Njeriu fisnik, atdhetar i flaktë dhe mësues i shquar.
Përgatititi: Koço MOSKO
Boston, MA-SHBA
Rilindasi martir Kostandin (Koto) Sotiri, lindi në vitin 1840 në fshatin Selckë të krahinës së Lunxherisë, ish Vilajeti i Janinës.
Kotua ishte vëllai i madh i një rilindasi tjetër martir, Pandeli Sotirit, “Mësues i Popullit”. Dy vëllezër, dy rilindas martirë të shquar, që gjithë jetën e tyre ja kushtuan shkronjave dhe shkollave shqipe. Kur ishin fëmijë, u vranë babain. Sipas të dhënave, të dy vëllezrit duhet të kenë mbaruar shkollën plotore në vendlindje. Pastaj i mori për t’u kujdesur, xhaxhai, Thimjo Sotir ii cili banonte në Stamboll. Ai ishte njeri patriot dhe me ndjenja të theksuara humane.
Vëllezrit Sotiri nuk dolën në Stamboll rastësisht në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e cila shpërtheu gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ata u rritën të brumosur me ndjenja të pastra atdhetare, me përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të bashkëfshatarëve të tyre për të mësuar në shkollë edhe gjuhën shqipe, sepse shkollat në atë kohë për ortodoksët shqiptare mbahej në gjuhën greke.
Përpjekje bëheshin edhe për të meshuar shqip në kisha. Për këtë, fshehurazi krahas mësimit të gjuhës shqipe, në shkolla mësohej pëmendësh në shqip edhe pjesë nga Ungjilli, libra të cilat ishin shkruar shqip me shkronja greqisht. Një libër të tillë e kam parë edhe unë në Kishën e Shën Kollit. Flitet, ose ka të dhëna për një Siko Dhimadhi dhe për Hoxhë Myftar Kallaratin, që sillnin libra shqip fshehurazi nga Stambolli. Hoxha, gjatë rrugës, u sëmur dhe e varrosën me nderime në Selckë. Shkolla e fshatit kishte një bibliotekë, por një zjarr i papritur që ra rreth viteve 1880, e dogji. Fshatarët mërgimtarë të shoqatës “Përparimi” në Stamboll, e rindërtuan shumë shpejt përsëri.
Vëllezrit Soriri, të brumosur me atdhetarizëm, u shpërngulën në Stamboll, tek xhaxhai i tyre, së bashku me nënën e tyre, (e cila në disa shkrime del se ishte me origjinë dardane, nga Prizreni). Xhaxhai, Thimjoja, të dy vëllezrit i regjistroi në kolegjin francez të Gallatës. Më pas i dërgoi për studime në Universitetin e Vienës, Austri. Kotua studjoi për jurist ndërsa Pandeliu për mjekësi.
Pandeliu, pas përfundimit te studimeve u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën “Major” për rreth 10 vjet. Nuk kemi të dhëna të plota për Koton se ku shkoi pas mbarimit të studimeve në Vienë. Duhet të jetë kthyer në Stamboll dhe të dy vëllezërit u bashkuan në vitet 1870, ku u përfshinë pa rezerva në lëvizjet e mëdha patriotike të inicuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ata ishin anëtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishin ndër të parët që nënshkruan platformën e “Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” i cili u themelua më 12 tetor 1879. Ky Komitet synonte që shqiptarët të fitonin autonominë brenda Perandorisë Osmane. Më mbrapa ky Komitet mori emërtimin “Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”.
Kotua në krah te vëllait u përfshi në lëvizjet kulturore e patriotike të atyre viteve në Stamboll. Hapën gazetë shqip me gërma greqisht si “Prometeu” dhe “Drita-Dituria” me gërma shqip, e cila u bë themelusja e mediave shqiptare, sipas historianit Robert Elsie. Në vitin 1885, ata arritën të marrin nga Sulltan Abdul Hamid II dy lejë (fermane) për hapjen e shkollave shqipe.
Në “Kronikën Gjirokastrite” thuhet se ata u munduan që shkollat shqipe t’i hapin në qytetin e Gjirokastrës, por nuk morën dot lejë nga autoritetet vendase, kështu ata gjetën mbështetjen e patriotëve e atdhetarëve korçarë.
Kotua së bashku me Pandelinë, në fund të vitit 1885 udhëtuan nga Stambolli për në Korçë me 150 libra për shkollën shqipe si abetare, shkronjëtore dhe numëratorë. Nëpër dogana i kalonin fshehurazi, sepse në Portën e Lartë kishte faktorë të tjerë politikë që mundoheshin t’i ndalonin shkollat shqipe. Shkollën e hapën në mars të vitit 1886. Në ato vite Ismail Kadareja citon historianin fracez Serge Metais: “Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin.”
Kotua vitin e parë shërbeu si mësues, por dhe si bodigard së bashku me Risto Vodicën për t’i krijuar siguri vëllait të vet. Klerikët fetarë ishin betuar që mos të lejonin hapjen e mësonjtores. Ditën e parë të shkollës, mësuesit dhe prindërit që shoqëronin nxënësit, ishin të armatosur. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë. Sa e vështirë ishte në atë periudhë të ulej në një bangë një i krishter dhe një musliman, një i varfër e një i pasur, një vajzë dhe një djalë. Pothuajse ishte e pamundur!
Për vëllezërit Sotiri, Faik Konica në gazetën ‘Albania”, vitin 1897, nr. 8 suplimenti në fërngjisht shkruante: “Megjithatë, dy burra guximtarë e të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë, atdhetarë zemërzjarr, dymbëdhjetë vjet më parë, tentuan të çajnë këtë acar e akull dhe ia dolën deri në një farë pike. Kur dy vëllezër, Pandeli dhe Koço Sotiri, vendas nga Gjinokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve ortodoksë u bë një shtangim i indinjuar: Shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat. Patriarkana lëvizi me shpejtësi, bëri hapa urgjent që të urdhërohej mbyllja e shkollës shqipe menjëherë; por Madhëria e Tij, Sulltani, u përgjigj se kleri grek nuk kishte punë të ndërhynte në një çështje që nuk ishte as fetare e as antifetare por kishte të bënte vetëm me Ministrinë dhe Udhëzimet Publike.”
Kështu, viti i parë i shkollës kaloi mirë. Për vitin e dytë 1887, u regjistruan 200 nxënës. Kotua, mbasi u sigurua se shkolla në Korçë po shkonte mbarë, i hodhi sytë nga Pogradeci. Kotua, një njeri fisnik e shpirtmadh, babaxhan, kishte disa emra. Emri pagëzimit ishte Kostandin, por fshati e “ripagëzoi” Koto, që kur ishte fëmijë, sepse ky emër ishte në modë për ata që kishin emrin Kostandin. Shpesh thirrej edhe Koço. Në Pogradec e “pagëzuan” me emrin “Koço Shqiptari” për dashurinë e përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe. Patriotët e tij lunxhiotë, gjirokastritët e përmetarë e thërrisnin edhe “Koço Selcka”. Ndërsa armiqtë e shqipes, renegatët e thërisnin “Koço Masoni”, sepse mendonin se kishte braktisur fenë ortodokse, me që Kotua shpërndante Ugjillin e Kristofiridhit në gjuhën shqipe, po kjo nuk është e vërtetë.
Poeti Lasgush Poradeci e shpjegon kështu: “Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi”.
Pothuajse një viti pas hapjes së Mësonjëtores së Korçës, më 14 Mars 1887, Kotua, me mbështetjen e atdhetarëve pogradecarë: Ndini e Sotir Gusho, etj., hapi shkollën shqipe në Pogradec. Koçua, ashtu si vëllai tij Pandeli Sotiri, gjatë misionit të tyre u luftuan egër nga renegatët antishqiptarë, por ata, siç thotë poeti Lazgush Poradeci, e përballuan me burrëri këtë rrethim të zjarrtë.
Me largimin e Kotos nga Mësonjëtoria e Korçës, punët filluan të shkonin keq e më keq. Jo vetëm se tani Pandeliut i mungonte Koçua, krahu i djathtë besnik, por situate në Korçë kishte ndryshuar.
Siç dihet patriarkut grek Fillothea e renegatë të tjerë antishqiptarë, ishin armiq të betuar të Pandeliut dhe shkollës shqipe. Ata që në fillim të hapjes së shkollës e vazhdimisht, kërcënonin, shpifnin me denigrime shkollën dhe Pandeliun. Në vitin e dytë të shkollës, armiqtë u shtuan dhe u bënë të papërballueshëm e shumë të rrezikshëm.
Mytesarifi, (guvernatori) i Korçës, Mahmud Pashë Elbasani, që shquhej si përkrahës i çështjes shqiptare, e hoqën dhe në vend të tij emëruan si guvernator të Korçës, Muhamet Ali Pashë Delvinën, i cili ishte armik i betuar i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe. I kishin vënë dhe nofkën “Ujk i shqipes”
Në fillim guvernatori, “ujku i shqiptarëve”, i largoi nxënësit muslimanë nga shkolla. Merret me mend se çfarë presioni të jashtëzakonshëm i është bërë Pandeliut për ta mbyllur shkollën, sulmohej nga të gjitha drejtimet, tani dhe nga shteti. Në fund të vitit 1887 forcat antishqiptare organizuan edhe zhdukjen fizike të Pandeliut.
Në këto kushte shumë të rënduara, Pandeliu u detyrua të largohet fshehurazi nga Korça. Thuhet se ka shkuar në fshatin e tij Selckë. Andej i shoqëruar nga dy djem fshati që i dinin mirë shtigjet, me kuaj që u kishin lidhur patkojte me lecka, për të mos u dëgjuar, udhetuan natën për në Janinë, dhe që andej drejt e në Stamboll.
Lejën e Mësonjëtores ja la Thanas Sinës, njëkohësisht thirri dhe Koton për ta ndihmuar. Kotua në vitin 1888 kthehet përsëri në Korçë.
Vëllezërit Sotiri, të përkrahur e të mbështetur fort nga rilindasit dhe patriotët e zjarrtë korçarë, sfiduan rrethimin e egër antishqiptar të kohës dhe u bënë promotorë, shëmbull për gjithë atdhetarët me idetë, mendimet dhe veprimet e tyre iluministe. Zjarri që ndezën, fara që mbollën në Korçë, Pogradec, për pak kohë përfshiu gjithë trojet shqiptare.
Në një letër që i dërgon Jovan Kosturi Visar Dodanit, në Kostancë të Rumanisë, ku shtypeshin librat shqip, në vitin 1888 shkruhet: Shkolla të mirfillta shqip dy janë hapur deri tani, Pogradec dhe Korçë, por me librat që janë dërguar, mësohet shqip në shkollat e fshatrave: Treskë, Polenë, Luaras dhe në të hapur e sipër janë shkollat në Ersekë, Kolonjë, Leskovik dhe Elbasan. Më 23 tetor të vitit 1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave dhe në vitin 1889 u hap shkolla shqipe e Prizrenit me mësues Mati Logoreci, etj. Për shkollat në fshatrat rreth Korçës, Ersekës, Kolonjës, Koto Sotiri dhe miku i tij Petro Nini Luarasi,kishin përveshur mëngët. Ata ishin gjithmonë në krye të kësaj nisme.
Që nga viti 1886 e deri në vitin 1896, Koço Sotiri qëndroi pranë Mësonjëtores së Korçës. Në vitin 1890 deri në vitin 1892, me Nikollaq Zografin ishin bashkëpuntorë të Petro Nini Luarasit, kur ai drejtonte Mësonjëtoren. Koto Sotiri duhet ta ketë lënë Mësonjëtoren e Korçës në vitin 1896, ishte mësuesi më jetëgjatë në ato vite të zjarrta. Gjatë kësaj kohe, Kotos, me që puna si mësonjës nuk i sillte të ardhura të mjaftueshme, paralelisht ai ushtroi edhe zanatin e rrobaqepsit.
Pas vitit 1896 Kotua e la Korçën dhe e vazhdoi punën e tij me intesitet të madh në Pogradec e Maqedoni. Ai shperndante libra shkollore, fetare, etj. ndihmonte dhe për shkollat shqip atje ku mundej, por autoritetet turke e kishin të ndaluar rreptesisht shpërndarjen e librave shqip. Në vitin 2016, David Hosaflook ka shkruar në studimin e tij “Roli i lëvizjes protestante në Rilindjen Kombëtare”, kështu: “Librat shqip pengoheshin me çdo mënyrë të shpërndaheshin , mbaheshin nëpër dogana, mbylleshin botimet, burgoseshin bashkë me shitësit. Librashitësit u janë nënshtruar përndjekjeve nga më të pabesueshmet. Këtë fat pësoi edhe Koto Sotiri”.
Autoritete turke, për veprimtari të ndaluar, “përhapje të librave shqip”, rreth viteve 1900, Koto Sotirin e dënuan me “101 vjet” duke e izoluar në burgun e Manastirit. Vuajti pesë vjet dhe u lirua, jo vetëm i plakur, por edhe i varfër. U shoqërua për në Azil të Pleqëve ku i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq në vitin 1909 në spitalin e të varfërve në Manastir të Maqedonisë. Edhe sot e gjithë ditën, atje ndodhet varri i tij.
Shtypi i Rilindjes “Drita” e Sofies dhe “Drita” e Manastirit, sipas studjuesit Musa Kraja, kanë shkruan shumë për mësuesin dhe atdhetarin Koto Sotiri duke e vënë theksin tek sakrificat dhe vuajtjet e tij. Ata e përshkruajnë si mëmëdhetar, të ndershëm e të palodhur. Gazeta “Korça” shkruante për sakrificat dhe persekutimet e tij, duke vënë theksin se vëllezërit Sotiri ishin nismëtarë të shkollës shqipe kombëtare, prandaj historia do t’i shkruajë emrat e tyre me shkronja të arta. Kam sjellë këtu një poezi kushtuar Koto Sotirit nga miku i tij, Stefan S. Thodhoraqi, siç kuptohet kur vuante vitet e burgimit në Manastir.
“Ndë botë në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,
Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,
Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,
Gjithësinë në e gjykon djalli dhe botën në tunt,
Oh! Këtë miqësinë tënë gjithësia të na e ftonjë,
kurrë nuk do të guxonjë!” ….
Botuar në “Ditëfyesi Kombëtar” Sofie 1900.
Bashkia e Korçës, me inisiativën e historianit Niko Kothere, në vitin 2017 e ka shpallur Pandeli Sotirin Qytetar Nderi, ndërsa Koto Sotirin nuk e përmend askush, megjithëse edhe ai sakrifikoi gjithë jetën e tij për shkrimin e shkollat shqipe. Mori dënime të tmerrshme për këto veprimtari, provoi burgjet e persekutimet e pushtuesve osmanë.
Poeti Lasgush Poradeci për shkollën e parë shqipe të Pogradecit ka shkruar: “E theksoj këtu këtë fakt, me rastin e rrëfimit të istorisë shkollore kombëtare shqiptare, sepse lënia mënj’anë e Shkollës Shqipe të Pogradecit, është një padrejtësi e dhimbëshme që i-u ka qënë bërë Pogradecit dhe pogradecarëve, të cilët gjithmonë, dhe që në fillimin më të parë, kanë mbushur më të plotë detyrën e vet ndaj atdheut.”
Pavarësisht se fjalët tona bien në vesh të shurdhër, askush s’na dëgjon. Me këtë protestë të poetit të madh, bashkohem fuqishëm edhe unë si intelektual dhe bashkëfshatar i vëllezërve Sotiri. Jo vetëm shkolla e Pogradecit është lënë mënjanë, por mënjanë është lënë dhe patrioti e mëmëdhetari i flaktë Rilindas, Koto Sotiri që e sakrifikoi gjithë jetën e tij për kombin, për Shqipërinë. Nuk ka të paktën asnjë foto në muzeume. Nuk ka asnjë bust, që i takon ta ketë në Korçë, Pogradec e Gjirokastër, apo të shpallet qytetar nderi i Pogradecit dhe i Qarkut Gjirokastër, etj. Rilindasi Koto Sotiri, nuk ka një varr me emrin e tij, as në qytetin e Manastirit, aty ku dha shpirt. Lavdi të përjetëshme Rilindasve martirë Pandeli dhe Koto Sotiri! Dy korifej, burim frymëzimi i përhershëm për brezat tanë e ata që vijnë më pas.
Studimi trajton sfidën e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë si një çështje kyçe për identitetin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve jashtë atdheut. Ndërkulturalizmi shihet si një proces bashkëjetese që integron kulturën e vendit pritës pa humbur identitetin origjinal, por kjo kornizë teorike nuk mjafton për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët kanë një rol shumëdimensional si edukatorë, ndërmjetës kulturorë dhe mentorë të identitetit. Përmes metodave të ndryshme didaktike dhe teknologjisë, ata mundësojnë transmetimin ndërbreznor të gjuhës dhe kulturës.
Studimi, përmes pyetësorëve për prindër, nxënës dhe mësues synon të ndihmojë për të kuptuar dinamikat e mësimdhënies, modelet e ruajtjes së gjuhës në komunitetet emigrante dhe praktikat mësimore, duke përdorur analiza statistikore krahasuese. Kjo na mundësoi një vështrim të plotë dhe të thelluar mbi konceptet: dygjuhësi dhe ndërkulturalizëm në diasporë, sfidat dhe motivimet që lidhen me përfshirjen në mësimin plotësues të gjuhës amtare.
Ndërkulturalizmi
Ndërkulturalizmi për mësuesit si koncept, është një qasje arsimore dhe shoqërore që promovon bashkëjetesën, dialogun, respektin dhe mësimin e ndërsjellë ndërmejt kulturave të ndryshme.
Ndërkulturalizmi për prindërit nënkupton që fëmija i tyre mëson të bashkëpunojë, të respektojë dhe të kuptojë fëmijët bartës të kulturave të ndyshme, të zhvillojë aftësi sociale, mirëkuptim dhe të jetë i përgatitur për të jetuar në një shoqëri të larmishme.
Ndërkulturalizmi përnxënësit nënkupton që ata, së bashku me shokët e tyre nga vende të ndryshme, mësojnë, luajnë, bashkëpunojnë, duke ndarë zakonet, gjuhët, lojërat e idetë e tyre.
Vlen të theksojmë se ndërkulturalizmit nuk është vetëm bashkëjetesë, por bashkëpunim aktiv dhe ndërtim komuniteti gjithëpërfshirës, ku çdo individ ndjehet i pranuar dhe i vlerësuar. Ndaj u pyetën mësues, nxënës dhe prindër se si e perceptojnë këtë koncept, strategjitë më efektive, dhe përshtatshmërinë e materialeve didaktike me nevojat aktuale për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin gjuhësor të nxënësve shqiptarë në diasporë përmes rolit të mësuesit. Për këtë u përdorën tre pyetësorë të veçantë, të shpërndarë elektronikisht përmes Google Forms gjatë periudhës maj-korrik, duke mundësuar një mbledhje të shpejtë dhe të organizuar të të dhënave. Në studim morën pjesë 68 mësues, 135 prindër dhe 83 nxënës nga komunitete të ndryshme shqiptare në vende si Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Kanada, Austri, Angli dhe Suedi, duke siguruar një përfaqësim të gjerë gjeografik dhe kulturor për të kuptuar më mirë sfidat dhe nevojat në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Gjetjet kryesore përmes pyetësorëve
Analiza e përgjigjeve të pyetësorëve është thelbësore për të kuptuar më konkretisht dinamikat e organizimit të mësimdhënies në kontekste të ndryshme kulturore dhe shoqërore. Ajo mundëson identifikimin e problematikave të përbashkëta dhe të veçanta që lidhen me ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, përkushtimin e mësuesve, sfidat që hasin nxënësit dhe perceptimet e prindërve. Për më tepër, rezultatet e analizës kontribuojnë në hartimin e politikave dhe strategjive të përshtatshme për të mbështetur mësuesit dhe komunitetet shqiptare në diasporë, duke promovuar mësimdhënien ndërkulturore dhe ruajtjen e gjuhës amtare përmes mësuesve.
Nga pyetësori i mësuesve rezulton se:
Motivimi që i shtyn mësuesit e diasporës t’u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve në diasporë: 97.1% e mësuesve e konsiderojnë mësimdhënien e gjuhës shqipe një mision për ruajtjen e identitetit kombëtar. 48.5% janë të motivuar nga pasioni personal, 16.2% nga kërkesat e prindërve dhe komunitetit, ndërsa 10% përmendin arsye financiare.
Sfidat me të cilat ndeshen mësuesit e diasporës: Mungesa e materialeve të përshtatura (35%), mungesa e motivimit të nxënësve (30%), mbështetje e pamjaftueshme nga prindërit (25%), përzierja e gjuhëve dhe grupmoshave (20%).
Nevojat e tyre drejtohen drejt: Trajnimeve për metodologji e teknika të mësimdhënies bashkëkohore (70%), mbështetje teknike për teknologjinë (55%), mbështetje financiare (50%).
Nga pyetësori i prindërve rezulton se:
Mësimi i gjuhës shqipe:
75% e prindërve e vlerësojnë mësimin e shqipes si një mjet për ruajtjen e identitetit kombëtar.
40% pranojnë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të ndihmuar fëmijët në mësim.
25% nuk e flasin shqipen rregullisht në familje, gjë që ndikon negativisht te motivimi i fëmijëve.
Vetëm 20% marrin pjesë rregullisht në aktivitetet e shkollës shqipe.
Italia Shqipja shihet si thelbësore për lidhjet familjare me gjyshërit, për ruajtjen e identitetit dhe të origjinës. Disa prindër theksojnë mungesën e kohës dhe kurseve, pasi orari i punës shpesh i detyron të flasin italisht me fëmijët. Një prind në Itali thekson: “Arsyeja kryesore është sepse kalojmë pak kohë me fëmijët tanë të flasim shqip, nga oraret e gjata të punës; kur studiojnë, jemi të detyruar t’u flasim italisht. Mungesa e gjyshërve është një tjetër problem, pasi ata kanë një rol të pazëvendësueshëm në rritjen e fëmijëve. Kush ka patur fatin t’i ketë gjyshërit pranë, është rritur me më shumë dashuri dhe mësime.”
Sfida kryesore në Itali lidhet me distancën nga kurset e gjuhës shqipe dhe dominimin e italishtes, ndërsa përparësi mbeten përkushtimi i mësuesve dhe organizimi i kurseve nga komunitetet shqiptare.
Greqia
Prindërit vërejnë një ndikim të fortë të gjuhës greke dhe kërkojnë mbështetje më të madhe institucionale për ruajtjen e shqipes. Një prind thotë: “Që ta bënin gjuhë me zgjedhje në shkollat greke. Që mësuesit të paguhen dhe të bëjnë më shumë orë mësimi. Janë pak 2 orë në javë.” Shqipja shpesh përballet me stigmatizim social, dhe fëmijët hezitojnë ta flasin atë në publik. Megjithatë, disa shkolla greke ofrojnë hapësira dhe mbështetje për organizimin e kurseve të shqipes, gjë që shihet si hap pozitiv për integrim.
Gjermania
Prindërit e shohin mësimin e shqipes si një përparësi për të ardhmen e fëmijëve dhe për komunikimin me të afërmit. Njëri prej tyre shprehet: “Nëse humbet gjuha, humbet kombi!” Sfida kryesore mbetet ngarkesa e orëve të shkollës gjermane dhe mungesa e kurseve të mjaftueshme. Përparësitë lidhen me motivimin e mësuesve dhe mbështetjen e disa qendrave kulturore lokale.
Zvicra
Shumë prindër shprehin dëshirën që fëmijët të mos harrojnë gjuhën amtare dhe lidhjet me familjen në Shqipëri. Një prind thotë: “Do doja shumë që fëmijët e mi të kishin secili librin e gjuhës shqipe, si në shkollë edhe në shtëpi, për të ndjekur më mirë mësimin.” Sfida kryesore është mungesa e librave dhe materialeve të tjera mësimore, ndërsa një përparësi e dukshme është ekzistenca e mësuesve të financuar nga institucionet lokale ose nga komuniteti.
Nga pyetësori i nxënësve rezulton se: Mësimi i gjuhës shqipe:
60% e nxënësve ndihen krenarë kur flasin shqip, ndërsa 20% shfaqin pasiguri për shkak të gabimeve gjuhësore. 55% e përdorin shqipen vetëm në shtëpi, ndërsa jashtë saj dominojnë gjuhët e vendeve pritëse. Vetëm 30% e konsiderojnë mësimin e shqipes të lehtë; 50% e lidhin vështirësinë me mungesën e praktikës. 45% thonë se mësimi bëhet më i këndshëm kur përdoren lojëra, këngë dhe videot kulturore.
E dhëna
Nr. i përgjigjeve
% nga totali (65)
Shembuj tipikë
1. Dygjuhësia si avantazh (arsyet e përgjithshme)
30
46.1%
“Është avantazh sepse di një gjuhë më tepër”, “Është mirë të dish shumë gjuhë”
2. Avantazh për njohjen e dy kulturave
9
13.8%
“Sepse mund të kuptosh dy kultura të ndryshme”, “Dygjuhësia të hap mendjen”
3. Avantazh në komunikim dhe lidhje familjare
7
10.7%
“Flas më lehtë me të afërmit në Shqipëri”, “Ndihmoj prindërit si përkthyes”
4. Avantazh akademik dhe social (për shkollë dhe punë)
6
9.2%
“Në orën e historisë për Skënderbeun ndihesha krenare”, “Më ndihmon në punë”
5. Avantazh në udhëtime dhe kontakte ndërkombëtare
4
6.1%
“Kur udhëtoj në Shqipëri flas lirshëm”, “Ndihmova në përkthim”
6. Avantazh për zhvillimin kognitiv (truri punon më shumë)
3
4.6%
“Mendja punon më shumë kur di disa gjuhë”
7. Disavantazh / ngatërrime gjuhësore
3
4.6%
“Ngatërrohem me fjalët”, “Disa fjalë nuk më vijnë në mend”
8. Përvoja personale e krenarisë kombëtare
2
3.0%
“Jam krenare që flas shqip në klasë”, “Më thërrasin ‘shqiptari’ me krenari”
9. Përgjigje neutrale ose të paqarta
1
1.5%
“Nuk e di, nuk flas jashtë shtëpisë”
Sugjerimet tona:
Organizimi i aktiviteteve ndërkulturore (p.sh., ditë kulturore, projekte ku nxënësit paraqesin histori ose tradita shqiptare).
Krijimi i klubeve të leximit dhe grupeve të komunikimit online për të ruajtur praktikën gjuhësore.
Siç u shprehën disa nxënës, shkrimi është më i vështirë se të folurit, përdorimi i aplikacioneve për gramatikën.
Përdorimi i shqipes si bazë për mësimin e gjuhëve të tjera (anglisht, frëngjisht), duke shpjeguar lidhjet dhe dallimet gjuhësore.
Organizimi i lojërave gjuhësore që theksojnë ndryshimet mes gjuhëve për të shmangur konfuzionin dhe për të rritur vetëdijen gjuhësore.
Vlerësime të përgjithshme mbi analizat e pyetësorëve
Nisur nga analiza e pyetësorëve për mësuesit, nxënësit dhe prindërit, përcjellim më poshtë disa vlerësime të përgjithshme: Mësuesit janë shtylla kryesore për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor në diasporë. Ata nuk veprojnë vetëm si edukatorë, por edhe si ndërmjetës kulturorë dhe motivues të përfshirjes komunitare.
97.1% e mësuesve e konsiderojnë mësimdhënien e shqipes si një mision kombëtar, i lidhur ngushtë me përkushtimin personal dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj trashëgimisë kulturore.
Sfidat më të përhapura lidhen me mungesën e materialeve didaktike të përshtatura, motivimin e ulët të nxënësve dhe mungesën e mbështetjes institucionale dhe familjare.
Metodat dhe teknikat e përdorura janë kreative dhe të larmishme, duke përfshirë dialogun, lojërat, teknologjinë dhe situatat e përditshme, si përpjekje për ta bërë mësimin më tërheqës në mjediset dygjuhëshe.
Dygjuhësia shihet nga shumica e mësuesve si pasuri, por një pjesë e konsiderueshme e percepton si sfidë për ruajtjen e shqipes, veçanërisht kur mungon përdorimi i saj në familje dhe komunitet.
Pritshmëritë e mësuesve janë për një komunikim të rrjedhshëm, përforcim të fjalorit dhe njohje të kulturës shqiptare, si elementë të ndërthurur për ruajtjen e identitetit.
Roli i prindërve mbetet vendimtar, por i luhatshëm: vetëm një pjesë e vogël e tyre janë aktivë dhe të përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës në shtëpi.
Për sa më sipër lypet nevoja për ndërhyrje sistematike dhe bashkëpunim ndërinstitucional për të mbështetur mësuesit dhe për të garantuar vazhdimësinë e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Konstatime
Mësuesit janë shtylla kryesore në ruajtjen e shqipes në diasporë, duke vepruar si edukatorë, mentorë dhe ndërmjetës kulturorë, por shpesh në kushte të vështira, pa mbështetje institucionale.
Motivimi i tyre është i lartë dhe i bazuar në ndjenja personale dhe kombëtare, por lodhja dhe mungesa e mbështetjes rrezikon qëndrueshmërinë e tyre në kohë.
Mungesa e materialeve didaktike të përshtatura dhe e mjeteve konkretizuese dobëson cilësinë e procesit mësimor dhe aftësinë për ta bërë mësimin tërheqës për fëmijët.
Diferencat gjuhësore dhe kulturore mes nxënësve, si dhe orari jo i përshtatshëm i mësimit, ndikojnë negativisht në efikasitetin e të nxënit.
Roli i prindërve është thelbësor, por shpesh i nënvlerësuar dhe pasiv, duke sjellë rrezik për asimilim të fëmijëve në mjediset e huaja.
Dygjuhësia është një realitet i pashmangshëm, që kërkon një qasje të balancuar: nga njëra anë, si mundësi për zhvillim kognitiv dhe identitar, dhe nga ana tjetër, si sfidë për ruajtjen e shqipes.
Praktikat ndërkulturore janë të pranishme në orët e mësimit, por mësuesit kanë nevojë për qartësim të dimensioneve pedagogjike të këtij koncepti.
Sugjerime
Hartimi i një strategjie kombëtare për gjuhën shqipe në diasporë, e cila të garantojë qëndrueshmëri, burime, njohje ligjore dhe mbështetje sistematike për mësimdhënien jashtë Shqipërisë.
Trajnime të vazhdueshme për mësuesit e diasporës, duke përfshirë:
Metodologjitë e mësimdhënies së gjuhës së dytë
Qasjet ndërkulturore
Përdorimin efektiv të teknologjisë: Krijimi i një platforme kombëtare digjitale për diasporën, me: Tekste dhe ushtrime të përshtatura, Lojëra interaktive, Materiale audiovizuale në shqip.
Fuqizimi i rolit të komunitetit dhe organizatave shqiptare në vendet pritëse, për të siguruar ambiente, financim institucional për shkollat shqipe.
Fushata ndërgjegjësuese për prindërit, për të rritur përfshirjen e tyre dhe për të promovuar përdorimin e shqipes në familje.
Ngritja e një rrjeti të mësuesve të diasporës, me qëllim shkëmbimin e përvojave, binjakëzimet me shkolla në Shqipëri dhe fuqizimin profesional të mësuesve.
Hartimi i standardeve të përbashkëta për kompetencat gjuhësore të nxënësve në diasporë, me nivele të referuara (A1–B1) dhe mundësi kualifikimi zyrtar për nxënësit.
Përfundime shkencore Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një proces kompleks që kërkon strategji të qëndrueshme dhe bashkëpunim institucional. Dygjuhësia dhe ndërkulturalizmi nuk janë pengesa, por mundësi për integrim dhe zhvillim kulturor. Mbështetja nga shteti shqiptar, sigurimi i materialeve didaktike, përdorimi i teknologjisë dhe përfshirja e prindërve janë faktorët kyç për suksesin. Politikat arsimore të qëndrueshme dhe programet profesionale për mësuesit janë garancia për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Njazi Musliu banon në shtetin e Alaskës prej gati gjysmë shekulli dhe e ndien veten aty si në shtëpinë e tij. Sot shtatëdhjetë e ca vjeçari ka kompaninë e suksesshme AutoMart dhe, çka është më e rëndësishme, ka një optimizëm të palëkundur për të ardhmen e tij në shtetin më të madh të Amerikës. “Kyçi i suksesit për shqiptarët që vijnë këtu nga të gjitha viset për punësim apo shkollim është bindja se Alaska është vendi i tyre,” thotë ai me entuziazëm gjatë bisedës sonë.
Njaziu u largua nga Ferizaj drejt Amerikës në moshë të re. Pasi vijoi studimet në Illinois dhe u punësua përkohësisht në Nju Jork, në vitet ’70 Njaziu “shkeli” në Alaska, ku ndjeu një lidhje të fortë me natyrën e egër dhe të magjishme dhe me njerëzit e atij vendi. Vetë Alaska nuk kishte më shumë se një dhjetëvjeçar nga koha kur ishte integruar me Amerikën (3 janar, 1959) si shteti i 49-të. Njaziu ishte emigrant i ri shqiptar në shtetin më të madh të Amerikës – Alaska është dyfish më e madhe se Teksasi – dhe vendi ku e thërrasin “Xhesi” (Jesse) i hyri në zemër menjëherë.
Kishte punuar si trajner apo instruktor në kampe pushimi të rinisë në Nju Jork. Më pas kishte qenë në Çikago dhe shtete të tjera pa e gjetur veten. Kur një shqiptar i Maqedonisë i dha idenë të shkojnë në Alaska ku mund “të fitonin ma mirë” të dy udhëtuan drejt Ankorixh (Anchorage) qytetit më të madh ku banon gati 40 për qind e popullsisë së gjithë Alaskës. Në Anchorage Njaziu u mrekullua nga madhështia mahnitëse e akullnajave dhe bukurisë natyrore rreth e përqark, ku gjente kënaqësinë të ishte fizikisht aktiv por edhe të jetonte me komoditetet e lehtësitë së jetës urbane.
“Bashkësia shqiptare e Alaskës ishte fort mirë e organizuar në vitet e luftës në Kosovës,” përgjigjet ai kur e pyes për jetën e komunitetit. “Në atë kohë komuniteti jepte ndihma për mbështetje financiare si edhe për armatime. Në vitin 1998 një delegacion i posaçëm me dhjetë anëtarë u nis nga Alaska për në Tiranë dhe më pas për Bajram Curri ku ishin stërvitjet e ushtarëve të UÇK-së.” Përkrahja e Senatorit të Alaskës Ted Stevens (1923-2010), i cili kishte post me rëndësi në një Komisioni parlamentar, ku merrej vendimi për bombardimin e Serbisë, shënoi kthesë në mbështetjen e kongresit amerikan. Meqenëse Senatori Stevens kishte votuar kundra bombardimit, Jesse e ftoi atë ta shikonte situatën e shqiptarëve dhe gjendjen e tyre në kampet e Maqedoninë. Prej asaj vizite, Senatori Stevens e ndryshoi votën dhe u bë një nga përkrahësit më të zëshëm për fushatën e NATO-s në luftën e Kosovës. “Aeroporti kryesor në Anchorage mban emrin e tij Ted Stevens,” vëren me krenari Jesse. Në data të mëdha si Dita e Pavarësisë dhe festa të tjera komuniteti dhe shoqatat përkujtojnë me nderim patriotët e historisë dhe miqtë amerikanë. Kur vjen fjala te aktivitetet, Jesse është pak nostalgjik për ekipin futbollistik Bashkimi i viteve 1978 ndërsa ndihet krenar për ndihmat e akorduara për studentët përmes Rotary Club.
Ai përmend mikun e tij Din Kosova dhe përmbledhtazi kujton historinë sesi emigranti shqiptar i Kalifornisë ngriti vetë një përmendore guri e betoni gati shtatë metra kushtuar Presidentit Wilson në 2011 pa e ditur se trualli i shkretëtirës kaliforniane ishte pjesë e mbrojtur e parkut Joshua Tree National Forest. Atij ju desh ta çbënte me duart e tij punën e dy viteve, por të gjithë e dinë se synimet dhe dëshira e tij ishin të mira.
Në anën tjetër të telefonit, herë pas here, dëgjohen zëra që e pyesin për diçka dhe ai, pasi kërkon falje për ndërprerjen me mirësjellje, pasi “është në punë”, kthehet përsëri në bisedë pa humbur asnjë notë entuziazmi në zërin e tij tingëllues.
Kur e pyes për vendlindjen, thotë se udhëton për vit, dhe përmend rastin e takimit të 50 vjetorit të maturës së Ferizajt, sepse i kanë mbetur në mendje moshatarët e tij, disa prej tyre me shkop, dhe vajzën që e kish dashuruar në gjimnaz të cilës nuk i njiheshin tiparet e dikurshme. “Për çudi, koha nuk e ka pasur këtë efekt tek unë,” thotë ai pa e fshehur ndjenjën e kënaqësisë që akrepat e viteve nuk kanë trokitur mbi të si tek moshatarët e brezit të tij.
Xhesi është prind i tre fëmijëve të rritur e të suksesshëm me të cilët krenohet shumë. Së bashku me birin e tij njëvjeçar Oliver Metushi Musliu, ata “festuan 4 korrikun në Alaskën e bukur!” shkruhej në mesazhin e tij ditën e festës së Pavarësisë.
Qyteti-port Anchorage është pikë kyçe transporti dhe si tillë u ka dhënë mundësi për tu “ankoruar” shumë e shumë të ardhurve të tjerë. Industritë e punësimit janë kryesisht në transportin ajror që dominon mbi të tjerët. “Alaska zë vendin e parë për nga numri i aeroplanëve privat,” thotë Jesse. “Ku ka më shumë shqiptarët në Alaska?” e pyes. Ai përgjigjet se në Anchorage ka rreth 1,000, në Bethel rreth 5,000 shqiptarë dhe në Fairbanks ka të ardhur të hershëm nga Kërçova, dhe shumë që kanë ardhur nga Korça nga vitet 1990. Një pjesë tjetër vijnë këtu nga Arizona, Texas, e Illinois. “Fëmijët e tyre janë punësuar në mjekësi, linja ajrore e zanate të tjera. Por është interesante të shikosh se shqiptarët janë lidhur me eskimo dhe në familjet e tyre tash ka fëmijë shqiptarë eskimezë,” vëren ai. E pyes me kureshtje edhe për shqiptarin e famshëm të qytezës Bethel, Alaska, të cilin e njohin me emrin Lincoln Selmani. Shqiptari taksist me origjinë nga Maqedonia vajti në Bethel për mundësi më të mira punësimi, dhe punoi për disa vjet me synim të merrte aty familjen dhe pastaj vazhdoi të punonte shumë vite të tjera si me një rutinë të njohur që tashmë numëron mbi pesëdhjetë vjet në Alaskë. “Emrin e ka Bilal, por më shumë është Lincoln,” komenton Jesse për ngjashmërinë fizionomike të shqiptarit që “njihet ngado” me emrin e presidentit amerikan.
“Shqiptarët në Alaska janë të suksesshëm sepse janë të bindur se kanë ardhur në vendin më të mirë të botës. Nga kjo bindje buron suksesi i tyre”, përfundon Jesse. Në pikën më të largët gjeografike prej Amerikës kontinentale nga veriu, lindja e perëndimi, ai ka arritur aty ku dëshiron të jetë.
Chicago, IL — Muajin e kaluar, mbi 800 veta u mblodhën në rrethinën e Chicagos për Festivalin e Byrekut 2025 — një eveniment i organizuar nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI). Themeluar në vitin 1998, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois është organizata ombrellë për të gjithë Shqiptarët në Illinois. Bordi i kësaj organizate është i strukturuar me nga dy përfaqësues nga secila prej gjashtë trevave prej nga vijnë Shqiptarët — diçka që, siç thotë kryetari i bordit Edon Shaqiri, është shtylla e fortë e lidhjes së gjerë që ka komuniteti. “Kur secili ka vend në tavolinë, çdo cep i kulturës sonë është i përfaqësuar,” tha Shaqiri. “Prandaj sheh byrek këtu nga çdo anë.” Ajo që e bën Festivalin e Byrekut të veçantë është se bashkon Shqiptarët nga të gjitha trevat — dhe nga çdo brez.
Radhët për ushqim ishin të gjata, dhe byreku, i përgatitur nga kuzhinierë që përfaqësonin çdo krahinë të Shqipërisë e Kosovës, iku shpejt. Vendi i parë këtë vit shkoi për Emine Jakupin nga Gjilani, Kosovë. Gjatë intervistës, Jakupi ishte pranë nënës së saj, që i kishte trashëguar recetën fituese — një moment që preku shumë njerëz. Vendi i dytë shkoi për Edisa Combin nga Fieri, ndërsa i treti për Migerta Radhimën nga Vlora. Përveç byrekut, në skarë piqeshin qebapa, kishte pizza për fëmijët dhe tavolina të mbushura me ëmbëlsira Shqiptare të shtëpisë. Muzika nga çdo cep i Shqipërisë — me DJ Besin — mbajti turmën në valle edhe pasi pjatat ishin boshatisur.
As fëmijët nuk mbetën pas. Dafina Rexhepi, drejtoresha e rinisë në Komunitet, u kujdes që të kishte lojëra dhe aktivitete që mbajtën familjet deri në fund të ditës. I gjithë eventi u mundësua falë mbështetjes së bizneseve Shqiptaro-Amerikane që dolën sponsorë. Eventi vazhdoi të jetë krejtësisht falas për komunitetin dhe shumë familje dhuruan nga vetja për të mbajtur Festivalin e Byrekut gjallë e në rritje.
Për shumë familje Shqiptare të zonës, momenti më i bukur ishte i thjeshtë: ushqimi i mirë, muzikë argetuese dhe një festival që tregon sa unik është ky komunitet — i bashkuar përtej trevave, brezave dhe nga një byrek i thjeshtë, që zhdukej më shpejt se sa doli nga furra. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (“AACI” ose “Komuniteti”) u themelua në vitin 1998 me misionin për të bashkuar dhe përfaqësuar diasporën Shqiptare në gjithë shtetin e Illinois-it. Përmes aktiviteteve kulturore, edukimit dhe angazhimit në komunitet, AACI vijon të ruajë trashëgiminë tonë kombëtare dhe të ndërtojë ura lidhëse mes brezave.
Takimet e sivjetme të Hotit të Kujit u kryen me sukses, pohoi shumë e gëzuar piktorja e njohur, Kaltrina Hoti, e shkolluar në SHBA, dhe e zonja e shtëpisë e kësaj veprimtarie të rëndësishme etnokulturore. Ashtu tha edhe përfaqësuesi i vendit, Ibër Hoti.
Më 10 korrik, në Hotin e Kujit, Komuna e Plavës, jehoi lahuta e Festivalit të shtatë të radhës, “Lahuta, Okarina, Polifonia”, me organizimin e Sokol Plakollit të palodhshëm, nga “Shkabat” e Prishtinës. Kishte lahutarë edhe nga Kelmendi e Rugova: Dinë Sinanaj, Hysen Kurtaj, Asllan Shala, Pretash Nilaj, Xhavit Balidemaj.
U përurua edhe libri studimor i Zymer Ujkan Nezirit, kushtuar Eposit të Kreshnikëve sot, në pesë shtete të Ballkanit, për të cilin foli prof. dr. Albin Sadiku i Ins. Albanologjik. Autori i librit tha se epika jonë tashmë ka emër të madh edhe në botën e shkencës në Evropë dhe në qendrat e mëdha studimore, nga Harvardi i famshëm amerikan e deri në Akad. e Shkencave të Kinës.
Ishin të rëndësishme dhe shumë inkurajuese fjalët e ambasadores shqiptare në Podgoricë, znj. Zhaklina Pepa, po edhe të konsullit të Kosovës, z. Ejup Ismajli. U veçua edhe prania e intelektualit të kësaj ane, Binak Ulaj, veteran i Lëvizjes Kombëtare. Aktori Halil Tetaj për të pranishmit u paraqit me vargje të zgjedhura të ” Lahutës së Malcisë” të Gjergj Fishtës. Ishte tejt e rëndësishme edhe prania e ekipeve televizive nga Kosova, RTK dhe Fontana.
Drejtuese e përgjegjshme dhe e suksesshme e Takimeve të Hotit të Kujit ishte studentja e këtushme, Ledina Haxhaj, pjesëtare e këtij fisi të nderuar të Malësisë së Madhe dhe emër i njohur në historinë e Shqipërisë së Veriut. Me valle të vajzave të Hotit dhe të shoq. “Malësia e Rozhajës”, Tregovishtë, me veprimtarin Ali Daci, u mbyll ky manifestim në trojet e familjeve Haxhaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj, Mehaj, pasardhës të Dedë Nikës, që dhanë burra të shquar e trima, por sot shumica e tyre jetojnë përmallshëm në mërgim për këto vende me bukuri të rralla të Alpeve Shqiptare. Pritja ishte tejet vëllazërore, krahas drekës dasmore të shtruar për të gjithë pjesëmarrësit e Takimeve.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.