• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

T’i kujtojmë përherë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës

April 16, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot, i emocionuar, takova dy nga familjarët, që pesha e historisë sonë tragjike, por e lavdishme, ra mbi familjarët tyre, mikun tim Fadil Muçollin dhe Teuta Elshanin, vajzën e mikut tim të çmuar, poetit dëshmor Ymer Elshani.

Me 17 prill 1999, forcat serbe ushtruan një nga aktet më të tmerrshme duke vrarë e masakruar civilët shqiptarë, në fshatin Poklek të Vjetër dhe Çikatovës së Vjetër të Drenicës.

53 viktimat e kësaj barbarie serbe pasi ishin vrarë, kufomat e tyre ishin djegur, për t’i humbur gjurmët e krimit. As foshnjat gjashtëmuajshe e as pleqtë 75 vjeçarë, nuk u kursyen nga barbaria serbe.

Po bëj këtu një digresion, duke analizuar, në një kontekst më të gjerë historik se prej vitit 1876 e deri në vitin 1999, Serbia me politikën e saj të tokës së djegur dhe më planet e saja shfarosëse, ka arritur që në çdo periudhë kohore të kryejë gjenocid mbi popullin shqiptar, pra cilëndo periudhë ta marrësh në shqyrtim, do të hasësh në vrasje, masakra, gjenocid të kryer nga Serbia, mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Së bashku vizituam shtëpinë-muze të masakrës së Poklekut, ku nga Fadili, u njoftuam edhe një herë me ngjarjen që tronditi mbarë njerëzimin me pamjet e tmerrshme të gjenocidit që ushtruan forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë, e në veçanti në masakrën e Poklekut.

Ruajtja e faktografive të luftës së fundit e në këtë kuadër edhe shtëpisë së familjes Muçolli, ku ndodhi masakra në Poklek, është obligim shtetëror e njerëzor, kur dihet se vetë liria e Kosovës i ka rrënjët në sakrificën shekullore të popullit shqiptar.

Teuta Elshani kishte ardhur nga SHBA-ja për të qenë prezent në përvjetorin e masakrës së Poklekut si dhe për të qenë pjesë e “Sofrës poetike” që organizohet për të kujtuar poetin e dashur për fëmijë, Ymer Elshani dhe për të respektuar veprimtarinë e tij të bujshme letrare.

Martirizimi i familjes Muçolli, Elshani Caraku e Hoxha, si dhe poetit Ymer Elshani me familje, është dhimbje që vetëm shqiptari i Kosovës mund ta bartë.

Në gjithë rrëfimet që na ngjallën emocione nga Fadili, ai nuk harroi që t’i falënderojë shumë edhe bashkëfshatarët e vet, gjatë atyre ditëve të vështira, duke përmendur shumë edhe me emra, por unë po i veçoj dy miqtë e mi, Nehat Sylejmanin dhe Ismer Mustafën, të cilët, në ato ditë të rënda, kur ende forcat serbe nuk ishin larguar nga vendi i krimit dhe tërë Drenicën e mbanin në rrethim të hekurt, pra edhe në ato kushte, këta dy luftëtarë së bashku me shumë ushtarë të tjerë të UÇK-së, kishin arritur që të siguronin vendngjarjen dhe të gjitha dëshmitë, në mënyrë që botës t’i shpalosej e vërteta për masakrën e Poklekut. Ishte një detyrë sa e rëndë, për nga pesha emocionale, por mjaft e rëndësishme për historinë tonë, duke marrë parasysh që Serbia dhe forcat ushtarake të saj, me çdo kusht përpiqeshin të zhduknin çdo gjurmë të krimit që kishin bërë në Kosovë.

Një kontribut kishte dhënë edhe Mujë Muçolli, që pas luftës, kish vendosur kulmin e shtëpisë-muze të familjes Muçolli të Poklekut.

Lavdi martirëve të Poklekut dhe të gjithë Kosovës!

Nderim për Fadilin,Teutën dhe trashëgiminë e paharrueshme të poetit dhe familjarëve të martirëve të lirisë së Kosovës!

Filed Under: Reportazh

Malli për Atdheun – Trashëgimia e At Gjergj Fishtës – Tiranët do harrohen

April 15, 2024 by s p

Demokracia nënkupton harmonizim vullnetesh e qëllimesh

30-VJET MË PARË ËSHTË INAUGURUAR KISHA E RINOVUAR NË HOT TË MALËSISË SË MADHE

Nga Frank Shkreli

Një shikim 30- vjetë prapa

Ishte viti 1994. Ashtu siç kishte ndodhur me shembjen e komunizmit në vendet ish-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore e Qendrore, edhe në Shqipëri, më në fund, kishin filluar proceset demokratike. Me ndryshimet politike në vend në fillim të 1990-ave, vihej re edhe hapja e kishave, teqeve dhe xhamive – ente këto që ishin mbyllur ose shkatërruar dhe shumë prej klerikëve jan[ pushkatuar, burgosur ose dërguar në kampe përqendrimi — për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm – si pasojë e shpalljes së Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si shteti i parë ateist në botë në vitin 1967 – duke i shpallur luftë edhe Zotit. Njëra prej objekteve të para fetare që është rinovuar në Shqipëri me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan – ka qenë edhe Kisha e Shën Gjonit në Hot të Malësisë së Madhe. Autori ka qenë ftuar nga autoritetet kishtare të asaj krahine për të marrë pjesë në ianugurimin e asaj kishe në vitin 1994. Pason fjala e autorit, mbajtur me atë rast në Kishën Katolike të Shën Gjonit – e pa botuar deri më tani:

“Të nderuar klerikë, të dashur besimtarë. Përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithë ju pjesëmarrësve në këtë inaugurim të kësaj kishe të rinovuar pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Jam jashtzakonisht i kënaqur që gjëndem sot këtu në mesin tuaj me këtë rast të inaugurimit të Kishës së Shën Gjonit — Kishës së Hotit – ku për një kohë ka shërbyer si famullitar, i Madhi At Gjergj Fishta, i cili bëri të pavdekshme tiparet e Shqiptarit – ndërkohë që kujtojmë edhe bajraktarin e Hotit, Mulë Delinë me rastin e kthimit të eshtërave të tij nga mërgimi, që më në fund të pushojë këtu në Hot të Malësisë së Madhe.

Them se jam i kënaqur të jem me ju këtu sot se ndonëse kam vizituar Shqipërinë disa herë me delegacione zyrtare amerikane nga viti 1991, kjo është hera e parë që vizitojë këto anë të Shqipërisë. Jam shumë i përmalluar të vizitojë këto male, pasi jo larg prej këtu, pikërisht në Shkrel, e kam origjinën e familjes dhe të parëve të mi, e nënën nga Vermoshi.

Jam ardhë pra, nga brigjet përtej oqeanit Atlantik, nga trojet e Xhorxh Washingtonit dhe Thomas Xhefersonit, nga Amerika e madhe dhe e largët — strehuasja e të përbuzurëve dhe të shtypurëve – ku jo vetëm mua por edhe mijëra shqiptarë të tjerë, shumë edhe nga Hoti, nga dëboi tufani i egër i komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik. Kemi ardhur dhe jemi mbledhur këtu me ju nga Amerika mike e shqiptarëve për tu thenë këtyre burrave e burrneshave shqiptare në varrezat përjashta: lëkundni eshtrat, çojeni kokën dhe hapni sytë për të parë, mos kini frikë! Gëzonju se ende ka shqiptarë. Emërat e tyre janë të shkruar, jo vetëm në zemërat tuaja, por kujtimi i tyre i kapërcen kufijt e Shqipërisë dhe mbërrin deri në Amerikën e largët.

Dëshmi e kësaj është prania e shumë shqiptarëve këtu të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës. Për shqiptarët e Amerikës dhe shqiptarët e tjerë jasht Atdheut, për pothuja 50-vjetë shkëputje nga trojet tona – ishte Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishtës që na mbante të lidhur me Shqipërinë dhe ajo që na ndihmoi të ruanim sadopak thesarin kombëtar, gjuhën, historinë, kulturën dhe karakterin. Fjalët e Fishtës qëndrojnë si shtyllë drite për breznitë e tashme dhe të ardhëshme. Veprat e tij venë në dukje shkëlqimin e trashëgimisë stërgjyshore të shqiptarit.

Në këtë periudhë të vështirë të tranzicionit nga komunizmi në demokraci – për të gjithë shqiptarët sot duhet të shë ndrisin figurat historike të Lahutës së At Gjergj Fishtës në Rrëzhanicë e në Deçiq – ashtuqë të vihet në pah përsëri vet-mohimi i Patër Gjonit, guximi e burrëria e Ded Gjo’ Lulit, e po edhe fisnikëria dhe trimëria e Tringës.

Do të harrohen tiranët dhe veprat e tyre. Do harrohen ata që tretën edhe eshtrat e Gjergj Fishtës, por shqiptari kujton sot dhe do të kujtojë gjithmonë bijat dhe bijtë e sajë të denjë. Kujtimi i tyre do të frymëzojë breznitë e reja kah veprat e mira e të mbara sepse qëllimi i tyre dhe bashk-kohësve të tyre ishte vetëm që Shqipëria të vazhdonte në atë rrugë të ngadalshme e të vështirë, por kurrë të ndërprerë të qytetërimit perendimor, sipas traditave më të shëndosha të Kombit. Ata nuk dëshironin që Kombi shqiptar të futej në një rrugë zhdukjeje e të gjithë vlerave dhe pasurive kombëtare me qëllim për të krijuar të ashtuquajturin “njeri të ri”, në bazë të një ideologjie barbare sllavo-komuniste. Të fat të keq, shumë bijë e bija të Malësisë së Madhe kanë renë martir në mbështetje të demokracisë. Pjesëmarrja juaj sot këtu dëshmon se shpirti i tyre nuk është shëndrruar në një ankesë të kotë, ose në një shpirt vëllavrasës. Por, përkundrazi, dëshmon se ajo frymë vazhdon të jetë ndërtuese e një ndërgjegjeje kombëtare me mendime e caqe të mprehta dhe me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi të shqiptarëve.

Zonja e Zotëri, askush nuk pohon se demokracia është një sistem i lehtë qeverisjeje, siç është shprehur dikur Vinston Çurçilli. Fjala demokraci nënkupton pjesëmarrje e njerëve të lirë në proceset demokratike. Për më tepër, nënkupton njerëzillëk, respekt dhe tolerancë ndaj mendimeve të njëri tjetrit, sado të kundërta të jenë ato, e jo pështjellim ideshë e panjerzi sjelljesh. Demokracia kërkon hamonizim vullnetesh e qëllimesh nepërmjet diskutimesh të lira e të kthiellta. Demokracia nuk duron që të ngujohemi në “kullat” e ideve tona, duke mos u hapur dritaren ideve të ndryshme dhe qëndrimeve të tjerëve, me qëllim arritjen e objektivave për të mirën e përbashkët.

Kur mendoj për Shqipërinë, e mendoj mbushë me luftëra e përpjekje gjithmonë për mbijetesë, si një vend me histori të lashtë, të vështirë por edhe të lavdishme, me një potencial për një të ardhme madhështore. Mendoj për falëtoret që do të ndërtohen e rindërtohen siç është kjo Kisha e Shën Gjonit që po inaugurohet sot këtu në Hot. Mendoj për brezat e rinjë të shqiptarëve, të cilët pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste, me punën e tyre, shpresojnë në premtimet dhe në realizimin e endërrave që sjellë liria dhe demokracia.

Unë besoj se demokracia e re shqiptare — megjithë vështirsitë fillestare që janë kryesisht, pasojë e komunizmit barbar sllavo-aziatik – do të jetë aq e fortë dhe e qendrueshme sa ishte kjo kishë që po ripërtrihet sot – e të cilën ideologjia komuniste enveriste mendonte se do ta zhdukte jo vetëm si ndërtesë,por edhe si institucion.

Zonja e Zotërinj, uroj që të bëhemi të denjë të kujtimit të At Gjergj Fishtës (i cili thuhet se ka shërbyer në këtë kishë për një kohë) dhe i të gjithë atyre patriotëve që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike – dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit që ky vend, më në fund, të gëzojë lirinë, sot për ju e nesër për pasardhësit tuaj – për një të ardhme më të mirë të mbarë Kombit shqiptar.

Konsideroj se tranzicioni politik nga komunizmi në demokraci do të jetë një moment historik për Shqipërinë dhe për shqiptarët — që pas një gjysëm shekulli komunizëm, më në fund, të kthejnë vëmendjen e tyre kah traditat, vlerat dhe të shfaqin rishtas — ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — bashkimin, besën dhe vëllazërimin me njëri tjetrin, me shpresën që t’i sjell Kombit shqiptar agime të reja për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.

Ceremonia e sotëme e inaugurimit të kësaj kishe në Hot të Malësisë së Madhe duhet të jetë një dëshmi e fortë se njerëzimi gjithnjë ringjallet dhe ripërtrihet, ndërkohë që e mira, rishtas, triumfon mbi të keqën. Prandaj, sot në këtë vend dhe në këtë moment, me shpresë dhe me arsye mund të brohorisim me Plautus-in, (dramaturgun romak) se, “Victi, vincimus”: Megjithse të mundur, i kemi mujtë”.

Frank Shkreli

*Fjalim i pa botuar nga autori – mbajtur me rastin e inaugurimit (1994) të Kishës së rinovuar të Shën Gjonit në Hot të Malësisë. Po botohet me rastin e 30-vjetorit të inaugurimit.

Autori duke mbajtur fjalimin e rastit në Kishën e rinovuar të Shën Gjonit

në Hot të Malësisë së Madhe pas shembjes së Murit të Berlinit, (21 Gusht 1994)

Filed Under: Reportazh

“Dreams Within a Dream”

April 13, 2024 by s p

Eridana Çano, prill 2024/

Arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm.

Te cikli i pikturave “Nudo” vërejmë aftësinë e përdorimit të ngjyrës në sipërfaqen e telajos, efekte herë të dukshme e herë të padukshme sjellin një ngarkesë unike emocionale. Ngjyra është elementi i vetëm kompozues që prek trupat e zhveshur, të cilët duket sikur po tentojnë të shkëputen nga sipërfaqja, ashtu si nëpër ëndrra, ku vëllimet qëndrojnë pezull.

Cikli “Eden” mbart të njëjtat gjurmë, të njëjtën frymë emocionale, me ndryshimin e vetëm se Nazmiu nis të eksperimentojë duke na shfaqur tashmë mikrokozmosin e tij. Mikrotrupa qiellorë të stilizuar në një formë unike shfaqen në telajo. Duket sikur nga aty po nis jeta në një ekspansion të pandalshëm.

Cikli i portreteve në sallën “Tako Artistin” shfaq figura nga historia dhe kultura shqiptare, duke rrëmbyer thelbin e shpirtit të një kombi dhe të popullit të tij. Stili i të pikturuarit të portreteve karakterizohet nga një ndjenjë e fortë realizmi dhe përkushtimi për të kapur shpirtin e subjekteve të tij, fakt ky të cilin mund ta dallojmë lehtësisht në sytë e personazheve: plot emocion, të thellë dhe me karakter. Konture pothuajse të padushme i bëjnë portretet të duket sikur dalin nga telajo e shkrihen në vështrimin e vizitorit.

I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje. Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds”, të cilat përbëjnë një pikëpamje unike për llojin e pikturës së tij, duke përfshirë elemente më moderne (vertikalizimin dhe vezullimin e xhamave të ndërtesave, udhëkryqet e rrugëve dhe dinamikës të zhvillimit urban), duke eksperimentuar me ngjyrën dhe formën, me një zhvendosje drejt abstraksionit, përdorimit më ekspresiv të ngjyrës dhe një qasje më të lirë e më dinamike ndaj kompozimit.

“Central Park”-u i Nju-Jorkut është “parku i madh artistik i peizazhit”, nga ku pasqyrohet ndërthurja e teknikës tradicionale me praktikat bashkëkohore, duke krijuar vepra të reja dhe inovative. Ndryshimi i stinëve në këtë “park të madh ëndrrash” ngjall për Nazmiun ritme të reja kompozuese dhe ngjyruese. Metaforat që mbështjellin pemët në periudha të ndryshme të vitit, këtë herë shfaqen në telajo duke sjellë një frymë më metafizike: atë çka artisti sheh i mrekulluar përtej shtëllungave ngatërruese të degëve të pemëve.

E tërë ekspozita, e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it, synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet. Pikturat e Nazmiut nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.

Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, fitoi konkursin në liceun artistik “Jordan Misja”, Tiranë, dega pikturë. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1979 vazhdon “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Më pas, ai emërohet “Mësues vizatimi” në shkollën 8-vjeçare të Tropojës së vjetër deri në 1984. Në vitin 1985-1987, punon me grupin e punës për ngritjen e muzeut “Bajram Curri”. Nga ky vit, emërohet “Mësues vizatimi” në fshatin Llugaj të rrethit Tropojë deri në vitin 1989. Në vitin 1990-1992 kalon në krijimtari të lirë, vendim ky i marrë nga “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Në vitin 1993 fillon punë në RTV Tiranë, te “Filmi Artistik” si piktor, pastaj si drejtor i “Filmit Artistik dhe Dokumentar”. Në vitin 2001 punon në kompaninë e sigurimeve “SIGAL” si piktor i reklamave dhe në 2003-shin, në “Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut”. Në vitet 2006-2007 punon në Postën Shqiptare, në “Sektorin e Pullës”. Në vitin 2008 fiton llotarinë Amerikane dhe që atëherë jeton në Amerikë.

Aktiviteti artistik: viti 1981: ekspozita e parë vetjake në qytetin e Bajram Currit; viti 1987: ekspozitë vetjake në Pallatin e Kulturës, Tiranë; viti 1990: promovon ekspozitën në “Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve”, Tiranë; viti 1991: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve Figurative; viti 1992: ekspozitë vetjake në Muzeun Kombetar, Tiranë; viti 1995: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve, Tiranë; viti 1996: ekspozitë vetjake në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë; viti 2005-2006: dy ekspozita të tjera në Galerinë e Arteve, Tiranë.

Çmimet e fituara: 1987, çmimi “Piktori më i mirë i vitit”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; 1988, “Çmimi i dytë Kombëtar”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; “Çmimi i tretë kombëtar në peizazh”, me rastin e 40-vjetorit të çlirimit të atdheut; 1989, “Çmimi i tretë në gazetari”, organizuar nga gazeta “Drita”; 2007, titulli “Ambasador i Paqes”, akorduar nga forumi “Imazh Media” si piktori i vitit.

Nazmi Hoxha jeton sot në SHBA dhe ushtron aktivitetin e tij artistik me ekspozita vetjake dhe në grup.

Hapur për publikun:

10 prill – 10 maj 2024

Orari i hapjes për vizitorët:

E hënë – e premte:

09:30 – 14:00/17:30 – 20:30

E shtunë: 17:30 – 20:30

Hyrja nga bulevardi kryesor

Filed Under: Opinion, Reportazh

Një ftesë për të gjithë shqiptarët e Amerikës

April 9, 2024 by s p

Një ftesë për të gjithë shqiptarët e Amerikës.

Filed Under: Reportazh

Ju jeni Ambasadorët më të mirë të Shqipërisë

April 8, 2024 by s p

Nga Anila Kadija/

Prej shumë vitesh komuniteti shqiptar në Angli përpiqet, nëpërmjet shoqatave apo organizatave shqiptare jo fitimprurëse, në mënyrë vullnetare, të ruaj dhe të mbrojë gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.

Shëmbull model Lidhja e Mësuesve Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar e themeluar para pak kohësh por me një kontigjent intelektualësh model në fushën e arsimit dhe kulturës. Ministria e Arsimit dhe Sportit, znj.Ogerta Manastirliu e cila ndodhej për një vizitë pune në Britaninë e Madhe ditën e shtunë, 6 prill, u takua me mësues e përfaqësues të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë.

Gjatë këtij takimi ajo theksoi rëndësinë e madhe që ka mbrojtja e gjuhës shqipe dhe përhapja e kulturës ndër breza në mërgatë.

“Është nder dhe privilegj që ndodhem midis një pjese të kontribuesve në përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqipe” – tha ministrja, duke e falenderuar në veçanti z.Lutfi Vata për bashkimin e mësuesve në krijimin e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Me këtë rast ju akordua një vlerësim mirënjohje me simbolin e selisë ministeriale, në kristal, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, z. Lutfi Vata dhe znj. Anila Kadija për kontributin e tyre në mbrojtjen e kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe në mërgatë.

Në fjalën e hapjes, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë z.Lutfi Vata bëri një përmbledhje të shkurtër të eksperiencës së mësimdhënies së gjuhës shqipe që në fillesat e shkollave shqipe “Ardhmëria” e deri në ditët e sotme, duke përmendur dhe vlerësuar edhe kontributin e madh të shoqatave të tjera.

Ndërsa ministrja Manastirliu jo vetëm nënvizoi punën kolosale të mësuesve kudo në diasporë por edhe vuri në dukje ndryshimin, këto vitet e fundit, të politikave bashkëpunuese mërgatë – shtet amë. Lidhjet dhe ndihmën konkrete e cila lëviz me projekte në mbështetje të mësimdhënies në diasporë, paketat e librave nga QBD-ja të cilat shpërndahen falas, librat që përpunohen dhe vazhdohen të botohen pas Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 1 është në proces edhe vazhdimi i tekstit me Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 2, trainimet në vazhdim për mësuesit e diasporës, vazhdimi i regjistrimit të mësuesve në regjistrin shtetëror apo lidhjet e Universitetit Shtetëror Shqiptar me universitetet e tjera nëpër botë dhe firmosja e kontratave midis tyre. Duke vazhduar me shumë e shumë plane të tjera me perspektivë pozitive për brezin e ri.

I pranishëm në këtë takim edhe deputetit z. Lavdrim Krashi. Ai me eksperiencën e tij në Londër dhe bashkëpunimin e pa ndërprerë me shoqatën “Ardhmëria”, si kryetar bordi, për mbarëvajtjen e shkollave shqipe vazhdon të jetë një lidhje e fortë dhe konkrete e një përfaqësuesi shteti me komunitetin.

Nga të pranishmit, anëtarë të lidhjes dhe bashkëpunëtorë, e morën fjalën me ide dhe sugjerime interesante siç ishte ajo për bashkëpunim dhe shpërndarje përvoje nga akademikët e mërgatës në Shqipëri dhe Kosovë ide e propozuar nga prof. Shyqyri Xhaxha.

Apo mendime dhe eksperincë nga Ardjana Gjoni, Rozana Hyka, Dhurata Hoti, Feim Kabashi, Vildana Dibra Zhubi, Marsela Koçi, Anila Kadija, Lindita Bazina, Najada Fani, Mira Sakura Brazhda, Euord Pajo, Altin Sula, Migena Goga, Majlinda Xhaferri, Marsela Kalaja Hoxha, Skënder Përpepaj, Feim Kabashi, Egla Legisi dhe Endri Gjoni.

U përgëzua në mënyrë të veçantë, nga znj. Ogerta dhe këshilltarja e saj Etiola Kola biznesmeni Xhevat Lita i cili i ka dhuruar ambientet e bukura të zyrave ku u krijua Lidhja e Mësuesve Shqiptarë dhe ku punon vullnetarisht tashmë stafi i shoqatës “Ardhmëria”.

Tri vajza të bukura dhe plot emocione, nxënëse në njërën nga shkollat “Ardhmëria”, përshëndetën me poezi dhe shqipen e pastër që u trashëgohet atyre nga prindërit dhe u mësohet aq bukur nga misionerët mësues të Lidhjes.

Gjithmonë me krahët hapur për bashkëpunim Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në MB.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 174
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT