• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KONTRIBUET PËR PËRURIMIN E SHTËPISË MUZE TË HOTIT: DT. 16. GUSHT 2024

August 16, 2024 by s p

KISHA E FISI HOTIT PËR ZOT ATME E PËRPARIM

Shënime etno-gjeografike

Ne kontekstin etno-gjeografik Malësia e Madhe, si krahinë me një lidhje të brendshme natyrore, territoriale dhe shpirtërore e kombit shqiptar, shtrihet në skajin më verior të Alpeve Shqiptare. Si krahinë e veçantë etno-gjeografike, së bashku më Malësinë e Vogël, apo Malësia e Gjakovës, në shekujt XIII-XIV, përfshinte territorin e njësisë kishtare të Dioqezës së Pultit (Pullatum) antik.

Me daljen në skenën politike të principatës së Dukagjinasve në shek. XIV me qendër në Lezhë, dhe zgjerimin e saj në territoret përreth duke përfshirë Pukën e Mirditën dhe disa pjesë të Kosovës, Malësia – pra dioqeza e Pultit, tashme filloi të përmblidhej, në jug kufizohej nga dioqeza e Arbërit, veri lindje nga Arqidioqeza e Shkupit, përkatësisht dioqeza e Prizrenit dhe perëndim ajo e Shkodrës. Malësia, duke u tkurrur i kishte lëshuar vend, principatës së Dukagjinasve (Leknisë). Kështu, kjo ngjarje bëri që në shekujt XVI-XVII, Malësia si njësi etno-gjeografike, nga një territor shumë i gjerë, shndërrohej në një rajon mjaft të përmbledhur.

Sipas relatorëve të Selisë së Shenjtë, të cilët këtë krahinë në të shumtën e rasteve e regjistronin si dioqezë, Malësia si territor shtrihej, deri aty ku sot shtrihen 12 fiset apo Malet e Malësisë, në të dy shtetet: Shqipërisë dhe Malit të Zi. Dhe më konkretisht bëhet fjalë për: Hotin, Pipërrin, Vasojeviqët, Krasniqen, Kuçin, Kelmendin, Kastratin dal nga Drekalët, (Durham) Shkrelin, Grudën, Triepshin, Gashin dhe Bytyçin, si dhe për disa fise të tjera të moçme të cilat më parë qenë sllavizuar.

Më sllavizmin e fiseve Shkëmbor, në shek. XVII-XVIII: Pipërrit. Vasojviqëve, Kuçit, (ku mbeti shqiptare vetëm Koja e Kuqit), Drekaloviqëve dal nga Berisha, Bjelopavliqëve, (Palabardhesit), këto fise braktisen sistemin e lidhjeve fisnore dhe territoriale të Malësisë së Madhe, duke u shkrirë më fise malazeze.

Hoti dhe gjeneza e tij

Hoti,(Otti, Chioti, Coti, Octi), sipas studiuesit kroat, Milan Suffly, bënë pjesë në fiset më të vjetra në veri të Shqipërisë. Prejardhjen e tij, thotë, Sufflay, duhet kërkuar ndërmjet Plavës dhe Gucisë, në lumin Lim, qe në vitin 1330, me emrin Hotina Gora, apo Mali i Hotit (Kuj i Hotit). Edhe pse ka mendime të shumë studiuesve se Hoti, duhet të ketë prejardhjen nga fiset dalmate apo vendet e Hercegovinës si vende Ilire, kjo nuk bie ndesh me tezën e Sufflayt, për truallin vjetër të Hotit, nëse kemi parasysh se Hoti dal nga Lezer Keqi, apo i biri Gegë Lazri, të bij e të cilit përveç Hotit, mendohet të kenë prejardhjen, Pipërri, Vasojeviqët, Krasniqa (Nikaj,Mertur) Gruda, Trijepshi, Këto fise si territor shtriheshin deri në Plave e Guci. Me vonë mund të këtë pasur lëvizje dhe shkëmbin tokash ndërmjet vëllezërve të një gjaku. Por, që fisi është i kohës se mesjetës, shek. XIV, ketë mendim e ndaj të gjithë studiuesit dhe udhëpërshkruesit e kohës, si: Jeriçek, Sufflay, Durham, Cozzi, Valentini, etj.

Nga dokumentet e kohës, del se fisi Hotit, që motit ka luajtur një rol të rëndësishëm me pjesëmarrje, në beteja të përmasave ndërkombëtare. Ajo kodrinë e Hotit, pra banoret e saj në vitin 1416-1417, gjenden në shërbim të ushtrisë së Venedikut, kur disa hotën u rebeluan nga Ballshajtë për të gjetur strehim pranë Venetëve të Shkodrës. Në dokumentet Venecian në vitin 1416, figuron emri i prijësit Andrea Hoti, i cili s bashki me fisin e tij u benë aleat të vyeshëm të kësaj republike, në luftërat kundër Ballshajve, 1416-1418, çfarë si shpërblim morë Rranzat e Mbishkodrës, ku pak a shumë përputhet me territorin e tyre aktual, midis malit të Veleçikut dhe Liqenit të Shkodrës, thuhet ne dokumentet e kohës. Personi me i spikatur dhe patriot i Shqipërisë, në vitin 1434, veçohej kapedani (capitaneus montanee Ottorum) Junch Hoth.

Në kohen e Stefan Gojçinajt (Çernojeviqëve), Atë Giuseppe Valenti, shënon se në vitin 1474, Hoti shfaqet si malësi, ose thënë ndryshe si fis kompakt, duke kërkuar të bien në një ujdi të re me Venecianët për tokat shqiptare me rastin pushtimeve osmane. Madje në ketë kohë, pasi osmanet pushtuan Malësitë, Hoti kishte filluar të emigroj për herë të parë në krahinën e Sicilisë, pasi aty gjendet mbiemri Hot. Për këtë dukuri, mjerisht nuk kemi informacionet e mëtejshme.

Në dokumente del se Hoti si dhe fiset të tjera kanë pasur brenda tyre dhe familje anas, pra ardhura nga vende të tjera. Durham, duke u mbështetur në dëshmitë e të urtit Marash Ucit, dëshmon se Hoti kishte 12 shtëpi te tilla dhe se mund të martoheshin me paraardhësit e Gegë Lazrit.

Hoti – Bashkësi Fetare

Hotin në rrjedhat e historisë, duhet trajtuar si Fis – njerëz të një gjaku dhe Bashkësi Fetare – Famulli, banor të lidhur nga ana idealit shpirtërore rreth prijësit të tyre famullitarit cili ishte simboli i unitet të shtëpive dhe banoreve të një fisi. Prandaj, Etërit shpirtëror, shquhen si autoritete më të larta të ndergjegjës njerëzore. Kjo formulë, ka qenë e zbatueshme dhe e vlefshme për të gjitha fiset dhe famullit.

Shënimet për ekzistencën e Kishave si objekte fetare në kohën Romake, i gjejmë të konsulli austriak, Theodor Ippen, i cili dëshmon se vende të tilla në krahinën e Hotit, janë: Drume në vendin Vitoj, Krevenicë, Kushe, Vuksanlekaj etj. Një shënime të me vonshëm me interes, jep Ippen duke u shprehur se, në krahinën e Hotit në anën perëndimore të Spijës, në vendin Qafkishë nga e cila zbritet për në Tuz, gjenden rrënojat e vjetra të varrezave dhe nen gërmadha, ndodhej planimetria e një Kishe dhe një fragment 90 cm i gjatë, ku në një arkitra, është një mbishkrimi i cili lë të kuptohet se është i vitit 1500. Në bazë të shkrimit kuptohet se ka pas një murg dhe një Kishë-kapël.

Shumë studiues dhe relatorë evidentojnë se Hoti ka pasur dy qendra kishtare, Traboini dhe Rapsha. Sipas Nopcsës, biri i Gegës, Pjetri themeloi Traboinin dhe biri tjetër Gjoni, Laj dhe Ymni janë te paret e Rrapshës. Të paret e Gjonit veçanërisht jetonin në Brigje. Sipas gojëdhënës ndarja ka ndodhur para 12 brezave, dëshmon Nopcsa. Kurse, Vuksan- Lekaj është shkëputur nga Traboni rreth vitit 1788. Valentini, këtë ndarje e përcakton, të ketë ndodhur që në vitin 1520.

Shënime për ndarjen e Hotit në dy pjesë na i sjell edhe provinciali etërve françeskan, Lovro Mihaçeviq, në vitin 1908, i cili shprehet se Hoti i ndarë në dy famulli kishte objekte e tyre kishtare. Rapsha, kishte dokumentacioni kishtar që në vitin 1699, dhe përbehej nga 6 fshatra me 1.838 banor. Traboini i vendosur në rrëzën e malit Bukovik, si famulli figuronte që nga vitit 1648, e numëronte 9 fshatra me 1.276 banorë. Kurse, Famullia e Vuksan– Lekaj e përberë nga hotjanët e themeluar në vitin 1908, kishte 5 fshatra me 397 banorë. Megjithatë edhe pse i ndarë, nëpër tubime nder fisnore figuron një bajraktar i vetëm, ku Rapsha është konsideruar si kuvendi i gjithë fisit, në krye me Deli Metën apo me vonë me Çun Mulën.

Hoti në përballje me historinë

Fisi i Hoti i pari nder bajraqet e Malësisë, i nxitur nga nacionalizmi dhe forca e brendshme shpirtërore, gjatë pushtimeve osmane (1479-1912) të lidhur më besën e Zotit dhe të Kanunit, tregoj një forcë dhe diplomaci të pashembullt në luftërat çlirimtare, në ruajtjen e vetëdijes kombëtare dhe të fesë katolike në Shqipërinë e Veriut. Si i tillë bie në sy të relatorëve të Selisë se Shenjte, në beteja të zhvilluar për lirin e vendit nga pushtuesit osman, pas rrënjës se Shkodrës në vitin 1479, si qendër e rëndësishme katolicizmit shqiptar.

Pas organizimit të administratës si dhe vendosjes së sistemit feudal ushtarak të timarit, filloi edhe odiseja e Malësisë së Madhe dhe katolicizmit si forcë shpirtërore e tyre. Forcat ushtarake osmane, pasi kishin marr Shkodrën në vitin 1479, pikësynimin të tyre kishin për të nënshtruar Malësinë. Sipas njoftimit të Defterit të Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1485, fiset e Malësisë së Madhe: Hoti, Shkreli, Kastrati dhe Gruda etj., pas betejave të ashpra të zhvilluara kundër pushtuesve osman, në pjesën më të madhe qenë nënshtruar nga sunduesit, por ato asnjëherë nuk u pajtuan dhe nuk benë kompromise më pushtuesin gjakatar.

Burimet historike na tregojnë se Hoti, së bashku më fiset katolike të lartpërmendura, si dhe më Pipërrin, Kuçin, nga ditët e para bënë rezistencë aktive ndaj evazionit osman. Për këtë qëndrueshmëri të malësoreve dëshmon edhe relatori i Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi i Tivarit, Marin Bici (1608-1624) në relacionin e vitit 1610.Për një gjë e tillë mësohet edhe nga vizita e tij bërë tek papa Pali të V, më 11 dhjetor të vitit 1618, ku Bicci, ndër të tjera shkruan: se, “fiset e Malësisë së Madhe, si Kelmendi, Gruda, Hoti, Kastrati, Tuzi, Shkreli etj., janë vetëm të besimit katolik, përveç të gjysmës së Kuçit të cilët janë të besimit ortodoks dhe së malësorët jetojnë në bjeshkët e papërshtatshme, bëjnë rezistencë të madhe dhe asnjëherë nuk u janë nënshtruar turqve”.

Selia e Shenjtë, për ta mbajtur në mbikqyrje situaten, edhe pas Biccit, ka dërguar vazhdimisht vizitorët e vet në trevat shqiptare.

Sipas relacionit të Imzot Stefan Gasprit të vitit 1657, dërguar Selisë së Shenjtë, mbi viziten e bërë në Shqipëri, gjendja fetare në mesin e shek. XVII në Malësinë e Madhe, ishte si vijon: Malësia e Madhe si krahinë etno-gjeografike, i takonte, Dioçezës së Shkodrës, dhe përbehëj nga disa famulli, ku në krye të tyre ishte famullia e Hotit e cila sipas relatorit, kishte 130 shtëpi dhe 700 besimtarë dhe Kisha ishte kushtuar Shëna Prenës Martire.

Në shekullin e XVIII, për shkak të ekspansionizmit të sunduesit dhe përhapjes së fesë islame më anë të shpatës e nëpërmjet mjeteve të tjera shtrënguese, gjendja fetare në Malësinë e Madhe, kishte ndryshuar për të keq. Sipas, relacionit, vizitorit të Selisë së Shenjte, kryeipeshkëvit të Tivarit, Vinçens Zmajeviqit, shqyrtuar në Kongregatën për Ungjillëzim (Propaganda Fide) në vitin 1703/04, kishte filluar zbritja e numrit të besimtarëve të fesë katolike, të cilët kishin ngelur akoma në famullitë e Malësisë se Madhe. Hoti si fis i përberë nga dy famullit kishte: 141 shtëpi katolike më 1405 besimtarë dhe 5 shtëpi të islamizuara me 88 besimtarë. Në relacion bie në sy shënimi, ku islamizimi në famullit të tjera kishte marr hovë edhe me tepër se sa në famullin e Hotit.

Të dhenat për numrin e shtepive dhe banorëve në mbarim të shekullit XIX, duke mos evidentuar ndarjen fetare, jepen nga shumë autor të njohur, si: Wiet, 405, shtepi, Hecquard 450, Hahn 403, Pisko 400, Baldaci 500, etj., po keshtu edhe numrin e banorëve: Karaezav, 4000 banor, Hecquard, 1100, Hahn, 2500, Lippich 4180. Baldaci, 4500, etj,. Kurse, Nopcsa mendon se jane 4000 banor. Edhe keto shenim janë një tregues, se sa ndikues ka qenë Hoti edhe në qarqet nderkomebtare.

Islamizimi i Hotit

Perandoria osmane, meqenëse qe krijuar në baze të Sheriatit islamik, krahas oreksit pushtues, si synim kishte dhe përhapjen e besimit islam.

Më rastin e pushtimeve të trojeve shqiptare, Perandoria, solli me vete pos dhunës edhe besimin islam, duke ia imponuar shqiptarëve këtë besim të ri në forma të ndryshëm. Kjo gjë solli kundërshti të mëdha nga banorët vendas, duke e konsideruar pranimin e islamit si tradhti ndaj Zotit dhe kombit dhe vlerave biblike të trashëguara që në kohen Ilire. Preh këtij imponimi qe dhe fisi i Hotit, i cili i brez pas brezi, e ushtronte besimin e Kishës Katolike Romake.

Gjenezën e islamizimit në Hot, relatori dhe studiuesi Nopsca, e lidh më pasardhësin Ujkë Luca, i cili njihej si personi që ndihmoj ushtaret turq në vitin 1696, të mund kryengritësit shqiptarë në përpjekje për ta çliruar Ulqinin. Prandaj, thotë Nopcsa, Hotjanet të cilët çmoheshin në kohen e turqve si bajraku i parë i Malësisë se Madhe, si heronj të tyre kishin Ujk Lucën, i cili tek në vitet në vazhdim ishte islamizuar, duke përfituar privilegje të mëdha nga Pashai i Shkodrës. Ky islamizim sipas, Nopscës, nuk solli përçarje brenda fisit, sepse Ujkë Luca edhe pse ishte islamizuar e vazhdoi zakonin e çdo bajraktari qe festonin Shën Gjonin (Kryeprem) me 29 gusht, duke marr pjesë në meshë dhe duke shtruar gosti për miq.

Albanologu, Giussepe Valentini, duke shpjeguar se nga erdhi, qe bajraktari i Hotit të jetë i besimit mysliman, jep një variant të pranueshme. Ai, shprehet se disa familje hotjane të konvertuar me parë në myslimanë, (ndoshta nga koha e Ujkë Lucës) arritën në fillim të shekullit XIX, të fitojnë përfaqësimin e interesave të fisit Hoti pran Ibrahim Bushatliut, vezirit të Shkodrës, me titullin e Byllykbashit në personin e Hasan Agës. Valentin, është i mendimit se nga kjo familje besohet se rrjedh ajo e bajraktarit të sotëm të Hotit, Deli Meta e më vonë Çun Mula, qe janë mysliman në një bajrak katolik.

Gjithsesi, pavarësisht nga ndryshimi i feve, të gjitha familjet e Hotit konsiderohet të një gjaku, thekson Valeniti.

Në kohën kur po kryhej pozicionimi i popullit shqiptar, gjatë viteve 1878-1913, sipas burimeve austro-hungareze gjendja e islamizimit në Malsinë e Madhe, sipas përqindjeve ishte: Kelmendi në vitin 1901 të islamizuar 3-4 %, ; Gruda, në vitet 1900, islamizuar afro 60 %, ; Kastrati, 1878-1901, islamizuar, 14-20 %,22 ; Shkreli, viti 1904 islamizuar 16 %, ndersa, Hoti, pjesa e Traboinit në vitin 1901, kishte vetem 50 persona mysliman, kurse Rashpa, kishte 3%, të islamizuar. Kjo është një tregues, se islamizimi i bajraktarit të Hotit, me tëpër ka qenë një formalitet apo diplomaci, se sa një bindje fetare e tij.

Hoti në vitet në vazhdim

Në vitet kur përcaktohej fati i shqiptareve, si në Lidhjen e Prizrenit 1878, kryengritjet e Malësisë se Madhe, 1910-1912, Konferencën e Londrës 1913, Luftërave Ballkanike, etj., Hoti, shfaqej si pararendës në ruajtjen e identitetit kombëtarë e fetar. Ketë ide frymëzimi e merrte nga prijësit e tyre shpirtërorë të kohës, si dhe fatosat e tyre të pavdekshme të cilët me gjakun e tyre i shkruan faqet e historisë të popullit tonë.

Nëse e kujtojm ngritjen e flamurit kombetar më 6 prill 1911, në Bratil të De¬çiqit dhe përpjekjën e Dedë Gjon Lulit, për t’u plotësuar 12 kërkesat e “LIBRIT TË KUQ” të përpiluar më 10-23 qershor 1911, në Kuvendin e Gerçës, vertetojmë se kjo kryengritje, e paramenduar mirë, por e keqpërdorur nga mbretit i malazezëve krajl Nikolla, ishte në vazhdën e natyrëshme të betejave të parreshtura të mëparshme historike, për një Rilindje Kombëtare, e cila për malësorët kishte zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur këto male u robëruan përfundimisht (XVI) nga turqit e pa besë.

Rrolin e dorës së parë të çdo akcioni për t’u liruar nga robëria, gjithëherë e kishin klerikët e shkelqyer. Kështu, edhe këte akcion të paharruar të malësorëve, kur kisha katolike, nga turqit, pësonte një kalvar të vërtetë u bë ajo, promotori kryesor dhe frymëzuesi kryengritjeve, duke u dhënë zemër luftetarëve, që nga fillesa e saj, më 26 korrik 1910, kur Shefqet Durgut pasha erdhi në Shkodër dhe mori drejtimin kah Malësia, deri tek ngritja e flamurit në Vlorë me 28. nentor të vitit 1912.

Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e vitit 1913, përfundimisht vulosi në mënyrë arbitrare copëtimin e trojeve shqiptare nga trungu i Atdheut, ku pothuajse gjysma e popullsisë mbetën jashtë kufijve shtetërorë, në veri të Shqipërisë. Ky vendim solli që famullitë katolike si: Traboini, me 9 fshatra dhe 1.276 shpirtra; Gruda, 15 fshatra dhe 2.242 shpirtra; Vuksan Lekaj, 5 fshatra dhe 397 shpirtra, dhe Kllezna me 235 shpirtra të bëhen pjesë e Mali të Zi, dhe më vonë pjesë e shtetit Jugosllav. Këto famulli, falë klerikëve atdhetarë dhe popullatës e cila në shpirtin e vet të plagosur e mbante një vetëdije të lartë kombëtare, nga ana kishtare, kishin ngelur në deri në vitin 1923, pjesë e Kryeipeshkvisë së Shkodrës. Por, me dt. 8 mars 1923, Selia e Shenjte, për shkak të rrethanave politike dhe qëllimit që këtyre famullive t’u sigurohej kujdesi shpirtërorë me i lehtë dhe më i mirë, vendosi t‘ i jepeshin nën administrim të përkohshëm, Kryeipeshkvisë së Tivarit. Në lidhje më këtë vendim të “Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve” (Kongregatio de Propaganda Fide) në Romë, Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Lazër Mjeda,(1922-1935) në letrën e tij nr. 223/ dt. 24 mars 1923, njofton kryeipeshkvin e Tivarit, Imzot Nikolla Dobriçiq (1912-1955). Por, meqenëse situata politike në Evropën Juglindore, nga dominimi i komunizmit ateist kishte gravura për të keq, famullit e lartpërmendura, në vitin 1976, në mënyrë definitive u benë pjesë të përhershme të Kryedioqezës se Tivarit.

Barit e vyer të dy Famullive

Famullia e Traboinit

Për tu njohur me situatën e dy famullive kemi shënime të vyera nga “Misionet Shtitëse” (Missione Volante) të jezuiteve si dhe të klerikëve që kanë shërbyere në këto zona.

Për situatën, fetare, politike e sociale në fiset e Malësisë së Madhe e në këtë rast për dy famullit në fjalë, Trabonin e Rapshen, kemi shënime të vyera të Atë Domenico Pasit, gjatë Misione shëtitëse Jezuit në vitit 1889 dhe 1903, të botuar nga Atë Fulvio Cordignano, Romë, 1934-42. (Libri është butuar në gjuhen shqipe me titull “Shqipëria”, nga shtëpia botuese “Almera”, Tiranë 2008).

Domenico Pasi, në shkrimet e tija, thekson së barit shpirtërore qenë ata që mbajtën gjallë edukimin e fetar dhe të atdhetarizmit heroik në përballje me pushtuesin osman.

Atë Domenico Pasi, jep disa shënime statistikore të vitit 1864, për famullit i Malësisë, ku do veçonim famullit në fjalë: Rapsha kishte 1253 besimtar, Traboini, 1187 besimtar. Famullit që administroheshin nga Eterit Françeskan, si qendër të tyre kishin misionin e Kastratin.

Për famullin e Traboinit, (Arrzës) D. Pasi, në vitin 1889 flet për famullitarin Atë Nikolla nga Trento i cili në valën e torturave osmane, me 17 tetor të vitit 1889, kishte arritur të organizoj përgatitjen e sakramentit të krezmimit për 50 fëmijëve, duke e ndarë nga Izmot Paschuale Guerrini, kryeipeshkëv i Shkodrës. Kurse, në valën tjetër të Misioneve, 1897, kur famullitar ishte, Atë Basilie nga Dongo, Misioni shëtitës, kishte arritur në një Kishë të vogël dhe të dërmuar, për të pajtuar disa gjaqe brenda dhe jashtë famullisë.

Sipas shënimeve të kohës, me vonë në krye të famullisë se Traboinit, gjejmë, Atë Luigj Bushatin dhe në Vuksanlekaj, Atë Karl Prennushi, të cilët përballuan torturat e dhunën e Turgut Pashës, kur poçi e dogji Malësinë në vitin 1911. Atë Marjan Prela, etnograf, folklorist i njohur, kur serbet e kishin djegur kishën dhe dokumentet e arkivit të famullisë, ai ndërtoi Kishën dhe qelën duke qëndruar nga 1923-1931. Në vitet në vazhdim, për një kohë të shkurtër qenë disa priftërinj dioqezën si : Don Ivo Bushiq, 1931-1935; Don Jure Filipoviq, 1935-1937, për tu rikthyer etërit françeskan, Atë Leonard (Zef )Tagaj, Gojani, i lindur në Ljarë të Shestanit, i cili veproi në Traboin gjatë vitit 1937 -1945, dhe qe pushkatuar nga Komunistet malazez më 19 shkurt 1945, i njohur se mjek popullor. Personi i cili veproi për një kohë shumë të gjatë në ketë famulli nga 1945- 1972, ishte, Atë Kolë (Eugjid) Gilaj, Berishaj, i cili punoi duke përballuar presionin fizik e psikologjik të sistemit komunist Jugosllavë. Ai, sipas dorëshkrimeve të tija, në vitin 1945, kishte lëshuar një dhomë në qelë të famullisë (shtëpinë famullitare) për shkollën shqipe për 10 vite me radhë. Atë Kola, në vitin 1950, kishte restaurua Kishën, ndërtuar kompanjelin dhe restauruar qelën e famullisë. Atë Kola, ishte studiuese i vyer i dokeve dhe zakoneve shqiptare në veri të Shqipërisë, duke lënë në dorëshkrim kujtime të vyera për këtë periudhë kohore. Në vitet në vazhdim, sipas kujtimeve të Don Nosh Gjolaj, Traboini, është administruar nga Misioni Françeskan i Tuzit, Atë Nokë (Ndue Senishtaj, 1974-1975; famullitarit, Atë Vito Smoljan, 1976-1980 i cili ishte marr me zgjerimin e Kishës dhe qelës; Atë Anselm (Gjergj) Marstepaj, 1980-1988 duke administruar Traboinin nga qendra e Misionit në Tuz. Dhe nga viti 1989 famullitar i tanishëm Atë Frano Dushaj me qendër ne Sukruq.

Famullia e Rrapshës

Edhe pjesa tjetër e Hotit, Rrapsha (Brigja e Hoti) pati një seri famullitarësh të cilët luajtën një rolë të rëndësishme në ketë famulli, duke trajtuar at si pjesë e një tërësie të këtij fisi.

Atë Domenico Pasi, s bashku me ekipin e tij pajtues edhe pse kishte vizituar Rapshën, nuk sjell ndonjë shënim të veçantë, përpos pajtimit të disa gjaqeve dhe thekson kjo famulli nuk kishte famullitar të rregullt, por administrohej nga Bajza apo Kastrati.

Në pragun e largimit të Perandorisë osmane nga trojet shqiptare, në vitet 1911-1912 veçohet famullitari Atë Sebastian Hila i cili s bashku me besimtaret, mbrojti pragun e shtëpive nga sulmet e fundit të gjakatarit Turgur Pashës, si dhe ato të vitit 1913 nga sulmet malazeze, kur diskutohej çështja e kufijve me Malin e Zi.

Në kohërat e qeta të mbretit Zog, në vitin 1927, shënohet se kjo famulli që kishte Kishën e vet në Brigje, kishte 750 besimtar. Dhe në vitin 1938 gjejmë famullitar, Atë Pal Çurçia.

Me ardhjen dhe instalimin e sistemit komunist në Shqipëri, Kisha Katolike përjetoj përndjekje dhe persekutime të papara në botë. Klerikët katolik, në vorbullën e këtyre torturave, tani duhej ta mbronte jetën e jo me nga të huajt, por nga të vetët.

Gjatë kësaj kohe në famullin e Rapshës, me objektin e vet kishtar në Brigje, evidentohej një numër i vogël famullitarëve, por të vyere e të përshpirtshëm. Në vitin 1943-1946, kemi Atë Gaspër Suma, meshtarë i thjesht dhe përshpirtshëm i shkolluar në Insbruk, martir i Kishës, qe pushkatuar nga sistemi komunist në vitin 1947. Më pas për gjatë viteve 1952-1962, në krye të kësaj famullie vjen gjuhëtari, etnografi dhe etnologu i njohur shqiptar, Atë Benedikt Dema, i cili gjatë kësaj kohe shkroi vepra të vyera letrare e gjuhësore. Më pas deri në mbylljen definitive të kishave në Shqipëri në vitin 1967, famullia administrohej nga Bajza dhe famullia e Kastratit.

Në kohën e ardhjes se lirisë fetare në Shqipëri në vitin 1990 – 1991, sikur filloi një epokë e re kishtare. Kleri i moshuar qe kishte mbijetuar filloi të ringjallej duke u angazhuar nëpër Kisha në ungjillëzimin e popullit me ato mundësit fizike që kishin. Në ndihmë Kishës në Shqipëri kishin ardhur klerik nga Kosova, Mali i Zi si dhe misionar nga vende të ndryshme edhe jashtë kontinentit Evropian.

Në famullin e Rapshës, kemi françeskanin e nga Misioni i Tuzit, Atë Prelë Gjurashaj, i cili s bashku me hotjanët inicio ndërtimin e Kishës se re, jo më në Brigje ku ishte më parë, për shkak të mungesës se hapësirës, por në Kushe të Hotit. Puna në ndërtimin e Kishës e filluar në vitin 1992, e ndihmuar nga emigracioni në Amerikë, kulmoi me inaugurimin madhështor me 21. 08, 1994 me pjesëmarrjen prelatëve të lart kishtare si dhe përfaqësueseve nga Amerika, Marash Kolë Pllumi me të vellan, Gjok Deçka, Gjeto Frano Junçaj, Nikollë Ndou Junçaj, Nikollë Preka Junçaj Frano Shkreli etj.. Atë Prela si bari shpirtërorë qëndroi në Hot nga vitit 1993-1998, duke u rikthyer përsëri për të ungjillëzuar, nga viti 2000-2005. Rapsha me intervale ka qenë e administruar edhe nga Atë Marjan Lumçi, 1998-2000 dhe Dom Nikë Ukgjini, 2005. Famullitar i rregullt qe Dom Charbel Bachour, dhjetor të vitit 2005- 2013, dhe tani Dom Ardian Arra.

Shkrues: Dom Nikë Ukgjini

Filed Under: Reportazh

“TY MALCIA T’KA NË ZEMËR”

August 13, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Nata përkujtimore e artistit malësor Lindon Camaj.

Mbrëmja e 8 gushtit mblodhi bashkë në Vitojë të Hotit, qindra malësor, artëdashës e kolegë të artistit virtuoz, kantautorit Lindon Camaj. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë miq buke e nderi të familjes Camaj, të cilët me prezencen e tyre dëshmuan edhe njëherë respektin dhe mirënjohjen ndaj këngëtarit dhe familjes së tij. Ashtu sikurse vetë Lindoni kishte ëndrra largpamëse për t’i përjetsuar në art e në këngë sa ishte gjallë, po ashtu edhe familja e Lindonit u kujdes që jeta dhe vepra e tij të përjetsohen në një film dokumentar, si e vetmja mundësi që kujtimi i tij të mbetet përjetsisht i gjallë, mes të gjallëve. Artistët nuk vdesin kurrë, ata përjetsohen në artin e tyre! Ishte ky motivi i respektit të ndërsjelltë që i bashkoi malësorët në këtë natë përkujtimore kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj. Për të nderuar kujtimin e tij, morën pjesë personalitete të larta të artit e të kulturës, përfaqsues të institucioneve vendore, aktivisë e artistë, kolegë e bashkëpuntorë të Lindonit, ku nuk munguan as mediat kombëtare e lokale.

Respekti ndaj kësaj nate përkujtimore kulmoi me ardhjen e Drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, z. Alfred Peza, në shoqërinë e z. Engjëll Ndocaj, Anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, njëkohsisht regjisor i dokumentarit “Ty Malcia t’ka në zemër” kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj dhe nga ana tjetër, për të nderuar këtë aktivitet, mori pjesë edhe z. Nikollë Camaj, Deputet dhe Nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Në nder të këngëtarit dhe kujtimit të tij, mbrëmja u hap me një fjalë përshëndetëse nga z. Idriz Gjokaj, Drejtues i Qëndrës Kulturore pranë Komunës Tuz, shok e mik i ngushtë i të paharruarit Lindon Camaj, por njëkohësisht organizator i aktivitetit. Në nder dhe përkujtim të këngëtarit Lindon Camaj, ashti siç ishte parashikuar në program, përshëndetën disa nga personalitetet dhe përfaqsuesit e institucioneve vendore të Komunës Tuz (në rolin organizativ,) si dhe të Bashkisë Malësi e Madhe, e cila i kishte akorduar titullin “Qytetar Nderi”, pas vdekjes, këngëtarit dhe krijuesit të paharruar, Lindon Camaj dhe që iu dorëzua familjes nga Nënkryetari i kësaj Bashkie z. Sytki Ndrecaj.

Më pas për të pranishmit u prezantuan disa mirënjohje (pas vdekjes) nga përfaqsues të organizatave më të njohura në Malësi e më gjërë, si “Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, Shoqata Atdhetare “Malësia” dhe, Shoqata “Jehona e Malesisë” në Detroit, si dhe Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, të cilat iu dorzuan familjes.

Të gjitha këto mirënjohje e vlerësime iu dorëzuan vëllait të madh, Dedë Camaj, i cili mes mallit dhe emocioneve falenderoi të pranishmit për nderimin dhe vlersimet që iu bënë Lindonit në këtë takim përkujtimor.

Kënga kushtuar këngëtarit Lindon Camaj e kënduar nga kolegu i tij Lekë Dedvukaj, prezantuar për herë të parë në këtë mbrëmje përkujtimore, bëri që të përulen edhe malet e bjeshkët përrreth me emocionet e fjalëve e të tingujve të saj.

Sa ndjenjë! Sa dhimbje!

Minutë pas minute i gjithë sheshi i këtij amfiteatri natyror u mbush me spektator të ardhur nga ana e anës, familjarë e bashkfshatarë, miq e shokë, por veçanërisht të rinjë, fansa të Lindonit dhe të këgës së tij, ndoqën dokumentarin përkujtimor, në të cilin Lindoni do mbetet përjetsisht i gjallë mes tyre.

Sa emocion e lot, mall e dhimbje, të cilat gjetën ngushëllim në krenarinë e të qënit fëmijë, grua, vëlla, kunatë, dajë, shok, mik, koleg e bashkëpuntor të këtij artisti të pavdekshëm malësor.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Filed Under: Reportazh

Ansambli Artistik “Skënderbeu”

August 12, 2024 by s p

Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti/

Pesëdhjetë vjet më parë, në një kohë kur gjithçka ishte ndryshe, në dimrin e gjatë të Shqipërisë së mbyllur, disa artistë të mëdhenj të këtij qyteti, e konsideruan si detyrën të projektonin karakteristikat e vendit tonë dhe kështu, me të gjitha fuqitë dhe mjetet që kishin -dhe gjithmonë me atë zemrën e madhe që di të lindë tek ky vend- ata vazhduan me krijimin e këtij Ansambli, për të informuar shqiptarët për historinë dhe traditën e këtij vendi, që ka njohur anët më të shëmtuara të historisë (varfëria, luftërat etj.)

Artistë të mirëfilltë me “A”, plot pasion dhe vullnet, pa e ditur as vetë, në kohërat kur Shqipëria po zhytej në grinë e izolimit, punuan në mënyrë profetike duke vënë ngjyrat e tyre në kornizën e historisë. Sikur e dinin instinktivisht, se fara që mbollën një ditë do të bëhej pemë dhe do të lëshonte degë kudo. Degë elastike që jo vetëm shënuan historinë me lastarët e tyre të çmuar, por na bashkuan dhe na bashkojnë ende me trungun dhe rrënjët tona.

Degë që duruan dimrin e ashpër të një kohe tjetër, tashmë të largët. Degë që i mbijetuan të gjitha peripecive të historisë së re shqiptare, viteve të gurta të hapit meteor të dallëndyshes së demokracisë. Degë që vepruan si një dritare e hapur drejt një bote të “huaj” që mijëra shqiptarë e ëndërruan për 44 vjet

Janë këta heronj të heshtur (pa lavde dhe përkëdhelje) që të gjithë pak a shumë i njohim dhe i shohim në këtë qytet. Njerëz të përditshëm që duket sikur mbajnë në pëllëmbë një copë tokë të këtij vendi, njerëz që ecin me këmbë ose dhe me biçiklete në rrugicat e ngushta të qytetit, ka edhe nga ata njerëz që morën shtigjet e migrimit në katër horizontet e globit, duke mbajtur gjithmonë të njëjtin vezullim në sytë e tyre “fëminorë” si dhe një copë toke nga qyteti im, edhe pse flokët e tyre tani janë zbardhur, janë gjithmonë ata valltarët që përformuan në Itali, Kanada, Rusi, Ukrainë, Turqi etj.

Ndaj sot përshëndes gjithë ata që jetuan, punuan, djersitën, kërcyen, qeshën, kënduan, qanë, po! të gjithë bashkatdhetarët tanë, që shkuan në skajet e botës, por edhe ata që qëndruan këtu, sepse ndjemë sëbashku aromën e tokës tonë që na joshi.

Sepse ky është qyteti im dhe kjo është magjia e përcjellë brez pas brezi në Ansamblin Skënderbeu, që përmendet rrallë pavarësisht rrugëtim të gjatë artistik, rrjedhës historike dhe vlerësimeve të fituara.

Por në këtë pikë, do të doja të them edhe dy fjalë për një person që e njoh që nga fëmijëria ime, pasi e mbaj mend që kur “mbaj mend dhe veten”. Ndoshta kur e kam takuar për herë të parë në korridoret e ftohta të ish Pallatit të Kulturës, ai ishte në moshën time apo edhe më i ri se unë, një mik artist për të cilin nuk kam folur dhe shkruar kurrë më parë, por që ai tashmë e lidhi jetën dhe veprën e tij me historinë e këtij Ansambli dhe që i shmanget sistematikisht as fjalës “unë”, duke e zëvendësuar me fjalën “ne”. Sigurisht koreografin Bardhi Pojani

E di, e di, që nuk i pëlqen fare këto postime, por sonte ndjej nevojën ta falënderoj që këtu dhe ta përqafoj edhe njëherë fort, bashkë me të gjithë kërcimtarët e Ansamblit, muzikantët e orkestrinës dhe sigurisht dirigjentin Josif Minga.

Këto po mendoja teksa shikoja një valle Devolliçe (të fortë shumë nga ana emocionale për mua), i “fshehur” pas një dritareje dhe kështu vendosa ta “ngrija kohën” me një foto……dhe papritur dhjetëra figura kërcimtarësh dhe muzikantësh të këtij qyteti kaluan para meje. Sepse siç thashë edhe më parë: “ky është qyteti im dhe ky është Ansambli Skënderbeu, i cili do pajisë gjithmonë anëtarët e tij me një copë tokë si hajmali, kudo që të jenë.

Filed Under: Reportazh

KALTRA SHQIPTARE NË NJË EKSPOZITË VETJAKE NË CHICAGO

August 11, 2024 by s p

Nga Dr. Sonila Sejdaras

Presidente “Care for Albania”/

Takojeni Kaltrën, një piktore dhe artiste e re shqiptaro-amerikane, e cila po bën jehonë në botën e artit me krijimet e saj unike dhe plot ndjenjë, janë në “Vibrant Cast Gallery”në Çikago. Pavarësisht se ka ardhur fëmijë në Amerikë dhe është diplomuar në arkitekturë, Kaltra (që do të thotë “Blue sky”në anglisht ) ka gjetur pasionin e saj të vërtetë në pikturë dhe po përdor aftësitë e saj për të krijuar vepra arti të bukura që jo vetëm përfaqësojnë kulturën e saj, por edhe ngjallin emocione të thella tek ata që i shikojnë.

Rruga e saj drejt për t’u bërë piktore nuk ishte një rrugë tradicionale. Duke u rritur, ajo gjithmonë kishte një dashuri për artin dhe prindërit e saj e inkurajuan të ndjekë një karrierë më praktike siç ajo donte, në arkitekturë. Ndërsa studionte arkitekturën në Universitet, në Çikago, Kaltra kuptoi se pasioni i saj i vërtetë qëndronte në pikturë dhe filloi të eksperimentonte me mediume dhe teknika të ndryshme për të shprehur kreativitetin e saj.

Përmes artit ajo ka shpalosur emocionet dhe ndjenjat e thella që shpesh janë të vështira për t’u shprehur me fjalë. Pikturat e Kaltrës janë një reflektim i mendimeve dhe përvojave të saj më të thella dhe çdo penelatë është një dëshmi për sfidat dhe triumfet që ka kaluar në jetën e saj. Nga peizazhet e gjallë deri tek portretet abstrakte, veprat e saj janë një përfaqësim vizual i bukurisë dhe kompleksitetit të përvojës njerëzore.

Por arti i Kaltrës nuk është vetëm për veten e saj – ai është gjithashtu një mënyrë dhënieje komunitetit të saj artistik. Përmes pikturave, ajo synon të kapë thelbin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, duke sjellë në vëmendje historinë dhe traditat e pasura të popullit. Ajo gjithashtu përdor artin si një platformë për të rritur ndërgjegjësimin për çështje sociale dhe për të promovuar unitetin dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

Pikturat e Kaltrës kanë tërhequr vëmendjen e koleksionistëve dhe kritikëve të artit, me shumë vlerësime në përdorimin e guximshëm të ngjyrave dhe emocioneve në veprat. Ajo ka marrë pjesë në disa ekspozita dhe shfaqje arti, ku veprat e saj janë pritur me admirim dhe lavdërime. Pavarësisht suksesit, Kaltra mbetet e përulur dhe mirënjohëse për mundësinë për të ndarë artin e saj me botën.

Ndërsa Kaltra vazhdon të rritet dhe të evoluojë si artiste, veprat e saj shërbejnë si një kujtesë për fuqinë e artit për të frymëzuar, provokuar dhe bashkuar. Përmes pikturave, ajo është në gjendje të lidhet me të tjerët në një nivel të thellë dhe emocional, duke kapërcyer ndarjen midis kulturave dhe duke krijuar një ndjenjë uniteti dhe mirëkuptimi. Rruga e Kaltrës nga një studente arkitekture në një piktore të vlerësuar, është një dëshmi e fuqisë transformuese të ndjekjes së pasionit dhe përqafimit të kreativitetit në të gjitha format e tij.

Arti është utilitar dhe për Kaltrën. Ajo përdor dhe forma artizanale, sa të traditës shqiptare, po aq dhe të metropolit të Çikagos. Në pritje dhe me besim më shumë për ardhmërinë.

Filed Under: Reportazh

Ditët e fundit të restaurimit të Kullës Historike të Çun Mulajve të Hotit !

August 10, 2024 by s p

Musa Kurtulaj/

Janë ditët e fundit të punimeve restauruese të Kulles së Çun Mulajve në Kushe të Hotit të Malësisë së Madhe, e cila do të perurohet pasditen e 16 gushtit! Nga Luc Gjon Junçaj deri tek Mul Delia në vitin 1944, kjo familje per 12 breza ka qënë dera e parë e Hotit të Malësisë së Madhe, në angazhimin per mbrojtjen e trojeve të Malësisë si pjesë e pandashme e Shqipërisë, dhe të vlerave e traditave tona të spikatura në pasurimin e identitetit kombëtar ! Çun Mulajt e Hotit dhe Dedë Gjon Lulët e Traboinit, janë si të thuash kurora e atdhetarisë, trimërisë, burrërisë, besës dhe mikëpritjes së Malësisë së Madhe ! Kulla Çun Mules, që po perfundon së restauruari, eshtë kulla simbol krenarisë dhe historisë së Malësisë së Madhe ! Tri herë e djegur nga pushtuesit, tri herë gjithnjë e më lart e ringritur nga Luc Gjon – Çun Mulajt ! Trashëgimtarët e Çun Mulajve kanë vëndosur që këte kullë ta kthejnë në muzeum per Malësinë e Madhe (pa kufi), një vëndim që e lartëson akoma më shumë dinjitetin e kësaj familje në kohet e sotme ! Në këte kuader, me rendësi është të theksohet se një familje shkodrane, mike e Çun Mulajve, ka mundur të ruaj disa orendi të kësaj kulle në qyetetin e Shkodres, dhe sot ua ka kthyer të zotëve të saj per ti vëndosur serish në këte kullë ! Nuk kanë pyetur kot dikur në Malësi të Madhe a ke mik në Shkoder, ndersa në Shkoder pyesnin a ke mik në Malësi të Madhe ! Hoti respektohej në Shkoder duke i lenë kreun e vëndit, ndersa në Hot të Malësisë së madhe shkodranët respektoheshin duke u lenë kreun e vëndit ! Kulla e Çun Mulajve të Hotit, është deshmitare e këtij respekti të ndersjelltë dhe e lidhjeve të perjetëshme Malësi e Shkoder , Shkoder e Malësi ! Pasditen e 16 gushtit, do të publikohet edhe emri i familjes shkodrane, që ruajti një pjesë të orendive të kulles së Çun Mulajve, ndersa vizitorët do të kenë mundësi ti shohin nga afer ! Mirënjohje per të gjithë ata malësorë nga Malësia e Madhe e deri në SHBA, që kontribuan financiarisht per restaurimin e kësaj kulle !

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT