• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reportazh- Arbëreshët e Piana degli Albanesi\ Hora Arbërshe në Palermo\ Sicili

February 9, 2024 by s p

Mos flit litisht(italisht) fol arbërisht, kultura arti gjuha, riti.

Ornela Radovicka – Qëndra albanologjike A. Bellusci themeluar në 1980\ Frascineto Kalabri

Është data 18 Janar 2024 dhe gjendemi në Horën Arbëreshe\Piana degli albanesi\ Palermo\Sicili. Hora të shoqëron me arkitekturën e saj vendosur në anë të shpatit me lagjet e saj si rrudha që degëzohen një erashkë gjigande ku janë pikturuar shtëpi prej guri, tek tuk dallohen nuancat e kaltëra të shuara nga koha e shekujve, me dyert binjake njëra që del nga kopshti dhe tjetra nga hyrja e rrugës së gjitonisë. Portat “gjysëm-porte” rrëfejnë vështrimin e atyre arbëresheve që ndërsa punonin brënda shtëpisë socializoheshin me gjitoninë e ku vëzhgonin fëmijët. Në çdo hyrje të shtëpive shekullore të Horës së Arbëreshëve kishte një pjergull rrushi apo një pemë fiku.

Ngado që hedh sytë në horë janë “Shtëpitë që flasin”, kroje antropomorfe pesëshekullore të cilat kthehen në burime gëzimi sa herë që në ditë festsh arbërshet me kostumet e tyre të bukura si Dea, pozojnë në sytë e miqëve që mbërhejnë në objektivat e tyre bukurinë arbërore. Tabelat e rrugëve janë edhe në arbërisht. Çdo gjë edhe pas 600 vjetësh këtu pulson arbërisht.

Qëllimi i kësaj vizite në Horën arëreshe është i dyfisht. Një grup të rinjësh shqiptarë të Kosovës me banim në Diasporë përkatësisht në Svizër dhe Gjermani, pjestarë të shoqatës Hora e Skënderbeut krijuar disa muaj më parë kanë ardhur me një motiv që ti dhurojnë Horës së Arbëreshëve në Palermo një shtatore të Gjergj Kastrioti Skënderbe të derdhur në bonz. Grupi i tyre përbëhet nga Dani\ Ramadan Morina,(kryetar), Rexhep Rifati (nënkryetar) Adnan Asllani( sekretar) dhe Veli Berisha anëtar dhe donator.

Qëllimi i dytë i kësaj vizite ishte promovimi i librit, “Fotosintezë e shpirtit tim” të gazetarit kosovar me banim në Zvicër zotit Rexhep Rifati.

Është ora 19 e 30 kur mbrritëm në Hora të arbërshëve dhe frynte një erë e fortë. Korrentet e Tramontanës (siç i thonë arbëreshët) arrijnë furishëm në të hyrë të qytetit.Pas një orë rruge prej aeroportit mbrrijmë në Hora.

Sapo vendosim këmbën në Horë, takohemi me Giorgio Cuccia, kryetar shoqate si dhe një prej aktivistëve të gjallë të Horës, Salvatore di Chiara, një ish punonjës civil pranë ushtirisë italiane, njohës shumë i mirë i kulturës arbëreshe si edhe një fisnik në mënyrën e tij. Piero Napoli një punonjës i kompanisë ENEL, tani në pension. Sapo përshëndetemi më thotë mbiemri im është italian por “Mëma ime ishte arbëreshe, ndërsa tata ishte italian. Në shtëpi na folmni vetëm arbërisht. Mëma na mësoi jo vetëm na të flisnim arbërisht,por bëri edhe tatën\babën të flist arbërisht”.Piero, kishte qenë pjesmarrës në festivalet e Girokastrës së bashku me të shoqen.

Mes grupit tonë dhe arbëreshëve që takuam u krijua ajo sintoni vëllezërish, të cilët takohen janë prej kaq vitesh.

Lokali ku ishim vendosur quhet “Le volte”. Lokali është i vendosur në buzë të Bulevardit “Kastrioti”. Dikur kjo banes kishte qenë “Bar Shqipëria”. Gjendeshim pikërisht në zonën ku jo më pak disa metra larg në 1493 rreth 600 vjet më parë falë marrëveshjes midis një grupi arbëresh dhe feudaléve té Monrealit të datës 30 gusht 1488 nisi ndërtimi i Horës së arbëreshëve\ Piana degli albanesi në Palermo.

E veçanta e Horës arbërshe është sepse për 300 vjet,nga 1448 deri 1819 asnjë i huaj nuk hynte tek Hora të arbëreshëve. Të huajve, u ishte lejuar vetëm dy ditë gjatë muajit shtator kur ishte festa e Shën Mërisë. Hora arbërshe fuksiononte si një shtet autonom, me ekonominë e tij të pavarur, me administaratën e tij arbërshe, ku lejoheshin vetëm kush njihnte gjuhën dhe ritin bizantin. Hora me gjuhën e saj arbëreshe, me shkollën e saj që në 1578 ku mësuesi i parë ishte Lekë Matrënga, i cili kishte përkthyer librin “ Doktrina Kristjane\Embesueme e krishterë.

Matrënga kishte krijuar vet një alfabet me shkronjat e përbëra që kemi edhe sot në alfabetin shqip si “sh”, “th”, “dh”.

Hora, për tre shekuj u zhvillua në ndërtimin e saj në bazë të një planimetri 300 vjeçare.

Ajo kishte një arkitekturë në formë rrethore, e studiuar mirë nga kushtet atmosferike ku era e jugës “ shiroku” favorizonte bujqësinë dhe banesat rriheshin nga dielli. Drithëri kryesor ishte gruri, për ketë motivë “Stema e Horës arbëreshe” është e krijuar me Kallinjtë e grurit që përfaqësonte bollëkun e ekonomisë së Horës dhe yllin me gjatë cepa.(Misri nuk prodhohej në këtë zonë dhe këtë e shohim edhe në recetat e gatimeve të Horës së arbëreshëve ku përdorimi i tij mungon)

Arbëreshët në përgjithësi si edhe arbëreshët e Horës ishin njohës të katër gjuhëve: Gjuha latinisht që shërbente si gjuha zyrtare, Gjuha krahinore gjuha e tregëtisë, gjuha greke ishte gjuha e liturgjisë, dhe arbërishtja gjuha e mëmës që përdorej në familje dhe mes tyre.

Akrepat e orës rrëshqasin, dhe vetëm kur shohim se është mesi i natës. Kthehemi në dhomat tona. Asgjë nuk hesht në Hora. Gurët shekullorë si një diafragmë gjigante frymojnë prej gjashtë shekuj dhe krijojnë gjerdanët e tyre, “Brezat”, që gratë arbëreshe i vendosin në kostumet e tyre, simbol i gjeneratave, i pavdeksisë, ashtu siç janë edhe gurët vet.

19 Janar 2024

Dielli i Horës, është i veçante. Arbëreshët e Horës gjithmonë e kanë adhurar Diellin. Ishte viti 1502 kur arbëreshët e kishës Odigitria pasi kishin marrë koncensionet nga kisha e Monrealit më 30 gusht 1488, qëndruan për rreth një vit e gjysëm tek kjo kishë ku edh sot nga 1-15 gusht rreth orës 6 para se të lind Dielli, arbëreshët me fytyrë nga Dielli i luteshin zotit për ato territoret ballkanike shqipfolëse nga ata erdhën si dhe për jetën e re të këtij atdheut të dytë ku ata u vendosën.

Ishte ora 8;00. Mik Rexhepi, Dan Morina, Veli Berisha dhe unë Ornela Radovicka takohemi tek Extra Bar Petta F.ll Petta Qendër ku dikur ka patur selinë “Shoqata e parë e Horës”.

Ora po shkonte rreth 9. Nisemi në drejtim të Bashkisë. Përfaqësuesit e Hora e Skënderbeut do të bisedonin mbi projektin e shtatores. Në Bashki na priti miqësisht Kryetari i Horës zoti Rosario Petta, si edhe këshilltarë dhe punonjës të Bashkisë së Horës.U fol mbi këtë projekt. Në fund kryetari i shoqatës Dan Moria si edhe anëtarët e shoqatës Hora e Skënderbeuti dhuruan Horës në shenjë vëllazërie edhe bustin e nënë Terezës.

Ora 10. Do të bënim një takim në shkollën e Horës. Arbëreshët e Italisë janë pjesë minoritare historike dhe mbrohen nga shteti italian me kigjin 482\99 një ligj i njohur vetëm në shtatë rajone të Italisë dhe jo ligj që mbron arbëreshët kudo ata ndodhen. Ky ligj “ sakat” nuk bënë që gjuha arbërishte të jetë e detyrueshme, por fakoltative.

Në Hora të arbëreshëve mësohet në mënyrë të detyrueshme vetëm një orë në jave gjuha arbëreshe dhe përdorim dygjuhësh në administaratë në Bashkinë e Horës.

Hyjmë në shkollë,dhe në korridorin e saj na prisnin mësueset, Sara Riolo, Serena Mandala, Giuseppina Li Cauli, por edhe mësuesja Antonella Caradonna. Mësueset arbëreshe kanë atë dritën e mirësisë në sy dhe ato e kishin.

Mësuese Sara, një mësuese e dashur, tipike e mësuese fillore na pret me hare e na drejton tek klasa e saj për një orë mësimi arërisht. Nuk e merrni dot me mend sa e lumtur isha kur Mesuese Sara na hapi derën dhe pamë këta vocrrakë 6 dhe 7 vjeçarë që të emocionuar na shikonin.

Ishin vogëlushët e klasa e II A . Përmendim vetëm emrat e këtyre vogëlueshve: Emmanuel,Giuseppe,Mattia D,Mattia R. Jacopo, Enrico, Sara, Giovanni, Sofia, Giorgio, Giorgia, Gloria,Salvatore, Pierfrancesco,Davide F.Davide R, Vittoria,

Mësuese Sara i pyet nxënësit se kush prej tyre do të thoshte sa më shumë fjalë arbërisht.

Një mori gishtash shpaloseshin në klsaë, dhe sytë e tyre si xixëllonja kërkonin se kush do të thoshte i pari ato fjalët arbërisht që dilnin nga goja e tyre aq të gjallë;Tata, Mëma, Rrini Mirë, kopile, Bukur, Qelqi\gota, i lig, hamë, lule, Jam Arbëresh.

Këta vogëlusha flisnin gjuhën e Arbërve dhe ishin stërnipat e Kastriotve, Golemit, Muzakajve, Matrëngat, Skirot, Vrana. Kishin në deje gjakun e Arbërit!

U emocionuam pa masë. Para se të iknim këta fëmijë na përcollën në korridor me këngët arbëreshe dhe gishtat e tyre u ndërthuan duke krijuar simbolin e shqiponjës. Dukej sikur na thoshin:Ne jemi këtu, me flatrat tona, fluturojmë në drejtime të kundërta, por gjendemi gjithmonë bashku, në hapsirat e rruzullit kudo që ndodhemi!

Gazetari Rexhep Rifati kishte sjellë me vete edhe disa libra për klasën e parë të cilat mësuesi Vaxhid Saidi me banim në Zvizër, themelues i shumë shkollave për diasporën në kantonet e Zvicërës i cili ia dhuronte mësuesve dhe nxënësve arbëresh të Horës. Hora falenderonte këtë bir të Kosovës Z Vaxhid,i cili nuk ndalet vetëm në themelimet e shkollave në diasporë, por shkon më tutje, e rrahjet e shpirtit të tij prekin Horën Arbërshe.

Ora 12. Kthehemi në Bashki ku do të zhvillohej Promovimi i librit” Arbëreshët fotosintezë e shpirtit tim”. Libri është pjesë e atyre kujtimeve dhe punën gjigande të mik Rexhepit në territoret arbëreshe duke shkrirë çdo qelizë e shpirtit të tij për botën arbëreshe. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të politikës Raionale, dhe vendore. Përfaqësues nga Bashkitë arbërshe, Mezzojuso, Kryetari i Bashkisë së Palazzo Adriano Nicola Granà. Këshilltari rajonal Edy Tamaja etje. Moderatori ishte zoti Giorgio Cuccia. Përshëndeti kryetari z. Rosario Petta, dhe mbi librin fola unë (Ornela Radovicka).

Ju shpërndan disa kopje falas të librit “Fotosintezë e shpirtit tim” pjesëmarrësve arbëreshë.Në fund mori fjalën edhe autori Rexhep Rifati i cili rrëfeu se si ishte lidhur me botën arbëreshe dhe shoqëroi kujtimet e tij me një filmim nga bota arbërshe.

Në promovim kishin ardhur edhe nxënësit e shkollës nëntëvjeçare, të shoqëruar nga mësuesja Antonella Caradonna.

Përfaqësuesit e shoqatës “Hora Skënderbeut” Dan Morina e Veli Berisha i dhuruan Kryetarit të Bashkisë, z. Petta librin “Gli Squadroni della morte” të autorit Bardhyl Mahmutaj, përmajtja e të cilit flet mbi gjenocidin në Kosovë.

Fjalën e mbylljes e bëri mësuesja arbëreshja Antonella Caradonna. Sytë e saj emocionues prekën zemrat tona. Kështu janë këto arbëreshe sa të bukura, aq fisnike dhe aq të ndjeshme. Prania e nxënësve krijoi një atmosferë të ngrohtë por edhe entuziaste si janë vetë fëmijët.

Ndërsa po shpërndaheshim, mu afrua Krytari i Bashkisë z Granà, i cili me një shenjë dashamirësi më ftoi në Palazzo Adriano. Unë jam arbëreshe- më tha ai- Vij nga familjet më të hershmë, fisi i Vrana (Vrana Konti), në italisht i kthyer në Granà. Dua të them se më vjen keq që nuk kam mësuar gjuhën arbërshe jo prej vullnetit, por në Palazzo Adriano jemi asimiluar në gjuhë, kemi ruajtur deri diku identitetin vetëm në rit dhe në kostum. Ndjeva që këta arbëresh kanë dëshirën e rizgjimit, të ringjalljes, dhe kur të flasin me këtë gjuhë ndien se sa e pamëshirshme është mos tiu japësh të drejtën për tu ndjerë arbërsh, mos tiu japësh të drejtën e gjuhës së mëmës që është në gjak!

Rreth orës 16 në mbrëmje të shoqëruar nga Salvatore di Chiara, mik i familjes së skiro di Maggio, nisemi për te profesori Giuseppe Skiro di Maggio, poet shkrimtar, dramaturg publicist më me zë të Horës Arbëreshe si edhe poeteshën Marg Scilipa, elegante në stilin e saj sa fizik, aq edhe të shpirti poetik të cilët i vizituam për disa çaste. Ishte një familje mikpritëse, e fisme, ku delli arbëresh ishte në çdo kënd të shtëpisë së tyre. I falenderuam për kohën dhe mikpritjen aq rë ngrohtë që na bënë.

Rreth orës pesë e tridhjetë në mbrëmje kishim lënë takim tek biblioteka ku na priste Giuseppina Demetria Skiro.Giusi\ Giuseppina është mikja e parë që njoha në Hora. Ajo është një arbëreshe Fisnike. Ose, më mirë të them, që ajo është poesia e personifikuar. Me fizikun e saj të hollë si strukura simetrike e vargjeve me rimë.

E heshtur si pauzat, artistike kur rrëfen, dhe reflektive si poesia.

Në tërësinë e saj e ndjeshmëm kur flet për Horën e të përcjellë atë ndjeshmëri të vazhdimësisë së ruajtjes së identitetit. Këtë e vura re kur ajo më ftoi në shtëpinë e gjyshes së saj, të cilën ajo e kishte rikostruktuar dhe e kishte kthyer në një shtëpi- muze dhe u kishte dhënë frymë relikeve dhe suvenirveve duke i dhënë vlerë çdo kujtimi, e cdo sendi. Ajo shtëpi e lyer me ngjyre oxurro\ azzurro\ të kaltër, tipike karakteristike arbëreshe të shekujve të mëparshëm, kushdo antropolog, apo arkitekt që do të hynte në këtë shtëpi do të krijonte pa asnjë sforcim atë botën arbëreshe të jetës së jetuar.

Giusi është edhe biblotekarja e Horës. Mendoj se ajo biblotekë nuk do të kishte atë vlerë pa Giusin, sepse ajo vendos jo vetëm profesionalitetin e saj por edhe shpirtin. Të rrëmben kur rrëfen Matrëngën, Demetrio Camarda, për Ritin bizantin, apo për papas Gjergjin që ka ngelur në zemrën e shumë të rinjëve të Horës. Fytyra e saj merr një fije trishtimi duke na thënë që sot nuk është më kështu. Në Horën tonë kemi Peshkopin që nuk është arbëresh. Ne duam Peshkopin arbëresh, të di të flasi gjuhën tonë e të të mbajmë ritin tonë. I shkëlqejnë sytë kur flet për Revistën satirike arbëreshe të cilën e shkruanin nën drejtimin e mësuesve të tyre arbëresh kur ishin në shkollë. Giusi është njohëse shumë e mirë e kostumit arbëresh, po ashtu edhe të stolive.

Në bibliotekë ishte edhe mësuesja Antonella Caradonna. Për herë të parë e shikoja Antonellën por ajo bënë pjesë tek ata njerëz që ndihen rrahjet e zemrës kur ata të përqafojnë, dhe të krijojnë atë sinergji të mbrekullueshme që e kujton për tërë jetën. Arbërishtja e saj, si edhe gjuha e saj e studiuar pothajse standarte shqipe, më bëri për një moment sikur e njihja prej kohësh. Talenti më i mirë është të qenit njeri thotë shkrimtari rus Chehov, dhe Antonella së bashku me të shoqin me profesion Dott Giorgio Ales, ishin njerëz të mbrekullueshëm më mënyrën e tyre. Antonella është tipike arbëreshe. Na hapi derën e Villës së saj, e cila edhe ajo jetonte mes relikeve dhe suovenir që kishte sjellë nga Kosova si dhe Shqipëria dhe fliste me pasion e dashuri për Arbërinë. Antonellës i lexohet shpirti i bukur në sy.

Dalim nga biblioteka. Giusi dhe Antonella na shoqërojnë në Hora. Vizitojmë kishën Shen Gjergji ku besimi dhe arti kryqëzohen. Në ato mure varet opera e piktorit të madh Novelli, por edhe sende të shërbimeve fetare me karakter antik. Në brendësi të saj është Kostumi arbëresh me “Brezin” ku është skalitur shën Gjergji si dhe në faqet e saj stema arbëreshe me kallinjtë e grurit dhe ylli me gjashtë cepa.

Qytezës në atmosferën e festës i shtoheshin dritëhijet e saj. Nisemi tek Zona “Sheshi” pjesa e sipërme e Horës dhe vizitojmë sklupturat, si dhe muralet, e në të njejtën kohë portat, stilet e shtëpive, arkitekturën e saj si edhe Kroi me tre gojë, kroji me një gojë që janë vepra historike që nga shekulli pesëmbëdhjetë.

Unë, z. Rexhep,Dani dheVeliu ndiheshim të lodhur por shumë lumtur.

Data 20 Janar 2024.U zgjuam në Hora. Pasi marrim një kafe në barin Petta, ndalojmë tek Kroi me një gojë. Kroi është një vepër sa aertistike aq edhe historike, e shekullit 15 . Aty pranë ndodheshin disa arbëresh të thyer në moshë të cilët nisin e na pyesin. Ne iu tregojmë se cila ishte qëllimi i ardhjes dhe ata na ftuan se nëse nuk do të merrnim ndonjë gjë të shkonim e të shikonim “Bar Cuccia” që gjendet në “ Corso Skënderbeg” . Në muret e këtij bari gjendet një mural ku ishin profilet e të gjithë atyre pensionistëve që frekuentojnë këtë barë. Janë pothuajse 60 profile ku vetëm gjashtë prej tyre mungojnë. Ndërsa shikonim portretet e tyre, ku secili tregonte të tijën buzëqesha lehtë, dhe mendova. Njeri ka dëshirë të jetë i pavdekshëm, dhe ndërsa mendoja këtë frazë dikush prej tyre thotë: Arbëreshi nëng vdes kurrë!

Rreth orës 14 shkojmë tek një bar përballë Bashkisë, ku gjendet një pikturë me simbolin e lulkuqes e cila i ishte dhuruar këtij Bari. Anëtarët e Shoqatës Hora e Skënderbeut menduan që të linin tek ky bar Librin e autorit Bardhyl Mahmutaj “ Gli Squadroni della morte”. Libri flet për gjenocidin. Njëri prej antarëve të Horës së Kosovës zoti Adnan Asllani është autor si i Logut e UÇK dhe po ashtu të logut “Qëndra e Gjinocidit plagë e hapur”.

Ora 14. Takojmë arbëreshin Lino Parrino dhe bëjmë një vizitë Horës. Lino është njohës i mirë i kulturës së Horës. Nëse do të imagjinoja se si do të ishin Arbëreshët e dikurshëm atë mund ta personifikoj vetëm me Linon. Lino të magjeps me shpirtin e tij të bukur. Me thjeshtësinë e tij, me atë modesti që i tejkalon caqet dhe quhet mirësi e mirëfilltë.

Lino është edhe një djalosh që rrallë, për kohën e sotme. Pranë tij i ati, tata e tij, Z. Salvadore arbërsh i urtë, fjalë pak. Ai sapo ishte kthyer nga vreshti ku kishte krahsitur hardhitë. Lino ka disa muaj që humbi mëmën dhe tregon një kujdes të veçantë për të atin sikur të ishte fëmija e tij dhe në fakt shprehet kështu: Dikur isha unë i vogël dhe kujdesej ai për mua, sot është ai i vogël dhe do kujdesem unë.

Me sa kuptova Lino merret me organizimin e teatrit. Kishte mbaruar studimet në teologji dhe kishte bërë kërkime me kulturën e Horës dhe mbi këtë ishte mjaf i informuar.

Marrim si fillim drejtimin për në Portella. Arbëreshët sollën me vete edhe toponimet- na thotë Lino- emrat Shkëmbi, Lumi, Gjoni janë që nga shekulli 15, por të parët tanë mbi të gjitha ishin të mënçur. Ata nuk ndërtuan asgjë pa studjuar terrenin. Ata ndërtuan Horën në një vënd me kushte të favorshme zhvillimi. Nuk e ndërtuan atje ku është sot Liqeni- na thotë Lino Parrino- sepse toka ishte moçal por e ndërtuan duke studiuar edhe erërat. Nëse do ta ndërtonin më sipër do të goditej nga rrymat e Tramontanës. Ndërtuan Horën në formën harku dhe e ndërtuan aty ku kishte gurë dhe ku ishte Uji. Ata ishin mjeshtër të guri, mjeshtra të ndërtimit këtë e thonë më së miri banesat që ndërtuan dhe rezistojnë edhe sot. Janë karakteristike harqet, si edhe tullat e brëndëshme.

Me Lino Parrino mbrrijmë në Portella. Për të gjithë ata që nuk njohin Portellën kujtojmë se ishte vendi ku u vranë shumë arbëreshë në 1 Maji 1947. Shoqata “Hora e Skënderbeut” në kujtim të tyre vendosi një tufë me lule në lapidarin ku gjenden emrat e atyre që humbën jetën mes tyre edhe emri i vogëlueshes 8 vjeçare La Fata Vicenza. Edhe sot plaga e Portelës është një emoragji që rrjedh gjak.

Në mbrëmjen e datës 20. Arbërershet e Piana degli albanesi shtruan një darkë madhëstore për nder të miqëve të Gazetarit Rexhep Rifati, Dani Morina, Veli Berisha. Në atë darkë ishim rreth 40 veta. Meritojnë të përmenden që të gjithë për kontributin e tyre në botën arbërershe, për mbajtjen gjallë me shoqatat e tyre që shpesh herë bëjnë një punë më të mëdha se sa vetë institucionet. Përmendim emrat e tyre që morën pjesë në atë mbrëmje: Giorgio Cuccia me të shoqen, familja e Enco Napolit, Salvatore Di chiara, Aleksandër Cuccia, mediator kultural, me të fejuarën e tij Maria Rita( Maria Rita me mëmën arbëreshe dhe i ati shqiptar nga Lezha) të dy ishin si dy copëza yjesh, të dy të mbrekullueshëm, me shpirtin arbëror në zemër. U njohëm me arbëreshin Aaron Puccio, artist me shpirtin filozof, ka shkruar një libër i cili ma dhuroi; “Mondo në MI sporco”. Me të fejuarën e tij bukuroshen MariSol. Pasquale Pillitteri, Giuseppe Petta, Daniel Pecoraro, Andre Palermo, Matteo Parrino, Dario Maria Bovi, Simona Riolo, Giuseppina Cerniglia, Giorgio Barbato, Matteo Lascari me të shoqen, Simona Stassi me të fejuarin, Rosolino Ferraro, Marco D’aleo.. Nën tingujt e firzamonikës së Bukuroshes Matilde Cassara e shoqëruar nga prindërit i ati Giorgio, e ema Maria Grazia dhe motra, vogëlueshja Franceska e bëri këtë atmosferë më të gëzueshme. Ata tinguj depërtonin Kumetën, shkonin në More, kalonin nëpër Korçën shqiptare, bënin një pauzë në Shkodër, merrnin energji me xhamadanin vija vija në Kosovë, dhe ktheheshin si zanat në malin e Kometës apo si ninfa në lumin e Gjonit. Muzika, si ajo arbëreshe dhe ajo e trevave na bëri që në atë sipërfaqe tingujt të bashkonin shpirtëret tanë e të sillnim botën shqiptare të copëzuar por asnjëherë e ndarë në Horën e arbëreshëve.

Ajo që më bën përshtypje është vëllazëria e krijuar midis djemëva sicilian dhe atyre arbëresh të cilët integrohen me botën, kulturën dhe gjuhën arbëreshe. Një djalosh me emrin Marco D’Aleo që ia mësova emrin nga Lino Parrino, më afrohet dhe nis e bisedon për Horën. Ishte një djalë i edukuar, dhe mendova se ishte arbërsh i Horës. Jam Sicilian- më tha- jam me profesion mekanik. Nuk ishte i vetmi, ishin me dhjetera djem e vajza sicilian që flisnin dhe përshëndeteshin arbërisht,njihnin këngët arbëreshe sikur të ishin kënget e tyre, kuptonin arbërisht dhe kur i pyesja ju pëlqen arbërishtja? Ata më thoshin me të qeshur: Duhet të mësojmë pa tjetër, se për ndryshe nuk futesh në zemrën e arbëreshit të Horës. Funksionon pak si me anglishten për tu integruar duhet të dish anglisht, kështu edhe me Horën arbëreshe, nëse nuk di gjuhën, këngët. Duhet të integrohesh e flasësh si ata, për ndryshe rri për hesapin tënd. Vura buzën në gaz.

Meqënëse jemi tek kjo temë dua të shpenëzoj dy rreshta edhe për sicilianin Roberto Ferraro. Ai është dashuruar me botën arbëreshe si askush tjetër. Eshtë pjesëmarrës në të gjitha evenimentet e botës arbërshe, kishte ardhur edhe sot për promovimin e librit. E takoj për herë të parë.Për këtë motiv bota arbëreshe e komunave arbëreshe të Sicilisë e ka i ka dhënë atij titullin Nderim Arbëresh. Patëm rastin që të ishte per drekë me ne dhe e pyeta: Mos je me gjak arbëreshi? Ndërsa ai mu përgigjë: Më thuaj cilën venë të pres për gjetur se ku rrjedh ai gjak. Kam bërë edhe Adn por nuk më ka dal shqiptar. Nuk di se ku është fshehur ajo pikë gjaku që të vërtetoj se jam me prejardhje arbëresh i asimiluar. Qeshëm të gjithë në tavolinë, por ai e kërkonte me të vërtet këtë gjë.

Të dashur vëllezër shqiptarë, Kosovarë, Mal të Ti e Maqedoni të Veriu, në Diasporë dhe kudo që jeni, duhet ta dini mirë që Arbëreshët për atë çfarë ruajnë në kulturë, në artë, dhe në antropologjinë e tyre si ruajtës identiteti ngelen fisnik në shpirt!.

Mos harrojmë se Horën e mban gjallë vetë arbëreshi. Ai që jeton atje, që përplaset çdo ditë me vështirësitë, dhe kërkon me çdo kusht që kjo farë aq e pastër, dhe aq e rrallë në rruzull të jetë e përjetëshme!

Me sa shohim ata kanë ruajtur më së miri edhe “Mikpritjen”, “fjalën e dhënë”, dashurinë për gjuhën, per Ritin, dhe mbi të gjita atdhedashurinë e kanë të flakët. Kur arbëreshi i Horës, vendos dorën e tij mbi goks, i rreh zemrës dhe thotë furishëm: Jam Arbëresh! Ai moment për cilindo që është shqiptar është aq prekës, sa nuk egziston as një dramë që të të bëjë të pulsoj shpirtin.

Hora të përmbush me madhështinë e saj, në njerëz, në kulturë. Në Horë cdo gjë flet, cdo objekt rrëfen, dhe ka rëndësinë e tij.

Hora është epidermike, të lë mornicat në shpirt. Dashurohesh me të, sepse ajo është si një circe, të tërheq në gjuhën e saj, kulturën e saj, dhe me këta njerëz, të rinjë të reja gra, fëmijë, të ftojnë, të përqafojnë, të ofrojnë dhe në gen ata ngelen ajo fara më e pastër, më shëndosh dhe më e rrallë e Arbërisë.Nuk duhet humbur kjo farë, as të kthehet në hibrid. Kjo farë duhet vetëm të ripërtëririhet.

Hora na përmbush, por mos harroni se Hora e arbëreshëvet deri më sot vetëm ka dhënë, në shekuj ka ofruar kulturë më shumë se kushdo vend arbëror, tani ajo ka nevojë edhe për ne! Vizitoheni, dhe bëni diçka që ata mos të asimilohen!

Të përjetëshëm arbëreshët! Rroftë Hora Arbëreshe!

Faleminderti Hora Arbëreshe që më bënë të ndihem mirë si në asnjë vend tjetër!

Materiali i reservuar.

Ornela Radovicka Qëndra albanologjike A. Bellusci themeluar në 1980\ Frascineto Kalabri

Filed Under: Reportazh

MESHTAR NGA DARDANIA NË SHBA…

February 6, 2024 by s p

– kronikë e 7 takimeve me Don Ndue Gjergjin –

Nga Visar Zhiti

FYTYRA E VENDLINDJES

Më parë se ta njihja Don Ndue Gjergjin, i njoha vendlindjen në Kosovën tonë, tej në Stubllën e Epërme të Vitisë, një vend i blertë, me kisha dhe peizazhe plot diell, vërtet si të krishterta, kështu m’u duk, një qetësi peshpëritëse…

Vendlindja na jep kujtesën, por dhe karakterin, madje dhe fytyrën…

Ç’kujtohet nga Stublla? Ajo përmendet 100 vjet para botimit të Mesharit të Gjon Buzukut në Defterin osmano-turk të vitit 1455. Tregohet se atje ka qenë hapur një shkollë e lartë teologjike, një kolegj, pikërisht te “Ara e Kishës” sot, te lëndina në anë të varrezave të bardha me kryqe.

Këtu, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u hap dhe shkolla e parë shqipe e gjithë Kosovës, e lejuar, se të fshehta, ku mësohej gjuha amë kullave tona e tempujve, ka patur herët e më herët, është dhe muzeu në Kishën e Shën Gjergjit, ku mbahen takimet kulturore e letrare të Don Mikelet, aq të bukura, që fillojnë me një meshë të shenjtë.

Në kujtesën kolektive nuk harrohet masakra e viteve 1846 – 1948, që u ushtrua aty dhe në vendbanimet përreth për të hequr dorë nga besimi i krishterë. Pas qendresës heroike, 177 vendas i internuan në Anadoll. Një pjesë vdiqën rrugës nga mundimi, moçalishteve nga acari dhe torturat dhe tani nderohen si “Martirët e Karadakut”. Vetëm 76 veta mundën të kthehen gjallë në vendlindje dhe prej tyre u krijuan famullitë në Stubëll, në Binçë dhe në Kabash…

Stublla sot ngjan me një qytet të vogël, me rrugë e park e fushë tenisi, e qendër rinore, me libra e takime, por dhe e heshtur, se vërtet mërgojnë shumë nëpër botë.

Quhet e Epërme, se Stublla e tillë është në virtyte, fisnike në bujarinë e saj, sofër në Dardani, ku bëhet kryq…

* * *

Don Ndue Gjergji u lind në Stubullën e Epërme dhe aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Ndjeu thirrjen… afër është dhe Kisha kroate e Letnicës, ku vinte Nënë Tereza, kur ishte vogëlushe dhe aty mori vendimin, që të bëhej motër misionare…

Dom Ndou shkoi në Romë të diplomohej për Teologji dhe atë vit që mbaroi, në 1973, shugurohet meshtar në Komunën e Binçës, gjysmë shekulli më parë, nga ipeshkëv Imzot Nikë Prela.

Me sa dashuri e përkushtim shërbeu në famullinë e Binçës që nga viti 1975 deri në 1993. Ndërkaq brenda vetes ndjente se vendlindja i kishte dhënë durimin dhe qendresën, karakterin e saj “të blertë” dhe fytyra e mirë dukej si një copëz pllaje e saj.

Dom Ndou ia lë drejtimin e famullisë vëllait më të vogël, Don Lushit, shkrimtarit, që do të ndiqte nga pas Nënë Terezën kudo, edhe në Indi apo kur do të merrte çmimin Nobel për Paqe në Norvegji, në vizitat në Kosovë, etj, etj, duke u bërë biografi shqiptar më i mirë i Saj…

Në 1997 Don Ndue Gjergji kalon oqeanin dhe vjen në SHBA, meshtar në Miçigan, pikërisht në Kishën “Our Lady of Albanians”, e Zojës së Këshillit të Mirë, “Pajtores së Shqiptarëve”, Mbrojtëses së Nënë Terezës, siç na e dëshmon vetë. Kishën këtu kishte 20 vjet që e udhëhiqte famullitari i përndershëm, Ndrekë Ndrevashaj, tashmë i ndjerë.

Me ardhjen e Dom Ndue Gjergjit shqiptarët panë fytyrën e dhembshur të dheut amë.

Ndërkaq Kisha vazhdoi lulëzimin e saj, jo vetëm fetarisht, nga ana shpirtërore në predikimin shqip dhe anglisht të Fjalës së Zotit, por dhe nga ana atdhetare dhe me krijimin e Qendrës Kulturore për të gjithë, me emrin e shenjtes tonë “Nënë Tereza”, u rrit edhe më kulturalisht dhe artistikisht.

Dhe kështu u krijuan traditat e kremtimit të festave kombëtare shqiptare e amerikane, e festivaleve të përvitshme, konferencave, ekspozitave, përurimeve të letërsisë dhe ftesa shkrimtarëve, deri dhe të gëzimeve familjare, fejesa e dasma, etj, etj, e veprimtari me fëmijët, pra me të ardhmen. Së pari dhkolla e tyre edhe në gjuhën amë…

Dhe ai që printe ishte Don Ndue Gjergji, i përunjur dhe i kudogjendur, fjalëpak, por gjithë urtësi, “i paqtë dhe qëndrestar i së drejtës dhe të vërtetës njerezore” – do të shkruanin për të. Duke dalë tej mureve të kishës dhe si “njeri publik” Don Ndou u bë “strateg i paqes”, siç e cilëson një nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, Valentin Lumaj. Don Ndou është përbashkues mes gjithë shqiptarëve të të gjithë besimeve, në shoqata dhe parti, duke e tejkaluar atë që thoshte Konica qortueshëm se shqiptarët vetëm në valle bashkohen më shumë.

Dhe vinin nga kudo këtu, në këtë tempull, nga gjithë Amerika dhe Europa, nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne), nga Mali i Zi, etj, përpara u del shtatorja në bronz e shenjtes tonë Nënë Tereza e portat ua hap më pas Don Ndue Gjergji.

Fytyra e vendlindjes. Këtu “është një Shqipëri e vogël” – do të thoshte Zef Pergega.

Kisha është dekoruar dhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidentë të Shqipërisë, që dhe kanë ardhur këtej…

KRONIKË TAKIMEVE TË MIA

1.

Që të takohesha me Don Ndue Gjergjin, shkak u bë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, mbrojtësi i Europës, i qytetërimit Perëndimor dhe i Krishtërimit, – fjalë të tilla u thanë në simpoziumin shkencor që ishte organizuar me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij në Detroit, shteti i Miçiganit, në janar të vitit 2018, nga dy kishat katolike shqiptare, “Zoja Pajtore” dhe e “Shën Palit”.

Pashë se aty ishte dhe një statujë e madhe e Skënderbeut, lart mbi kalë, duket se vazhdon udhëtimin e tij shekullor, të bronztë në histori dhe në kujtesën e njerëzimit.

Një kongresmen amerikan kishte thënë se pa Skënderbeun ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe.

Simpoziumi që mblodhi studiues dhe historianë nga SHBA, Shqipëria e Kosova e Maqedonia e arbëreshë të Italisë, kishte për kryeorganizator Don Ndue Gjergjin, Një Kuvend i tillë kaq i gjerë nuk po bëhej dot as në Tiranë me akademi e institute historie, institucione e qeveri, edhe pse ishte shpallur Viti i Skënderbeut.

U takova me Don Ndue Gjergji, më dha dorën përzemërsisht. Ishte me kostumin e zi dhe me koletën e bardhë të priftit në gushë, flokët e bardha, fytyrë të butë, me rrudha të mira si hullitë e tokës se vendlindjes, truppakët si vëlla i Nënë Terezës, mikpritës, i qetë… Përshëndeti simpoziumin, zëngrohtë, me fjalë të zgjedhura, duke ua lënë radhën shkencëtarëve, referimeve të tyre. E shikoje kudo, i kujdesshëm me të gjithë, që gjithçka të shkonte sa më mbarë. Po kështu dhe prifti tjetër i kishës tjetër, Don Fred Kalaj, më i ri, me mustaqe të bardha, që punonte po aq, duke ruajtur dhe nderimin për Dom Ndoun.

Foli dhe Inxhinier Mërgim Korça, e njihnim që në Lushnjë im atë dhe unë, kishim miqësi dhe nderim për kulturën e tij. Babai i tij, minister dikur, vdiq në burgun e Burrelit me grevë urie, me të parën grevë urie kundër diktaturës, akt madhor, moral, i skajshëm. Folën në simpozium dhe historiani Pëllumb Xhufi, deputeti Romeo Gurakuqi, studiuesi Eduart Grishaj, arbëreshi Italo Sarro, Frashër Demaj nga Kosova, Njazi Muhameti nga Tetova, Konsulli i Nderit Ekrem Bardha, etj.

Për gazetën “Dielli” ishte gazetari Dalip Greca, kurse për “Zërin e Amerikës” me mikrofon në dorë ishte Ilir Ikonomi, historian dhe autor librash me vlerë.

Don Ndue Gjergji, që i ftoi, i përzgjodhi të gjithë këta? Dhe sa i tërhequr që rri vetë, dëgjon dhe thotë se do t’i botojmë të gjitha referatet në një libër të veçantë.

Sa mbresëlënës! I thjeshtë siç do të ishte dhe në një Kishë në Kosovë, në vendlindje, madje nuk bënte që të dukej si zot shtëpie, por njëri nga të gjithë aty, teksa duhej të kujdesej për të gjithë. Përunjësisht…

2.

Përsëri erdha nga Uashingtoni, nga Ambasada e Shqipërisë, ku punoja, por këtë radhë bashkë me time shoqe, Edën, për dy veprimtari: të ndiqnim një koncert, Dita e Shqipërisë në Detroit, në një amfiteatër të madh, të hapur, ku te shkalla e parë ishim ne dhe në mes kishim Don Ndue Gjergjin, po ajo pamje gjithë mirësi e tij dhe po ajo veshje, kryqi i argjendë në gjoks, i përzemert, ndejti ca dhe u ngrit, iku, kishte disa detyra të tjera për të kryer, na tha dhe të nesërmen, veprimtaria e dytë: meshën në kishën e tij, u shfaq në altar ashtu i bardhë, si i dalë nga retë dhe do të ftonte Edën… besimtarëve te shumtë do t’u thoshte me zë të lartë, kumbues e të ngrohtë, gjithë familjaritet, se ajo, Eda, është autorja e një libri, të botuar në Vatikan, të shkruar italisht, që i kushtohet Nënë Terezës në ditën e shenjtërimit, ku Eda me bashkëshortin ishin aty, dëshmitarë të kësaj ngjarje të madhe, të përbotëshme dhe ia la fjalën asaj, të tregonte për atë ditë përjetësie dhe emocionet, që kishte derdhur në libër.

Dëgjonte bukur. Me kryet pak mënjanë. Të bardhë si bora në Kosovë.

Fole më mirë se ç’e prisja, shkëlqyer! – i tha Edës buzagas, kur mbaruam, duke e falenderuar me shpirt.

3.

Përsëri në kishën “Zoja Pajtore” në Detroit, me Don Ndue Gjergjin përsëri dhe 800 të ftuar në përurimin e Qendrës së re kulturore “Nënë Tereza” aty pranë me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, në 107 vjetorin e saj. Tani vinim nga Çikago, ku kishim vendosur të jetonim, pasi i mbaruam të gjitha punët dhe detyrat në atdhe.

Pritja e Don Ndout dhe e bashkëpunëtorëve të tij, organizatorëve të festës ishte perfekte, kështu po thoshim…

Don Ndou na vuri te “të ftuarit e nderit”. Fjala e tij si përherë e shkurtër, e qartë, e përzemert, frymëzuese. Fytyra e tij – gjithmonë si vendlindja, kaq- shumë-mirë-pritëse. Me një qetësi të shenjtë.

Në skenë do të ngjitej Eda.

– Kam sjellë këtë dhuratë, – tha ajo, – me zërin ku përziehej dhimbja dhe gëzimi, – këtë portret të shenjtes tonë Nënë Tereza. Është vepër e piktorit Maks Velo, personalitet i kulturës shqiptare, ka qenë në burg politik bashkë me tim shoq, Visarin, por tani janë të njohur për veprat e tyre, Maksi ka hapur shumë ekspozita nëpër botë, edhe në SHBA, po edhe poezitë e Visarit janë përkthyer në gjuhë të tjera, edhe në anglisht. Këtë portret të Nënë Terezës, që e dua shumë, ai ma dhuroi mua dhe unë, me pëlqimin e tij po ia dhuroj Qendrës së re Kulturore “Nënë Tereza”… Dhurata duhet të të dhimbet, na mëson Nëna Tereza, – e përfundoi fjalën e saj gjithë emocion Eda.

Don Ndou e çmështolli me ngadalë pakon, nxori portretin e vënë në një kornizë, ua tregoi të gjithëve në sallën që po duartrokiste. Nuk ishte i madh, por rrezëllinte shenjtërisht. Pastaj përqafoi Edën…

4.

Miqësia me Don Ndue Gjergjin po bëhej më e bukur dhe e thellë, flisnim dhe në telefon. Më pyeste se ç’po shkruaja dhe shtonte se i lexonte me shumë qejf ato që botoja…

Ndërkaq në botë pllakosi pandemia e Covid-12, u ndalën shumë punëra e u pezulluan shumë veprimtari, fluturimet e avionëve u shtynë për një kohë të pacaktuar, Spitalet u mbushën plot dhe njerëzit u mbyllën nëpër shtëpira, edhe për në funerale nuk lejoheshin të dilnin… etj, etj.

Dom Ndou interesohej për ne, ishim të rinj si banorë të Çikagos, ç’nevoja kishim e si mund të na ndihmonte?

Ndërkaq ai erdhi të celebrojë disa mesha në Çikago, në rrethina, kishë katolike shqiptare s’ka ende këtej, por miku ynë i përbashkët, Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, e ftonte në Kishën, ku shërbente vetë dhe kujtoj, besimtarët ishin të gjithë me maska.

Na mrekullonte ardhja e Don Ndout, fjala e tij e qetë, qetësia e tij që fliste, sytë e vegjël që i ndrisnin, vullneti dhe forca, jepnin siguri e shpresë. Teksa tundëte incensierën në lter, djajtë trëmbeshin të padukshëm.

Don Ndou vinte me makinë nga Miçigani e me të mbaruar meshën, nisej për t’u kthyer nëpër natë dhe dimër. I luteshim të rrinte. Por e prisnin punë të tjera. Dhe ishte më buzagaz se herët e tjera. Bënte humor, na përqafonte dhe ikte… Duke na lënë të mbushur me meshë shqip. Dhe do të vinte prapë…

5.

Me Leka Briskun, që ngiste makinën, dhe të shoqen e tij, Blandinën, shkuam në Detroit me rastin e 50 vjetorit të themelimit të famullisë “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, ishte organizuar sërish një simpozium shkencor për historikun e kësaj kishe, e kaluara dhe e ardhmja.

Në ceremoni morën pjesë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe Arqipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj si dhe kreu i Françeskanëve të Shqipërisë, P. Pashku Gojcaj, njëherësh dhe botues i revistës “Zani i Shna Ndout” në Tuz. Nga Uashingtoni kishte ardhur dhe mikja jonë Merita Bajraktari.

Do të takoheshim sërish me atë që na prisnin aq mirë përherë, bashkëpunëtorë të Don Ndout, anëtarë të Këshillit të Kishës…

Pikë kulmore në simpozium do të ishte dhe fjala e mikut tonë, Dr. Lisandri Kola, lektor i letërsisë shqipe në Universitetin Ann Arbor. Kur ai do t’më ftonte mua pas një viti për të mbajtur një fjalë para studentëve të tij për “Letërsinë e dënuar shqipe”, do të vinin në auditor dhe Don Ndou dhe Don Fredi.

Ja, Don Ndou, shfaqej gjithë mirësi, me thjeshtësinë adhuruese, aq sa më dukej sikur flatrat i kishte lënë në dhomën e tij. Në famullinë e tij ai ishte zot shtëpie, por me kanun shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut…

Sa shumë miq që mblodhën! Ja, Don Xhovani Kokona… Po Inxhinier Mërgim Korça është?… takuam Huanën me Lekën…. atje tej vatranët…

6.

Përsëri të ftuar, tani në përurimin e një vepre të re për Nënë Terezën të vëllait të Don Ndout, Don Lush Gjergjit, vinte nga Prishtina, nga Katedralja “Nënë Tereza”.

Shkuam me Dhimo Janon, ai drejtonte makinën, ndoqëm meshën si fillim, dy vëllezërit në altar, zërat si lahutat në Kosovë… u kthyem brenda ditës. Kujtuam fjalët që kishte thënë Don Ndou për të vëllanë: Është më i vogël se unë, por ka të mira më shumë, ai shkruan.

Ai shkruan… lavdi shkrimit!

7.

Dhe po në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Detroit do të përurohej dhe romani im më i fundit “Këpuca e aktorit”, metaforë e ecjes së Shqipërisë, do të thuhej në diskutim.

Përsëri erdhëm me Dhimon e me Taip Beshirin, që u përkujdes të kishm dhe librat me vete. Udhëtuam një fundjavë maji, të këtij viti, ishim bashkë me zonjat tona. Do të na prisnin te pragu si përherë Vali, motër Vitorja…

Takimin do ta drejtonin z. Gjek me bashkëshorten Rita, dhe do ta çelte Don Ndou. Folën dhe znj. Merushe, edhe Eda ime…

Sa bukur, dy vajza të vogla na dhuruan lule. Po ato lule janë vetë, thashë.

Me motër Vitoren vizituam klasat, ku fëmijët mësonin shqipen, por dhe të kurseve të valleve, të teatrit, të punëdoreve, etj… Ndala në krye të klasës te dërrasa e zezë… si këmisha e Don Ndues, si netët tona plot ëndrra… më pëshpëriti Eda.

Ja, dhe Biblioteka me emrin “Don Ndue Gjergji”… Librat po më dukeshin sikur ishin duart e tij të shumta. Sa më shumë duar për punët dhe meshat… për të përqafuar aq shumë njerëz…

“Ndërkaq në ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer…”. Kështu shkruhet në Bibël, në Dhjatën e Vjetër, te Zanafilla. “Dhe Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë… u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar…” Shtatë ditë u deshën që të krijohej bota dhe jeta. Shtata – numër i shenjtë… Dhe kronika ime me Don Ndue Gjergjin kishte këto shtatë takime, më kryesoret. Që të krijohej një miqësi e sinqertë dhe nderimi im ndaj tij me përulësi.

* * *

Dom Ndou nga Kosova në Miçigan… 7 takimet e mia me Dom Ndoun, mbresa, që sikur përforconin brenda meje një dëshmi, një vepër…

Kishim shkuar përsëri në Kishën e tij “Pajtorja e Shqiptarëve”, nëpër dimër ta takonim pas lëngatës, që sapo kaloi. Deshi Zoti, është shumë më mirë tani, i rrethuar me miq, – na thoshin, kur pyesnim.

Ja, hapi derën dhe na u afrua sikur sapo kishte dalë nga fletët e Biblës. Dukej i përvuajtur, por buzëqeshja ishte po ajo, copëz drite. U fut dhe prifti i ri, Don Dino, që iu lut Dom Ndout të shkonte në krye të tryezës, por ai s’deshi… je ti tani… Më bëri përshtypje respekti dhe dashuria, por dhe marrëdhënia.

Dhe thashë me vete: meshtar nga Dardania e lashtë në Amerikën moderne… SHBA – aleati jetik i Kombit Shqiptar, që me NATO-n çliroi Kosovën… që le të bëhet sërish Dardani… Dardania Sacra …

Filed Under: Reportazh

MISSIONARY HERALD (1911) / RRËFIMI I PASTORIT AMERIKAN PHINEAS BARBER KENNEDY : “NJË UDHËTIM ME KALË NËPËR SHQIPËRI ËSHTË JO VETËM SHUMË INTERESANT, POR ZBULON EDHE RËNDËSINË E SAJ TË MADHE SI FUSHË MISIONARE…”

February 3, 2024 by s p


Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°321
Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°321

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Shkurt 2024

“Missionary Herald” ka botuar, në maj të 1911, në faqet n°320 – 321, rrëfimin e pastorit amerikan Phineas Barber Kennedy mbi mundësinë e zhvillimit dhe përhapjes së letërsisë së krishterë asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Terren strategjik

(Fusha e Turqisë Evropiane)

Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°320 – 321
Burimi : Missionary Herald, maj 1911, faqe n°320 – 321

Në shënimet e bëra së fundmi nga Pastori P. B. Kennedy mbi Shqipërinë si fushë misioni, një pikë e veçantë i kushtohet karakterit të saj strategjik dhe urgjencës së mundësive të tanishme atje :

“Shqipëria është vendi i mrekullueshëm malor në pjesën perëndimore të Turqisë në Evropë, në kufi me Adriatikun. Këtu sapo ka nisur puna nga Bordi Amerikan, ndonëse prej shumë vitesh interesohet për Konviktin e Vajzave në Korçë, i drejtuar me sukses nga Zonjusha Sevasti Qiriazi, dorëheqja e së cilës së fundmi do të bëjë të nevojshme ndryshime të rëndësishme. Puna persekutohet vazhdimisht nga qeveria dhe kisha ortodokse greke. Aktualisht, kjo shkollë ka gjashtëdhjetë nxënës ditorë dhe njëzet konviktorë. Vajzave u refuzohet hyrja për shkak të mungesës së hapësirës, pasi ambientet aktuale janë shumë të ngushta.

Ndërsa ky komb sapo ka filluar të zgjohet për përdorimin e gjuhës së tij, nevoja dhe mundësia për letërsinë e krishterë është përtej përshkrimit. Unë mendoj se është kombi i fundit në faqen e dheut që nuk e ka Biblën e Shenjtë në gjuhën e vet, megjithëse Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj tani po mendon të marrë përsipër këtë punë. Për këtë kanë vendosur një shtypshkronjë të madhe në Manastir. Vetë shqiptarët kanë nisur botimin e disa gazetave. Tani është rasti për t’u dhënë atyre literaturë të krishterë, që ndikimet e tjera të mos dëmtojnë të ardhmen e tyre të ndritur.

Puna ungjillore po fillon edhe në Elbasan, një qytet në Shqipëri, tre ditë udhëtim me kalë në veri të Korçës. Po bëhen përpjekje për hapjen e një institucioni të madh për djem dhe të rinj. Vetë shqiptarët, si të krishterët ashtu edhe myslimanët, janë të etur për të. Një institucion i tillë, dhe ndoshta një spital më vonë, do të përparonte shumë interesat e Krishtit në këtë pikë strategjike. Një udhëtim me kalë (nuk ka asnjë mjet tjetër transporti) nëpër këtë vend është jo vetëm shumë interesant, por zbulon rëndësinë e tij të madhe si fushë misionare. Për të arritur botën myslimane, duhet të arrish Turqinë. Për të arritur Turqinë, duhet të arrish racën e fortë, të guximshme të shqiptarëve, të cilët mbajnë kaq shumë poste drejtuese në të gjithë perandorinë, veçanërisht në ushtri. Për të arritur Shqipërinë, është e nevojshme të përmirësohet hapja e mrekullueshme providenciale brenda kësaj race të fortë dhe të pavarur.”

Filed Under: Reportazh

NJË FOTO UNIKE E PANJOHUR

February 2, 2024 by s p

Frano Kulli/

Fishta duke kurorëzuar martesën e shtypshkruesit

Zotni Lukë Luka, para do ditësh bëri një dhuratë publike mjaft të çmuar, simbas meje; nga arkivi i familjes së vet postoi në njërin prej rrjeteve sociale foton e kunorëzimit të prindërve të Zojës së tij të ndjerë, Netës. Shuk Leniqi e Lajde Daija, në diten e martesës. Fotoja mban datën 17 maj 1936. Është shkrepë prej mjeshtrit Kel Marubi. Vendndodhja është elteri (altari) i Kishës françeskane në Gjuhadol , Shkoder.

Duke pasë edhe lejen e bekimin e poseduesit të kësaj relike (foto), po bëj edhe dy komente të shkurta:

Së pari: vlera qytetse e estetike që fotoja ka. Në foto janë rreth shtatëdhjetë persona, burra e gra, por edhe fëmijë. Të gjithë të veshur bukur e shik, prej te më i madhi e deri te më i vogli. Çifti, me veshje klasike të rastit , nusja me vel e kunorë, të dy të ulun ne gjunj, në momentin e ndërrimit të unazave, duke ia vendosur unazën në gisht njëri-tjetrit, simboli i bashkimit e krijimit të familjes së shejtë, me besim e dashni aty në shtëpinë e Hyjit, si bërthama themelore e shoqnisë. Kumarët, dëshmitaret e martesës, janë zotni Palok Noga (me qirin tradicional në dorë) dhe Kolë Mjeda me te shoqen. Në sfond të fotos kori i kishës…Secili i venduem me vend e me rend, simbas lidhjes e përafrisë që kishin me çiftin protagonist e me rastin e papërsëritshëm të tyre në jetë, siç është kurorëzimi i martesës në kishë për katolikët. Cilësia e fotos është e tillë , sa personat që pozojnë aty njihen fytyrë për fytyrë e emër për emër. Edhe pse fotoja është e gati 90 vjetëve më parë. Se përndryshe…për nga kompozimi dhe elementët e përgjithshëm të saj por edhe prej paraqitjes së pozantëve nuk kishte se si të dallohej, nëse fotoja ishte bërë në…Venecia, Firence, Romë, Vjenë a diku tjetër në Europë.

Së dyti, në foton e një momenti solemn familjar të një familjeje qytetse të Shkodrës janë edhe, më së paku tre persona publikë, njeri më me peshë se tjetri. Edhe kjo shejë e një bashkëjetese plot kulturë e sharm, në harmoni të plotë të qytetarëve, me rendet e klasat e shoqërisë që përfaqësojnë. Meshtari i zgjedhur për kunorzimin, françeskani i madh At Gjergj Fishta, Kolë Mjeda (1885-1951) deputeti i Shkodres për disa legjislatura e zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare, mbajtës edhe i posteve të tjera publike të kohës, kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1924-’25), prefekt i Dibres e deputet i saj, gjithashtu. Po edhe më i riu i tyre, prifti i saposhuguruem asokohe, dom Ernest Çoba, i cili masandej më vonë, tridhjetë vjet më vonë, kur revolucioni ateist mbyll kishat dhe prelatët e klerikët mbarë (ata që kishin mbetë ende gjallë) i mbyll në burgje, do të ishte Arqipeshkvi i fundit i Shkodres, cili ndrroi jetë në mënyrë enigmatike në spitalin e burgut të Tiranës, në dimrin e vitit 1980 (8 janar).

Nuk është e njohur ndonjë foto tjetër e Fishtës në një rast sakramenti si ky. Deri tani, jo. Edhe zotni Luka, megjith moshën e njohjeve që ka, më thotë gjithashtu se nuk din për ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Dhe ka shumë gjasa të mos ketë. Se sikur të kishte, me siguri mbamendjet qytetëse të Shkodrës do të na e kishin bërë me dije. Ashtu sikurse na vijnë prej asaj kohe nëpërmjet kujtesës së transmetuar kumte si: “të dielen që meshën te fretnit e thote pader Gjergji, kisha ishte plot e përplot e predku (predikimi) i tij e lête gjindjen me gojë hapë “. Dhe kështu kërshëria rritet edhe më tepër.

Po pse atëherë dasmen e Shuk Leniqit e shuguron Fishta?! Dhe ndodhte tani (viti 1936), kur Fishta ishte 65 vjeç dhe kur mosha e famës së tij kishte mërrijt në maje. E kur veprimet e punët sakramentare për té, tashma ishin gjithnji e më të pakta . Me siguri ka qenë një shtysë e empati e fortë…Shuku ishte tipografi i shtypshkronjës së fretënve. Vetmjaftueshëm për pader Gjergjin e Madh, për të bërë edhe punët e fratit të përvujtë…

-Kjo ceremoni e veçante, pati jehonë nga që cebrimin e bani Pater Gjergji (rasti i vetëm i tij, me modesti e fisnikni) e u ndoq prej shumë zojave e zotnive me veshje moderne te kohes, familjare, miq e shoke te ftuem ne darsem- na ban me dije në diçituren e fotos së publikuar, zotni Luka.

Filed Under: Reportazh

Promovim veprash të gjenocidit serb mbi shqiptarët!

February 1, 2024 by s p

Në lokalet e restoranit „Sportgaststätte“, të pronarit shqiptar, Besnik Thaçi në Heilbronn, u promovuan veprat publicistike e dokumentare: „Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999“, të autorit Nusret Pllana, „Fëmijët shqiptarë viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999“, të autorëve: Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana, „Mos harro kurrë – Vergiss Niemals “, të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, të filmit dokumentar „Kush i vret fëmijët?! “, të autorëve: Nusret Pllana e Esat Shala dhe, të filmit dokumentar „Drenusha“, të autorit Nusret Pllana.

Me këtë rast, me prezencën e tyre, përveç të tjerëve na nderuan: Imer Lladrovci – ish Konsulli i Republikës së Kosovës dhe Shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart, z. Hamdi Berbatovci, veprimtari dhe diplomati, z. Kadri Gërvalla, veprimtari i çështjes kombëtare dhe Kryetari i Ansamblit „Pavarësia“ të Shtutgartit, z. Baki Mustafa me bashkëshorten e tij Bedrije Mustafa, veprimtarët e palodhshëm të çështjes kombëtare, Shaip Ademaj, Lindita Haxhiu, Shemsi Zeqiri, Nazim Bajrami, Naser Sadiku, Lon Karrica, Skender Alimetaj dhe Grupi i të rinjëve nga Heilbronni, të Shoqatës „Zanat e Mërgimit“, me koreografen Arbnora Sadiku, ish i burgosuri politik dhe bashkëvuajtës me Nusret Pllanën, z. Abdullah Zhegrova, këngëtarët Nikolin Perpali, Claudie Prenaj e Pajazit Zhegrova, mësuesja e Shkollës shqipe në Heilbronn, znj. Luljeta Krasniqi dhe fotografi e kameramani i përkushtuar, Prof.Gani Kryeziu, të cilët i falënderojmë nga zemra për kontributin e madh gjatë kësaj mbrëmjeje të suksesshme promovuese, të cilën e udhëhoqi me përgjegjësi e profesionalizëm, patrioti dhe veprimtari i devotshëm i çështjes kombëtare, tropojani Can Tahiri – Kryetar i Parlamentit paqësor kombëtar shqipëtar.

Një falënderim i veçantë për këtë manifestim të suksesshëm kulturor i shkon bashkëluftëtarit tim, z. Agron Morina dhe veprimtarit e poetit Lulzim Osmanaj.

Shkruan: Nusret Pllana

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 173
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT