• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse opozita me vulë ose pa vulë nuk e çon në SPAK aferën me TEC-et lundruese të Vlorës?

April 4, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Qysh nga data 09.06.2022 e deri sot kanë kaluar plot 209 ditë nga ardhja i TEC-ve lundruese në portin e Zvërnecit në Vlorë. Dëmet mjedisore nëse ai vihet në punë janë të pallogaritshme. Është folur nëpër TV, në shtypin e varur e të pavaruar por në Zvërnec nuk ka filluar ende të dalë tym e të prodhohet energji elektrike. Nëse për inceneratorët ka një proces gjyqësor, që zhvillohet qoftë dhe me shpejtësinë e breshkës, duhet thënë se inceneratorët punojnë me gjysmën e asaj që është nënëshkruar në kontratë: Bëhet grumbullimi dhe groposja e mbetjeve por nuk ato nuk digjen dhe nuk prodhohet energji elektrike sipas kontratës. Rasti i TEC-ve të Vlorës është se aty po punohet prej shtatë mujash për të realizuar ankorimin e anijeve dhe lidhjen me sisemin energjitik shqiptar. Të gjitha këto punime po i kryen ministria e Ballukut me paratë e shqiptarëve. Por ajo që të trondit e të befason është pagesa që u bëhet dy shoqërive këto 209 ditë (dy vjet është kontrata) që kanë kaluar pa prodhuar energji elektrike dmth pa kryer kurrfarë pune.

63.000 mijë euro/ditë  paguhet për qeranë firma gjoja prodhuese e energjisë, 31.500 euro/ditë paguhet firma tjetër që mirëmban TEC-et lundruese, gjithësej 94.500 euro në ditë.

209 ditëx 94.500 Euro-ditë = 19.750.500 euro kanë parlarë dy shoqëritë e huaja nga mishi dhe kockat e shqiptarëve pa bërë asnjë punë dhe pa harxhuar kokërr leku. Sipas të dhënave të besueshme brenda TEC-ve gjenden gjashtë punëtorë të huaj, që dalin herë-herës për të marrë rrezet e diellit të marsit.  Nëse për inceneratorët u ngrit një grup pune nga opozita dhe e çoi çështjen në SPAK për këtë rast kjo nuk ka ndodhur. Fushata për zgjedhjet lokale në qytetin e Vlorës shkon e qetë, pa shumë zhurmë ose si thuhet në marsh të parë, kryesisht në facebook. A duhet PD-ja e Vlorës, kandidati për kryetar bashkie dhe stafi i tij, të protestonte dhe ta denonconte këtë rast të paktën në mediat locale!? A ka fuqi dhe resurse njerëzore PD-ja e Vlorës ta hartojë një dosje penale dhe ta paraqesë në SPAK për këtë aferë korruptive dhe dëmet e pallogaritëshme mjedisore që shkakton vënia në punë e këtyre TEC-ve? Mendoj që po por nuk kuptoj përse presin që gjithçka të vijë nga Qendra si qëmoti… Bashkia nuk merret pa u ndeshur ndershmërisht me kundërshtarin, duke treguar jo vetëm mangësitë ( PS e drejton pushtetin local qysh nga viti 1997) në qytet, që janë të shumta por edhe duke paraqitur një plan real e të besueshëm, që opozita me njerëzit e saj mundet dhe ia dalin ta qeverisin shumë  më mirë se të majtët Vlorën. 

Filed Under: Sociale Tagged With: Gezim Zilja

“Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”

March 30, 2023 by s p

Prof.Dr. Muharrem Qafleshi/

Dr. Lulzim Nika, historian, studiues dhe njohës i shquar i sferës së historisë bashkëkohore e në veçanti për ngjarjet e Kosovës në fund të viteve të ’90 të shekullit të XX-të, ku për punimet e tija shkencore rreth ngjarjeve para dhe gjatë luftës në Kosovë, hulumtoi arkivat dhe bibliotekat presidenciale të Shtëpisë së Bardh dhe raportet e Kongresit Amerikan etj.
Për këtë, Lulzim Nika do të behët ndër emrat e elitës së studiuesve të mirëfilltë të fillim-shekullit të XXI, në rrafshin e shkrimeve dhe studimeve historike, e sidomos të luftës së fundit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Është autor i shumë botimeve shkencore historike në revistat kombëtare dhe ndërkombëtare, po ashtu është hartuesi i dy librave të karakterit shkencor, në vitin 2019, botoi librin të titulluar “Zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve 1966-1974” dhe në viti 2021 botoi librin e tij, “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999” .
Në librin, të cilin sot po e promovojmë “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999” autori trajton mjeshtërisht dhe profesionalisht Veprimtarinë Diplomatike Ndërkombëtare për çështjen e Kosovës para dhe gjatë luftës së Kosovës, duke shtjelluar përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, për parandalimin e luftës që kishte shkaktuar një krizë humanitare gjatë depërtimit të popullatës shqiptare të Kosovës për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në shtetet tjera evropiane, njëherit edhe spastrimin etnik të Kosovës.
Pas Konferencës së Dayton, shumica e shqiptarëve të Kosovës synonin pavarësinë e plotë. Për të dyja palët si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët, radikalizmi i qëndrimeve dhe përjashtimi reciprok i zgjidhjeve paqësore, e bënë të qartë se palët duhet të shkonin në luftë për të mbrojtur qëndrimet e tyre. Meqenëse kartat e irredentizmit dhe terrorizmit të përdorura nga Slobodan Milosheviq, si një maskim për të vazhduar fushatën e dhunës në Kosovë për botën e civilizuar ishte më e pabesueshme, por autoritetet serbe gjetën pretekstin tjetër atë të veprimtarisë së UÇK-së, për të ndërmarrë masa brutale të paligjshme ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.
Lufta e Kosovës ishte vazhdimësi e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90-të, ku serbet hegjemon ishin gjenerues të konflikteve politike dhe ndëretnike. Ku regjimi autoritar dhe nacionalist i satrapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit, bëri përpjekje që përmes ushtrisë jugosllave të krijonte Serbinë e Madhe. Në këtë fazë, për herë të parë ndërhyrja e diplomacisë ndërkombëtare ishte specifike pasi ajo u mor në mënyrë të drejtpërdrejtë me palët në konflikt. Etapa e parë e Diplomacisë ndërkombëtare ishte parandaluese ose e përpjekjeve diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për çështjen e Kosovës, duke organizuar edhe një Konferencë ndërkombëtare në Rambuje, përpara ndërhyrjes ushtarake të trupave të NATO-s me 24 prill 1999.
Pra, ngjarjet që ndodhen në Kosovë, gjatë vitit 1997-1999, kanë pasur pasoja të rënda për popullin shqiptar të Kosovës dhe rajonin në përgjithësi, këtyre ngjarjeve të zhvilluara në këtë periudhë kohore, studiuesi dhe hulumtuesi Lulzim Nika i kishte kushtuar një vëmendje të veçantë, duke u bazua në dëshmitë e dokumentet-eve të de-klasifikuara për publikun, të Departamentit të shtetit të SHBA-së, Raporteve të Kongresit Amerikanë dokumenteve nga Biblioteka Presidenciale, gjatë qeverisjes se presidenteve Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe dokumentet e Fred Uillams-it, i ngarkuari i SHBA-së gjatë vitit 1914 në Greqi, Mal të Zi dhe si vëzhgues i Komisionit ndërkombëtar në Durrës, si dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA-së), si fakte që ka zhvilluar diplomacia e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në një anë, hezitimit diplomatik të Evropës Perëndimor dhe diplomacisë kundërshtuese ruse, për zgjidhjen e Çështjes së Kosovës për parandalimin e Krizës Humanitare dhe spastrimit etnik të Kosovës.
Autori me të drejtë konstaton se përkrahja amerikanë për Kosovën ishte në suaza të globalizmit të demokracisë dhe respektimit të identitetit individual e kolektiv dhe përpjekjet për parandalimin e tiranisë dhe autokracisë në vendet jo demokratike, siç ishte Serbia, e cila udhëhiqte një politikë dhe diplomaci me plot paradokse e djallëzi për të ushtruar dhunë brutale ndaj popullatës kosovare, andaj edhe kontributi diplomatik e ushtarak amerikan nuk mungojë për ta parandaluar eksodin e popullsisë kosovare.
Politikë të ngjashme diplomatike ka udhëhequr edhe Mbretëria e Bashkuar nën drejtimin e kryeministrit të asaj kohë Toni Bler dhe ministrit të Punëve të Jashtë Robin Kuk! Ndërsa, për diplomacinë evropiane luftërat ballkanike ishte një kthjelle për ta, sepse po goditej rëndë projekti i tyre, ku vlerat themelore nga ana e Serbisë u shkelën në mënyrën më drastike dhe Evropa nuk ia doli që ta pengoj ngase proceset vendimmarrëse në BE ishin të gjata, andaj ishte e qartë se pa angazhimin amerikan vështirë së do t’ia dilnin. Prandaj, autori i këtij libri diplomacinë evropiane e quan me të drejtë si hezituese. Diplomacia ruse, kundrejt ngjarjeve në Kosovë ishte mbështese e Serbisë ortodokse dhe kundërshtuese e çështjes kombëtare të Kosovës!
Ngase dihet botërisht se Serbia është vendi me një angazhim të tejskajshëm në aleancën e vet strategjike ushtarake me Federatën Ruse. Serbia, e cila kishte dhe ka traktat bashkëpunimi strategjik e ushtarak me Rusinë, bën trageti armësh më të, organizon stërvitje ushtarake të përbashkëta pra, gjithçka e lidh Serbinë me Rusinë duke e mbështetur njëra tjetrën në arenën ndërkombëtare. Në fund mund të themi se studiuesi dr. Lulzim Nika, i ka shqyrtuar dhe analizuar mjeshtërisht 179 dokumente arkivore, që gjenden në shtojcën e librit nga faqja 319 deri në faqen 498, në të cilat paraqiten përpjekjet diplomatike të botës demokratike për periudhën më të rëndësishme që po kalonte populli shqiptar i Kosovës gjatë viteve 1997-1999, duke ia sjell një risi të mirëfilltë shkencor historiografisë sonë Kombëtare.

Filed Under: Sociale

Mbi pedagogjinë: konfliktet mbi dijen dhe marrëdhëniet e pushtetit

March 17, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj/

Kur një ligjërim institucionalizohet në shoqëri, ai tenton të prodhojë të vërteta për të gjithë shoqërinë dhe çdo e vërtetë shoqërohet me pushtet. Ndërsa komunikimi dhe diskursi zhvillohen në procesin arsimor, një lloj pushteti ushtrohet, sepse pushteti mund të prodhohet kudo, në çdo kohë, në çdo pikë të çdo marrëdhënieje. Një institucion arsimor supozohet të jetë një vend dhe hapësirë ku dija mësohet dhe prodhohet, dhe ku zbulohen e zhvillohen talentet, interesat dhe prirjet e nxënësve dhe studentëve. Për të qenë i tillë, institucioni arsimor duhet të jetë një vend lirie ku ushtrimet e pushtetit nuk mund të vendosin kufizime apo limite për aktorët e përfshirë (nxënësit/studentët apo mësuesit/pedagogët). Prandaj, është e rëndësishme të kuptohet se si marrëdhëniet e pushtetit ndikojnë në procesin e krijimit dhe transmetimit të dijeve/njohurive, si dhe mbi vetë aktorët në institucionet arsimore.
Sipas Michael W. Apple, si brenda, ashtu dhe jashtë institucionit arsimor, ka konflikte të theksuara mbi dijen dhe marrëdhëniet e pushtetit. Procesi arsimor në institucion duhet të konsiderohet si pjesë e botës së përvojës. Apple pretendon se nuk ka asnjë autoritet tekstual, asnjë grup përfundimtar faktesh që është i ndarë nga konteksti i marrëdhënieve të pushtetit. Shkollat dhe universitetet janë pjesë integrale e një sistemi të ndërlikuar dhe të ndërthurur që u ofron legjitimitet grupeve shoqërore dhe lejon rikrijimin, mirëmbajtjen dhe ndërtimin e vazhdueshëm të ideologjive sociale dhe kulturore. Procesi pedagogjik përmban në mënyrë të pashmangshme marrëdhënie pushteti. Në institucionet arsimore, pushteti ushtrohet nga çdo pjesëmarrës, si dhe nga vetë dija që qarkullon dhe shpërndahet atje. Apple e sheh arsimin si të ndërlidhur me të paktën tre elementë: kulturën, qeverinë dhe ekonominë. Për rrjedhojë, procesi arsimor zhvillohet në një mjedis ku ushtrimi i pushtetit është i pranishëm.
Pavarësisht nga mënyra e mësimdhënies, është e rëndësishme që mësuesi apo pedagogu të mos e konceptojë nxënësin apo studentin si objekt, sepse, siç thotë Apple, nëse një mësues e trajton një nxënës vërtetë si “memec”, ai/ajo mund të bëhet me të vërtetë i tillë. Për më tepër, procesi i të nxënit në klasë ka gjasa të ndikohet edhe nga marrëdhënie të tjera pushteti jashtë klasës që lidhen me strukturën shoqërore, siç janë konteksti simbolik dhe rrethanat materiale. Sipas kësaj qasjeje, në klasë, pedagogjia duhet të dallojë pozicionet e ndryshme shoqërore dhe repertorët kulturorë, si dhe marrëdhëniet e pushtetit ndërmjet tyre. Si rezultat, Apple sugjeron që metodat e komunikimit dhe format e kontrollit në klasë duhet të shihen si një marrëdhënie dialektike midis ideologjisë dhe mjedisit material dhe ekonomik.
Në librin e tyre “Reproduction in Education, Society and Culture”, Bourdieu dhe Passeron dalin në konkluzion se autoriteti që buron nga njohuritë e bazuara në shkollë është jo vetëm shumë subjektiv, por edhe reflektues i një pushteti ose autoriteti kulturor në punë. Një studiues tjetër, Paul Willis, e koncepton pedagogjinë si një instrument që luan një rol shpesh të mistifikuar në artikulimet e instrumentalizmit dhe ekspresivizmit. Sipas tij, autonomitë e mbetura arsimore, si dhe shpresat e tyre për përfshirje në praktikat dhe iniciativat emancipuese, duhet të formohen mbi bazat e marrëdhënieve të prodhimit dhe konsumit. Përhapja dhe përvetësimi i dijeve në shkollë nuk është një proces linear, neutral, teknik ose mekanik. Përkundrazi, është proces shumë më kompleks i cili ngërthen pushtet gjithashtu. Fiske nënvizon se dituria nuk është kurrë neutrale, ajo nuk ekziston kurrë në një marrëdhënie empiriste apo objektive me të vërtetën. Dija është pushtet, dhe qarkullimi i dijes është pjesë e shpërndarjes shoqërore të pushtetit. Lidhur me dijet/njohuritë e shpërndara në shkollë, do të ishte naive që kurrikula e shkollës të konsiderohej si dije/njohuri neutrale.

Filed Under: Sociale Tagged With: Viliem Kurtulaj

Ujë

March 14, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Pse fjala ujë është kaq e ndryshme nga gjuhët e tjera romane (acqua, agua, eaue)? Ajo është rrënja, mund të jetë përgjigjia. Si shndërrohet një fjalë dyrrokëshe me dy zanore dhe një bashkëtingëllore në mes në një fjalë njërrokëshe? Procesi është disi i ndërlikuar, por duke e parë hap pas hapi, në fakt ka kuptim.Një nga gjërat interesante në lidhje me gjuhët moderne romane është se nëse shikoni format aktuale të fjalëve të afërta, shpesh mund të merrni një ide të mirë se si fjala ndryshoi nga shqip në latinisht. Një shembull i kësaj është kalimi nga shqipja amë e atë në latinishten pater. Në italisht, fjala është padre, dhe spanjisht, është e njëjta fjalë, por [d] më të butë, duke çuar në shqiptimin e së njëjtës fjalë. Katalanja e ka çuar procesin një hap më tej, duke fshirë plotësisht /d/-në dhe duke e bërë fjalën pare; dhe prej andej është thjesht një ndryshim i thjeshtë i zanoreve për të marrë pere frëngjisht. Kjo nuk do të thotë, sigurisht, se fjala kaloi disi nga shqipja e italishtja në spanjisht, dhe më pas përmes katalanishtes përpara se të mbërrinte në frëngjisht; është thjesht për të treguar llojet e proceseve që ishin në fuqi në të gjithë botën e gjuhës romantike që rezultuan në gjëra të tilla.Një proces i ngjashëm është i dukshëm për eau. Fjala latine për ujë ishte aqua, e shqiptuar me një tingull të fortë pa zë. Italishtja moderne është më e afërta nga gjuhët kryesore romane, me origjinalin pa zë të forcuar disi: acqua. Në një moment, të gjitha gjuhët romantike perëndimore e dobësuan [k] në një zë [ɡ]. Në portugalisht agua, është ende një tingull i plotë, i fortë [ɡ] në shumicën e dialekteve, por zanorja e dytë është disi e relaksuar. Në agua spanjolle, [ɡ] është është dobësuar edhe më tej. Në disa dialekte dhe për disa folës, g-ja mezi shqiptohet.Fjala shqipe filloi si diçka e ngjashme me shqiptimin modern spanjoll, me një g të dobësuar, por gjithashtu e ngjashme me shqiptimin portugez, me zanoren e fundit të relaksuar disi. Përveç kësaj, në shqipe, zanorja e parë ndryshoi nga a në u në një moment, ashtu si ndodhi në fjalën baba. Pra, diku rreth vitit 1050, fjala është shkruar si egua, ndoshta me një shqiptim diçka si [ujë], me një tingull të butë g dhe një zanore fundore të relaksuar. Ka të ngjarë që edhe në këtë kohë, g-ja të ishte në dalje, duke u shqiptuar nga disa folës dhe e lënë jashtë nga të tjerët, siç është sot. Rreth vitit 1100, ka shembuj të së njëjtës fjalë që shkruhet dele, ndoshta me të njëjtin shqiptim si egua, përveç me g që nuk shqiptohet fare. Deri në vitin 1185 e shohim si eaue, me gjasë me zanoren fundore ende të shqiptuar, por me kombinimin ‹eau›. Deri në vitin 1490, drejtshkrimi kishte arritur në formën e tij moderne të eau, duke sugjeruar humbjen e zanores fundore. Në frëngjishten moderne, ende shqiptohet në disa dialekte, por është bashkuar në një zanore të vetme të pastër. Dhe në përmbledhje, fjala mori kursin e mëposhtëm: ujë >aqua > agua > egua > eaue > eau.

Filed Under: Sociale Tagged With: Astrit Lulushi

Fëmijët, investimi më i madh

March 13, 2023 by s p

Shkruar nga: Fran Gjoka/  

Në realitetin e sotëm, kur shkolla po integrohet gjithnjë e më shumë drejt standardeve bashkëkohore evropiane, kur tekstet e programet po pasurohen dhe alternohen me përzgjedhje dhe cilësia e tyre vjen e rritet, pjesëmarrja e prindërve dhe ndihmesa e tyre në të mësuar merr rëndësi të veçantë dhe po shfaq tipare e rrugë të reja në menaxhimin sa më racional të kohës, për t’u dhënë ndihmë sa më të kualifikuar dhe efektive fëmijëve tanë. Që të realizohet plotësisht dhe pa ekuivoke ky objektiv madhor, doemos që duhen investuar energji pune konkrete edhe nga prindërit, familja që është baza e shoqërisë dhe që përgatit fëmijën për t`u futur në rrugën e shkollimit, që ta përgatitë atë si një lastar të freskët, të drejtë dhe pa cënime e dëmtime fizike e biologjike. 

Qytetar të shoqërisë moderne

Që të edukosh dhe të moralizosh, duhet të jesh vetë një shembull jete, pune dhe edukimi. Dhe, si i tillë, je në gjendje të ndihmosh fëmijën më shumë se sa me fjalën tënde, me veprën tënde, me të qenit qytetar dhe njeri, me karakter të fortë dhe të palëkundur për të përkrahur të renë dhe përparimtaren, kërkesat e kohës dhe të zhvillimit. Për t’u arritur kjo, duhet që prindi ta njohë thellësisht fëmijën e vet. Ndihma e mirë jepet vetëm pas një njohjeje të mirë. Fëmija nxjerr në pah pjesë të karakterit personal në bazë të situatave në të cilat ndodhet. Edhe pse, faktikisht, shpesh pretendohet të njihet fëmija, duke e parë në jetën e tij familjare, gjithsesi kjo njohje është shumë e pjesshme për vetë faktin se mungon elementi kryesor, që është e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, që përmban në vete një gamë të madhe marrëdhëniesh. Duke bashkëndarë me mësuesit këndvështrimin në lidhje me marrëdhëniet e fëmijës me shokët dhe shoqet e klasës, prindi njeh më së miri temperamentin e fëmijës dhe kontribuon në përforcimin e karakterit të tij. Sigurisht që kjo kërkon kohë për të dëgjuar dhe bashkëndarë mendime, metoda taktika edukimi. Një konfrontim të mirëfilltë mund ta bëjë edhe prindi, që sigurisht mund të mos jetë në kulmin e shkollimit, mjafton thjesht një qëndrim njerëzor ndaj jetës, punës, njeriut. Kjo ka shumë rëndësi në edukimin e njeriut dhe veçanërisht në edukimin e fëmijëve me vlera morale dhe njerëzore, por edhe me vlera që të hapin horizonte dhe të zgjojnë dëshira, nxitje dhe kërkesa për të ecur në jetë dhe për të dhënë  secili kontributin e  tij në këtë shoqëri moderne, ku ne jetojmë sot. Fëmija të integrohet sa më mirë dhe sa më natyrshëm në mjedisin shkollor dhe të ecë përpara drejt rritjes dhe zhvillimit të tij  të vazhdueshëm si qytetar i shoqërisë moderne.

Por sidomos, mendojmë se është e domosdoshme që anëtarët e familjes kërkohet të jenë model në shfrytëzimin sa më racional të kohës për t`u marrë me edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen psikologjike dhe formimin me aftësitë dhe shprehitë më të nevojshme dhe më elementare për t`u integruar sa më lehtë dhe sa më natyrshëm në shoqërinë e sotme demokratike. Në këtë kuadër, fëmijët t`i edukojmë të zbatojnë me rigorozitet një regjim ditor, që është në përputhje me orientimet dhe këshillat e specialistëve, psikologëve dhe sociologëve, edukatorëve, që kanë përvojën e punës frytdhënëse  e  që garanton të ardhmen e sigurtë të fëmijëve. 

                                        Investimi më i madh është dhe mbetet 

                        në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës

Dihet se fëmijët nuk janë të njëjtë për të gjithë, sepse secili ka përgatitje e aftësi të ndryshme për të kapur më shpejt ose më ngadalë, fjala vjen, nivelin përvetësues të dijeve që merren në shkolla. Në se nxënësve me prirje të veçanta dhe të talentuar u mbetet më shumë kohë e lirë që të mund ta shfrytëzojnë për zgjerimin e horizontit, për të mësuar gjuhët e huaja, për zbavitje, pushim etj., nuk ndodh kjo me ata që janë disi më të ngadaltë dhe që u mungon pasioni dhe dëshira, apo që edukimi i tyre i lihet spontanitetit, në radhë të parë nga ata prindër, që, ose nuk i kanë kushtet e duhura ekonomike, sociale dhe arsimore, apo ata që neglizhojnë me edukimin e fëmijëve, duke u kënaqur vetëm me faktin se i kanë shpurë fëmijët e tyre në shkollat më të mira, se u japin para çdo ditë për të plotësuar kërkesat e tyre etj. Një prind i tillë harron se më shumë se sa biznesi i madh që drejton, më shumë se sa ato para që ai depoziton dhe shton përditë në bankë, investimi i tij më i madh është dhe mbetet në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës së tij, që ai të ndjekë rrugën drejt dijes për t`u bërë dikush në jetë dhe jo të mburret apo të jetojë me thërrimet apo emrin e babait të tij. Sigurisht që është e domosdoshme të hiqet dorë nga privimi i fëmijëve nga aktivitetet çlodhëse, që fatkeqësisht praktikohet nga disa prindër. Pushimet e çlodhjes duhet t’u kushtojnë po aq rëndësi sa edhe mësimit sepse ato shërbejnë për freskimin e sistemit mësimor, gjë që ndikon për mirë  në përvetësimin e dijeve

                               Bashkëpunim sa më efektiv me psikologët 

Psikologët e sotëm rekomandojnë që fëmijët  t`i mësojnë e realizojnë herë pas here administrimin e kohës, ato kërkojnë që brenda ditës nxënësit  të dijë se çdo të bëjë dhe çka bërë. Por fëmijët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë këtë punë në rrugë krejtësisht të pavarur, ata kanë nevojë për ndihmën e prindit, që të ndërgjegjësohen se sa kohë kanë harxhuar për gjëra të parëndësishme në dëm të  problemeve mësimore. Psikologu Alan në librin e tij që titullohet ” Si të arrini të kontrolloni kohën dhe jetën tuaj”, këtij problem i vë shumë rëndësi. Me pak fjalë ai thotë se njerëzit më të suksesshëm e dinë mirë se çdo të bëjnë ditë për ditë. Kur veprohet kështu, nxënësit do të mësohen ta shfrytëzojnë kohën me projekte produktive. Kjo ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për kohën e shkollës por edhe si përgatitje për jetën. Ka raste që fëmijëve ua marrin kohën edhe prindërit. Jo rrallë ndodh që ata t`i ngarkojnë  kohë pa kohë me punë të dorës së dytë, ose në dimër kur nuk i krijojnë kushte për studim  dhe ata detyrohet ” të përgatiten” për të nesërmen duke qëndruar pranë televizorit  apo komjuterit në mes bisedave të anëtarëve të tjerë të familjes. Vetëm ata që merren me studimin e këtij problem, mund ta dinë se si nxënësve u humbet koha që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për mësime. Në një studim të bërë kohët e fundit rezulton se 47% e të rinjëve janë të rezikuar nga interneti. Ajo që shqetëson opinionin rezulton që fëmijët shqiptar janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve pornografike në internet. Shumica e fëmijëve kanë kompiuter dhe internet në shtëpi dhe si pasojë ata mund të hapin çfardo faqeje pasi në shumë familje shqiptare mungojnë filtrat për të mos klikuar faqet erotike. 

                                Marrëdhëniet e prindërve me fëmijët

Organizatat në mbrojtje të fëmijëve rekomandojnë aktivizimin e filtrave për sigurinë onlinë të fëmijëve. Ne mund të bëjmë shumë, ne mund të bëjmë shumë filtra, por filtri më i mirë janë marrëdhëniet e prindërve me fëmijën dhe më shumë kontroll në aktivitetin e përditshëm të tyre.Është e pamundur t’i ndalosh fëmijët të kenë akses gjithë çështja është përgjithësimi ,maturimi dhe informinmi në mënyrë që gjërat që shikojnë t’i absorbojnë ashtu siç duhet. Nxënësit nuk janë gjithnjë fajtor për të mësuarit me hope. Në këto kushte s`ka se si ndodh ndryshe. Në radhë të parë janë mësuesit pastaj vijnë prindërit që nuk përpiqen ta harmonizojnë punën, që përfundimisht ta shërojnë këtë plagë që po shfaqet dukshëm në sistemin e punës së nxënësve. Duke qëndruar  indiferent, të dy palët nuk mund të nxjerrin kurrë rezultate nga puna që po bën mësuesi. Prandaj lufta kundër të mësuarit me hope të nxënësve në shtëpi mbetet problem përfundimtar në rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Edhe bota e jashtme akademike, këtij problem i kushtojnë një vëmendje të veçantë, aftësinë dhe dhuntinë natyrale të nxënësve të sotëm nuk duhet ta lëmë të na firojnë gjatë periudhës shkollore është edhe një nga objektivat  e reformës së sotme arsimore. Ndodh shpesh që të dëgjosh nga goja e mësuesve e prindërve akuza të forta si më zemërim thonë: “Janë të zgjuar, por nuk mësojnë “. Kjo akuzë prindërore ndaj mësuesve lëshohet nga ata që bëjnë pak ose aspak punë për t’i ndihmuar që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mësimit. Kjo kategori mësuesish e prindërish harrojnë se shoqëria e sotme shqiptare i ka thirrur pikërisht ata që t`i edukojnë edhe këta nxënës me shpirtin e disiplinës shkencore në mësim. Psiko – pedagogët kanë  provuar se po  të orientohen mirë edhe mjaft nga këta fëmijë bëjnë përpjekje për të kapërcyer vështirësitë. Mësuesit në bashkëpunim me prindërit duhet të punojnë për t`i kalitur vullnetin nxënësve, që të mund të përballojnë edhe vetë kryerjen e detyrave mësimore jetësore në rrugë të pavarur. 

Për këtë problem në kohën e tij ka folur dikur edhe Gjergj Fishta. 

             “Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të përparojë në udhë të qytetenisë së vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem”.                                                                  

Kjo kërkesë vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe  bën pjesë në kulturën e re të të nxënit. E parë në këtë këndvështrim me keqardhje vërejmë aty këtu në shkolla, ku mjaftohen edhe me akuza (këta janë nxënës që nuk mësojnë). Dhe s’bëjnë asgjë konkrete për t’i ndihmuar . Është fatkeqësi e madhe kur fëmijët bien në duar të disa prindërve dhe mësuesve të tillë. Prindërit e mësuesit nuk duhet të tërhiqen nga vështirësitë që paraqet puna më këtë kontigjent nxënësish, sepse po të punohet mirë vjen një ditë kur ata shpërthejnë. Mjafton të kujtojmë edhe Ajnshtajnin që  deri në moshën 9 – vjeçare nuk fliste normalisht. Në shpirtin e çdo mësuesi duhet të çrrënjoset mendimi antipedagogjik që dëgjohet “Shyqyr që ikën, shpëtuam prej tyre!”. Kjo mënyrë e të gjykuarit ndeshet në disa shkolla të mesme sidomos tek mësuesit që punojnë me klasat e para dhe të dyta. Duhet të pranojmë se mbartësit e këtyre koncepteve nuk mund të quhen më edukatorë të vërtetë. Jeta shkollore dhe ajo prindërore ka provuar se po të veprohet me kritere shkencore dhe me përkushtim, kjo masë nxënësish mund të përmirësohet dhe të integrohet  në veprimtaritë mësimore dhe edukative. Kontrolli i shfrytëzimit racional të kohës ka mjaft vlera konkrete, se parandalon shpërdorimin e saj  që është shfaqja më e rëndë e keq administrimit të mundësive reale që ka secili për të ecur përpara. 

Filed Under: Sociale Tagged With: FRAN GJOKA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT