Sokol Paja/
Prof. dr. Roland Gjini, pedagog në Universitetin e Elbasanit si dhe punonjës kërkimor shkencor në Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike (QSAB) të këtij universiteti vizitoi Selinë e Federatës VATRA dhe po shqyrton materialet arkivore e monitoron gazetën Dielli për të zhvilluar fazën e dytë të studimit të tij lidhur me çështjen e Kosovës në faqet e gazetës Dielli 1999-2008. Prof. Gjini vazhdon vijimin e punës së tij studimore për rolin Federatës Vatra e gazetës së saj Dielli në mbështetje të procesit të lirisë e pavarësisë së Kosovës nga demostratat e vitit 1981 deri ne shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Në fazen e parë të ketij studimi, qe perfshiu afatin kohor nga Nëntori i vitit 2023 deri ne prill të vitit 2024, puna kërkimore e prof. Gjinit u përqendrua në kontributin e Federatës VATRA e gazetës Dielli në pasqyrimin me objektivitet të përpjekjeve të popullit shqiptar në Kosovë për fitimin e lirisë nga pushtuesi serb nga viti 1981 deri në fitimin e lirisë nga lufta e UÇK-së e bombardimet e NATO-s në qershor të vitit 1999. Ne këtë faze të dytë që do të përfshijë periudhën kohore nga dhjetori i vitit 2024 deri në muajin maj 2025, prof Roland Gjini do të ndalet në rolin e Vatrës dhe posaçërisht të gazetës Dielli në mbështetje të fitimit të drejtave të plota kombëtare të popullit të Kosovës nga viti 1999 deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. I urojmë suksese profesorit në punën e tij studimore për të ndriçuar në mënyrë sa me objektive rrugëtimin e popullit shqiptar në Kosovë deri në fitoren e lirisë e pavarësisë. Federata Vatra dhe gazeta Dielli prej më shumë se 112 vitesh udhëheqin proceset kombëtare dhe atdhetare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.