Në Kuvendin e Shqipërisë, e prej andej në mjetet e komunikimit masiv, vazhdojnë ngjitjet në tribunë me “Certifikata pafajësie” e me “Certifikata fajësie” si në skenën groteske të filmit “Ballë për ballë”.
Askush nuk del të flasë e bërtasë me “Certifikatë pasurie” në dorë me adresa të plota, me emër e mbiemër për të denoncuar të ardhurat nga krimi e korrupsioni të ngjizura në to./
Nga Durim Madhi/
Foto shoqeruse :Demonstrate nga Forumi i Emigranteve/
Në faqe të parë të shtypit të shkruar dhe lajm të parë në ekranet e vegjël tokësorë e satelitorë (një hapësirë e mirëpritur e lirisë) përditë përballemi me “Certifikata pafajësie” nga njëra anë dhe “Certifikata fajësie” nga ana tjetër si në atë skenën e njohur në filmin “Ballë për ballë”.
Protagonistë të “Certifikatave” kanë ngjyra politike, të majta e të djathta, dhe “zë në efir” gazetat, radiot e televizionet mbrehur si qetë në “krahun e vet” duke tërhequr zvarrë parmendën e drunjtë.
Ka tashmë, diku tek një vit apo më pak, që foltorja e Kuvendit zhurmon për “Të tetëmbëdhjetët”. Vikat në atë masë sa në korridore kërcet shpulla e kamerat e sigurisë përcjellin deri në seanca gjyqësore pamje spektakli që ia ka zili edhe rruga.
Ka disa javë që mediat belge shkruajnë për një vrasje me adresë të një deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç ka po kaq kohë që fluturon në efir “Certifikata e pafajësisë” dhe një avokate nga Belgjika ka ardhur të “mbrojë” honorarët e profesionit…
Plasi edhe këto ditë “dueli” midis pakicës dhe shumicës kur njëra palë përcjell dënime gjykatash të vendeve të tjera dhe pala tjetër, me “Certifikatë pafajësie” ngul këmbë në të kundërtën si “dhia në urën e telit”.
Një vizatim me dorë të lirë mbi fytyrën e politikës dhe politikanëve shqiptarë nxjerr në pah se një pjesë e madhe (nuk guxoj të them shumica) kanë ardhur në drejtim të pushtetit e shtetit nga “Udhëtimet jashtë vendit”, udhëtime që i kanë nginjur ekonomikisht, sa jo vetëm të bie në sy, por edhe të frikëson.
Nuk flitet për mërgimtarë të thjeshtë që me djersën e ballit dhe me sakrifica të panumërta kanë ndërtuar ndonjë “vilë trekatëshe” në “Bathore” apo në “Kënetë”, kompletuar për jetesë modeste vetëm në katin përdhes, ndërkohë që katet e “larta” janë në “katër mure”….
Flitet për njerëz të pushtetshëm jo vetëm me vila madhështore në bregdet e në bjeshkë, por me pasuri të jashtëzakonshme, qindra milionë euro apo dhjetëra miliarda lekë siguruar në banka të “sigurisë së lartë”, banka që as “Lista La Garde) nuk i regjistron dot…
Një “Certifikatë pafajësie”, në këtë botë ku korrupsioni bën qarkoren e tokës rreth diellit, është shumë e lehtë të sigurohet. “Paratë çajnë detin”-thotë populli. Por edhe sikur të marrim të “pamundur” sigurimin e një “Certifikate pafajësie” në rrugën e allishverisheve, në të gjitha kodet ligjore të shteteve ka një “kohë vdekjeje”, kohë pas së cilës (pesë apo edhe dhjetë vjet) bëma e krimit shuhet nga sistemet kompjuterike dhe personi jo thjeshtë lahet por edhe parfumohet aq bukur sa pamja fizike dhe aroma shkrihen në një.
Ajo që nuk shuhet, nuk parfumohet, nuk mund të hiqet as nga shikime e as nga dëgjimi, është pasuria e vënë në rrugë të panjohura, me “miell të bardhë” e me “mish të bardhë” siç është përfolur dhe vazhdon të përflitet për njerëz të të “katër pushteteve”.
“Certifikata e pafajësisë” e tundur në erë si flamur përpara kamerave të shumta televizive ashtu si edhe “Certifikata e fajësisë” e tundur në të njëjtën mënyrë, nuk janë asgjë tjetër veçse një “tymnajë” mbi sytë e popullit dhe një “zhurmues” në veshët e tij. “Tymnaja” dhe “zhurmimi” janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen të mbulojnë korrupsionin, vjedhjen, dhunën e krimin.
“Certifikata e pasurisë”, deklarimi i saj deri në qindarkën e fundit nga secili individ që synon jo vetëm karrige në shtet e në pushtet, në gjyqësor e në media, është e vetmja që flet për të gjithë veshët dhe reflekton për të gjithë sytë.
Kushdo, përpara se të dalë në skenën e madhe të popullit, me synimin për të zënë karrigen e deputetit, të kryetarit të bashkisë, apo në ofiqe të tjerë paga e të cilëve rrjedh nga “xhepi i popullit”, nga taksapaguesit shqiptarë, duhet të ketë me vete “Certifikatën e pasurisë”. Tu tregojë të gjithëve se si e ka siguruar pasurinë e tij, si është bërë pronar i madh vilash, si është bërë biznesmen i suksesshëm në fusha të ndryshme.
Ekziston de juro një Inspektorat i Verifikimit të Pasurive, Inspektorat që deri tani, edhe kur ka nxjerrë nga “thellësia e truallit të korrupsionit” ndonjë detaj (Bode-rasti më i fundit) është mbrojtur dhe mbrohet me “Certifikatë pafajësie”.
Plazhi më i preferuar i politikës mbi të cilin media “fluturon me helikopter”, plazhi i Gjirit të Lalëzit, është tipik për tu kërkuar çdo pronari të politikës shqiptare “Certifikatën e pasurisë”, rrugën e secilit për ndërtimin dhe pajisjen e vilave deri edhe me “ullinj shekullorë” sjellë nga ajri.
Shqipëria është vendi tipik në botë ku kapitalet e vëna janë në sy të popullit, ku diferenca e njerëzve krahasuar me “startin kapitalist” ’90-të, është e dukshme, ku njeriu me “dy divane me shtrojë llastiku e kashtë thekre” u ngjit duke pushtuar tregun dhe duke krijuar mirëqenie sheik-u vendesh arabe.
Në Kuvendin e Shqipërisë, e prej andej në mjetet e komunikimit masiv, vazhdojnë ngjitjet në tribunë me “Certifikata pafajësie” e me “Certifikata fajësie” si në skenën groteske të filmit “Ballë për ballë”.
Askush nuk del të flasë e bërtasë me “Certifikatë pasurie” në dorë me adresa të plota, me emër e mbiemër për të denoncuar të ardhurat nga krimi e korrupsioni të ngjizura në to.
Askush sot…
Askush nesër…
Askush mot e motmot…
Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë…
15 prill 2015