• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ju jeni Ambasadorët më të mirë të Shqipërisë

April 8, 2024 by s p

Nga Anila Kadija/

Prej shumë vitesh komuniteti shqiptar në Angli përpiqet, nëpërmjet shoqatave apo organizatave shqiptare jo fitimprurëse, në mënyrë vullnetare, të ruaj dhe të mbrojë gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.

Shëmbull model Lidhja e Mësuesve Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar e themeluar para pak kohësh por me një kontigjent intelektualësh model në fushën e arsimit dhe kulturës. Ministria e Arsimit dhe Sportit, znj.Ogerta Manastirliu e cila ndodhej për një vizitë pune në Britaninë e Madhe ditën e shtunë, 6 prill, u takua me mësues e përfaqësues të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë.

Gjatë këtij takimi ajo theksoi rëndësinë e madhe që ka mbrojtja e gjuhës shqipe dhe përhapja e kulturës ndër breza në mërgatë.

“Është nder dhe privilegj që ndodhem midis një pjese të kontribuesve në përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqipe” – tha ministrja, duke e falenderuar në veçanti z.Lutfi Vata për bashkimin e mësuesve në krijimin e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Me këtë rast ju akordua një vlerësim mirënjohje me simbolin e selisë ministeriale, në kristal, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, z. Lutfi Vata dhe znj. Anila Kadija për kontributin e tyre në mbrojtjen e kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe në mërgatë.

Në fjalën e hapjes, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë z.Lutfi Vata bëri një përmbledhje të shkurtër të eksperiencës së mësimdhënies së gjuhës shqipe që në fillesat e shkollave shqipe “Ardhmëria” e deri në ditët e sotme, duke përmendur dhe vlerësuar edhe kontributin e madh të shoqatave të tjera.

Ndërsa ministrja Manastirliu jo vetëm nënvizoi punën kolosale të mësuesve kudo në diasporë por edhe vuri në dukje ndryshimin, këto vitet e fundit, të politikave bashkëpunuese mërgatë – shtet amë. Lidhjet dhe ndihmën konkrete e cila lëviz me projekte në mbështetje të mësimdhënies në diasporë, paketat e librave nga QBD-ja të cilat shpërndahen falas, librat që përpunohen dhe vazhdohen të botohen pas Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 1 është në proces edhe vazhdimi i tekstit me Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 2, trainimet në vazhdim për mësuesit e diasporës, vazhdimi i regjistrimit të mësuesve në regjistrin shtetëror apo lidhjet e Universitetit Shtetëror Shqiptar me universitetet e tjera nëpër botë dhe firmosja e kontratave midis tyre. Duke vazhduar me shumë e shumë plane të tjera me perspektivë pozitive për brezin e ri.

I pranishëm në këtë takim edhe deputetit z. Lavdrim Krashi. Ai me eksperiencën e tij në Londër dhe bashkëpunimin e pa ndërprerë me shoqatën “Ardhmëria”, si kryetar bordi, për mbarëvajtjen e shkollave shqipe vazhdon të jetë një lidhje e fortë dhe konkrete e një përfaqësuesi shteti me komunitetin.

Nga të pranishmit, anëtarë të lidhjes dhe bashkëpunëtorë, e morën fjalën me ide dhe sugjerime interesante siç ishte ajo për bashkëpunim dhe shpërndarje përvoje nga akademikët e mërgatës në Shqipëri dhe Kosovë ide e propozuar nga prof. Shyqyri Xhaxha.

Apo mendime dhe eksperincë nga Ardjana Gjoni, Rozana Hyka, Dhurata Hoti, Feim Kabashi, Vildana Dibra Zhubi, Marsela Koçi, Anila Kadija, Lindita Bazina, Najada Fani, Mira Sakura Brazhda, Euord Pajo, Altin Sula, Migena Goga, Majlinda Xhaferri, Marsela Kalaja Hoxha, Skënder Përpepaj, Feim Kabashi, Egla Legisi dhe Endri Gjoni.

U përgëzua në mënyrë të veçantë, nga znj. Ogerta dhe këshilltarja e saj Etiola Kola biznesmeni Xhevat Lita i cili i ka dhuruar ambientet e bukura të zyrave ku u krijua Lidhja e Mësuesve Shqiptarë dhe ku punon vullnetarisht tashmë stafi i shoqatës “Ardhmëria”.

Tri vajza të bukura dhe plot emocione, nxënëse në njërën nga shkollat “Ardhmëria”, përshëndetën me poezi dhe shqipen e pastër që u trashëgohet atyre nga prindërit dhe u mësohet aq bukur nga misionerët mësues të Lidhjes.

Gjithmonë me krahët hapur për bashkëpunim Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në MB.

Filed Under: Reportazh

KRYENGRITJA ANTI-OSMANE E MALËSISË SË MADHE 

April 6, 2024 by s p

Gjergj Fishta: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri” – 6 Prill, 1911 

Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated Sipas lajmeve të fundit, mësohet se Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj po viziton Malësinë e Madhe këto ditë për të lartësuar, me praninë e tij si figura përbashkuese Kombit, kujtimin e – Kryengritjes së Malësisë së Madhe – kësaj ngjarjeje të madhe historike, që sipas historianëve, për nga rëndësia historike, ka ndryshuar përgjithmonë historinë dhe ka shënuar për shekuj me germa ari, kujtimin e këtyre burrave dhe burrneshave malësore, që me trimërinë dhe guximin e tyre, pas pesë shekujsh robërie otomane, shpalosën Flamurin e Gjergj Kastriotit- Skenderbeu, në trojet shqiptare. 

Në Malësi shënohet përvjetori i kryengritjes së Malësisë së Madhe, (6 Prill, 1911), ose Kryengritjes së Ded Gjo Lulit, siç njihet ndryshe.  Kjo kryengritje e malësoreve kundër Perandorisë Osmane, perveç se çoi në ngritjen e parë të flamurit kombetar në tokën shqiptare, c’prej kohës se Gjergj Kastriotit, sipas historianëve, ka një rendësi të veçantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare. Sipas tyre, veprimtaritë kryengritëse dhe luftërat e malësoreve tërhoqën, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropiane si edhe të opinonit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Malësi dhe në trojet shqiptare.  Lëvizja e kryesuar nga prijsi i Malesisë së Madhe, Ded Gjon Luli dallohet nga lëvizje të tjera të shqiptarëve për liri, pikërisht, nga jehona e amdhe që bëri lufta e malësorëve në ato vite, anë e mbanë Evropës. Ndërsa, kryengritësve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan edhe shumë përfaqsues patriotë nga krahina të tjera të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. 

Është meritë e kryengritjes së Malesise së Madhe fakti se kjo lëvizje nuk ishte e lokalizuar, por kishte qellime mbarëkombetare, gjë që gjeti ndihmen dhe përkrahjen edhe të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë të tjerë të kohës, duke parë luftën serioze të Malësorëve për liri e pavarësi, shkuan në Podgoricë, ku përpiluan Memorandumin për t’ua dërguar fuqive të mëdha të asaj kohe, përfshir Perandorinë osmane, e që përmbante, ndër te tjera, kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri, me administratë, gjuhë e buxhet të vetin. Por, edhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar.  Memorandumi në fjalë, në të vertetë, ishte një pasqyrim, jo vetëm i kërkesave të Malësorve, por edhe i të gjithë shqiptarëve.  Nënshkrimi i përfaqësuesve të malësorëve të kërkesave të shpallura e në Memorandum i benë kryengritsit Malesorë t’i paraqiteshin botës së atëhershme si përfaqsues edhe të kërkesave por edhe të aspiratave të mbarë Kombit shqiptar për liri e pavarësi, pas pesë shekuj robëri.  Lufta për liri e Malësorëve, në fillim të shekullit të kaluar dhe ngritja e flamurit te Skenderbeut ne Deçiq që pasoi, ishte simbol i vellazërimit të kombit shqiptar rreth një Flamuri të vetëm dhe tregoi se Shqiptaret kishin një Atdhe të vetëm e të përbashkët, që dëshironte liri dhe dritë, për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane.  Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve në Malësinë e Madhe, gazetat anë mbanë Evropës, ndoshta për herë të parë, shkruanin për Shqipërinë si një entitet, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por flisnin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit robërues turk. Për më tepër, Kryengritja e Malësorve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera anti-osmane në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ose vilajeteve të asaj kohe, duke çuar, më në fund, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor, 1912. Kjo, falë sakrificave dhe derdhjes së gjakut të dëshmorëve si Ded Gjo Luli me Malësorët, të cilët luftuan dhe vdiqën për idealin e shenjtë të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore. 

Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë por edhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve antikë të atyre trojeve, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore, patriotike e pse jo edhe ushtarake e një populli që do t’i thonte lamtumirë së keqes 5-shekullore otomane, një herë e përgjithmonë. 

Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me Flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte shqiptarëve dhe botës mbarë, porosinë e Gjergj Kastriotit — Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, se këto troje kanë identitet kombëtar:  shqiptarë dje, shqiptarë sot, shqiptarë përgjithmonë! 

Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin historic të Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që më në fund e çuan atë dhe malësorët e tij drejt Bratilës së Deçiqit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi, eventualisht dhe për fat të keq, drejt një vdekjeje prej martiri që pushtuesit e trojeve shqiptare ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë një gremine tjetër.  

Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 Mars të vitit 1911, e që kulmoi me ngritjen e Falmurit shqiptar me 6 prill, 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua, kryengritje pas kryengritjeje, deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli! 

Një meritë tjetër e këtyre burrave në krye me Ded Gjon Lulin, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt e ndarë dhe e përçarë, e harruar nga bota perëndimore, e lakmuar dhe e pushtuar nga armiqtë shekullorë të tij. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët; lakmues të tokave shqiptare, nëpër kancelaritë e Evropës, bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar. Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet, që paralajmëruan Pavarësinë kombëtare të shqiptarëve një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit, që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot. 

Memorandumi dhe kryengritja e malësorëve, mund të konsiderohet edhe fillimi si fillimi i përpjekjeje, që sot do ta quanim, “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, që pasqyronte dëshirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, për bashkim, për liri e pavarësi, anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot, se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, pa ndërhyrje dhe influenca nga jashtë, në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane. 

Në botën aktuale shqiptare të korrupcionit e konflikteve politike, koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumë llojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë së vepruari kundër interesave shqiptare, është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare dhe jo për interesa personale as partiake. Kryengritja e malësorëve nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje, për mbijetesën e identitetit kombëtar të shqiptarëve, pavarësinë dhe lirinë e kombit shqiptar. Si e tillë, kryengritja e Malësisë së Madhe që shënohohet sot kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë-kombëtar për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave, vetive e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: dashuria për Atdheun, nderi, besa dhe burrëria shqiptare!  

Me shpresë për ditë më të mira e të bukura për Malësinë e Madhe dhe për të gjithë shqiptarët: Gëzuar 6 Prillin, Malësisë së Madhe dhe mbarë Kombit shqiptar! 

Frank Shkreli 

Presidenti i Shqipërisë, Z. Bajram Begaj me Kryetarin e Bashkisë Malësia e Madhe (në të tretin mandaat), Z, Tonin Marinaj  –Kryetari i Bashkisë, Malësia e Madhe z.Tonin Marinaj ka mirëpritur të Premten në Malësi të Madhe presidentin e Republikës z.Bajram Begaj, n[ një vizitë e cila i shërben bashkëpunimit institucional por edhe forcimit të lidhjes ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Gjatë takimit me intelektualë, shkrimtarë dhe përfaqësues të institucioneve, si Presidenti Bajram Begaj ashtu edhe Kryetari Tonin Marinaj, ndanë të dy të njëjtin qëndrim për rolin e rëndësishëm që ka çdo individ për t’i shërbyer vendit të tij dhe për të lartësuar emrin e kombit tonë, duke ndjekur edhe shembullin e figurave të shquara që ka nxjerrë treva jonë ndër shekuj, thuhet në portalin e Bashkisë Malësia e Madhe (Për më shumë të dhëna nga vizita e Presidentit Bajram Begaj në Malësinë e Madhe vizitoni portalin e kësaj bashkie.  

Filed Under: Reportazh

KJO RINI SHQIPTARE, ME TË VËRTETË, ËSHTË NJË KRENARI KOMBËTARE

April 4, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Universiteti i Prishtinës njoftoi javën që kaloi, atë që u quajt në portalin e këtij institucioni të lartë të dijes në Republikën e Kosovës, “Një arritje historike e studentëve”, të kësaj qendre të njohur akademike shqiptare. Bëhet fjalë, pra, për një grup të zgjedhur studentësh të Fakultetit Juridik të këtij Universiteti, të cilët përfaqësuan Universitetin e Prishtinës në garën ndërkombëtare, “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, ku morën pjesë mbi 350- universitete botërore. Objektivi i kësaj gare është të trajnojë liderët e ardhdëshëm më të mirë në fushën e drejtësisë dhe në metodat e zgjidhjeve alternative të konflikteve.  

Arritja e studentëve shqiptarë cilësohet si historike se ata kanë zenë vendin e tretë  duke arritur të dilnin të tretët më të mirë në botë, nga radhët e disa qindra universitetesh botërore — ndër më të njohurat ndërkombëtarisht — që morën pjesë në këtë garë prestigjoze botërore. Ishin, pra, këta studentët e Universitetit të Prishtinës, të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës që shkëlqyen në Vjenë të Austrisë! 

Kjo garë nuk është do-si-do, por është gara më e madhe botërore në fushën e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit – është pra një garë serioze në fushën e drejtësisë ndërkombëtare. Prandaj, me të drejtë Universiteti i Prishtinës e cilëson suksesin e studentëve të vet në skenën ndërkombëtare, si një arritje “historike e cila ngre lartë punën e studentëve tanë dhe emrin e Universitetit të Prishtinës, si dhe na bën të gjithëve shumë krenarë”, siç thuhet në deklaratën e Universitetit shtetëror të Kosovës.

 Ky grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Prishtinës i bën krenarë të gjithë shqiptarët kudo që jemi. Ndaj i dërgojmë atyre secilit/secilës, trajnerëve të tyre dhe Universitetit të Prishtinës urimet dhe përgëzimet me të sinqerta:  Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe trajnerëve të tyre: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj. Suksesi i tyre është një triumf i vërtetë për ta si individë, për entin akademik që ata përfqësojnë, për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët. E para e Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani shprehi krenarinë e saj të veçant për këtë grup studentësh shqiptarë dardanë, duke nënvijuar se ajo kishte trajnuar shumë prej tyre, në të kaluarën.

May be an image of 10 people and the Oval Office

“Mirënjohje Presidenciale për ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë.  Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë–të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për të arritur çdo sukses e për ta ngritur lartë e më lartë shtetin tonë. Prandaj sot, në prezencë të disa prej ish- pjesëmarrësve të garës VIS moot, shumë prej të cilëve edhe kisha nderin t’i trajnoja për rreth 15 vite, si dhe të ekipeve më të reja të Universitetit tonë të udhëhequra nga Donikë Qerimi e mbi të gjitha në prezencë të prindërve të studentëve, shprehëm sërish mbështetjen dhe krenarinë tonë për studentët tanë”, ka shkruar Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani në faqen e saj fejsbuk.

May be an image of 13 people and the Oval Office

Në ceremoninë e zhvilluar javën që kaloi në presidencë, mori pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeffrey Hovenier, i cili në faqen e ambasadës amerikane në Republikën e Kosovës, uroi grupin e studentëve të universitetit të Prishtinës për suksesin e tyre në skenën botërore: “Urime grupit të Kosovës që mori pjesë në garën Moot Court për suksesin e tyre në skenën botërore. Të gjithë ne celebrojmë arritjet e tyre, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë krenare për susksesin e tyre pasi për një kohë të gjatë kanë ndihmuar studentët juridikë të Kosovës për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare, përfshir edhe këtë”, thuhet në urimin e Ambasadorit amerikan në Prishtinë.  U.S. Embassy Pristina, Kosovo 

Ndër urimet e shumta në drejtim të grupit të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës ishte edhe Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Republikës së Kosovës, Zonja Albulena Haxhiu, e cila shprehu krenarinë e të gjithëve për këtë grup të talentuar stidentësh juridikë shqiptarë.  Ata, “Na bënë krenarë të gjithëve”, tha ajo. “Ata na treguan edhe njëherë potencialin që ka rinia jonë. Ata janë shembulli më i mirë i përkushtimit, punës së palodhur dhe talentit bashkë me trajnerët e tyre të palodhshëm, të cilët i përgëzoj, poashtu.  Performancë fantastike ekipi ka treguar që në garat përgatitore. Faleminderit që po e vendosni Kosovën në hartat e suksesit”, është shprehur, me këtë rast, Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

May be an image of 13 people and the Oval Office

Me shembëllin e tyre, ky grup studentësh të talentuar të Kosovës dardane, të pakën në nivelin e kësaj gare ndërkombëtare, në të cilën morën pjesë, me suksesin e tyre i treguan vetes por edhe brezit të shokëve e shoqeve studentë/studente si dhe rinisë shqiptare, në përgjithësi, se megjith vështirsitë nepër të cilat ka kaluar dhe po kalon aktualisht rinia shqiptare dhe Kombi shqiptar, në përgjithësi, ka ende forca të mëdha në gjirin e këtij populli të lasht e të vuajtur, që frymëzojnë! Megjithëse sot shqiptarët gjënden ende përballë pasojave të një errësire të kaluar shekullore të komunizmit sllavo-aziatik dhe luftërave çfarosëse të armiqëve të kombit kundër shqiptarëve, ky grup studentësh shqiptarë, me suksesin e tyre në këtë garë, na jep shpresë se fuqia krijuese nuk u shterret kurrë shqiptarëve. Ata kanë nevojë vetëm për liri dhe mundësi veprimi e shkollimi dhe mund të garojnë me më të mirët e botës.  Edhe përball vështirsive të jetës, shpresa nuk i ka lenë kurrë shqiptarët.  Se këta studentë u treguan kolegëve të vet ndërkombëtarë në garën e Vjenës se kur shqiptarët, megjithëse për dekada, të mbërthyer në një errësirë shekullore të cilës nuk i shihej fundi, sot në liri dhe kur u jepet mundësia, ata ndriçojnë dhe shpërndajnë rreze drite e qytetërimi — edhe në skenën ndërkombëtare — duke bërë krenar Kombin shqiptar të cilit i përkasin, me të gjithë aftësinë intelektuale, si dhe me fisnikërinë dhe me zgjuarsinë e tyre intelektuale.

 I takon kësaj klase politike aktuale – e mbërthyer në konflikte të brendshme të pakuptimta e të pafund për dekada tani, në dëm të interesave të Kombit dhe të brezave të ardhëshëm — anë e mbanë trojeve shqiptare — që t’i japë rinisë shqiptare liritë, mundësitë, drejtësinë dhe ligjet e nevojshme, për të përparuar dhe për tu zhvilluar në vendin e vet. Mundësisht, për të ndaluar shpërnguljen katastrofike në masë e më të mirëve të Kombit. Me këto politika zhgënjyese në veprim tani — për klasën politike të këtyre dekadave të fundit — historia ka rezervuar dënime të rënda, nëqoftse nuk ndryshoni drejtimin dhe rrugën e gabuar që i kini dhenë Kombit, para se të jetë tepër vonë.

U lumtë studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe iu priftë për së mbari! Suksese dhe përparime gjithmonë paçin – në nivel kombëtar e ndërkombëtar – bsi dhe në jetën personale dhe në veprimtarinë e tyre profesionale në shërbim të shoqërisë ku jetojnë, aty në Dardaninë e vjetër e në Kosovën e Re.  Por edhe në shërbim për të mirën dhe në interes të mbarë Kombit Shqiptar, të cilin ju e përfaqësuat aq denjësisht në garën ndërkombëtare “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë!  Shpresa e Kombit është se brezi i juaj, më në fund, do të jetë ai që bën “Ndryshimin e Madh” për të cilin shpiptarët kanë pritur me shekuj!

Frank Shkreli

Studentët e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Juridik, që morën pjesë në garën“Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë para një jave, duke zenë vendin e tretë midis mbi 350-universiteteve botërore.

Filed Under: Reportazh

Me Vallen Arbëreshe, “Vallen e Pashkës”

April 3, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Bijtë e Gjergj Kastriotit, Arbëreshët tanë janë trashëgimia jonë e vyer ndërshekullore. Ata vazhdojnë që prej gjysmë mijëvjeçari të mbajnë gjallë gjuhën, traditën e ritet tona të hershme kombëtare.

Dy ditë pas Pashkës, Arbëreshët festojnë ditën e Valles.

“Vallja e Pashkës” lindi gjatë shekullit të XV-të e ka një karakter ritual e historik. Ky kërcim popullor evokon me krenari një nga fitoret më të rëndësishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti të zhvilluar pikërisht në të martën e Pashkëve të vitit 1467.

Për çdo zemër shqiptari kjo është një trashëgimi heroike, patriotike e tejet prekëse, duke nxitur e ushqyer më shumë atdhe-dashuri.

Historia e Arbëreshëve u rrënjos kur prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet, e mbi një mijë në zona të tjera.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More�Si të le e më së të pë!�Atje kam zotin tatë,�atje kam zonjën mëmë,�atje kam edhe tim vëlla:�Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.�O dritë e syve të mi.�Ne jemi bijtë e Kastriotit.�Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një.

Filed Under: Reportazh

1942 / KUR MBRETI ZOG I DREJTOHEJ POPULLIT AMERIKAN NGA LONDRA NËPËRMJET GAZETËS “THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR”

April 3, 2024 by s p


Burimi : The Christian Science Monitor, e martë, 31 mars 1942, faqe n°8
Burimi : The Christian Science Monitor, e martë, 31 mars 1942, faqe n°8

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Prill 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të martën e 31 marsit 1942, në faqen n°8, letrën e hapur të Mbretit Zog drejtuar asokohe popullit amerikan, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Mbreti shqiptar u flet amerikanëve

Burimi : The Christian Science Monitor, e martë, 31 mars 1942, faqe n°8
Burimi : The Christian Science Monitor, e martë, 31 mars 1942, faqe n°8

Zogu flet për besimin e tij në rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara luajnë në krijimin e një bote më të mirë pas luftës.

Roli i pasluftës i Shteteve të Bashkuara në lidhje me qeveritë aktuale – në mërgim dhe angazhimet e Kartës së Atlantikut është një çështje me interes të madh. Në deklaratën shoqëruese, Mbreti i Shqipërisë përcakton bazën e bashkëpunimit në shërbim të ndërsjellë të lirisë.

Nga Zogu I

Mbret i Shqipërisë

Londër,

Unë jam shumë i lumtur që kam mundësinë t’i flas publikut amerikan përmes The Christian Science Monitor.

Populli amerikan ka luajtur dhe do të luajë një rol të madh në organizimin e një bote më të mirë. Dashuria e tyre për lirinë dhe besimi i tyre në domosdoshmërinë e një drejtësie të vërtetë ndërkombëtare në përputhje me ligjin moral (në një drejtësi të pa gjymtuar nga konsideratat e interesit vetjak dritëshkurtër), përbëjnë një fuqi me të cilën njerëzit e Shteteve të Bashkuara do fitojnë për vete mirënjohjen e botës së civilizuar.

Për sa i përket vendit tim, tashmë në të kaluarën amerikanët kanë treguar simpatinë e tyre për të kur Presidenti Roosevelt kundërshtoi fuqishëm dhe me sukses propozimin që Shqipëria, për shkak të amputimit të pjesëve vitale të territorit të saj, të sakrifikohej më tej për të ashtuquajturin ekuilibër të pushtetit në Ballkan.

Presidenti Roosevelt ka treguar gjithmonë me guxim interesimin e tij për ne gjatë viteve të fundit të pavarësisë sonë, dhe ai ka vazhduar ta bëjë këtë duke refuzuar në asnjë mënyrë të njohë aneksimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Mendoj se mund ta interpretoj mirëpritjen që morën motrat e mia nga autoritetet dhe populli i Shteteve të Bashkuara, si një dëshmi e simpatisë së tyre ndaj popullit shqiptar.

E gjithë bota e qytetëruar kujton me tmerr (megjithë numrin e madh të krimeve ndërkombëtare që janë kryer që atëherë) sulmin e turpshëm të një vendi me 40.000.000 banorë mbi një komb prej vetëm 1.000.000 banorësh, i cili, pavarësisht gjithçkaje, ishte përpjekur të besonte në mundësinë e mbajtjes së marrëdhënieve miqësore. Kundër flotës italiane, ushtrisë italiane dhe skuadriljeve ajrore italiane të dërguara kundër nesh, ne nuk kishim rrugë tjetër veç besimit në të drejtat tona. Sulmi nisi pikërisht në ditën kur lindi djali im. Fakti që kjo ditë ishte e Premtja e Madhe (Shenjtë) nuk i pengoi operacionet ushtarake nga ana e një fuqie që e quan veten kampione të qytetërimit të krishterë.

Mbretëresha, e cila është krenare për gjakun e saj amerikan, vuajti shumë nga udhëtimi. Por që atëherë ne kemi vuajtur edhe më shumë duke mësuar për vuajtjet e bashkatdhetarëve tanë. Ata nuk kanë reshtur së kundërshtuari pushtuesin dhe jam i sigurt se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë derisa ushtari i fundit i huaj të largohet nga territori ynë kombëtar.

Gjatë luftës italo-greke (të cilën e kishim parashikuar që në momentin e sulmit kundër nesh), shqiptarët bënë gjithçka që mundën për të ndihmuar grekët kundër armikut të përbashkët. Ne besojmë se do të shfaqen mundësi të reja bashkëpunimi.

Sigurisht që Deklarata e Atlantikut, e zbatuar sinqerisht, do t’i japë fund të gjitha pretendimeve territoriale që nuk bazohen në vullnetin e vetë njerëzve që banojnë në territoret në fjalë. Kjo Kartë do të ndihmojë në rivendosjen e drejtësisë së vërtetë për të gjithë njerëzit.

Ne jemi të gatshëm të shërbejmë në luftën për fitoren e lirisë dhe demokracisë për popullin tonë dhe për të gjithë ata kombe që po vuajnë si ne.

Shtetet e Bashkuara, nën Presidentin Roosevelt, janë të destinuara të udhëheqin këtë luftë për të mirën kundër së keqes. Kombet e vogla dhe sidomos shqiptarët, prej të cilëve disa mijëra jetojnë në vendin tuaj dhe janë të lidhur me marrëveshjet tuaja, kanë besim tek ju.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT