• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani mori pjesë në shënimin e 10- vjetorit të Grave Lidere në Politikë

September 18, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në një ceremoni në të cilën u shënua 10 vjetori i Grave Lidere në Politikë.

Në një adresim para grave tjera lidere, Presidentja Osmani foli për angazhimin dhe rolin e shquar të grave në epoka të ndryshme të historisë së zhvillimit të vendit. Ajo theksoi se Kosova, në 15 vjetët e pavarësisë së saj, shquhet për lidership të grave në politikë, teksa potencoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të vazhdueshëm me qëllim të fuqizimit të grave në jetën publike.

Presidentja Osmani në adresimin e saj, theksoi se Kosova po dëshmohet si vend lider në udhëheqjen e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe potencoi se fuqizimi i grave në fushën e sigurisë, si dhe në fusha të tjera, është mundësia më e mirë për ta avancuar shoqërinë në tërësi.

Filed Under: Rajon

Kryeministri Kurti vizitoi festivalin “Ulpiana Fest” që po mbahet në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës

September 18, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka vizituar gjatë pasdites së sotme festivalin “Ulpiana Fest”.

Festivali dyditor i cili ka karakter historik dhe kulturor, po mbahet në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës. Ai është i pari i llojit të tillë në gjithë Kosovën. Përmes tij synohet që të ngritët vetëdija dhe kureshtja e qytetarëve mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe lokaliteteve tona arkeologjike në veçanti.

Me manifestimin e këtij festivali, shikuesve dhe pjesëmarrësve u ofrohen përjetime të copëzave nga antikiteti duke përfshirë veshjet, recetat ushqimore, lojërat, si dhe zejet artizanale.

“Ulpiana Fest” që po mbahet me 16 dhe 17 shtator, organizohet nga OJQ “ET-G” në bashkëpunim me Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Filed Under: Rajon

Kryeministri Kurti takoi deputetin Shaip Kamberi

September 16, 2023 by s p

Prishtinë, 16 shtator 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në takimin që pati me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi bisedoi lidhur me rrjedhat aktuale politike.

Kryeministri foli për takimin e kësaj jave të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, deputeti Kamberi e njoftoi kryeministrin me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevë. Ai theksoi se bashkë me deputetët boshnjak të SDA ka inicuar pesë projektligjeve ndër të cilat ai për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave; për selitë dhe territorin e gjykatave; për ndryshimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare; për ndryshimin e Rregullorës së parlamentit ashtu që listat e pakicave të kenë mundësinë e krijimit të grupit parlamentar me tre deputet e jo me pesë siç kërkohet për partitë qëndrore, si dhe projektrezolutën për Srebrenicën.

Z. Kamberi theksoi se fatkeqësisht këto iniciativa po pengohen nga kreu i parlamentit të Serbisë duke mos u futur në rend të ditës as edhe për t’u diskutuar.

Kryeministri e përgëzoi deputetin Kamberi për angazhimin dhe vendosmërinë dhe i ofroi mbështetjen e plotë për afirmimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Filed Under: Rajon

TË HUAJT PËR KRIMET SERBE NË VITET 1912-1913 

September 15, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Krimet serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike përfshijnë vrasjet masive, masakrimet, pastrimin etnik, kthimin e dhunshëm në fenë ortodokse dhe persekutimin apo dëbimin e shqiptarëve.   

Qëndrimi ndaj shqiptarëve si komb deri në fund të luftërave ballkanike – Ka që thonë se kancelari gjerman Oto fon Bizmark (Otto von Bismarck, 1815-1898) gjatë Kongresit të Berlinit (1878) paskësh thënë se kombi shqiptar nuk ekziston. Por, ka edhe historianë që thonë se Bizmarku nuk ka thënë diç të tillë për shqiptarët.   

Në raportin e korrespondentit të Associated Press, autor i librit “Gjurmë ballkanike” (The Balkan Trail, Londër, 1906, faqe 296), Frederik Ferdinand Mur (Frederick Ferdinand Moore) shqiptarët janë quajtur “racë malore primitive”. 

Me përjashtim të socialistëve apo të socialdemokratëve, në Serbi ka mbizotëruar mendimi se “shqiptarët nuk janë popull përfundimisht i formuar; ata janë një grumbull fisesh që janë në konflikt ndër vete, gjithkund të përzier me serbë dhe grekë”. 

*   *   *

Fundi i luftërave ballkanike dhe pasojat e tyre për shqiptarët – Sipas autorëve serbë, gjatë luftërave ballkanike “shqiptarët kanë luftuar kundër aleatëve ballkanikë; në këto luftëra shpeshherë kanë luajtur rol më të madh se ushtarët e Perandorisë Osmane”. Faza e parë e luftërave ballkanike përfundon me armëpushimin e nënshkruar më 3 dhjetor 1912. Aleatët ballkanikë i kanë zotëruar pothuajse të gjitha territoret e deriatëhershme të Perandorisë Osmane në Ballkan. Tani midis tyre fillon ndarja e territoreve. Për shkak të aspiratave të veta për këto territore, një zhvillim i këtillë i ngjarjeve nuk u përgjigjej shteteve të caktuara, sidomos Austro-Hungarisë dhe Italisë. Për këtë arsye, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në mars të vitit 1913, gjashtë Fuqitë e Mëdha, nën trysninë e Austro-Hungarisë dhe të Italisë, vendosën në parim për ta formuar shtetin e ri, Principatën e Shqipërisë, “në një pjesë të territorit të cilin Mali i Zi, Serbia dhe Greqia e kishin pushtuar nga Perandoria Osmane”. Marrëveshja e paqes e Londrës u nënshkrua më 30 maj 1913. Për territorin që sot përbën Shqipërinë, do të vendosnin Fuqitë e Mëdha (Austro-Hungaria, Italia, Gjermani, Britania e Madhe, Franca, Rusia). 

Në bazë të dispozitave të Marrëveshjes së paqes të Londrës, më 29 korrik 1913 Fuqitë e Mëdha e formuan shtetin e ri – Principatën e Shqipërisë dhe i caktuan kufijtë e saj. Pas kësaj, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia u detyruan t’i tërheqin ushtritë e veta nga ato pjesë të territorit që kishin qenë nën Perandorinë Osmane. Përkundër tërheqjes, aleatët ballkanikë që ishin fqinjë të shtetit të sapoformuar – Shqipërisë, me nënshkrimin e Marrëveshjes së paqes të Londrës përfituan territore të mëdha të banuara me popullsi shqiptare. Kufijtë e rinj, njësoj sikur edhe kufijtë e Evropës së atëhershme, nuk ishin shënuar sipas parimit etnik. Shteti shqiptar përfshinte më pak se gjysmën e territoreve të banuara me shqiptarë. Më se gjysma e popullsisë shqiptare mbeti nën pushtimin e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë.           

Për t’i hulumtuar krimet e ushtrive serbe, malazeze dhe greke ndaj shqiptarëve, Sektori për bashkëpunim dhe arsimim i Themelatës Karnegi për Paqe Ndërkombëtare (Carnegie Endowment for International Peace) formoi një Komision ndërkombëtar për hetim (International Comission of Inquire). Komisioni kishte për detyrë të hulumtojë shkaqet dhe ecurinë e luftërave ballkanike. Ky komision veproi edhe në terren. Ai shërbeu si një prej burimeve të informatave për krimet serbo-malazeze ndaj shqiptarëve. 

Komisioni përbëhej: 

– nga Franca, senatori Baron d’Eturnel dë Konstan (Baron d’Estournelles de Constant, 1852-1924) – laureat i çmimit “Nobel” për paqe (1909), si dhe juristi e anëtari i parlamentit Zhysten Godar (Justin Godart, 1871-1956);    

   – nga Britania e Madhe, kryeredaktori i revistës The Economist, Frensis Hirst (Francis Wrigley Hirst, 1873-1953) dhe gazetari Dr. Henri Noel Brailsford (Henry Noel Brailsford, 1873-1958); 

– nga ShBA-ja, Dr. Semjuel Dalton, profesor në Kolexhin e Mësuesisë të Universitetit Kolumbia;

– nga Gjermania, Dr. Volter Shuking, profesor i drejtësisë në Universitetin e Marbugut (Maribori i sotëm);

– nga Austro-Hungari, Dr. Jozef Redlih (Josef Redlich, 1869-1936), profesor i të drejtës publike në Universitetin e Vjenës dhe 

– nga Rusia, Pavel Nikolajeviç Milyukov (1859-1943), anëtar i Dumës shtetërore.  

*   *   *

Anëtarët e komisionit udhëtuan nëpër Ballkan që nga fillimi i gushtit deri në fund të shtatorit. Në terren mblodhën të dhëna, i shënuan bisedat me refugjatët dhe me të dëbuarit, i fotografuan vendbanimet e djegura, arkivuan dokumente burimore (letra, shpallje, urdhresa, afishe, komunikata) e të tjera. Me t’u kthyer në Paris, i tërë materiali u përpunua dhe u publikua në formë të një raporti të hollësishm. 

Me rastin e përpjekjes së parë për të hyrë në Serbi, Komisioni i kthye nga kufiri, edhe pse ardhja e tij ishte paralajmëruar nëpërmjet ambasadës së Serbisë në Paris. Me fjalë të tjera, autoritet serbe nuk lejuan që Komisioni të hyjë në Serbi. Të dhënat që i kishte grumbulluar Komisioni, u përfshinë në raportin që u botua në vitin 1914. Me të shpërthyer Lufta I Botërore, ky raport ra në harresë.

Thelbi i raportit të Komisionit ndërkombëtar për shkaqet dhe zhvillimin e luftërave ballkanike

Konstatimet e Komisionit ndërkombëtar vërtetuan se gjatë luftërave ballkanike dhe fill pas mbarimit të tyre, ishin kryer krime të rënda lufte. U konstatua se armët nuk ishin përdorur vetëm kundër ushtrisë së armikut, por ishin përdorur për të kryer masakër mbi popullsinë (njerëzve të moshuar, fshatarëve, bujqve, grave dhe fëmijëve) në Kosovë, në viset shqiptare në Maqedoni dhe në Shqipëri, si dhe në pjesët e Ballkanit ku kishin luftuar ushtritë e Serbisë, të Malit të Zi, të Bullgarisë, të Greqisë. 

  Viktima të krimeve të kryera gjatë luftërave ballkanike kanë qenë:

– të burgosurit dhe 

– banorët e territoreve të vilajeteve ballkanike të Perandorisë Osmane, të të gjitha kombësive.       

Kryerës të krimeve të kryera gjatë luftërave ballkanike kanë qenë: 

– ushtritë serbe, malazeze, greke, bullgare;

– vullnetarët – çetnikët serbë, komitët bullgarë, andartët grekë dhe vullnetarë të tjerë që nuk kanë qenë në uniformë të ushtrisë së rregullt.

Në raportin e vet për krimet e kryera gjatë luftërave ballkanike ndaj popullsisë civile të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive etnike, midis tjerash Komisioni thekson: “Në vilajetin e Manastirit të cilin më vonë e ndanë Serbia dhe Greqia, ishin djegur 80% e fshatrave shqiptare”. 

Pas krimeve të kryera, komisioni konstaton në raportin e vet se një numër i madh i popullsisë së fesë myslimane janë shpërngulur për në Azi. 

Krimet ndaj shqiptarëve në luftërat ballkanike – Duke e analizuar situatën në rajonet shqiptare, anëtarët e Komisionit kanë ardhur në përfundim: 

“Shtëpi dhe fshatra të tëra janë bërë hi, popullsia e paarmatosur dhe e pafajshme është masakruar në mënyrë masive, akte dhune të pabesueshme, plaçkitje dhe mizori të të gjitha llojeve. Këto janë mjetet që i ka zbatuar dhe që vazhdon t’i zbatojë ushtria serbo-malazeze, me qëllim të ndryshimit të plotë të karakterit etnik të rajoneve të banuara përjashtimisht me shqiptarë” – nga Raport i Komisionit ndërkombëtar.    

Telegrami special i botuar në The New York Times – Një burim i cituar shpesh për krimet ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike është botuar më 31 dhjetor të vitit 1912 në The New York Times. Është një telegram special të cilin një institucion austro-hungarez i paemërtuar ia dërgon nga Budapesti The Daily Telegraph-it. Në telegram nuk figurojnë emrat e autorëve “të raporteve hungareze”.          

Golgota shqiptare – Në pashkët e viti 1913, publicisti hebraik i lindur në Vjenë Leo Frojndlih (Leo Freundlich, 1875-1953) boton librin “Golgota shqiptare: Aktakuzë ndaj shfarosësve të popullit shqiptar“ (Albania’s Golgatha: Indictment the Exterminators of the Albanian People, Vjenë 1913). Që në faqet e para të librit, autori ngre lart kulturën shqiptare, flet për intelektualët shqiptarë, për letërsinë shqiptare, për aftësitë e shqiptarëve për të ushtruar veprimtari ekonomike, për shkathtësitë luftarake të shqiptarëve, për burrat e shtetit, për gjyqtarët …

Autori i librit vjen në përfundim se “përpjekjet e shtypësve të shqiptarëve që çdo lloj përparimi të tyre ta parandalojnë duke kryer masakër ndaj tyre, kanë qenë të pasuksesshme“. 

Në vazhdim të librit, Leo Frojndlih publikon përmbledhjen e informatave të cituara dhe të botuara në shtyp, për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve në periudhën e viteve 1912-1913. Leo Frojndlih nuk ka qenë në kontakt personal me shqiptarët, por në vitin 1915, gjatë Luftës I Botërore, si ushtar i ushtrisë austro-hungareze ka luftuar në Ballkan.  

*   *   *

  Raporti i Komisionit të qeverisë franceze – Në korrik të vitit 1913, qeveria franceze krijoi një komision të përbërë nga Vikonti Herve dy Algue (Vicomte Hervé du Halgouet, 1877-1955) dhe nga koloneli Lepidi (Colonel Lepidi).

Deklararat e komodorit Kardejl – Deklaratat e oficerit të lartë të Marinës Mbretërore Britanike, të komodorit Kardejl, janë publikuar në disa gazeta britanike.    

Burime të tjera informatash, përpos tjerash janë edhe:

– Raporti i konsullit austro-humgarez në Shkup, Fon Vajnrot, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në shkurt të vitit 1913, i cili nuk i përfshin deklaratat e dëshmitarëve të krimeve, por vetëm shënimet për deklaratat e dhënë prej atyre të cilët për krimet kishin dëgjuar prej dikujt tjetër, pa nxjerrë prova konkrete për to;   

– Raportet e reporterit austro-hungarez të luftës Hermengild Vagner (Hermenegild Wagner). Këto raporte janë botuar në librin e publicistit Leo Frojndlih;

– Tekstet e botuara nga Instituti i Historisë në Prishtinë; 

      – Raporti zyrtar i hollësishëm dërguar Fuqive të Mëdha për mizoritë në Dibër, i botuar në shtypin italian, në ballinën e të cilit shkruan: „Dokumenti është i një rëndësie të madhe të cilin sapo ia dërgoi qeverisë së njërës prej Fuqive të Mëdha ambasadori i tyre, i cili personalisht i kishte mbledhur shënimet dhe emrat e vendeve të krimit dhe të terrorit.“  

– Tekstet e publikuara nga socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq (1881-1914).

*   *   *

Thelbi i pohimeve për krimet – Sipas raporteve të botuara në shtypin evropian, në atë amerikan si dhe në shtypin opozitar serb që janë cekur në librin e publicistit Leo Frojndlih, gjatë pushtimit të vendbanimeve shqiptare në vitet 1912-1913, ushtria serbe dhe ajo malazeze kanë kryer krime të shumta mbi popullsinë civile. Leo Frojndlih në librin e vet përmend një numër të konsiderueshëm raportesh të botuara në shtyp që flasin për vrasjet masive të popullsisë shqiptare, për shkatërrimet e rënda të qyteteve shqiptare, për djegien e fshatrave, për plaçkitjen e shtëpive, për therjen e anëtarëve të familjeve, për përdhunimin e grave dhe të vajzave të mitura si dhe për mizoritë ndaj popullsisë civile. Frojndlih thotë se me rastin e bastisjes së shtëpive, shtëpiakët shqiptarë janë therur madje edhe atëherë kur në shtëpitë e tyre nuk janë gjetur armë. Ai shton se robërit shqiptarë kanë qenë të detyruar të marshojnë qindra kilometra në këmbë. Ndonjërin prej tyre, të rraskapitur nga lodhja, s’e kanë mbajtur këmbët. Atij ia kanë ngulur bajonetat dhe e kanë lënë rreth rruge që të kalbet. Për vrasjen e një ushtari serb, sipas pohimeve të publicistit vjenez, janë kryer hakmarrje mbi popullsinë civile. Në shumë rajone shqiptare, pushtuesit serbë kanë ndërtuar pajisje për varjen e njerëzve.

Publicisti vjenez Leo Frojndlih (Leo Freundlich) raportet për krimet e luftës të kryera nga ushtria serbe ndaj shqiptarëve i mori nga shtypi evropian. Ato i përfshiu në librin “Golgota shqiptare”. Ai thotë se masakrat janë kryer njëra pas tjetrës, sapo ushtria serbe e ka kaluar kufirin dhe i ka pushtuar territoret e banuara me shqiptarë. Ai shton se ushtria serbe dhe  njësitet  çetnike, në rajonet e pushtuara kanë kryer krime ndaj shqiptarëve katolikë dhe myslimanë.   

  Gazeta The New York Times e datës 31 dhjetor 1912 i publikon të dhënat e raporteve austro-hungareze ku thuhet se këto „mizori të tmerrshme janë rezultat i një politike të paramenduar për shfarosjen e shqiptarëve“. 

Leo Frojndlih thotë në librin e tij se gazeta L’Humanité e Parisit e ka publikuar raportin zyrtar të konsullit francez nga Selaniku në të cilin veprimet serbe në Shqipëri përshkruhen si plaçkitje, shfarosje dhe masakra. 

Sipas Frojndlih, raportuesi i luftës i gazetës daneze Riget, Fric Magnusen (Fritz Magnussen, 1878-1920) njofton: “Veprimet e ushtrisë serbe në Maqedoni kanë marrë karakterin e shfarosjes së popullsisë shqiptare”. 

Korrespondenti i luftës prej Ballkani, më vonë udhëheqës i njohur i Armatës së kuqe, Leon Trocki (Lev Davidoviç Bronshtajn, Trotsky; Bereslavka, Ukrainë, 1879 – Meksiko Siti, 1940), në gazetën ruse Luç, në janar të viti 1913 shkruan: “Serbët në Serbinë e Vjetër, për t’i përmirësuar të dhënat statistikore etnike që nuk janë në favor të tyre, gjatë ekspeditës shtetërore që kanë ndërmarrë, po e shfarosin popullsinë shqiptare nëpër fshatra, qytete dhe rrethe të tëra”.

Shënim: Trocki u vra me urdhrin e Josip Stalinit (1879-1953) nga komunisti spanjoll, agjent i NKVD-së sovjetike, Ramón Merkader (Barcelonë, 1913 – Havanë, 1978). Merkaderi e goditi Trockin me kazmë. Gjykata meksikane e dënoi me 20 vjet heqje lirie. U lirua më 6 maj 1960. Pasi e vuajti dënimin në Meksikë, u vendos në Kubë.       

*   *   *

      Opozitari serb Kosta Novakoviq i cili ka qenë pjesëtar i korpusit serb që ndërmori ekspeditë në Shqipëri, thotë: „Gjatë pushtimit, qeveria imperialiste serbe ç’ka nuk u bëri shqiptarëve“. Novakoviqi thotë: „Shfarosja e shqiptarëve të Kosovës është kryer me qëllim që ajo të kolonizohet me serbë, përkatësisht të kryhet serbizimi i saj”. 

Dimitrije Tucoviqi ia ka bërë me dije opinionit serb: “Është kryer tentim vrasjeje me paramendim ndaj një kombi të tërë. Kemi të bëjmë me vepër kriminale. Për këtë duhet mbajtur përgjegjësi”. 

        Në muajt e parë të pushtimit serb, në një pjesë të Vilajetit të Kosovës  ushtria serbe dhe njësitet çetnike kanë vrarë rreth 25.000 shqiptarë. Kosta Novakoviqi (1886-1938) thotë: “Në vitet 1912- 1913 në të gjitha territoret shqiptare nën kontrollin serb, ushtria serbe ka vrarë rreth 120.000 shqiptarë të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave”. Disa studiues të mëvonshëm të dhënën e Novakoviqit për numrin e të vrarë, e kanë kontestuar.  

Sipas njoftimeve të shtypit të huaj të viteve 1912-1913, ushtria serbe ka kryer krime në shumë fshatra dhe qytete shqiptare. 

Filed Under: Rajon

ALTERNATIVA E LUBJANËS DHE EUROPIANIZIMI I ÇËSHTJES SHQIPTARE

September 13, 2023 by s p

Prof.Begzad Baliu/

Ditë më parë Profesori, Martin Berisha, e ka bërë të njohur mundësinë e shkarkimit elektronik të revistës shkencore dhe kulturore të shoqatës “Migjeni” në Lubjanë “Alternativa”. Më gëzoi ky lajm dhe disa ditë më vonë i shkarkova të gjitha.

Numrin e parë të saj e kam blerë ilegalisht në kioskën që ishte në hyrje të korzës në Prishtinë, mbështjellë me një fletë gazete të “Rilindjes”, ndërsa të fundit, numrin vjetor të vitit 1990 në kioskën para xhamisë në Gjilan. Në bibliotekë kam edhe numra të tjerë, por nuk e dija se “Alternativa” paska dalë edhe viteve të fundit.

Sot i lexova gjithë ditën, sa njërin sa tjetrin, sa një artikull politik sa një tjetër kulturor. Artikujt shkencor i nxora në letër dhe i ndava për ditë më të mira. I lexova, në të vërtetë, i rilexova shumë tekste të Profesor Qosjes, Adem Demaçit, Ukshin Hotit, Martin Berishajt, Salih Kabashit, Bislim Elshanit, Emin Azemit, Halil Matoshit, Nikollë Berishës etj. Më bënë përshtypje sidomos politikanët dhe intelektualët sllovenë e kroatë, si Jasha Zlobec, Vladimir Sheks, Matjazh Hanzhek etj.

I lexova në mënyrë të veçantë artikujt e viteve të vona, kur nuk e dija se revista paska dalë më tej. E revista paska vazhduar të dalë edhe më tutje, por jo me konceptin e atyre politikave kur bëhej beteja e madhe për çlirimin e vendit nga prangat jugosllave, po me koncepte akademike të ngritjes shkencore të saj, me artikuj të zgjedhur në shërbim të shtetndërtimit të Kosovës dhe demokratizimit të shoqërisë shqiptare.

I lexoj artikujt publicistikë, politikë, letrarë, kulturorë, shkencorë e atdhetarë dhe ndalem e mendoj për rolin e saj në kapërcyell të shekullit XX. Rolin e saj, rolin e drejtuesve të saj dhe rolin e pjesëmarrësve në krijimin e frymës së saj. Dhe ndalem e mendoj e i krahasoj ata me përvojën e etërve tanë 100 vjet më parë në fund të shekullit XIX. Një përvojë pothuajse identike e një Rilindjeje, prej së cilës ky brez ka mësuar dhe është frymëzuar shumë.

Lexoj dhe ndalem e mendoj! Mirë, këtu mund të gjesh etërit e ri të Rilindjes Kombëtare, po pas tyre sot na mungojnë etërit e shtetndërtimit, të cilët në fillim të shekullit XX, pra pas Shpalljes së Pavarësisë, shtetin dhe kombin shqiptar e ndërtuan mbështetur në shtyllën e parë: gjuhën dhe arsimin.

Lexoj “Alternativën” dhe shoh se këtu në Kosovë, në pushtetin e Kosovës, nuk mungojnë ata që mungonin atje, në Lubjanë!

Dhe e kuptoj, pse “pushteti” mbahej edhe nën terrorin serb!

Dhe e kuptoj pse betejat për pushtet gjatë dy dekadave pas luftës së Kosovës ishin kaq të paparimshme!

Dhe e kuptoj pse Kosovës edhe më tej i duhet një Përlindje atdhetare e brezit të “Alternativës”.

Faleminderit, Profesor Martin!

Pa përpjekjet e shoqatës “Migjeni” dhe kontributit të revistës “Alternativa” nuk mund të shkruhet historia e re shqiptare përgjithësisht. Ato janë një prej referencave më të rëndësishme të europianizimit të çështjes shqiptare.

May be an image of 1 person and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT