fetare dhe laike. Krahasuar me vendet e tjera, formimi i kombit shqiptar dhe zhvillimi i ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët mori një periudhë më të gjatë kohe, për shkak të pushtimit osman(Pollo, 1979: 119). Brenda kësaj periudhe të zhvillimeve vetëdijësuese ndër shqiptarë, si mjaft i rëndësishëm konsiderohet Pontifikati i Klementit XI.

Arsimimi në gjuhën shqipe i pati fillesat në kohën e lindjes së gjuhëve popullore në Evropë. Vatikani i lejoi priftërinjtë që ta zhvillonin veprimtarinë e tyre në gjuhët e popujve, me kusht që rituali kishtar të zhvillohej në latinisht. Në ato rrethana filloi jetën e vet arsimi shqip. Ishin klerikët shqiptarë që përdorën të parët gjuhën shqipe dhe ngritën shkollat e para shqipe në trojet tona. Por për shkak të pushtimit turk, ky proces eci ngadalë dhe përmes vështirësishë të shumta.

Fillimisht mësuesit e shqipes i gjejmë kryesisht në mes të misionarëve që e mësuan gjuhën shqipe, por edhe klerikëve të paktë shqiptarë që kishin mbaruar studimet jashtë vendit. Për përgatitjen e klerikëve të aftë që do të punonin si misionarë, në vitin 1571 u themelua një kolegj në Romë, të cilin e ndoqën studentë që u bënë klerikë të njohur për kohën. Klerikët arbëreshë, që u formuan këtu, do të punonin si misionarë dhe mësues të shqipes. Disa prej tyre erdhën në Shqipëri si misionarë jezuitë, që në në çerekun e fundit të shekullit XVI. Tre vjet më vonë u ngrit Kolegji Ilirik i Loretos, ku mësuan edhe studentë shqiptarë, disa prej të cilëve u bënë personalitete të kulturës sonë kombëtare si: Pjetër Budi, Frang Bardhi, Andrea Bogdani, Pjetër Bogdani, Pjetër Mazrreku, etj.

Pas dy shekujsh të lënies në mëshirën e fatit, me ardhjën në krye të Kishës katolike të Gjon Françesk Albanit, interesimi për Shqipërinë shtohet. Klementi XI ishte i interesuar për jetën shpirtërore të bashkatdhetarëvectë tij, për rezistencën ndaj islamizmit, që mund të pengohej duke shtuar numrin e klerikëve të shkolluar vendës, të cilët do të ishin jo vetëm predikues, por edhe mësues. Kisha nga një institucion i fesë mori dhe atributet e institucionit të ruajtjes së gjuhës dhe zhvillimit të kulturës kombëtare.

Klementi XI e pa gjuhën shqipe si karakteristikë thelbësore të identitetit shqiptar në kushtet e reja të realitetit shumëfetar në trevat shqiptare. Ai punoi shumë për zhvillimin e arsimit shqip dhe angazhimin më të madh të klerikëve shqiptar në këtë mision. Pra Papa Klementi XI punoi për shqiptarizimin e klerit shqiptar dhe të kishës shqiptare, prej nga do të dilnin elitat kulturore që do t’u paraprinin zhvillimeve kombëtare.

Për të organizuar më mirë punën e klerit katolik në Shqipëri dhe për zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare, me nismën e Klementi XI u mbajt Kuvendi i Arbnit, ku shqiptarët krijuan një Shqipëri shpirtërore të pavarur, parashtetërore, sikur të mos kishte ndodhur fare pushtimi osman. Kuvendi iu kushtua sa çështjeve fetare aq edhe shkollimit si dhe ngritjes së kultures fetare të besimtarëve që do të vinte përmes dijes. Ndër vendimet kryesore të Kuvendit të Arbnit ishin: Vazhdimi i veprimtarisë së shkollave në gjuhën shqipe; kultivimi i gjuhës shqipe dhe traditave të mira vendase; botimi i librave në gjuhën shqipe, të cilat e vendosin shkollimin shqip në qendër të zhvillimeve të ardhëshme të kishës shqiptare.

Gjatë Pontifikatit të Klementit XI u shtuan shkollat shqipe në atdhe dhe jashtë tij, kryesisht në Itali. Kuvendi i Arbnit i vendos klerikët shqiptarë para detyrimit për realizimin e vendimeve të tij, duke caktuar detyrën e kriimit në trevat shqiptare të elitës intelektuale klerikale, të organizuar rreth një projekti që kishte në bazë dijen që vinte përmes gjuhës amtare. Kjo dëshmohet nga vendime të tilla si: Nxënësit shqiptarë, të cilët i mbarojnë studimet në Kolegjin e Propagandës Fide janë të detyruar të kthejnë sa më parë që të jetë e mundur në atdhe për të dhënë ndimesën e tyre aq të nevojshme baritore për besimtarët. Gjithashtu, lutën të gjithë klerikët shqiptarë që gjendën jashtë vendit të kthehen në atdhe, si dhe arqipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë në dioqezat e të cilëve ndodhën nxënësit shqiptarë, t’i dërgojnë në Shqipëri. Nxënësit e Propagandës e kanë për detyrë t’i binden urdhërit të Ordinarit të vet për të shkuar, sipas nevojës, në çdo famulli të Dioqezit”.

Papa shqiptar kërkoi ta ringrinte kishën katolike shqiptare; ta bënte më dinamike dhe vepruese, të aftë për ti përballuar sfidat e reja që kërkonte masivizimi i arsimit shqip dhe kthimi i gjuhës sonë në gjuhë të dijes. Vetë botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbnit eshte vleresuar si një dëshmi e rëndësishme historike e shkrimit të shqipes dhe, krahas Mesharit, një margaritar i çmuar në përpjekjet që u bënë për kalimin në shqipen e shkruar. Varianti shqip i vendimeve të Kuvendit të Arbnit u përdor si tekst mësimor në shkollat e para shqipe.

Duke u interesuar për gjuhën, historinë, por edhe për traditat e zakonet e mira, siç u fol në Kuvendin e Arbnit, Papa Klementi XI luajti rol të rëndësishëm në procesin e formimit të vetëdijes së shqiptarëve se janë një etni, një popull, vetëdije që ishte formuar te popujt e tjerë.

Foto: vaticannews.va

Filed Under: Politike

PRESS RELEASE FROM VATRA

August 30, 2024 by s p

This afternoon Kathleen Larkin, Director for the Balkans and Central Europe at the National Security Council and Elmi Berisha, President of the Pan Albanian Federation of America Vatra held a meeting to discuss issues regarding Kosova’s evolving security landscape in support of Kosova’s progress towards a secure democratic country on the path to greater Euro-Atlantic integration. The meeting took place at the Eisenhower Executive Office Building. Vatra President Elmi Berisha was joined by Alfons Grishaj, Deputy Chairman, Besim Malota, Treasurer, Mondi Rakaj, Executive Board Member and Kolec Ndoja, Chairman of General Council.

It comes on the heels of Mr. Berisha’s sit down with Deputy Assistant Secretary Kasanof yesterday at the State Department.

The Thursday and Friday round of meetings represent a historic achievement of Vatra’s leadership and highlight Vatra’s crucial place in advocating and advancing Albanian national interest’s.

Filed Under: Politike

Sot shënohet 534 vjetori i “Hora e Arbëreshëvet”

August 30, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Prej 6 shekujsh Arbëreshët kanë ruajtur brez pas brezi identitetin e Arbërit, dhe sot mrekullohesh kur dëgjon fëmijë që flasin gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe praktikojnë zakonet e kohës së Heroit tonë Kombëtar.

Për 4 shekuj, nën pushtimin otoman, figura e Gjergj Kastriotit u shua nga kujtesa kombëtare, dhe ishin Arbëreshët ata që e rikthyen figurën e tij në Shqipëri, si simboli i bashkimit konbëtar dhe frymëzuesi drejt rrugës për pavarësi.

Në mesim e shekullit të 19-të Shqipëria eci përpara në rrugëtimin e saj për pavarësi dhe shtet-formim, falë kontributit të çmuar të figurave patriotike arbëreshe.

Projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, një projekt thellësisht evropian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh si Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe, Antonio Gramshi, e shumë të tjerë, të cilët ndihmuan në finalizimin e atij projekti: zgjimi i një populli dhe pavarësia e një kombi.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More

Si të le e më së të pë!

Atje kam zotin tatë,

atje kam zonjën mëmë,

atje kam edhe tim vëlla:

Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.

O dritë e syve të mi.

Ne jemi bijtë e Kastriotit.

Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një 🇦🇱

Filed Under: Politike

Abdyl Frashëri, rilindësi i shquar, karriera dhe kalvari i gjatë i burgosjeve dhe syrgjynosjeve

August 29, 2024 by s p

Albert Vataj/

Abdyl Frashëri, emri i vërtetë i të cilit është Abdullah Hysni. Ai ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, kontributi i të cili e renditë atë në treshen e artë të vëllezërve Frashëri, që ngritën në piedestal ndjenjën kombëtare duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë për Shqipërinë, për tu treguar shqiptarëve, se sa i bukur është atdheu i tyre dhe si duhet luftuar për të, se sa trima, të mënçur e punëtorë, sa fisnikë janë shqiptarët, sa e bukur dhe e ëmbël është gjuha e jonë dhe e shtrenjtë shqiptaria.

Abdyl Frashëri, pjesën e parë të jetës e pat në fshatin e lindjes, deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se kriza lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Por, shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e perandorisë ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë, në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër perandorisë osmane, dështuan gjithashtu, mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në Parlamentin e parë osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti, u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në perandorinë osmane. Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të perandorisë osmane. Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës.

Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, Abdyl Frashëri, shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare, ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të perandorisë osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Abdyl Frashëri më 25 shtator 1888, i drejtoi një memorandum kryeministrit të Italisë Francesko Kripsit, ku midis të tjerave i shkroi “…Populli shqiptar është i vetmi komb që ka zhvilluar prej kohësh një rezistencë energjike kundër pushtuesve turq. Kjo rezistencë heroike ka vazhduar deri në ditët tona. Nëse shqiptarët, për hir të karakterit të tyre krenar e luftarak, nuk e kanë lënë veten të nënshtrohen aq ultësisht sa fqinjët e tyre, janë ata që e kanë ndjerë më tepër peshën e zgjedhës së huaj dhe janë ata që kanë vuajtur më shumë si pasojë e kryengritjeve të pandërprera që kanë qenë të detyruar të zhvillonin për të fituar pavarësinë e tyre… Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më tëpër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”.

Më 27 nëntor 1878, mbedhja e Këshillit të përgjithshëm të Lidhjes, miratoi një memorandum që i drejtohej Portës së Lartë në Stamboll, që ajo të zbatonte 5 kërkesa (Buda A. etj. 1965):

1. Krahinat e Shqipërisë të ishin në një vilajet me qendër një qytet në mesin e Shqipërisë,

2. Nëpunësit të dinin shqip,

3. Arsimi të përhapej në gjithë krahinat dhe të mësohej gjuha shqip,

4. Të krijohej një këshill i përgjithshëm,

5. Një pjesë e të ardhurave të përdorej për punët botore në vend.

Delecioni nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit u nis në fund të janarit 1879 për në Stamboll, që t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë. Abdyl Frashëri ndënji në ballë të luftës deri sa u arrestua kur po kthehesh nga Prizreni dhe kapërcente Lumin Shkumbin. Në Frashër, populli i thuri e i këndoi këngë patriotizmit të Baba Alushit dhe Abdyl Frashërit:

Kush e desh Shqipërinë kush

Shënjti baba Alush Ai vdiq po na thërret Përpiqi për mëmëdhet! Alush babai në shëntëri Abdyl beu me dituri Abdyl beu nga Frashëri Ç’u përpoq o i varfëri Qindra herë vajti fërnjgji Prishi punë e tij

E prishi punën e tij

Prishi tri barë flori

S’di kush na vllazëria Na doli i pa besë Abdyl benë na e zynë

Dervish pashësë ja shpunë

Pa me sy e pa bodrumë E i hodhi për na shumë Hametit i tha një fjalë Unë e mbolla këtë farë Ka të tjerë shqipëtarë Që kërkojnë këtë farë Ata kurrë se harojnë Abecen do ta këndojnë.

Karakteristikë e veprimtarisë atdhetare të Abdyl Frashërit është ngritja në nivel gjithënjë e më të lartë dhe më intensive e luftës së tij për çështjen shqiptare. Ai qëndroi besnik luftës së tij. Edhe kur u shpërnda Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri, së toku me myderiz Sulejman Vokshin, Ymer Efendi Prizreni, si edhe me krerët e malësorëve, u përpoqën të organizonin forca të reja për luftën kundër Portës.

Abdyl Frashëri u lind më 29 gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan te Mahmud bej Biçakçiu.

Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tri vite që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës; u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

Abdyl Frashëri vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892 pas një sëmundjeje të gjatë. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100- vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT