• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CILAT JANË GJASHTË OBJEKTIVAT E FSHEHTA TË SERBISË?

July 15, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Objektivi i parë serb është proklamuar të jetë forcimi i ndikimit të Serbisë me anën e instrumenteve destabilizuese në Kosovë. Destabilizimi synon të përfshijë, krahas veriut që është në jostabilitet permanent, edhe destabilizmin e institucioneve të vendit dhe nxitjen e konflikteve shumëplanëshe brenda shoqërisë së Kosovës. Pra, mbajtja e Kosovës në destabilizim permanent, duke i bërë presion me veriun e rebeluar dhe duke i destabilizuar edhe institucionet shtetërore të Kosovës dhe shoqërinë në tërësi, është objektivi kryesor strategjik i Serbisë. Pse insiston Serbia kaq fort në mbajtjen e jostabilitetit permanent në Kosovë? Sepse, sipas teorive të reja e të aplikueshme të ndërtimit të shtetit, shtetet e pastabilizuara, veçmas shtetet e dështuara, janë objekt legjitim i ndërhyrjes nga jashtë. Shtetet e dështuara paraqesin rrezik për stabilitetin rajonal e ndërkombëtar, sepse në atë rast mund të shndërrohen në strehë të agjentëve joqeveritarë siç janë organizatat terroriste. Rrjedhimisht shansi i vetëm i Serbisë 1) për ndërhyrje më të madhe në punët e Kosovës, 2) për aneksimin e veriut (me versionet e Abhazisë, Osetisë, apo edhe të Krimesë) ose 3) për ripushtimin e plotë të saj, mund të rriten vetëm në rast të dështimit të plotë të këtij shteti, e kurrsesi në rast se Kosova bëhet shtet stabil dhe i suksesshëm. Mbetja e veriut të Kosovës jashtë pushtetit faktik të UNMIK-ut që nga viti 1999 e deri në pavarësimin e vendit (2008) i ka mundësuar Serbisë të krijojë instrumente të forta destabilizues në territorin e Kosovës. Kur e ka rrumbullakuar procesin e krijimit të entitetit serb në veri, (me djegien e pikave doganore pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës), e ka pranuar procesin e Brukselit, për ta implementuar atë që ka fituar në terren. Prandaj, procesin e Brukselit Serbia e ka shfrytëzuar për legalizimin e ndikimit të vet brenda Kosovës dhe, më tutje, për ta shfrytëzuar atë kartë për destabilizimin e institucioneve shtetërore të Kosovës Në bazë të këtyre kombinimeve Serbia, (e ndihmuar nga Bashkimi Evropian, për faktin që BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet), tashmë e ka kartën e provokimit të jostabilitetit në dorë, si me bashkësinë e komunave me shumicë serbe, si pa të. Pra, destabilizimi permanent i Kosovës është konstruktuar dhe kalkuluar për një afat më të gjatë deri në momentin kur Serbia konsideron se ai destabilizim paraqet momentumin për ndonjë formë të re të kthimit të saj në Kosovën e dështuar, kinse për ta ndihmuar “stabilizimin” e saj.

Pika e dytë e objektivave serbe ka të bëjë me krijimin e instrumenteve të përshtatshme psikologjike, sociale e ekonomike për rritjen e natalitetit të serbëve në Kosovë. Natyrisht, kjo është një politikë e vjetër serbe, por fakti që nuk hiqet dorë prej saj, zbulon qëndrueshmërinë e politikës serbe në synimet e saj në drejtim të Kosovës. E lidhur me pikën e katërt të këtyre objektivave, që insiston në nxitjen e shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga Kosova drejt Evropës, kjo masë bëhet edhe më serioze, siç plotësohet edhe nga objektivi tjetër, i treti në radhitje, që ka për synim serbizimin e goranëve dhe, mundësisht, kthimin e boshnjakëve të Kosovës në orbitën serbe të ndikimit politik e kulturor. Pika e pestë e këtyre objektivave bashkohet me të parën, duke pasur në plan forcimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan e, edhe në Kosovë, por këtu duke e kombinuar me rritjen e ndjenjave antiamerikane në mesin e shqiptarëve. Ndërsa pika e gjashtë e këtyre objektive synon ta rikthejë në jetë idenë e mëparshme të Millosheviqit, për një aleancë serbo-greke, të cilën ai e pati quajtur “oksigjen për ortodoksinë”. Synimi i një aleance të tillë, e cila do të ndihmohej nga Rusia e rifuqizuar, do të ishte mbajtja e shqiptarëve nën presion, në një lloj sandviçi të hekurt, nga Greqia prej jugut e nga Serbia prej veriut. E me Rusinë mbi kokë.

Analiza krejtësisht sipërfaqësore e këtyre objektivave serbe zbulon se ato janë projeksione reale, të cilat edhe mund të realizohen nëse gjërat në Kosovë shkojnë keq. Destabilizimi i institucioneve tashmë ka prodhuar pasoja konkrete në shoqërinë tonë, po edhe dëm të konsiderueshëm për imazhin e Kosovës si shtet i qëndrueshëm. Me këtë dëshpërim që ka pllakosur shoqërinë nga jostabiliteti, i cili po e pengon edhe zhvillimin ekonomik, edhe integrimin e vendit në BE, shpërngulja masive e shqiptarëve nga Kosova është reale. Ajo mund të shkojë deri në përgjysmimin e popullsisë shqiptare në Kosovë, me çfarë do të krijohej raport tjetër demografik, natyrisht në favor të serbëve. Ndërsa rritja e ndikimit të Rusisë me frymën e saj destabilizuese, po ashtu është evidente. Kjo frymë destabilizuese është shoqëruar edhe me shpërthimin e një vale antiamerikanizmi. Pikat e tjera të këtij plani duken qartësisht të integruara dhe me funksione konkrete për rritjen e ndikimit, të pranisë, po dhe të rikthimit si tutorë të Serbisë në Kosovë, në rast se Kosova rrëshqet drejt dështimit si shtet. Në rast të dështimit të Kosovës si shtet, veçmas nëse rrezikon të bëhet edhe truall i ekstremizmit dhe terrorizmit, kujdestarinë mbi të pashmangshëm do ta merrte Serbia. Prandaj të gjithë ata që për çfarëdo arsyesh të proklamuara shkaktojnë destabilizimin e institucioneve të shtetit dhe e deprimojnë shoqërinë shqiptare në Kosovë, çojnë ujë në mullirin e këtyre objektivave serbe, të cilat, ndonëse nuk janë bërë publike, janë duke u zbatuar konkretisht.

Filed Under: Rajon

Ndahet nga jeta gazetari Aristir Lumezi

July 11, 2024 by s p

Pas një kohe vuajtjesh nga një sëmundje e rëndë, është ndarë nga jeta, kolegu ynë i dashur, një ndër modelet njerëzore të komunitetit tonë, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi.

Ikja e tij nga jeta, në moshën 57 vjeç, ka pikëlluar rëndë familjarët e tij, miqtë, kolegët dhe krejt organizatën tonë, pjestar i së cilës ishte qysh në vitin e parë të themelimit të saj.

Gazetari Aristir Lumezi spikati si reporter i politikës në shtypin shqiptar përgjatë 20 viteve të fundit. Ai drejtoi me maturi dhe profesionalizëm disa redaksi të të përditshmeve kryesore në vend dhe për disa vite u dallua si zëvendës/ kryeredaktor dhe kryeredaktor i së përditshmes kryesore në vend, gazetës ” Panorama”.

Kolegu ynë i nderuar Lumezi ishte prind dhe familjar i shkëlqyer, një profesionist i karakterizuar në çdo moment nga përgjegjësia dhe ndërgjegjia e lartë morale dhe profesionale.

Ai ndau njohje të shumta profesionale e njerëzore dhe meritoi një simpati publike si gazetar dhe pjestar i editorit të Panoramës.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh dhimbjen e anëtarëve për humbjen e parakohshme të kolegut dhe mikut tonë të respektuar dhe përcjell ngushëllimet pranë familjes Lumezi!

I paharruar do të mbetet mes nesh kolegu dhe miku ynë i urtësishëm!

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Rajon

Fjala e ambasadorit Jeffrey M. Hovenier gjatë pritjes me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

July 3, 2024 by s p

Presidente Osmani, kryetar i Kuvendit Konjufca, zyrtarë të Republikës së Kosovës, anëtarë të korit diplomatik, përfaqësues ndërkombëtarë, mysafirë të nderuar dhe miq.

Laura dhe unë kemi nderin t’ju mirëpresim në ambasadën amerikane dhe t’ju falënderojmë që jeni bashkuar me ne dhe ekipin e tonë të ambasadës për ta festuar 248-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jemi mbledhur së bashku për të festuar diçka që ndodhi në një ditë të ngrohtë vere 248 vjet më parë –– në Filadelfia të Pensilvanisë.

Më 4 korrik 1776, etërit tanë themelues – që të gjithë burra – ia përkushtuan jetën, pasurinë dhe nderin e tyre të shenjtë parimeve dhe vlerave që vazhdojmë t’i ruajmë dhe përpiqemi t’i jetojmë edhe sot.

Jam krenar që vendi im u themelua në bazë të idesë se „të gjithë burrat (dhe do ta shfrytëzoj të drejtën e ambasadorit dhe të them edhe „të gjitha gratë”) janë krijuar të barabartë, se janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë“.

Këto janë fjalë të shenjta për amerikanët, por edhe ide të gjalla për të cilat vazhdojmë të veprojmë.

Madje, edhe pse jo gjithmonë as ne e as etërit tanë themelues nuk i kemi përmbushur idealet tona më të mëdha, ne vazhdojmë ta përkufizojmë veten dhe shoqërinë tonë dhe të udhëhiqemi prej parimit të barazisë, lirisë dhe të qeverisë, e cila e merr autoritetin dhe pushtetin e saj përmes „miratimit të të qeverisurve”.

Më herët në dhjetor, shumë prej jush e patët rastin ta ndiqnit bashkë me ne filmin „Hamiltoni: shfaqje muzikore”, i cili ekzaminonte sfidat me të cilat përballen demokracitë e reja – në fakt, të gjitha demokracitë.

Porositë e tij të shumta për vlerat dhe rëndësinë e përfshirjes, multikulturalizmit, integritetit dhe kompromisit për të themeluar dhe avancuar një „demokraci të re e të brishtë” dukej se rezononin me audiencën këtu në Kosovë, ashtu siç përkonin edhe me audiencën anembanë Amerikës.

Ky është vit i përvjetorëve të rëndësishëm. Muajin e kaluar , presidenti Bajden iu bashkua udhëheqësve të tjerë botëror, të pritur nga presidenti francez Makron, për të shënuar 80-vjetorin e operacionit të Ditës-D në Normandi të Francës.

Në atë ngjarje solemne, presidenti Bajden tha:

„Kur flasim për demokracinë – demokracinë amerikane – shpesh flasim për idealet e jetës, lirisë, kërkimit të lumturisë.

Por, ne nuk flasim se sa e vështirë është… se si instinkti më i natyrshëm është të heqësh dorë, të bëhesh egoist, të detyrosh të tjerët, të marrësh pushtetin dhe të mos e dorëzosh kurrë më.

Demokracia amerikane na i kërkon gjërat më të vështira: të besojmë se jemi pjesë e diçkaje që është më e madhe se vetja jonë”.

Idealet e shkruara në aktet themeluese jo vetëm që kanë mundësuar përparimin e Shteteve të Bashkuara, por kanë shërbyer edhe si shembull për shumë vende të tjera, përfshirë Kosovën.

Kohëve të fundit pata rastin të flisja për presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, një patriot i Kosovës, udhëheqës i guximshëm dhe aleat i ngushtë i SHBA-ve.

Shumë vite më parë pata pasur privilegjin të takoja presidentin Rugova dhe e çmoj shumë atë copëzën e Kosovës që ma dha në vitet e 90-ta – një prej gurëve mineralë, për të cilët ai me dëshirë thoshte se janë themel i fortë mbi të cilët është ndërtuar Kosova.

Më pat prekur shumë fakti që presidenti Rugova e mbante një kopje të një dokumenti tjetër të rëndësishëm të Amerikës, „Letër nga burgu i Birmingemit” të Dr. Martin Luter Kingut.

Ndoshta e dini këtë citat të njohur nga Letra e Kingut: „Jemi kapur në një rrjet të pashmangshëm të reciprocitetit, të lidhur për një fije të vetme fati. Çfarëdo që ndikon drejtpërdrejt te një person, tërthorazi do të ndikojë te të gjithë të tjerët”.

Mendoj se mund të pajtohemi se ky pohim i vitit 1963 i dr. Kingut është thellësisht i rëndësishme për situatën këtu në Ballkanin Perëndimor, ku popuj të ndryshëm duhet të gjejnë mënyra për të punuar së bashku dhe për të pasur marrëdhënie fqinjësore.

Ne besojmë fuqishëm se vetëm bashkëpunimi dhe integrimi rajonal bënë të mundur që investitorët dhe bizneset të nxisin rritjen ekonomike, të rinjtë të qëndrojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre këtu dhe që Kosova dhe fqinjët e saj të zhvillohen dhe të përparojnë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës që një çerek shekulli për të vendosur paqe, për të mundësuar siguri dhe për të ndihmuar në ndërtimin e vendit tuaj sovran, të pavarur dhe shumetnik.

Dëshiroj që ta dini se përkushtimi i SHBA-së është afatgjatë dhe apartiak.

Disa prej „heronjve” që e kanë mbështetur Kosovën në kohën e saj më të errët përfshijnë ish-presidentin Bill Klinton dhe ish-sekretaren e Shtetit Medlin Ollbrajt – që të dy anëtarë të Partisë Demokratike, si dhe ish-senatorin Robert Doll – i cili ishte ndër anëtarët më të lartë dhe ish-kandidat presidencial për Partinë Republikane.

Është e drejtë dhe e përshtatshme që të tre kanë ose shtatore ose buste këtu në Prishtinë, duke na e përkujtuar se çka kanë bërë për popullin e Kosovës.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës përballë pengesave dhe përkushtimin e tij për të arritur idealet e shprehura në Deklaratën tuaj të Pavarësisë: „Ne e shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit”.

Në përputhje me trashëgiminë e ish-presidentit Klinton, ish-sekretares Ollbrajt, ish-senatorit Doll, dhe sigurisht angazhimin e vazhdueshëm të presidentit Bajden, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tuaja për ta realizuar këtë vizion ambicioz dhe thelbësor.

Sot po festojmë 248 vite të Shteteve të Bashkuara si shtet demokratik dhe i lirë.

Muajin e kaluar shënuam 80 vjetorin e Ditës D.

Muajin e ardhshëm do të jemi nikoqirë të samitit në Uashington për shënimin e 75 vjetorit të NATO-s.

Në këtë vazhdë, ne gjithashtu festojmë së bashku më shumë se 16 vjet që kur Kosova arriti pavarësinë e saj dhe mahnitemi me përparimin që populli i Kosovës e ka arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore.

Shpresojmë të shohim përparim më të madh për të mirën e tërë popullit të Kosovës. Dhe unë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara ishin, janë dhe do të jenë me popullin e Kosovës derisa ecni përpara për ta përmbushur këtë vizion.

Në fund, dua të shpreh mirënjohjen tonë për vullnetarët e shumtë, të cilët janë udhëhequr me aq mjeshtëri nga Xhesika Gumusio, Erik Gytshof dhe Piti Itharat për të organizuar këtë ngjarje fantastike.

Gjithashtu, dëshiroj t’i falënderoj sponsorët e shumtë, pa të cilët kjo ngjarje nuk do të bëhej. Ju faleminderit për zemërgjerësinë tuaj.

Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe urime Dita e Pavarësisë!

Filed Under: Rajon

NAUM PRIFTI: ISMAIL KADARE ËSHTË SHPREHËSI MË I THEKËT I IDENTITETIT KOMBËTAR

July 2, 2024 by s p

Botuar me rastin e vdekjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare/

Nuk është aspak e rastësishme që shkrimtari Ismail Kadare ka tërhequr vëmendjen e të huajve me temat e tij rreth botës shqiptare. Prej kohësh, mjaft nga lexuesit e huaj kanë pohuar se e kanë njohur Shqipërinë, ose u është rritur interesi për ta vizituar dhe për ta parë së afërmi, pasi kanë lexuar një a disa vepra të shkrimtarit shqiptar. Por, ndërsa të huajt e kanë njohur identitetin shqiptar nga veprat e Kadaresë, zërat e ndryshëm kritikë shqiptarë kanë thënë ose s’kanë konsumuar aspak në lidhje me këtë pikë. Një njohës i qetë dhe i domosdoshëm është shkrimtari, Naum Prifti. Tema ime e doktoraturës, pranë Universitetit të Londrës, Sowth Bank (London South Bank University) lidhur me memorjen kulturore dhe identitetin etnik në prozën dhe poezinë e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, natyrshëm nuk do të ishte një lëvrim i gjerë i saj, as edhe një zhvillim shkencor, nëse në të nuk do të ishte edhe mendimi dhe vlerat që përcjell një penë e një kalibri të tillë, siç është shkrimtari Naum Prifti.

Ai shprehet se e ka njohur Kadarenë në një jetë normale, por edhe në një kohë dhe hapësirë disi tejet ridimensionuese dhe kontradiktore. “E kam njohur Ismail Kadarenë qysh në fillimet e krijimtarisë së tij, dhe shoqëria jonë ka vazhduar gjatë, aq sa u ka rezistuar viteve, sa edhe sot nuk është vyshkur. Ngjau që ne e filluam krijimtarinë letrare në të njëjtën dekadë, në fillim të viteve ’50. Rastësisht, apo për koincidencë, kontigjenti që hyri në letërsi në këto vite pati ndikim e la gjurmë të forta në letërsinë e re shqiptare”.

Lidhur me këtë, ne i adresuam disa pyetje shkrimtarit Naum Prifti dhe ai me një dashuri akademike, si një profesor i shquar i letrave shqipe, na afroi këtë material me vlera të padiskutueshme kulturore.

-Profesor Prifti, si mund të përkufizohet Kadare qartësisht, duke qenë një hulumtues didakt i progresit linguistik në këmbim të së vjetrës me progresiven dhe të domosdoshmen në literaturë, në vitet e hershme të njohjes suaj?

Në ato vite Ismail Kadare na pyeste shoqërisht se si mund të përktheheshin në gjuhë të huaj, si frëngjisht, anglisht, rusisht, disa fjalë të huajtura nga turqishtja e arabishtja që ishin ngulur në gjuhën tonë dhe shprehnin kuptime të mirëfillta të sferave emocionale sikurse hallall, harram, terjaqi, jaran, ashari, sherret, ibret, mysybet, etj. Këto fjalë ishin krejt popullore e të kuptueshme për shqiptarët e të gjithave moshave, ndërsa të vështira për t’u përkthyer në gjuhë të huaj, mbasi i largoheshin kuptimit të mirëfilltë. Harram, nuk është thjesht forbidden, jo e lejuar, e ndaluar, por ngërthen kuptim më specifik në normat e jetesës, sipas botëkuptimit fetar. Fjala turqisht taze, ka kuptimin e mirëfilltë “e freskët” por ajo njëkohësisht përdoret edhe për nocionin “e ngrohtë”, e sapodalë nga furra, si për shembull bukë e ngrohtë, simite, qahije. Këto diskutime nisën si lojë midis nesh dhe na shërbenin kryesisht për humor.

-Ku ndikoi kjo vlerë e Kadaresë në prozën shqiptare dhe si mund ta lexojmë ndryshe atë?

Ismail Kadareja në prozë, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë, të moshuar e të rinj, u përqendrua ta shihte e ta vizatonte Shqipërinë me tiparet e saj më të qenësishme, me ngjarje mbresëlënëse e tronditëse nga e kaluara e largët dhe e afërt. Këto tipare origjinale u dukën qysh në vëllimin e tij të parë me tregime “Qyteti i Gurtë” kushtuar vendlindjes, Gjirokastrës. Atje, ai pikturoi jetën e qytetit provincial, me tipare psiko-fizike origjinale, më saktë ashtu siç e kishte njohur. Qyteti është sa iluziv, aq dhe i vërtetë. Nuk ka qytet tjetër në Ballkan me pjerrësinë që ka Gjirokastra. Ismaili në kujtimet e tij për studimet në Institutin Gorki të Moskës pohon se, kur u tregonte shokëve të vet letrarë se qyteti i vendlindjes ishte aq i pjerrët, sa po të qëllonte të shkisje nga rruga aksidentalisht, kishte të ngjarë të bije mbi çatinë e ndonjë shtëpie, ata nuk e besonin. Thënia u dukej figurative, e ekzagjeruar, jo e besueshme, po për Gjirokastrën qe reale dhe jetësore. Gjirokastra është një perlë për piktorët e njëkohësisht qytet torturues për vendesit me rrugët e pjerrta, rrëpira me kalldrëm, ngjitje e zbritje të pasosura që të këputin gjunjët. Asnjë fotografi nuk e jep panoramën tërësore të Gjirokastrës, sepse nga çdo pikë shikimi, një pjesë e qytetit fshihet në faqet e përrenjve. Shtëpitë janë trekatëshe, ndërsa në të vërtetë vetëm kati i sipërm shërben për banesë, dy të tjerat janë bodrume, ose hajate. Një tjetër veçanti. Qyteti s’kishte rrjet ujësjellësi, as puse me kovë a pompa me dorëz, por përdorte sistemin origjinal të “sterave”, depo të posaçme përfund shtëpisë që mblidhnin ujët e shiut. Kalaja e Gjirokastrës disa shekullore, e vendosur në krye të kodrës ngjet me një vapor madhështor që ka ngelur në cektinë. Ajo i jep qytetit një pamje sa madhështore, aq dhe hijerëndë.

-Poezia e Kadaresë nisi me çmime, por a qëndron argumenti i zërave të kritikës për interpretime politike?

Për poemën “Përse mendohen këto male” (1964) Kadareja fitoi çmimin e parë në konkursin kombëtar e po ashtu u nderua edhe me Çmimin e Republikës, nderi më i madh për veprat artistike. Ngjarja më e bujshme qe se e mori në telefon dhe e uroi vetë Enver Hoxha. Kjo ishte e vetmja herë që ai uronte një autor personalisht. Qëlloi që një vit më parë, Enveri kishte kritikuar ashpër dramën time “Rrethimi i Bardhë”, të cilin e kishte parë në Teatrin “A.Z. Çajupi” në Korçë. Ai e damkosi veprën me gabime, sepse e interpretoi sikur ajo përmbante sulme ndaj politikës së partisë kundrejt klasës punëtore. Kështu drama u ndalua dhe autori u vu në shënjestër të kritikave. Gjatë një shëtitje shoqërore aty pranë sheshit “Skënderbej”, Ismaili tha: “Sikur Naumi dhe unë të vdisnim sot, unë do të vdisja në kulmin e lavdisë, ndërsa Naumi në kulmin e shpërfilljes dhe kritikave”. I mbaj këto fjalë, sepse shprehnin pikëpamjen e sinqertë për kohën, edhe pse në fushën e tregimit isha bërë i njohur, pas botimit të vëllimit “Çezma e Floririt” 1960.

-Romani i parë i Kadaresë ka ngjallur polemika të forta në atë kohë. A kishte diçka lidhje me identitetin shqiptar apo ishte thjesht nyja konverguese me stilin tipik Kadarean?

Romani i parë i Kadaresë “Dasma” ngjalli polemika të forta, për shkak të largimit nga rruga e njohur deskriptive e ngjarjeve. Ai u përpoq ta trajtonte realitetin në mënyrë krejt të re, me personazhe emblematikë, si “njeriu me lungë”, madje edhe Katrina, protagonistja pikturohet pa botë të brendshme. Gjithsesi, romani dëshmonte përpjekjet serioze të autorit për të thyer kornizat konvencionale e tradicionale të prozës shqipe. Kujtoj nervozizmin e autorit A.A. tregimtar dhe romancier, i cilësuar nga Kadareja si shkrimtari më skematik që kërkonte me zë të lartë nga ne shkrimtarët, hartimin e një relacioni ku të protestonim kundër veprës, duke e anatemuar si rrugë e gabuar. Për fat të mirë asnjë autor nuk e pasoi, sepse s’kishte kuptim t’i diktoje autorit si duhej shkruar.

-A ndikonte ky stil në jetën e shkrimtarit?

Kadareja nuk e ka patur jetën të lehtë dhe do të ishte gabim sikur rruga e tij letrare të paraqitej e shtruar me dafina. Kohë pas kohe kundër tij kanë shpërthyer kritika të forta si nga dogmatikët, ashtu dhe nga ambiciozët, sidomos të atyre që u dukej sikur ai i kishte eklipsuar e pa Kadarenë do të shkëlqenin. Ndërkohë, Kadareja kishte nisur të shfaqte interes për shkrimtarët botërorë të anatemuar nga realizmi socialist, duke filluar që nga Franc Kafka, Kamusi, Ionescu, Celini, etj. Ai e ndjeu shpejt se, rusishtja ia kufizonte njohjen, prandaj mësoi anglishten në mënyrë autodidakte. Ai përktheu novelën “Plaku dhe deti” të E. Hemingway, e cila u prit mirë nga lexuesit. Besoj se, pasi lexoi Kafkën, ai botoi tregimin “Përbindëshi” që ngjalli aq diskutime e kritika nga rrethet letrare dhe nga zyrtarët. Mbaj mend një mbledhje në sallën e madhe të klubit të shkrimtarëve gjatë viteve ’70. Atje iu turrën me ashpërsi, “shkrimtarët” e veshur me uniformë, të cilët si ushtarakë besonin se ishin kompetentë për mjetet luftarake. Ismaili u fye nga kritikat e tyre që kalonin caqet letrare. Me buzët, që i dridheshin nga inati, kërkoi menjëherë nga kryetari D. Agolli që kritikuesit e tij t’i kërkonin falje për sulmet e tyre politike që kërkonin ndalimin e veprës dhe kryqëzimin e autorit. Kryetari gjeti një farë kompromisi, duke i cilësuar kritikat interpretime të ekzagjeruara, por mbledhja u mbyll në një atmosferë të thartuar.

-Ku duhet dalluar Kadare nga shkrimtari Kadare, përpos zërave kritikë të kohës?

Sot e akuzojnë Kadarenë se qe njeri me pozitë gjatë kohës së diktaturës si Nënkryetar i Frontit Demokratik. Kjo nuk qe pozitë në hierarkinë e Partisë, por një lloj nderimi sipas stilit komunist për t’i marrë me të mirë disa persona, për t’u treguar se i nderonin. Organizata e Frontit, në këtë kohë e kryesuar nga Nexhmije Hoxha, e shoqja e diktatorit, qe një kufomë politike, e cila nuk luante më asnjë rol. Përpjekja për ta ringjallur e për të arritur unitetin popullor, ishte siluruar nga Partia e Punës, me dënimet, burgosjet dhe internimet e mijëra familjeve anembanë vendit. Pozita e Ismail Kadaresë qe emërimi kryeredaktor i revistës “Lettres Albanaise”, që botohej frëngjisht. Aty ai vendoste e përzgjidhte pjesët nga letërsia shqipe, prozë e poezi, dhe shijet e tij ndikuan që të silleshin krijimet më të arrira të çdo kohe.

-A mund të konsiderohet shkrimtari Kadare thjesht si ‘një ish-anëtar i PPSH-së?

Ismail Kadareja ka qenë anëtar i PPSH, por pohoj me bindje se, nuk qe ai që përqafoi idetë komuniste, as nuk u bë ithtar i tyre. Atë e kooptuan, i vunë gishtin që ta futnin në radhët e PPSH, se ndjenin nevojë të kishin edhe intelektualë të dëgjuar në radhët e tyre, prandaj ngarkuan me mision sekretarin e organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve, Ibrahim Uruçin. Ai e mbante afër, e këshillonte, e udhëzonte, dhe Ismaili bënte sikur e dëgjonte, duke ruajtur gjithmonë mendimet e tij. Ka një fakt që, tregon për mendimet politike të Kadaresë ndaj udhëheqjes sonë, e personalisht ndaj Enver Hoxhës. Ismailin e dërguan anëtar delegacioni të Rinisë Shqiptare, në Finlandë, ku po mbahej Kongresi Botëror i Rinisë, me nxitjen dhe përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, që i stimulonte këto tubime për të zgjeruar ndikimin e tij. Kur delegacioni shqiptar po kalonte para tribunës, për forcë zakoni apo zelli politik, filloi të skadonte parrullën më të njohur të kohës, “Parti-Enver-Jemi gati kurdoherë!” Ismail Kadareja tok me Drago Siliqin e transformuan në thirrje proteste, duke bërtitur: “Parti-Enver/Kemi frikë se na ther!” Të thoshe diçka të tillë publikisht para tribunes në Helsinki, qe kuturisje e madhe, në mos çmenduri, sepse në delegacion kishte sigurimsa. Ky skandal erdhi në Shqipëri pas mbylljes së Kongresit, madje u bë i njohur si anekdotë, po u pa e arsyeshme të kalohej heshturazi. Duhet të ketë qenë diku mesi i viteve ’60 kur u mbajt Kongresi Botëror i Rinisë në Helsinki.

-Si ndikoi ‘leksioni Kadarean’ tek një shkrimtar si ju që ishit në rrugë të njëjtë edukimi dhe vlerash të memories kulturore dhe identitetit etnik me të?

Në kohën që mua do të më çonin për studime në Institutin Gorki në Moskë, Ismail Kadareja sapo qe kthyer nga kursi special dy vjeçar për shkrimtarë, me kolegë nga Europa Lindore dhe nga republikat sovjetike. Konditat e tyre ishin shumë të favorshme, se ata kishin trajtim special, bursë të lartë, dhe favore të tjera. Në Moskë, ai botoi një përmbledhje me poezi të përkthyera, duke e ndryshuar paksa emrin nga Ismail në Smile Kadare, që të mos tingëllonte si islamik. Ai e urrente regjimin e Bashkimit Sovjetik për sistemin policor. Më porositi të ruhesha nga studentet ruse, të cilat ua vinin shqiptarëve për t’i ndihmuar të mësonin gjuhën, por edhe për të investiguar pikëpamjet e tyre politike. “Janë të gjitha spiune, agjente të KGB”, më tha Ismaili, pa më të voglin hezitim, “prandaj ruaju prej tyre!”. Të thoshe këtë gjë në vitin 1962, qe kuturisje e madhe. Në fakt, nuk munda të vija në Moskë, se bursën ma prenë për shkak të acarimit të marrëdhënieve politike me Bashkimin Sovjetik. Për një farë kohe, ne u gëzuam që shpëtuam nga tutela ruse në çdo fushë të jetës, pa e ditur se do të binim në prehërin e skematizmit të skajshëm kinez. Kinezët e patën të vështirë të botonin veprat shqipe në gjuhën e tyre se të gjitha krijimet tona të rekomanduara e të përkthyera nuk i shkonin për shtat skematizmit të tyre të skajshëm.

-Pse Ismail Kadare shfaqi interes për veprat e ekzistencialistëve francezë?

Ismaili filloi të interesohej për veprat e ekzistencialistëve francezë. Ai më kërkoi t’i jepja romanin “I huaji” dhe “Mortaja” të Camus,-it dhe autorë të tjerë. Filloi të mësonte frëngjisht me ndihmën e Jusuf Vrionit, përkthyesit të talentuar të cilin francezët e nderuan me çmim ë lartë honorifik. Ndërkohë, u botua romani “Dimri i vetmisë së madhe”, titull që u ndryshua më vonë se udhëheqja komuniste shqiptare nuk pranonte kurrsesi që ishte e vetme. Përkrah saj ishin “marksistët-leninistët e vërtetë” dhe revolucionarët e gjithë botës, një eufemizmë partiake e burokracisë shqiptare, se shpejt e treguan veten si aventurierë politikë. Pas botimit nisi orteku i kritikave të rrepta kundër romanit, edhe pse në qendër të tij ishte figura e udhëheqësit shqiptar. Më kujtohet një bisedë me Ismailin në rrugën e Dibrës, drejt shtëpisë sime. Ismaili më tha se sinqerisht nuk e kuptonte ashpërsinë e kritikave me shkrim e ca më shumë me gojë nga kritikë e persona me emër. I thashë mendimin tim: Ka disa të vërteta të hidhura në roman, psh te personazhi i Sotiraqit, nëpunës në Ministrinë e Brendshme që gjen kënaqësi, duke mbushur dosjet e qytetarëve me gabime politike”. Ajo figurë zemëroi gjithë punonjësit e sigurimit dhe besoj se prej tyre nxiteshin kritikat për romanin. Ismaili u rrezikua jo vetëm t’i hiqnin romanin nga qarkullimi, por edhe ta internonin si armik të pushtetit. Enver Hoxha i zgjati kamerdaren e shpëtimit në fjalimin e tij në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Ai tha se, besonte se autori do ta ripunonte e do ta përmirësonte, duke patur parasysh vërejtjet. Kaq u desh që orteku i furishëm të ndërpritej dhe autori të vazhdonte i qetë punën. Kadareja bëri disa rregullime të pjesshme, po romani mbeti po ai që ishte në thelb.

-Po Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, pse e sorollati Kadarenë?

Romani “Koncert në fund të dimrit” edhe pse ka kapituj shumë të bukura, ngjan paksa i shtrirë. Për botimin e këtij romani, Kadareja vuajti shumë. Disa vite me radhë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, e sorollati me vërejtje pas vërejtjesh, deri sa më në fund u bë një mbledhje e posaçme në selinë e Komitetit Qendror me të ashtuquajtur ekspertë të letërsisë, kritikë dhe aparatçikë. Ata i kërkuan me këmbëngulje që në qendër të vinte shokun Enver, që përmendej vetëm shkarazi, kurse Ismaili u mbrojt, duke thënë se atë figurë e kishte epuizuar te “Dimri i Vetmisë së Madhe” dhe nuk do të ishte e denjë ta përsëriste. Argumentin e tij e pranuan dhe romani u botua pas dy vitesh me disa ndryshime që pranoi autori.

-Cila vepër e bëri shkrimtarin Kadare me nivel të bujshëm?

Vepra me të cilin Kadareja pati sukses të bujshëm në shumë shtete të Europës, qe romani “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, baza e të cilit qe një ngjarje e vërtetë, kthimi i eshtrave të ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri. Te ky roman gjeti zhvillim pikëpamja e tij për ta pasqyruar Shqipërinë me sytë dhe ndjenjat e të huajve, po aty ndërkohë jepen edhe mjaft pasazhe realiste e tronditëse nga ndërthurja midis dy kohëve. Kjo vepër pati sukses edhe si dramë, ndërsa si film nuk pati sukses, edhe pse merrnin pjesë aktorë me famë botërore si Mishel Pikoli dhe Mastrojani. Arsyeja qe këndi i gabuar i vështrimit, se kineastët tragjedinë e trajtuan si komedi-satirë.

-Si e konsideroni romanin “Prilli i thyer”?

Kadareja e shtriu më gjërë vizatimin e botës shqiptare me syrin te romani “Prilli i thyer”. Aty ai gjeti fushë për të parashtruar pikëpamjet e tij për gjakmarrjen, plagën shoqërore më të rëndë, që për fat të keq u ringjall dhe po vazhdon ende. Tek-tuk ndonjë pasaktësi interpretimi të fakteve, nuk ia cënon aspak vlerat, çka e tregon interesi që ngjalli kudo në botë. Hakmarrja dhe gjakmarrja rezistuan pak më gjatë në Italinë e Jugut dhe në Korsikë, por edhe atje u shuan qysh në mesin e shek. XVII. Përmendim se një shoqëri braziliane kinematografike e gjeti romanin të përshtashëm për një film artistik me atë subjekt, por në kushte e rrethana të tjera.

Ndikimi i Kadaresë ndihet në mbarë botën letrare. Shqipëria falë veprave në prozë të Kadaresë, më romanet që përmendëm dhe me të tjerat botuar në vitet e fundit, pushtoi hapësira të reja në vende të tjera. Një vend nderi në galaktikën krijuese të Kadaresë zënë novelat dhe tregimet me subjekte nga koha Bizantino-Osmane. Aty, Kadareja me zgjuarësinë e tij gjeniale shpalosi subjekte nga realiteti komunist shqiptar, aludimet e të cilave kuptoheshin qartë nga çdo lexues i vëmendshëm. Te “Pallati i Endrrave” ndihet kënaqësia e autorit që po ia kalonte ujët nën rrogoz censurës së rreptë të partisë.

-A ekziston një urë ndarëse mes Kadaresë së paraarratisjes në Francë, me Kadarenë e viteve që njohët ju?

Arratisja e Kadaresë në Francë qe shuplaka më e papritur dhe më tronditëse që shkrimtari i dha regjimit komunist të Ramiz Alisë, që zëvendësoi Enver Hoxhën. Qëkur ai u betua se do të vazhdonte besnikërisht rrugën e diktatorit, la të kuptohej se pranoi të ishte hija e hijes. Të gjithë ata që prisnin një Gorbaçov të vogël, u zhgënjyen keq prej politikës së tij miope. Në fund të viteve ’80, Ramiz Alia thërriti në një mbledhje të posaçme të gjithë intelektualët, duke iu lutur t’i tregonin rrugën si t’i gënjente të huajt për pluralizmin, pa ndryshuar asgjë. Në atë mbledhje qe ftuar dhe I. Kadareja, por ai nuk pranoi të jepte asnjë sugjerim, duke u justifikuar se mendimet e tij ia kishte shfaqur Ramiz Alisë me letër. Ramiz Alia nuk i pranoi sugjerimet e Kadaresë. Ai mbeti një komsomolas i thekur që zgjodhi prapambetjen politike. Sapo mbledhja mbaroi dhe intelektualët po diskutonin jashtë midis tyre, Ismaili tha se Ramiz Alia i ngjan atij ustait që do t’i hedhë çati shtëpisë, pa hapur themele e pa ndërtuar mure. Ishte koha, kur Partia u orvat t’i ngrinte subjektet e krijuara prej saj si Organizatën e Rinisë, të Gruas, të Frontit, e Veteranëve, të ngriheshin në rangun e Partive, për të krijuar imazhin e pluralizmit politik. Vetëm Lidhja e Shkrimtarëve nuk pranoi të futej në këtë lojë naive dhe ky qe një grusht i papritur për partiakët e lartë. Duke kërkuar azil politik në Francë, Ismail Kadareja ia ktheu mbrapsht partisë të gjitha nderet, dekoratat, titujt, pozitat, gjithçka që i kishin akorduar. Zemërimi i tyre reflektohet te komunikata luftarake që u botua me atë rast te “Zëri i Popullit”, më e turpshmja, më e poshtra që mund të hartohej, duke e akuzuar agjent, renegat, dhe epitete të tjera. Askush nuk parashikoi atëherë rolin e madh që do të luante Kadareja për atdheun e tij e sidomos për fitimin e pavarësisë së Kosovës.

-A është zë i veçantë shkrimtari Kadare në fushën e pasqyrimit të identitetit shqiptar?

Ismail Kadareja, më mirë se çdo shkrimtar tjetër bashkëshohës, shprehu identitetin shqiptar me bukuri artistike dhe vërtetësi historike. Ai sot është zëdhënësi më i fuqishëm dhe më me ndikim për mbrojtjen e aspiratave të çështjes kombëtare, një autor si ai nderon kombin që e ka lindur e rritur.

Intervistoi FATMIR TERZIU

Filed Under: Rajon

Shqiptarët në Mal të Zi dhe vonesa e publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullsisë

July 1, 2024 by s p

Ndonëse është paralajmëruar më herët se rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, të mbajtur me 1-28 dhjetor 2023 do të shpallen më së largut në muajin qershor, sipas informacioneve të fundit për çështje teknike, përkatësisht në mungesë të sofuerit ata do të shpallën më vonë, qe hapë dilema dhe spekulime ku çështje kyçe paraqet struktura kombëtare e gjuhësore e popullsisë në këtë mjedis, që është dukuri e shoqërive të pakonsoliduara, ku bënë pjesë edhe Mali i Zi.

Nail Draga

Nga ana e MONSTAT-it kanë njoftuar se deri me tash janë shpallur dy tenderë për blerjen e softverit por ata kanë dështuar, por së shpejti do të shpallet tenderi i tretë dhe shpresohet se do të realizohet me sukses qe do të mundësojë shpalljen e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë. Por, deri atëherë do të vazhdojnë komentet negative në lidhje me këtë çështje, që krijon mundësi për spekulime në opinionin e gjerë.

Të dhënat e përgjithshme të publikuara

Të dhënat paraprake mbi regjistrimin e popullsisë, familjeveve dhe të banesave në Mal të Zi që është mbajtur nga 1-28 dhjetor 2023 nga ana e MONSTAT-it opinionit iu prezantuan me 25 janar, ku numri i përgjithshëm i popullsisë është 633.158 banorë apo për 2.1% më tepër së në vitin 2011(620.029 banorë).

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, në aspektin regjional, del se regjioni Verior në Mal të Zi, është i përfshirë nga dukuria e shpopullimit sepse për pesëdhjetë vjet 1971-2023, numri i banorëve ka rënë për 70.617(30.66%) nga 230.309(1971) në 159.662(2023).

Nga ana tjetër regjioni Qendror ka pasur rritje për 106.944 banorë(34.54%) nga 202.612(1971) në 309556(2023). Po ashtu rritje ka pasur edhe regjiioni Jugor për 65.277 banorë(39.81%) nga 96.683(1971) në 163.960(2023).

Dukuria e tillë e shpopullimit të popullsisë, dëshmon pabarazinë e zhvillimit ekonomik në aspektin regjional, e cila në sajë të parashikimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmën, ku me atraktiv do të jetë regjioni Qendror e ai Jugor.

Shpopullimi, dukuri shqetësuese

Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2011 në Mal të Zi ishin 43 vendbanime pa banorë(3.3%)ndërsa tash ky numër është rritur në 74(5.1%) e numrit të përgjithshëm në Mal të Zi.

Nga ana tjetër është rritur dukshëm edhe numri i vendbanimeve nga 10 banorë e më pak qe janë 304 (20.8%) ndërsa në vitin 2011 ishin 120 apo 9.2%. Një e dhënë e tillë dëshmon

se për disa vite në vijim një e katërta e vendbanimeve do të jenë pa banorë, që është dëshmi e migrimit të popullsisë, përkatësisht e shpopullimit të vendbanimeve!

Spekulime me strukturën e popullsisë

Në mungesë të publikimit zyrtar të strukturës së popullsisë nga individë të ndryshëm janë prezantuar informata sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë. Një çështje e tillë ka të bëjë kryesisht ne lidhje me numrin e të deklaruarëve në aspektin kombëtar si malazez dhe serb, sepse në sajë të raporteve politike viteve të fundit në Mal të Zi kjo çështje është politizuar shumë.

Ndërsa nëse analizojmë të dhënat nga regjistrimet e kaluara te popullsisë (1948-2011) ka fakte të mjaftueshme se janë bërë falsifikime numërike në këtë drejtim, e ate kryesisht në favor të malazezëve e në dëm të popujve tjerë, që ishte në kundërshtim me realitetin në këtë mjedis multinacional. Ne këtë aspekt falsifikime janë bërë edhe ndaj shqiptarëve qe dëshmohet nëse analizohen të dhënat sipas vendbanimeve te banuara me popullsi shqiptare në viset e tyre si popullsi autoktone në këtë mjedis, që paraqet çështje për hulumtim të veçantë.

Por, pasi në ndërkohë mungojnë të dhënat zyrtare nga regjistrimi i popullsisë e sidomos ne lidhje me veçoritë etnike e kulturologjike individë të ndryshëm janë paraqitur me prezantim të te dhënave të cilat nuk janë si rezultat i të dhënave të përpunuara nga regjistrimi i popullsisë andaj si të tilla nuk kemi të bëjmë me informata të sakta por janë parashikime personale apo grupeve të ndryshme, dhe si të tilla nuk janë zyrtare por janë lajthitje për opinionin e gjerë.

Pikërisht ne lidhje me këtë çështje nga MONSTAT-i kanë informuar se të dhënat e mbledhura sipas pyetësoreve ka qenë e nevojshme të vendosen në sistem, për të filluar procesi i kontrollit dhe përpunimi i të dhënave. Vendosja e të dhënave ka filluar në muajin shkurt dhe ka zgjatur deri në fund të prillit. Krahas fazës së vendosjes së të dhënave është edhe kontrollimi i të dhënave, ku kjo fazë do të zgjasë deri në publikimin e të dhënave definitive nga regjistrimi i popullsisë.

Duke marrë parasysh se nga janari e deri tash është krijuar një vakum kohor individëve të ndryshëm iu është dhënë mundësia për paraqitje te të dhënave të ndryshme në lidhje mbi strukturën kombëtare e gjuhësore të popullsisë qe me të drejt i quajmë spekulime sepse për të dhënat zyrtare kompetent është vetëm MONSTAT-i e askush tjetër.

Në pritje të softuerit

Kemi të bëjmë me softuerin i cili ka rolin e kontrollit te të dhënave të grumbulluara gjatë regjistrimit të popullsisë, familjeve dhe të banesave, i cili deri me tash nga ana e MONSTAT-it është shpallur dy herë por ka dështuar andaj së shpejti do të shpallët tenderi i ri i treti më radhë, duke shpresuar qe përfundimisht të zgjidhet kjo çështje teknike, qe është e nevojshme për publikimin e të dhënave zyrtare të regjistrimit të popullsisë.

Në sajë të ligjit MONSTAT-i e ka paraparë si obligim që qytetarëve t´iu ofrojë mundësinë për të vërtetuar të dhënat e tyre, në lidhje me karakteristikat etnike e kulturologjike të mbledhura ne procesin e regjistrimit përmes softverit. Kemi të bëjmë me një procedurë qe nuk mund të vlerësohet vetëm si teknike, sepse ka të bëjë me seriozitetin dhe saktësinë e të dhënave të prezantuara në regjistrimin e popullsisë. Kemi të bëjmë me mundësinë teknike te çdo qytetari për të lexuar e parë personalisht të dhënat e regjistruara në fletën e regjistrimit të popullsisë, çështje e cila eliminon dilemat për spekulime të ndryshme, që është dukuri e shoqërive e vendeve të pakonsoliduara, ku bënë pjesë edhe Mali i Zi.

Përfundimisht cekim se sipas Ligjit për Regjistrim, publikimi i rezultateve nga regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave të vitit 2023, është në kompetencë të MONSTAT-it, andaj çdo informacion tjetër është spekulim dhe pa vlerë për opinion e gjerë.

(Qershor 2024)

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 201
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT