• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Situata në Veri të Kosovës dhe politika tinzare e Serbisë

October 26, 2023 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Situata në Veriun e Kosovës ka përmbysur të gjithë ekuilibrat ndërkombëtare, për një politikë paqësore, bashkëpunuese dhe neutrale, duke çuar marrëdhëniet mes dy shteteve shumë pas në kohë. Veriu i Kosovës është shndërruar në një gjendje të patolerueshme të dhunës, terrorit, vrasjeve, kërcënimeve, duke sjellë në kujtesë varret masive, si në Luftën e Parë Botërore, barbarizmat serbe, ku populli kosovar ende i ndjen në lëkurë, dhe ende nuk ka marrë qoftë edhe një falje nga Serbia. Marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë qenë historikisht në fije të perit, burim konfliktesh dhe arenë lufte, duke cënuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, Serbia ka shtuar pretendimet e saj të errëta nacionaliste, duke përdorur një politikë tinzare dhe manipuluese, për të aneksuar Veriun e Kosovës, me të ashtuquajturën e famshme “asosacion të komunave me shumicë serbe”. Pra, Serbia ende nuk është e gatshme të thyejë mitin se: “E gjithë Serbia është Kosovë”, por po përpiqet të bëjë një lojë të shëmtuar politike me komunat serbe në veri. Kosova i njeh shumë mirë taktikat serbe, pasi ka mësuar nga përvoja e së kaluarës.

Serbia po kërkon të përfitojë dhe ta shfrytëzojë për qëllimet e saj dashakeqe, propozimin e Bashkimit Europian, duke kërkuar të drejtojë vetë të gjithë punët në komunat me shumicë serbe, në Veri të Kosovës. Kosova zyrtare e ka deklaruar gjithmonë se është në mbështetje të të drejtave të pakicës serbe, duke lejuar integrimin e tyre në veprimtari publike, por kurrsesi nuk mund të lejojë cënimin e integritetit territorial, me politika djallëzore dhe intrigante, nga ana e Serbisë. Aleksandër Vuçiç ka dalë hapur kundër përpjekjeve historike të figurave më të shquara amerikane, si Bill Klinton, Marti Ahtisari, Xhorxh Bush, pa të cilët sot nuk do të arrihej pavarësia e Kosovës, duke krijuar pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nga e cila përfiton edhe Rusia me Kinën, në politikat e tyre kundër SHBA-së dhe BE-së. Nga ana tjetër, edhe faktorët e fuqishëm ndërkombëtarë, duket sikur po e përkëdhelin paksa Serbinë, pasi nuk kanë ndërmarrë sanksione kundër saj, kur ajo lëshon deklarata me karakter nacionalist, me prapavija të errëta politike, qoftë edhe me rastin e fundit të vrasjes së policit në Veri të Kosovës, qoftë edhe për kërcënimet për të mbyllur kufirin me Kosovën për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Duket se Kosova ka mbetur e vetme dhe e pambrojtur në këtë pikë të diskutimeve, e cila po tradhtohet edhe nga disa politikanë të brendshëm të saj. Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka për qëllim bashkimin e dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviç dhe Shtërpcë. Por, Kosova ka refuzuar të themelojë asociacionin, duke shprehur frikë dhe mosbesim, se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Me aktin e saj makabër të vrasjes së policit në veri, Serbia ka thyer edhe marrëveshjen e BE-së, në të cilën thuhet se: “Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës; të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes; përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme e gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”. Në këto kushte, BE-ja ka sjellë një propozim të ri modern për asosacionin, duke shpresuar se do të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve. Në situatën e deklaratave dhe kundërdeklaratave apo propozimeve, ajo që ka humbur dhe ka ndjerë pasojat, është sërish Kosova e pafajshme.

Filed Under: Rajon

Monizëm

October 25, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Kjo botë nuk është e jona; ka dritë dhe hije, të nxehtë dhe të ftohtë, ka të mirë dhe të keqe. Diku e dikur kemi bërë një gabim dhe jemi lënë në Tokë. Shpesh, kjo na bën të mendojmë se ndodhemi midis dy botëve – më gjasa ka që bota të jetë ndarë më dysh. Konceptimi dualist ka qenë një fazë e domosdoshme në evolucionin e mendimit. Gjejmë pikëpamje të mira dhe të këqija që mbizotërojnë mes të gjithëve; ke të drejtë, s’ke të drejtë, ka Zot, s’ka zot.

Njeriu përpiqet të unifikojë konceptet e tij. Prandaj, ndërsa njerëzit e mirë priren drejt formimit të doktrinës së monoteizmit, njerëzit e këqinj çojnë natyrshëm në pranimin e një hyjnie të vetme të keqe supreme, të konceptuar si mishërim i gjithçkaje që del se është shkatërruese. Monoteizmi dhe monodiabolizmi, që të dyja e kanë origjinën në tendencat moniste të evolucionit mendor, dhe së bashku përbëjnë një Dualizëm, i cili për shumë është koncepti më i pranueshëm i botës. Megjithatë, nuk është qëllimi përfundimtar i filozofisë njerëzore. Sapo mendimtarët ndërgjegjësohen për Dualizmin e nënkuptuar në këtë interpretim të botës, tendenca përsëri shfaqet drejt një konceptimi më të lartë, që është një pikëpamje thjesht moniste. A do ta eliminojë Monizmi idenë e Djallit për ta bërë Zotin një dhe të gjithë? Apo do të shfuqizojë edhe Perëndinë edhe Djallin, për t’i lënë vend vetëm një bote materiale në lëvizje? A do të jetë e ardhmja e njerëzimit një periudhë në të cilën feja do të zhduket dhe do t’i hapë vendin mosfesë? Ata që nuk e vlerësojnë misionin e Dualizmit në evolucionin e mendimit natyrisht presin që e ardhmja e njerëzimit të jetë jofetare, madje se ateizmi do të zëvendësojë të gjitha konceptet e ndryshme të Zotit. Por kjo nuk është e mundshme. Prirjet moniste të epokës nuk do ta shkatërrojnë, por do ta pastrojnë dhe lartësojnë fenë. Zbutja e të egërit është një fazë e domosdoshme e evolucionit darvinian: megjithëse shfaqet si një gabim a hipokrizi për njeriun më të zhvilluar të një periudhe gjysmë të qytetëruar; por gabimi përmban një të vërtetë që natyrshëm zhvillohet në një konceptim më të përsosur të botës përreth. Në mënyrë të ngjashme, idetë fetare të kohës së sotme janë simbole. Marrë në kuptimin e tyre të mirëfilltë, ato janë të paqëndrueshme, por kuptohen në natyrën e tyre simbolike, ato janë fara nga të cilat do të rritet një konceptim më i pastër i së vërtetës. Tendencat e mendimit filozofik që mbizotërojnë sot çojnë në një konceptim pozitiv të botës, i cili zëvendëson simbolet me deklarata dhe sjell me vete jo një mohim të alegorive fetare, por një konceptim më të thellë dhe më korrekt të tyre. Një gjendje e pafe në të cilën njerëzimi do të adoptonte dhe do të mësonte publikisht një doktrinë të ateizmit është e pamundur, shumë vende kanë provuar, Shqipëria në veçanti, dhe dështuan. Monizmi dhe Ateizmi janë mohim dhe mohimet nuk mund të qëndrojnë, sepse ato kanë kuptim vetëm kur ballafaqohen me çështje pozitive të cilat i refuzojnë.

Filed Under: Rajon

NJË NËNË QË IA DHA ATDHEUT NJË DËSHMOR TË KOMBIT – Sadie (Pllana) Berisha 

October 20, 2023 by s p

Nusret Pllana

E shtrenjta vajzë e Banush Pllanës, që tërë jetën e barti në shpirt masakrën e Tivarit!

E nderuara vajzë e nënës Xhevrije, që të rriti me aq mundime!

E mira motër e Asllanit dhe Shukrijes, vdekja e të cilëve të la pa fjalë!

E dashur NËNË e Arianitit, Dëshmorit të Kombit, që ia fale lirisë së Atdheut!

Motër Sadie!

Me 19 tetor 2023 ndahemi nga Ti, duke të përcjellë në  banesën e fundit, të të gjithë të gjallëve, sepse dihet, jeta një ditë e ka një fund! Kjo ditë e fundit, që po ndahemi nga Ti, bijë, motër, nënë Sadije, na ka rënë hise të ta kujtojmë rrugën e gjatë jetësore, që ke bërë, duke lënë shenja që nuk harrohen kurrë! Nuk harrohen, as vuajtjet për babanë që kurrë në jetë nuk e  harroi rrugën e tmerrit të Tivarit, ku humbi shokët, miqtë, luftëtarët, që tërë jetën i barti në shpirt si kujtim dhe si dhembje! Nuk harrohen as vuajtjet e nënë Xhevrijes, e cila mbi çdo gjë ju dha dashurinë për njerëzit dhe për vendin. Një pjesë të dhembjes ta shtuan vëllai Asllani dhe kunata Shukrija, që të lanë pas duke kujtuar mallin dhe mungesën e  tyre! 

Por, rënia e Arianitit në altarin e lirisë së kësaj pjese të atdheut, të Kosovës sonë të shumë vuajtur në shekuj, ta mori gjithë dhembjen e të gjitha nënave të Kosovës, që lirisë sonë ia falën bijtë dhe bijat më të mira të atdheut! Arianiti sot është shenjë e lirisë sonë, e Kosovës që një ditë do të bëhet Shqipëri, ashtu siç e kishte falur Zoti dhe ashtu siç e kanë dashur shqiptarët në shekuj.

Motra Sadie Pllana-Berisha, lindi më 23 tetor të vitit 1948, në Prishtinë, nga Nëna Xhevrija dhe Babai Banushi. Ishte motër e dashur e Asllanit, Ylfetes, Selatinit, Vahides, Ademit, Besës e Besimit.  Skollën fillore dhe atë të mesme për infermiere e mbaroi në Prishtinë. Sa duket, për njerëz të caktuar, rrugët jetësore sikur janë përcaktuar që më parë. Motra Sadie Pllana, ishte martuar me atdhetarin e Llashticës së Gjilanit, Ilaz Berishën, i cili asnjëherë nuk është lodhur që të vejë një gur të çmueshëm në kalanë e madhe të lirisë së atdheut!

Nga kjo martesë, lindën fëmijët e mrekullueshëm, Arbërorja, Arbëri, Ardhmëria dhe Arianiti. Më i vogli i Nënë Sadijes dhe Babait Ilazit, Arianiti, kur ishte vetëm 17-vjeçar bie për të mos vdekur kurrë, sepse bëhet shenjë e lirie sonë, shenjë e rrugës së madhe të bashkimit kombëtar, bëhet i përjetshëm me moshën e tij 17 -vjeçare, sepse Dëshmorët e Kombit kanë vetëm ditëlindje!

Ti, Motër Sadie,  ishe në shërbim të lirisë së atdheut, sepse asnjëherë nuk u kurseve duke ndihmuar me çdo gjë që kishte mundësi, duke filluar nga sigurimi i barërave e deri të injeksionet dhe gjëra të tjera të nevojshme për ushtarët, për të plagosurit, për ata që kishin nevojë nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, bashkë me Arianitin tënd, sollën lirinë që e kishim pritur më shumë se një shekull.

E shtrenjta Motër Sadie! 

Sot kur po të përcjellim në banesën tënde të fundit, atje ku do të jesh bashkë me të gjithë ata që i ke dashur, e themi me bindje të plotë, e themi me dashuri, se ishe nënë e dashur dhe e përkushtuar shumë për fëmijët e tu të mrekullueshëm, ishe motër e veçantë me qetësinë tënde hyjnore, ishe bashkëshorte e një veprimtari të çështjes kombëtare, që asnjëherë nuk u lodhët t’i shërbeni ardhjes së lirisë sonë, ishe gjyshe e mbesave dhe nipave, që të deshtën aq shumë, ishe bamirëse dhe humaniste e madhe, sa edhe furnizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte brenga jote, që të mos mbetej keq asnjë i plagosur, asnjë i ri, që ia kishte prekur plumbi trupin, asnjë vajzë, që mbante uniformën e lirisë sonë. 

Por, erdhi një ditë, kjo sëmurje e rëndë, që të ndau nga ne, që të ndau nga fëmijtë tu, nga bashkëshorti yt, atdhetari Ilaz Berisha, nga të gjithë ata që i deshe dhe të deshën shumë! Por, atje ku po të përcjellim, të pret përherë 17-vjeçar, Dëshmori i Kombit, Arianiti yt!

Pushofsh e qetë dhe e paç të lehtë dheun e Kosovës, lirisë së të cilës ia fale një pjesë të jetës tënde, djalin Arianitin, Dëshmorin e Kombit!

Lamtumirë për herë të fundit, motër e dashur Sadije Pllana-Berisha!

Qofsh përjetësisht pjesë e mallit tonë për çdo gjë që ke bërë në shërbim të jetës së njerëzve dhe lirisë së Kosovës!

Pishtinë, më 19. 10. 2023

Filed Under: Rajon

Kryeministri Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas

October 18, 2023 by s p

Prishtinë, 18 tetor 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.

Kryeministri Kurti theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandatin e KFOR-it.

Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.

Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.

Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.

Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.

Filed Under: Rajon

Më 16 tetor 1448 është zhvilluar Beteja e Kosovës, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Europës Mesjetare…!

October 16, 2023 by s p

Derisa, për Betejën e Kosovës të vitit 1389, historiografia e sotme ende nuk ka mundur ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitizuar, në anë tjetër Beteja e Kosovës së vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet për njërën ndër betejat më të njohura të ndodhura në Europën Mesjetare. Së këtejmi, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e inspiruesve të luftërave kundërosmane në krye me, Janosh Huniadin dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeun. Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë mejdan midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Huniadi dhe ushtrisë osmane në krye me sulltan Muratin II. Arbrit në krye me Skënderbeun qenë në anën e aleancës europiane.

Në verë të vitit 1448, pasi që kishte tubuar reparte hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Huniadi kishte kaluar Danubin, doli në Krushevac. Që këtej, arriti në Kosovë. Në anë tjetër, Murati II, pasi që ishte informuar nga despoti Brankoviç, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje kishte tubuar rreth vetës të gjitha repartet, të cilat numëronin 50.000-60.000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri tyre del i trefishuar. Repartet e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore arrinte 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta treditëshe mbaroi me disfatën e ushtrisë së aleancës.

Premtimet që i kishte dhënë Skënderbeu për tu angazhuar në anën e aleancës së krishterë, e kishin trimëruar Huniadin, që të nxitonte për tu ndeshur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për ketë përplasje provohet sipas burimeve zyrtare dhe tregimtare. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të betejës, burimet e kohës, ofrojnë hollësi për vonimin e arbërve për tu bashkuar me trupat hungareze.

Shkak kryesor i vonimit të Skënderbeut ishin pengesat e despotit Brankoviç, aleat i dhëndrit Muratit II, që ia mbylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet, nga mund të kalonte. Pjesa e madhe e burimeve, duke arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh dhe pa shkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave për epilogun, janë ruajtur hollësi dhe për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi që kishte marrë rrugë për në jug jo larg Fushë-Kosovës, u ndesh më Skënderbeun, që ishte nisur ti bëhej shok lufte Huniadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, në afërsi të Vushtrrisë, u përpoqë me duk Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit.

Tërheqin vëmendjen sidomos burimet, që dolën pas betejës, të cilat së bashku me epikën popullore kanë ngatërruar personazhet e Betejë së Parë me ato të Betejës së Dytë të Kosovës. Si shembull, këtu, duhet shikuar veprën me përmasa evropiane të humanistit raguzan, Mauro Orbini (1601), e ndonjë tjetër pas tij…!

Jahja Drançolli

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT