• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR ISHULLIN E SAZANIT

March 20, 2024 by s p

Asllan Bushati/

Ishulli i Sazanit është pjesë shumë e rëndësishme e teritorit të Republikës së Shqipërisë, si edhe bazë ushtarake e rëndësisë së veçantë. Masmedia këto ditë e ka nxjerrë pa pritur si të thuash në “shitje’. Gjëja e parë që të shkon në mendje është kjo: është një e vërtetë apo një truk për të larguar vemendjen e opinionit nga “patatet e nxehta të momentit”? Në se është truk “hallall e paci” se ka plotë të pamend që ju ndjekin qorrazi nga pas prej kaq kohësh. Por në se është e vërtetë, unë si shqiptar dhe si ish komandant ushtarak i atij teritori, protestoj hapur kundër kësaj ”shitjeje”, duke e konsideruar vehten (si shumë të tjerë) pronar për aq sa më takon, si një nga 6 milion shqiptarët në trojet etnike. Në këto kushte prirem të kërkoj përgjigje nga Kryeministri për sa më poshtë: Ky problem a është diskutuar më parë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare (USH) dhe në se po, cili është mendimi i tij dhe vecanërisht i specialistëve të fushës operacioneve? A është pyetur Kamandanti Përgjithshëm (Presidenti) i cili është autoriteti numër një për fushën e sigurisë kombëtare? A është pyetur Shtabi i NATO-s dhe së fundi a është pyetur Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së se ndoshta ata kanë plane perspektivë për ta përdorur ate si një bazë ushtarako detare jo permanente?

Me këtë rast dëshiroj të cfaq disa mendime, të cilat mund të mos kenë asnjë peshë në vendimmarrjen e ardhëshme, por si ish ushtarak i lartë në USH dua ta kemë ndërgjegjen të pastërt se e kam thënë hapur mendimin tim.

Kujtoj këtu se në shtator 1992 në Ishullin e Sazanit kam përgatitur e drejtuar një stërvitje të madhe me trupa dhe me qitje luftarake me të gjitha llojet e armëve dhe me pjesmarrjen e Divizionit “Labria”, Bazës Ushtarako Detare (BUD) të Vlorës dhe regjimenti i aviacinit gjuajtës bombardues i Bazës Ushtarako Ajrore (BUA) të Kucovës. Stërvitja kishte si qëllim aftësimin luftarak dhe bashkpunimin në operacion sepse lufta që po zhvillohej në Kroaci e Basnje pritej të zbriste në Kosovë e për rrjedhojë edhe në Shqipëri. Të pranishëm në stërvitje ishin Presidenti Sali Berisha, Ministri Mbrojtjes Safet Zhulali, dhe kuadrot kryesore të Shtabit Përgjithshëm dhe të njësive operative. Stërvitja ishte plotësisht e suksesëshme ku segmente te vecanta të së cilës u transmetuan edhe në TV kombëtar.

Për këtë stërvitje me sa duket ishin njoftuar edhe atashetë ushtarak të akredituar në atë kohë në Shqipëri. Kështu si rastësisht më pyeti për të, atasheu ushtarak britanik me rezidencë në Romë por që ndiqte edhe bashkpunimin me USH-në. Pyetja ishte: në rast se flota ruse e Mesdheut tenton të futet në ujrat e Adriatikut për ti ardhur në ndihmë Milloshevicit a mundet që USH-ja të bashkpunojë ushtarakisht me forcat e NATO-s? Përgjigja ime ishte: të drejtën për të shpall luftë e ka Parlamenti me propozimin e Presidentit. Në rast se kjo ndodh bashkpunimi është i mundur.

Në pranverën e vitit 1993 vjen për vizitë në Shqipëri edhe në Ishullin e Sazanit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Zoti Manfred Vërner. Për nder të tij u demostruan pjesë nga stërvitja e shtatorit 1992 të cilat ai i vlerësoi si shumë të suksesëshme. Në mbarim të demostrimit në prezencë të Presidentit, Ministrit dhe Shefit Shtabit Përgjithshëm, Zoti Vërner më pyeti mua si Komandanti i Divizionit pikërisht pyetjen që më kishte bërë 6 muaj më parë atasheu ushtarak britanik në se flota ruse hyn në Adriatik? Unë i thashë përgjigjen mund ta ja kërkoni Presidentit Shqipërisë, unë jam vartës i Shefit Shtabit Përgjithshëm. Presidenti Berisha më tha ti përgjigjesha pahezitim. Atëherë unë i thashë: Po është e mundur në qoftë se operacioni bëhet njëherëshi nga brigjet italiane dhe shqiptare dhe konkretisht nga Sazani dhe Otranto dhe nga Shëngjini e Brinisi si një pritë e madhe detare dhe më pas nga Durrësi e brigjet italiane të nis sulmi për asgjësimin përfundimtar të forcave të kapura në pritë. Zoti Vërner duke më shtërnguar dorën më tha ju falenderoj shumë dhe këtë mund ta quajmë fillimin e një bashkpunimi midis partnerësh. Shënoje si ide i tha shoqëruesit të tij.

Gjatë presidencës së Zotit Obama në SHBA, pati zëra se amerikanët mund të tërhiqeshin përfundimisht nga Baza Ushtarake e Bonstillit në Dardani duke ja lënë ate një antari tjetër të Nato-s (emër konkret). Të shqetësuar për këtë zhvillim, së bashku me disa miq të tjerë i kërkuam ish kongresmenit Xhozef DioGurdit (Joseph GioGuardi) të na mundësonte të takoheshim me senatorin Xhon Mekein (John McCain) e cila shpejt na u mundësua në Manhattan NY. Senatorit të nderuar që ishte dhe Kryetar i departamentit të Sigurisë, i spiegova se ne shqipratër ndjehemi të tradhëtuar nga amerikanët në se ata largohen nga trojet shqiptare (Kosova). Madje shtova se sygjeroj që edhe bazat ushtarake ajrore te Gjadrit e të Kucovës të riparohen e ti vihen në dispozicion NATO-s. Po ashtu bazat ushtarako detare të Sazanit e Pashalimanit të bëheshin pjesë e aleancës me prani të përherëshme amerikane. Vec sa më lart fusha e Bizës Martaneshit të përgatitej si një bazë e helikopterve të NATO-s me rreze të gjatë veprimi. Senatori i nderuar na i përkrahi mendimet dhe na premtoi se do ti shihte me përparësi.

Kur në Mitrovicë erdhi nga Beogradi një tren me mbishkrime fyese e provokuese për shqiptarët, i kërkuam takim kongresmenit Dana Rohrabacher (ish kryetar i Depatramentit te jashtëm te Kongresit Amerikan) edhe një herë ato ceshteje që ja kishhim kërkuar senatorit Xhon Mekein. Ai na dëgjoi me vemendje, na premtoi përkrahje dhe mua më tha ti shkruaja në një gjysëm faqe kërkesat ushtarake. Ashtu bëra dhe ata duhet të jenë në zyrat e Departamentit të Sigurisë.

I thashë këto gjëra, (disa edhe sekret më parë por jo tani) se gjykoj se Ishulli Sazanit nuk është vetëm në planet e turizmit e të biznemenëve të vecantë amerikan (qofshin ata edhe bij e dhëndurrë presidentësh), por edhe ne tavolinat e “skifterëve “ të Pentagonit. Prandaj lypset të mos fluturojmë, por të ecim me këmbë në tokë e me mend në kokë. Mund të kërkohet edhe për mundësi të tjera që Ishulli Sazanit të ruaj strukturën e të qënurit bazë ushtarake e rëndësisë vecantë, dhe të adapotohet si objekt pushimi për ushtarakët në detyrë e në pension (madje edhe të partnerëve) në plazhin e vogël që ka dhe të krijohen pishina me ujë deti duke shtuar hapsirën pushuese.

Shkurt, në ceshtjet teritoriale e ushtarake lypset të mos bëjmë avantura.

Filed Under: Rajon

NË VËMENDJE 149 VJETORI I LINDJES SË FAIK KONICËS.

March 19, 2024 by s p

(1875-15 mars-2024)

NGA NDUE BACAJ 

Siç është bërë zakon atij që perkujtohet i bëhet edhe një Curriculum-Vitae (jetëshkrim). Megjithse kolosi i mendimit Faik Konica nuk ka nevojë per një gjë të till , unë mendova t’a bëjë këtë “adet” të kahmotshëm..: 

NJË CURRICULUM I VOGËL PËR FAIK KONICËN E MADH 

Faik Konica ka lindur me 15 mars të vitit 1875 në Konicë të Çamerisë së Shqiperisë Etnike (sot nën Greqi). Familja ku lindi ishte një derë bejleresh që ndër mote ishte “pershtatur” ekonomikisht nën pushtuesin turko-osman , por që kishte arritur të ruante atdhedashurin për Shqiperinë – Skenderbegëjane dhe Europiane.. Ishte pikrisht kjo traditë familjare-shqiptare , që beri të mundur që bejlerët e Konices , inteligjentin e vogël (Faikun) , mbasi kishte perfunduar shkelqyeshem shkollimin fillor në Konicë ,ta dergonin të shkollohej më tej në Shkodër , në një shkollë Kristiane (jezuito-Franceskane), ku mësohej e propogandohej shqiptarisht, në gjuhen latine dhe kulturen Europerendimore… Faik Konica vijoj shkollim e tij në Kostandinopoj (Stambollë) , në Paris (Francë) për filozofi , e deri u diplomua për letersi në Universitetin e Harvardit (SHBA) me medalje ari.. Faik Konica për asnjë moment nuk kishte harruar se kush ishte dhe nga vinte , ndaj që në moshë të re Ai ja kishte kushtuar jetën dhe vepren levizjes kombetare shqiptare për një Shqiperi me të drejta të plota , të lirë dhe të pavarur në mes kombeve të tjera europiane , ku siç thoshte vazhdimisht Konica e kemi vendin të parët… Disa nga veprat e veprimtaria e Konicës janë: ‘Broshura’, “Shqiperia dhe turqit” -1895 , Revista “Albania” 1897-1909 (Bruksel) –(Londer), e cila njihet si një enciklopedi e vertet ,ku mbizotronte propogandimi i programit të levizjes kombetare të rilindjes shqiptare. Pas vitit 1909 ,kur mbyllet revista “Albania” Faik Konica i ftuar nga atdhetaret shqiptarë në Amerikë (SHBA) ,shkon atje me deshirë dhe drejton gazeten “Dielli”, dhe më vonë edhe gazeten “Trumpeta e Krujes”, që për vet titullin kuptohet se i bënte jehonë kohës së lavdishme të Arberisë së Gjergj Kastriotit, që kishte qënë e lavdishme edhe për vetë fatet e Europes të atyre moteve të liga… Me themelimin e Federates panshqiptare “VATRA” me 1912 , zgjidhet sekretar i pergjithshem i saj , por edhe do të shquhej për drejtimin dhe shkrimet e tij në gazetë “Dielli” plotë zjarrë të pashuar atdhedashurie , që kishte lindur në tempullin e lirisë e demokracisë botërore (SHBA)… Faik Konica së bashku me veprimtarin (tjeter) të Vatrës, Fan Nolin do të shkonin në Londer në vitin 1913 për mbrojtjen e çeshtjes kombëtare shqiptare në Konferencen e Ambasadorëve. Po këtë vitë (1913) Faik Konica do t’u bënte protagonist në Kongresin shqiptarë të Triestes , Kongres që u mblodh per të kundershtuar coptimin e Shqiperisë nga disa fuqi Europiane të kohes, në favor të fqinjeve shoven… Faik Konica u zgjodh kryetar i ketij kongresi… Vlenë të cilësohet se me datën 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucët allafrënga. Ai shkelqeu në veprimtarinë e tij diplomatike si gjatë luftes së parë botërore e më pas . Me ketë rastë vlenë të veçohet veprimtaria diplomatike e Konicës në Itali, Zvicerr , Austri etjerë.. Në vitin 1921 Faik Konica do të kthehej në SHBA dhe do të zgjidhej kryetar i Federatës panshqiptare “Vatra”, gjithashtu do të vijonte me shkrimet e tij brilante te gazeta “Dielli” ,”Shqiptari i Amerikes” etj.. Faik Konica njihej si një poliglot i rrallë , ai zotronte shumë gjuhë të huaja , si gjuhen turke, arabe , greke, franceze , italiane , angleze e tjer , por ai njihte edhe shumë dialekte të ketyre gjuhëve.. Faik Konica ishte një njohes i shkelqyer kultures , arteve, muzikes (i binte mrekullisht vet pianos), letersisë dhe historisë. Një shembull domethënës është ai kur Konica takohet me ministrin e jashtem Anglez , i cili mendonte se shqiptaret janë të pa kulturuar, ndaj takimin me Konicen e kishte pritur me skepticizem. Por kur Konica i tha atij me çfarë dialekti Anglez deshiron të flasim ai u çudit , por kjo çudi nuk mbaroi me kaq pasi Konica filloi ti flasë atij per kulturen dhe autoret e dores “parë” ,”dytë” e të “tretë” Britanikë dhe Europianë. Atëherë ministri i jashtem anglez i zënë në befasi i tha Konices , tani e mbrapa, kur të kerkosh të prezantosh Shqiperinë tënde nuk ke nevojë të flasësh gjatë , veçse ti thuash se Shqiperia jamë unë… F.Konica për shkallen e lartë të njohjes së kultures, letersisë dhe artit është “etiketuar” “Biblioteka levizëse”.. Faik Konica ka një veprimtari të dokumentuar si prozator , poet , publicist , estetist , kritik letrar , perkthyes , historian , politikan e diplomat… Madje Faik Konica shquhet edhe për një sarkazëm therëse me të cilën shprehte pikpamjet e tij të papajtueshme kundrejt naivitetit të bashkatdhetarëve e kundrejt shumë tabuve të kulturës dhe historisë shqiptare, përhapi një fllad të freskët në kopshtin e letrave shqipe. (Robert Elsie; Fjalori historik i Shqipërisë, fq.330, Sh.B.Eugen, Tiranë 2011). Konica ndonse jetonte larg Shqiperisë ai jetonte në çdo moment me hallet e problemet e saj. Ai ishte mbështetës i çdo veprimtarie që i sherbente prosperitet dhe zhvillimit , siç ishte kretikues dhe fshikullues i rreptë i çdo gjeje që nuk i sherbente Shqiperisë. Konica ishte mik i Nolit dhe i At Gjergj Fishtes . Ai ishte kundershtarë, por edhe mbeshtetes i Ahmet Zogut, kur i sherbente Shqiptarisë… Faik Konica është modeli “absolut” i një perfaqesuesi diplomatik të vendit tonë . Kjo vertetohet saktesisht nga dokumentacioni i trashiguar kur Konica ishte ambasador i Shqiperisë në SHBA….Vepra e tij tashma gjindet në arkiva, biblioteka , në koleksione revistash , gazetash , në botime librash etjer… Pas rënies së regjimit komunist, në vitet e pluralizmit janë botuar disa vepra që përmbledhin veprimtarinë letrare-publicistike, historike, kritike, Esse e filozofike të Faik Konicës, ku tre nga këta vepra unë i kam në bibliotekën time si: “1”.Ç’është Liria-Tiranë 2005. “2”.Doktor Gjilpëra, Katër përrallat. Shqipëria si mu duk.-Sh.b. “Naim Frashëri” 2006. “3”.Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore-Reklama, Tiranë 2010. 

VDEKJA E FAIK KONICËS 

Me 15 dhjetor 1942 në Shtetet e Bashkuara të Amerikes (Uashington) do të pushonte së rrahuri një zemer e madhe shqiptare, do të shuhej një mendje e ndritur , do të “thyhej” një pendë e artë e publicistikes , gazetarisë , historisë dhe diplomacisë , do të vdiste një simbol i inteligjences së racës sonë Iliro-Arbnore , do të vdiste Faik Konica. Në ato kohë Shqiperia ishte ligështuar nën rrebeshet fashiste, ndërsa në horizont shihte një “çadër të kuqe”, që e joshte të hynte nën të , se gjoja do t’a “shpëtonte” nga rrebeshet që e kishin lagur e drobitur si mos më keq… Në këto kushte Faik Konica iku nga kjo botë me zemer plastë… Trupi i Faik Konicës u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar. Edhe pse Faik Konica kishte lënë një trashigimi të plotë letrare e atdhetare për Shqiperinë e Shqiptarët , të cilet mjerisht pasi “hynë” nën çadrën e kuqe bolshevike-komuniste u detyruan ta anatemojnë , mohojnë e “harrojnë” Konicën dhe vepren e tij…, por siç thotë një sentencë e moçme , e drejta vonon , por kurr nuk harron.. Dhe kjo e drejtë erdhi pas vitit 1991, kur çadrës së kuqe ju thye “shkopi” në Rusi (ku ishte fabrikuar) dhe ju shkye “pelhura” edhe në Shqiperi… Në muajin maj të vitit 1995 eshtrat e Faik Konicës u kthyen në atdhe dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Sot Konica dhe vepra e tij studiohet , vlersohet dhe nderohet nga të gjithë shqiptarët me fëtyrë nga perendimi… 

NË VEND TË NJË EPILOGU 

Duke dashur t’a perfundojë këtë vëmendje modeste, unë mendova të risjell disa rrjeshta nga një shkrim brilant i Konices i vitit 1913 me titull “Dukja e pergjithshme e Vendit”, (shkrim që vë ball per ball ëndërrat e patriotëve shqiptarë me realitetin e asaj kohe…)…: ”…Njeriu që shkon kohen me ëndërra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak nga pak të ënderrosh se lulëzon. Edhe largimi i gjatë ta ngulitë ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur , e cila s’ka trup dhe nuk ndodhet gjëkundi , veçse në tru të ënderronjësit… Kuptova se kisha arritur në Shqiperi , një vend i bekuar me një mijë bukurira , por i shkelur nga një turmë e cila ushqen një farë urrejtje kundër bukurisë…”. (Faik Konica … Shqipëria kopshti shkembor i Europes Juglindore ,fq.7-10).

Filed Under: Rajon

Kuvendi i Kosovës bën bashkë deputetet e të gjitha legjislaturave

March 15, 2024 by s p

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot takim me ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me temën “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”.

Takimin e hapi kryetarja e Grupit të Grave Deputete, deputetja Tinka Kurti, e cila njëherësh edhe e drejtoi këtë ngjarje. Në fjalën e saj deputetja Kurti vlerësoi kontributin e të gjitha deputeteve të Kuvendit ndër vite, duke konsideruar se takimi i sotëm është pikërisht përpjekje për të shpërfaqur edhe njëherë këtë kontribut.

“Sot jemi këtu, me mes të muajit mars, i cili u kushtohet grave. Jemi bashkë, pavarësisht partive politike dhe pavarësisht legjislaturave. Sot janë ftuar të gjitha gratë që kanë qenë pjesë e këtij Kuvendi, që prej përfundimit të luftës në Kosovë. Secila ka lënë gjurmë dhe është në nderin tonë që të mos i mbulojmë ato gjurmë, por t’i bëjmë të dukshme. Është në solidaritetin e kauzës që të mos mendojmë se gjithçka filloi këtu, tash kur disa pengesa janë tejkaluar. Kuota tashmë po sfidohet dhe po tejkalohet. Ajo nuk është e panevojshme, por është e pamjaftueshme”, theksoi deputetja Kurti, duke kujtuar se këtë vit bëhen 20 vjet që prej miratimit të Ligjit për barazi gjinore dhe se rrugëtimi për barazi ende vazhdon.

Kryetarja e GGD-së shtoi se këtu janë të gjitha biografitë e pasura të cilat ato ia ofruan Kuvendit të Republikës, si mjeke, aktiviste, gazetare, poete, arsimtare, artiste, inxhiniere, akademike.

“Ato deputete kanë arritur të bëhen presidente, ministre, zv/kryeministre e ambasadore dhe janë në tavolina të rëndësishme politike, në kryesitë e partive dhe janë në terren. Por, ndoshta disa nuk janë fare në skenën publike. Dhe kjo është një humbje. Ato mund të jenë mentoret e vajzave të reja. T’u thonë të mos dorëzohen dhe të angazhohen shumë”, tha kryetarja e GGD-së, Tinka Kurti, e cila në nderim të këtij kontributi përmendi emrat e secilës që ka ushtruar mandatin e deputetes, duke ftuar të pranishmet që të mbajnë një minutë heshtje për ish-deputetet që kanë ndërruar jetë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca tha se në historinë e krijimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës si shtet sovran e demokratik janë të gravuar emrat e shumë grave që përgjatë etapave të ndryshme dhanë kontribut të jashtëzakonshëm e të pashembullt, duke rikujtuar në vijim pikënisjen e proceseve madhore që sollën deri këtu.

“Nuk mund të mos e kujtojmë vitin 1990, datën 2 korrik, kur 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës, në mesin e tyre 18 gra deputete, si përfaqësues të vullnetit të popullit, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit dhe të rrethuar nga forcat ushtarako-policore të regjimit të atëhershëm serb miratuan Deklaratën e lavdishme kushtetuese dhe e shpallën Kosovën Republikë”, tha kryetari Konjufca.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit kujtoi edhe shumë gra të tjera intelektuale, aktiviste të palodhshme që ishin aktive si në lëvizjen për liri, ashtu edhe në pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës, e që nuk janë më në mesin tonë.

“Kujtojmë dhe nderojmë kontributin dhe rolin e shquar të ish-deputetes Nekibe Kelmendi, një veprimtare dhe aktiviste politike e cila punoi me devotshmëri në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kujtojmë dhe nderojmë figurën e intelektuales, ish-deputetes dhe akademikes Edi Shukriu, gjurmët e së cilës nuk i gjejmë vetëm në fushën e shkencës, kulturës e arkeologjisë”, theksoi kryetari Konjufca, duke shtuar se numri i grave të angazhuara aktivisht e politikisht është i madh. Me këtë rast ai përmendi presidenten Vjosa Osmani e ish-presidenten Atifete Jahjaga.

Kryetari Konjufca tha se përmirësim të dukshëm të pjesëmarrjes së grave në kuadër të legjislativit ka pasur edhe në funksionet udhëheqëse brenda Kuvendit, mirëpo sipas tij nuk mund të ndihemi komodë me progresin e dukshëm që kemi arritur, sepse, siç tha ai, barazia ende ka punë.

I pari i legjislativit tha se Kuvendi u është gjithmonë mirënjohës të gjitha grave, ish-deputeteve e deputeteve aktuale për gjithë kontributin që kanë dhënë, ngase secila gjeneratë e re e grave politikane që do të vijë pas tyre do ta ketë më të lehtë rrugën për të triumfuar kundrejt pabarazisë.

Ish-deputetja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albana Gashi, gjatë adresimit të saj përmendi kontributin e Grupit të Grave Deputete, duke potencuar se gratë duhet të angazhohen maksimalisht për arritje tjera. Duke risjell në vëmendje kontributin e tyre të para 10 viteve, Gashi përmendi me theks të veçantë Ligjin për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, për të cilin ligj tha se ndjehet krenare, ngase, siç tha ajo, ka dhënë kontribut direkt në hartimin e tij.

Mirëpo, sipas saj stigma vazhdon të mbetet problem kryesor.

“Për të qenë grua e suksesshme duhet të punosh dyfishin e një burri. Kërkoj nga të gjitha që të vazhdoni të luftoni për të drejtat e grave dhe vajzave, atyre që kanë nevojë për mbështetje”, tha ish-deputetja Gashi.

Flora Brovina, ish-deputete nga radhët e PDK-së, fillimisht tha se rruga në këto ulëse për deputetet gra nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Askush nuk na dhuroi ulëset, as ne nuk i kemi pranuar falas, se pse jemi gra”, tha ajo duke përmendur tutje kontributin e të gjitha grave në të kaluarën, në kohën para luftës në Kosovë, si dhe të pasluftës: aktivisteve politike, humanisteve, ish të burgosurave politike, ushtaret e UÇK-së e veprimtareve të tjera.

Brovina vlerësoi se ligji i parë, i cili bëri bashkë gratë deputete, ishte Ligji për barazi gjinore, duke përmendur tutje edhe asokohe themelimin e Grupit të Grave Deputete, për të cilën falënderoi ish-sekretaren amerikane të shtetit, Medlin Olbrajt, për inicimin dhe bashkëpunimin.

“Olbrajt na mësoi që ta themelojmë këtë grup të grave, në mënyrë që të jemi bashkë më të forta, dhe ia arritëm”, tha ish-deputetja Brovina.

Në vijim, Besa Gaxherri, ish-deputete nga radhët e LDK-së shpalosi disa nga sfidat që ajo ka pasur për gjashtë mandate sa ishte në ulësen e deputetes.

“Të flasësh për historinë e gruas në politikë kërkon shume kohë. Udhëtimi i grave në politikë është i dhimbshëm, sfidues dhe krenar”, tha Gaxherri, duke përmendur faktin se janë pjesë e shumë etapave historike. Pasi kujtoi kontributin e zonjës Olbrajt në themelimin e GGD-së, Gaxherri tha se rrugëtimi dhe puna e grave deputete tashmë i ka rezultatet e veta dhe se tashmë janë thyer të gjitha barrierat politike.

Mes tjerash, ajo foli për kontributin e grave deputete në hartimin e shumë ligjeve, duke i përmendur të gjitha me radhë, për të cilat tha se kanë qenë drejtpërdrejtë të iniciuara e hartuara nga Grupi i Grave Deputete.

Tutje nga një fjalë rasti mbajtën edhe ish-deputetet e legjislaturave të kaluara, Teuta Haxhiu (AAK) dhe Müfera Srbica-Şinik (Grupi Multietnik), duke potencuar mes tjerash sfidat dhe të arriturat e tyre gjatë ushtrimit të mandatit të tyre si deputete.

“Kur ne dimë, duam dhe kur ne si gra bëhemi bashkë, atëherë vërtet çojmë një mesazh përtej partive politike. Mënyrën dhe rrugën si është trasuar ky grup mbetet mesazh për cilindo”, tha ish deputetja Teuta Haxhiu, duke përmendur po ashtu mes tjerash Ligjin kundër dhunës ndaj gruas.

Në vijim ajo ngriti si shqetësim dukurinë e cila po shënon rritje, atë të dhunës ndaj gruas, të cilën sipas saj duhet ta luftojmë me çdo mjet, duke kërkuar angazhim të përbashkët në këtë angazhim.

Filed Under: Rajon

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve shënoi 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

March 7, 2024 by s p

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një akademi solemne -përkujtimore për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz, tashmë një aktivitet tradicional i Institutit, që i bashkohet nderimeve që i bëhen kësaj dite në mënyrë institucionale edhe në Tiranë dhe Prishtinë.
Me prezencën e tyre përkujtimin e kësaj ngjarjeje historike kombëtare e pasuruan ambasadori i Republikës së Kosovës – Florian Qehaja, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, si dhe bashkëluftëtarë të Adem Jasharit nga Maqedonia, gjegjësisht nga grupi i parë i stërvitjes në Shqipëri në vitin 1991, si: Femi Beqiri, Qenan Haziri e Nuri Bexheti nga Tetova, Halil Palloshi, Jakup Limani e Fatmir Stavileci nga Shkupi.
Pas hapjes solemne, nën medolinë e këngës së Adem Jasharit tashmë e kthyer në një himn mbarëkombëtar, mori fjalën drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, i cili bëri një retrospektivë të ngjarjeve historike që sollën 5, 6 dhe 7 marsin 1998, si data të përkujtimit të sakrificës për lirinë e kombit.
“Adem Jashari është edhe i Shkupit, është edhe i shqiptarëve të Maqedonisë. Në Tiranë ai ka shkuar me grupin përmes aeroportit të Shkupit, dhe jo rastësisht edhe komunikata e parë e UÇK-së doli nga Shkupi, që do të thotë se këto tri shkronja ndryshuan rrjedhën edhe falë kontributit të qytetit tonë”, u shpreh Asani.
Në vazhdim fjalën mori ambasadori Qehaja, i cili nisur nga konteksti historik iu referua së ardhmes, duke thënë se pikënisja e çdo oficeri të ri të ushtrisë së Republikës së Kosovës është UÇK-ja, sepse ideja e sakrificës që dhanë luftëtarët e kombit është frymëzim për të pasur një forcë sigurie që sot po konsolidohet gjithnjë e më tepër dhe përpiqet në sigurimin e paqes sa herë që Kosovës i kanoset rreziku.
Ndërkaq, kësaj ngjarjeje i dhanë një shije të veçantë fjalimet e Femi Beqirit dhe Jakup Limanit në emër të bashkëluftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, duke përcjellë emocione, kujtime dhe mesazhin e vlefshëm që të ruajmë atë çka u arrit me shumë sakrificë nga Adem Jashari dhe dëshmorët e kombit.
Në këtë manifestim mori pjesë dhe veprimtarja Halide Palloshi, si dhe njëri nga ushtarët më të rinj nga Maqedonia në luftën e UÇK-së, Izmit Nura.

Filed Under: Rajon

Shqiptarët  nga mesjeta në historinë e re : Midis politikës koloniale dhe asaj perandorake

March 5, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Në fund të vitit 2023, Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup nxori librin “Hasan Kaleshi: Studime filologjike dhe kulturore të shqiptarëve”, që e përgatitën dy filologët tanë të njohur, Qemal Murati dhe Feti Mehdiu. Shumica e punimeve në këtë libër me 475 faqe botohen për herë të parë, kurse disa prej tyre u botuan në veprat të zgjedhura të Hasan Kaleshit (1-10) që dolën me rastin e 100-vjetorit të lindjes, përkatësisht gjatë viteve 2022-2023 në botim të shtëpisë botuese “Dija” në Prishtinë.

Ky botim që e nxori një institucion shkencor me peshë në Shkup, dallohet me dy parathënie, të Qemal Muratit dhe Feti Mehdiut, që kanë një frymë kritike dhe një porosi ndaj atyre që morën vendimin për “anashkalimin” e Hasan Kaleshit në Kosovë: mendimin për Kaleshin si shkencëtar e japin vetëm filologët dhe historianët e jo kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Mehmet Kraja “i cili nuk është as historian as filolog i mirëfilltë” (fq.12).

Kaleshi si “shkencëtar me akribi të rrallë dhe albanolog i rendit të parë”, sipas Q.Muratit, paraqiti teza të reja që ngjallën interesim e reagime të ndryshme në nivel evropian, jugosllav dhe shqiptar. Kuptohet, mund të diskutohet ose të kontestohet ndonjë tezë a ndonjë mendim i Kaleshit, por nuk mund të “anashkalohet” tërë opusi i tij që ka nja 400 njësi bibliografike të paraqitura në konferenca ndërkombëtare dhe të botuara në revista të njohura shkencore.

Me gjithë vendimin e pashkruar deri më 2022 për “anashkalimin” e tij, punimet e Kaleshit inspiruan gjeneratën e re të historianëve në Kosovë e në Shqipëri, të cilët shkuan shumë më larg se Kaleshi. Si shembull mjafton të vështrohet një libër me peshë shkencore që u botua në Tiranë nga Instituti i Historisë më 2019.

Autori i këtij libri është Ardian Muhaj, kurse vetë titulli – “Nga Ballkani në Mesdhe: Shqiptarët prej mesjetës në agimin e kohës së re” – tregon risinë që na solli në historiografinë shqiptare. Ky, në të vërtetë, është një version shumë i zgjeruar i punimeve të Kaleshit, të cituara në këtë libër, për shtrirjen e shqiptarëve në kohën e sundimit osman. Kështu, Kaleshi u përqendrua më shumë në Ballkan e Anadolli, në sajë të burimeve që i kishte në dispozicion, kurse tani me Muhajin na del se shtrirja e shqiptarëve në kohën osmane është shumë më gjerë sa kap një hapësirë të madhe prej Oqeanit Atlantik deri tek Oqeani Indian.

Sikurse Kaleshi që kaloi postdoktoratën në Gjermani dhe u kthye si përfaqësues i Shkollës filologjike gjermane me metodologji të bazuar në arkivat e ndryshme dhe na solli kontribute të reja për çka u zgjodh anëtar i Akademisë Shkencore Arabe më në Kajro 1967, Muhaj magjistroi dhe doktoroi në Universitetin e Lisbonës, duke lëvruar në disa arkiva e duke sjellë kontribute të reja, për çka u zgjodh anëtar i Akademisë se Shkencave të Portugalisë më 2008. Ndaj, ç’na solli Muhaj në këtë libër me teza e të dhëna të reja na kujton Kaleshin e ri kur erdhi në Institutin Albanologjik të Prishtinës më 1967, pra nuk do të mund të na sillte ato teza e të dhëna të reja po të kryente studimet në Prishtinë dhe t’i besonte fjalët e disa profesorëve se Kaleshi “mbronte tezat serbe për shqiptarët”.

Shqiptarët midis dy fuqive botërore

Me zgjerimin e Mbretërisë Serbe të Dushanit në Ballkan deri në Vlorë dhe kurorëzimin e tij në Shkup më 1348 si “Perandor i serbëve, bullgarëve, grekëve dhe shqiptarëve” – perandori kjo që u shpartallua pas vdekjes së tij më 1355 – filloi konkurrenca për dominim në këtë rajon midis Sultanatit osman dhe Republikës Veneciane. Kështu, kur forcat osmane kaluan Bosforin dhe me përparimin e tyre në Ballkan, me çka Edereneja u bë më 1371 kryeqytet i ri i Perandorisë Osmane, Republika e Venedikut shtronte dominimin e saj në Adriatik dhe në Mesdhe duke krijuar një perandori tregtare-ushtarake që shtrihej prej Venedikut deri në Qipro. Kështu, mu në kohën kur forcat osmane arritën në Kosovë dhe në Shqipërinë e jugut, Venediku krijoi “Albaninë veneciane” në Shqipërinë veriore më 1396. Me këtë zhvillim paralel, shqiptarët u gjetën nën sundimin e dy fuqive botërore të asaj kohe, por me dy politika të ndryshme ndaj popullsisë shqiptare: politika koloniale dhe politika perandorake.

Politika koloniale ishte ajo që e ndiqte Republika e Venedikut, jo vetëm në “Albaninë Veneciane”, por në të gjitha kolonitë e saj në Adriatik dhe në Mesdhe, që ishte “tipar thelbësor i politikës venedikase për shekuj të terë”. A. Muhaj e sqaron këtë politikë kështu: “Venediku nuk njihte asnjë autoritet lokal në kolonitë që pushtonte dhe krejt zinxhiri i pushtetit i takonte vetëm qytetarëve të Venedikut, ndërsa popullsitë lokale përjashtoheshin nga çdo hallkë e pushtetit” (fq. 77). Pra, kjo “politikë përjashtuese” e popullsisë vendase nuk praktikohej vetëm ndaj shqiptarëve në “Albaninë Veneciane”, por në të gjitha kolonitë e Venecias.

Politika perandorake ishte ajo e Perandorisë Osmane, e cila ishte “përfshirëse”. Me fjalë të tjera, me përjashtim të postit të sulltanit, të gjitha postet e tjera administrative dhe ushtarake ishin të hapura ndaj popullsisë vendëse. Kështu, shumë shpejt, u paraqit një elitë ushtarake-administrative shqiptare në postet më të larta të Perandorisë Osmane qoftë në qendrën e re (Stambolli) ose në vilajetet me shumicë shqiptare. Kuptohet, përveç shqiptarëve në këto pozita u paraqitën atëherë serbët, grekët e të tjerë. Kjo politikë u praktikua po në atë kohë “kur venedikasit i kishin përjashtuar shqiptarët nga çdo lloj pjesëmarrjeje në administrimin e zotërimeve të tyre në Shqipëri dhe i kishin zhveshur tërësisht familjet fisnike vendase nga çdo lloj pushteti”(f.80).

Kjo politikë perandorake ose përfshirëse u duk qartë në shekullin XVI kur shqiptarët u ngritën në pozita më të larta sikurse me Ahmet pashë Dukagjinin, i cili i u bë dhëndër i sulltan Selimit I dhe sedriazëm- kryeministër gjatë viteve 1512-1515, duke hapur rrugën për djalin e tij Mehmet pashë Dukagjinin që të bëhet vali i Egjiptit dhe i Halepit,pra dy vialete me dalje në Mesdhe. Më vonë u paraqit Ibrahim pasha Pargaliu në postin e sadriazemit-kryeministrit më 1522-1536.

A. Muhaj vëren dhe përcjell rivalitetin midis shqiptarëve dhe serbëve që kulmoi në emërimin e sedriazemit ose kryeministrit, i cili ushtronte ndikimin e vet për emërimin e njerëzve të vet në pozita të larta ushtarake-administrative në qendër dhe në vilajetet osmane. Kështu, me vrasjen e Ibrahim pashë Pargës më 1536 forcohet shumë lobi serb me ngritjen e Rrustem pashës, i cili futi njerëz të vet në funksione të larta dhe vetë u bë sadriazemi-kryeministri gjatë 1544-1553 dhe 1555-1561. Pas tij erdhi në këtë post Mehmet pashë Sokoloviq 1565-1579 që kishte ndikim të madh sa që sulltan Sulejmani I e përtëriu Patrikanën serbe në Pejë më 1557 duke emëruar vëllain e tij Makarius në krye të saj (fq.254). Por, megjithatë, lobi shqiptar përsëri paraqitet në pushtet në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII me Sinan pashë Topajanin, i cili zuri postin e sedriazemit-kryeministrit pesë herë, kurse me vonë u paraqit edhe dinastia e qyprilinjve.

Me këtë politikë përfshirëse, elita shqiptare zinte pozita në trevat shqiptare, kurse të tjerët që kishin pozita në qendër të Perandorisë ktheheshin në vendlindje duke ngritur objekte të ndryshme fetare dhe ekonomiko-shoqërore. Me këto ndërtime do të ngrihen bërthama të qyteteve të reja si Korça, Gjakova, Kaçaniku e të tjera dhe zhvillohen qytetet Shkodra, Berati, Vlora, Ulqini dhe të tjera qendra tregtare me qasje në tregtinë ndërkombëtare.

Hovi i shqiptarëve deri në letërsinë spanjolle

Me këtë zhvillim të hovshëm, A. Muhaj përqendrohet në bregun e Adriatikut, ku do të paraqitet Vlora si porti kryesor kurse më vonë, edhe me Ulqinin që të bëhen dy qendra të mëdha shqiptare për detari e tregti ndërkombëtare. Në këtë pjesë të librit kemi të dhëna interesante për shtrirje të madhe të shqiptare në Mesdhe, duke pasur flota që shkonin deri në Tripol, Tunizi e Algjeri, kurse më vonë kemi detarë shqiptarë që në kuadër të flotës osmane arritën në Oqeanin Atlantik për zbulimet e reja gjeografike, si dhe në Detin e Kuq dhe në Oqeanin Indian në luftë për dominim me Portugalinë. Prania shqiptare bëhet aq e dukshme në Mesdhe sa që A. Muhaj ia kushtoi një pjesë të librit për “Personazhet shqiptare në letërsinë spanjolle të shekullit të artë” (fq. 113-123).

Kuptohet, sikurse Kaleshi, A. Muhaj na solli një kontribut origjinal në bazë të arkivave evropiane e osmane dhe burime të kohës. Mund të diskutohet ndonjë qasje a mendim i tij në ndonjë revistë shkencore, por mbetet për habi fakti se si kaloi në heshtje, në Kosovë, një libër i tillë deri më tani?

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT