• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZËRI I AMERIKËS ORGANIZOI PRITJE PËR KOLEGËT, BASHKPUNTORËT DHE MIQËT E DR. ELEZ BIBERAJT ME RASTIN E DALJES NË PENSION   

December 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Të ënjtën që kaloi, Zëri i Amerikës organizoi një pritje për familjen, kolegët, miqët dhe bashkpuntorët e Dr. Elez Biberajt me rastin e daljes së tij në pension pas 43 vjetë shërbimi në detyra të ndryshme me rëndësi në Zërin e Amerikës: Shef i Shërbimit në gjuhën shqip, Drejtor i Euro-Azisë dhe për një periudhë Drejtor i Përgjithëshëm (në detyrë) i Zërit të Amerikës.  Frank Shkreli: Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë dhe fjalës së lirë, në Zërin e Amerikës del në pension | Gazeta Telegraf.  Z. Biberaj, për disa vjetë, fillimisht, ka punuar gjithashtu edhe në Drejtorinë e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). 

Në ftesën e Zërit të Amerikës për pritjen e organizuar nga kolegët e Z. Biberaj thuhej gjithashtu se Dr. Biberaj – përveç detyrave të larta – ai ka mbështetur dhe ka këshilluar e ndihmuar qindra gazetarë të cilët kanë mbuluar lajme dhe ngjarje nga më të ndryshmet, duke filluar nga Lufta e Ftohtë e deri tek shembja e komunizmit. Përfshir fillimet e demokracisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore, luftërat në Ballkan dhe integrimin e vendeve të Evropës Lindore në institucionet euro-atlantike, si dhe autoritarizmin rus putinist në rritje dhe pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, ndër të tjera zhvillime, kombëtare dhe ndërkombëtare që ka mbuluar Zëri I Amerikës nën mbikqyrjen e Elez Biberajt. Ne nderojmë dedikimin e tij ndaj misionit të Zërit të Amerikës në promovimin e lirisë dhe të demokracisë duke furnizuar audiencat anë e mbanë botës me lajme dhe infoirmacione të sakta, objektive dhe të balancuara, thuhej mëtej në atë ftesë.

Në atë takim të veçant, me rastin e daljes në pension të Elez Biberajt, folën zyrtarët më të lartë të Zërit të Amerikës, të cilët falënderuan Z. Biberaj për punën e tij prej më se 4 dekadash duke venë në dukje arrijtjet dhe kontributet e tija të mëdha. Folën dhe personalitete të tjera të ftuar, përfshir edhe ambasadorë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Washington Z. Ervin Bushati, i cili, shkurtimisht, përshëndeti të pranishmit dhe i uroi pension të mbarë, Z. Biberaj. Z. Drilon Zogaj, Këshilltari i Ambasadës së Republikës së Kosovës, në kryeqytetin amerikan, përfaqësoi vendin e tij në atë takim.

Edhe unë me shumë kënaqësi pranova mundësinë të thoja, shkrutimisht, dy tre fjalë duke përshëndetur të pranishmit dhe Elezin në këtë ditë kaq me rëndësi në jetën dhe karrierën e mikut dhe kolegut tim prej një gjysëm shekulli.  Kisha gjithashtu edhe një porosi nga miku dhe bashkpuntori i ngusht i Elezit gjatë dekadave, Profesorit tonë të nderuar, Z. Nick Pano, që në emër të tij t’i uroja Elezit pension të mbarë:

“Përshëndetje të gjithëve. Është vërtetë kënaqësi që gjëndem në mesin tuaj në këtë ndërtesë-kryeqendër të Zërit të Amerikës me fame botërore ku edhe unë kam kaluar vitet më të mira e më të bukura të jetës dhe karrierës time. Gjithmonë vij këtu sikur në shtëpinë time. Por sot, vërtetë, është një rast i veçantë për mua të jem këtu me ju për të marrë pjesë në këtë pritje madhështore për të festuar të gjithë së bashku pensionimin e Elez Biberajt, pas 43 vitesh shërbim dhe arrijtjesh jetësore.

43 vite më parë, ai filloi së punuari në Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, për t’u larguar për një kohë të shkurtër tek Drejtoria e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). Por për fat të mirë, Elezi vendosi të kthehej tek Zëri i Amerikës në detyrën e shefit të Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, i bindur, më në fund, se Zëri i Amerikës ishte vendi i duhur i punës për të dhe se ai ishte personi i nevojshëm për Zërin e Amerikës.  43 vite më vonë, arritjet dhe sukseset personale dhe kontributet e tija ndaj Zërit të Amerikës, qeverisë amerikane, dhe audiencave në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe anë e mbanë botës — janë të shumëta për tu numëruar, prandaj as nuk do përpiqem të bëjë një gjë të tillë, sepse Elezi do më thotë se nuk kemi të bëjmë me sukseset e tija, por kemi të bëjmë me misionin. Me misionin e Zërit të Amerikës!

Por, megjithkëtë po ia lejojë vetes të them këtë për Elez Biberajn. Dua t’u kujtoj se kur Presidenti Xhon Kennedy ka vizituar Zërin e Amerikës në 20-vjetorin e themelimit më 1962, ai ka thenë me atë rast se: “Zëri i Amerikës bartë një barrë të madhe përgjegjësie. Kjo përgjegjësi e madhe e Zërit të Amerikës, për të thënë të vërtetën, nuk është e lehtë…”.  Dua t’u them me bindje se shumë pak njerëz e marrin këtë përgjegjësi — për të cilën ka folur John Kennedy 6 dekada më parë – aq seriozisht sa Elez Biberaj.  Elezi e jetonte dhe kryente çdo ditë këtë besim dhe prëgjegjësi me përkushtim, diçka që i ka siguruar vetes, gjatë 4 dekava të punës së tij – respektin e audiencave radio-televizive si dhe të kolegëve me të cilët ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe.  Një ikonë e vërtetë dhe një prej heronjve të gazetarisë së ushtruar nga Zëri i Amerikës në këtë ndërtesë dhe nga korrespondentët dhe gazetarët e VOA-s, anë e mbanë botës, për 80-vjet nga themelimi i VOA-s.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Elez Biberaj ka besuar dhe ka vepruar bazuar në thenjën e ish-gazetarit të ndjerë amerikan Eduard Murrow dhe njërit prej ish-shefave të Zërit të Amerikës, se “Nuk mund të mbrohet liria anë e mbanë botës, n[qoftse nuk përfillet mbrenda vendit tonë.”  Me këtë besim të patundur në lirinë dhe të drejtat e njeriut, Elez Biberaj ia ka kushtuar jetën dhe karrierën e tij lirisë së fjalës dhe të shtypit, lirisë dhe demokracisë në përgjithësi, si vlera të pazëvëndsueshme amerikane për mirëvatjen e një shoqërie normale, për të gjithë popujt anë e mbanë botës, përshir botën shqiptare, të cilës i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij për pothuaj gjysëm shekulli. 

                   Dr. Elez Biberaj duke mbajtur fjalimin e rastit

Kam një porosi nga miku ynë i përbashkët, Profesori i njohur dhe i nderuar, Nick Pano që edhe në emër të tij t’ju përcjell urimet e tija për pensionimin tuaj, ndërsa shpreh keqardhjen për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë pritje sot.  Profesori Pano shpreh respektin e tij për arritjet e jashtëzanokshme personale dhe profesionale, duke përfshir edhe kontributet e Elezit në fushën e studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Për më tepër, Profesori Pano – historian dhe specialist i shkencave politike — veçanërisht shprehet për kontributet e Elez Biberajt gjatë karrierës së tij në detyrat e ndryshme e të rëndësishme tek Zëri i Amerikës: “Jam krenar dhe mirënjohës për qëndrimet tua parimore gjatë përiudhës që ke shërbyer në detyrën e Drejtorit të Zërit të Amerikës (në detyrë). Admiroj cilësitë aq të dukëshme në jetën tënde profesionale dhe private”, i është drejtuar Profesori Nick Pano, kolegut dhe mikut të tij, Elez Biberajt, në ditën e pensionimit të tij, duke përmbyllur mesazhin e tij me këto fjalë andmiruese: “Në përmbledhje, i dashur Elez, ju keni nderuar familjen tuaj, duke bërë krenar ata dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, vendin tonë (Amerikën) ku jetojmë, si dhe Kombin Shqiptar. Jam krenar që të kam njohur si mik dhe si koleg për pothuaj 5 dekada, përfundon mesazhin e tij Profesor Nick Pano, drejtuar Elez Biberajt me rastin e pensionimit  nga Zëri i Amerikës, pas 43 vitesh shërbim.

Pa e zgjatur më tutje, as unë do të dija të them gjë më shumë as më mirë se Profesori ynë i nderuar Nick Pano. Edhe unë jam krenar për arrijtet tua, duke të falënderuar për miqësinë dhe bashkpunimin profesional gjatë dekatave.

Urime dhe çdo të mirë në pension!

Frank Shkreli

        Drejtori John Lipmann duke i dorëzuar Z. Biberaj dekoratën për Arritje Karriere

  I kënaqur dhe i lumtur me veten, familjen dhe me karrierën e tij

Autori me Profesorin Nick Pano, njëherazi mik dhe bashkpuntor i ngusht i Dr. Elez Biberaj gjatë dekadave.

Në një moment reflektimi pas ceremonisë festive në Washington të enjtën që kaloi

                              Të lumtë Elez! Job well done, my friend!

                        Kujtim nga festimi i pensionimit të Dr. Elez Biberaj, 

                                   Washington DC, 14 Dhjetor, 2023

A retirement celebration invitation with a picture of a person

Description automatically generated

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Frank shkreli

FALENDERIM DHE MIRËNJOHJE TË THELLË UNIONIT TE GAZETAREVE SHQIPTARE

November 13, 2023 by s p

Falenderoj perzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë Unionin e Gazetareve Shqiptare për akordimin e çmimit “Karriera.” Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Falenderime te posacme edhe kolegut Armand Mero, i cili me perfaqesoi ne ceremonine qe u zhvillua ne Tirane, me 10 nentor.

Urime te gjithe kolegeve fitues te cmimeve vjetore te akorduara nga Unioni i Gazetareve Shqiptare.

*****

Mesazh Falenderimi:

10 nentor 2023

Z. Aleksandër Çipa

Kryetar

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Tiranë

I nderuar z. Çipa,

Ju falenderoj perzemërsisht, Ju personalisht dhe Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, për akordimin e çmimit “Karriera.” Ju jam thellësisht mirënjohës.

Gjatë karrierës time të gjatë kam marrë vlerësime të ndryshme, por vlerësimi Juaj ka nje domethenie të posaçme. Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Unë kam mbajtur lidhje të ngushta me kolegë shqiptarë dhe kam ndjekur me admirimin veprimtarinë e tyre. Këtë çmim e mirëpres pikërisht për arsye se është një vlerësim nga Ju – nga njerezit e mi, nga kolegët e mi!

Kam qënë me fat që kam patur rastin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike siç është Zëri i Amerikës. Jam përpjekur gjithmonë t’u përmbahem parimeve dhe standarteve më të larta të gazetarisë në përmbushjen e misionin fisnik të Zërit të Amerikës – transmetimin e lajmeve dhe informacioneve të vërteta dhe objektive, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Jam përpjekur gjithashtu që t’i përmbahem parimit se pasuria më e madhe e një gazetari është besueshmëria dhe llogaridhënia për veprimtarinë e tij.

Me këtë rast, dua të falenderoj kolegët e Zërit të Amerikës, me te cilët e ndaj këtë vlerësim, për bashkëpunimin, mbeshtetjen dhe miqësinë gjatë gjithë këtyre viteve. Jam jashtëzakonisht krenar për rolin që Zëri i Amerikës ka luajtur dhe vazhdon të luajë në shërbim të informimit të audiencave në hapësiren shqiptare në Balkan. Që nga fillimi i tij, para 80 vjetësh, Zëri i Amerikës ka qenë bashkëudhëtar me shqiptarët, duke u dhënë shpresë gjatë kohëve të vështira dhe duke mbeshtetur përpjekjet e tyre për t’u ankoruar qartësisht në rradhët e vendeve dhe shoqërive të përparuara dhe demokratike.

Përfitoj nga ky rast që të falenderoj publikisht edhe mediumet e tjera ndërkombëtare, që transmetojnë, ose kanë transmetuar në të kaluarën në gjuhen shqipe, për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur, posaçërisht Radio Europa e Lirë, BBC, dhe Deutsche Welle.

Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një shoqërie të përparuar dhe demokratike. Ndonëse sot gazetarët në shumë vende punojnë në kushte të vështira dhe përballen me kërcënime për sigurinë dhe mirëqënien e tyre, misioni i tyre është më i rëndësishëm se kurrë. Ndërsa vazhdojmë të përmbushim misionin tonë fisnik për të fuqizuar audiencat me informacione që i ndihmojnë të marrin vendime më të mira, është jetike që vetë ne gazetarët, t’i rikthehemi angazhimit të parimeve bazë të gazetarisë për objektivitet, paanshmëri dhe saktësi. Vetëm kështu gazetarët mund të luajnë rolin e tyre tradicional të “pushtetit të katërt,” duke dhënë një ndihmesë të madhe për përmirësimin dhe përparimin e shoqërive të tyre.

Me lejoni që të shpreh edhe njëherë kënaqësinë e veçantë për këtë vlerësim.

Ju falenderoj përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë.

Elez Biberaj

May be an image of 3 people and text

Filed Under: ESSE Tagged With: Elez Biberaj

FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI”, NDERIM E MIRËNJOHJE VEPRËS SË DR.ELEZ BIBERAJ

November 1, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe gazeta “Dielli” shprehin mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimet më të larta për ikonën e gazetarisë shqiptar-amerikane Dr.Elez Biberaj me rastin e daljes në pension.

Federata “VATRA” dhe gazeta “Dielli” e kujtojnë me shumë respekt bashkëpunim e shkëlqyer në dekada me Dr.Biberajn në aktivitete shkencore, kulturore, komunitare e atdhetare dhe i shprehin falenderim të përzëmërt se “Zëri i Amerikës” ka qenë një derë e hapur për “Vatrën” e “Diellin” në çdo kohë.

Gjate karrierës së tij të gjatë dhe të sukseshme me 43 vite veprimtari, z.Biberaj i dha jehonë çështjes kombëtare në ndërgjegjësimin ndërkombëtar dhe njohu Shtetet e Bashkuara e opinion publik mbi gjëndjen, vuajtjen e persekutimin e popullit shqiptar, klerit dhe elitës intelektuale shqiptare në regjimin diktatorial.

Dr.Biberaj me kontributin e tij mediatik, atdhetar e patriotik la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të shtetit e kombit shqiptar dhe mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Profili i lartë i Dr. Biberajt si një intelektual i shquar ndërkombëtarisht, si gazetar e drejtues profesionist, si studiues e hulumtues në shkencat politike e media, për më shumë se katër dekada karrierë, lartësoi kauzat shqiptare anembanë botës.

“Zëri i Amerikës” ka qenë zëri i lirisë, i demokracisë, i shpresës, i dritës, i së mirës, i frymëzimit, i së ardhmes për shqiptarët që vinte në trojet shqiptare të robëruara prej komunistëve, nëpërmjet zërit e penës së Dr. Elez Biberajt.

Integriteti i lartë, profesionalizmi i spikatur, ndershmëria dhe pasioni e bënë Dr. Biberajn frymëzim, model dhe orientim për çdo gazetar shqiptar.

Veprimtaria e Dr. Biberaj për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, demokratizimin e institucioneve e shoqërisë shqiptare, pavarësinë e Kosovës, lartësimin e kombit tonë e lidhjen organike të mërgatës shqiptare me shoqërinë dhe institucionet amerikane, janë një shërbim i madh që i ka bërë kombit shqiptar.

Z.Biberaj është kontributor i artë në panteonin e burrave të mëdhenj të kombit tonë.

I dashur dhe fort i çmuar Dr.Elez Biberaj

Mirënjohje të thellë për çdo gjë që i ke dhënë komunitetit shqiptar, komunitetit mediatik, miqve e secilit profesionist që ka pas fatin të punojë ngushtë me ty.

Ka qenë privilegj i veçantë miqësia e bashkëpunimi i frytshëm.

Kombi dhe të gjithë ne do të jemi përherë mirënjohës.

Zoti të dhashtë shëndet të fortë, jetë të gjatë e lumturi familjare.

Me mirënjohje të thellë

Kryetari i “Vatrës”

Elmi Berisha

Editori i “Diellit”

Sokol Paja

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Elmi Berisha, Sokol Paja

Mesazh lamtumire me rastin e daljes në pension

October 31, 2023 by s p

30 tetor 2023

Të nderuar miq dhe kolegë,

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se pas një karriere 43 vjeçare me Zërin e Amerikës, kam vendosur të dal në pension më 31 dhjetor 2023. Ka qënë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar.

Misioni i Zërit të Amerikës dhe ruajtja e standarteve më të larta të gazetarisë kanë qënë në qendër të rrugëtimit tim profesional. Gjatë gjithë karrierës sime që shtrihet në mbi katër dekada, gjatë gjashtë administratave presidenciale dhe me mbi dhjetë drejtorë të Zërit të Amerikës, kam bërë përpjekjet maksimale për të mbajtur lart vlerat që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga organizatat mediatike më të njohura dhe të besueshme në botë. Unë kam patur privilegjin të punoj në role të ndryshme, nga gazetar radioje në Shërbimin Shqip (1980-1982), Analist për Çështjet Sovjetike dhe të Europës Lindore në Drejtorinë e Shtypit të USIA (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Informacionin) (1982-1986), Shef i Shërbimit Shqip (1986-2004), Kryeredaktor i Drejtorisë së Euroazisë (2004-2005), dhe së fundmi, që nga viti 2005, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë. Kam shërbyer gjithashtu si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës gjatë përiudhës qershor-dhjetor 2020.

Nuk mund të kisha shpresuar për një karrierë më shpërblyese nga ana intelektuale dhe profesionale. Zëri i Amerikës më krjoi mundësinë të ndjek nga afër disa nga ngjarjet më gjurmëlënëse botërore, që nga Lufta e Ftohtë, përmbysja e komunizmit dhe lindja e demokracisë në ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, luftrat ballkanike, integrimin e vendeve të Europës Lindore në institucionet Euro-Atlantike, kthimin e Rusisë në një sistem autoritar dhe së fundmi, agresionin e saj mizor ndaj Ukrainës. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që kam punuar krahas shumë kolegëve të nderuar në përmbushjen e misionit fisnik të Zërit të Amerikës, transmetimin e lajmit dhe informacionit të vërtetë dhe objektiv për audiencën globale, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Ndihem tejet krenar për arritjet tona të jashtëzakonshme.

Zhvillimet e fundit në botë, përhapja e dezinformimit dhe keqinformimit, cënimi i lirisë së shtypit, përparimi i shpejtë i teknologjisë, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i inteligjencës artificiale, e kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin botëror të gazetarisë. Zëri i Amerikës vepron sot në një botë krejt të ndryshme, por misioni i përhapjes së lirisë dhe demokracisë, dhe fuqizimi i audiencës me lajme dhe informacione të vërteta, objektive dhe të balancuara, nuk ka qënë kurrë më jetik.

Me mirënjohje të thellë dua të falenderoj ekipin e përkushtuar e të palodhur në përmbushjen e misioit të Drejtorisë së Euroazisë. Drejtimi i një grupi të tillë të talentuar gazetarësh ka qënë një kënaqësi e veçantë. Po ashtu u jam mirënjohës miqve dhe kolegëve në sektorët e tjerë të Zërit të Amerikës për përkrahjen e palëkundur.

Falenderime të përzemërta kolegëve në postet e larta drejtuese dhe në të gjithë organizatën, të cilët punuan ngushtë me mua gjatë periudhës gjashtë-mujore kur shërbeva si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. Ishte një nder i veçantë të qënit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tone editoriale.

Më duhet ta pranoj, se edhe pas 43 vitesh të mrekullueshme, nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë Zërit të Amerikës. Por unë largohem me krenari të thellë dhe mirënjohje të pakufishme për punën e madhe që kemi bërë dhe jam i sigurtë, që ju do të vazhdoni të bëni. Zëri i Amerikës është bërë sot një organizatë mediatike shumë e efektshme dhe e shkathët, duke prodhuar gazetari të cilësisë së lartë. Shtrirja dhe ndikimi i Zërit të Amerikës nuk kanë qënë kurrë më të mëdha se sot. Dhe përsa kohë që të mbetet i angazhuar ndaj vlerës së tij themelore të nxitjes së lirisë e demokracisë dhe prodhimit të gazetarisë së pavarur të bazuar në fakte, Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë burim shprese dhe një fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz në mbarë botën.

Me respekt të thellë,

Dr. Elez Biberaj

Drejtor

Drejtoria e Euroazisë

Zëri i Amerikës

Filed Under: Opinion Tagged With: Elez Biberaj

Çështja e Kosovës në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” të Dr. Elez Biberaj

September 13, 2023 by s p

Sokol Paja/

Çështja e Kosovës në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” të Dr. Elez Biberaj përbën një kontribut të veçantë për njohjen më të thellë të raportit shqiptaro-serb dhe përplasjeve që e kanë karakterizuar Serbinë e Kosovën. Çështja e Kosovës përbën pjesën më të rëndësishme të studimit e trajtuar me një analizë të detajuar, e cila hedh dritë në përplasjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Një konflikt i vjetër i kultivuar ndër shekuj ku autori analizon me burime të besueshme dhe shterron në mënyrë të detajuar raportet ndërmjet dy popujve. Ky studim është një udhërrëfyes për analistët mediatikë, studiuesit e shkencave politike, të marrëdhënieve ndërkombëtare, kërkuesit shkencor në fushën e sigurisë dhe çështjeve të rajonit. Libri i Dr. Elez Biberaj si përmbledhje e 15 shkrimeve, kumtesave, fjalimeve e studimeve të mbajtura prej autorit në qarqet akademike dhe mediatike rreth “Shqipërisë dhe Shqiptarëve” është shumë aktual dhe shërben si pikë referimi shumë e rëndësishme për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e konfliktit shqiptaro-serb. Me të drejtë Prof.Nikolla Panos në parathënie, shprehet se libri ka merita të veçanta pasi na jep perspektiva të dobishme për të vështruar zhvillimet kryesore në Kosovë dhe në Shqipëri, në intervale të ndryshme gjatë 30 viteve të kaluara.

Në çështjen “Konflikti në Kosovë” Dr.Biberaj trajton origjinën e konfliktit serbo-shqiptar, analizon me gjakftohtësi raportet e tensionuara ndërmjet tyre dhe i jep lexuesit një panoramë të përgjithshme që në themel kishte pabarazinë në trajtim që serbët iu bënin shqiptarëve të Kosovës. Autori shprehet se statusi dhe trajtimi që iu bëhej shqiptarëve në ish-Jugosllavi si një prej etnive me numrin e popullsisë më të madh nuk ishin më përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë dhe dëshirat e tyre të shpallura publikisht. Sipas autorit, shqiptarët e Kosovës kishin gjithnjë e në rritje çështjen etnike ku pakënaqësia e masës ndaj autoriteteve, ngecja ekonomike, pakësimi i mundësive për të ecur përpara, gjendja e keqe shoqërore dhe rënia e standardeve të jetesës i shoqëronte ata. Sipas Dr. Biberaj pavarësisht nga persekutimi i egër dhe përpjekjet për ti asimiluar dhe shkombëtarizuar forcërisht shqiptarët, vetëdija etnike dhe vendosmëria e kosovarëve u shtuan. Sipas Dr. Biberaj policia sekrete, nën drejtimin e Zëvendëspresidentit (serb) Aleksander Rankoviç, shtypte të drejtat kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve. Kosova trajtohej thjesht si një koloni serbe dhe shqiptarët u shfrytëzuan politikisht, ekonomikisht, si dhe nga pikëpamja shoqërore. Në analizën e tij autori thekson se megjithëse shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë së Kosovës, monopolin e posteve të kualifikuara, administrative dhe profesionale, e kishin serbët dhe malazezët, që i përdornin mjetet e tyre politike për të ruajtur statusin e tyre të privilegjuar.

Në çështjen “Kosova: beteja për njohje” autori analizon raportin e shqiptarëve dhe serbëve në një armiqësi tradicionale, analizohet sfondi historik i konfliktit etnik shqiptaro-serb, shtypja e përgjakshme e protestave studentore të vitit 1981 etj. Në këtë studim voluminoz dhe të rëndësishëm autori paraqet në mënyrë kronologjike sfondin historik të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave duke i dhënë përgjigje me argumente shkencore pikëpyetjes së madhe “Kosova si urë lidhëse apo mollë sherri?”. Autori shterron përplasjen dhe analizon rrënjët e konfliktit si pasojë e ringjalljes së nacionalizmit dhe thellimit të armiqësive etnike në Kosovë si shkak i padrejtësive, shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve prej regjimit serb. Dr.Biberaj analizon me detaje strategjinë e Beogradit të cilët përdorën ushtrinë, shtypjet e pakënaqësive e revoltave, gjyqet dhe spastrimet e inteligjencës në përpjekje të minimalizimit të kërkesave të shqiptarëve për Kosovën Republikë. Në çështjen “Kosova, fuçi baruti e Ballkanit” autori Dr.Biberaj trajton mjeshtërisht mitin historik të Kosovës, popullsinë shqiptare në Kosovë, pretendimet e historianëve serbë dhe sqarimi i mitit fetar të ngritur prej serbëve se konflikti serbo-shqiptar kishte sfond fetar se gjoja shqiptarët donin të krijonin shtet islamik në zemër të Ballkanit. Faktet historike, analiza e detajuar, interpretimi i tyre, ofrimi në trajtim i një qasjeje panshqiptare të konfliktit serbo-shqiptar, i japin librit një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe shkencore. Një tjetër çështje me rëndësi të veçantë autori trajton “Kosova, lindja e një shteti të ri” duke na prezantuar pikëpamjet historike dhe politike përfshirë sfidat dhe betejat e përgjakshme, ngërçin e brëndshëm politik, dialogun dhe negociatat e Kosovës me faktorin ndërkombëtar deri në pavarësinë e saj. Lexuesi shqipfolës ka shumë informacione, të dhëna dhe burime të shumta e të besueshme duke na sjellur një analizë të thelluar të raporteve të midis shqiptarëve dhe serbëve, kjo si rrjedhojë e eksperiencës së gjatë si gazetar dhe drejtues i Zërit të Amerikës, si Shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe tani si Drejtor i VOA-s për Euroazinë. Falë formimin akademik në Columbia University në shkencat politike, si ekspert i politikës ndërkombëtare e bën librin të rëndësishëm dhe në arenën ndërkombëtare. Dr.Elez Biberaj ka qenë dhe është një zë i fuqishëm i çështjes kombëtare, i cili falë penës së tij të prehtë dhe vizionit largpamës përfaqëson denjësisht shqiptarët në mediat e shkruara dhe vizive si pena më e fuqishme në diasporë.

Studimi i Dr.Elez Biberaj “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes” përbën një ndër studimet më serioze dhe dinjitoze në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që pas shembjes së komunizmit deri në ditët e sotme dhe radhit Dr.Biberaj ndër shqiptarët më me ndikim dhe kontribut të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Sokol Paja

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit
  • Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë, pikë kthese strategjike për sigurinë rajonale dhe integrimin Euro-Atlantik
  • Përkujtojmë sot juristin, filozofin dhe përkthyesin Abdulla Rami (20 maj 1908 – 29 janar 1973)
  • “Bekime dhe Mallkime” prezantohet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork
  • 52 vjetori i Revoltës së Spaçit (21 maj 1973 – 21 maj 2025)
  • Join Us for the 3rd Annual Albanian Picnic!
  • Konferencë Ndërkombëtare: Letërsia shqipe e mërgimit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT