Albert Vataj/
Abdyl Frashëri, emri i vërtetë i të cilit është Abdullah Hysni. Ai ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, kontributi i të cili e renditë atë në treshen e artë të vëllezërve Frashëri, që ngritën në piedestal ndjenjën kombëtare duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë për Shqipërinë, për tu treguar shqiptarëve, se sa i bukur është atdheu i tyre dhe si duhet luftuar për të, se sa trima, të mënçur e punëtorë, sa fisnikë janë shqiptarët, sa e bukur dhe e ëmbël është gjuha e jonë dhe e shtrenjtë shqiptaria.
Abdyl Frashëri, pjesën e parë të jetës e pat në fshatin e lindjes, deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se kriza lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.
Por, shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e perandorisë ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë, në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër perandorisë osmane, dështuan gjithashtu, mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në Parlamentin e parë osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti, u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në perandorinë osmane. Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të perandorisë osmane. Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës.
Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, Abdyl Frashëri, shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare, ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të perandorisë osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.
Abdyl Frashëri më 25 shtator 1888, i drejtoi një memorandum kryeministrit të Italisë Francesko Kripsit, ku midis të tjerave i shkroi “…Populli shqiptar është i vetmi komb që ka zhvilluar prej kohësh një rezistencë energjike kundër pushtuesve turq. Kjo rezistencë heroike ka vazhduar deri në ditët tona. Nëse shqiptarët, për hir të karakterit të tyre krenar e luftarak, nuk e kanë lënë veten të nënshtrohen aq ultësisht sa fqinjët e tyre, janë ata që e kanë ndjerë më tepër peshën e zgjedhës së huaj dhe janë ata që kanë vuajtur më shumë si pasojë e kryengritjeve të pandërprera që kanë qenë të detyruar të zhvillonin për të fituar pavarësinë e tyre… Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më tëpër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”.
Më 27 nëntor 1878, mbedhja e Këshillit të përgjithshëm të Lidhjes, miratoi një memorandum që i drejtohej Portës së Lartë në Stamboll, që ajo të zbatonte 5 kërkesa (Buda A. etj. 1965):
1. Krahinat e Shqipërisë të ishin në një vilajet me qendër një qytet në mesin e Shqipërisë,
2. Nëpunësit të dinin shqip,
3. Arsimi të përhapej në gjithë krahinat dhe të mësohej gjuha shqip,
4. Të krijohej një këshill i përgjithshëm,
5. Një pjesë e të ardhurave të përdorej për punët botore në vend.
Delecioni nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit u nis në fund të janarit 1879 për në Stamboll, që t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë. Abdyl Frashëri ndënji në ballë të luftës deri sa u arrestua kur po kthehesh nga Prizreni dhe kapërcente Lumin Shkumbin. Në Frashër, populli i thuri e i këndoi këngë patriotizmit të Baba Alushit dhe Abdyl Frashërit:
Kush e desh Shqipërinë kush
Shënjti baba Alush Ai vdiq po na thërret Përpiqi për mëmëdhet! Alush babai në shëntëri Abdyl beu me dituri Abdyl beu nga Frashëri Ç’u përpoq o i varfëri Qindra herë vajti fërnjgji Prishi punë e tij
E prishi punën e tij
Prishi tri barë flori
S’di kush na vllazëria Na doli i pa besë Abdyl benë na e zynë
Dervish pashësë ja shpunë
Pa me sy e pa bodrumë E i hodhi për na shumë Hametit i tha një fjalë Unë e mbolla këtë farë Ka të tjerë shqipëtarë Që kërkojnë këtë farë Ata kurrë se harojnë Abecen do ta këndojnë.
Karakteristikë e veprimtarisë atdhetare të Abdyl Frashërit është ngritja në nivel gjithënjë e më të lartë dhe më intensive e luftës së tij për çështjen shqiptare. Ai qëndroi besnik luftës së tij. Edhe kur u shpërnda Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri, së toku me myderiz Sulejman Vokshin, Ymer Efendi Prizreni, si edhe me krerët e malësorëve, u përpoqën të organizonin forca të reja për luftën kundër Portës.
Abdyl Frashëri u lind më 29 gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.
Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan te Mahmud bej Biçakçiu.
Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tri vite që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës; u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.
Abdyl Frashëri vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892 pas një sëmundjeje të gjatë. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100- vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.