• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QASJA E GABUAR E PERËNDIMIT NDAJ SERBISË

March 10, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, Perëndimi ka pasur ndaj Serbisë një qasje të gabuar. Fuqitë e Mëdha perëndimore shpesh e zbatojnë politikën e kulaçit dhe e kërbaçit apo e shkopit dhe e karotës. Por në rastin e qëndrimit hegjemonist dhe ekspansionist të Serbisë ndaj Kosovës, kjo nuk ndodhi. Fuqitë perëndimore, jo vetën që nuk ndoqën ndaj Serbisë politikë të kulaçit dhe të kërbaçit, por edhe e ledhatuan atë, e përkëdhelën. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, Fuqitë perëndimore investuan në Serbi miliarda euro dhe dollarë. Në ndërmarrjet perëndimore të ngritura në Serbi, u punësuan mbi njëqind mijë serbë. Serbia, në një anë mbështetej nga Rusia e Putunit, nga Kina dhe nga vende të tjera, ndërsa në anën tjetër ajo mbështetej ekonomikisht edhe nga Fuqitë perëndimore, d.m.th. nga Gjermania, nga ShBA-ja, nga Franca, nga Austria etj. Nga Moska dhe Pekini, Serbia mbështetej politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, ndërsa nga Perëndimi – ekonomikisht. Sot kemi një situatë kur ajo mbështetet nga perëndimorët, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, për të mos thënë edhe ushtarakisht. Qëndrimi i ShBA-së ndaj Serbisë ka pësuar një salto mortale, një kthesë të pabesueshme. * * * Agresionin rus ndaj Ukrainës, shqiptarët e dënuan në shkallë kombi. Pushtimin rus të Ukrainës, Kosova e dënoi në mënyrë të prerë, duke i vënë Moskës edhe sanksione. Por plani franko-gjerman, i mbështetur nga Uashingtoni, dëshmon se qëndrimi i Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë, nuk u vlerësua fare. Madje, Uashingtoni, Parisi dhe Berlini mbajnë anën e Beogradit, ndonëse serbët ishin dhe mbeten të vetmit në Evropë që nuk i vënë sanksione Rusisë. Çfarë paradoksi?! Kjo politikë joparimore e Fuqive perëndimore e befasoi tërë kombin shqiptar. Për të treguar se janë me shqiptarët, perëndimorët e afirmojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Por plani franko-gjerman tregon se perëndimorët nuk qenkëshin me Kosovën. Shqiptarëve nuk u duhet afirmimi i Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, në një kohë kur perëndimorët, me themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, cenojnë tërësinë tokësore të kombit shqiptar. E ashtuquajtura bashkësi e komunave me shumicë serbe apo zajednica, nuk është asgjë tjetër pos dodik republikë, asgjë tjetër pos shtet brenda shtetit. Sapo të themelohet dodik republika, serbët do ta formojnë edhe ushtrinë e këtij shteti brenda shteti. Sakaq, do të shkaktojnë edhe pretekste për ta shkëputur nga Kosova dhe për t’ia bashkëngjitur Serbisë. Para ndodhive të tilla Uashingtoni, Parisi dhe Berlini do t’i mbyllin sytë. Asociacioni, zajednica, dodik republika, d.m.th. shteti brenda shtetit, do të jetë përmbi Kosovën, do të jetë më i favorizuar se Kosova vetë. Shteti brenda shtetit do t’i parandalojë edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, do t’i pengojë kontaktet dhe marrëveshjet. Sot në veri ndodhet përmendorja e princit mesjetar serb, “car” Llazarit (Lazar Hrebеljanović / Лазар Хребељановић, 1329-1389). Nesër do të ngrihet edhe ajo e Sllobodan Millosheviqit, e Vojisllav Sheshelit. dhe e dishepullit të tyre – Aleksandar Vuçiqit. Angazhimi i ShBA-së për themelimin e zajednicës, e dodik republikës, d.m.th. e shtetit brenda shtetit dëshmon se për Uashingtonin Serbia paraqitka interes më të madh seç paraqitkan shqiptarët, d.m.th. interesi amerikan në Serbi qenkësh më i madh se te shqiptarët. * * * Qëkur u çlirua nga Kosova nga pushtuesit serbë në vitin 1999 e këndej, s’ka dyshim se e ashtuquajtura klasë politike shqiptare, ka bërë gabime. Gabime ka bërë edhe inteligjencia shqiptare. Ndryshe, zajednica, dodik republika apo shteti brenda shtetit nuk do të ishte në rend dite. Për gabime të këtij lloji paguhet çmim historik. Në anën tjetër, politika dhe diplomacia serbe s’ka reshtur së punuari dhe së vepruari nëpër kancelaritë evropiane dhe në Uashington për t’i bërë për vete perëndimorët dhe për t’i denigruar dhe për t’i paraqitur shqiptarët si popull joperëndimor apo pseudo-perëndimor. * * * Gjithmonë kur Kosova vihet në krye të agjendës së Brukselit, në Tiranë shpërthejnë zënkat ndërpartiake. Nga kjo rezulton se shqiptarët nuk kanë të përkufizuar një kauzë kombëtare. Kauzat personale në Shqipëri të politikanëve të harxhuar, kanë dalë përmbi kauzat kombëtare. Kauzat personale të politikanëve të lodhur apo të politikanëve që ndodhen matanë interesit kombëtar, u shiten shqiptarëve si kauza kombëtare. * * *Aty ku e la Millosheviqi politikën serbomadhe, mu aty e vazhdoi po atë ideologji dhe politikë, pasardhësi i tij i devotshëm – Vuçiqi. Që atëherë, Serbia, në vend që të përjetonte katarzë dhe të merrte rrugën e demokratizimit, ajo u ndal dhe mbeti aty ku ishte, në vitet ’90 të shekullit XX. Që atëherë, ora e Vuçiqit ka punuar dhe vazhdon të punojë me atë të kohës së kasapit të Ballkanit. Zjarrvënësin e gadishullit, perëndimorët e ndëshkuan, ndërkaq birin shpirtëror të Sheshelit, e mbështesin me të madhe. Ç’farë paradoksi?! Paradoks, por jo si ai i filozofit grek Diogjenit (Diogjeni, nga Sinopa, rreth viti 400 deri në vitin 323 para K.).Uashingtoni, Berlini dhe Parisi mbështesin politikën klerofashiste të Serbisë. Kjo s’i bën nder Perëndimit. Ka parime në politikën e perëndimorëve apo ka interesa politikë?! Një politikë që bazohet në interesa politikë dhe jo në parime, është në kundërshti me vlerat evropiane dhe me demokracinë perëndimore.Sot në Serbi, mu si në kohën e Millosheviqit, mbizotëron një qeverisje jodemokratike dhe antihistorike, totalitare dhe tiranike, despotike, autoritare dhe autokratike, bolshevike dhe proruse, retrograde, anakronike dhe mesjetare. Si është e mundur që një politikë të tillë ta mbështesin dhe ta shpërblejnë perëndimorët?! Në vend që ta dënojnë dhe ta ndëshkojnë. Në rrethana të tilla, në shoqërinë serbe, lidhur me realitetin e ri në rajon, përfshi dhe Kosovën, nuk ka hapësirë për lindjen dhe përhapjen e ideve racionale. Shoqëria serbe vazhdon të notojë në ujërat e turbullta të radikalizmit dhe të obskurantizmit mesjetar. Sot, mbase edhe Vuçiqi është duke e parë se gjithë ky iracionalizëm po bëhet pengesë për një transformim demokratik të Serbisë. Në dy dekadat e fundit, në krye të politikës, të bazuar në mite mesjetare, ka qëndruar pikërisht ai. Ky është peng, edhe i Putinit, edhe i vetvetes. Plani franko-gjerman bie ndesh: – me pakon e Ahtisarit, pako kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;- me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë; pavarësi kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;- me parimet e BE-së për pacenueshmërinë e kufijve;- me vlerat dhe parimet demokratike të BE-së.- me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë*;Shënim: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasditen e datës 22 korrik 2010 bëri të ditur se “shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Njoftimin e bëri publik kryetari i GjND-së, juristi dhe diplomati japonez i shkolluar në Kembrixh, Hisashi Ovada (Hisashi Owada, 1932- ). * * * Për çfarë dialogu mund të flitet?! Nuk mund të investosh në Serbi dhjetëra miliardë euro apo dollarë dhe të kërkosh prej saj të bëjë dialog. Ledhatoje, përkëdhele dhe favorizoje Serbinë, e pastaj kërkoji asaj dialog. Një kërkesë e tillë s’ka sesi të mos jetë sterile, shterpe. Serbia do ta njihte realitetin e ri në Kosovë dhe në rajon, vetëm kur Fuqitë perëndimore – Uashingtoni, Berlini dhe Parisi do ta izolonin atë. Këta e kanë bërë të kundërtën. Izolimi apo veçimi i Serbisë nuk është vetëm interes i shqiptarëve, i Kosovës. Është interes i rajonit, i Evropës dhe i mbarë Perëndimit. Politika e Beogradit, qëkur u shpërbë amalgama jugosllave, paraqet gangrenë për rajonin. Ajo politikë, e bazuar në një ideologji mesjetare, më vonë edhe garashaniniste, nëpërkëmb tërë sistemin perëndimor të vlerave. Me të mbështetur Serbinë sot, vetë perëndimorët i shkelin vlerat dhe parimet e veta. * * * Asociacion, bashkësi komunash, zajednicë, dodik republikë, shtet brenda shtetit! Po atëherë përse u bë lufta?! Përse u vranë mijëra njerëz, fëmijë, gra dhe pleq. Sa për asociacion, zajednicë, bashkësi komunash serbe, dodik republikë dhe shtet brenda shtetit s’ka pasur nevojë për luftë. Pas themelimit të asociacionit, bashkësisë së komunave serbe, zajednicës, dodik republikës, përkatësisht shtetit brenda shtetit a thua do të ketë politikan dhe intelektual shqiptar që do të shkojë për të bërë homazh te varri i komandantit legjendar Adem Jasharit?! Një politikan i Kosovës, dikur ushtarak i lartë i luftës çlirimtare, e ka përdorur më herët shprehjen “dodik republikë”. Sot i njëjti e mbështet kërkesën e perëndimorëve për themelimin e bashkësisë së komunave serbe. Çfarë kthese absurde?! Asociacioni, bashkësia e komunave serbe, zajednica, dodik republika s’janë tjetër pos krijimin në Kosovë të shtetit brenda shtetit. Krijim ky që do të jetë shumë më e favorizuar dhe më e privilegjuar se Kosova vetë. Krijim ky që shumë shpejt do të shkëputet nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Dhe s’do të ketë kush që do ta ndalë. Atëherë s’do të jenë as emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar (Escobar) me shuttle diplomacy-në e tij, as ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ). * * * Duket sikur rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës nuk do ta bëjnë demokratët amerikanë. Ata e filluan në vitin 1999 me presidentin Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) dhe duket sikur thonë: “Prej nesh, kaq!” Me fjalë të tjera, një qëndrim më të prerë ndaj Serbisë, duhet të manifestojnë republikanët. Por bota e di se politika strategjike amerikane është një. Ajo nuk ndryshon as me ndërrimin e administratave. Kush janë interes strategjik i amerikanëve: shqiptarët proamerikanë apo serbët prorusë dhe prokinezë?! * * * Për çfarë dialogu ngulin këmbë Uashingtoni, Berlini dhe Parisi, kur Vuçiqi deklaron: “Sa të jem unë kryetar i Serbisë, kurrë s’kam për ta njohur pavarësinë e Kosovës”; kur ai thotë se Serbia do ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Serbia s’e ka të drejtën e vetos, por e kanë miqtë e tyre – rusët. * * *Asociacion, bashkësi komunash serbe, zajednicë, dodik republikë apo shtet brenda shteti. Edhe po të bëhet kjo, Kosova do të vazhdojë të mbetet në Kushtetutën e Serbisë, pjesë e saj, të vazhdojë të quhet Kosovë dhe Metohi. Kur ta marrin detyrën deputetët apo funksionarët e Serbisë, do të betohen se do ta mbrojnë tërësinë territoriale të saj. Kosova do të vazhdojë të konsiderohet “tokë e shenjtë serbe”, “djep i Serbisë”, “Jerusalem serb”, “Serbi e Vjetër”. Uashington, Berlin dhe Paris, mos i krijoni mundësi klerit fashist të Kishës Ortodokse Serbe që bashkë me Vuçiqin ta sjellin legalisht Rusinë në asociacionin, në zajednicën apo në dodik republikën që mëtoni ta krijoni ju! * * *Në vend që ta kushtëzojnë dhe ta shantazhojnë Serbinë, perëndimorët e kushtëzojnë Kosovën. E pabesueshme! Flijohet viktima në dobi të agresorit serbo-çetnik që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për liberalizimin e vizave, Kosova duhej të priste vite e vite. Po qe liberalizimi i vizave për Kosovën bëhet si kompensim apo si shpërblim për ta nënshkruar themelimin e shtetit brenda shtetit, kurrë mos u liberalizofshin ato. Ku është parë në histori: “Unë ty territor, ti mua viza”. Territor për viza! Një absurditet si ky s’e gjen dot as te teatri absurd apo në antidramat e dramaturgut, romancierit dhe poetit irlandez Semjuel Bek (Samuel Barclay Beckett, 1906-1989), aty ku Estragoni pret pafundësisht Godonë, i cili s’dihet në do të vijë ndonjëherë. * * * Kosova është digë e shqiptarisë përballë synimeve ekspansioniste të hordhive të egra barbare sllavo-bizantine. Xhelal ZejneliPhoto: BBC

Filed Under: Rajon Tagged With: Xhelal Zejneli

Çfarë thotë dokumenti i Ahtisaarit për asociacionet e komunave të Kosovës dhe per bashkëpunimin e komunave me Serbinë?

March 7, 2023 by s p

Sylë Ukshini/

Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës (Dokumenti i Ahtisarit)ANEKSI III DECENTRALIZIMIDo të themelohet një sistem i avancuar dhe i qëndrueshëm i vetëqeverisjes lokale në Kosovë për trajtimin e shqetësimeve legjitime të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera që nuk përbëjnë shumicë në Kosovë dhe pjesëtarëve të tyre, për të inkurajuar dhe siguruar pjesëmarrje aktive në jetën publike dhe për të fuqizuar qeverisjen e mirë dhe efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve publike anembanë Kosovës, në pajtim me parimet dhe dispozitat në vijim:Neni 9 Bashkëpunimi ndërkomunal 9.1 Duke u bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë dhe të krijojnë partneritete me komunat tjera të Kosovës, për kryerjen e funksioneve me interes të përbashkët, në pajtim me ligjin.9.1.1 Përgjegjësitë komunale në fushat e tyre vetjake dhe kompetencat e tyre të zgjeruara vetjake mund të ushtrohen përmes partneriteteve komunale me përjashtim të ushtrimit të kompetencave themelore komunale siç janë zgjedhja e organeve komunale dhe emërimi i zyrtarëve komunalë, përcaktimi i buxhetit komunal dhe miratimi i akteve rregullative të zbatueshme ndaj qytetarëve në përgjithësi.9.1.2 Partneritetet komunale mund t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për implementimin dhe ushtrimin e bashkëpunimit funksional, mes tjerash, përmes themelimit të një organi vendimmarrës të përbërë nga përfaqësuesit e emëruar nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse, punësimit dhe shkarkimit të personelit administrativ dhe këshillëdhënës dhe vendimeve mbi nevojat për financim dhe nevojave tjera operacionale të partneritetit.9.1.3 Vendimet dhe aktivitetet e partneritetit do t’i nënshtrohen kërkesave të raportimit tek autoriteti kompetent qendror dhe shqyrtimit administrativ për pajtueshmëri me legjislacionin, në pajtim me dispozitat e nenit 6.1 të këtij Aneksi.9.2 Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, në pajtueshmëri me ligjin.9.2.1 Anëtarësimi në asociacionet e tilla do të kufizohet në komuna të Kosovës. Asociacionet e tilla mund të bashkëpunojnë me homologët e tyre ndërkombëtarë.9.2.2 Asociacionet e tilla mund t’u ofrojnë anëtarëve të tyre disa shërbime, duke përfshirë trajnime, ngritje të kapaciteteve, ndihmë teknike, hulumtim lidhur me kompetencat komunale dhe rekomandime të politikave.9.3 Komunat e angazhuara në një partneritet apo asociacion, në përputhje me dispozitat e neneve 9.1 dhe 9.2 të këtij Aneksi, do të publikojnë të gjitha informatat që kanë të bëjnë me aktivitetet dhe buxhetin e partneritetit / asociacionit, në pajtim me ligjin.Neni 10 Bashkëpunimi me institucionet në Republikën e Serbisë10.1 Komunat do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë, brenda kompetencave të tyre, me komunat dhe institucionet, përfshirë agjencitë qeveritare të Republikës së Serbisë. Bashkëpunimi i tillë do të merr formën e ofrimit të ndihmës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë, duke përfshirë edhe ndihmën me ekspertë profesionistë dhe pajisje, në implementimin e kompetencave komunale.10.2 Komunat paraprakisht do të njoftojnë Ministrinë për Administrimin e Pushtetit Lokal të Kosovës për çfarëdo qëllimi për t’u angazhuar në një bashkëpunim të tillë. Njoftimi do të përfshijë projektmarrëveshjen ndërmjet komunës dhe institucionit të propozuar partner të Serbisë.10.3 Projektmarrëveshja e bashkëpunimit do të përcaktojë fushat e bashkëpunimit të paraparë, ofrimin e ekspertëve dhe pajisjeve, nivelin e financimit dhe mekanizmat e vet përpunues dhe rregullimet tjera relevante procedurale, në pajtim me kërkesat e menaxhimit të financave publike që janë të zbatueshme për të gjitha komunat.10.4 Qëllimi i tillë për të bashkëpunuar dhe projetkmarrëveshja e cila e shoqëron atë mund t’i nënshtrohen shqyrtimit nga Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal të Kosovës për pajtueshmërinë e saj me legjislacionin qendror kornizë. Pavarësisht nga dispozitat e nenit 6.1 të këtij Aneksi, Ministria në përputhje me shqyrtimin e tillë mund të urdhërojë ndryshimet në projektmarrëveshjen e bashkëpunimit apo nëse shkelja e rëndë e ligjit nuk mund të trajtohet me mjete juridike ndryshe, Ministria mund të pezullojë bashkëpunimin e synuar. Komuna mund të kundërshtojë veprimin e tillë të Ministrisë në gjykatën e qarkut kompetente për territorin e komunës.10.5 Partneritetet ndërmjet komunave të Kosovës do të kenë të drejtë për marrëdhënie të drejtpërdrejta me institucionet e Republikës së Serbisë vetëm deri në masën e nevojshme për zbatimin praktik të aktiviteteve të partneritetit.10.6 Do të themelohet një komision i përbashkët i Republikës së Serbisë / Kosovës për të nxitur bashkëpunimin e tillë me institucionet në Republikën e Serbisë dhe për të trajtuar çështjet posaçërisht të ndjeshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që kanë të bëjnë me këtë bashkëpunim.Neni 11 Financimi i aktiviteteve komunale nga Republika e Serbisë11.1 Komunat do të kenë të drejtë të pranojnë ndihma financiare nga Republika e Serbisë që i nënshtrohen dispozitave në vijim:11.1.1 Çdo ndihmë financiare për komunat e Kosovës nga Republika e Serbisë do të jetë e kufizuar në qëllimin e vet për ushtrimin e përgjegjësive të komunës në fushat e kompetencave të saja vetjake, do të jetë transparent dhe do të publikohet.11.1.2 Komunat mund të pranojnë ndihma financiare nga Republika e Serbisë nëpërmjet xhirollogarive në bankat komerciale të certifikuara nga Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës. Thesari Qendror do të njoftohet për çdo pranim të tillë.11.1.3 Komunat që pranojnë ndihma financiare nga Republika e Serbisë do t’i raportojnë këto ndihma së bashku me shpenzimet gjegjëse në buxhetet e tyre komunale.11.1.4 Ndihmat financiare nga Republika e Serbisë për komunat e Kosovës nuk do të kompensojnë dhe zvogëlojnë ndarjen e granteve dhe burimeve të tjera që u ofrohen komunave në pajtim me nenet 8.3 dhe 8.4 të kësaj zgjidhjeje dhe nuk do t’u nënshtrohen tatimeve, tarifave dhe ngarkesave të asnjë lloji të shqiptuara nga ndonjë autoritet qendror.11.2 Transferet individuale, përfshirë pensionet e qytetarëve individualë të Kosovës mund realizohen nëpërmjet financimit nga Republika e Serbisë.file:///C:/Users/syle.ukshini/Downloads/1DC6B184D02567D1852572AA00716AF7-Full_Report.pdf

Filed Under: Rajon

Vatra përherë pranë vlerave kombetare

March 6, 2023 by s p

Dr. Pashko R. Camaj/

Edhe para katër viteve, pata fatin të jam pranë Forumit Shqiptar, i cili aso here u zotua me premtimin se do të punojë në ringjalljen e Malësisë, e falë besimit, punës e përkushtimit 4-vjeçarë, votuesit e vendit u besuan dhe një mandat të ri. Diaspora jonë edhe kësaj here, si dhe para katër viteve, iu përgjigj, me një numër ma të madh, se ndonjeherë më parë, ftesës së Forumit Shqiptar, duke e mbeshtetur, por jo vetem me votat e tyre, që numëroshin me qindra, por edhe me vet prezencën. Pra, përkrahje e tyre ishte ma e madhe se vetem një votë, sepse ndezi zemrat dhe ngriti vullnetin e votuesit vendas. Angazhimet e Diasporës malësore kanë dhënë shembull në çdo cep të shqiptarisë, se si punohet për të mirën tonë kombëtare dhe se si duhet Vendlindja. Si përfaqësues i Federatës Vatra, ishte kënaqësi të isha pjesë aktive në të gjitha takimet dhe manifestimet gjatë këtij procesi demokratik, ku përveç tjerash kisha edhe disa intervista me media të ndryshme lokale, por dhe ato në Shqipëri e Kosovë.Si përfaqësues i Federatës Vatra, zhvillova dhe një takim me përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-se në Malin e Zi, ku përveç bisedës rreth zgjedhjeve këtu në Tuz, folëm për gjendjen rajonale si edhe për zgjedhjet presidenciale në këtë shtet, të cilat mund të kenë ndikim dhe interes jo vetem për Malin e Zi, por dhe për rajonin. Po ashtu diskutuam edhe për angazhimet e Fedratës Vatra që vazhdon punën a vet të shkëlqyer, si faktor urëlidhes në proceset demokratike në interes të shqiptarëve në Ballkan.

Filed Under: Rajon

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e rreshtimit të FSK-së në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

March 5, 2023 by s p

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Glauk Konjufca,
Të nderuar nënkryetarë të Kuvendit të Republikës, znj.Saranda Bogujevci,
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e deputetë,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
I nderuari baca Rifat, Rifat Jashari,
Shkëlqesi ambasadorë e përfaqësues diplomatikë të vendeve mike,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare,
Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuar partner të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Zonja dhe zotërinj,

Që nga marsi i vitit 1999, teksa ende ishte kohë lufte, kur Trupa Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” e përbërë nga aktorë dhe ushtarë, që me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënuan njëvjetorin e rezistencës së familjes Jashari, ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz. Atëbotë, përvjetori i parë i këtyre ngjarjeve ishte shënuar me moton “Ai është gjallë”, përpara se sërish të vinte marsi, e kjo ceremoni të bëhej e përvitshme dhe të shënohej me emrin Epopeja e UÇK-së, kështu siç e quajmë edhe sot.

Në këtë 25-vjetor të Epopesë së UÇK-së, le të kujtojmë fillet e kësaj tradite përkujtimore, të nisur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1999, kur ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë: “Ai është gjallë”. Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë” edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ai është gjallë” edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht te ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Është kështu sepse origjina e ushtrisë së Kosovës, duhet kërkuar në fund të viteve ‘80-të, atëherë kur Ademi nisi të fliste me shokët për nevojën që kishte Kosova për të patur ushtri. Andaj sot, ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me armatime moderne dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate.

Ashtu sikur më 1991, Adem Jashari ishte stërvitur nga oficerët e Ushtrisë së Shqipërisë, bashkë me rreth 100 vullnetarë të tjerë, mes të cilëve edhe ai që mund të quhet krahu tjetër i shqiponjës dykrerëshe, që UÇK-ja do ta mbante në kokë dhe në krah, Zahir Pajaziti.

Pas këtyre stërvitjesh, Ademi, Hamza dhe shumë shokë të tjerë, të përbashkuar rreth idesë së luftës për çlirimin e Kosovës, do të krijonin grupet e para të armatosura, që më pas do të përbënin qelizat bërthamë prej të cilave do të ngjizej dhe lindte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ishte viti 1993, kur vëllai më i madh i tyre, Baci Rifat Jashari që punonte në Gjermani, do t’u dërgonte nga atje Hamzës dhe Ademit uniforma ushtarake. Janë ato uniforma me të cilat i kemi parë të veshur Ademin dhe Hamzën nëpër fotografitë dhe video-incizimet e asaj kohe. Edhe simbolikisht, ato mund të quhen uniformat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai që i kishte blerë ato uniforma ushtarake më 1993, duke e bërë kështu investimin më të madh dhe më të çmuar për Kosovën, Baci Rifat Jashari, sot është mes nesh, përballë mijëra uniformave që mbajnë të veshura ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për më tepër që e tëra kjo po ndodhë në këtë ceremoni përkujtimore të 25-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, në kazermën qendrore të Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mban emrin Kazerma “Adem Jashari”. Prandaj, ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e veshni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, Kryekomandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ashtu siç keni bërë sot, kur jeni përgatitur nën këtë uniformë nëpër kuadrate, për t’u rreshtuar para komandantit tuaj, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, nipit të Komandantit Adem Jashari. Luftëtar i mbijetuar nga luftimet në Prekaz më 1998, ku ai kishte rezistuar bashkë me Ademin, Hamzën, Shabanin dhe të tjerët përballë mijëra policëve serbë dhe prej nga kishte arritur të dilte i gjallë, Gjeneral Bashkim Jashari, nuk është vetëm komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe zgjatim dhe prani e drejtpërdrejtë e asaj historie të lavdishme luftëtarësh çlirimtarë, si dhe e asaj fryme vlerash kombëtare të përmbledhura te jeta dhe figura e Adem Jasharit.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, aty ku ndër breza kishin mësuar ta donin atdheun dhe ku ishin edukuar të luftonin për lirinë e tij edhe me jetë. Në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, u luftua për tre ditë rresht, nën një rrethim të blinduar nga disa mijëra trupa policore të Serbisë, që me makineri ushtarake në përmasa frontale, qëlluan me predha dhe bombarduan në ritme shumë intensive mbi shtëpitë e Shabanit, duke vrarë gjithsej 59 njerëz.

Serbia fashiste e Millosheviqit, kishte menduar atë kohë gabimisht që duke vrarë Ademin dhe Hamzën, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës. Por duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur, me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e Aleancës së NATO-s dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që u përfshinë më pas në luftë për të dhënë bashkë goditjet përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në qershor të vitit 1999.

Ishte pikërisht kjo luftë, ajo që jo vetëm na çliroi nga pushtuesi e okupatori dhe më pas na e solli shtetin e Republikën, por edhe ajo që na krijoi hapësirë për të jetuar në liri dhe na e hapi rrugën për të ndërtuar institucione demokratike dhe të qëndrueshme. Kështu, nga një popull i shtypur dhe nga një vend i pushtuar në shekullin e kaluar, në këtë shekull jemi bërë një shoqëri moderne që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe që ka ndërtuar një shtet demokratik, që çdo ditë shkon duke u bërë më i fortë dhe më përparimtar.

I aftë për të mbrojtur qytetarët e vet dhe i përkushtuar për të krijuar mundësi të barabarta për secilin, shteti i Kosovës është jetësim institucional i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri. Teksa merr pjesë edhe nëpër stërvitje të përbashkëta ushtarake me partnerët tanë strategjikë, gjersa përfshihet në operacione ndërkombëtare të ruajtjes së paqes, përderisa shtojmë pajisjet, aftësitë dhe buxhetin, Forca e Sigurisë së Kosovës, është realiteti ynë që po aktualizon vizionin e Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës.
Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi të gjithë të rënëve më 5, 6 dhe 7 mars 1998 si dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës!

Filed Under: Rajon

Zgjedhjet në Malësi me rëndësi jo vetëm lokale

March 2, 2023 by s p

Në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 5 mars do të marrin pjesë 4 koalicione dhe 3 parti politike, të cilat garojnë për 32 këshilltarë në parlamentin lokal në Tuz, duke qenë zgjedhjet e dyta në komunën e pavarur, që për nga pesha që kanë nuk janë vetëm me rëndësi lokale, sepse përmes qeverisjës së suksesshme do të avancohet autonomia lokale në favor të realizimit të te drejtave qytetare e nacionale si kudo në botën demokratike.

Nail Draga/

Në votimin e të dielës me 5 mars 2023, qytetarët me të drejtë vote që sipas regjistrit janë 12.387, do të kenë mundësi të votojnë në shtatë lista zgjedhore, ku kryesoret janë dy: koalicioni “Forumi shqiptar”(ASH,LDMZ,UNSH,LDMZ) dhe “Rruga e drejtë”(DPS,UDSH,PB,SD), ndërsa dy koalicionet tjera (PD, Forca) dhe Lista për Tuzin dhe PSD, si dhe tre parti politike(SNP,SPP,DCG) do të përpiqen për të kaluar pragun elektoral, për të qenë pjesë e skenës politike lokale. Qytetarët e Malësisë të cilët kanë të drejt vote, do të dijnë të bëjnë dallimin për katër vite sepse gjatë këtij mandati Forumi Shqiptar në qeverisje lokale ka dëshmuar angazhim maksimal në arritjen e objektivave, duke marrë parasysh se ka trashëguar një strukturë të papërshtashme në shumë drejtime. Nëse e krahasojmë me kohën e shkuar kur në pushtet ishte DPS-i dallimet janë të mëdha, sepse Malësia i ngjasonte vetëm bashkësive lokale, sepse pushteti qendror ndaj kësaj krahine kishte qasje injoruese, që dëshmohet me mos investime në infrastrukturë e gjetiu, dekada me radhë. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse pushtetit i interesonin votat nga Malësia, për të udhëhequr në Podgoricë e jo investime për mirëqenien e popullsisë në këtë mjedis.Të arriturat, nuk mund të mohohenTë gjithë ata që dyshuan në pamundësinë e funksionimit të komunës së pavarur mbetën të zhgënjyer, sepse qeverisja lokale në Tuz i demantoi në çdo aspekt. E dhëna se për katër vite buxheti i komunës është rritur për 512%, duke ndryshuar infrastukrurën rrugore, hapja e fabirikave, ndërsa mbeshtetja e bujqësisë është rritur për 2.735%, në raport me vitin 2019, dëshmon arsyeshmërinë e komunës së pavarur.Po ashtu janë mbeshtetur veprimtaritë arsimore, kulturore, turistike e sportive, ku duhet veçuar KF”Deçiqi” etj. Nuk ka dilemë se gjatë veprimtarisë së pushtetit lokal janë treguar edhe dobësi të ndryshme, por ata nuk mund të eliminojnë të arriturat, që janë dëshmi dhe arsyeshmëri e ekzistimit të komunës së pavarur. Madje funksionimi i pushtetit lokal në këtë mandat ka befasuar edhe ata të cilët kanë dyshuar ne menaxhimin dhe funksionimin e komunës së pavarur. Sepse të tillët kanë qenë të mësuar të jenë në kuadër të Podgoricës, duke dëshmuar paftësi profesionale dhe servilizëm shoqëror, për të punuar për të tjerët e jo për vetën, përkatësisht Malësinë. Nuk ka dilemë se dallimet janë të dukshme dhe çdo qytetarë në Malësi e dinë se të mbeshtetja e DPS-it në të kaluarën ishte kohë e humbur, sepse ata janë shkaktarët e moszhvillimit dekada me radhë dhe emigrimit të shqiptarëve në botën e jashtme, andaj askush nuk dëshiron rikthim pas, si para vitit 2019. Dështimi i Ulqinit, mësim për MalësinëZgjedhjet lokale paraqesin rastin praktik për partitë politike në organizimin dhe manaxhimin e fushatës para dhe paszgjedhore.Në këtë aspekt para zgjedhjeve me 3 mars 2019 në Malësi, subjektët politike patën mundësi të mësojnë nga Ulqini, përkatësisht nga zgjedhjet e mbajtura aty me 4 shkurt 2018. Ndonëse shqiptarët në këtë komunë përmes tre partive nacionale politike arriten të marrin shumicën parlamentare lokale me 18 këshilltarë(Forca 8, PD 7 dhe UDSH 3), ata zhgënjyen sepse nuk arriten kompromis pas zgjedhjeve për formimin e pushtetit lokal, por ia dhuruan pushtetin DPS-it, duke zgjedhur kryetarin e komunës së Ulqinit nga ana e tyre. Ky veprim disfatist, dëshmoi se në rënd të parë ishin interesat personale e klanëve të ndryshme në lidhje me pushtetin qendror e jo parimet demokratike. Por, një dështim i tillë i partive politike shqiptare në Ulqin, ishte mësim për të njëjtat në Malësi, duke dëshmuar se të urtit mësojnë nga gabimet e të tjerëve. Pikërisht me qasje racionale, partitë shqiptare në Malësi për zgjedhjet e 3 marsit 2019, arritën koalicion parazgjedhor me emërtimin “Forumi Shqiptar”, për të votuar për vehten, se mjaft kanë votuar për të tjerët, duke dëshmuar ndërgjegje politike e kombëtare.Bashkimi siguroi fitorën Dita e votimit me 3 mars 2019 ishte ditë historike për Malësinë, sepse për herë të parë pas 62 viteve votohej për komunë të pavarur, andaj nuk ishte befasi interesimi i madh i mediave nga hapësira shqiptare dhe më gjerë, duke qenë lajmi kryesor i ditës. Këtij konstatimi duhet shtuar edhe ardhjen e diasporës shqiptare nga Malësia për të marrë pjesë në votim, të cilët i dhanë një peshë të veçantë kombëtare duke moblizuar votuesit për të dalë në zgjedhje, kryesisht mbeshtetësit e “Forumit Shqiptar”. Ishte kjo një sakrificë e tyre duke udhëtuar me mijëra kilometra, për të mbeshtetur vendlindjen dhe identitetin kombëtar në këtë kohë të krizës morale. Në regjistrin zgjedhor ishin 11904 votues, që kanë pasur mundësi të votojnë në 30 vendvotime për të zgjedhur 32 këshilltar, ndërsa në zgjedhje kanë marrë pjesë 6 lista zgjedhore, e nga to 5 parti politike(DPS,SD,SNP,BS,DCG) e 1 koalicion(Forumi Shqiptar). Sipas rezultatëve zyrtare të shpallura nga KZK i Komunës së Tuzit del së në votim kanë marrë pjesë 7824 qytetarë apo 65.7%, ndersa sipas subjekteve politike “Forumi Shqiptar”(ASH-LDSH-UDSH) fitoi 3683 vota apo 16 mandate këshilltarësh, DPS 2490 vota 10 mandate, BS 961 vota 4 mandate,SD 361 vota 1 mandat dhe DCG 235 vota dhe 1 mandat, ndërsa SNP 86 vota pa mandat.Ndonëse “Forumi Shqiptar” ishte fitues i zgjedhjeve, për të marrë shumicën parlamentare i duhej vetëm 1 mandat të këshilltarit. Nga ana tjetër humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte DPS, sepse humbi 4 këshilltar nga zgjedhjet e fundit në vitin 2017, duke kaluar në opozitë në pushtetin e ri lokal në Tuz.Një votë vendosi mandatin e këshilltarit Në zgjedhjet politike jo rrallë ndodhin momente të veçanta e kjo ka të bëjë sidomos me rastin e numërimit të votave dhe ndarjës së mandatëve. Madje nga përvoja e deritashme dihet se ka pasur jo vetëm numërime, por edhe rinumërime e madje edhe përsëritje të vendvotimeve që kanë ndikuar në rezultain definitiv të zgjedhjeve. Pikërisht, kësaj here në KZK në Tuz dy ditë pas zgjedhjeve ndodhi rinumërimi i votave, me të vetmin qellim për të vërtetuar votat për Demokratët e MZ(DCG), sepse ata ishin me mundësi reale për të humbur mandatin e këshilltarit, sepse në pyetje ishte vetëm një votë. Por, edhe pse u bë rinumërimi nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse 235 vota ishin në kufirin e 3% dhe mandati për Demokratët e MZ ishte i vulosur. Por, po të ndodhte diçka e tillë atëhërë DPS-i do të kishte një mandat me tepër, ku do të kishim një situatë aspak të përshtatshme, sepse “Forumi Shqiptar” në njëren anë do kishte 16 mandate e të gjithë të tjerët së bashku me DPS-in do kishin 16 mandate, që do të ishte moment i veçantë dhe i diskutueshëm për formimin e pushtetit lokal në Tuz. Malësia të udhëheqet nga malësorëtRaste të tilla ndodhin por shumë rrallë, andaj në zgjedhjet e 5 marsit jemi të bindur se subjektët politike pjesëmarrëse kanë një përvojë me shumë dhe do të bëjnë llogaritë elektorale. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse përvoja e kaluar duhet të jetë mësim për të tashmën dhe të ardhmën. Malësia duhet të udhëhiqet nga malësorët, sepse janë në shtëpinë dhe në tokën e tyre, ndërsa mbeshtetja e diasporës në këto zgjedhje është obligim jo vetëm moral ndaj tyre. Pas zgjedhjeve me emrin MalësiaDhe në fund uroj që parlamenti lokal i përbërjës së re, të inicojë propozimin dhe të marrë vendimin që komuna të quhet me emrin Malësia, qe është vlerë autentike kombëtare dhe e pranueshme për të gjithë qytetarët e saj. Do të ishte ky testi i parë demokratik në nivel lokal dhe qendror, duke dëshmuar kapacitet demokratik sipas standardëve ndërkombëtare.(Mars 2023)

Filed Under: Rajon Tagged With: Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT