• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës dënon sulmin terrorist të organizuar nga Serbia në veri të Kosovës

September 29, 2023 by s p

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare, drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, më 97 vota për, asnjë kundër dhe asnjë apstenim, miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës dënon sulmin terrorist në veri të organizuar nga Serbia.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e paraqiti përmbajtjen e rezolutës para deputetëve, me propozim të grupeve parlamentare.

Në tekstin e rezolutës thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës.

Kuvendi nëpërmjet kësaj rezolute vlerëson punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit.

Po ashtu, Kuvendi kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike.

Në pikën shtatë të kësaj rezolute, Kuvendi konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.

Seanca plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të heroit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit nga një grup terrorist serb.

Kryetari Konjufca njoftoi se pas konsultimeve me grupet parlamentare është vendosur që kjo seancë të mos nis me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet parlamentare, por që deputetët të propozojnë një projektrezolutë lidhur me dënimin e sulmit terrorist serb në veri të Kosovës.

Por, paraprakisht ai tha se do të flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe kryeminstri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kuasri- Lila, duke iu referuar rënies në detyrë të rreshter Afrim Bunjaku, tha se Kosova të dielën e kaluar humbi një rreshter, por fitoi një hero.

Sulmin terrorist në veri të Kosovës, ajo e vlerësoi të derigjuar direkt nga Beogradi zytar.

“E diela që lamë pas shpërfaqi një plan të organizuar dhe të derigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër. Prej mjeteve logjistike, ushtarake, transportimit të armatimit, e tëra ishte skenar i përgatitur në kampet e trajnimit në Serbi, për të cilat autoritetet e sigurisë dhe intelegjencës së Kosovës ka muaj që kanë paralajmëruar. Dëshmitë nga vendi i ngjarjes, fotografitë dhe sasia e armatimit plotësojnë skenarin, i cili parashihte luftë, ndarje dhe destabilizim të Kosovës në një rrugë të pakthim për vendin tonë dhe për rajonin”, theksoi Kusari- Lila.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti Memli Krasniqi, pasi dënoi edhe njëherë sulmin terrorist në veri të Kosovës, tha se mposhtja e grupit terrorist në Banjskë nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës.

Ai shtoi se për PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.

“Në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha. Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë është të mbrojmë atdheun tonë dhe të garantojmë sigurinë e çdo qytetari pa dallim feje apo etnie.

Prandaj, në këtë periudhë, është thelbësore që të gjithë faktorët politikë shqiptarë të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë”, deklraroi Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputeti Lumir Abdixhiku, vlerësoi se plani dhe sulmi terrorist në Banjskë ishin të organizuara nga Serbia, në krye të së cilit qëndronte krimineli, tashmë i shndërruar në terrorist, Milan Radojçiq.

Ai tha se qëllimi i këtij sulmi nga Serbia ishte i qartë, krijimi i një realiteti të ri në veri të Kosovës, duke shkaktuar edhe viktima.

Marrë parasysh situatën nëpër të cilën po kalon Kosova, Abdixhiku bëri thirrje për mençuri, në mënyrë që të fitohet edhe beteja politike.

“LDK-ja me të gjithë kapacitetet e saj do të mbështesë institucionet e Kosovës në përballje të tilla pa dyshim. Por sot na duhet mençuri. Atë që e fituam në Banjskë na duhet ta fitojmë me politikë.

Këtë situatë duhet ta përkthejmë në pozicionin e Kosovës. Bashkërendimi me aleatët sot është jetësor. Duhet t’i mbajmë aleatët në krah. Propozimi djeshëm i presidentes së vendit është në vijë me qëndrimin tonë”, ka tha Abdixhiku.

Tutje, kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës (AAK), deputeti Ramush Haradinaj tha se ajo që ndodhi të dielën ishte një sulm terrorist nga një formacion terrorist i sponsorizuar nga Serbia.

Kjo, shtoi deputeti Haradinaj tashmë është më së e qartë dhe se sulmuesit e morën përgjigjën e duhur.

“Institucionet e sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës në koordinim me aleatët ndërkombëtarë i mposhtën me turp dhe vërtetuan se asnjëherë askush nuk mund ta rrezikojë Kosovën. Një rezolutë që dënon sulmin terrorist dhe sponsorët e terrorizmit është e drejtë dhe se Kuvendi duhet ta miratoj. Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për hetim ndërkombëtar, i cili do të ndihmonte jo vetëm zbardhjen e imponimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë sponsorët e terrorizmit dhe terroristët”, theksoi Haradinaj.

Më pas, në emër të Grupit Multietnik, deputeti Enis Kervan, tha se i jap mbështetje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur kushtetutshmerinë e Kosovës.

“Sot, qëndrojmë të bashkuar kundër terroristëve, të cilët mundohen të minojnë përparimin e fituar me shumë vështirësi. Prandaj, sot dhe gjithmonë e kujtojmë heroin Afrim Bunjaku si një oficer të guximshëm, si një simbol të përkushtimit dhe të sakrificës së të gjithë atyre që i shërbejnë Kosovës.

Kujtimi i tij do të na frymëzojë përgjithmonë që të përpiqemi për një të ardhme më të sigurtë. Së bashku si përfaqësues të popullit ne zotohemi ta ndërtojmë trashëgiminë e tij, duke punuar pa u lodhur për të mbrojtur vlerat e demokracisë, paqes dhe drejtësisë, të cilat përcaktojnë të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës”, tha Kervan.

Në vazhdim, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pasi paraqiti një rezyme për sulmin terrorist serb në veri të vendit, tha se sulmuesit të cilët arritën të ikin duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës.

“Organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate ashtu siç bëri Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj me 29 qershor sivjet. Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar atëherë ajo do ta përsërisë krimin.

Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë, të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha Kurti.

Edhe nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Kurti falënderoi të gjitha shtetet, të cilat e dënuan sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit, si pasojë e aktit agresiv të Serbisë dhe për mbështetjen që ato i kanë dhënë Republikës së Kosovës.

“Lufta kundër krimit e terrorit të sponsorizuar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë medoemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës, vlerave dhe interesave të saj, të qytetarëve të saj, të të gjitha komuniteteve të saj, pa dallim”, tha kryeministri Kurti.

Në përfundim të kësaj seance, me rastin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, fjalë rasti mbajtën deputetët Duda Balje, Bahrim Shabani dhe Samra Ilijaz.

Filed Under: Rajon

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Gërvalla takuan Ambasadorët dhe diplomatët e akredituar në Kosovë

September 28, 2023 by s p



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, kanë pritur sot në një takim të përbashkët ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës.

Temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi terrorist i datës 24 shtator mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në adresimin e tyre para diplomatëve ndërkombëtarë, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, i njoftuan diplomatët ndërkombëtarë mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës ndaj këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan, që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit të njëjtë, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon.

Filed Under: Rajon

Sulmi terrorist i së dielës…

September 27, 2023 by s p

Albin Kurti/

Më lejoni që fillimisht t’ju ftoj për një minutë heshtje, në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit të Republikës, Afrim Bunjaku që më 24 shtator ra në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe ligjit, shtetit të së drejtës, integritetit territorial dhe atdheut.

Lavdi!

Të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare.

Po atë ditë, është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë, me Presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes.

Përballë kësaj, është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, i institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së Pavarësisë. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin. Andaj, sot ju ftoj të gjithëve, juve këtu, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë në uniformë, kudo e kurdo që i shihni: në mëngjes, gjatë ditës, a në mbrëmje, në rrugë, në sheshe, në vend të punës, në lagje, në trafik. Ju faleminderit për shërbimin tuaj.

Sulmi terrorist i së dielës, gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur, me gjuhë të qartë e të përveçme, dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar.

Sepse kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, veçanërisht në pjesën veriore, të rrezikshëm dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar.

Njëkohësisht, pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës së Serbe, Millan Radoiçiq, është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve: rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë.

Filed Under: Rajon

150 VJETORI I LINDJES SË HASAN PRISHTINËS, NJË NGJARJE QË TEJKALON KUFIJTË KOHORË E HAPËSINORË

September 27, 2023 by s p

Nga Skender ASANI/

Sot kur kujtojmë 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës, jemi të prirur që këtë ngjarje ta shohim përtej një jubileu të thjeshtë. Figurat e mëdha të një kombi, siç është kolosi ynë Hasan Prishtina, me fuqinë e ndikimit të tyre tejkalojnë kufijtë kohor kur vepruan. Këto figura madje janë aktuale edhe sot, sepse dimensioni i ideve të mëdha kombëtare asnjëherë nuk përmbyllet brenda një qarku të ngusht kohor, por ato, varësisht nga momentet historike, e gjejnë hapësirën e tyre të veprimit edhe në ditët e sotme.

Gërshetimi i dimensionit historik dhe aktual brenda figurës së Hasan Prishtinës, e ka shndërruar këtë personalitet në burim frymëzimi për shumë veprimtarë të çështjes sonë kombëtare. Njëri nga ata, Adem Demaçi, i cili e quante për nder të jetë ushtar i Hasan Prishtinës, madje është i pari që promovoi “hasanizmin”, si frymë dhe si ide në ndërtimin e karakterit të një atdhetari të vërtetë.

Në 150 vjetorin e lindjes, shqiptarët në Ballkan kanë arsye ta quajnë satisfaksion përpjekjen e tyre për të çuar përpara disa nga idetë e Hasan Prishtinës, sepse ai ishte njëri ndër ideologët më të përkushtuar të çështjes kombëtare. Veçantia e kësaj figure qëndron në faktin se ai, gjatë veprimtarisë së tij të gjatë atdhetare, arriti të kombinojë luftën kryengritëse me betejat e parreshtura diplomatike e intelektuale. Ai është njëri nga personalitet e rralla të historisë sonë që diplomacinë evropiane e ushqeu me raporte e dokumente autentike mbi gjendjen e popullit shqiptar në kapërcyell të shek. 19 dhe 20.

I ndodhur midis Perendimit dhe Lindjes, midis aleancave ballkanike dhe aspiratave shtendërtuese, populli shqiptar gjatë rrugëtimit të tij pagoi kosto të lartë pikërisht këtë vendodhje gjeografike dhe këtë kontekst rrethanash hostorike. Kjo kosto u bë edhe më e lartë në momentet kur po vendosej për fatin e tij në konferencat ndërkombëtare. Hasan Prishtina, me vigjilencën dhe largapamësinë e tij, arriti të përçojë drejt aspiratën liridashëse të popullit shqiptar në këto konferenca, siç ishte rasti edhe me Konferencën e Paqës në Paris (1919), ku ai, edhe pse nuk mundi të jetë prezent fizikisht, megjithatë arriti të imponojë idetë e tij (një pjesë të tyre) mbi rrugëzgjidhjet e mundshme të fatit të shqiptarëve në një kontekst të ngatërruar e acaruar ballkanik e fqinjësor. Nëse presidenti i lavdishëm amerikan Wudro Vilson arriti në momentin e fundit të nxjerr kombin shqiptar nga hendeku i aleancave e prapaskenave diplomatike, ishte Hasan Prishtina ai i cili i dha shtytje nga jashtë kësaj përpjekje kolosale të Presidentit Wilson.

Prandaj, kur flasim për kontributet e fugurave tona kombëtare në ngritjen e çështjes shqiptare në nivelin e duhur të kurorëzimit të përpjekjeve liridashëse, atëherë pa dyshim që Hasan Prishtina do të jetë ndër personalitet e rralla që investoi dije, sakrificë e guxim në dizajnimin e kauzave kombëtare që edhe sot mund të jenë aktuale, ndonëse ai ishte shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e fjalëve që nxirrte nga goja: “Dhe para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos harroni atë kur të jepni mendimin tuaj”, thoshte Hasan Prishtina, një thënie kjo që ilustron më së miri peshën e përgjegjësisë që ai e konsideronte të qenësishme gjatë momenteve të vështiura të vendimarrjes.

Hasan Prishtina fliste për mallkimin e historisë, i vetëdijshëm se çdo vendimarrje mund të jetë gurë peshoreje në ndërgjegjen e secilit që merr vendime. Në fakt, politika nuk është asgjë tjetër përpos një fushëbeteje ku sprovohet ndërgjegja dhe vendimarrja. Prandaj sot kur po jetojmë në një kohë me turbulenca sociale e gjeopolitike, politikanët nuk e kanë lehtë të marrin vendime të cilat do t’iu rezistojnë kohërave, ndonëse edhe kjo nuk është e pamundur nëse figura e Hasan Prishtinës merret si pikë orientuese për të ruajtur drejtpeshimin në mes të etikës dhe politikës, në mes të kombëtares dhe universales.

Në 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës, secili nga ne duhet ta pyes veten se sa e shfrytëzojmë si referencë aktuale këtë figurë gjikante të kombit tone dhe sa punojmë që emri dhe lavdia e tij të mos shfrytëzohen vetëm sa për të shënuar ndonjë jubile apo ngjarje që lidhet me të.

Sivjet, 150 vjetori i lindjes së Hasan Prishtinës po bëhet edhe më kuptimplotë pas inisiativës së Institutit tonë që një pullë postale me emrin dhe figurën e tij të bëhet pjesë e qarkullimit dhe komunikimit në mes të njerëzve këtu dhe përtej kufinjve shtetërorë. Me këtë duam të përçojmë idenë se Hasan Prishtina edhe nga Shkupi ynë i lashtë, madje edhe në mënyrë simbolike, po e kryen funksionin që ai e projektoi si një platformë ku do të bashkëjetonin të gjitha aspiratat që i bëjnë më fisnikëruese raportet në mes të individëve dhe popujve, në mes të sotmes dhe të ardhmes.

Shkup, 27 shtator 2023

Filed Under: Rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier

September 26, 2023 by s p

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë situatën e sigurisë pas sulmit në veri të Kosovës, ku nga akti terrorist i grupeve kriminale serbe, u vra rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe disa policë tjerë u plagosën.

Ambasadori Hovenier shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e policit të Kosovës. Presidentja, ndërkaq, ka falenderuar aleatët, në rradhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës.

Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT