• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISMAIL QEMALI DHE ISA BOLETINI

December 2, 2023 by s p

(DHE NJË INTERVISTË E PANJOHUR E ISMAIL QEMALIT PËR GAZETËN “IL PICCOLO DELLA SERA”)

Nga Evarist Beqiri*

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”

Kjo intervistë e Ismail Qemalit publikohet për herë të parë në Shqipëri. Intervista është realizuar për gazetën italiane “IL PICCOLO DELLA SERA”, Trieste, më 19 qershor 1914. Ismail Qemali flet nga Brindisi, pak para rikthimit të tij në Shqipëri. Pas dorëheqjes nga drejtimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në janar 1914, ai u largua për pak muaj jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer sërish në qershor 1914, për t’u përballur sërish me situatën jashtëzakonshme ku gjendej vendi.

Në këtë intervistë Ismail Qemali flet për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe në mënyrë figurative dhe kuptimplotë shprehet se: “Kush ndjell erën, nuk mund të pres veçse furtunën.” Ai thotë se, “unë që e kam përballuar rrezikun me shpirtin e qetë dhe jam urryer nga Turqia, si edhe për të mirën e atdheut, nuk pranova kryesimin e qeverisë, u akuzova si bashkëpunëtor i xhonturqve në Shqipëri. Akuzë më qesharake dhe më të pabazë nuk mund të gjesh.”

Ismail Qemali vijon më tej intervistën duke analizuar shkaqet e anarkisë në të cilën gjendej vendi, pas veprimeve të KNK-së, Princ Vidit, Esat Toptanit dhe zhvillimit të lëvizjes dumbabiste: “Shqipëria e kishte një qeveri. Nuk e deshën, por preferuan t’ia linin në dorë atyre që duan ta zhvasin dhe të kënaqin ambiciet e tyre të shfrenuara. Koha është mësuesi më i mirë dhe i tregon njerëzit. Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë, sepse kam punuar përherë për të mirën e vendit tim. Shpifjet që më kanë prekur, nuk e kanë dëmtuar dot nderin tim, të cilin do ta ruaj të paprekur deri në vdekje.”

Në saj të karakterit të tij të fortë, integriteti i Ismail Qemalit mbeti kurdoherë i pacenueshëm. Ismail Qemali me gjithë fuqinë e shpirtit të tij fisnik, nuk rreshti asnjë ditë së punuari për Shqipërinë. Ai ishte shpëtimtari i Shqipërisë në momentin më vendimtar të historisë së saj. Ai ishte lloji i liderit, që atë që thoshte e kishte gjithmonë të bashkërenduara me atë që bënte. Ky ka qenë perceptimi i djeshëm, ky është perceptimi i sotshëm dhe ky do të vazhdojë të jetë edhe perceptimi i nesërm i udhëheqjes së Ismail Qemalit. Ja si e kujton, Tafil Boletini, nip i Isa Boletinit dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë: “Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik. Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit…

Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës. Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën…”

Tafil Boletini dëshmon se: “Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”.”

Isa Boletini, Bajram Curri etj., ishin emisarët e fshehtë të Qeverisë së Vlorës, sepse në ato momente nuk ishte e volitshme angazhimi zyrtar i shtetit të ri shqiptar në organizimin e kryengritjes. Prandaj në fshehtësi ata së bashku me muhaxhirët kosovarë që ishin mbledhur në Vlorë, ishin duke organizuar lëvizjen çlirimtare në krahinat shqiptare të pushtuara nga serbët e malazezët.

Një tjetër moment domethënës, i cili shpalos udhëheqjen dhe karakterin burrëror të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, është mënyra sesi Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e pritën vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911. Kjo vizite synonte paqtimin e shqiptarëve pas reprezaljeve të dhunshme që turqit kishin kryer ndaj shqiptarëve kryengritës.

Xhonturqit menduan të ndryshonin taktikë me shqiptarët dhe të shfrytëzonin rastin e realizimit të vizitës së sulltanit plak Mehmet Reshatit V në Shqipëri. Në delegacionin që do të shoqëronte sulltanin, ata menduan të përfshinin Ismail Qemalin dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë. Por, Ismail Qemali e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në një delegacion të tillë dhe e denoncoi këtë udhëtim në opinionin publik si qesharak dhe të padobishëm.

Tafil Boletini shkruan se, “në verën e 1911, Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane. Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi.” Si pasojë e qëndrimit të palëkundur të këtyre dy burrave, vizita e Sulltanit në qershor të vitit 1911, u shoqërua me ftohtësi dhe nuk i përmbushi synimet demagogjike të xhonturqve.

Porta e Lartë ndiqte taktikën e shkopit dhe karotës, duke tentuar hera-herës që t’i joshte me poste dhe privilegje shqiptarët e shquar. Megjithatë zonat malore të Shqipërisë nuk iu nënshtruan kurrë ligjit islamik (sharia) dhe vijuan të zbatonin kodin e tyre zakonor. Tafili Boletini kujton se, “Hasan Prishtina në qershorin e vitit 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës. Hasan Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi.” Ismail Qemali dhe Isa Boletini do ta vazhdonin betejën e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë.

Ismail Qemali gjatë qëndrimit të tij në Francë, ku u vendos pas largimit nga Italia në prill të 1915, refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përfshirë territorin shqiptar në luftë, të cilën ia paraqiti burrështetasi i shquar francez Aristid Briand (11 herë kryeministër i Francës) dhe disa parlamentar të tjerë francez. Në një koktej të shtruar për nder të tij në vitin 1916, ata i kërkuan atij ndihmë për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë, si mbështetje logjistike në ndërmarrjen e një aksioni të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore.

Pas këtij refuzimi, Ismail Qemali, u detyrua të largohej nga Franca, së bashku me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar aty. Kështu që ai shkoi në Spanjë, për të komunikuar më me lehtësi nëpërmjet ambasadës amerikane në Madrid, me shqiptarët e Amerikës, që e kishin caktuar ndërkohë si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris. Më 20 dhjetor 1918, ai vjen nga Barcelona në Xhenova dhe niset drejt Peruxhias, për të koordinuar me qeverinë italiane strategjinë e tij të mbrojtjes së çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Aty, ai do të mbyllte sytë me brengën e tij të madhe për fatin e Shqipërisë…

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte.

Ka kategorizime të ndryshme për politikanët. Ka njerëz që mbahen mend si udhëheqës të mëdhenj, si burrështetas. Por, ka edhe të tjerë që shkojnë përtej këtyre kategorizimeve dhe populli iu hedh mbi krye petkun e profetit. Kjo për shkak të trashëgimisë së tyre sublime. Ismail Qemali hynte tek kategorizimi i fundit, të cilin e ka shprehur madhërisht në vargjet e tij kushtuar Ismail Qemalit, poeti i madh Ali Asllani:

“Ish Profit dhe mbet Profit;

Dhe qëndron ashtu si ishë;

Do mbaj emrin si e kishë;

Emr’i tija i vërtetë;

Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

Filed Under: Reportazh

GËZUAR 111- VJETORIN E PAVARËSISË, SHQIPËRIA E MADHE ETNIKE

November 30, 2023 by s p

Valdete Dida Cenalia/

Zemra e mban njeriun, si flamuri kuq e zi që na përfaqëson të gjithëve ne, në mbarë kombin shqiptar kudo që ndodhemi nëpër botë. Kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër në botë i ka të shenjta datat historike, datat që lidhin shekujt, idealet dhe krenarinë kombëtare. Kombi shqiptar ka nje datë që na bën bashkë të gjithëve, pa dallim krahine e feje ashtu siç bëri dhe The Albanian Alliance of New Jersey (që drejtohet nga Alban Gaba) në këtë ditë madhështore të 28 Nëntorit. Në këtë ditë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 Nëntor 1443 në prani të fisnikëve shqiptare të Krujës, ngriti flamurin në kështjellën legjendare të Krujës, në trojet Arbërore me shqiponjën dykrenare. Më 28 Nëntor 1912 ora 14 plaku mjekërbardhe, Ismail Qemali në prani të delegatëve të të gjithave krahinave të kombit shqiptar valviti flamurin e Skënderbeut me shqiponjën dykrenare. Ai flamur u rikthye në trojet e veta, edhe pse të emigruar erdhi si shqiponjë e pamposhtur për të dëshmuar se përfaqëson kombin fisnik e të lashtë që në genin e tij nuk kishte as grabitjen e trojeve. Të mbushen sytë me lot, ndjehesh shumë krenare kur ti dëgjon emrin Shqipëri dhe Shqiptar. Kur Ekzekutivi i Qarkut Bergen James Tedesco shprehet se shqiptarët janë një popull i fortë, i pasur me shumë kulturë. Të mbushet shpirti, kur kryetarja e Bashkisë së Fairview Nju Xhersi, Violetta Berisha flet aq bukur shqip për këtë ditë të Flamurit, për kulturën, traditat dhe atë çfarë na simbolizon ne më së shumti, zgjuarsinë. Zgjuarsia dhe mprehtësia e Violettës shpalosi në pak minuta se kush ishin dhe janë shqiptarët, si shqiptarët e kanë ruajtur kulturën, gjuhën dhe traditat, ku dhe vetë familja e saj ka festuar çdo vit Festën e Flamurit edhe pse larg vendlindjes, jemi rritur me ngjyrat e këtij flamuri kuq e zi. Jam krenare që jam shqiptare! Gëzuar, Festën e Flamurit shqiptarë, kudo që ndodheni! Para ngritjes së flamurit Arjana Fetahu Gaba recitoi një nga poezitë e saj:

”Rrënjët i kemi Kastriot” Rrënjët kemi Kastriot

mbushur sheshi kuq e zi,

Ne faqe ca lot më ranë,

Nuk është dhimbje por dashuri,

Të shikoj vëllain me vëllanë.

Në zemër na vlon gjaku i Arbrit,

Jemi bijtë e Shqipërisë,

Me kostum veshur malësori,

Dridhet teli i çiftelisë.

Po shoh Vlorën, shoh Tiranën,

Shoh Kosovë e Çamëri,

Bie lahuta, gjëmon toka,

Vdesim ne për Shqipëri.

Po shoh Strugën dhe Preshevën,

Dibra, Shkodra që janë nji,

Kështu të jemi grusht bashkuar,

Rreth flamurit kuq e zi.

Në Nju Jork u mblodh Shqiptari,

Rrënjët kemi Kastriot,

O flamur valëvitu qiellit,

Të të njohë e gjithë kjo botë.

Filed Under: Reportazh

SHKOLLA SHQIPE NË LUGANO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË ZVICËR

November 29, 2023 by s p

Mimoza Qarreti-Elshani, mësuese e shkollës shqipe në Lugano të Zvicrës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Lugano të Zvicrës, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mimoza Qarreti-Elshani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE LUGANO

Jam e lumtur që më keni ftuar të flas për shkollën e Luganos në kanton Ticino ku kam kënaqësinë të jem mësuese qe 2 vite. Ne bashkëpunojmë me Shkollën Shqipe e cila që nga viti 2019 e deri më sot ka hapur pika shkollore në 20 kantone të Zvicrës me mbi 110 pika shkollore dhe falënderojm koordinatorin zotëri Vaxhid Sejdiun për kontributin e palodhshëm. Në shkollën tonë mësimi organizohet një herë në javë, çdo të mëkurë nga ora 14:00 -15.45 në shkollën e Massagnos. Mosha e nxënësëve varion nga 6 -12 vjeç dhe me bindje të plotë e them që kemi nxënës të shkëlqyer të cilët nuk e kursejn veten në kryerjen e obligimeve ndaj shkollës. Në muajin nëntor kemi arritur të hapim dhe një pikë shkollore në Roveredo. Pë momentin jemi të kënaqur me funksionimin e këtyre shkollave, bashkëpunimin që kemi me prindër dhe rezultatet të cilat i kemi arritur por synimi ynë është që të rrisim numrin e nxënësëve. 



KURRIKULA MËSIMORE, BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN

Edhe shkolla e Luganos ashtu si të gjitha shkollat shqipe në Zvicër përdor tekste shkollore, të cilat kanë ardhur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës. Ne punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë.Tani Kosova dhe Shqipëria kanë formuar një grup pune për hartimin e teksteve të gjuhës shqipe, të cilat i plotësojnë standardet e nevojshme për ngritje të cilësisë në mësimdhënie por mbi të gjitha të mësimnxënies. Prindërve të tjerë u bëjm thirrje që të regjistrojnë fëmijët e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund ta ruajm gjuhën shqipe tek brezi më i ri. Tani mundësia është, prandaj mos lejoni që fëmijët tuaj të ndihen të izoluar kur të jenë me pushime në atdhe nga frika që mos të gabojnë kur të flasin. Bëni që ata të ndjehen të lumtur kur marrin rrugën për në atdhe.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Fatmirësisht, tani kemi shqiptar të shumtë të cilët kanë arritur suksese të mëdha nëpër botë dhe na bëjnë krenar dhe nuk jemi më ai vendi ku bota nuk na ka njohur si popull që di të këndoj, aktroj e punoj nëpër institucione të rëndësishme, por tani ne e kemi dëshmuar këtë. Sipas mendimit tim  mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët të cilët po rriten në vend të huaj do ia shtoj vlerën dhe më shumë vendit tonë.  Në këtë mënyrë, fëmijët tanë do mund tu tregojnë bashkëmoshatarëve të tyre për kulturën dhe identitetin shqiptar.

REAGIMI I SHOQËRISË E SHTETIT ZVICERIAN

Duhet theksuar, që sapo kemi arritur të kemi një njohje nga ana e kantonit të Ticino ku fëmijët në fund të vitit marrin një diplom e cila është e njohur nga institucionet Zvicrrane .

Prandaj mund tę them që jemi shumë të kënaqur me institucionet shkollore zvicrane të cilat kanë një interes të veqant për mësimin plotësues sepse sipas tyre, kur fëmija di të flas mirë gjuhën e nënës do ta ketë më të lehtë të mësoj dhe një gjuhë të dytë. 

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Interesimi i nxënësëve është që ne të përdorim teknologjinë sepse u ndihmon në mësimnxënie. Nuk është e lehtë të organizohet mësimi sidomos për fëmijët të cilêt kanë vështirësi në gjuhën shqipe por me vullnetin dhe dëshirën që kemi jemi duke arritur rezultate të shkëlqyera.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIMOZA QARRETI-ELSHANI?

Mësuese Mimoza Qarreti-Elshani është e lindur në një fshat piktoresk i quajtur Landovicë në afërsi të Prizrenit. Studimet universitare bachelor i kam kryer në drejtimin gjeologji-gjeografi  në fakultetin e Prishtinës ndërsa studimet master në GIS poashtu në Prishtinë. Në Zvicër kam ardhur në tetor të vitit 2010 dhe  që nga viti 2022 punoj si mësuese e Shkollës Shqipe në Lugano. Nga viti 2017 punoj si profesoresh zëvendësuese në drejtimin gjeografi dhe histori në ciklin e mesëm në kanton Ticino. Gjithashtu që nga viti 2019 deri në 2023 kam punuar në një firm në Zvicër në drejtimin gjeoinformatik. Pasi që mua më pëlqen të mësoj gjithmon gjëra të reja, aktualisht punoj si asistente në kontabilitet. Gjatë këtyre viteve kam ndjekur kurse të ndryshme në Zvicër. Për karrierën time i jam mirënjohëse babait tim tashmë të ndjerë Sami Qarreti ku falë tij sot jam kjo që jam. Gjithashtu falënderoj dhe gazetën Dielli në SHBA për interesin dhe kontributin e dhënë në këtëdrejtim

Filed Under: Reportazh

Vatra Miami organizoi ekspozitë me kostumet kombëtare

November 28, 2023 by s p

Në simbolikë të ditës së Flamurit 2023-të, fundjavën e tretë të Nëntorit, Dega e Vatrës Miami kishte të ftuara nga Kosova, Zonjën Valdete Berisha dhe Zonjën Lajde Kolgjeraj të cilat në mjediset e biblotekës të “Five Star Premium Residence of Hollywood” hapën ekspozitën me temë: “ Tradita e Artit Shqiptar ndër vite”. Këto zonja me përkushtimin dhe talentin e tyre kanë vënë emër të veçantë në mbledhjen dhe ekspozimin e kostumeve popullore nga mbarë trevat shqiptare.

Binin në sy veçanërisht kostumet e zonës së Hasit që i përkasin koleksionit privat të zonjes Kolgjeraj. Pikturat me motive të mjediseve dhe kostumeve nga pothuaj të gjitha trevat e Shqipërisë të punuara nga Zonja Berisha i shtuan gjithashtu vlerën kësaj ekspozite.

Të ftuarit patën një interesim të veçantë për kostumet dhe bizhuteritë popullore qindra vjeçare të mirëmbajtura dhe prezantuara me shumë profesionalizëm. Ato u ndalën dhe bënë pyetje për detaje që i shihnin si tërësisht orrigjinale.

Ky prezantim i artit dhe traditive tona të lashta në një mjedis relativisht të ri kulturor sikur është zona e Miamit solli një ditë ndryshe për seicilin të pranishëm dhe padyshim shënoi edhe një herë vlerën dhe madhështinë e kostumeve dhe dokeve tona të cilat na e shtojnë ndjenjën dhe krenarinë kombëtare sa herë që i hasim apo prezantojmë.Duam të besojmë se kjo traditë nuk do të shuhet me vitet, por përkundrazi do të mbetet e gjallë dhe frymëzuese për aq kohë sa bashkëatdhetarë pasionant sikur zonjat Berisha dhe Kolgjeraj do të tregojnë kujdes t’i mbledhin, ruajnë dhe shpërndajne këto vlera në çdo cep ku jetojnë shqiptarët, por edhe jo vetëm ata!

Filed Under: Reportazh

Në shtëpinë-muze të patriotëve Marigo e Jovan Posio

November 27, 2023 by s p

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj/

Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, ndaluam në fshatin Hoçisht të Devollit, ku vizituam shtëpinë – muze të atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posio. Shtëpia – muze e rindërtuar me shumë mund e sakrificë nga pasardhësja e familjes Posio, znj. Violeta Pojani dhe bashkëshorti i saj z. Bardhyl Lubonja kishte ruajtur origjinalitetin e shtëpisë së vjetër të kësaj familjeje. Që në momentin e parë që pamë shtëpinë nga jashtë, mbetëm të impresionuar nga madhështia e saj, arkitektura autentike dhe dekorimi me simbole kombëtare. Flamuri kuqezi valëvitej krenar në ballë të shtëpisë së “vajzës së flamurëve”, Marigosë, asaj që qëndisi me duart e saj të arta simbolin tonë kombëtar.

   Marigo Posio lindi në Korçë, më 2 shkurt 1882, në një familje me origjinë voskopojare.

Ajo ishte bija e Papa Kosta Poçit dhe Lenka Ballaurit. Familja e saj kishte lidhje farefisnie me shumë atdhetarë të shquar korçarë. Që në vegjëli u brumos me dashuri për gjuhën shqipe dhe atdheun. Marigoja ishte vajza e 27-të e regjistruar në shkollën e parë të vashave në Korçë e për mësuese kishte atdhetaren e shquar Sevasti Qiriazi. Në moshë të re u martua me Jovan Posion nga fshati Hoçisht i Devollit, me të cilin pati katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. 

Rreth vitit 1904, së bashku me bashkëshortin e saj, u detyrua që të largohej drejt Vlorës, pas përndjekjeve të shovinistëve grekë dhe reaksionit turk. 

   Marigoja, si simbol i qëndistares së flamurit, është mjaft e njohur, por në fakt ajo është një figurë shumëdimensionale. Ajo ka qenë veprimtare e shquar e çështjes kombëtare, aktiviteti i së cilës është shtrirë në dy periudha historike me rëndësi të veçantë për vendin tonë, atë të Rilindjes dhe  atë të Pavarësisë. Kjo grua intelektuale, me horizont të gjerë e kulturë, me ide iluministe, që ia kushtoi jetën lirisë dhe flamurit, punoi pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe, përparimin e Shqipërisë si dhe emancipimin e gruas shqiptare. Roli i saj në shtypin e kohës, si drejtuese e gazetës “Shpresa Shqiptare”, ishte shumë domethënës. Artikujt e saj do t’i shkruante me pseudonimet “Sapi” dhe “Shqiponja”. Ajo mbronte idenë se hapja e shkollave në gjuhën shqipe, do të shërbente si ndritje e mendjes së shqiptarëve dhe do t’iu zgjonte atyre ndërgjegjen kombëtare. Kjo patriote e flaktë ishte nga të paktat gra që do të aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës. Marigo Posio mori pjesë në Komitetin e Parë, që u formua në Vlorë për shpëtimin e atdheut, të cilin e ndihmoi dhe  me të holla. Ajo e njihte mirë letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Marigoja shumë shpejt u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare. Mes plaçkave që solli nga Korça do të ishte edhe  një flamur i qëndisur me dorën e saj. Ajo i këshillonte vajzat vlonjate, që në pajën e tyre të kishin patjetër një flamur, me shkabën dykrenare. Nga Vlora ajo do të ndiqte me vëmendje veprimet e çetave patriotike kundër forcave osmane, greke dhe serbomalazeze. Me krijimin e klubit “Labëria” në vitin 1908, Marigoja u aktivizua në rolin e këshilltares. 

   Duke vizituar shtëpinë -muze u njohëm me fakte të reja, dokumenta me rëndësi historike, fotografi të vjetra, objekte të përdoruara nga familja Posio si dhe me pemën gjenealogjike të familjes. Vlen për t’u përmendur se kjo shtëpi nuk do të ishte shndërruar në muze pa ndihmesën e çmuar të studiuesit dhe historianit z. Niko Kotherja . Falë përkujdesjes së tij dhe punës së palodhur shtëpia- muze e atdhetarëve Marigo e Jovan Posio është perfeksionuar e pajisur me materialin e posaçëm historik. 

   Biseda jonë me znj. Violeta do të vazhdonte dhe pas shtrimit të një dreke tradicionale me gatime të zonës së Devollit. Ajo na foli rreth përkushtimit të familjes Posio lidhur me lëvizjen për çlirim kombëtar. E gjithë familja iu përkushtua kësaj lëvizjeje duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë monetare në shërbim të atdheut,  përparimit të kombit, zhvillimit të kulturës e arsimit. Shtëpia e çiftit Posio ka pritur e përcjellë patriotë nga të katër anët e atdheut. Jovani, bashkëshorti i Marigosë mori pjesë në veprimtari të shumta patriotike për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndjenjën e atdhedashurisë. Ai ishte gjithashtu mbështetës i flaktë i arsimimit të popullit nëpërmjet shkollave shqipe, duke kundërshtuar me fanatizëm hapjen e shkollave greke në jug të Shqipërisë. Gjithashtu ai financonte sipas mundësive disa prej gazetave përparimtare të kohës dhe shkollën shqipe të Korçës. Shpërndante libra e gazeta shqip. Në qytetin e Vlorës, ai u bë anëtar i klubit “Labëria”.

   Marigoja e Jovani i kishin brumosur fëmijët e tyre me ndjenja të larta patriotike. Evridhiqi, vajza e madhe e Marigosë, e studiuar jashtë Shqipërisë, ishte pjesë e orkestrinës së klubit “Labëria”, ku këndonte me mandolinë kënget shqipe. Zëri i saj melodioz dëgjohej edhe në kishën katolike të Vlorës, të drejtuar nga Dom Mark Vasa teksa këndonte në gjuhën amtare. Vajza tjetër Fereniqi do të ishte krahu i djathtë i së ëmës duke e ndihmuar atë në rolin e redaktores së gazetës “Shpresa Kombëtare”. Ajo do të luante një rol shumë të rëndësishëm me anë të shkrimeve së saj për emancipimin e femrës shqiptare. Edhe i biri Vasoja, muzikant i studiuar në SHBA do të dallohej si atdhedashës, që kontibuonte për kombin në rrugë të ndryshme, si me të holla ashtu dhe me anë të kapacitetit të tij intelektual. Në moshë fare të re ai mori pjesë në dramën historike “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos.

   Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes do të kurorëzohej me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës. Lufta e pandalshme e popullit shqiptar dhe përpjekjet e njëpasnjëshme të patriotëve, arriti kulmin pikërisht në këtë moment, kur Shqipëria fitoi mëvetësinë nga pushtuesi shekullor osman dhe u bëri fakt të kryer fqinjëve grabitqarë që kishin shkelur kudo mbi territoret shqiptare me dhunë e terror. Pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë dhe firmosjes së Deklaratës nga përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare, kulmoi me ngritjen e flamurit kombëtar mes brohorimave dhe euforisë së popullit shqiptar. 

Prezenca e flamurit ishte pikërisht meritë e punës dhe  përkujdesit të patriotes Marigo Posio. Përgjatë muajit nëntor, shtëpia e Posiove, ishte kthyer në një punishte për stamposjen e flamujve kombëtarë. Ajo, së bashku me Petro Fotografin dhe Thanas Floqin, përgatiti me qindra flamuj për ditën e pavarësisë kombëtare. Thuhet se ajo ka qenë e pranishme edhe në ngritjen e flamurit dhe e ka parë me sytë e saj firmosjen e dokumentit të shpalljes së pavarësisë. 

…………………………………..  https://konica.al/wp-content/uploads/2022/08/89398996_1376599585868913_8892870691360079872_n.jpg                     

   Megjithatë, nga sa thamë më sipër, kontributi i Marigosë qëndron përtej qëndisjes së flamurit kombëtar. Më 1914-ën, ajo u vu në krye të përpjekjeve për të ndihmuar muhaxhirët çame të dëbuar nga vatra e tyre nga shovinistët grekë. Më 1920-ën ngriti zërin në mbrojtje të Avni Rustemit. Në vitin 1924, së bashku me të shoqin, Jovan Posio mbështetën me të gjitha forcat e tyre  Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin. Dhe këto nuk do të ishin angazhimet e saj të fundit. 

   Megjithatë sëmundja e tuberkulozit që e preku në vitin 1924 dhe vdekja e  fëmijëvë të saj nga po kjo sëmundje ia ndalën  hovin për t’i shërbyer interesit kombëtar deri në fund.Në vitet e fundit të jetës Marigoja jetoi  në Tiranë, pranë motrës së saj, Uranisë, e cila ishte martuar me patriotin e shquar Kristo Floqi. Në gjendje të mjeruar, Marigo Posio vdiq më 23 gusht 1932 dhe u varros në Manastirin e Zvërnecit.   

Marigo Posio është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Lirisë së Klasit të Dytë”, më 7 mars 1960 dhe  nga ish-Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Rexhep Mejdani me “Urdhrin e Flamurit” më 15 prill 2002. 

Znj Violeta Pojani fliste plot pasion për portretin e çiftit Posio, duke dhënë një shembull të shkëlqyer në përjetësimin e jetës dhe veprës së paraardhësve të saj atdhetarë, që sakrifikuan çdo gjë për Shqipërinë. Në çdo përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ajo do të kujtohet ndër breza me respekt e dashuri. Kujtimi i familjes Posio qoftë i përjetshëm! 

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj

Filed Under: Reportazh Tagged With: Helena Lubonja Ujkaj, Zef Ujkaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 173
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT