
Gjeneral ® Piro Ahmetaj/
Pikësëpari, 4 Prilli 2025 shënon 76 vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo ngjarje i jep vlera shtesë edhe Kombit tonë pasi mirë-përkon edhe me 16 vjetorin e anëtarësimit të RSh në NATO. 76 vjet më parë, strategu i Luftës së II-të Botërore, “babai themelues”, Komandanti i parë i Suprem i Saj dhe Presidenti i SHBA, Dwight D. Eisenhower, e projektoi NATO-n si “një fuqi politiko-ushtarake për garantimin e mbrojtjes kolektive në rastet e një sulmi nga Bashkimi Sovjetik”. Kështu, në 4 Prill 1949, u themelua Aleanca më e fuqishme dhe më jetëgjatë e historisë së njerëzimit.
Në 76 vitet që lamë, NATO jo vetëm ka përmbushur me sukses “misionin e Gjeneralit Eisenhower”, por edhe ka shërbyer si instrument i besimit te fuqia e pamposhtur ushtarake për paqjen, sigurinë dhe promovimin e vlerave perëndimore. Pas shkërrmoqjes së traktatit të Varshavës (1991): “NATO vijon të dominojë tregun e sigurisë globale” nëpërmjet një procesi të gjithëanshëm modernizimi të konceptit, strukturës, armatimit dhe standarteve të bashkëpunimit mes vendeve anëtare.
Sot në hapësirën e Euroatlatike të 32 vendeve të NATO-s jetojnë rreth 1 miliard banorë që zotërojnë ½ e ekonomisë botërore; ka 8 milionë (4 forca aktive dhe po aq rezervë), ndërsa vetëm ShBA, Franca dhe UK zotërojnë armë bërthamore për shkurajimit [deterrence] të armiqve potencialë. Për fatin e kombit, historia 76 vjeçare e NATO-s kulmon me ndërhyrjen ushtarake për të ndalur gjenocidin si dhe çliruar Kosovën nga makineria kriminale e Milloshevićit (1999). Edhe pse jashtë artikullit 5, kjo luftë e parë fitimtare në historinë e NATO-s e legjitimoi atë si: “Aleanca e shpresës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vlerave të demokracisë në mbarë globin”. Prandaj nuk do të ishte as fisnike, nëse në çdo 4 Prill të mos e përsërisim mirënjohjen mbarëkombëtare ndaj SHBA/NATO/UK.
76 vjet kanë konfirmuar “rolin jetik të ShBA në Aleancën transatlantike”, pasi me rreth 1 trilion $ shpenzime ushtarake në vit, USA ende mbajnë barrën kryesore të angazhimeve dhe kontributeve të NATO-s. Gjithësesi duhet përmendur që për shkak edhe të “presionit legjitim të USA/Trump” si dhe 38 muaj lufte të përgjakshme në Ukraine, 32 vendet arritën buxhetin me të lartë në historisë (+ 1.6 trilion €, nga të cilat rreth 600 miliard € 31 anëtarët e tjerë) me qëllim modernizimin e aftësive ushtarake dhe rritjen e kredibilitetit të NATO-s.
Edhe ky 76 vjetor mbart“mesazhe të forta shprese” për fuqinë e pamposhtur ushtarake të ShBA/NATO-s. Për më tepër që, lufta neo-naziste e Rusisë-Putiniste solli zgjerimin me dy vendet Nordike (Finlandë & Suedi) si dhe mbështetjen me mbi 500 miliardë € armatime moderne, përfshi tanke leopard, sistemet Patriot, avione F-16, së fundmi 5000 trupa Gjermane në Lituani, etj, të cilat mbeten prova për vendosmërinë e përforcuar të NATO-s në mbështetje të Ukrainës deri në fitoren ndaj së keqes të përbashkët (Rusisë-Putiniste).
Sigurisht, të vërtetat/veprat do/po flasin më fortë se mijra fjalimet. Kështu mbas “fitores plebiçitare”, Presidenti Trump ka konfirmuar se përgjatë 4 vitet në vijim, do të përballet me “betejën e jetës së Tij”, pra: “për ta ri-bërë SHBA një superfuqi të pakonkurueshme dhe të pamposhtur në shekujt si dhe NATO-n më të fortë, pra për një botë edhe më e sigurt”. Ndërkohë që falë edhe këij “kërcënimi po të doni quajeni..”, nga më pak se 5 (para 2020), sot (2025), 27 nga 32 vendet anëtare (përfshi RSh) kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP, ndërsa edhe BE arriti në 700 milard €.
Së dyti, 16 vjet mbas anëtarësimit, Shqipëria mbetet edhe më e përkushtuar ndaj Aleancës !
Paraprakisht, dëshiroj të përsëris bindjen strategjike, se Anëtarësimi i RSh në NATO, mbetet i skalitur në historinë kombëtare si: “arritja e dytë gjeopolitike mbas shpalljes së pavarësisë në 28 mëntor 1912”.
Si ndër dëshmimtarët teknik në Samitin e pranimit në NATO-s (i Këln/Strasbourg), sigurisht që e di fort më mirë se çdo shef/sekser infermerie që data zyrtare e anëtarësimit është 1 Prill 2009. Por si në 16 vite, insistoj edhe më fortë për t’i “bashkuar celebrimet protokollare nga 1 në 4 Prill, pra me datën e themelimit të NATO”. Kjo pasi, 4 Prillin e çmoj si: “gjetje e mënçur”, që kapërcen ngarkesat rreth 1 prillit (ditën e gënjeshtrave) dhe konfirmon një të vërtetë të madhe, që i bën nder kësaj ngjarjeje historike për kombin.
Gjithësesi, duke përsëritur mirënjohjen ndaj SHBA-ve, vijoj të refuzoj “tallavanë populiste” se anëtarësimi i RSh në NATO, ishte vetëm një dhuratë apo lavdi e pushtetarëve të radhës! Kjo pasi, anëtarësimi (4 prill 2009) mbetet meritë e përpjekjeve 15 vjeçare (PfP/1994 – MAP/1999 – NATO/2009) për të përmbushur aspiratën shekullore të shqiptarëve drejt aleancës së vlerave demokratike.
Mjafton të përmendim që para 1990 trashëguam mbi 115 mijë forcë aktive dhe marrëzinë e gjithë popullit ushtar që konsunonte 25 % të GDP-së, pra një “qasje që e diskretitoi Kombin dhe i rraskapiti Shqiptarët”. Mbas anëtarësimit Forcat e Armatosura kanë rreth 9 mijë, ndërsa shpensojmë jo më shumë se 2 % të GDP!
Po ashtu gjatë udhëtimit 31-vjeçar drejt/pas anëtarësimit (1994-2025), nga konsumatore, RSh është e konfirmuar kontributore për paqen dhe sigurinë, pasi prej 1996 më shumë se 10.000 ushtarakë kanë kontribuar në operacionet e NATO-s në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Mali, etj.
Gjithësesi, përtej “gjëmave të politikës (1997, etj), deformimit të parimeve bazë të demokracisë (p.sh Deputet vijojnë të emërohen/punësohen në borderonë e Kuvendit), korrupsionit endemik si dhe shpërdornimit të fuqisë së Pushtetit”, anëtarësimi i RSh në NATO mbetet produkt i aspiratës dhe mbështetjes së Shqiptarëve. Por, do të ishte e padrejtë të mos përsërisim mirënjohjen ndaj miqve të mëdhenj, si Presidentët Bush, Klinton; Sekretarët Baker, Allbright, Powell; atyre të Mbrojtjes Perry, Rumsfeld, Gate, si dhe për gjeneralët, Clark, Jones, Stavridis, etj.
Me këtë rast, do duhet gjithashtu përmendur se 16 vite mbas anëtarësimit (2009 – 2025), Tirana zyrtare ka dëshmuar se anëtarësimi nuk ishte kurrësesi stacion i fundit i Shqipërisë, por një epokë e re, me përfitime dhe përgjegjësi shtesë. Prandaj pa asnjë parzgjykim politik, kam përshëndetur kontributet e pakushtëzuara në angazhimet e NATO-s, rritjen 2% të GDP, ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, marrëveshjen ushtarake me Kroacinë dhe Kosovën; Modernizimi i FD si dhe kontributeve më shumë se modeste ndaj Ukrainës.
Prandaj përtej privatizimit politik dhe festimeve të ekzagjeruara (fatëkeqësisht të ndara edhe për këtë arritje), mbetet e përherëshme përgjegjësia shtetërore për ta ngritur më lartë peshën dhe prestigjin e RSh në NATO. Kështu, si ndër kontribuesit modest në udhëtimin 31 vjeçar të RSh drejt/pas anëtarësimit në NATO (1994 – 2009 – 2025), e çmoj si prioritet Nr.1 transformimin e Sistemit të Sigurisë, ose: “modernizimin e konceptit, strukturave, paisjeve, aftësive operacionale dhe kulturës së bashkëpunimit mes agjensive shtetërore, në interes të sigurisë së jetës, pronës, dhe mirëqënies së qytetarëve; rikthimin e besimit te vota e lirë dhe vlerat euro-atlantike; mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe përmbushjen e detyrimeve të RSh në NATO”.
Në shtesë, në reformat për modernizimin e sistemit të sigurisë kombëtare, “asnjë groshë nuk vlejnë” paranoja e privatizimit të Atdheut, politizimi i festës së anëtarësimit dhe përbetimet bollshevike në betejat për mbatjen/marrjen e Pushtetit, por vetëm dashuria për vendin, përulësia për detyrën, përgjegjshmëria e lartë shtetërore si dhe besimi dhe bekimi ndaj partneritetit strategjik me SHBA/NATO.
Për ta përmbyllur, duke uruar përvjetorin e 76 të themelimit besoj edhe më fortë se ShBA/NATO do të vijojë të mbetet Aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit edhe për dekadat dhe gjeneratat që vijnë …” !
Nga: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,
Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.