• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT, TETËMBËDHJETË VJET ME PARË KALOI NË AMSHIM I PËRNDRITSHMI IMZOT MARK SOPI, IPESHKV I IPESHKËVISË SË KOSOVËS

January 11, 2024 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Shkëlqesia e tij – i përndritshmi, Imzot Mark Sopi, vërtetë do të mbetet përgjithmonë në historinë e lavdishme kombëtare dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën pra edhe të grigjës së tij dioçeziane, famullitarëve të të gjitha famullive të Dioçezës së Kosovës. Ai, jetoi, interpretoi dhe dëshmoi në plotësi me shumë dashuri mesazhin e ungjillit, pra si një misionar i kompletuar me zemër të bardhë dhe me gëzim të pafund gjatë gjithë jetës së tij reflektoi dhe gjeti gëzim dhe entuziazëm në besimin e tij universal dhe kuptimin e vërtetë të jetës dhe misionit të tij qoft shpirtëror, kulturor dhe në atë kombëtar.

Mark Sopi, qysh si seminarist, e më vonë si meshtar dhe teolog në shërbesa të ndryshme shpirtërore e liturgjike, fillet e para të meshtarisë i ka nisur në famullinë e Ferizajt (si ish sekretar i imzot Nikë Prela, ipeshkv i Ipeshkëvisë Shkup Prizren) me pas si famullitar në famullinë e Kishës së Zllakuqanit (nga 1974 deri në vitin 1991), me vonë apo pas rënies së komunizmit në Shqipëri (në Milot dhe Durrës), me ç’rast edhe u emrua ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës nga Selia e Shenjt-Papa Gjon Pali II.

Imzot Mark Sopi, njihet edhe si një ndërmjetsues aktiv gjatë faljeve të gjaqeve në Zllakuqan dhe rrethinë, me konkret ishte bashkëpuntor i përafërt i prof. Anton Çettës dhe elitës së pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Qysh nga shugurimi i tij ipeshkvnor (me 23 nëntor 1995 deri kalimin në amshim 11 janar 2006), ishin momentet më historike të imz. Markut, i cili bëri kthese të ndryshimeve epokale karshi kombit, duke lobuar për kauzën kombëtare në senzibilizim të çështjes së Kosovës nëpër ambasadat e zyrët akredituara në Prishtinë, Evropë dhe në mbarë botën demokratike.

Në periudhën e luftës së Kosovës veproi si një ambasador shqiptarë dhe një bari i mirë, jo vetëm për katolikët shqiptarë, por për mbarë popullatën tonë (pa dallim feje) pra mbështetur nën moton e Pjetër Bogdanit: “Fati i popullit tim, është fati im”, te cilën moto e përcolli edhe atë në të gjitha ditët e luftës që do të thotë se e mbrojti fjalën e lirë, lirinë, demokracinë, qënien tonë njerëzore, kulturore dhe kombëtare nga dhuna, persekutimi dhe vrasjet mesjetare nga okupatori serbian.

Më 26 Gusht të vitit 2005, ishte projekti më kapital apo një vepër jetësore e ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopit, i cili veq tjerash projekte , ishte ai që e vendosi gurëthemelin e Katedrales që bartë emrin e Shën Nënë Terezës Shqiptare në Prishtinë. Imzot Markut, i mbahet mend fjalimi i tij monumental para senatorëve në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005 (ku kishin marrë pjesë edhe kongresmeni Joseph J. DioGuardi, vikari special dioçezian, dr. dom Shan Zefi, dr. mons. Lush Gjergji, Faton Bislimi etj.) i cili pati thënë se: “Pavarësia e Kosovës është zgjidhja që prodhon vetëm paqe e siguri dhe stabilitet jo vetëm për Kosovën, por për rajonin dhe mbarë Evropë e botën mbarë dhe se Evropa e ka të pamundur t’i jap paqe të qëndrueshme Kosovës pra është Amerika e cila i siguron stabilitet të qëndrueshëm Kosovës” kishte thanë imz. Marku para Kongresistëve Amerikan. Ishte një shembull i bukur i një mënyre shpirtërore për të jetuar ungjillin dhe për t’u dhënë plotësisht, pa orë pune, për t’u shërbyer njerëzve. Nuk kishte kohë të mendonte për veten e tij, ai ishte gjithmonë i gatshëm që përmes eukaristisë, devotshmërisë dhe katekizmit t’i ofronte njerëzit me çdo kusht tek Ati, Biri dhe Shpirti Shënjtë.

Vlen të potencohet se ai nga natyra ishte tejet i maturuar i sojit të një filozofi, madje edhe një dashamirës i drejtpërdrejtë, këmbëngulës dhe i afërt me çdo person i cili përherë sa ishte gjallë i shpërfaqi tiparet më të bukura të Jezu Krishtit, se nuk erdhi për t’u shërbyer nga të tjerët, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën për vëllezërit dhe motrat e tij.

Imzot Mark Sopi, përveq se ishte studiues e lexues i zellshëm, ai ishte edhe bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”pastaj në Durrës i revistës “Vegim Drite” siq thotë dr. don Shan Zefi ka botuar artikuj të ndryshëm, siç do të bashkëpunojë njëkohësisht edhe me revistën “Kumbona e se Dielës”, që botohej në Shkodër. Ka shkruar edhe artikuj tjerë të çmueshëm në “Lajmtarin Ipeshkvor”, gazetën zyrtare të Ordinariatit ipeshkvor që e drejtonim ne “ad usum internum” etj.

Botoi edhe këto vëllime: Baca Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilët ekumenike (2000), Shën Luçia (2001). Lavdi veprës së tij shpirtërore dhe kombëtare.

Pushoftë në paqe imzot Mark Sopi!

Filed Under: Rajon

Dardanët e Europës dhe mërgata Dardane e Trojës, zotër të Mesdheut

January 10, 2024 by s p

Artur Vrekaj, Massachusetts/

Shekuj më përpara luftës së Trojës popujt nën lumin Danub, Dardanët, Brigjët, Misianët, Trakët, etj mërguan në Azinë e Vogël  më së shumti në territorin ku sot shtrihet Turqia e sotme. Dardanët dhe Brigjët jetuan përkrah njëri tjetrit në gadishullin Ilirian dhe në mërgatën e tyre në Azi të Vogël. Sot janë dëshmi emri i ngushticës së Dardaneleve sipas emrit të qytetit Dardani dhe fama e Trojës me dy poemat epike të Homerit, Iliada dhe Odiseu. Priami, prijësi, i pari, mbreti i Trojës është pasardhës i Dardanit të Parë themelues të vëndbanimit Dardanus së pari në ishullin e shenjtë Samos dhe qytetin Dardanus në breg të Dardaneleve.

Pausanias rrëfen se emri original i ishullit të shenjtë Samos i njohur nga Homeri ishte Dardania. Bazuar në një studim të profesores Grace Macurdy rruga e parë ndërkontinentale është hapur nga Dardanët dhe fillon nga Nishi i sotëm e deri në Dardanele. Roma e përdori sërish këtë rrugë duke e shtrirë deri në Konstandinopojë. Një arsye shumë e fortë për këtë lidhje  tokësore Europë dhe Azi brenda qytetërimeve të njëjtit popull, Dardanisë Iliriane dhe mërgatës që ngriti mbretërinë e saj në Trojë. Rruga Nish-Dardanele shërbeu për transportin e metaleve të përpunuara nga minierat e Dardanisë së gadishullit Ilirian që duheshin për armatimin e perandorisë Hitite, diamanti i cilës ishte mbretëria Dardane e Trojës. Dardanët e Europës ishin luftëtarë dhe metalurgë të zotë. 

Tek dy poemat Homerike emrat e gjeneralëve të luftës së Trojës, janë emrat e udhëheqësve të fiseve a mbretërive të një gjuhe që adhurojnë Zeusin dhe që i gjen të trashëguara nga Dardanët e Europës. Dardani Enea u mallëngjye kur pa simotrën e Trojës në Butrint (Buthrotum) me mbret heroin e Trojës Skamandërin, që Grekët e shkruajtën me emrin Helenus. Dardani Skamandër u bë mbret i Kaonisë dhe më vonë i Epirit. I biri i tij Kestrini  i dha emrin e tij lumit Kestrin dhe vëndbanimit Kestrinia në Thesproti, Çamërinë e sotme. Enea i dha lavdi emrit Dardani ngaqë me pasardhësit e tij shkëlqyen me Romën, Trojën Europiane. Dardani nga Nishi, Konstandini i Madh themeloi qytetin kështjellë, Kostandinopojën.

Duke vështruar historinë e luftëtarëve Dardanë të Trojës ata përdorën të njëjtën metodë luftimi trup me trup ashtu sikundër edhe në Europë duke e bërë këtë element luftarak një arsye më shumë se kjo mbretëri e Dardanëve të Trojës është mërgata luftarake e Dardanisë Iliriane. Kjo trashëgimi e madhe e artit të luftuarit trup me trup e bëri Dardaninë e Priamit një mburojë të vërtetë të perandorisë Hitite. Dardanët janë krah Hititëve në luftën kundër perandorisë Egjiptiane. Kështu Dardanët Ilirianë nën Danub, mërgimtarët e parreshtur populluan Trojën, Peloponezin, Siçilinë dhe më shumë Italinë e sotme duke u bërë kështu zotër të Mesdheut. 

Filed Under: Rajon

Lufta e Koplikut 1920: pse ushtria shqiptare mori peng 5 vrakaçorë për çdo lagje?

January 8, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Më 5 qershor 1920 skadoi afati i ultimatumit që Komiteti Mbrojtja Kombëtare i kishte dërguar komandantit të forcave italiane në Vlorë. Kjo shënoi fillimin e luftimeve për çlirimin dhe dëbimin e ushtrisë italiane.

Forcat vullnetare shqiptare dhe banorët e fshatrave të Vlorës ku zhvilloheshin luftimet u mbështetën në mënyrë të organizuar me furnizime dhe ushtarë edhe nga qeveria shqiptare. Por kjo nuk bëhej haptazi. Ky fakt është fshehur qëllimisht nga historianët për dy arsye, e para, për shkak të kontributit të Ahmet Zogut dhe personaliteteve të tjera politike të kohës, të cilët, u anatemuan gjatë regjimit komunist dhe, e dyta, për ta paraqitur Luftën e Vlorës vetëm si kontribut lokal.

Politika italiane e gjendur në një pozitë të vështirë për të ruajtur influencën e saj përtej Adriatikut, vendosi të vepronte në dy drejtime: më 20 qershor 1920, vetëm apo me ndihmën e Francës eleminoi Esat Toptanin në Paris për t`i hapur rrugën zbatimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, i cili i njihte asaj Vlorën dhe protektoratin mbi shtetin e cunguar shqiptar; për të tërhequr vëmendjen e forcave të qeverisë shqiptare, që mbështeste Luftën e Vlorës, me anën e agjentit të saj Z.S, i cili më pas do të mbajë funksione të larta shtetërore, provokoi një incident në kufirin shqiptaro-jugosllav. Kjo shkaktoi atë që në histori ndryshe quhet Lufta e Koplikut.

Zyrtarisht luftimet nisën më 27 korrik 1920. Fillimisht qeveria shqiptare u përpoq që ta zgjidhte këtë konflikt në rrugë diplomatike. Ajo nuk kishte as kapacitetin, por as luksin që në këtë moment, kur po zhvillohej Lufta e Vlorës të hapte një front të dytë. Aq më tepër që delegacioni jugosllav në Konferencën e Paqes në Paris po mbante një qëndrim antiitalian e në interes të shtetit shqiptar.

Kur këto përpjekje dështuan, qeveria shqiptare dha urdhër për mobilizimin e përgjithshëm. Në Shkodër shkoi personalisht ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili në mbledhjen e shtabit, për t`i dhënë zemër të pranishmëve deklaroi: “Sot, vllazën të dashtun, asht koha me i lanë m’njanë të gjitha kujdeset e çka do të keni ma të përzemërt. Mendjet e fuqitë tuaja tash do të përpiqen për lirinë e Kombit tonë: qe se koha po avitet në logun e luftës, edhe pak çaste kemi për të dalë e vetë ma i pari kam m’u turr n’anmik”. Për mobilizimin e vullnetarëve shkodranë sipas parimit “një pushkë për shpi” u ngarkua një nga figurat më me influencë, Sylçe beg Bushati.

Në Luftën e Koplikut 1920, për herë të parë ushtria shqiptare aplikoi pengmarrjen e civilëve. Kjo ndodhi në Vrakë ku banonte një komunitetit i vogël malazez. Sipas një broshure të botuar nga Gjon Zeka në vitin 1932, i cili ka qenë dhe dëshmitar i këtyre luftimeve “Rrugës çetat shqiptare ndeshën së parit në tre malazez pak përtej Vrakës, të cilët u vunë me qindrue, por pushka e shqiptarit i shtrini për tokë, tue lanë trupin e tyne pa vorrue për tri ditë si shembull për tjerë, që ushqejshin ndjesi sllave, e këto ndjesi u mundojshin me i zblue nepërmjet sa “kryengritjesh” e gjaqesh që banë. Vraka, që ishin me shpirt kah ana e anmikut, me të shpejtë çojnë njerzë me u diftue serbëve planet e luftës dhe sasinë e ushtrive shqiptarëve. Për këtë punë u kujtuan shpejt shqiptarët dhe mblodhen Vrakën tue i marrë ka pesë rob për lagje, si nji peng deri mbas luftës, e se vrakaçorët nuk kishin për t’iu ndihmua anmiqëve të vendit tonë”.

Pas bisedimeve dy palëshe, Lufta e Koplikut përfundoi më 14 shkurt 1921.

Filed Under: Rajon

IRANI, LUFTA KIBERNETIKE DHE ‘DIPLOMATËT’ E FORCAVE QUDS

December 31, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj

“Nderi i Kombit”

Në vazhdim të debatit, analizës dhe diskutimit në lidhje me vendimin e qeverisë së Shqipërisë për largimin e menjëhershëm të diplomatëve iranianë nga vendi jonë, një masë e cila nuk është marrë nga asnjë vend tjetër deri tani, mendoj se ishte vendimi në kohën, vendin, forcën e duhur dhe e mbështes atë plotësisht.

Tashmë nuk janë të panjohura faktet e përfshirjes së ‘diplomatëve’ iranianë në operacione të fshehta, klandestine, rrëmbime, vrasje dhe deri tek sulmet terroriste kundër individëve, qytetarëve, institucioneve dhe ambasadave të huaja nëpër botë. 

Por në këtë analizë do të përpiqem shkurtimisht të analizoj për interes të lexuesit disa prej tyre. 

Irani është një shtet pa demokraci liberale siç përkufizohet në perëndim, por reformat pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 janë shumë më përfaqësuese në krahasim me regjimet autokratike të mbretërive arabe fqinje me të. Për më tepër, Irani ka qendra të ndryshme konkuruese të fuqisë, të cilat ndikojnë në politikën e tij rajonale. 

Aktualisht figura më e fuqishme në vend është Ajatollah Ali Khamenei, i cili zëvendësoi Ajatollah Ruhollah Khomenein si Udhëheqës Suprem i Iranit në vitin 1989. Sipas shërbimeve inteligjente perëndimore, objektivat e politikës së jashtme të Ali Khamenit janë të përcaktuara sipas prioriteteve si më poshtë vijon: 

Së pari, t’i rezistojnë sa më shumë SHBA-ve. 

Së dyti, të luftojnë kundër zgjerimit të influencës së Izraelit. 

Së treti, të forcojnë planet që Irani të dominojë sa më shumë në Lindjen e Mesme.  

Së katërti, të vazhdojnë mbështetjen për çështjen Palestineze. 

Së pesti, të vazhdojnë investimin për fitimin e statusit të vendit që gëzon fuqi nukleare, si mjet për pavarësinë e Iranit dhe prestigj botëror. 

Së gjashti, të jenë ‘lojtarët’ kryesorë brënda Botës Islamike.  

Ndërkohë që këto prioritete udhëzojnë e drejtojnë strategjinë dhe politikën e jashtme të Iranit, roli i Udhëheqësit Suprem të Iranit është vendimtar dhe njerëzit që punojnë nën drejtimin e tij janë përgjegjës për implementimin e këtyre politikave. Politika e jashtme e regjimit Iranian, drejtohet nga Udhëheqësi Suprem (Velayat-e faqih ose Sistem i drejtimit Islamik) i Iranit Ajatollah Ali Khamenei, i cili bazohet në rritjen e influencës dhe eksportimin e Revolucionit Islamik në të gjithë rajonin. Dhe pikërisht zbatimi i këtyre objektivave dhe i kësaj “diplomacie” të suksesshme i është dhënë Gardës Revolucionare IRGC-së dhe forcave Quds. 

Një nga objektivat kryesore të Iranit gjatë dekadës së fundit ka qënë rritja e influencës së tyre në Lindjen e Mesme duke përdorur të gjitha format e luftës. Deri në momentin sa ishte gjallë këtë mision e drejtonte në mënyrë të fshehtë gjeneral leitnant Qasem Soulejmani. Irani prej kohësh ka krijuar kapacitete të mëdha të luftës së parregullt, luftës asimetrike, luftës informative, luftës kibernetike, etj duke përdorur strategjinë e ‘mbrojtjes së përparuar’, e cila përfshin mbështetjen e grupeve terroriste me milicitë lokale në të gjithë Lindjen e Mesme. 

Suksesi i strategjisë ushtarake të gjeneral Solejmanit dhe zëvendësit të tij Ismail Gani, është rritja e numrit të grupeve militante që veprojnë nën influencën e Iranit. Kjo forcë në vitin 2022 përbëhet nga më shumë se 200.000 militantë të stërvitur, të cilët veprojnë në vende si Gaza, Libani, Siria, Iraku, Jemeni, etj duke u rritur në numër më shumë se 150 për qind në krahasim me vitin 2013. Në të njëjtën kohë, Irani ka në dispozicion arsenalin më të madh dhe të sofistikuar të raketave balistike në rajon dhe kjo për ‘meritë’ të Rusisë, Koresë së Veriut dhe Kinës. 

Vitet e fundit Irani ka rritur ndjeshëm edhe kapacitetet e luftës kibernetike. Sipas agjensisë së inteligjencës X: “Irani në ditët e sotme përdor teknika kibernetike shumë të sofistikuara për të ekzekutuar operacione inteligjence, është përpjekur dhe në disa raste ia ka arritur të ekzekutojë sulme kibernetike në shumë vende të botës kundër infrastrukturës kritike në vende si SHBA-të por dhe vendet e tij aleate përfshirë këtu edhe Shqipërinë”. 

Grupet e hakerave të lidhur me Iranin në shumë raste kanë sulmuar institucione shtetërore si në rastin e vendit tonë të E-Albania, por në shumë vende të tjera kanë sulmuar banka perëndimore, kazino, stacione të rëndësishme elektrike, hidrocentrale, institucione financiare si Bankën e Amerikës, Bankën ‘Chase’, New York Stock Exchange, etj. 

Grupet e hakerave që mbështeten nga qeveria e Iranit njihen si APT-33 ose Elfin. Irani ka ekzekutuar sulme kibernetike të sofistikuara edhe kundër parlamenteve të ndryshme nëpër botë, agjensive qeveritare dhe kompanive të pasura shumë të fuqishme ku po përmend në këtë rast kompaninë saudite të superfuqishme ‘Aramco’, duke shkaktuar humbje financiare në miliarda dollarë. 

Fushë tjetër në të cilën Irani ka qënë shumë agresiv, është edhe fushata e dizinformimit kundër platformave dixhitale amerikane në platformat si: Facebbok, YouTube dhe Twitter. 

Në datën 23 janar 2018, sipas drejtuesit të Asamblesë së Ekspertëve në Iran Ahmad Jannati, “Lideri suprem Ayatollah Khamenei zhvilloi një takim me specialistët më të mirë të luftës kibernetike për tre orë, duke i deklaruar midis të tjerash se: ‘Hapësira kibernetike është një fushë e rëndësshme për suksesin tonë’”. 

Lufta kibernetike e regjimit Iranian drejtohet kryesisht nga Garda Revolucionare (IRGC), por njësi të luftës kibernetike ka edhe në Ministrinë e Inteligencës (MOIS) dhe Forcat Qeveritare të Sigurisë (NAJA). Qëndra e luftës kibernetike e Gardës Revolucionare njihet njëkohësisht si baza e luftës kibernetike ‘Ammar’. 

Organizata e luftës kibernetike ndodhet nën komandën e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare, e cila drejtohet nga Hossein Taebi dhe zëvendësi i tij është gjeneral brigade Hossein Nejat. Kjo qëndër përbëhet nga 15 anëtarë ku mund të përmendim:  

Hojjat ol-Islam Alireza Panahian, drejtuesi i organizatave të mendimit universitar tek lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei. 

Hojjat ol-Islam Mehdi Taebi, profesor universiteti. 

Saeed Qasemi, drejtor i Institutit Kulturor në Misagh.

Hojjat ol-Islam Mohammad Mehdi Mangegari, drejtues i bordit të Institutit Kulturor të Martirëve. 

Nader Talebzadeh, drejtues dhe prezantues i programit ‘Raz’. 

Hassan Abbasi, kryetar i Doktrinës së Sigurisë Pa Kufij. 

Mohammad Hossein Rostami, drejtor i bazës së luftës kibernetikë ‘Ammar’. 

Personi kryesor që koordinon përpjekjet teknike, logjistike dhe që vepronte me urdhër të liderit suprem Khamenei ka qënë Ministri i Informacionit dhe i Teknologjisë së Komunikaconit Mohammad Javad Ali Jahromi. 

Për ta bërë më të qartë, vendimin e qeverisë Shqiptare për largimin e diplomatëve iranianë nga vendi jonë, është e rëndësishme të analizojmë se përveç sulmeve kibernetike, një aktivitet të paligjshëm dhe agresiv realizojnë edhe ambasadat e Iranit jashtë vendit të tyre. 

Me qëllim realizimin e gjashtë prioriteve kryesore, njeriu më me influencë në atë kohë ishte gjeneral leitnant Qasem Soleimani, i cili ishte njeriu më i afërt i Ajatollah Ali Khameneit njëkohësisht edhe komandanti i forcave Quds për 23 vite. Thënë kjo, forcat Quds si komanda që vepron jashtë shtetit i IRGC-së prej vitesh ka marrë në mënyrë efektive kontrollin e politikës së jashtme të regjimit përmes ambasadave dhe personelit të tyre. 

Ambasadat e Iranit në Irak, Siri, Liban, Afganistan, Jemen, Bahrein, Shqipëri, Bosnjë dhe Azerbaxhan kanë qënë të përbëra nga personel të forcave Quds dhe IRGC-së. Në të njëjtën kohë, edhe personeli i ministrisë së jashtme iraniane vepron sipas porosive dhe këshillave të forcave Quds. Përveç vendeve që përmenda më lart, IRGC-ja ka influencë të madhe edhe në vendet e mëposhtme si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini, Omani, Turqia, Rusia dhe Armenia. Në vende si Iraku, Siria dhe Afganistani, ambasadorët e Iranit kanë qënë drejtëpërsëdrejti anëtarë të lartë të forcave Quds dhe miq të ngushtë të Qasem Soleimanit.  

Emërimi i ambasadorëve nga forcat Quds në këto vende, është bërë me qëllim intensifikimin e axhendës për shtrirjen dhe zgjerimin e revolucionit Islamik, njëkohësisht dhe mbikqyrjen e operacionave klandestine duke shfrytëzuar mundësitë e dhëna nga imuniteti diplomatik i ambasadës dhe ambasadori. Që nga koha e pushtimit të Irakut në mars 2003, ambasadori i Iranit në Irak gjithmonë është zgjedhur nga radhët e komandantëve të vjetër të forcave Quds. 

Ambasadori i parë i pasluftës së Teheranit në Irak pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm të Sadam Hyseinit, ka qënë gjeneral brigade Hassan Kazemi Qomi. Përpara marrjes së kësaj detyre, ai kishte qënë konsulli kryesor i Iranit në qytetin Herat të Afganistanit. 

Në vitin 2011, gjeneral brigade Hassan Danaifar zëvendësoi gjeneral Qomin në këtë detyrë. Gjeneral Danaifari më parë kishte patur detyrën e zv/komandantit të marinës së IRGC-së dhe drejtonte komandën e IRGC-së në Khatam al-Anbia. 

Në muajin janar 2017, gjeneral brigade Iraj Masjedi, drejtori i drejtorisë për Irakun në IRGC dhe këshilltar i vjetër i komandantit të forcave Quds Qassem Soleimani, u emërua ambasador i Iranit në Irak.

Edhe në Siri, ambasadori Mohammad-Reza Ra’uf Ashtiani, mandati i të cilit përfundoi në muajin tetor 2016, ishte i lidhur ngushtë me IRGC-në. Edhe pas largimit të tij, disa komandantë të IRGC-së vazhduan të operojnë në Siri nën mbulesën e statusit të diplomatit. 

Këtu mund të përmendim gjeneral brigade Fallahpouri, i cili ishte drejtori i inteligjencës dhe i rrjeteve sekrete të forcave Quds në Siri dhe kishte status diplomati në ambasadën në Damask, i cili njëkohësisht kontrollonte të gjithë personelin e IRGC-së në Siri. Ndërkohë në këtë ambasadë është i atashuar edhe gjeneralbrigade Alinejad, i cili është atashe ushtarak i Republikës Islamike të Iranit në Siri. 

Në muajin korrik të vitit 2018, diplomati i lartë iranian Assadollah Assadi në ambasadën iraniane në Austri, u arrestua në Gjermani me akuzën e planifikimit, drejtimit, mbështetjes financiare dhe logjistike për të ekzekutuar një sulm me bombë kundër takimit që do të organizonte opozita iraniane e Këshillit Kombëtar të Rezistencës (NCRI) në periferi të Parisit në Villepinte. 

Në muajin mars të vitit 2018, agjenti iranian i MOIS-it i maskuar si diplomat i Teheranit në Tiranë Mostafa Roudaki, në atë kohë drejtues i stacionit të inteligjencës në ambasadën iraniane në Shqipëri së bashku me ambasadorin përgatitën një kaminë bombë (S-VBIED), e cila ishte planifikuar për përdorej kundër 2500 anëtarëve të MEK-ut në afërsi të Manzës. Ky veprim detyroi qeverinë Shqiptare që në datën 14 dhjetor 2018, të largonte ambasadorin iranian dhe agjentin e MOIS-it Roudaki nga vendi jonë me akuza për terrorizëm.  

Në datën 30 tetor të vitit 2018, autoritetet e Danimarkës në bashkëpunim me shërbimet sekrete të Norvegjisë, arrestuan një agjent iraniano-norvegjez i cili po planifikonte vrasjen e një shtetasi nga Danimarka. 

Në muajin qershor të vitit 2018, shërbimet e sigurisë së Hollandës larguan nga vendi dy diplomat iranianë për shkak të lidhjeve të tyre me terroristë. Arsyeja ishte vrasja e shtetasit Ahmad Mola Sissi, drejtues i lëvizjes ‘al-Ahvazieh’. 

Në datën 16 janar të vitit 2018, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Federal të Gjermanisë, forcat speciale gjermane arrestuan 10 agjentë të forcave Quds në disa qytete të Gjermanisë, për shkak të planifikimit të sulmeve terroriste, etj.  

Siç e shohim edhe nga këto pak raste të analizuara më lartë, përveç kontrollit të drejtpërdrejtë të ushtruar nga IRGC-ja dhe forcat Quds në shumë ambasada, në shumë prej këtyre misioneve diplomatike oficerët e forcave Quds janë emëruar si atashe ushtarakë dhe punojnë vetëm për zbatimin e politikave të jashtme të regjimit nën mbulesën diplomatike. Forcat Quds kanë gjithashtu një njësi aktive të inteligjencës, e cila funksionon paralelisht me ministrinë e inteligjencës së Iranit. 

Në këtë linjë, forcat Quds kanë rrjete të fuqishme inteligjence në të gjithë rajonin. Kjo tregon qartë fuqinë e forcave Quds dhe IRGC-së në vendimmarrjen politike dhe përplasjen e tyre të vazhdueshme me politikat e Ministrisë së Jashtme të Iranit dhe ministrin e jashtëm Hossein Amir-Abdollahian ose ish ministrin Mohammad Javad Zarif. 

Si përfundim, shumë prej këtyre operacioneve, strukturave, bazave ushtarake dhe misioneve jashtë Iranit janë analizuar në mënyrë modeste në dy librat që do të dalin së shpejti nga botimi dhe që botohen për herë të parë në interes të studiuesve të fushës së shkencave politike, gjeopolitikës, inteligjencës, mbrojtjes dhe sigurisë: “Gjeopolitika e Republikës Islamike të Iranit” dhe “Strategjia ushtarake e Iranit, Forcat e Armatosura, Korpusi i Gardës Revolucionare dhe fuqia e tyre luftarake”.  

Dr. Dritan Demiraj.

Nderi i Kombit.  

Filed Under: Rajon

Hoxha: Në operacionin e Banjskës i mposhtëm terroristët dhe Serbinë

December 29, 2023 by s p

Emine Hoti | RTKlive/

Sfidat dhe sukseset gjatë vitit 2023 ishin temë e bisedës me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në magazinën “Info Plus” në RTK. Ai ka thënë se gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka qenë goxha shumë e ngarkuar, me shumë aksione, operacione e aktivitete gjithandej Kosovës, por në veçanti në veriun e vendit.

“Sot mund të themi se kemi më shumë rend dhe ligj, më shumë siguri në të gjithë territorin e Kosovës, por në veçanti në veriun e Kosovës”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka veçuar disa prej operacioneve më të suksesshme të policisë në vitin 2023, siç janë operacioni për asistimin e kryetarëve të zgjedhur nëpër zyrat komunale në veri të vendit, mandej menaxhimi i situatës në sulmin e bandave serbe që ndodhi ndaj ushtarëve të KFOR-it më datën 29 maj në Zveçan.

“Edhe pse edhe ne kemi qenë cak i sulmeve, kemi arritur të kalojmë pa ndonjë dëm serioz ndaj policëve tanë, edhe pse ka pasur policë të lënduar e mjete të dëmtuara. Mandej një situatë e rëndë që kemi kaluar gjatë këtij viti ka qenë kidnapimi i tre policëve tanë nga forcat policore serbe më datën 14 qershor”, ka thënë Hoxha.

Ai më tej është ndalur tek puna e kurorëzuar me sukses në operacionet e fundit, sidomos me operacionin e Banjskës, ku Policia e Kosovës arriti ta zmbraps një sulm mirë të organizuar nga grupi kriminal terrorist i udhëhequr nga Milan Radojçiq, e i cili ishte planifikuar, mbështetur dhe trajnuar nga Serbia.“Një grup ky kriminal terrorist, i cili kishte shumëfish më tepër armatime e municione dhe pajisje tjera, duke tentuar të krijojë një realitet të ri në vendin tonë, mirëpo ne me profesionalizëm e me racionalizëm dhe me operacione goxha të mirëplanifikuara kemi arritur që këtë tentativë të Serbisë dhe këtij grupi terrorist ta zmprasim dhe t’i mësojmë se Kosova si shtet, ne si polici dhe gjithë vendi ynë të ketë një situatë më të qetë të sigurisë dhe po ashtu të kemi një situatë politike komplet tjetër”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka thënë se përmes këtij operacioni është arritur që operativisht e ushtarakisht të mundet grupi kriminal terrorist, e në këtë rast edhe ata që i kanë mbështetur, e që ishte shteti serb.

“Kemi arritur edhe diplomatikisht ta mundim Serbinë dhe po ashtu në aspektin propagandistik Kosova ka fituar një betejë të madhe që është zhvilluar kundër saj dhe komplet faktori ndërkombëtar e ka kuptuar se çfarë kërcënimi kanë përbërë këto grupe”, ka shtuar Hoxha, transmeton RTKlive.

Duke folur për mundësinë e rritjes së pagave të policëve, sidomos të njësisë elitare, ai tha se po punojnë bashkë me ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i adresojnë ankesat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Jemi takuar disa herë me ministrin e Punëve të Brendshme, po ashtu eprorët e kësaj njësie dhe të Policisë së Kosovës janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës dhe po shpresojmë që gjatë vitit 2024 të gjejmë modalitete dhe mundësi se si mund të adresohen kërkesat e policëve tanë për kushte më të mira të punës, për paga më të mira, që ata të jenë të motivuar për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tona që kemi ndaj vendit”, ka nënvizuar Hoxha.

Ai ka shprehur shpresën se do të ketë adresim të të gjitha kërkesave që janë bërë, por se do të shihen edhe mundësitë buxhetore për t’u plotësuar ato.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT