• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Figura e Adem Jasharit, Isa Boletinit dhe shumë figura të tjera të jashtëzakonshme të historisë sonë, u bënë emblemë e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë

November 28, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra dhe deputetë kanë bërë homazhe komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, familjes Jashari si dhe heroit Isa Boletini.

Postimi i plotë i Presidentes:

Sot, bashkë me Kryetarin Konjufca, ministra e deputetë, i bëmë homazhe trashëgimisë së shquar të kryeheroit dhe komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, familjes Jashari si dhe heroit Isa Boletini. Këto dhe shumë figura të tjera të jashtëzakonshme të historisë sonë, u bënë emblemë e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Guximi, sakrifica dhe përkushtimi i tyre për kombin tonë janë trashëgimi e përhershme dhe udhërrëfyese për brezat.

Lavdi jetës dhe veprës së Adem Jasharit, Isa Boletinit dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!

Filed Under: Rajon

Mbahet Forumi i Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri

November 27, 2023 by s p

Në prag të festës së madhe të flamurit kombëtar, një ditë para 28 Nëntorit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri me temë “Mundësitë e bashkëpunimit rajonal Kosovë-Shqipëri”, një organizim i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që u mbajt në ambientet e Pallatit të Kulturës, në komunën e Gjakovës.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti, cilësoi se është shumë domethënës fakti që kjo konferencë po mbahet në Gjakovë, dhe pikërisht një ditë para 28 Nëntorit, datës së kurorëzimit të rrugëtimit kah shtetimi i shqiptarëve.

“I gjithë bashkëpunimi i dy shteteve tona duhet të udhëhiqet nga ideja e lehtësimit të jetës së qytetarëve, deri të ndjesia e të jetuarit në të njëjtin vend, në të njëjtat vlera, nën të njëjtat ligje dhe rregulla, pa pengesa dhe pa ndryshime të cilat vështirësojnë ose ngadalësojnë komunikimin dhe veprimtaritë e përditshme të tyre”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti, gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë Forum, prezantoi të arriturat gjatë këtyre dy viteve e gjysmë midis dy qeverive, të dy republikave asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke treguar se janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje të reja, ose gati 1/3 e të gjitha marrëveshjeve, me ritëm gati 4 herë më të shpejtë se gjatë gjithë viteve të mëparshme, nga 184 marrëveshje sa ishin gjithsej. Po ashtu ai shtoi se marrëveshjet e arritura dhe në realizim e sipër e korrigjojnë të kaluarën izoluese dhe hapin mundësi e shanse të reja për ndërmarrësit, për studentët, për qytetarët si prodhues e si konsumatorë.

Në mesin e marrëveshjeve theksoi atë të për lidhjen hekurudhore Prishtinë-Durrës, të cilën e konsideroi si marrëveshje dhe projekt madhor.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është infrastrukturë për t’ju ndihmuar e nuk ka datë më të mirë sesa festat e nëntorit, sesa 28 Nëntori i nesërm, që të bëjnë bilancet e të arriturave dhe teksa kujtojnë ata që sakrifikuan për vendin e tyre.

Gjatë kësaj ngjarje, ai u shpreh se lehtësimi i tregtisë, heqja e barrierave tregtare dhe promovimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të përbashkët ekonomik. Këtu ai veçoi hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe në Porto – Romano, përmes së cilave Kosova ka arritur të ketë qasje në det.

“Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën duke u ardhur në ndihmë drejtpërdrejt bizneseve që tashmë i kanë kursyer 9 milionë euro. Dhe në bazë të shënimeve të fundit 30 për qind e mallrave të cilat vijnë në Durrës e kanë për destinim Kosovën”, u shpreh kryeministri, para se të shtoj se investimet nga Shqipëria në Kosovë në vitin 2022 kanë arritur vlerën prej gati 80 milionë nga mbi 15 milionë sa ishin në vitin 2019, deri sa fliste për rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet dy republikave.

Në fund të fjalës së tij, ai i urojë të gjithëve Urime 28 Nëntorin.

Të pranishëm përkrah kryeministrit në këtë Forum, ishin ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, këshilltarja nga ambasada e Shqipërisë, Pranvera Teli si dhe zëvendësministrat Ali Tafarshiku, nga ministria e Zhvillimit Rajonal, dhe Agron Dobruna nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Filed Under: Rajon

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

November 21, 2023 by s p

Takimi i tretë me radhë ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg u zhvillua sot në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, diç më shumë se një vit pas takimit që kishin në Selinë Qendrore të NATO-s në Bruksel.

Roli historik i NATO-s në Kosovë dhe kontributi i vazhdueshëm i misionit të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në vend, krahas zhvillimeve të fundit në vend dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, ishin temat kryesore të diskutimit të sotëm.

Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, fillimisht shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë.

Ai e njoftoi Sekretarin Stoltenberg për qeverisjen, rezultatet e prekshme, dhe për vëmendjen që iu është kushtuar investimit në mbrojtje, arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Duke folur për situatën e sigurisë, veçanërisht në raport me rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për të, ai veçoi praninë e 48 bazave të përparme operacione serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri.

Më këtë rast, Kryeministri listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe. Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92. Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe.

Kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.

Ai tha se përderisa viti i kaluar u përshkrua me barrikada të ngritura nga grupe kriminale që qëllim kishin t’u kundërviheshin rendit dhe ligjit (korrik dhe dhjetor 2022), ky vit ishte vit i sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, vendore dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i 26 dhe 29 majit, pastaj rrëmbimi i policëve të Kosovës me 14 qershor e që kulmoi me agresionin e 24 shtatorit që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare.

Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti ndau me Sekretarin e NATO-s, Stoltenberg të gjetura nga procesi i hetimeve të institucioneve vendore të sigurisë mbi rastin e sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, por edhe mbi rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, me 14 qershor, që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë. Kryeministri tha se këto dy raste dëshmojnë nevojën për të rritur sigurinë sidomos përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa i bëri thirrje Sekretarit që NATO gjithashtu të dalë sa më parë me konkluzionet e hetimeve të saj të pavarura mbi rastin e rrëmbimit kriminal të tre policëve të Kosovës dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel. Kryeministri e njoftoi Sekretarin për mbarëvajtjen e atij takimi, dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundruall planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike. Me këtë rast, kryeministri Kurti nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO.

Falënderues për mikpritje, Sekretari Stoltenberg shprehu mirënjohjen e tij për koordinimin e institucioneve të sigurisë me KFOR-in, si dhe për mbështetjen që Qeveria dhe Republika e Kosovës i ka dhënë Ukrainës në përballje me agresionin ushtarak të Federatës Ruse, teksa sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e quajti të tmerrshëm dhe të papranueshëm.

Filed Under: Rajon

RRUGËTIMI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT

November 16, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi

Studiues shkencor

Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë/

Ismail Qemali është personalitet me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me emrin e tij është i lidhur një fund dhe një fillim në këtë histori: fundi i pushtimit shumëshekullor osman dhe fillimi i lirisë dhe i pavarësisë shqiptare. Si themelues i Shqipërisë, ai hyn në radhën e atyre personaliteteve që e kanë ndryshuar historinë politike të popullit shqiptar dhe të Ballkanit në përgjithësi.

Ismail Qemali është njëri nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Osmane, dhe kur thuhet kështu, mendohet në karrierën e tij të gjatë politike e shtetare dhe në ndikimin e tij të madh. Ai i kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: e para, kishte prejardhje fisnike, e cila shihej shumë në atë kohë; e dyta, ishte aq i pashëm mes burrave të tjerë, gjë që nuk ishte e parëndësishme në atë kohë; e treta, ishte mendjelartë dhe shquhej mes të tjerëve, gjë që çmohet gjithmonë.

Cilësitë e tij gjatë jetës krijonin baraspeshë në personalitetin e tij. Ai ishte modest, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë dhe e sigurt e bënin magjepsës personalitetin e tij.

Në sajë të cilësive të tij, Ismail Qemali arriti të bëhej prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë. Gjatë, gati gjysmëshekulli të veprimtarisë politike e shtetare në Perandorinë Osmane, ai arriti të jetë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministër i Jashtëm, ministër i Punëve të Brendshme, pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës, Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit etj. Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare e bëri të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore. Cilësitë e tij e bënë njëkohësisht, edhe të dyshimtin apo të dënuarin e sulltanit, shkaku i smirës nga politikanë e diplomatë dhe i përndjekjeve që e pasuan.

Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e tregojnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, kurse në zemrën e tij vend për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet.

Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk i keqpërdori ndjenjat kombëtare për qëllime politike. Megjithëse mysliman për nga besimi, ai kaloi jetën e tij të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër. Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik; toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij; humanizmi ishte etika e tij.

Liberalizmi i Ismail Qemalit ka më shumë se një burim. Burimi i parë është shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai mësohet “të jetojë – si thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke” dhe përvetësoi ide liberale të Volterit, Rusos e Lokut. Burimi i dytë janë njohuritë që kishte për Evropën Perëndimore. Ai qëndron shpesh në Angli, në Francë e në Itali, ku njeh organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike dhe qytetërimin e tyre. Burimi i tretë i liberalizmit të Ismail Qemalit është kultura e tij politike dhe historike. Ai e di se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai thekson se “çdo perandori që është krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet”. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmon “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike.

Me bindje të tilla, liberale, Ismail Qemali hyn në Lëvizjen Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Bindjet që kishte dhe cilësitë me të cilat shquhej e bënë shpejt prijësin e kësaj Lëvizjeje. Ashtu si ideologët e Rilindjes Kombëtare përpara tij, edhe ai mendoi për zgjidhjen e çështjes kombëtare përmes autonomisë në gjirin e Perandorisë Osmane. Mendoi në këtë mënyrë sepse e dinte se disa nga fuqitë e mëdha, sidomos Britania e Madhe, ishin të interesuara që kjo perandori të mbahej si një nga faktorët për mbajtjen e baraspeshës së tyre. Evropa, ndërkaq, po i afrohej luftës botërore. Kur u bind se Perandoria Osmane po përmbysej dhe se me përmbysjen e saj mund të përmbysej edhe shpresa e shqiptarëve për krijimin e shtetit të vet, ndërkohë fqinjët ballkanikë mund të copëtonin tokat shqiptare, u bind se çasti historik kishte ardhur. Ismail Qemali zëvendësoi idenë e autonomisë me idenë e pavarësisë së Shqipërisë. Njëkohësisht ai ndryshoi edhe idenë për mjetet që do të duhej të përdoreshin për aaritjen e pavarësisë: në vend të luftës politike – si i vetmi mjet, ai kërkoi luftë të armatosur – si mjet kryesor. Rrjedhimisht, veprimtaria e tij përqendrohet: e para, në bashkimin e të gjitha forcave mendore, morale e vepruese kombëtare për atë luftë dhe, e dyta, në sigurimin e mirëkuptimit të Fuqive të Mëdha për kërkesën shqiptare. Më 28 nëntor 1912 ai mbledh në Vlorë Kuvendin Kombëtar, i cili shpall pavarësinë e Shqipërisë, zgjedh Qeverinë e Përkohshme, qeveri që e zgjedh atë si kryeministër të saj.

Ky ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa – shtet pa kushte shteti. Por, ky shtet i porsalindur kishte dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit. Institucionet e tij shtetformuese si Kuvendi dhe Qeveria, ishin sovrane në një pjesë, sado e vogël atëherë, të Shqipërisë së ardhshme. Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, bënë çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë dhe që të jetë, vërtet, e pavarur dhe e qëndrueshme.

Luftërat Ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, dhe më pas Lufta I Botërore, solli dëshpërim të popullit shqiptar dhe Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën më shumë se gjysma e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar. Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë j’u dhanë fushat pjellore, burime të lumenjve, qytete të zhvilluara shqiptare. Serbia i vazhdoi përpjekjet për të dalë në det përmes Shqipërisë. Mali i Zi bën çmos të rikthejë Shkodrën si pjesë të saj. Greqia nuk heq dorë prej synimeve për tu shtrirë në pjesën jugore të Shqipërisë. Italia bën politikën e pushtimit të Vlorës e të Sazanit dhe të vënies së Shqipërisë nën protektoratin e saj. Rusia e Franca, madje edhe Britania e Madhe, shteti shpresë i Ismail Qemalit, shohin si ta bëjnë Serbinë sa më të madhe, kurse Franca nuk ngurron ta shpërblejë Greqinë me qytete shqiptare, si, fjala vjen, me Korçën. Esat Pashë Toptani krijon kundërqeverinë në Durrës dhe zhvillon fushatë të hapur kundër Ismail Qemalit. Anarkia e brendshme, varfëria, analfabetizmi i shtrirë dhe zia e bukës bëhen gjithashtu rrezik për Shqipërinë dhe për qeverisjen e saj.

Fati i Shqipërisë dhe i babait të saj ishin bërë njësh. I gjetur nën trysninë e Fuqive të Mëdha për arsye se donte të ishte subjekt e jo objekt i historisë, i braktisur nga bashkëpunëtorët, i pa kuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i lodhur nga mosha, i pushtuar nga një mosbesim për mundësinë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes, Ismail Qemali më në fund lë Shqipërinë dhe rishtazi merr rrugën e mërgimit. Pesha mbi krahët e tij kishte qenë shumë e rëndë dhe ai nuk kishte mundur ta çonte më tutje. Si njeri që nuk dorëzohej lehtë, ai vazhdoi luftën për Shqipërinë atje ku e kishte filluar: në qendrat politike evropiane. Kjo luftë nuk zgjati shumë, drama e jetës së tij përfundon më 26 janar 1919.

Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si shtetari, që themeloi Shqipërinë. Ismail Qemal Vlora është shembulli i njeriut, i politikanit dhe i shtetarit në historinë e popullit shqiptar.

Filed Under: Rajon

Presidentja Osmani mori pjesë në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

November 11, 2023 by s p

Me ftesë të Qeverisë finlandeze, Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.

Në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezent më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-Presidentit Ahtisaari.

Duke nderuar kujtimin për ish-Presidentin Ahtisaari, Presidentja Osmani tha se: “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i Presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”. Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.

Mysafirët në varrimin e Presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së Presidentit Ahtisaari. Kontributi i Presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008 kur atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT