Sokol Paja/
Çështja e Kosovës në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” të Dr. Elez Biberaj përbën një kontribut të veçantë për njohjen më të thellë të raportit shqiptaro-serb dhe përplasjeve që e kanë karakterizuar Serbinë e Kosovën. Çështja e Kosovës përbën pjesën më të rëndësishme të studimit e trajtuar me një analizë të detajuar, e cila hedh dritë në përplasjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Një konflikt i vjetër i kultivuar ndër shekuj ku autori analizon me burime të besueshme dhe shterron në mënyrë të detajuar raportet ndërmjet dy popujve. Ky studim është një udhërrëfyes për analistët mediatikë, studiuesit e shkencave politike, të marrëdhënieve ndërkombëtare, kërkuesit shkencor në fushën e sigurisë dhe çështjeve të rajonit. Libri i Dr. Elez Biberaj si përmbledhje e 15 shkrimeve, kumtesave, fjalimeve e studimeve të mbajtura prej autorit në qarqet akademike dhe mediatike rreth “Shqipërisë dhe Shqiptarëve” është shumë aktual dhe shërben si pikë referimi shumë e rëndësishme për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e konfliktit shqiptaro-serb. Me të drejtë Prof.Nikolla Panos në parathënie, shprehet se libri ka merita të veçanta pasi na jep perspektiva të dobishme për të vështruar zhvillimet kryesore në Kosovë dhe në Shqipëri, në intervale të ndryshme gjatë 30 viteve të kaluara.
Në çështjen “Konflikti në Kosovë” Dr.Biberaj trajton origjinën e konfliktit serbo-shqiptar, analizon me gjakftohtësi raportet e tensionuara ndërmjet tyre dhe i jep lexuesit një panoramë të përgjithshme që në themel kishte pabarazinë në trajtim që serbët iu bënin shqiptarëve të Kosovës. Autori shprehet se statusi dhe trajtimi që iu bëhej shqiptarëve në ish-Jugosllavi si një prej etnive me numrin e popullsisë më të madh nuk ishin më përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë dhe dëshirat e tyre të shpallura publikisht. Sipas autorit, shqiptarët e Kosovës kishin gjithnjë e në rritje çështjen etnike ku pakënaqësia e masës ndaj autoriteteve, ngecja ekonomike, pakësimi i mundësive për të ecur përpara, gjendja e keqe shoqërore dhe rënia e standardeve të jetesës i shoqëronte ata. Sipas Dr. Biberaj pavarësisht nga persekutimi i egër dhe përpjekjet për ti asimiluar dhe shkombëtarizuar forcërisht shqiptarët, vetëdija etnike dhe vendosmëria e kosovarëve u shtuan. Sipas Dr. Biberaj policia sekrete, nën drejtimin e Zëvendëspresidentit (serb) Aleksander Rankoviç, shtypte të drejtat kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve. Kosova trajtohej thjesht si një koloni serbe dhe shqiptarët u shfrytëzuan politikisht, ekonomikisht, si dhe nga pikëpamja shoqërore. Në analizën e tij autori thekson se megjithëse shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë së Kosovës, monopolin e posteve të kualifikuara, administrative dhe profesionale, e kishin serbët dhe malazezët, që i përdornin mjetet e tyre politike për të ruajtur statusin e tyre të privilegjuar.
Në çështjen “Kosova: beteja për njohje” autori analizon raportin e shqiptarëve dhe serbëve në një armiqësi tradicionale, analizohet sfondi historik i konfliktit etnik shqiptaro-serb, shtypja e përgjakshme e protestave studentore të vitit 1981 etj. Në këtë studim voluminoz dhe të rëndësishëm autori paraqet në mënyrë kronologjike sfondin historik të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave duke i dhënë përgjigje me argumente shkencore pikëpyetjes së madhe “Kosova si urë lidhëse apo mollë sherri?”. Autori shterron përplasjen dhe analizon rrënjët e konfliktit si pasojë e ringjalljes së nacionalizmit dhe thellimit të armiqësive etnike në Kosovë si shkak i padrejtësive, shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve prej regjimit serb. Dr.Biberaj analizon me detaje strategjinë e Beogradit të cilët përdorën ushtrinë, shtypjet e pakënaqësive e revoltave, gjyqet dhe spastrimet e inteligjencës në përpjekje të minimalizimit të kërkesave të shqiptarëve për Kosovën Republikë. Në çështjen “Kosova, fuçi baruti e Ballkanit” autori Dr.Biberaj trajton mjeshtërisht mitin historik të Kosovës, popullsinë shqiptare në Kosovë, pretendimet e historianëve serbë dhe sqarimi i mitit fetar të ngritur prej serbëve se konflikti serbo-shqiptar kishte sfond fetar se gjoja shqiptarët donin të krijonin shtet islamik në zemër të Ballkanit. Faktet historike, analiza e detajuar, interpretimi i tyre, ofrimi në trajtim i një qasjeje panshqiptare të konfliktit serbo-shqiptar, i japin librit një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe shkencore. Një tjetër çështje me rëndësi të veçantë autori trajton “Kosova, lindja e një shteti të ri” duke na prezantuar pikëpamjet historike dhe politike përfshirë sfidat dhe betejat e përgjakshme, ngërçin e brëndshëm politik, dialogun dhe negociatat e Kosovës me faktorin ndërkombëtar deri në pavarësinë e saj. Lexuesi shqipfolës ka shumë informacione, të dhëna dhe burime të shumta e të besueshme duke na sjellur një analizë të thelluar të raporteve të midis shqiptarëve dhe serbëve, kjo si rrjedhojë e eksperiencës së gjatë si gazetar dhe drejtues i Zërit të Amerikës, si Shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe tani si Drejtor i VOA-s për Euroazinë. Falë formimin akademik në Columbia University në shkencat politike, si ekspert i politikës ndërkombëtare e bën librin të rëndësishëm dhe në arenën ndërkombëtare. Dr.Elez Biberaj ka qenë dhe është një zë i fuqishëm i çështjes kombëtare, i cili falë penës së tij të prehtë dhe vizionit largpamës përfaqëson denjësisht shqiptarët në mediat e shkruara dhe vizive si pena më e fuqishme në diasporë.
Studimi i Dr.Elez Biberaj “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes” përbën një ndër studimet më serioze dhe dinjitoze në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që pas shembjes së komunizmit deri në ditët e sotme dhe radhit Dr.Biberaj ndër shqiptarët më me ndikim dhe kontribut të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.