• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GREQIA, 695 FSHATRA SHQIPTARE

June 20, 2024 by s p


Nga Prof. PETER PRIFTI

http://3.bp.blogspot.com/-5TkgosKtIcs/T6XDiiyGRAI/AAAAAAAAOOs/1sHOp_EUxY0/s200/Peter-Prifti-Foto.jpg
Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip. Çfarë zbuluan dhe dokumentuan priftërinjtë arbëreshë Antonio Belushi dhe Jani Kapareli nga viti 1965 deri në 1995. Rrënjët arbërore që zgjaten deri në Athinë dhe represioni i autoriteteve greke në vite
  
DOKUMENTI 


Recensioni i prof. Peter Priftit (1924-2010) mbi veprën “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Helladhë”*. Vepër e Papa Andon Bellushit, botuar me 1994

Faksimile e kopertinës së librit të Antonio Bellusci-it “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Greqisë – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Greqi)

Në ditët tona vëmendja e botës shqiptare është përqendruar me të drejtë në çështjen e madhe të Kosovës. Ajo përbën sot fushën më të madhe të luftës për liri nga një zgjedhë e rëndë, për pavarësi dhe për bashkimin eventual të të gjithë trojeve shqiptare. Shkurt, është çështja kyç që i jep formë dhe frymë çastit historik para të cilit gjendet sot bota shqiptare. Megjithatë, shqiptarët një sy dhe një vesh e kanë patur gjithmonë në drejtim të shqiptarëve të Greqisë. Në një mënyrë ose tjetër, janë interesuar për fatin e vëllezërve dhe motrave çame, si edhe për gjendjen e shqiptarëve të vjetër, që u vendosën gati kudo në Greqi që në kohët e lashta të mesjetës. Një nga këta shqiptarë është prifti i njohur arbëresh, Andon Bellushi (Papa Antonio Bellusci). Të parët e tij, ashtu si të parët e shumicës së arbëreshëve, emigruan nga Greqia që në kohën e Skënderbeut, në vitin 1434. U larguan që të mos binin në duart e shkelësve turq. U larguan me lot në sy që të ruanin mënyrën e jetës së tyre, gjuhën shqipe dhe çdo gjë të shtrenjtë, të trashëguar brez pas brezi nga gjyshët dhe stërgjyshët e tyre.

MALLI PËR MORENË

I nxitur nga një mall i papërshkrueshëm për vendin e prejardhjes, për Morenë e bukur, papa Bellushi udhëtoi në Greqi për të parën herë në vitin 1965. Ai udhëtoi atje jo vetëm si një “pilgrim” i përmalluar, por edhe si njeri i shkencës, si etnograf i pasionuar për të mbledhur folklorin e “arbërorëve”, sikundër quhen zakonisht shqiptarët e Greqisë. (Një tjetër emër për ta është “arvanitë”). Pas vizitës së parë, ai u kthye herë pas here në Greqi, për të vazhduar dhe rafinuar punën e nisur. Ky libër: “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, është fryti i asaj pune të madhe. Në këtë vëllim Bellushi vë në dukje lidhjen e ngushtë që ekziston midis arbëreshëve dhe arbërorëve. Në një takim me arbërorët në Tebë më 1990, ai tha: “Ne flasim ashtu si flisni ju këtu… Kemi gjuhën tuaj, zemrën tuaj. Kemi ritin (fenë) tuaj. Kemi emrin tuaj.” (f.173) Kënga e Moresë, ka thënë Bellushi, “mbajti të gjallë në zemrat tona nostalgjinë për Morenë”. Këtë ndjenjë e ka shprehur bukur edhe peshkopi arbëresh Ercole Lupinacci me fjalët: “E kemi pasur gjithmonë këtë dëshirë të fortë, të njihemi me Dheun e gjyshëve, që i kujtojmë me mall në këngët tona popullore.” (f.101) Lidhja me shqiptarët e Greqisë duket në emrat e vendeve (toponimet) dhe fshatrave të arbëreshëve, në emrat e tyre personale, në shërbesat fetare, dhe, mbi të gjitha, në mënyrën e të folurit, në gjuhën e tyre të përditshme. Nga bisedat që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se shqiptarët e Greqisë dhe ata të Italisë nuk kanë aspak vështirësi për t’u marrë vesh, për të komunikuar me njëri-tjetrin, sepse të dyja palët flasin të njëjtin dialekt – një toskërishte të vjetër. (Është një dialekt ky që tingëllon disi arkaik në veshin e folësit të shqipes moderne). Të bëjnë përshtypje takimet dhe bisedat shumë të ngrohta që pati Bellushi me arbërorët. Ai u prit me plot përzemërsi dhe u nderua si vëlla sepse – siç u shpreh historiani arbëror, Aristidhis Kolljas – ai dhe arbërorët hodhën “urën midis Greqisë dhe Italisë që të gjejë vëllai vëllanë”. (f.92)

ARRITJET E PUNËS ME ARBËRORËT NË GREQI

Duke filluar nga viti 1965, autori i kësaj vepre “fotografoi” gjuhën dhe zakonet e arbërorëve me kujdesin dhe ndërgjegjen e shkencëtarit, duke i inçizuar me trak. Gjatë afro 30 vjetëve ai mblodhi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e arbërorëve: përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë dhe bisedime – trashëgim kulturor ky i ruajtur shekuj me radhë. Regjistrimet e bisedave dhe këngëve përbëjnë material të pastër etnografik, sepse Bellushi i la njerëzit të flisnin dhe të këndonin shqipen që dinin. Pra, i mori ato dhe i botoi në këtë libër ashtu siç ia dëgjoi veshi, pa i korrigjuar, pa i ndryshuar. Ja, disa nga rezultatet e punës së palodhur që bëri në Greqi. Sa shqiptarë ka në Greqi, nuk dihet saktësisht. Po një arbëror i shkolluar në Athinë i tha autorit se në Greqi ka 3 milionë “arvanitë”, veçse jo të gjithë flasin shqip. (f.59) Libri ka një listë të gjatë të krahinave dhe fshatrave ku banojnë arbërorët – 696 fshatra në nja 15 krahina. Në këtë listë gjen emra fshatrash si Qiuteza, Vithkuqi, Blushi, Matranga, Variboba, Dara, që dëshmojnë për lidhjet e tyre me fshatrat e Shqipërisë, si edhe me emra të njohur të arbëreshëve në Itali. Bellushi u njoh mirë me kulturën e lashtë të arbërorëve. Besa e shqiptarit, thotë ai, rron në trojet e shqiptarëve të Greqisë. Ata krenohen me këtë kryevirtyt të racës shqiptare, të cilën e shprehin me frazën, “arvanit-besalith”. Ne “nuk themi fjalë në erë”, i tha një arvanit papa Bellushit. (f.135) Për të zbuluar botën e tyre të përditshme në mënyrë më të imtë, Bellushi i pyeti arbërorët për gjërat më të thjeshta. “Si e bëni bukën, djathin? Si i punoni vreshtat? Si i rrjepni dhitë? Si i ruani bagëtitë nga ujqit?” Pastaj pyet çfarë zogj kanë andej, si u thonë maleve që kanë afër, cilët janë katundet arbërore rreth e përqark? I pyet, gjithashtu, të recitojnë numrat (l,2,3…), ditët e javës dhe muajt e vitit. Përgjigjet që mori ishin pothuaj të njëjta nga një krahinë te tjetra, gjë që tregon se në thelb kultura e shqiptarëve në Greqi është e njëjtë kudo. Autori mblodhi me qindra këngë, shumica e të cilave bëjnë fjalë për dashurinë. Ja, disa radhë të shkëputura nga këto këngë:

Eja të të puth një herë,
Tani që kam pirë verë.
Prapa malit kam një pus,
Eja vashë të të puth.
Prapa malit kam shtëpinë,
Eja vashëzë të rrimë.

Libri hedh dritë edhe mbi figurat arbërore që i kanë bërë shërbime të çmuara popullit shqiptar në Greqi, burra si: I ndjeri Jorgo Marougas, redaktor i shquar i revistës “Dialogoi”, Aristidhis Koljas, autori i librit “Arvanites” (1983), veprës kryesore për njohjen e arbërorëve, Vangjelis Ljapis, folklorist, autor dhe avokat për mbrojtjen e të drejtave të arvanitëve; dr. Jorgo Haxhisotiriov, i njohur si mjek në Athinë, si shkencëtar dhe si mbledhës i folklorit arbëror. Ka edhe të tjerë.

GJENDJA E GJUHËS SHQIPE

Arbërorët janë krenarë për gjuhën e tyre. Një nga këngët që këndojnë në krahinën e Korintit thotë:

Kjo gjuhë arbërishte
Është gjuhë trimërishte.
E fliste Admiral Miaulli,
Boçari dhe gjithë Suli (f.327)

Nga intervistat e shumta që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se ata e duan gjuhën shqipe me zemër, dhe kënaqen kur flasin shqip. Prandaj kanë merak ta ruajnë dhe t’ua lënë trashëgim fëmijëve. Ky merak duket edhe në ndonjë këngë të tyre, si, p.sh. në radhët: “Arvanitete të këndomi/ Gluhenë të mos harromi”. Papa Bellushi pyeti herë pas here kudo që vajti: “Do të rrojë gjuha arbërore?” “Nuk e di,-iu përgjegj një burrë,-sepse është një gjuhë që nuk mësohet në shkollë dhe nuk shkruhet”. Dhe vërtet bisedat e Bellushit me arbërorët zbuluan një konflikt midis atyre që duan ta ruajnë gjuhën me çdo kusht, dhe atyre që preferojnë greqishten, sepse ajo shkruhet. Po në përgjithësi ata kanë besim në të ardhmen e gjuhës. Kanë po ato ndjenja që shfaqi një plak nga Korinthi kur tha: “Unë kam tri vasha me shkollë. Po kur më vinë këtu në shtëpi, flasin arbërisht. Greqishten nuk e flasim neve këtu”. (f.349) Gjatë gjithë udhëtimeve që bëri në Greqi, meraku më i madh i papa Bellushit ishte për gjuhën shqipe, por edhe për kulturën e arbërorëve, dhe me të drejtë, sepse nga të gjitha anët ai dëgjoi ankime për grekët. Grekët nuk lejojnë hapjen e shkollave shqipe. Nuk i lejojnë shqiptarët as të këndojnë këngët e tyre. “S’kemi mundësi të shkruajmë gjuhën tonë,” thotë arbërori. “S’kemi botime, as fetare, as popullore, as letrare. S’na lejojnë… Jemi si një trup pa shpirt”. (f.426) “Këtu gjuha jonë flitet vetëm midis mureve të shtëpive. Ajo s’ka banesë as në liturgji, as në shkollë, as në shtyp, askund”. Kështu foli plaku 72- vjeçar Dhimitri Gonos në More. (f.419) Priftërinjtë i ndalojnë fëmijët arbërorë të flasin shqip, se “është e mallkuar”. Një burrë i tha Bellushit se kur ishte djalë i vogël në shkollë, mësuesi i rrihte nxënësit shqiptarë po të thonin ndonjë fjalë shqip, dhe i detyronte të shkruanin ato fjalë njëqind herë në dërrasën e zezë. (f.233). Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet. Edhe emrat shqip të fshatrave të tyre nuk i durojnë, dhe i kanë ndryshuar e u kanë vënë emra greke. (Megjithatë, populli vazhdon të përdorë emrat e tyre të vjetër shqip). Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare. Përgjigjen shqiptarët: “Një e rremë e madhe! Në Korinth, në Beoci, në Atika, në Eube, në Argolidhë, në More, në Thebe arbërorët i gjen si milingonat nga të gjitha anët”. (f.426)
Arbërorët e dinë mirë rolin e shqiptarëve në Revolucionin për Pavarësinë e Greqisë. “Greqinë e kanë ngjallur arbërorët”, thonë ata me këmbëngulje. Por kjo e vërtetë historike nuk u bën përshtypje grekëve. Ata e mohojnë kombësinë shqiptare të herojve të revolucionit grek si Boçari, Miaulli, Xhavella, Kollokotroni, etj. duke thënë se ata ishin grekë që kishin mësuar të flisnin shqip!! Më e keqja është se ka edhe arbërorë që s’duan të thonë se janë shqiptarë. E mohojnë kombësinë e tyre dhe zemërohen po t’ua kujtosh.

UDHËTIM NË MORE MË 1970

Me interes të veçantë është udhëtimi që bëri Bellushi në More më 1970, i shoqëruar nga prifti arbëresh Jani Kaparelli. Përshkrimi i këtij udhëtimi përbën një dokument me vlerë të rrallë. Në hapësirën e gati 20 faqeve, (409-427), autori shkruan për mallin e pafund që kanë arbëreshët për Morenë, sepse, sikurse thotë ai, arbërorët e Moresë dhe arbëreshët “janë lidhur ngushtë nga historia, nga gjuha e nga besa… Jemi si mish e thua”. Ai bën fjalë për takimet e ngrohta bisedat e përzemërta, këngët që kënduan së bashku me shqiptarët e Moresë, të cilat mishëronin gëzimin e tyre të përbashkët, hidhërimin, vajtimin, besën, mundimet, dhe afërsitë shpirtërore që kanë njohur gjatë shekujve. Pastaj shkruan për prelatin simpatik grek të Moresë, dhespot Stefanos i cili, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i grekëve, i mirëpriti arbëreshët dhe tha me gojën e tij se, “këtu janë shumë katunde arbërore”. (f.415) Madje, ai lëshoi një kartë, të hartuar në formën e një “leje” për vizitorët, ku ai përmendte me emër fshatrat e Moresë që donin të vizitonin Bellushi dhe Kaperelli. “Ky është i pari dokument grek”, thotë Bellushi, “ku shkruhet se në More gjenden edhe sot katunde arbërore!” Dhe si i tillë “ka një rëndësi historike të madhe”. (f.416)

VEPËR E DENJË SHKENCORE

Me botimin e këtij vëllimi, Andon Bellushi ka vënë në duar të lexuesve një vepër që ndriçon jo vetëm gjendjen e shqiptarëve të Greqisë, por edhe të arbëreshëve. Vepra e tij ka material të gjerë të mbledhur në terren, nga një kërkues i pasionuar “që ulet gju më gju analfabetët e të papërfillurit”, sikurse thotë prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës, “duke regjistruar… gjithçka që ata mbajnë mend”. Prof. Shkurtaj e cilëson veprën si “një enciklopedi të tërë të jetës, shpirtit, kulturës, dokeve (traditave), zakoneve, dhe gjuhës që flitet edhe sot në komunitetet e moçme të shqiptarëve në Greqi”. Në mënyrë shkencore autori vë në dukje botën e shqiptarëve që zbuloi në tokën e Greqisë, që do t’u vlejë dijetarëve dhe studentëve të historisë, gjuhësisë dhe folklorit. Njëkohësisht, duke iu përmbajtur kritereve shkencore që kërkonte puna e tij, ai paraqet edhe ndonjë të metë, dobësi apo konflikt që gjeti midis arbërorëve. Një nga gjërat që ia rritin vlerën librit dhe e bëjnë atë më interesant, janë fotografitë e shumta që ilustrojnë faqet e tekstit. Ato fiksojnë fytyrat e personave që takoi autori gjatë vizitave në Greqi; rrëfejnë, gjithashtu, edhe diçka nga jeta e tyre: veshjet, dhomat e shtëpive, kisha, monumente, peizazhe. Dy tipare të tjera të librit janë hartat, që tregojnë fshatrat arbërore me emër, dhe qindra e qindra shënime “notes” (në italisht), që e bëjnë tekstin më të qartë për lexuesin. Me gjithë gjendjen e rëndë të arbërorëve që gjeti autori në Greqi, për shkak të shtypjes së gjuhës dhe kulturës së tyre, ai nuk u dekurajua, nuk u dorëzua. I mbrujtur me ndjenja të thella atdhedashurie dhe i nxitur nga një mall përvëlues historik (që buron nga thellësia e shekujve), papa Bellushi, më se fundi, del fitues si etnograf, si shërbëtor i urtë i Zotit dhe si burrë i Besës shqiptare. Ai e afirmon vetveten si optimist për të ardhmen e shqiptarëve të Greqisë. Shpirti i Arbërit rron, thotë Bellushi, “i freskët, i gjallë, i thjeshtë”. Rron në këngët arbërore rron dhe do të rrojë, se “ajo ka rrënjë të thella”, dhe “flitet nga të mëdhenjtë e nga të vegjlit”. (f.424)

* * *

Teksti i këtij libri është në dy gjuhë: shqip dhe italisht (me disa faqe edhe në greqisht). Pjesa më e madhe e lëndës është në gjuhën shqipe. Teksti italisht është, në të vërtetë, një përkthim disi i përmbledhur i tekstit shqip. Megjithatë, emri i autorit dhe titulli i librit në kapakun e veprës janë në gjuhën italishte, si pason: Antonio Bellusci, “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia.” Libri ka një hyrje nga Aristidhis Kolljas, kryetar i Shoqatës Kulturore Arbërore “Mark Boçari” në Athinë, dhe një parathënie nga prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës. U botua nga Qendra për Kërkime Socio-Kulturore “G.Castriota, Cosenza, Itali, 1994, 500 faqe.

*Shënim: Citatet nga bisedat dhe këngët e abërorëve janë shkruar gati të gjitha në shqipen e njësuar letrare, për ta bërë më të lehtë leximin e tyre. –

PETER R. PRIFTI 
San Diego, California
Shkurt, 1996

_________________________

Peter R. Prifti

Peter Prifti (1924-2010) lindi në Rehovë (Kolonjë) më 1924. Pasi kreu shkollën fillore në fshat dhe Plotoren në Ersekë, emigroi në Amerikë më 1940. Peter Prifti mbaroi shkollën e mesme, pastaj u diplomua për art e letërsi në Penn State College. Vazhdoi studimet në University of Pennsylvania ku fitoi gradën shkencore “Master of Art Degree in Philosophy” (1955). Punoi redaktor në gazetën “Dielli” dhe sekretar i “Vatrës” (1958-1960), përvojë e cila e ndihmoi të njihte nga afër Fan Nolin dhe komunitetin shqiptar. Për 15 vjet ishte konsulent për çështjet shqiptare në M.I.T. (Massachusets Institut of Technology) qendër e shquar e studimeve ndërkombëtare. Më 1976 University of California, Dega e Linguistikës e mori si pedagog sapo hapi katedrën e Gjuhës Shqipe. Jetonte në San Diego, Kaliforni. Është autor i librave “Socialist Albania since 1944”; “Remote Albania – The politics of isolation”; “Confrontation in Kosova, The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999”; “Land of Albanians: A crossroads of Pain and Pride”; “Mozaik Shqiptar”; “Unfinished Portrait of a Country”.

Aristidh Kola

Aristidh Kola (1944-2000) është jurist, studiues, publicist, shkrimtar, veprimtar i guximshëm për çështjen kombëtare, kryetar i shoqatës së arvanitasve të Greqisë “Marko Boçari”. Mbante lidhje dhe bashkëpunoi me personalitetet e diasporës në Amerikë e Turqi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, arbëreshët e Italisë dhe Korsikës. Është autor i veprave “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e perëndive”, “Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori korregjues i fjalëve arvanite”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviçit”, “Kënga e mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, etj. Nxorri revistat “Besa” dhe “Arvanon”. Në vitin 1999 përkrahu në mediet greke bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe UÇK-në. Është hedhur në gjyq dhe kërcënuar me vdekje nga qarqet ultranacionaliste greke. Dekoruar nga ish-Presidentët e Shqipërisë Sali Berisha dhe Rexhep Meidani, si dhe nga kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Është “Qytetar nderi i Skënderajt”.

Andon Bellushi (Antonio Bellusci)

Prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, (Itali). Diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, “Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.

Filed Under: Reportazh

Një spektakël për fëmijë e të rritur…

June 20, 2024 by s p

Një spektakël për fëmijë e të rritur…

Filed Under: Reportazh

FESTOHET ME MADHËSHTI DITA E ÇLIRIMIT NË KOSOVË

June 19, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Mes pritjes vëllazërore në Komunën Hani i Elezit përurohet libri dokumentar “Shekulli i parë” i “Mjeshtrit të Madh” Sejmen Gjokoli.

Me rastin e 11 Qershorit, 25-Vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, në shtetin më të ri të Evropës, në ato troje ku historia u tregua e padrejtë, një ndër aktivitetet më të rëndësishme, më të bukur e më përkujtimor, ishte ai që u zhvillua në qytezën e Hanit të Elezit.

Aktivitetet ishin të larmishme, veçanërisht ato festive, ku ansamblet dhe artistët kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, për të marrë pjesë në këtë Jubilar me erë lirie, në këtë Jubilar që përkujton një ngjarje që mishërohet në vitalitetin e një kombi. Ndoshta nuk ka kund në Botë kaq shumë festues që kanë lindur në Ditën e çlirimit.

Këta djem e vajza sot janë jo vetëm në Kosovë, por dhe anë e mbanë Botës, dhe nuk janë ata të vetmit që trashëgojnë vlerat tona kombëtare, sepse ka edhe personalitete të urtë që i kanë kushtuar jetën këtyre vlerave.

Unë nuk gaboj aspak po të them që një nga këto mendje dhe penda të shquara është “Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli. Ky personalitet, i dashuruar me çdo thesar, me çdo vlerë që populli ynë vital trashëgon pambarimisht nga brezat paraardhës, ulet me këmbët në tokë dhe na tregon në librin e tij “Shekulli i Parë”, se në historinë e njerëzimit ka një shekull të lashtë, ku ne kemi një tokë të lashtë, kemi një det të lashtë, kemi një veshje të lashtë, kemi një këngë e valle të lashtë, por dhe një emër të lashtë.

Në vazhdën e aktiviteteve dhe atmosferës së festës, ky manifestim madhështor kulmoi në ambjentet moderne të Shtëpisë së Kulturës në Han të Elezit, ku për herë të parë në Kosovë u bë promovimi i librit: “Shekulli i Parë”, vepër e një personaliteti të shquar në Labëri, Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”, Specialist i Trashëgëmisë Kulturore, Drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona” dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë. Ky promovim u organizua nga Komuna Hani i Elezit, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit Mehmet Ballazhi.

Në libër janë pasqyruar pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore që u zhvilluan në festimin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar në Vlorë.

Përmes fjalëve e fotografive vijnë shumë prej ngjarjeve më kulmore kulturore e spektakolare të gjithëçkaje ndodhi në Ditët e festimit të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në Vlorën e vitit 2012.

Para nisjes së aktivitetit, z. Sejmen Gjokoli iu rezervua një pritje e ngrohtë dhe e përzemërt nga të pranishmit, me një madhështi e dashuri vllazërore, si një sofër e madhe ku mblidhen burrat e mençur, mes tyre Kryetari i Komunës Mehmet Ballaxhi, si dhe të katër burrat që bënë histori në këtë 100 vjetor: Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi.

Ky aktivitet kaq i mirëpritur startoj me një insert ku pasqyroheshin disa nga imazhet e ngjarjeve të përshkruara në libër dhe që u ndoq me shumë vëmendje e interes nga të pranishmit.

KATËR BURRA NË DUART E LAVDISË!

Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi, si kreshnikët e lashtë u nisën nga trojet e Dardanisë drejt Brigjeve të Jonit në një rrugë të gjatë me vlera jo vetëm gjeografike, por edhe historike, sepse kudo ku shkelën ata në këtë rrugëtim, përçuan mesazhet e lashta të “Shekullit të parë” Kështu e përshkruan autori rrugëtimin e katër bashkëqytetarëve nga Hani i Elezit drejt Vlorës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

Celebrimi i 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës jo rastësisht nisi në Han të Elezit, mbasi dymbëdhjetë vite më parë, që këtu u nisën katër burra më këmbë, me Flamurin Kombëtar në duar dhe me një telegram urimi në gji, drejt Vlorës së Isamil Qemalit.

Këta katër burra që udhëtuan katërqind kilometra nga Hani i Elezit, për të mbërritur në Vlorë më 26 Nëntor 2012 dhe për të dorëzuar në Bashkinë e Vlorës Flamurin Kombëtar dhe Telegramin dërguar Kryetarit të Bashkisë Shpëtim Gjika, nga Kryetari i Komunës z. Rufki Suma, bënë një histori.

Ka qenë një sfidë, që ashtu si kasnecët e lashtë, këta lajmëtarë të lirisë bënë 400 kilometra për 11 ditë radhazi, për të mbetur në histori jo vetëm ata, po gjithë Komuna e Hanit të Elezit.

Autori në këtë takim përurimi solli edhe përshëndetjen e Vlorës, që mbas 12 vietsh përndriten jo vetëm Hanin e Elezit; Rexhepin, Zemrin, Qahilin, Ibrahimin dhe gjithë Kosovën, që, ashtu si kalorësit e Mitrovicës, të cilët u nisën nga Boletini i Isës dhe mbërritën në Vlorën e Ismailit, si dhe struganët, të ardhur me karrocë dhe me figurat kombëtare përpara. Dikush u bë Ismail Qemali, dikush Isa Boletini, dikush Adem Jashari, e kështu me radhë.

NDERA KA NDEREN.

100-vjetorin e bëri Shqiptaria, por mbi të gjitha e bëri Kosova, për të cilën autori kishte fakte konkrete.

Pavarësia është e Vlorës, e Vlora është e Flamurit, sepse pa Vlorën nuk do të kishte Shqipëri, rrjedhimisht nuk do të kishte as Kosovë e Shqiptari.

Në këtë festë të madhe performuan mbi 12 Ansamble Artistike nga më të shquarat e trevave shqiptare, por për fat ishte edhe një Ansambël i Grykës së Kaçanikut.

Autori i librit, Sejmen Gjokoli, është një veprimtar i madh i kulturës shqiptare, një studiues i folklorit dhe i trashëgimisë kulturore, një udhëheqës dhe organizator i shkëlqyer, që e ka jo vetëm Vlora, por gjithë Labëria e Shqipëria. Puna e tij është evidente gjithandej trojeve shqiptare.

Sejmen Gjokoli ishte ndër kontribuesit kryesorë të aktivitetit jubilar, të 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 2012 . Ai bashkë me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika dhe me stafin e tij, si koordinator i aktiviteteve kulturore për këtë rast, ishte në maje të organizimit të kësaj ngjarjeje monumentale.

Autoritetet e Komunës së Hanit të Elezit u shprehën se e ndienin për nder t’ia kthenin nderin Mjeshtrit Sejmen Gjokoli, duke e konsideruar si një veprimtari madhështore këtë promovim libri, në përvjetorin e Ditës së Çlirimit, pasi ky libër pasqyron kronologjinë e aktiviteteve të 100-vjetorit të Pavarësisë në Qytetin Historik të Vlorës.

Takimi u moderua nga profesori e veprimtari i shquar Mazllëm Qajani, njeriu që atë kohë kur burrat e vendlindjes së tij udhëtonin për në Vlorë mbajti non stop kontaktet mes “marathonomakëve” hanelezas, me organizatorët e manifestimit të madh në Vlorë.

Përshëndetën e folën Kryetari Mehmet Ballaxhi, ish-kryetari Rufki Suma, si dhe ish deputeti e veprimtari i madh i çështjes Kombëtare, miku i Vlorës e Labërisë, kaçanikasi Berat Luzha.

Në promovim në emër të katër kreshnikëve misionarë të lirisë, personazhe të këtij botimi, foli mes emocionesh Rexhep Shkreta.

Si autor i librit, z. Sejmen Gjokoli falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti mbresëlënës, uroi Ditën e Çlirimit, folësit, të pranishmit dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij promovimi sa të veçantë, po aq dhe emocionues.

Më pas, për nderin dhe respektin e tyre, Gjokoli ftoi grupin e tij Folklorik “Bilbili” për t’i përshëndetur me dy këngë të zgjedhura polifonike.

Pas përfundimit me shumë mirënjohje të promovimit të librit “Shekulli i Parë”, Kryetari i Komunës, Z. Mehmet Ballazhi, priti në zyrën e tij z. Sejmen Gjokoli dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë.

Përsëri një pritje madhështore dhe me emocione të papërshkruara, ku i përfshirë nga respekti dhe mirënjohja, z. Sejmen Gjokoli i dhuroi Kryetarit të komunës, Z. Mehmet Ballazhi, emblemën e Grupit Folklorik “Bilbili” që kishte ardhur në këtë qytet për pjesëmarrje në Festivalin Folklorik të Hanit të Elezit

Filed Under: Reportazh

Kryeministri Kurti vizitoi Shtëpinë Muze të profesor Ukshin Hotit

June 17, 2024 by s p

Krushë e Madhe, 17 qershor 2024/

Me rastin e ditëlindjes së 81-të të profesorit dhe mendimtarit politik Ukshin Hoti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë bustit të tij dhe vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe.

Në përkujtim të figurës së tij, kryeministri shprehu nderimet më të larta dhe mirënjohjen e thellë për jetën dhe veprën e profesor Ukshin Hotit. “Ashtu qysh rikthehemi në Krushë të Madhe për çdo ditëlindje dhe sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve, gjithashtu e rilexojmë veprën e bacës Ukë, sepse ajo është përherë aktuale dhe flet për kohën tonë jo më pak se sa për kohën kur ai shkroi, studioi, punoi, jetoi e veproi”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri u shpreh se e vërteta për profesor Ukshin Hotin me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit, teksa rikujtoi se ai është zhdukur pas lirimit nga burgu dhe atë menjëherë në maj të vitit 1999. “Prandaj, ata që janë fajtorë, ata që janë përgjegjës, ata e kanë edhe arkivën e zhdukjes së profesor Ukshin Hotit”, shtoi kryeministri.

Ai nënvizoi dhe se tashmë e kemi një Komision me vendim të Qeverisë, që do ta bëjë ribotimin e veprës së plotë të Ukshin Hotit, dhe njëkohësisht do të botojë edhe tekste, dokumente të pabotuara deri më tani, duke rikujtuar që një pjesë e konsiderueshme e teksteve janë djegur atëherë kur është djegur kjo shtëpi e cila sot është Shtëpi Muze.

“Populli i Kosovës jeton i lirë, i pavarur, kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës, Republikën për të cilën edhe në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik ka bërë aq shumë Ukshin Hoti dhe kriminelët kanë ikur, ndërkaq pasardhësit e Ukshin Hotit edhe biologjik edhe politik ja ku janë, ja ku jemi bashkë”, përmbylli prononcimin kryeministri.

Përgjatë vizitës, kryeministri Kurti shkroi dhe në librin e kujtimeve të Shtëpisë Muze:

“Rikthehemi në ditëlindjen e prof. Ukshin Hotit, për çdo vit në Krushë të Madhe, dhe, sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve. Rikthimi në Krushë të Madhe dhe rileximi i veprës së Ukshin Hotit janë detyrë kombëtare dhe qytetare dhe njerëzore për secilin dhe të gjithë. Shtëpia Muze është vend i lavdisë historike shqiptare të mendimit të thellë politik dhe të një jete të jetuar denjësisht”.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Sot, me rastin e 81-vjetorit të lindjes së profesor Ukshin Hotit, i cili nuk ka datë vdekje meqenëse është i zhdukur dhe sot e kësaj dite nuk është zbardhur fati i tij, erdhëm bashkë me kolegë e me aktivistë këtu në Krushë të Madhe, te Shtëpia Muze, që të shprehim nderimet tona të larta dhe mirënjohjen e thellë për jetën dhe veprën e tij.

Ashtu qysh rikthehemi në Krushë të Madhe për çdo ditëlindje dhe sa herë që mundemi ndërmjet ditëlindjeve, gjithashtu e rilexojmë veprën e bacës Ukë, sepse ajo është përherë aktuale dhe flet për kohën tonë jo më pak se sa për kohën kur ai shkroi, studioi, punoi, jetoi e veproi.

E vërteta për profesor Ukshin Hotin me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit, për shkak se është pak e besueshme që zhdukja e tij ka qenë e rastësishme. Ai nuk është zhdukur në burg, ai është zhdukur pas lirimit nga burgu dhe atë menjëherë, në maj të vitit 1999. Prandaj, ata që janë fajtorë, ata që janë përgjegjës, ata e kanë edhe arkivën e zhdukjes së profesor Ukshin Hotit.

Më vjen mirë që më në fund e kemi një Komision me vendim të Qeverisë, që do ta bëjë ribotimin e veprës së plotë të Ukshin Hotit, dhe njëkohësisht do të botojë edhe tekste, dokumente të pabotuara deri më tani. Gjithnjë me pikëllim që një pjesë e konsiderueshme e teksteve janë djegur atëherë kur është djegur kjo shtëpi e cila sot është Shtëpi Muze. Sidoqoftë, populli i Kosovës jeton i lirë, i pavarur, kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës, Republikën për të cilën edhe në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik ka bërë aq shumë Ukshin Hoti dhe kriminelët kanë ikur, ndërkaq pasardhësit e Ukshin Hotit edhe biologjik edhe politik ja ku janë, ja ku jemi bashkë.

Filed Under: Reportazh

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nderon gazetarë, kameramanë e fotoreporterë që raportuan në rrethana okupimi

June 13, 2024 by s p

-Mirënjohje gazetarit Behlul Jashari, tash nëntë vjet korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI/

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në faqen zyrtare ka shkruar: Në nder të shënimit të 25 vjetorit të çlirmit të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nderoi gazetarë, kameramanë e fotoreporterë vendorë e ndërkombëtarë, për kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari, në rrethana okupimi, para dhe gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Fjalën hyrëse të ceremonisë e mbajti Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha, i cili u shpreh falënderues e mirënjohës për punën shembull që gazetarët, kameramanët e fotoreporterët e kanë dhënë në atë kohë.

“Ajo çfarë AGK-ja, dëshiron të tregojë me këtë event, është qe e cmojmë, e njohim punën e kontributin e secilit në periudhën më të vështirë të Kosovës. Të secilit, që ndoshta ka bërë punë nga më të voglat në redaksi e deri tek ato në terren, dhe me ballafaqimin me rrezikun e përhershëm. Ju jeni inspirim për gjenerata të tëra gazetarësh”, ka thënë Rexha.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe gazetarja Afërdita Saraçini Kelemendi, moderatorja Besa Çeku Buçinca, Nuhi Bytyçi – gazetar i luftës , Sylejman Kllokoqi – kameraman i AP , Visar Kryeziu – fotoreporter i AP, Hazir Reka –fotograf i Reuters, si dhe Ron Haviv – fotografi i mirënjohur botëror i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjeve historike që kanë definuar kohën në të cilën jetojmë, nga Kosova, Bosnja, Ukraina, etj.

Saraçini Kelmendi, tha se gazetarët në atë kohë kanë bartë me vete frikën për jetë e familje.

“Gazetaria më e bukur për mua është gazetaria e terrenit për shkak se aty takon njerëz, fate të cilat të japin përvoja jetësore, në këtë rrugëtim 45-vjeçar i kam hypur 44 shkallë të gazetarisë, gazetaria për mua nuk është vetëm profesion është edhe mënyrë e jetesës. Të gjithë gazetarët që kanë punuar para dhe gjatë luftës kemi bartur edhe frikën për jetën, familjen”, tha ajo.

Kameramani, Sylejman Kllokoqi, falënderoi kolegen Elida Ramadanin, me të cilën kanë ndarë shumë terrene, si dhe gazetarët botërorë që kanë raportuar nga Kosova.

“Iu dëshiroj gjeneratave sukses, por të iu them se ne e kemi pasur detyrë por një falënderim shkon për gazetarët qe kanë ardhur nga gjithë bota”, tha Kllokoqi.

Zëri ikonë i lajmeve, Besa Çeku Buçinca, tha se çmon lartë kontributin e kolegëve gjatë kohës së luftës.

“Të dashur kolegë, shumë pak janë të informuar për punën tonë dhe aq më pak e vlerësojnë atë ne kohët e vështira, detyra jonë ishte që të informonin, informimi që barte shumë rrezik, gazetarët kanë kaluar në rreziqe të shumta, megjithatë e vlerësoj shumë punën e gazetarëve në terren.”

Fotoreporteri amerikan, Haviv falënderoi AGK-në për ftesën e bërë për të folur në emër të gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve ndërkombëtarë që kanë raportuar nga Kosova në atë kohë. Teksa, ndau me të pranishmit një takim menjëherë pas luftës me zv.presidentin Al Gore, kur kishin diskutuar për impaktin e punës së gazetarëve në Kosovë.

“Derisa i tregova për punën time që kisha bërë në Kosovë, ai më pyeti se përse ShBA-të, intervenuan më shpejtë në Kosovë, sesa në Bosnjë e Hercegovinë. Është për shkak të gazetarisë që prodhohej nga Kosova, sepse ata, ai(Al Gore), Tony Blair, Bill Clinton, ishin të turpëruar të shihin të njëjtat fotografi si në Bosnjë, duke lexuar të njëjtat histori…, dhe intervenimi në Kosovë, është një nga të paktat storie, të paktën në mendjen time, që gazetaria luan një rol të rëndësishëm, e direkt në atë se se çka ka ndodhur këtu.”, tha ai.

Në këtë ceremoni, me mirënjohje u nderuan mbi 400 gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe ata ndërkombëtarë që kanë raportuar në atë kohë nga Kosova.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e vlerëson pjesëmarrjen e gjithsecilit në ceremoninë e sotme, dhe do ta plotësojë listën e atyre që do t’i ndajë mirënjohje në ditët në vijim.

*****

Gazetarit Behlul Jashari, tash nëntë vjet, nga12 Qershori 2015, korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Ameikës VATRA i është dhënë Mirënjohja e Asociacioniit të Gazetarëve të Kosovës.

Gazeta DIELLI, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në 13 Nëntor 2015 shkruante:

Gazetarit Behlul Jashari Çmimi Karriera

NOVEMBER 13, 2015 BY DGRECA

-Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i ndan Çmimet në një veprimtari në Prizren/

PRIZREN, 13 Nëntor 2015/-Korrespondenti në Kosovë aktualisht i Gazetës Dielli – korrespondenti i ATSH nga Kosova e themelues i bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri prej gati çerek shekulli, Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar, redaktor e kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja, është fitues i Çmimit Karriera të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kryetari i Unionit, Aleksandër Çipa, duke prezantuar motivacionin për çmimin tha se, “Behlul Jashari është dëshmia e gjallë e qëndresës së gazetarit përballë shtypjes dhe terrorit okupues. Jo vetëm shembull i gazetarit korrekt në një kohë kur sundonte censura e shumëfishtë dhe sidomos ajo shtetërore.

Behlul Jashari është emri i gazetarit jetëgjatë në profesion që përjetoi e përballoi sakrifica të mëdha. Ai si rrallë kush mori në dorë gazetën ‘Bujku” kur pushteti serb mbylli të vetmin titull të përditshëm “Rilindjen”.

Behlul Jashari ishte kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme të rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi “Bujku” që nisi të dalë nga 18 janari 1991 dhe si korrespondent i parë nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë nga 24 maji 1992.

Raportimet e tij janë pjesë e rëndësishme e historisë së raportimit gazetaresk për krejt hapësirën shqiptare”.

Gazetari Behlul Jashari, duke pranuar çmimin u shpreh se ndihet shumë i nderuar që merr çmimin më të lartë të gazetarisë shqiptare, duke theksuar se para një çerek shekulli nisi raportimet për median në Shqipëri nga Kosova në rrethana të jashtëzakonshme dhe pjesë e atyre raportimeve ishte edhe reportazhi për “kufirin ndërshqiptar si mur, si fundi i botës”.

“‘Udhëtimi për në Prizren’, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt ‘Mollës së Kuqe’, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, erdhi edhe në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, ku ndodhte diç e ngjashme si sot”, vijoi ai në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të gazetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.

Ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

“‘Udhëtimi për në Prizren…’ ishte përsëri titulli i shkrimit që bëra për ATSH para takimit të parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës mbajtur në 11 janar 2014 pikërisht këtu në Prizren”, vijoi Jashari.

“Edhe sot të gjithë së bashku jemi në udhëtim për në Prizren, dhe do jemi”, theksoi Behlul Jashi dhe duke e përmbyllur fjalën u shpreh: “Ishte një rrugë shumë e gjatë. Edhe shumë e vështirë, sa njëra këpucë më ra sot në Prizren”.

Fitues të Çmimit Karriera janë edhe gazetarët e njohur prej dekadash Zenun Çelaj nga Kosova dhe Besnik Dizdari nga Shqipëria.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi sot në Prizren veprimtari në kuadër të 10 vjetorit të tij, ku në një ceremoni ku ishin ish presidentët Alfred Moisiu e Fatmir Sejdiu, si dhe ministri i Financavi i Kosovës, Avdullah Hoti, u ndanë çmimet vjetore

Karriera, Gazetari i Vitit, Çmimi Special. U bë edhe ndarja e çmimeve vjetore ”Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike. Në kuadër të veprimtarisë, u bë edhe nenshkrim i memorandumit të bashkepunimit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë me Unionin e Gazetarëve të Preshevës.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 174
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT