
Prof. dr. Lush Culaj/
Fryma e Kongresit të Lushnjës depërtoi edhe në krahinat shqiptare të aneksuara nga Mbretëria SKS-së. Ndikimi i këtij kongresi ndihet edhe në lëvizjen çlirimtare në Kosovë. Nga fryma kombëtare e Kongresit Mbretëria SKS ndërmori kundërmasa dhe i hyri aksionit të çarmatosjes së shqiptarëve brenda shtetit të vet. Droja ekzistonte edhe nga Komiteti i Kosovës, i cili konsiderohej një organizatë politike e lidhur ngusht me Qeverinë e Lushnjës. Në pranverë të vitit 1920, si pasojë e rrethanave të krijuara, si të jashtme ashtu edhe të brendshme, pozitat e shtetit shqiptar u bënë tejet kritike. Në ato zhvillime delikate, duke e vlerësuar realisht situatën dhe raportin e forcave, Qeveria e Sylejman Delvinës dhe qarqet politike largpamëse përcaktuan si rrezikun kryesor Italinë dhe u përpoqën ta shmangin luftën në të dy frontet.
Ne dëshirojmë të jetojmë në mënyrë miqësore me serbët, që i kemi fqinjë… i këshillonte lumjanët Qeveria e kryeministrit Delvina në mars 1920, politikë që e konfirmonte zyrtarisht edhe Këshilli kombëtar në sesionin e tij të parë. Ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë nuk ekzistonin marrëdhënie diplomatike. Qeveria e Beogradit nuk e kishte njohur Qeverinë e Durrësit pasi e cilësonte si italofile. Për t’iu kundërvënë Italisë qarqet e MSKS-së e pritën “me gëzim” Kongresin e Lushnjës, por posa e vërejti se nuk mund të ndikonte mbi këtë qeveri, Beogradi nuk e njohu as Qeverinë e Lushnjës. Megjithatë, në disa takime ishte rrahur ideja e një marrëveshjeje shqiptaro-jugosllave. Konsulli jugosllav në Shkodër, në shkurt të vitit 1920, sugjeronte që për arritjen e kësaj marrëveshje të dërgohej në Beograd një komision deputetësh shqiptarë për të biseduar me anëtarët e Qeverisë jugosllave. Në fillim të marsit 1920 Kadri Prishtina, ministër i Drejtësisë, deklaroi: “Qeveria Shqiptare është e gatshme për t’i filluar bisedimet e fshehta me Qeverinë Jugosllave në Beograd, ose në ndonjë vend tjetër të përshtatshëm për t’i nxjerrë italianët jashtë Vlorës”.
Pra, vetë mungesa e mjeteve për ta përballuar situatën kaotike, mungesa e armëve dhe municioneve e detyron Qeverinë e kryeministrit Delvina që të trokiste në dyert e Beogradit, duke konsideruar se largimi i Italisë nga Vlora në radhë të dytë i interesonte edhe Jugosllavisë. Mbi bazën e këtyre interesave të ndërsjella u dërgua me një mision të fshehtë në Beograd deputeti Sejfi Vllamasi, i akredituar me një letër të Aqif Pashë Elbasanit, si anëtar i Regjencës.
Vllamasi në Beograd, ndër të tjera, deklaroi: “Ne jemi në luftë me një fuqi të madhe, e cila duke e mbrojtur Vlorën po na godet për vdekje. Ne kemi nevojë për armë e municion për ta nxjerrë me luftë armikun jasht tokës sonë. Përveç kundërshtarëve të tjerë, kemi kundërshtarë edhe shumicën e madhe të kosovarëve irredentë, midis të cilëve ka persona që gëzojnë simpati brenda në Shqipëri e që mund të na paralizojnë edhe më tepër. Politika jugosllave po të qe pak më realiste, për të fituar miqësinë e përjetshme të popullit shqiptar, ajo vetë duhej të na i falte disa qytete thjesht shqiptare, që ndodhen rreth kufirit shqiptaro-jugosllav për të formuar një shtet që të mund të jetonte ekonomikisht dhe që do të ishte mburojë kundër çdo synimi italian për ne dhe për ju. Ne besojmë se Qeveria e Beogradit në këtë rast nuk do të na e kursente ndihmën që na nevojitet për një qëllim që do t’i shërbente edhe interesit jugosllav”.
Si përgjigje pala jugosllave premtoi se do ta ndihmojë Shqipërinë me armë e municione, duke i grumbulluar ato në dy-tri vende rreth kufirit për t’u futur në Shqipëri. Kthimin e disa qyteteve thjesht shqiptare Shqipërisë të kërkuar nga Vllamasi, Beogradi as që pranonte ta diskutonte, kurse qëndrimin e forcave jugosllave nga territoret e pushtuara shqiptare e justifikonte me praninë edhe të trupave italiane në Shqipëri. Gjithsesi “miqësia” e fqinjëve ishte e përkohshme dhe misioni i Sejfi Vllamasit në Beograd në prill 1920 nuk siguroi më tepër se një premtim të vakët për prapavijë të qetë në kufijtë shqiptarë, në kohën e zhvillimit të Luftës çlirimtare të Vlorës. Në kujtimet e tij S. Vllamasi shkruan se jugosllavëve nuk u pëlqeu kur ai gjatë bisedimeve, u shprehu në formë dëshire kërkesën që Jugosllavia t’i kthente Shqi-përisë disa qytete thjesht shqiptare, që ndodheshin pranë kufirit shqiptaro-jugosllav, e me këtë gjest “të fitonte miqësinë e përjetshme të shqiptarëve”.
Përpjekjet e Sejfi Vllamasit në Beograd dështuan, edhe pse ishin përpjekje gjysmake, ngase jugosllavët nuk kishin besim në luftën çlirimtare të shqiptarëve kundër pushtuesve italianë. “Përparësia që mori lufta kundër pla-neve të Italisë në Shqipëri nuk përcaktohej vetëm nga shkalla e rrezikut që përfaqësonte fuqia e përtej Adriatikut, por edhe fakti se largimi i forcave italiane nga Shqipëria do t’i lehtësonte shumë edhe përpjekjet për tërheqjen e trupave jugosllave nga krahinat veriore e verilindore të vendit”. Koha punonte kundër italianëve. Qëndrimi i pakompromis i presidentit Wilson, i cili refuzoi ta mbështeste politikën italiane në Shqipëri i shtoi edhe më tej këto vështirësi. Së fundi vetë shqiptarët po bëheshin tepër armiqësorë dhe filluan të ndërmerrnin veprime të arma-tosura kundër trupave italiane.
Pas luftës dhe vendosmërisë së kryengritësve shqiptarë për ta vazhduar luftën gjer në fund Qeveria italiane e pranoi dështimin e saj në Shqipëri dhe më 2 gusht 1920 ajo e nënshkroi në Tiranë një protokoll nëpërmjet të cilit respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë. Trupat italiane do të tërhiqeshin nga Vlora dhe nga pjesët tjera të vendit, me përjashtim të ishullit të Sazanit.
Nga ana tjetër, në muajin mars të vitit 1920, kur francezët deklaruan se do ta lironin Shkodrën, jugosllavët ishin futur deri në Tarabosh dhe kërkonin nga komandanti francez dorëzimin e Shkodrës.
Ishte Franca ajo që e kishte përkrahur idenë e ndërkombëtarizmit të Shkodrës për t’ia siguruar Qeverisë jugosllave një të ardhme më të favorshme mbi Shkodrën. Por Qeveria e Lushnjës mobilizoi një forcë ushtarake kombëtare në krye me Ahmet Zogun, e cila hyri në Shkodër. Ishte pikërisht viti 1920 një vit me plot ngjarje dramatike, të cilat e cenonin drejtpërdrejt integritetin e shtetit të ri shqiptar. Në anën tjetër Beogradi, duke e çmuar disfatën italiane në Vlorë si mundje të rivalit të vet në Shqipëri mendoi se kishte ardhur momenti që ta detyronte Qeverinë e Tiranës që:
1. Të ndiqte një politikë pro qeverisë së MSKS-së,
2. Ta njihte pushtimin jugosllav të tokave shqiptare brenda kufirit të vitit 1913,
3. Të mos i jepte asnjë përkrahje Komitetit të Kosovës dhe lëvizjes patriotike të Kosovës, e cila nëpërmjet kryengritjes së armatosur synonte çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin kombëtar.
Më 14.2.1921 ushtarët jugosllavë u detyruan të largoheshin nga Kastrati e Shkreli, duke zbrazur tokat shqiptare deri në kufirin e vitit 1913. Ata lanë prapa shumë dëshmi të mizorive të bëra. Përfaqësuesi ndërkombëtar, J. Godart, vizitoi më 2 prill 1921 Kastratin dhe konstatoi se Ushtria e Mbretërisë SKS kishte djegur atje 1.200 shtëpi dhe kishte bërë grabitje të mëdha.
Sukseset e arritura në luftën e Vlorës i inspiruan edhe patriotët dibranë për të marrë me iniciativën e tyre një veprim të armatosur kundër pushtuesve jugosllavë dhe për t’i detyruar këta që të tërhiqeshin në kufijtë e vitit 1913. Qeveria e Tiranës e përkrahu këtë iniciativë fshehurazi. Udhëheqës i kryengritjes ishte Elez Isufi. Kryengritja filloi nga mesi i gushtit 1920. Pas luftimesh kryengritësit çliruan Peshkopinë dhe i detyruan ushtarët e Mbretërisë SKS që të tërhiqeshin në kufirin e vitit 1913.
Sukseset e patriotëve dibranë gjallëruan rrymën irredentiste kosovare, të cilën e përfaqësonte Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Ky komitet nuk kërkonte vetëm çlirimin e tokave shqiptare brenda kufijve të vitit 1913, por synonte edhe çlirimin e Kosovës nëpërmjet organizimit të kryengritjes së armatosur në këto treva. Pikërisht për këtë qëllim Komiteti u përpoq të siguronte armë e municione dhe në këtë drejtim e angazhoi Bajram Currin. “Në fillim të gushtit 1920 ai i siguroi disa ndihma që kapnin shumën 30 milionë franga.
D’ Annunzio nga Italia kishte premtuar para dhe armë dhe hollësitë ishin diskutuar me Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin.
Një vapor italian me armë e municione dhe me mjete të tjera kishte arritur në Durrës për t’i shkarkuar armët që i kishte dërguar D’Annunzio për luftën në Kosovë. Mirëpo, kur vaporët me armatime arritën në Shëngjin, Qeveria e Sylejman Delvinës urdhëroi që të mos zbarkoheshin 20.000 pushkët e sjella.
Qeveria e Sylejman Delvinës nuk i gjykonte të përshtatshme rrethanat për ta ndërmarrë një veprim të tillë, i cili mund të sillte ndërlikime ndërkombëtare e në dëm të Shqipërisë. Ky qëndrim për kohën kur u mor ishte i drejtë, sepse një veprim i tillë do t’i jepte shkas Beogradit që ta ndërmerrte një aksion përmasash të gjera kundër Shqipërisë, gjë që do ta vinte në dyshim madje edhe ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar.
Shikuar nga situata e përgjithshme dhe rreziqet që sillte me vete aksioni i projektuar nga Komiteti i Kosovës, Qeveria Shqiptare e ndaloi zbarkimin e armëve të nisura për në Shqipëri nga D’Anuncio. Me gjithë përgjigjen negative që mori nga qeveria, Komiteti vendosi që armët të shkarkoheshin drejtpërdrejt në emër të Komitetit të Kosovës, kurse Bajram Curri mori masa të menjëhershme për shkarkimin dhe bartjen e këtyre armëve.
Bajram Curri, për këtë ngjarje, i shkruante Kadri Prishtinës: “Materiali i vaporave në fjalë u shkarkua tinëz në tokë, por sjellja e qeverisë për këtë çështje na turbulloi shumë…Të na kallzoni me ngut e fill e për pe qëllimin themelor të qeverisë”. Qeveria e Tiranës ndonëse e njihte Kosovën, si pjesë të shkëputur nga trungu i Shqipërisë, ajo nuk e shihte të përshtatshëm momentin për ta organizuar një lëvizje të armatosur për çlirimin e tyre. Megjithatë, nëse arrihej që armët të vinin dhe të orientoheshin nëpërmjet rrugëve të tjera e të dërgoheshin përtej kufijve, atëherë, pavarësisht se Qeveria e Tiranës nuk e pranonte zyrtarisht këtë veprim, ajo i kishte meritat e saj. Rrethanat e brendshme edhe të jashtme ishin të tilla që i impononin qeverisë që të mos pranonte zyrtarisht se qëndronte pas disa zhvillimeve politike. Sikur mos ta preokuponte çështja e pazgjidhur kombëtare, megjithatë Qeveria do të gjente forcë për ndalimin e atyre veprimtarive kombëtare me të cilat nuk identifikohej zyrtarisht.
Çlirimi i Dibrës, deri në kufijtë e vitit 1913, u pasua me vendosjen e administratës së prefekturës. Mbështetjen ajo e gjeti tek Elez Isufi, i cili me gjithë fitoren e shkëlqyeshme që ishte arritur, e dinte që Beogradi nuk do të pajtohej me disfatën që pësuan. Kundërofensiva e tyre filloi më 2 shtator të vitit 1920. Në mbrëmjen e 3 shtatorit të vitit 1920 Ushtria e Mbretërisë SKS arriti ta ripushtonte Peshkopinë, ku u masakruan të gjithë banorët që nuk patën mundësi të largoheshin. Më 28 tetor 1921 u ndez beteja përfundimtare ndërmjet Ushtrisë të Mbretërisë SKS dhe forcave shqiptare që luftuan duke i shkaktuar armikut humbje të rënda dhe e detyruan atë të tërhiqej e t’i zinte pozicionet në brigjet lindore të Drinit të Zi.
Përgjithësisht Qeveria e Delvinës realizoi një numër suksesesh në planin e brendshëm, kurse në planin e jashtëm pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ishte një fitore e madhe e Qeverisë Delvina, sepse kjo qeveri e kishte trasuar rrugën e pranimit. Qeveria e Sylejman Delvinës ra sapo jugosllavët u bindën ta ndalnin ofensivën e tyre, ndonëse dorëheqja e saj më 20 nëntor 1920 u duk sikur ishte rrjedhojë e grindjeve midis ministrave, në realitet ajo ishte kurdisur prej Zogut, i cili shpresonte të përfitonte nga kriza e ardhshme.
Në mesazhin e inaugurimit (hapjes), që ia drejtoi Parlamentit Shqiptar, Këshilli i Naltë shfaqi besimin se Italia do ta ndryshonte politikën e saj ndaj Shqipërisë, duke respektuar pavarësinë dhe tërësinë territoriale të saj. Nga ana tjetër trupat e Mbretërisë SKS kishin pushtuar në shkurt Taraboshin dhe bregun e djathtë të Bunës, por nuk kishin mundur të futeshin në qytetin e Shkodrës, i cili në mars ishte bashkuar me Qeverinë e Tiranës. Po kështu në këtë qeveri kishin ndikim të madh edhe udhëheqësit e Komitetit të Kosovës.
Shteti shqiptar kishte bërë përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet me shtetet fqinje, por ato për shkak të interesave të tyre, nuk tregonin gatishmëri për këtë gjë. Në mbështetje të vëllezërve të tyre protestuan edhe deputetët e Parlamentit Shqiptar, i cili në atë kohë quhej Këshill Kombëtar.