• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unë jam një grua…

December 8, 2021 by s p

Diana Tahiri

Sociologe

Gratë inkurajohen të jenë gra, të mbeten gra dhe të bëhen gra, pasi ne nuk kemi lindur për të, ne bëhemi (Beauvior, 1986) […] Emelié Durkheim dikur tha se individi lind në një shoqëri që ekziston. Pra, individi, lindë në një shoqeri aty ku normet, vlerat ekzistojn. Pra, ne jemi inkurajuar të ballafaqohemi me shoqerin/komunitetin dhe të konsiderohemi si “seksi tjetër” ose si grup minoriteti midis shoqeris individuale dhe komunitetit kolektivist. Si grua pritet të kemi role shumfishe, role të cilat janë të intensifikuar në një luftë midis lirisë dhe varësisë. Unë jam një grua ku malli dhe prodhimi im është rezultat i rolit tim si vajzë, grua, nënë, në një makineri patriarkale. Roli im si punëtor nuk i përket vetes sime, por botës objektive që pritët ta krijoj. Unë jam gruaja që pritet të nënshtrojë patriarkatin ashtu siç punëtori nënshtron kapitalistin, me një ndarje pune të përbërë nga praktika të përhershme, kontekstuale, nëse jo vlera hierarkike. Unë jam “seksi tjeter” e vetëdishme se çlirimi im nuk qëndron në idenë filozofike të pranimit të pozicionit tim, diçka që pretendonte Hegeli. Jo, jam e vetëdijshme se çlirimi im si ai i punëtorit mund të arrihet vetëm në një histori të jetës njerëzore, në botën reale të thelbit ekonomik dhe politik. Sepse nëse unë si grua lejoj që situata ime të pranohet si pjesë e fatit tim, rrezikoj të përfundoj në nënshtrim, duke u ndjerë e tjetërsuar në rolin tim, lëkurën time dhe nga ana tjetër, e izoluar nga shoqëria. Në dy dekadat e fundit që nga përfundimi i luftës së Kosovës në vitin 1999, shoqëria ka vazhduar të përballet me probleme të ndryshme shoqërore, duke filluar nga rritja e korrupsionit, papunësia, deri te dhuna ndaj grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Hulumtimet kanë treguar se pasojat e rritjes së papunësisë, korrupsionit, besimit të kufizuar në mekanizmat e qeverisë, kanë rritur vlerat patriarkale brenda familjeve të ndryshme, gjë që nga ana tjetër ka ndikuar edhe në mundësitë e grave për të raportuar çdo lloj krimi të dhunshëm. Kjo do të thotë se Kosova si vend është ende një shoqëri patriarkale dhe kolektiviste ku dhuna e burrave ndaj grave mund të shihet si një problem i normalizuar shoqëror. Arsyeja kryesore është se në disa grupe të veçanta vlerat dhe zakonet e vjetra patriarkale p.sh. Kodi i Lekë Dukagjinit justifikon dhe normalizon dhunën e burrave ndaj grave si një devijim të pranuar. Kjo do të thotë se mund të trashëgohen zakonet kontekstuale, historike të cilat nga ana e tyre mbeten një formë nderi e përditshëm dhe për këtë arsye shumë nuk janë të vetëdijshëm për ekspozimin e tyre ndaj p.sh. shtypjes me bazë gjinore. Një shpjegim i mundshëm mund të jetë se normat e nderit mund të interpretohen si një mënyrë jetese; ku konceptet se si diçka “duhet të jetë” dhe “është” legjitimojnë rolin social të individit). Në Kosovë, p.sh. jeta martesore për shumë gra bazohet zakonisht në normat tradicionale të martesës, ku mënyra e tyre e jetesës zakonisht karakterizohet nga urdhrat dhe vendimet e burrave – bazuar në pritshmëritë dhe kërkesat e familjes Përfundimi që mund të nxirret nga hulumtimet sociologjik dhe nga disiplina te ndryshme të bazuara me evidenc, është se reagimi i grupit ndaj dhunës mund të jetë gjithashtu një faktor i fortë ndikues. Sa më shumë që një grua i nënshtrohet vullnetit të burrit të saj dhe legjitimimit të zakoneve të mjedisit, aq më shumë rritet rreziku i rivendosjes së dhunës.

Filed Under: Sociale

GJYSHI DUHANPIRËS DHE SHOKU ANTI-VAX

December 6, 2021 by s p

Dr. Erion Dasho/

Prej dekadash vazhdon lufta kundër duhanpirjes, një prej dëmtuesve më të egër të shëndetit dhe shkaktare e miliona vdekjeve të parandalueshme çdo vit. Fillimisht, nuk ka qënë aspak e lehtë dhe një nga “argumentët” më të njohur ka qënë: – Gjyshi im pinte 2 paketa në ditë dhe jetoi 90 vjeç. Çfarë problemi ka duhani? Këtë argument jemi duke e hasur çdo ditë e më tepër edhe midis anti-Vax-ëve: “Unë, vëllai, shoku, babai, etj. e kaluam vjet COVID-in pa asnjë problem! Unë njoh shumë më tepër njerëz që janë shëruar sesa që kanë vdekur nga COVID-i. Përse duhet të vaksinohemi të gjithë?!” *** Përgjigjja për këta argumentë gjendet midis rreshtave të shkencës së shëndetit publik dhe të numrave të mëdhenj. Gjithsecili prej nesh nëse sheh vetëm mjedisin e vet, e ka shumë të lehtë të nxjerrë përfundime të gabuara. Gjyshi duhanpirës mund të ketë qëlluar bartës i të quajturave “gjene të përjetësisë” të cilat u mundësojnë mushkërive të pastrojnë blozën dhe katranin e duhanit. Por nëse arrijmë të “shohim” një milion gjyshë duhanpirës dhe një milion jo-duhanpirës, do të kuptojmë se pothuajse vetëm duhanpirësit vdesin nga kanceri i mushkërive dhe laringut. Apo se duhanpirësit sëmuren disa herë më shumë nga sëmundjet e zemrës, vrasëset kryesore të shekullit tonë. E njëjta gjë ndodh me COVID-in. 80% e personave e përjetojnë COVID-in si një virozë të zakonshme dhe 15% si një “grip të keq”. 5% rrezikon spitalin dhe rreth 1% rrezikon jetën. Problemi është se asnjë metodë që kemi sot në dispozicion nuk arrin dot të parashikojë nëse një person është pjesë e 99%-it, apo e 1%-it. Kur e sheh në nivel individi, 1% duket i papërfillshëm, por në nivel globi flasim për 80 milion njerëz! Në Shqipëri flasim për 30,000 njerëz. Të cilët do të vdesin nëse COVID-i lihet të qarkullojë i lirë. Institucionet që mbrojnë shëndetin publik, nuk paguhen vetëm për të mbrojtur 2 milion e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë shqiptarët që janë gjenetikisht të aftë ta përballojnë COVID-in, por edhe ata 30,000 që nuk janë. Sot, konsensusi mbarëbotëror për të mbrojtur jetën e 1%-shit që rrezikohet nga COVID-i është vaksinimi. Nesër sigurisht do të ketë metoda të tjera. *** Përparimet që bëhen çdo ditë në fushën e mjeksisë së personalizuar do të sjellin momentin kur me një analizë gjenetike dhe duke shfrytëzuar algoritmet e inteligjencës artificiale do të përcaktohet me siguri të lartë se cilët persona rrezikojnë më shumë dhe cilët më pak në raport me sëmundje të caktuara, përfshi edhe ato të tipit të COVID-it. Por kjo është pjesë e së ardhmes.Sot për sot, kemi vetëm vaksinën që mbron prej COVID-it. Ta shfrytëzojmë…

Filed Under: Sociale

Sëmundja e PSORIAZËS, (Psoriasis)

December 5, 2021 by s p

Dr. Zekri Palushi (MD)

Psoriaza është një sëmundje/dermatozë kronike inflamatore e lëkurës, (jo-ngjitëse), që prek mbi 3% të popullsisë së botës. Mund të fillojë në ç’do moshë, përfshi dhe fëmijërine e hershme, por zakonisht kulminon në moshat 15-25, dhe 50-60 vjeçare.

Është një sëmundje auto-imune, ku sistemi imunitar dërgon sinjale te gabuara, e si pasoje qëlizat e lëkurës rriten me një shpejtësi 5-10 herë më të shpejtë, se sa normalisht.

Psoriaza paraqitet në disa forma, si: 

Psoriaza pllakore, (Plaque psoriasis) është forma më e shpeshtë që gjindet në 80-90% të pacienteve. Karakterizohet nga pllaka/luspa të trasha, si të pluhrosura, të ngritura pak mbi nivelin e lëkurës, me pamje të inflamuar, me nuance argjendi, të vendosura në sfondin e një lëkurë të kuqe, që gjinden më shpesh në brryla, gjunjë, pjesën e poshtme të shpinës, dhe lëkurën e kokës, por edhe gjithkund tjetër. Shpesh keto pllaka mund të kruhen, ose të dhëmbin. (fig. 1).

Psoriaza Gutate, (Guttate psoriasis), prekë 8% të psoriatikve, dhe shpesh shfaqet papritmas, në një kohë të ftohët, apo gjatë një infeksioni të rrugëve të frymë-marrjes, dhe pas nje tonsilliti streptokoksik. Gjendet kryesisht në fëmijë, dhe në të rinjët. Karakteristikë të kësaj forme janë copat e vogla luspoze, jo aq të trasha sa ata të psoriazës me pllaka, që duken si pika uji të kuqe. Prekë më së shumti lekurën e krahëve, ekstremiteteve të poshtme, gjoksit, -por mund të prekë edhe fytyrën, veshët, dhe lëkurën e kokës, -por jo në palmat e duarve, apo pjesën e poshtme/plantare, të këmbëve, dhe thonjëve. Kjo formë kruhet më shumë se sa psoriaza me pllaka.  (fig. 2). Psoriaza PUSTULARE, (Pustular psoriasis), është një formë më pak e zakonshme, forma e gjeneralizuar shoqërohet me skuqje (erythematoze) të lëkurës, me puçrra të shumta që duken si të qelbëzuara, mund të duken edhe si luspa deskuamuse, dhe që edhe mund të dhëmbin, apo të kruhen. Prekë më së shumti shuplakat e duarve, pjesen plantare të këmbëve, si dhe gishtat e duarve dhe të këmbëve. Mund të shoqërohet me temperature të lartë, dhe një gjendje toksike të përgjithëshme. Këta pacjent hospitalizohen, -derisa  ky episodë t’ju qetësohet. (fig. 3).

Inverse psoriasis, është një formë që gjindet në palët e lëkurës si psh sqetulla, zonat inguinale, poshtë gjinjëve, zonat gluteale/vithe. Në këtë rast, lëkura duket si plagë e kuqe, e lëmuar, dhe me shkëlqim. (fig. 4).

Psoriaza erytrodermike, (Erythrodermic psoriasis). -është një formë e rrallë, por shumë serioze, që karakterizohet me një skuqje ndriçuese inflamatore të pjesës më të madhe, apo edhe të t’gjithë sipërfaqes lëkurës së trupit. Në këtë rast lëkura ç’vishet, (si lëkura që bjen nga diegia në diellë). Kjo skuqje zakonisht kruhet, ose djeg, -dhe mund të shoqërohet edhe me temperatura të pa-rregullta, që shkojnë poshtë-e-lartë, dhimbje dhe enjtje të kyçeve, dhe rrahje të shpeshta të zemrës.                                                                                              Prandaj këto të sëmurë duhet të shtrohen në spital. (shif fig. 5).

Psoriaza e lëkurës së kokës, (scalp psoriasis),- shifet më shpesh në vajza, -ndoshta për shkak të fenomenit Koebner, që rrezulton nga krehjet e shpeshta të flokëve. Zakonisht shoqërohet me kruarje. (fig. 6, dhe 6a).

Shfaqjet psoriatike PALMO-PLANTARE, -pra gjendet në shuplakat e duarve, dhe shputat e këmbëve. (fig. 7a/7b).

Psoriatic arthritis, -është një tip arthriti që mund të ndodhë tek psoriatikët. Kyçet e gishtave të duarve dhe të këmbëve preken më shpesh. 10-30 % e njerëzit me pustular psoriasis, ose me psoriazë te thonjëve, kanë më më shumë rrisk që të vuajn nga ky lloj arthriti, që shoqërohet me dhimbje dhe ngrirje kyçesh, por nuk shoqërohet me dobësi muskulare.    (fig. 8) 

Traitimi/Mjekimi sistemik i psoriazës: 

Menagjimi i psoriazës ka ndryshue shumë gjatë 10-15 viteve të fundit, -sidomos me ardhjen në skenë të Mjekimit BIOLOGJIK, -me përfaqësues kryesorë (Etanercept, dhe Infliximab). Kjo ka bërë që gati të gjithë pacjentët psoriatic të jenë në gjendje ta kontrollojnë këtë sëmundje, dhe në shumë raste të arrijnë një pastrim të plotë, me shumë pak efekte anësore.

*INFLIXIMAB, (Remicade)-është më efektivi i grupit të bllokuesve TNF (TNF blocker), -jepet në infuzione IV (intra-venoze), në doza 5mg/kg, -kështu që është efektiv edhe në obezët.

*ETANERCEPT, (Enbrel). 

*ADALIMUMAB, (Humira).

*USTEKINUMAB, (stelara), (IL 12 dhe IL23 inhibitor), -ka një efikasitet të madh kur jepet në injeksione sub-cutane,-45mg,- ç’do 3 muaj, për pacjentët nën 100kg. –(Ndërsa për pacjentët mbi 100kg, jepet në dozën 90mg).

*SECUKINUMAB, (Cosentyx)dhe IXEKIZUMAB, (Taltz), (IL 17 inhibitor), -jepen SC (sub-cutan), 1 x në muaj. 

Trajtimi me agjent BIOLOGJIK,– është shumë më i përshtatshëm, -pasi ai ofron një rregjim më të mirë dozimi, kanë një toxicitet më të ulët, dhe kërkesa më të pakta monitorizimi me analiza gjaku.

Këshilla të përgjithëshme praktike trajtimi:

Fillimisht provohet mjekimi sistemik me METHOTREXAT+UVB phototherapy. *METHOTREXATE, -mundë të jetë 60% efektiv. -Jepet në një doze të vetme, (10-30mg), në javë, -nga goja, ose SC.  Nq sky kombinim dështon, -atëhere provohet:

ACITRETIN, (Neotigason, Zetin)-vepron mirë në një numër të vogel pacjentësh, -por mund të shkaktojë disa efekte anësore si, tharje të buzëve, të lëkurës të hundës, si dhe dhimbje koke, dhimbje muskulare, dhe rënje flokësh. ACITRETIN,-(një derivate I vitaminës A), është efektiv në format e rënda dhe kryeneçe të psoriazës, -por s’duhet të përdoret kurrë në grate shtatzana.

Ndërsa CYCLOSPORINE, -vepron shpejt, dhe mund të jetë mjaft efektive, -por edhe mund të japë disa efekte anësore, -si hypertension, dhe ç’rregullime të veshkave, -sidomos kur merret mbi dy vjet. Jepet në ato raste kur duam një kontroll të shpejtë.

APREMILAST,-(phosphodiesterase inhibitor), -mund të jetë një alternative,- në vend të methotrexate, acitretin dhe cyclosporine. Ka një efektivitet si methotrexate, -por s’ka nevojë që t’monitorizohet me analiza gjaku. Efektet e mundëshme anësore janë , provokim vjelljesh/nausea, dhimbje koke, dhe diarrhoea, që mund të qetësohen pas muajt të pare të mjekimit. Kto efekte anësore mund të minimizohen, nëse fillohet me doza të vogela, si psh., me 10mg në ditë, dhe gradualisht shkohet në dozen e zakonëshme 30mg, dy here në ditë. 

CORTICOSTEROIDET oral, -përdoren vetëm në formën ERYTHRODERMIKE të psoriazës, ndërsa format tjera, mund të destabilizohen nga përdorimi i corticosteroidve oral.

Po përmendi edhe JAK kinase inhibitort, që janë të aprovuar për arthritin rheumatoid, por janë duke dhënë rezultate të mira edhe në mjekimin e psoriazës, dhe arthritit psoriatic.

Trajtimi Topikal, – përfshinë: -steroidët, calcipotriol, dhe daivobet (kombinim i calcipotriol/betamethasone dipropionate).

Pregatitjet me TAR mund të jenë ndihmuese, veçanërisht për psoriazën e lëkurës së kokës, –por nga që janë jo fort të përshtatshëm kozmetikisht, -jepen me deshirën e pacjentit. 

Pregatitjet Coal tar,– përdoren direct në lëkurë,-s’kan efekte ansore, dhe veprojnë mirë në kruarjet e lëkurës, dhe pengojnë mbi-shumëzimin e qëlizave të lëkurës.

Edhe pse veprojnë më ngadal, –për fëmijët janë më efektive se sa steroided topical, -dhe me kto, koha e remisioneve është më e gjatë. 

Një kombinim i tar me salicilik acid, -aplikohet zakonisht 2 x në ditë. Koncentrimet gjykohen nga vendi ku do të aplikohen. Psh.,kKoncentrime më të larta bëhen për lëkurën e kokës, -ndëra koncentrime më të ulta përdoren për fytyrën, flexurat, zonat genitale. Po kështu, për psoriazën e kokës duhet të përdoren shampo me bazë tar. 

DITHRANOL, përdoret në qendrat e trajtimit ditorë, por për shkak të njollave që lën, dhe  irritimit, -nuk përdoret aq shumë në shtëpi. -DITHRANOL (anthralin), -0.05%, -si dhe në koncentrime të tjera si: 0.1%, ose 0.25%, ose 0.5%, ose maksimumi 2%, -për të rriturit (por sipas gjykimit mjekësor, edhe në fëmijët). Rrekomandohet më së shumti në trajtimin e pllakave të trasha.Fillohet në koncentrimet më të ulta, duke e shtuar atë, sipas tolerances dhe rrezultateve.

ENSTILAR, -(kombinim i calcipotriene/betamethasone diproprionate), -është një formulim shkumë i daivobet. Kjo formë është më efektive, sepse thithet mire nga lëkura, dhe pëlqehet edhe prej pacjentve. Calcipotriol ointment, 0.005% (vitamin D analogs),-rrekomandohet aplikimi 2 x në ditë, per jo më pak se 6 javë. E mira e calcipotriol është se nuk lenë shenja në teshat e veshjes, dhe s’ka erë,- si pregatitjet me tar.

Një kombinim i calcipotriol me një steroid me strength moderat/mesatar, i aplikuar 2 x në ditë, mud të veprojë mire. Efekti anësor më i zakonshmi mund të jetë një irritim i lëkurës, -veçanërisht kur aplikohet ne fytyrë dhe flexura. 

Calcineurin inhibitors,-Tacrolimus 0.1%, vepron mire në zonat sensitive, si fytyrë, dhe sqetulla. Një efekt anësor mund të jenë një djegi dhe kruarje e lehtë, veçanërisht kur aplikohet ne pllakat e plasura.

STEROIDËT topikal, -veprojnë shpejt, por me ndalimin e mjekimit shifet ri-kthimi i sëmundjes. Megjithatë për një përjudhë të shkurtër  mund të përdoret HYDROCORTISONE 1%, sidomos për pjesët sensitive të lëkurës, -ndërsa në zona të tjera përdoren corticosteroid më potent si BETAMETHASONE DIPROPRIONATE. Rrekomandohet që corticosteroidët të mos përdoren pa u perzie me TAR ose CALCIPOTRIOL, -sepse përdorimi në vehte mund të jape instabilitet. Clobetasol shampo punon mire për qetësimin e kruarjes së lëkurës së kokës.

 PHOTOTHERAPIA,- (me dritë UVB), -mund të veprojë mirë, sidomos në fëmijët me një shpërndarje të madhe. -Megjithatë aspekti praktik i ktij lloj trajtimi që përfshinë atendencën 3 x në javë, për tëpaktën 3 muaj, mund të jetë sfiduese, si për pjesmarrjen në shkollë, ashtu dhe kohën e prindërve. Përveç kësaj, është e zorëshme për femijët e vegjël qe të qëndrojnë disa minuta pa-lëvizur në një kabinet të vogël e të mbyllur, -kështu që përdorimi i kësaj metode rrekomandohet më së shumti tek fëmijët e rritur, dhe adolishëntët. 

Rrezultatet më të mira, nga kjo metodë, konstatohen më së shumti ne Psoriazën guttate, se sa në atë me pllaka të mëdha. 

Një alternativë e mirë do të ishte ekspozimi në diell, -rrezet e të cilit përmbajnë UVA dhe UVB, veçanërisht gjatë stinës së verës. (Por mos harroni se psoriaza mund të përmirësohet nga expozimi në djellë, -por edhe keqësohet nga djegia e diellit).

Siq shifet, shumë ndryshime positive janë duke ndodhur në mjekimin e psoriazës, -dhe rrugë të reja për t’bllokuar inflamacionin e sëmundjes psoriatike janë duke u gjetur vazhdimisht.

 Shumë ilaçe të reja dhe efektive, janë duke ardhur, -si psh.: BIMEKIZUMAB, -që lufton kundra dy proteinave inflamatore, (IL-17 dhe IL-17F), -me një efikacitet deri në 90%. 

  Megjithatë, psoriatikët prap duhet ti kushtojne vemendje stilit të jetës, dhe paksimin e faktorve të rriskut për sëmundjen metabolike, (mbi-peshë/obezë, -apo grumbullimi i dhjamit në bark, kolesterol të lartë, Diabeti I tipit 2, hypërtension.   

Ndërsa faktor që mund të keqësojnë apo precipitojnë psoriazën, mund të jenë:

*infeksionet, sidomos ata që shkaktohen nga Streptococu i grupit A,                                                                                                               *traumat, stresi fizik dhe emocional, djegiet nga dielli, menopauza, disa ilaçe, (NSAIDs, Lithium, beta-bllokuesit, cotraceptivët oral).                                                                                                            *Koha e ftohtë, (psoriaza keqsohet në dimër).

Është e rëndësishme që të shpjegohet natyra gjenetike dhe kronike e psoriazës. Qëllimi i mjekimit është që t’kontrollojë shenjat, por fatkeqësisht, -akoma s’ka një kuro shëruese për psoriazën. Bile siq vihet re, psoriaza krijon edhe një tolerance ndaj mjekimit, -prandaj strategjia më e mire e mjekimit, ngelet përdorimi i kombinimeve të ndryshme me rrotacion.

Përfundoj duke ju uruar me shumë rrespekt dhe përzemërsi të thelle, -të gjithë Shqipëtarve, -kudo që janë, -një festim Krishtlindjesh të mrekullueshme në ngrohtësinë dhe dashurinë e familjeve të tyre, -dhe gjatë këtyre ditëve të shejtnuara, të luten me shpresën që Viti i Ri 2022, -të na sjellë prapë, vlerat e humbura njerëzore, -si dhe liritë dhe demokracinë e vjedhur, gjatë viteve 2020-2021.

Dr. Zekri Palushi (MD)

Filed Under: Sociale

Egoizmi, injoranca, korrupsioni e tradhtia janë të këqijat që pengojnë kombin

November 13, 2021 by s p

Nga Skënder Sadri KAPITI/

Kur egoizmi, injoranca, korrupsioni e tradhtia sundojnë dhe  zgjedhin elitën politike, akademike dhe  demokracinë, drejtësinë, patriotizmin e qeverisjen atëhere individi, kombi dhe sovraniteti i shtetit janë të rrezikuar e të kërcënuar seriozisht.

Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia, këto nuk janë tipare vetëm të politikës e të politikanëve shqiptarë, por këto janë të dëmshme kur  kapin, mbërthejnë dhe kërcënojnë edhe  shoqërinë civile, intelektualizmin dhe mediat.

Egoizmi negativ, injoranca, korrupsioni, servilizmi dhe sahalëpirja politike janë  karakteristikë dhe virtyt edhe i  intelektualizmit akademik në Tiranë por edhe në Prishtinë. Mjerisht edhe akademikët e profesorët në Shqipëri e Kosovë shumica janë injorantë dhe si doktorë e  profesorë të graduar me pameritë, me miq, me ryshfet dhe me mbeshtetje politike  të cilët  i shërbejnë politikës dhe oborrit të politikës e të pushtetit.

Nuk dëgjohet zëri i tyre  kritik kundër  fenomeneve e të këqijave politike e kombëtare të politikës, nuk dëgjohet mendimi intelektual i tyre përvecse nga tepër të  paktët prej tyre për probleme e shqetësime të tilla si të kufirit detar Shqipëri-Greqi, as kundër  politikës për  coptimin e Kosovës, kundër   Minishengenin, as për korrupsionin, as për mosintegrimin, as për eksodin, as për varfërinë e as për papunësinë.

Edhe akademikët, mediatikët, intelektualët e kryetarët e OJQ-ve, edhe ata  që flasin e duken, ata në të shumtën prej  tyre  nuk flasin pa marrë leje e pa qenë në vijë  dhe në një linjë me pushtetin dhe  me përfitimin e me interesin material personal. Të tjerë intelektualë rrinë si “qëngja” të urtë dhe qëndrojnë “indiferent e nuk trazojnë” politikën e pushtetin pasi kanë frikë se u hiqen postet e detyrat, por me një finesë servilizmi e djallëzie ata  i bëjnë shërbime politikës e pushtetit, pasi politika e pushteti i mban dhe i zgjedh ata.

Politika dhe ky lloj intelektualizmi e profesionalizmi egoist tinëzar, servil e injorant nuk lejon por e pengon dhe madje edhe i përjashton  jo vetëm nga karriera politike dhe  akademike por ua  imponon akademikëve, shkrimtarëve, profesorëve dhe artistëve, pra  intelektuailzmit të  vërtetë e patriotik që të largohet nga Atdheu.

Pra ashtu si politika dhe mediat, ashtu  edhe Akademia në Shqipëri,  që ka sot  për kryetar të saj  një ishministër të kohës së komunizmit  ka si trashëgimi shërbimin dhe servilizmin intelektual të akademisë së kohës së regjimit komunist, ku intelektualizmi akademik e shkencor marksist-leninist  ishte mbështjellja intelektuale, propogandistike dhe oksigjeni i ishregjimit komunist.

Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia kur ato dominojne në një komunitet atëhere aty nuk ka harmoni dhe as dashuri kombëtare, nuk ka respekt, besim e as solidaritet të ndërsjelltë mes bashkëkombasve dhe në këtë gjëndje atëhere edhe patriotizmi e atdhedashuria  gjënden vecse si fjalë krenarie,  dhe përderisa është kështu dhe prandaj  njerëzit vetëm sa largohen nga atdheu prej padrejtësive, prej pasigurisë, prej mosrespektit, prej mosvlerësimit,  prej varfërisë  dhe prej hakmarrjes e urrejtjes.

Egoizmi, injoranca ,korrupsioni dhe tradhtia e arroganca kërcënojnë patriotizmin dhe konsolidimin e përparimin e Kombit, pengojnë bërjen dhe lartësimin e tij.

Prova më e madhe për patriotizmin, për pushtetin e mirë  dhe për patriotët është pushteti dhe paraja, pra prova është se si ata   sillen me pushtetin dhe se a i josh, dhe a i korrupton ata pushteti, korrupsioni e paraja.

Patrioti i cili spekulon me patriotizmin dhe me kontributin e vet  e që përpiqet që me to të justifikojë  korrupsionin, arrogancën  dhe  hajdutërinë   kur vjen dhe kur “rehatohet” me pushtet, me para e pasuri,   atij i errësohet logjika, shformohet dhe shpirtligësohet  duke rënë  nën nivelin dhe më poshtë se zullumqari e   tradhtari. Është mjerim për atë shoqëri që ka si “patriotë” kësisoj  të këtillësh.

Patrioti i vërtetë është a i cili gjithmonë mbetet shërbëtor i interesave kombëtare, është  ai i cili është dhe sillet ashtu si thotë një fjalë popullore:”trimi i mirë me shokë shumë”; është ai i cili nuk mban e nuk zgjedh rreth vete injorantë e servilë, puthadorë e përfitues; është ajo  se cfarë ai respekton e mban rreth vetes, dhe se sa tregohet  pushteti e pushtetari patriot respektues dhe  jo egoist, joinatxhi e joidhnak me patriotizmin,me aftësinë dhe me kontributet e të tjerëve.

Është demokracia e vërtetë  ajo e cila përzgjedh elitën drejtuese patriotike, politike, intelektuale dhe juridike   të moralshme,të pakorruptuar; elitën e cila   gjen dhe e ka interesin e vet brënda atij kombëtar.

Pra, është demokracia e vëretetë dhe ligji demokratik  ajo që zgjedh dhe ia beson pushtetin  patriotizmit real dhe që  ndëshkon injorancën, egoizmin autokratik, arrogancën, mosmirënjohjen, mashtrimin,  korrupsionin dhe tradhtinë.

Po të studiohen me qetësi dhe në mënyrë të faktuar e me argumente historike, politike e diplomatike rrjedha e atyre popujve e kombeve të fuqishëm e të  lavdishëm të cilët kanë sundur e dominuar epokat historike të lashta, të Mesjetës dhe të kohëve moderne do të konstatohet se ato kombe janë bërë të tilla sepse popujt e tyre kanë mposhtur egoizmin, injorancën, korrupsionin dhe kanë fituar lirinë, demokracinë dhe zhvillimin gjithpërmasor intelektual,kulturor, ekonomik, juridik e të mirëqënies.

Kombet e mëdha dhe të lavdishëm nderojnë, respektojnë dhe u japin vëndin e duhur dhe të merituar patriotizmit, aftësisë dhe atyre individëve të cilët kanë dhënë kontribute dhe që kanë bërë epokë e histori në shëbim të kombit e të atdheut.

Madje ka kombe, popuj e shtete që edhe kanë ngritur kulte, kanë fabrikuar dhe kanë marrë por edhe vjedhur heroj, historira, kultura e vlera të kombeve  të tjera dhe i kanë bërë ato të tyret.

Ndërsa fatkeqësisht jo vetëm të sotmen por edhe të kaluarën dhe herojtë politika shqiptare i ndan politikisht, e madje politika shqiptare edhe të kaluarën mundohet që ta ndreqë politikisht,pra aq shumë e politizuar është politika  shqiptare dhe shoqëria  sa që shqiptarët edhe sot akoma mësojnë historira të paragjykuara e të vlerësuara anshmërisht e politikisht sipas dëshirave dhe interesave të politikës, atyre personale e korruptive..

Jo vetëm kaq por politika shqiptare sot akoma bën e vepron politikisht dhe për interesa të saj në cdo gjë e aspekt shoqëror, shtetëror, filozofik, akademik, juridik dhe ekonomik e demokratik.

Mund të jesh shkencëtar, intelektual, biznesmen,  mendimtar, profesionist e patriot, por, po nuk qe i angazhuar e në shërbim të këtij apo të atij krahu politik, po nuk i bëre shërbimin dhe servilin pushtetit kurrë mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se ata e kanë të hapur rrugën për të bërë karrierë, për të marrë dhe për t’u vlerësuar kompetenca, aftësia, virtyti e morali atyre që i kanë ato.

Por jo vetëm politika, por te shqiptarët në përgjithsi vihet akoma re inati dhe egoizmi negativ ndaj kompetencës, aftësisë, patriotizmit dhe të suksesit të tjetrit, dhe nëse ke edhe shumë  të mira , jo vetëm politika por madje edhe në një masë të konsiderueshme edhe opinioni i infektuar si politika egoiste dhe smira  mezi pret që të gjejë një të metë, gabim apo dobësi dhe aty përqëndrohet e godasin  me qëllim për të përbaltur individët të cilët meritojnë respekt, nderim e mirënjoje.

Por është edhe kjo, është indiferenca djallëzore dhe hipokrizia, mosmirënjohja, mosrespekti shoqëror dhe mosmbështetja për mbartësit e virtytit,  ndershmërisë, moralit, patriotizmit.

Në shoqërinë shqiptare mungon në një shkallë të lartë  solidariteti human në shoqërinë civile, pasi nuk ka reagim shoqëror ndaj padrejtësive që shteti, ligji e drejtësia u bën padrejtësi qytetareve.Shoqëria civile është e manipuluar dhe pothuajse është inekzistente dhe patericë e politikës.

Pse shqiptarëve nuk u ndahen vuajtjet  dhe padrejtësitë?!

Shqiptarët gjithmonë kanë pasur popujt fqinj armiq të egër e të pabesë. Kjo dihet. Por shqiptarët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë “armiq” edhe të keqijat brënda vetes , e që nuk po u ndahen ato.

Armiqtë dhe kërcënimi, moszhvillimi e mosprogresi  kombit i vjen edhe atëhere kur ai është i infektuar nga xhelozia dhe egoizmi, nga korrupsioni dhe nga tradhtia.

Nëse njeriu dhe komuniteti i një kombi i cili nuk mposht egoizmin atëhere aty jo vetëm pushtetin por edhe shtetin, shoqërinë, moralin, ligjin, drejtësinë,  kompetencën dhe dhuntinë e drejton pamerita dhe injoranca.

Injoranca joshet dhe bie shpejt dhe lehtë  pre e gënjeshtrave, manipulimeve dhe të mashtrimeve, dhe shumë e shumë më keq akoma është kur injoranca merr dhe forcohet e armatoset me para, me pasuri e me pushtet, atëhere  ajo rrëmben  edhe  kompetencat e talentit,të diturisë e të patriotizmit. 

Nëse një popull nuk ndëshkon korrupsionin por pajtohet me të atëhere te ai popull është shumë i vështirë  instalimi i drejtësisë dhe zhvillimi e progresi drejt më të mirës, mirqënies, sigurisë dhe  pëmirësimit.

Nëse një komb nuk e “vret” tradhtinë, pra nëse nuk e ndëshkon atë por e toleron tradhtinë  politikisht atëhere aty sundon e qeveris edhe hipokrizia, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni të cilat edhe ato janë tradhti.

Dhe kur kjo ndodh vazhdimisht   edhe vuajtjet  vijnë  si meritë.

Nga Skënder Sadri KAPITI,Durrës 

Filed Under: Sociale Tagged With: Skender Kapiti

LETËR E HAPUR PËR MIKUN TIM ANTI-VAX

October 18, 2021 by s p

ERION DASHO

Më lër ta nis këtë letër duke thënë se i kuptoj shqetësimet e tua. Në murin tënd në facebook të shkruajnë me dhjetëra, për të mos thënë qindra, miq virtualë puna e përditshme e të cilëve sot është bërë anatemimi i vaksinës. Në inbox-in tënd vijnë video nga shkencëtarë dhe aktivistë që denoncojnë me patos “eksperimentet” që janë duke u bërë me vaksinat e “rrezikshme”, “konspiracionin global” që përgatitej prej shekujsh, por i mungonte vetën një koronavirus për t’u shpalosur, etj. etj. Në ekranin tënd del herë pas here një personazh (shpesh i nderuar si jurist, si ambientalist apo si fallxhor) që flet me zjarr për viruset, vaksinat, ADN-në, antitrupat dhe limfocititet. Flet me aq kompetencë, sa edhe mjeku më i zot i fushës përkatëse duket si amator para tij. Ajo që është më e keqja, në ekranin tënd del herë pas here edhe ndonjë mjek që i bashkohet këtij enturazhi dhe, kur këtë mjek e dënojnë shoqatat mjeksore, ngrihet një stuhi akoma më e madhe se establishmenti po hakmerret ndaj guximtarëve dhe kalorësve të së vërtetës. Të gjithë këta kanë një të përbashkët! Ata të mbushin mendjen ty të mos vaksinohesh! Të bindin se trupi yt i stërvitur, i ushqyer shëndetshëm, i përforcuar me disa vitamina “magjike”, mjafton për të të mbrojtur nga virusi! Sinqerisht, uroj të kenë të drejtë! Uroj që ti të jesh midis atyre 80% fatlumëve që e kalojnë COVID-in si një grip të zakonshëm. Apo midis atyre 15% më pak fatlumëve që sëmuren, por sidoqoftë nuk përfundojnë në një shtrat reanimator! POR! Mos harro se fati i keq mund të bëjë që ti të jesh tek ai 5%-i fatkeq… Atëherë pranë krevatit tënd nuk do të jetë: …miku i Facebook-ut që të dërgonte videon e përditshme anti-Vax. Ai/ajo ka dëgjuar para disa muajsh se nuk duhet patur kontakt me një person të infektuar. I dhimbet jeta e vet! …drejtuesi i protestës, ai juristi apo ambientalisti me të cilin dënonit së bashku konspiracionin botëror! Ai vazhdon në rrugën e vet. Dje protestonte kundër vaksinës, sot ka tjetër hall. …parashikuesi me pamje profetike që mbin ekraneve dhe parashikon të ardhmen transhumane apo apokaliptike! …ai mjeku amerikan, kanadez apo italian që ka vite që ka humbur licensën si sharlatan dhe mundohet të fitojë në Facebook apo YouTube ato që nuk fiton dot më si mjek! …as ai mjeku ose mjekja shqiptare që fliste në ekran me entuziazëm! Ata nuk janë infeksionistë dhe vazhdojnë të merren me pacientët e vet! Jo! Ti je në një dhomë spitali, i rrethuar nga mjekë dhe infermierë që po bëjnë të pamundurën për të të shpëtuar! Që të japin medikamente, administrojnë injeksione, të lidhin pas aparaturave për të të matur temperaturën, rrahjet e zemrës, oksigjenimin, etj. Që të kanë vendosur një maskë e cila të mban akoma në jetë sepse të jep oksigjenin që nuk ta japin dot mushkëritë e tua. Rreth teje vdesin çdo ditë 5, 6 apo më shumë fatkeqë të tjerë dhe ti nuk e di nëse do të kthehesh dot apo jo pranë familjes dhe miqve. Tani ndoshta e kupton se sikur të ishe vaksinuar, rreziku për të qenë në atë shtrat do të ishte rreth 10 herë më i ulët dhe se do të kishe dhjetë herë më shumë shans të ishe duke pirë një birë me shokët se sa të luftoje për jetën në spital! Dimri po vjen dhe bashkë me të edhe virozat. Askush nuk mund ta parashikojë se si do të sillet COVID-i, por ajo që mund të parashikojmë është: Nëse vaksinohesh sot mundësia për të vdekur nga COVID-i në gjashtë muajt e ardhshëm është jashtëzakonisht e ulët. Mos e humb këtë shans! Vaksinohu!

Filed Under: Sociale Tagged With: Erion Dasho

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT