NGA SAIMIR LOLJA/*
…… Mbyllja e zgavrës në cepin më jugor të Perdes së Hekurt kishte nevojë për një saldim. Në fund të 1944 dhe gjatë vitit 1945, flota mbretërore britanike pastroi minat në Korridorin Medri në Kanalin e Korfuzit edhe në ujërat territoriale shqiptare. Në vitin 1945 ajo i pastroi edhe të gjitha minat detare që flota luftarake gjermane i kishte hedhur me mijëra në ujërat e bregdetit dalmat dhe në veri të Detit Adriatik. Flota jugosllave nuk mund ta bënte vetë atë operacion. Një pjesë e minave, me shumë gjasa 103 prej tyre, u ripërtërinë dhe u lanë në portin jugosllav të Shibenikut nën ruajtjen e flotës jugosllave me dijeninë vazhdueshme të flotës mbretërore britanike dhe Shërbimit të Fshehtë Britanik të Zgjuarsisë.
Misioni ushtarak britanik u largua nga Shqipëria në Prill të vitit 1946 dhe Misioni i Shteteve të Bashkuara u largua nëpërmjet Durrësit më 14 Nëntor 1946. Nuk kishte çfarë të bëhej më shumë brenda një zgavre të mbyllur dhe të lënë nën ndriçimin sovjetik dhe mirëmbajtjen jugosllave.
Shkolla e Kodit dhe Shifrës e Qeverisë Britanike mori emrin Selia Qëndrore e Ndërlidhjeve e Qeverisë Britanike (The British Government Communications Headquarters) në Qershor të vitit 1946. Ajo zbërthente të gjitha mesazhet e shifruara që vinin nga Jugosllavia Nr. 3 e Shqipëria dhe në veçanti shkëmbimet e mesazheve që lidheshin me ngrehjen e skenarit për Ngjarjen e Kanalit të Korfuzit në vitin 1946 dhe më pas. Josip Broz Tito ishte një vegël britanike nën kontrollin e imët të Shërbimit të Fshehtë Britanik të Zgjuarsisë. Është e pamundur që ai të ketë hyrë në lojë spiunazhi me Drejtorinë Ruse të Zgjuarsisë Ushtarake për të ngrehur ngjarjen e Kanalit të Korfuzit e të mos dihej nga agjentët e Shërbimit të Fshehtë Britanik të Zgjuarsisë në Beograd dhe të mos përgjohej nga Selia Qendrore e Ndërlidhjeve e Qeverisë Britanike.
Më 15 Maj 1946, me urdhër të këshilltarëve jugosllavë, artileria bregdetare shqiptare gjuajti kryqëzorët britanikë HMS Orion dhe HMS Superb. Qeveria britanike lajmëroi se priste t’i kërkohej falje dhe paralajmëroi qeverinë shqiptare se anijet e flotës mbretërore britanike do të kundërpërgjigjeshin me zjarr në një rast tjetër të ngjashëm. Si përgjigje, qeveria shqiptare lëshoi një shënim më 21 Maj 1946 se anijet luftarake të huaja nuk mund të kalonin pa leje në ujërat e saja territoriale.
Kryeministri jugosllav Josip Broz Tito pat marrë kukullën Enver Hoxha për vizitë në Jugosllavi në periudhën 23 Qershor – 2 Korrik 1946 dhe më 19 Gusht 1946. I udhëzuar, ai i këshilloi Enver Hoxhës minimin e ujërave shqiptare në Kanalin e Korfuzit. Më 10 Shtator 1946, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugosllave dërgoi një mesazh radiotelegrafik në Misionin Ushtarak jugosllav në Tiranë duke i pohuar gadishmërinë e 103 minave detare për operacionin.
Më 21 Shtator 1946, komanda e flotës mbretërore britanike pyeti Krye-Komandantin e Flotës Mbretërore Luftarake në Detin Mesdhe Admiralin Sir Algernon Usborne Willis nëse ndonjë anije britanike e flotës së tij kishte kaluar përmes Kanalit të Korfuzit që nga Gushti i vitit 1946. Përgjigjja e menjëhershme ishte se ajo nuk kishte ndodhur ende, por ishte planifikuar të zbatohej me kryqëzorët HMS Mauritius dhe HMS Leander më 22 Tetor 1946.
Më 5 Tetor 1946, oficeri komandues i skuadronit të parë të kryqzorëve të flotës mbretërore luftarake në Detin Mesdhe, Ndihmës-Admirali Harold Richard George Kinahan, lëshoi Urdhrin Operativ XCU (Exercise Corfu) për oficerët komandues të kryqëzorëve HMS Mauritius, HMS Leander, HMS Ocean dhe komandantit të flotiles së tretë të anijeve mbrojtëse-shkatërruese. Më 13 Tetor 1946, ai lëshoi Urdhrin Operativ Shtesë XCU ONE. Urdhri Operacional XCU pasoi një vendim politik për të provuar kundërveprimin e qeverisë shqiptare që ishte njoftuar nëpërmjet shënimeve diplomatike se kryqëzorët e flotës mbretërore britanike HMS Mauritius dhe HMS Leander si dhe anijet mbrojtëse-shkatërruese HMS Saumarez dhe HMS Volage do të kalonin nëpër Korridorin Medri të Kanalit të Korfuzit në 22 Tetor 1946.
Urdhri Operativ XCU urdhëronte anijet, të cilat do të lundronin në Kanalin e Korfuzit, të përgatiteshin për luftim dhe kthim zjarri për një orë nëse artileria bregdetare shqiptare gjuante e para. Aeroplanmbajtësja HMS Ocean dhe anija mbrojtëse-shkatërruese HMS Raider do të ishin në mbështetje të tyre në perëndim të ishulli të Korfuzit. Urdhri Operativ XCU e gjykonte zonën e Gjirit të Sarandës pa mina detare. Urdhri Operativ XCU ishte tepër i fshehtë dhe paralajmëronte në mënyrë të veçantë se qeveria greke nuk duhej të kishte ndonjë dijeni për të.
Më 15 Tetor 1946 përfundoi Konferenca III e Paqes në Paris. Pa vonesë, më 18 Tetor 1946, dy peshkarexha jugosllave të quajtura Mljet dhe Meljine, të përshtatura si minapastruese luftarake të llojit Malinska, lanë portin e Shibenikut në Dalmacinë qendrore, në Jugosllavinë Nr. 3, me drejtimin jug. Ato kishin në ngarkesë secila 15 mina gjermane të llojit “EMC”, ose me emërtesën britanike “GY”. Të dy peshkarexhat luftarake ngase ishin mjaft të vogla nuk do tërhiqnin vëmendje e mund ta kryenin shpejt detyrën e shtrimit të minave dhe të ktheheshin vrulltazi mëpas. Ato u ndalën në ishullin shqiptar të Sazanit ku morën në bord Kapitenin e Parë të flotës luftarake shqiptare Abdi Matin dhe komandantin e ishullit të Sazanit Mevlan Dervishin.
Pasi peshkarexhat luftarake jugosllave Mljet dhe Meljine arritën jugun e Kanalit të Korfuzit, ato u kthyen. Dhe duke lundruar për në veri e duke qenë në ujërat territoriale shqiptare, shtruan qilimin e minave nën sipërfaqen e ujit në Korridorin Medri përballë Gjirit të Sarandës brenda 5 orëve gjatë natës mes 21 dhe 22 Tetorit 1946. Qilimi, në ujrat territoriale shqiptare, kishte saktësisht gjerësinë e Korridorit Medri dhe një gjatësi të madhe në të.
Shtrati i detit në Korridorin Medri ishte (dhe është) me baltë dhe ngecja e minave takim-shpërthyese EMC në shtratin e detit bëhej thjesht prej peshës që ishte në fund të kabllit. Si të atilla dhe në një shtrat deti me baltë, ato mund të largoheshin nga vend-hedhja fillestare prej rrymave detare për pak kohë. Antenat përgjuese dhe radar-zbuluese të ushtrisë britanike e amerikane dhe postat e tyre të vëzhgimit ishin pikërisht në brigjet e Korfuzit, drejtpërsëdrejti përballë Gjirit shqiptar të Sarandës. Shërbimi i Fshehtë Britanik i Zgjuarsisë kishte edhe postat e veta. Ata regjistronin dhe vëzhgonin drejtpërsëdrejti çdo barkë ose anije në Kanalin e Korfuzit edhe natën duke përdorur pajisjet e vëzhgimit për natën.
Më 22 Tetor 1946, vargani i anijeve të flotës mbretërore britanike filloi lundrimin drejt veriut në Kanalin e Korfuzit sipas Urdhrave Operacionalë XCU dhe XCU ONE. Pasdite, duke lundruar sipas planit qëllimisht në ujrat territoriale shqiptare, anijet mbrojtëse-shkatërruese HMS Saumarez dhe HMS Volage prekën minat aty. Si pasojë, anija HMS Volage u dëmtua rëndë kurse anija HMS Saumarez u dëmtua në mënyrë të pariparueshme. Artileria bregdetare shqiptare nuk gjuajti gjatë ndodhisë dhe flotilja u kthye në portin e Korfuzit. Për keqardhje dhe pa qenë e nevojshme, 44 marinarë të flotës mbretërore britanike vdiqën dhe 42 të tjerë u plagosën ose ngelën të paaftë.
Më 12-13 Nëntor 1946, flota mbretërore britanike ndërmori operacionin “Retail” (Pakica) për pastrimin e minave në Korridorin Medri pa lejen e qeverisë shqiptare. Operacioni “Retail” nxorri 22 mina takim-shpërthyese “GY”. Shuma e atyre 22 minave me dy minat që goditën dy anijet e flotës mbretërore britanike, plus katër minat që i pastroi flota luftarake shqiptare në vitin 1958, plus dy të tjera të gjendura ende në det në Korridorin Medri në veri të Gjirit të Sarandës dhe zbuluar nga një ekspeditë arkeologjike amerikane në vitin 2008, të tëra shkojnë gjithsej 30 mina takim-shpërthyese “GY”. Ky numër është i barabartë me numrin e përgjithshëm të minave që dy peshkarexhat luftarake jugosllave hodhën në ujrat territoriale shqiptare gjatë natës së 21/22 Tetorit 1946.
Afër kapitullimit të saj më 8 Shtator 1943, ushtria italiane pat lëvizur nga Banka Kombëtare Shqiptare në Tiranë në Bankën e Italisë në Romë një ngarkesë të çmuar me vlerën e rreth 3000 kg ar. Më 11 Shtator 1943, ushtria gjermane mori kontrollin e Romës. Më 17 Shtator 1943, administrata gjermane në Romë për arësye sigurie e pat lëvizur arin shqiptar në Berlin, pa i humbur përkatësinë. Nga atje, ari shqiptar ishte dërguar në galeritë e minierës së kripës Merkers në Gjermani. Pas përfundimit të Luftës II Botërore, Aleatët gjetën atje 2721 kg ar shqiptar, për të cilën Komisioni Trepalësh Britani-ShBA-Francë për Rikthimin e Arit Monetar pas Luftës II Botërore përcaktoi se vetëm 65% e tij, domethënë 1768.65 kg, do t’i kthehej Shqipërisë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësië (The International Court of Justice) në Hagë të Hollandës u muar me rastin e Kanalit të Korfuzit të paraqitur nga Mbretëria e Bashkuar kundër Shqipërisë ndërmjet datave 22 Maj 1947 dhe 9 Prill 1949. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk i zgjidhi nyjet se kush i vendosi minat, pse, kur dhe si. Megjithatë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pohoi se minat nuk mund të vendoseshin pa bashkëpunimin e heshtur nga ana e qeverisë shqiptare. Prandaj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Shqipërinë të paguante 843’947 Stërlina paund britanike si zhdëmtim për humbjet britanike. Qeveria shqiptare nuk e pranoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Si përgjigje, qeveria britanike mbajti peng sasinë prej 1121.5 kg ar, me vlerë prej 630’000 Stërlinash paund britanike, nga sasia e arit të cilën Komisioni për arin i përbërë nga Britania-ShBA-Franca pas Luftës II Botërore kishte vendosur që i përkiste Shqipërisë.
Për shkak të vonesave në proçesin e shpërndarjes, Shqipëria mori nga Banka e Anglisë 1549 kg ar më 29 Tetor 1996, që përbënte pjesët paraprake dhe pothuaj përfundimtare të arit të kthyer. Më 13 Korrik 1998, Shqipëria mori edhe pjesën përfundimtare prej 219.65 kg të arit të kthyer…….
*Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Saimir A. Lolja, Receta Pa Komb, Sh. B. Helga’s Secrets, Tiranë, 2018”, i botuar edhe në anglisht në www.amazon.com “Saimir A. Lolja, The Nation-Free Recipe, Tellwell, Vancouver, 2018”./