• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MALL MËRGIMTARËSH ANDEJ E KËNDEJ ATLANTIKUT…

March 8, 2015 by dgreca

Është gjë e bukur të jesh mësues…/
Meditime që mi ndolli nga Detroiti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nxënësi im Gjovalin Lumaj nga Vermoshi…/
“… Është gjë e bukur të jesh mësues, të shohësh si lëshojnë shtat fëmijët e thithin dituri, si rriten e ngjiten, si lulëzojnë e piqen…
E kam pasur këtë fat vetëm për pesë vjet, nga shtatori i vitit 1967 në shtatorin e vitit 1972. Kam qenë mësues i lëndëve teknike në Shkollën e Mesme Bujqësore “ Nazmi Rushiti “ të qytetit të Peshkopisë.
Më mungon të qenit mësues. Më ngushëllon fakti se edhe sot, kur udhëtoj drejt të shtatëdhjetave të jetës, e ndjej veten nxënës, njeri të lidhur fort me Mësuesen e Madhe – Jeta Njerëzore .
Është gjë e bukur të jesh mësues, por po kaq bukur është të jesh nxënës. Dy anë të medaljes së madhe të jetës që nuk mund të ndahen kurrë….”
Është ky një shënim në faqen e fundit, në kopertinë të librit tim “Rilindësit e kohës sonë” (2008). Nuk do ta kisha zgjuar, do t’i kisha lënë në skaj të kujtesës ato pesë vjet mësues sikur një ndodhi e javës së fundit mos fuste dorën në shpirtit tim e të ma vente mbi tryezën e mendimit si një tufë me lule.
Po, vërtet kam qenë mësues. Vërtet kam pas nxënës, madje kam pas “Gjovalinin e vogël që merrej me humor, me grupet artistike”.
Kështu më shkruan duke vazhduar:
“Dikur, mbas shumë përpjekjesh në kërkim të atyre që më mbeten në kujtesë u “kap” edhe njeri prej tyre sonte. Faleminderit fb, internet. Mbasi u mbushën 40 vjet edhe një person i shpallur në “kërkim” u gjet.
E gjeta prej SH.B.A, në mërgim Abdurahim Ashikun, profesorin tim. U ktheva mbrapa në kohë, me shumë nostalgji në shkollën e mesme bujqësore, Peshkopi, tek ata njerëz që më mësuan, më deshën si fëmijë, tek ata dibranë, fisnikë, zemër gjanë. Gjithmonë prej shpirtit tim rrjedh një burim, mirënjohje, respekt, nderim…!
Gjovalin Lumaj.
Ish nxansi juaj në shkollën bujqësore Peshkopi 1967-1971.
Nga Vermoshi i Shkodrës. Gjovalini i vogël që merrej me humor, me grupet artistike. 15 vjet me banim ne Detroit SH.B.A.
Ju përqafoj nga larg ju dhe familjen tuaj.
Me konsideratën më të lartë.
Dëshiroj të di diçka më shumë për ju, shëndetin, familjen, aq sa
më takon të di jo si nxënës por shumë… shumë më tepër…!
U emocionova, zgjova një burim loti që duke zbritur brazdave të moshës, ra mbi tastierë. U ndjeva shumë i privilegjuar. I shkrova:
Përshëndetje Gjovalin! Faleminderit për ato që më shkruan. Unë jam në Athinë prej 15 vjetësh me gruan dhe djalin e vogël. Për hollësira le të kontaktojmë në adresën elektronike a_ashiku@yahoo.gr. Do mundohem të kthehem me ty në ditët e bukura kur unë isha mësues për ju, dhe ju për mua.
Më shkruaj për veten tënde.
Me respekt, tashmë, shoku e miku juaj Abdurahim Ashiku
Athinë 24 janar 2010
Do të vijonte më pas një korrespondencë e vazhdueshme, në adresën elektronike dhe në facebook.
Po përcjell përsëri rrjeshta që zgjuan kohët, që përtrinë zemrat. Po përcjell Gjovalinin…
Përshëndetje profesori im i nderuar.
Në shenjë respekti për ju po u përcjell kopertinën e librit tim “Nastradinet”, 100 fabula-poezi, botuar në vitin 2009. Në postën tuaj elektronike do ju përcjell disa prej tyre. Të përqafoj nga larg.
THIRRNI MENDJEN, URTËSINË
Leni mllefet, djallëzinë,
Mbi kolltukët, leverdinë,
Thirrni mendjen, urtësinë,
Uluni në tavolinë,
Mbi pushtetin dhe lavdinë,
Gjeni forcat, burrërinë,
Të veproni për Shqipërinë,
Kthejani popullit qetësinë,
Shmangni sherrin, tollovinë,
Ju e keni përgjegjësinë,
O…Nastradinë…!
I shkrova se ndjehesha krenar që Gjovalini i vogël i kishte kaluar “grupet artistike” të moshës, ishte bërë poet. Më tej vijuan poezi të tjera e të tjera. Vermoshi i largët e kishte përcjellë bukurinë tej Atlantikut, e kishte shkrirë në zemrën e Gjovalinit.
Vijuan letërkëmbimet elektronike. Unë e lexoja atë, ai më lexonte mua. I përcolla në face book një fotografi i sigurt se ai do të ishte në klasë midis nxënësve në një orë mësimi. Nuk isha i sigurt ku ishte. Dyzet vjet larg është vështirë ti mbash mend fytyrat.
Më shkroi:
I nderuar profesor Abdurahimi. Nuk mund të gjej fjalë në fjalorin tim (relativisht të pasur) për të shprehur ato që ndjej në këto momente. Më ktheve shumë mbrapa në kohë, në kujtimet e bukura të jetës rinore.
I tretur diku larg në kurbet, shoh veten, shokët e klasës, Prof, Abdurahimin në kabinet. Edhe kjo foto është pjesë e kujdesit tuaj, është pjesë e fisnikërisë suaj shpirtërore, pjesë e dashurisë suaj prindërore, për ne në bankat shkollore. Vite të pa kthyeshme, mbresa të pashlyeshme..! Ju dhe gjithë kolegët tuaj mbeteni përjetësisht mësuesit e mi të mrekullueshëm dhe unë gjithmonë nxënësi juaj mirënjohës dhe vlerësues i punës suaj aq të vlershme, të përkushtuar e të ndershme. Ju përqafoj nga larg duke ju falënderuar shumë… shumë…!
Fotografia shpejt do të shndërrohej në një konkurs, në një kërkim kush ta gjejë “Gjovalinin e vogël”. Ai e shpalli “konkursin” kështu:
“MIQTE E MI. Sot mora një dhuratë nga profesori im i nderuar, gazetari i njohur Abdurahim Ashiku, i cili si shumë e shumë të tjerë ndodhet në emigracion në Greqi. Kjo foto i takon vitit të tretë në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti” Peshkopi-Dibër. Para 42 vjetësh, një orë mësimi në kabinetin e zooteknisë me prof. Abdurahimin. Prej miqve që më njohin nga afër, cili mund të gjejë bankën ku jam i ulur, cili prej këtyre nxënësve jam unë..?!
Fituesi ka një kafe në rastin më të parë..!”
Ishte një debat i gjallë, shumë interesant: Blerim Lumaj, i biri shkruan: Faleminderit për interesimin shokë e miq , unë e kam babë e nuk di me e gjet. Atëherë ka qenë me flokë kurse tani është tullac. I lutem Profesorit, në qoftë se ka mundësi me ma gjet babën ”
Përgjigje nga më të ndryshmet, humor i gjallë mes shokësh e miqsh. Dikush e gjeti, por Gjovalini ende nuk e ka shpallur “fituesin e kafesë”.
Ka shpallur nderimin dhe respektin për mësuesit, të gjithë mësuesit, nëpërmjet një poezie të dalë nga zemra.
MESUESVE…
Të kujtoj, të nderoj e respektoj,
Kam mall e nostalgji,
Për atë dorë që mu dha,
Plot dashuri,
Qysh në fëmijëri,
E para mbas prindërve të mi.
Mësues i nderuar!
Për mua mbetesh figurë e shenjtëruar
E shenjtë puna dhe përpjekjet tuaja,
Për t’na hapur sytë,
E shenjtë dashuria,
Dhembshuria e përkujdesja ,
Si prind i dytë..!
Jo vetëm për 7 Marsin
T’i dhuroj këto radhë,
Por sa të jem i gjallë,
Jam mirënjohës pa kufi,
inferior, i vogël, fëmi,
Para mësuesve të mi..!
Për ata që janë ndarë nga kjo jetë,
Një kurorë thurur me lulet e shpirtit,
Me ndjenjën e vërtetë,
Më shkrimin shqip që ma mësuan,
SHKROVA:
– Qoftë për ju dheu i lehtë,
Pushofshi të qetë..!
Për ata që jetojnë,
Në pleqëri,
Uroj ditë të mira,
Lumturi, kënaqësi,
Duke u ndier krenar,
Mësuesit e talentuar,
Aq të përkushtuar,
Mësuesit shqiptarë.
Nga të largëtat udhë,
Përkulem me respekt,
duke u puthur ballin tuaj fisnik,
Plot rrudha..!
Gjovalin Lumaj Detroit, 5 Mars…
Këto radhë i shkrova për vete, për gruan 34 vjet mësuese, për të gjithë mësuesit kudo që janë, për nxënësit që nuk na harrojnë, që na nderojnë.
Faleminderit Gjovalin Lumaj për ndjenjat që më zgjove.
I shkrova për vete, peshë të madhe kanë, peshën që sjell të qenit mësues. Nuk mund ta mbaj, po e përcjell për të gjithë mësuesit si urim, si përkushtim, për 7 Marsin 2015!

Abdurahim Ashiku
Athinë, 5 mars 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: Abdurrahman Ashiku, Mall Mergimtaresh

NE BJESHKET MAGJEPSE TE DRAGASHIT

February 26, 2015 by dgreca

Kompania “Kuk Commerc” me “Fabrikën e Metaleve” dhe”Qendrën Turistike” në bjeshkët magjepse të Dragashit!/
Shkruan Asllan Dibrani/
Ishte dite Janari kur vizituam Kompaninë “KUK-COMMERC” .Kjo Kompani që nga viti 1974, filloi veprimtarin si punëtori e vogël zejtare e cila aktivitetin e vet e ka zhvilluar në një lokal të vogël me mjete të pakta pune.Fillimisht kishin një ofiçinë pune të vogël nga e cila kanë prodhuar dhe riparuar mjete bujqësore si sëpata, kazma, lopata, plugje dhe vegla pune për nevojat e fshatarëve etj. Pak ma vonë kaluan edhe në përpunimin e llamarinës duke punuar ulluqe për shtëpi, koftorë, shporta etj. Në vitin 1989 u regjistrua si ndërmarrje prodhuese tregtare me emrin “KUK-COMMERC”, dhe në radhët e saj u punësuan një numër i konsideruar punëtorësh, ndërsa tani në gjirin e vet Kompania ka më së 80 punëtor të kualifikuar në lëmit përkatëse. Sot , kjo kompani radhitët si kompani udhëheqëse në përpunimin e metalit në Kosovë si dhe në Ballkan. Në strategjinë e vet projektuese Kompania “KUK-COMMERC” ka shumë prodhime të llojeve të ndryshme. Në prodhimet e veta përdor materialin kualitativ, konstrukton dizajnë të kualitetit më të lartë dhe operon modele të ndryshme nga e cila mbetet edhe mirënjohës qe është një pjese e artit të kangjellave,rrethojave te oborreve , ballkoneve dhe stolisjeve tjera që janë vendosur në gjithë Kosovën . Në ballkonet e shtëpive të bukura dhe në rrethojat është njëri ndër prodhuesit e këtij arti pamor qe ka lënë gjurmë në shumë anë. Ofron çmime të volitshme, ofron punë të shpejtë dhe efikase, po mbi të gjitha ofron cilësi dhe profesionalizëm.
Me këtë strategji të punëve, prodhimet e shoqërisë “KUK-COMMERC” kanë arritur një kualitet të lartë të punës praktike me cilësi evropiane. Puna e tyre kualitative është ranguar në një pozicion të kënaqshëm në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar. Kompania është e pajisur shumë mirë me teknologji bashkëkohore dhe është e kyçur në të gjitha fazat dhe proceset e prodhimit, duke filluar nga vegëltorja deri te fazat finale të prodhimit. Prodhimet e kësaj kompanie janë të pranishme në shume amvisëri kosovare dhe hijeshojnë restorante ekskluzive, si dhe shumë objekte tregtare, shkolla, spitale dhe objekte tjera siç cekëm më lartë. Ndërmarrja gjithmonë është në trend me teknologjinë dhe standardet bashkëkohore. Reparti prodhues i kompanisë “KUK Commerc” në Prizren produktet e veta kryesisht i eksporton në vendet e Evropës Perëndimore. Pronaret e “KUK COMMERC”, janë zotuar se do të vazhdojnë edhe më tej me investimet e reja si në Fabrikën e Produkteve të Metaleve , po ashtu edhe në objekte të tjera të cilat funksionojnë në kuadër të Kompanisë“KUK COMMERC”.
Hoteli Arxhena është i vendosur në Brod, 12 km nga Dragashi, dhe ofron një shërbim turistik me një kapacitet të larte dhe specialitete tradicionale të kuzhinës kosovare. Një palestër, e cila ka sauna dhe banjo, është e lirë dhe e mire ,po shumë tërheqës. Kjo pikë turistike ka ashensor që ju ndihmon sportisteve dimëror në ski të ngjiten atyre bukurive të rralla në shpatet e maleve të Sharrit të vendosura pranë hotelit. Ai vend piktoresk i ndihmon turistet që të lidhen me rrjetin e internetit pa pagesë ne hotelin“Arxhena”.Të gjitha dhomat janë të pajisura me TV kabllor dhe një tavolinë pune. Banja private janë me një dush, tharëse flokësh dhe tualetin komplet. Në disa dhoma ka gjithashtu një minibar.
Hoteli “Arxhena” ka pajisjeve të skive, bar në hotel ka edhe shume lojëra. Për tu ngjitur atje lart në majet e këtyre bukurive që vetëm cicërima e zogjve dëgjohet dhe përplasja e reve në qiellin e pa konkurrent nga vargmalet që na shoqëruan deri aty. Ky vend ka bukurinë e vet mahnitëse në të gjitha stinët , që pos turisteve vendas josh turist e huaj. Një ambient malor me ajër të pastër dhe me një pamje atraktive larg zhurmave të qytetit që paraqet një bukuri natyrore dhe shumë të rrallë . Aty ju ofrohet trajtim i veçantë, i mbështetur në infrastrukturë të posaçme biznesi më shërbime private, salla takimesh,internet Wi-Fi, faks, shtyp, TV, telekonferencë etj. Gjithçka është aty për ju edhe privatësia juaj të mbetet e tillë qe kënaqësia tu takoj juve, ndërsa shërbimi , puna , mikpritja pronareve të Kompanisë ”KUK-COMMERC”. ‘Pronarët flasin pak, por ma te arsyeshëm janë me punë në praktikë. Do tu mbesim borxh, po qe nuk i prezantojmë pas këtij reportazhi. Ata janë projektuesit dhe investuesit Hekuran dhe Driton Arifi nga hotel “Arxhena”. Ata bene vet rrugën e shtruan pa ndihmën e as një metaliku nga Qeveria e Kosovës. Vizita jonë ishte miqësore me një pritje të zakoneve shqiptare .Aty shkëmbyem biseda , mësuam shumë gjëra mbi turizmin dhe vlerat e kësaj ane . Koha na erdhi shpejt për t’u ndarë . Me vështirësi ja kthyem shpinën kësaj mrekullie qe ajri i saj të shëron dhe pamja e saj të magjeps… U ndamë nga zoti Dritoni që ishte në Hotelin e tij në këto ditë të bukura dimri qe edhe prezenca e tuiristeve ishte mjaft e madhe nga të huajt. Atje ma bora ka kohë që e mban të mbështjellur këtë natyrë që vetëm vëllezërit Arifaj kanë ditë dhe kanë mundur ta zaptojnë dhe ta pushtojnë. Ata gërshetojnë punën e pa u lodhur duke e zbutur egërsinë e atyre maleve të bukura me turizëm , që nuk ja kanë lakminë as maleve piktoreske në Austri e Zvicër.

Filed Under: Reportazh Tagged With: asllan dibrani, NE BJESHKET MAGJEPSE, TE DRAGASHIT

Baza Ushtarake e Kepit të Palit, gatishmëri dhe operacionalitet në Adriatik

February 18, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Baza Ushtarake e Durrësit i ka fillesat e saj që në krijimin e Flotës Shqiptare më 25 dhjetor 1925, pasi dy anijet e para që u blenë në Itali u bregëzuan në portin e Durrësit, nga ku nën drejtimin e Kapidan Ahmet Kapidanit filluan ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Mbas clirimit u krijua një Komandë e vogël marine me komandant fillimisht zoti Celo Arëza dhe pastaj Kapiten Stavri Cika. Baza Ushtarako Detare Durrës{BUD}, u krijua mbi Bazën e Flotiljes së 66-të Luftarako-Detare si rezultat i riorganizimit të FLD, në tetor 1964. Në ditët e para të v.1965, mbrëmjen e 4 janarit, anijet dolën nga baza e Sazanit në një mot të trazuar dhe në agimin e datës 5 janar 1965 u bregëzuan në molin lindor të portit të Durrësit. Komandant i kësaj Flotilje u caktua Dashamir Ohri. Në maj të v.1971, mbas kryerjes së punimeve disa vjecare në Kepin e Palit, filloi zhvendosja e anijeve nga moli lindor i Portit në këtë bazë. Nga ky vit baza mori formë të plotë me infrastrukturë dhe anije, duke qenë një nga bazat më të rëndësishme të FLD. Në vite në këtë bazë kanë punuar, stërvitur e jetuar me qindra kuadro, detarë e specialist, të cilët e kanë mbajtur lart emrin e marinarit. Kuadro dhe mjete detare të asaj kohe kanë marë pjesë në stërvitjet më të rëndësishme të zhvilluara në rang Flote Luftarake, ndërsa marinarë të shërbimit të detyrueshëm mbas lirimit kanë plotësuar ekuipazhet e anijeve të Transportit Detar. Mbas viteve ’90 baza u bë protogoniste e aktiviteteve të para bashkëpunuese me Flotat Partnere të NATO-s, që nga zbatimi i embargos ndaj ishJugosllavisë deri tek stërvitjet e para paqeruajtëse, ku detarët tanë u vlerësuan për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar. Ngjarje me rëndësi për efektivin e Bazës ishte Vizita e ishSekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, të ndjerit Manfred Vërner, në mars 1993. Kjo ngjarje shtoi kurajon dhe vendosmërinë e detarëve për të arritur treguesit e standartet e Flotave Aleate. Në riorganizimin e këtij viti{1993} ishBUD-i u emërtua Distrikti i I-rë Detar i Forcës Detare, strukturë e cila u angazhua gjerësisht në zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura dhe me anije të vendeve anëtare të NATO-s për mbi dy dekada. Vitin e kaluar në këtë bazë u zhvillua finalja e stërvitjes “Albanian-Lion-2014”, me pjesmarrjen e trupave Shqiptare, Britanike dhe të FSK. Ndërkohë, në zbatim të misionit të tyre, efektivat e Distriktit Detar Durrës kanë zhvilluar dhjetra operacione kërkim-shpëtimi dhe të zbatimit të ligjshmërisë detare, kryesisht në zonën e tyre të përgjegjsisë, nga derdhja e Semanit deri në atë të lumit Buna. Zhvillimi, transformimi dhe modernizimi i Bazës ka ecur paralel me zhvillimin e Forcës sonë Detare. Gjatë këtyre viteve struktura e bazës ka ndryshuar dhe i është përshtatur koncepteve të reja për zhvillimin e Forcës Detare në projekte afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata. Aktualisht ajo funksionon si bazë detare, ku një personel kuadro dhe detarë profesionistë, bashkë me mjete detare të nevojshme kryejnë detyrat e caktuara dhe janë të gatshëm për cdo emergjencë ose fatkeqësi detare në rajonin e caktuar detar.
Punë, përkushtim e fillim të mbarë për zbatimin e detyrave të vitit 2015
Në një ditë të zakonëshme, baza zgjohet nga përhumbja e natës. Kuadrot dhe detarët i drejtohen anijeve të tyre për të provuar gatishmërinë ose për ti bërë shërbimet e radhës. Dikush sapo është kthyer nga lundrimi i radhës dhe con në vend pajisjet dhe mekanizmat para se të largohet, të tjerë kryejnë punime e riparime të ndryshme në godinat apo infrastrukturën e shtrirë të kësaj baze. Komandant i ri i Bazës, Kapiten i Rangut të III-të Besnik Cami, është caktuar në këtë detyrë fundvitin e kaluar. Ai vjen në këtë punë mbas një eksperience disa vjecare në det e kualifikimi të admirueshëm si kuadër. Kam shërbyer dhe më parë në këtë bazë, thotë komandant Besniku, ndaj tani përgjegjsia ime është e dyfishtë, duhet të përmirësoj shumë gjëra në këtë bazë, që më duken sikur janë lënë në harresë. Si Komandant i Grupit të II-të të Anijeve, bashkë më kolegët e mi së pari, tregojmë kujdes për gatishmërinë dhe mirmbajtjen e anijeve, thotë kapiteni. Kjo për faktin se nga dhjetori i vitit të kaluar dhe këto dy muaj të vitit 2015, anijet tona kanë patrulluar thuajse cdo ditë nga Semani deri në derdhje të lumit Buna. Jo thjesht prej grafikëve patrullues, por dhe për shkak të fatkeqësive detare, Anija “Iliria”, P-131, “Lissus”, P-133, P-04, P-01,{Archangel}, Motovedeta 118, 110, kanë patrulluar rregullisht për zbatimin e ligjshmërisë detare, verifikim, ndalim e gjobitje të peshkimit të paligjshëm, monitorim të trafikut detar, kontrolli i hyrje daljeve të anijeve të ndryshme, por dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në fatkeqësitë detare të fundit. Kështu vetëm në muajin dhjetor të v.2014, nga anijet e kësaj baze u përshkuan rreth 1244 milje lundrime. Pamvarësisht vështirësive, janë shtuar përpjekjet për eleminimin e difekteve të ndryshme në anije, për ti pasur ato të gatshmë për lundrim. Masat janë shtuar dhe për sigurinë e bazës dhe objekteve, krahas të tjerave, teknikët Lek Ndoi, Iljaz Kotobelli, etj, kanë siguruar ndricimin 100% të objekteve. Për realizimin e detyrave të shumta të këtij viti, ku përfshihen dhe disa stërvitje me partnerët e huaj janë përfshirë të gjithë kuadrot dhe detarët e bazës, por do vecoja kuadrot Edison Hoxha, Silvan Boni, Haki Stafa, Fredi Mara, Sabri Idrizi, etj. Gjithashtu pjesë e punës në bazë është përgatitja dhe kualifikimi i kuadrove dhe personelit, marrja e të drejtës lundrimore nga oficerët e rinj, psh. N/lejtnant Alban Ademaj dhe Jetnor Balla, por dhe shkëmbimi i përvojës së fituar nga kuadrot që kanë studjuar në akademitë e NATO-s, kryesisht në SHBA. Është fakt që me riorganizimin e ri, jeta në bazën e Kepit të Palit është gjallëruar. Për këtë ka ndikuar ndjeshëm Vendimi i marë nga Ministri i Mbrojtjes, Qeveria dhe Parlamenti shqiptar për thellimin e kanalit hyrës në basenin e bazës, i cili nuk është thelluar ka disa vite, duke vështirësuar hyrje–daljet e anijeve në Bazë. Vendimi i Qeverisë dhe caktimi i fondit për këtë projekt të vecantë ja ka shtuar besimin dhe përkushtimin në punë efektivit të bazës. Ata po punojnë intensivisht që baza në vitin 2015, të risë ndjeshëm kapacitetet operacionalë e prezencën e saj për cdo emergjencë detare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Baza Ushtarake e Kepit të Palit, dhe operacionalitet, gatishmëri, në Adriatik, Shefqet Kercelli

LEZHA- NJË VIZITË NË NJËRIN PREJ QYTETEVE ME TE VJETRA TE SHQIPËRISË

February 15, 2015 by dgreca

Shkruan: Sokol Demaku/
Me ftesë të miqëve lezhjan dhe anëtarëve të Shoqërisë Kulturore Artistike “Kastriotet” nga Lezha ishin në një vizitë pune përfaqësues të Qendres Kulturore Shqiptare “Migjeni” nga Borås i Suedisë ku në agjendë kishin njohjen reciproke dhe angazhimin e të dy palëve në realizimine projekteve madhore të përbashkëta në ruajtjen, kultivimin dhe prezentimin e vlerave të mirëfillta kulturore dhe gjuhësore në vendlindje dhe mërgatë.
Lezha është qytet në Shqipërinë veriore, vendasit e të cilit quhen Lezhjanë. Lezha ndodhet në një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për sa i përket klimës saj bregdetare. Bregdeti i detit Adriatik ndodhet jo më shumë se 8 km larg nga Lezha.
Pak fjalë mbi Lezhën
Qyteti i Lezhes-Qender Qarku e Prefekture me te njejten emer gjendet ne Shqiperine veriperendimore, afer detit Adriatik. Qyteti eshte themeluar ne vitin 385 para eres re nga Dionizi i Sirakuzes.Gjate tere periudhave, qyteti i Lezhes ka luajtur rol te vecante ne historine Iliro-Shqiptare. Vete pozicioni gjeografik ku shtrihet qyteti, se bashku me rrethinat e tij, ka bere, qe Lezha qysh ne lashtesi te jete nje nder qendrat tregetare e plotiko-ushtarake me te rendesishme. Lezha, nepermjet Portit te Shengjinit, ka realizuar ne shekuj shkembime te shumta ne fusha te ndryshme ekonomike e kulturore me boten e jashteme, duke ndikuar keshtundjeshem ne zhvillimin shoqeror. Eshte kjo nje nder arsyet qe, pikerisht ne kete qytet, ne momente te caktuara te historise sone jane organizuar aktivitete politiko-kulturore te livelit te larte kombetar, si : “Lidhja e Lezhes” ne vitin 1444, “Kuvendi i Arberit” ne 1703.
Lezha si qytet dhe biostrukturë përfaqëson diçka shumë të rëndësishme dhe të veçantë. Nga pikëpamja gjeometrike dhe ekologjike, Lezha, përbën një kaleidoskop të mrekullueshëm të natyrës, gati një lloj principate të pashembullt ekologjike, ku mali, fusha, pylli, monumentet arkeologjike dhe historike, laguna dhe deti përbëjnë një bashkësi të spikatur. Në këtë kuptim, Lezha, është e preferuara e shekujve, një sintezë e veprsës së natyrës e të njerëzve me një vesk të ndritshëm të historisë e artit. Në portat e Lezhës mund të hysh pa trokitur, dhe duke e njohur fytyrën dhe thelbin e saj, vetëm mund te magjepsesh pambarimisht.
Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve. Çdo tregim mitologjik për Lezhën i paraprin historisë së saj plot motive dhe kontraste nga më të ndryshmet. Jo më kot, kronikania dhe eruditja bizantine Ana Komnena, në shek. XII, e quan Lezhën një qytet të ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët. Nuk është thjesht metafore e skajshme, por vetvetiu çdo shikues mund t’a vështrojë Lezhën në lartësinë e historisë së saj, në ajrin e shekujve si të dale nga frymëmarrjet poetike të poetit Ndre Mjeda, që ka shkruar mrekullisht për Lezhën. Ku nga të kater anët, të rrethojnë metaforat e historisë; çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron vetë sekreti i mbijetesës.
Katedralja e Shen Nikolles
Katedralja e Shën Nikollës ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Kjo katedrale, ne shek. XVII, qe shndërruar ne xhami. Themelet e saj janë të shek. XIV, katedralja është e tipit bazilikë me gjatësi 17 m dhe gjërësi 8 m. Ruhet në muret e saj një afresk i Shën Nikollës. Sot rrënojat e Katedrales së Shen Nikolles janë shruar në memorialin e Gjergj Kastriot Skenderbeut, padyshim një nga monumentet më të mëdha të historisë kombëtare të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Sipas studjuesit A. Mutjakoviç, mbështetur në disa dokumente shkrimore të arkivave të Raguzës, del se Andrea Aleks Durrsaku, skulptor dhe arkitekt gjenial i të ashtuquajturës Rilindje Dalmatine është me origjinë e të pareve të tij nga Lezha.
Në ftesë të Shoqësisë kulturore artistike “Kastriotet” nga Lezha këto ditë në këtë qytet tëvejter dhe historik qendruan anëtar të kryesise se Qendres Kulturore shqiptare Migjeni nga Borås i Suedisë.
Qëllim i i viztës ishte njohja me punën e kësaj shoqërie si dhe mundësit e bashkëpunimit të dy këtyre shoqërsive kultutore mes vete në lamin e kulturës, traditës, gjuhës.
Vizita filloi me një takim rasti në Drejtorin Rajonale të Arsimit të Lezhës ku me ketë rast na priti drejtori i kësaj drejtorie Bardhok Pulaj. Një bisedë vëllezerore me lezhjanët rreth arsimit në këtë qytet dhe punës që bëhet në këtë drejtim. Në bisedë me te Hamit Gurguri prezentoj punën që bëhet në mërgatë konkretisht në Suedi nga poet, mësues dhe inetelektual në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatë, për cka tek miqtë tanë ishte një kërsheri e madhe se si arrihet në mërgatë që me aq dashuri të ruhet dhe kultivohet gjuha dhe kultura shqipe. Mësuam këtu se shkollat nëntevjeqare nga Tirana dhe ajo nga Lezha me emrin e patriotit të madh lezhjan Gjergj Fishta për nder të mysafirëve nga Borås në foajen e Bibliotekes së qytetit Lezhë e cila poa shut mba emrin e poetit dhe patriotit të madhe shqiptyar Gjergj Fishta kanë organizua ekspozitë me punime nxënësish që do prezentohet në këtë kuadër. Edhe ne ishim prezent në një manifestim të tillë i cili na la pershtypje të mëdha në prezentimin e artit pamor nga ana e nxenësve të ketyre shkollave që nga klasat e gjashta deri në ato të nënta. U tha si nga Drejtori i Drejtorisë Arsimore Bardhok Lulaj njashtu edhe nga drejtori i shkolles Gjergj Fishta nga Tirana Faik Maqellara se kjo traditë do vazhdoj dhe se në te do perfshihen edhe shkollat e Republikës së Kosovës që mbajn emrin epatriotit dhe poetit të madh të kombit Gjergj Fishta.
Ishin të pranishëm në ekspozitë nxënës, mësues, qytetarë, poet dhe mysafirë si nga qytete për rreth njashtu edhe ne nga Suedia e largët. Ishte kënaqesi të jesh pjesë e një venementi të tillë ku fëmijët me punën e tyre krijuese rrefejnë ndjenjat e tyre për shkollën , atdheun, kombin si dhe ata të cilët në kohët më të veshtira bënë shumë per vendin dhe popullin tonë. Shkrimtari dhe publicisiti Hamit Gurguri ishte mjaft aktiv dhe në bisedë me nxenës prezentoj ate që edhe fëmijet tanë edhe pzse larg vendlindjes, larg atdheut edhe ata angazhohen në këtë drejtim dhe kanë rezultate të lakmueshme.
Me të përfunduar të ketij evenementi mjaft të bukur të nxënësve tironas dhe atyre lezhjanë ne vizituam Katedraljen e Shën Nikollës e cila ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Në te ruhet kujtimi për heroin kombëtar dhe bëmat e tij në kohën e mesjetes në Shqipëri. Ishte kënaqesi për ne që të mësojmë më shumë për rolin e Kuvendit të Lezhës, Lidhjes së princërve shqiptar mbajtur në Lezhë në kohën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut. U tha se këtu gjatë vitit parakalojnë pothuaj se të gjithë maturantët e shkollave të mesme nga të gjitha trojet shqiptare, por është me shumë vlerë dhe rëndësi se interes për të vizituar këtë vend të shenjtë ka edhe nga shtete fiqnje por edhe nga vende dhe shtete të ndryshm e nga mbarë Europa.
Lezha një perlë në hartën e Shqipërisë, një vend i vogël në veriun e këtij vendi ka rolin dhe rëndësin e veqant në historinë tonë kombëtare duke filluar që nga koha e msjetes e deri ne ditët bashkëkohore. Duhet përmendur këtë edhe poetet e mëdhenje dhe patriotët si Gergj Fishta dhe Don Ndre mjedja të cilët me punën e tyre ngritën lartë gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare në kohën e duhur.
Njeriu do ketë rastin dhe mundësinë të njihet me të kaluarën tonë të lavdishme e cila edhe sot mban gjallë dhe ruan atë vlerë humane të kombit tonë. Janë këto deshmi se një kulturë e lashtë e një populli të lashtë është edhe sot këtu dhe është një udhërrefyes për një të ardhme të nditur të popullit tonë. Dhe se si u degjua edhe këtu me të vertetë kjo është gur themel i zhvillimeve pozitive të shoqerisë shqiptare.
Pas dita ishte rezervua për një takim pune në lokalet e Shoqërsisë Kulturo Artistike “Kastriotet” të Lezhes ku na prisnbin udhëheqja e kësaj shoqërie me traditë të pasur në zhvillimin dhe ruajtjne kulturës dhe traditës shqiptare.
Në bisedë me ta ku ishte Kryetari i ShKA “Kastirotet” Pash Ndoci, sekretari Gjon frroku si dhe shume anëtar të kesaj shoqëria u pa se egziston një qendrim i përbashkët dhe se mundësit janë për një bashkëpunim të shendosh në ruajtjen dhe prezentimin e kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptyare si në vendlindje njashtu edhe në mërgatë. U pa se mundësit jane dhe se edhe kushtet për një bashkepunim të tillë egzistojnë nga të dyja palët si nga ana e Shoqërsië Kulturore Artisitke “Kastriotet” njashtu edhe nga ane e anëtareve dhe udhehqjes së Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni në mërgim konkretisht në Borås të Suedisë. U tha se do punohet në realizimine projekteve të perbashketa në prezentimine kulturës dhe traditës shqipe në te ardhmen.dhe se ky bashkëpun im do jetë i sukseshëm si cdo tjeter deri me sot.

Filed Under: Reportazh Tagged With: LEZHA- NJË VIZITË, ME TE VJETRA, NË NJËRIN PREJ QYTETEVE, Sokol Demaku, te Shqiperise

Histori përmbi Mamushë

February 7, 2015 by dgreca

Nga Zina Tosku/- Një hark në formë kulle qëndron para nesh. Poshtë gjallon rruga që lidh Prizrenin e Kosovës me komuna të tjera . Çuditërisht, zhurma e makinave duket sikur zbehet në rrugën dytësore ku ndodhemi.
Jemi në Mamushë, komuna e vetme turke në Kosovë, ku 98 % e banorëve janë turq. Jeta aty është identike si në Turqi. Mbi harkun e kullës lexojmë mirësevini në Mamushë. Na thonë se ky hark në anën e kundërt shkruan po të njëjtën gjë por në gjuhën turke.
Në ballkon të çdo shtëpie valëvitet flamuri turk, në çdo shtëpi dhe në rrugë flitet turqisht dhe nga minaret pesë vakte këndohet ezani. Mamusha ngjan si një kala, sapo hyn në territorin e saj.
Mamusha ndodhet në jugperëndim të Kosovës, në pikëbashkimin e komunave të Prizrenit, të Suharekës dhe Rahovecit në largësi prej 16 km nga Prizreni. Vendbanimet fqinje të Mamushës janë Novaku, Smaçi, Medveci, Pojani, Nëpërbishti, Tërrnja, Retimja dhe Optorusha. Me një popullësi prej 6.300 banorësh e me një sipërfaqe prej 23 km katrorë, Mamusha është terren krejtësisht i rrafshët .
Askush nuk e di me saktësi por ka dy tregime në lidhje me toponimin e Mamushës. Thuhet se është dhënë urdhër për themelimin e fshatit nga mbreti sultan Mahmudi 2, ku fillimisht emri i fshatit ishte MAHMUTSHAH dhe me kalimin e kohës u shndërrua në Mamushë.
Të tjera tregime lidhen me Mahmut Pashën mytesarifin e Sanxhakut të Prizrenit, periudha e qeverisjes së Mahmut Pashës rastis në kohët e themelimit të fshatit dhe emri vendbanimit vjen nga emri i tij.
Me rritjen e numrit të banorëve pas themelimi të Mamushës, janë ndërtuar edhe objektet e nevojshme. Emin Pasha e ka ndërtuar ujësjellësin për Mamushë,kurse vëllai Mahmut Pasha e ka ndërtuar kullën e sahatit.
Sipas tregimeve, këmbana zëri i së cilës dëgjohej në distancë deri në 20 km ishte pasuri lufte e fituar në betejën e federevës dhe se pas luftës ballkanike më 1913, serbët e çmontuan këmbanën dhe e derguan diku tjetër. Familjet në Mamushë emërtoheshin me emrat e kryefamiljarëve. Deri më 1960, në fshat ekzistonin vetëm gjashtë mëhalla, si mëhalla Potokut, mëhalla e Mesme etj.
“Turqit e Mamushës, më 1999 e shkruan eposin më të madh në historinë e tyre”, na tregon shoqëruesi ynë.
A thua vallë çtë ken bërë për të madhe këta të Mamushës?
Rreth 45 mijë shqiptarë nga fshatrat fqinje arritën t’i ikin plumbave serbë dhe të strehohen në Mamushë.
Serbët hezituan të ndërrmernin ndonjë aksion ushtarak ndaj Mamushës, ndoshta se pas tyre ishte Republika e Turqisë. Por pas një kohe erdhën në fshat dhe filluan të bëjnë pazare me fshatarët e saj
Mamushasit u thanë serbëve se nuk pranonin te dorezonin shqiptarët dhe se ata pranonin të lejonin shkuarjen e mysafirëve vetëm nëse ju jepnin garanci se në mënyrë të sigurte dhe nën mbikëqyrjen e vëzhguesve do të transferoheshin në kampe në Shqipëri.
“Po po serbët u detyruan të pranojnë këtë kusht dhe në këtë mënyrë 45 mijë shqiptarë u shpëtuan nga mamushasit.
Të rinjtë e Mamushës
Këta janë njerëz të qetë e të qeshur. Këtu tradita e të kënaqurit kur të troket dikush në shtëpi nuk ka humbur ende. Në fillim miqësohemi me kryetarin e komunës së mamushasit Arif Butuç , i cili herë pas here e ndërpret bisedën me sytë e ngulur me merak nga të rinjtë e aktivizuar për herë të parë në këshillin rinor.
Na rrëfen historinë e fshatit. Jemi se bashku me të rinjtë, mes tyre edhe një vajzë me emrin Muala Berisha.
Ajo tregon sesi ka marë iniciativën e para për të qënë pjesë e këshillit të komunës, në një vend ku vajzat dhe femrat nuk dalin.
Me këmbënguljen e organizatës Worl Vision u arrit të krijohej ky këshill rinor, i cili nëpërmjet trajnimeve, aktiviteteve kërkonte të përfshinte femrat në jetën social-kulturore.
Të dalësh kundra rrymës së familjeve tejet konservatore të vajzave që qëndrojnë në shtëpi, e të marësh pjesë në trajnime të ndryshme të projektit që organizata world vision paraqiti në këtë komunë, ishte e guximshme, nga ana e saj.
Ndërsa na shërbejnë çajin e zi në zyrën e zotit Butuç, Muala tregon lumturinë dhe kënaqësinë e saj , për faktin që ishte e para pjesë e kësaj lëvizjeje në komunë. Tanimë sekretare në komunë, Muala e veshur me një xhup blu , më xhinse të ngushta, buzëqësh ndërsa tregon, ndoshta pak nga ndrojtja apo ndofta nga lumturia dhe dëshira e madhe për të ndryshuar mentalitetin.
“Në fillim isha e vetme por duke shkuar shtëpi më shtëpi, ne arritëm të mernin vajzat nga shtëpia, për ti treguar që trajnimet e World Vision apo aktivitetet nuk kishin asgjë të keqe”.
Për Mualën, gjashtëmbëdhjetë vjeçare ishte paksa më e lehtë sesa vajzat e tjera të ishte pjesë e këshillit Rinor Lokal, pasi edhe familja e saj ndodhej jasht vendit, e ndofta kjo një tjetër arsye për të shtuar dëshirën e madhe të saj për të qënë aktve. Muala, kishte marë një ftesë nga Mirat Bytyç, për të qënë pjesë e këshillit rinor dhe ajo kishte qënë femra e parë.
Tanimë, me këmbënguljen e saj janë tetë femra pjesë e këtij këshilli.
“Ka qënë e vështirë pasi prindërit e kishin të vështirë të pranonin se vajza e tyre të mund të dilte nga shtëpia” por duke ia shpjeguar se nuk kishte asgjë të keqe të ishe pjesë e trajnimeve të world Vision filluan të kuptonin më shumë dhe të lejonin vajzat e tyre. Kryetari i Komunës, ndërsa na tregon për Mamushën, ai thote se familjet në Mamushë janë aq shumë koservatore saqe deri para disa vitesh e kishin shume të vështirë të vazhdonin universitetin vajzat.
“Tash kemi mundur të dërgojmë për të vazhduar universitetin në Stamboll 150 vajza”, thotë Butuç. Falë mbështetjes që u është bërë të rinjve të Mamushës , të rinjtë kanë filuar të kuptojnë të drejtat e tyre.
I riu Mirat Butuç tregon sesi kanë ndryshuar një element në shkollën e Mamushës. Falë iniciativës së tyre, një mësues që jepte një lëndë në shkollë nuk ishte kompentent në atë lëndë mësimi dhe kjo u ndryshuar. Falë këmbënguljes së të rinjve dhe trajnimeve të ëorl vision, ky është viti i parë që komuna e mamushës mer buxhet më vete për të rinjtë.
E ndërsa, Muala buzëqesh lehtë tek dëgjon kryetarin e komunës, tanimë ajo gjen akoma më shumë mbështetje për ti treguar komunës së saj, që femrat sikurse kanë nevojë të ushqehen, të shkollohen e martohen, ato kanë po të njëjtat të drejta për të jetuar sikurse meshkujt.
E ndërsa largohemi nga zyra e zotit Butuç, mirësjellja e tyre dhe përshëndetja në turqisht e shqip na jep idënë e dy kombësive ose më saktë e dy kulturave që janë përshtatur aq bukur me njëra tjetrën. Ndonëse sot, për Mualën ishte e lehtë dhe e bukur për të na përcjellë, dje ishte e pamendueshme të mund të ishte pjesë e këshillit rinor, për një komunë, një komunitet që ende flet me gjuhën e fanatizmit. Muala, dha veten për një mundësi edhe për të tjerët.
Në Vushtrri
Nën ftohtësine e klimës së komunës së Vushtrisë në Kosovë, takojmë Vlora Krasniqi. Dhe ajo si Muala në Mamushë, është jo vetëm aktiviste në qytetin e vushtrrisë por edhe kryetare e Këshillit Rinor Lokal në këtë zonë.
Një projekt ky i World Vision dhe i mbështetur nga organizata të tjera për ngritjen e kapaciteteve brënda këshillave rinore duke i trajnuar sidomos në menaxhimin e projekteve e zhvillimin organizativ.
Vlora na tregon se edhe për të nuk ishte e lehtë në një qytet si Vushtrria, pasi njerëzit janë të parët për të paragjykuar, për të qënë koservatore dhe jo aktivë ne jetën sociale. Sigurisht që për Vlorën, do i duheshin ide dhe energji për të organizuar takime me të rinjtë, aktivietete të ndryshme, energji pozitive që Vlorës nuk i mungon. Me një qëndrim dinjitoz e të fortë, Vlora tregon sesa ka organizuar një fushatë sensibilizuese për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Ide e bukur, të mund të marësh nga dikush një cigare duke e pire dhe duke i dhënë në këmbim një kokërr mollë.
Si simbol i jetës së shëndetëshme për Vlorën tanimë, fushatat ndërgjegjësuese janë bërë pjesë e jetës së saj. Pyetjes nëse ajo ka qëllime të larta në jetë, ajo u shpreh se “tash për momentin un dua të aktivizoj venin tim, çikat për të aktivizuarr jetën sociale në qytet”, par ma nej , nuk di ça me thon”.
Në kuadër të këtij projekti për të zhvilluar jetën sociale në Vushtrri, është hartuar dhe manuali i brëndshëm i funksionimit të këshillave si dhe është krijuar një traditë e takimeve të rregullta mujore si këshill edhe me pushtetin local. Organizata World vision ka mbështetur në kosovë përveçVushtrrisë dhe Mamushës, edhe tetë këshilla të tjerë rinore.
Projektet janë financuar nga Bashkimi Evropian dhe ka zgjatur pothuajse dy vite me rradhë.
Për Vlorën, të qënurit kryetare nuk është një privilegj që e ka gjetur të gatshëm por një mundësi që ajo ja ka krijuar vetes dhe çdo moshatareje të saj që kërkon të shohë ëmbëlsinë dhe bukurrnë e të jetuarit në mënyrë të barabartë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Histori përmbi Mamushë, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT