Nga XHAVIT ÇITAKU
Sipas të dhënave statistikore, që për çdo vjet i publikojnë organet shkollore në Suedi, në procesin e mësimit të gjuhës amtare janë të përfshirë diku rreth 62 për qind e fëmijëve shqiptar ose rreth 5500 sish që jetojnë në këtë shtet skandinav. Krahasuar me shtetet tjera europiane dhe më gjerë ku jeton numër i madh i komunitetit shqiptar, kjo gjendje e tashme në arsimin shqip kënaq dhe të jep shpresa se me një punë më energjike të të gjithëve në të ardhmen në këtë çështje jetike për shqiptarët do të arrihen rezultate më të mira. Sipas mësuesit, veprimtarit dhe kryetarit të Lidhjes së Shoqatave Shqiptare “ Iliria” në Malme, Murat Koci,, për mosvijimin e rreth 40 për qind të nxnësve shqiptar në mësimin e gjuhës amtare po ndikojnë një varg faktorësh sikurse janë niveli i ulët arsimor i familjes, niveli social, komunikimi brenda familjes, ambiciet e familjes dhe komuniteti që i rrethon.
Investimi në arsimin shqip në diasporë është investim direkt në shtetin amë
Njëri ndër faktorët që po ndikon negativisht për një pjesëmarrje më të madhe të nxënësve shqiptar në procesin mësimor të gjuhës amtare, sipas Murat Kocit, është edhe neglizhenca e një angazhimi shumë më të madh të organeve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, qoftë me tekste shkollore apo edhe me një propagandë të mirëfilltë mediatike për të josh me shumë sidoms prindërit për t’i dërguar fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës së nënës. Me një fjal, thotë ai, këto dy shtete nuk kanë investuar as për së afërmi sa është dashur për arsimin shqip në diasporë, ivestim ky që do të kthehej dhjetëfish shteteve tona respektive. Është mëkat i madh që të mos shfrytëzohen kushtet ideale që i krijon sistemi suedez shkollor, i cili gjuhën amtare e barazon me të gjitha lëndet tjera që mësohen nëpër shkollat e këtij vendi. Dhe nuk qendron arsyetimi i një numri të konsiderueshëm të prindërve se mësimi i gjuhës amtare pengon mësimin e gjuhës suedeze, angleze etj. Përkundrazi, sipas një studimi të bërë lidhur më këtë, është ardhur në përfundim se kjo gjë vetëm sa e pasuron dhe e ndihmon akoma më shumë çdo nxënës tash e në të ardhmen në përfundimin me sukses të arsimimit në të gjitha nivelet. Shteti suedez ofron mundësinë edhe tö hapjes së shkollave shqipe për mësimin e të gjitha lëndëve, mirëpo për këtë gjë nevojitën kuadro të cilat tashpërtash mungojnë. Edhe për këtë mundësi shtetet tona do të duhej të mendojnë dhe të marrin hapa konkret që bile në ndonjë qytet më të madh, sidomos në Malme, ku besohet se jetojnë diku rreth 20 mijë shqiptar, të hapet një shkollë e tillë. Realizimi i këtij synimi të mësuesëve dhe intelektualëve tjerë shqiptar, shteteve tona nuk do t’iu kushtonte asgjë, sepse të gjitha shpenzimet dhe nevojat e domosdoshme për të funksionuar ky lloj shkollimi do t’i heq shteti suedez. I vetmi obligim do të mbetët sigurimi i kuadrove profesionale për mbarëvajtjen e mësimit shqip në të dy nivelet në atë fillor dhe të mesëm. Se sa të kujdesshëm janë organet e këtij shteti skandinav tregon edhe shembulli i Universitetit të Uppsales i njohur ndërkombëtarisht, i cili ka futur në planprogramet mësimore edhe shqipen si gjuhë amtare, shton Murat Koci.
Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës duhet të përgadisin kuadro për mësimin e gjuhës amtare në diasporë
Brengë të madhe Murat Koci ka edhe për një problem të madh, strategjik e jetik për diasporën shqiptare. Është fjala se për tre- katër vjetet e ardhshëm një numër i konsiderueshëm i mësuesëve do të pensionohet, ndërkaq kuadro të tjera të kualifikuara që do t’i zëvëndësojnë ata tashpërtash nuk ka. Bile, shton ai, po të mos kishin ardhur disa mësues nga Shqipëria dhe Greqia, që kanë plotësuar deri në njëfarë mase boshllekun e mungësës së mësimdhnësve, atëherë puna do të qendronte shumë keq. Së këndejmi, organet kompetente të shteteve tona respektive duhet të fillojnë qysh tash për të përgatit kuadrot që i nevojitën nxënësve shqiptar, në të kundërten neglizhenca e tyre do t’i kushtoj shumë shtrenjtë diasporës shqiptare në Suedi dhe kudo në botë e më së shumti shqiptarisë në përgjithësi. Deri para dhjetë vitesh ishin organet shkollore suedeze që përgadisnin kuadrot për mësimin e gjuhës amtare, mirëpo kjo praktik e mrekullueshme është ndëprerë dhe iu ka mbetur për “ barrë” komunitetit shqiptar që të kujdeset vetë në këtë çështje shumë të rëndësishme. Murat Koci thekson se në komunikimet që ka pasur me organet kompetente në Kosovë ka ngritur alarmin për këtë çështje tepër të ndieshme, por deri me tash ende nuk ka lëvizje serioze, që është për t’u habitur e brengosur shumë, njëkohësisht.
Bashkëbiseduesi ynë brengën më të madhe e ka se nëse nuk ngritën kuadro profesionale në vitet në vijim atëherë mësimi i gjuhës amtare do të dëmtohet shumë, ngaqë shkollat do të punësojnë edhe të tillët që nuk kanë kompetencë dhe arsimim të duhur. Pra, si mësues do të mund të punojë edhe një individë që vetëm di të flasë shqip, bile edhe me shkollim fillor.
Fëmija shqiptar e mësimin e gjuhës amtare e ndjek në greqisht!
Një fenomen jo fort i theksuar ka filluartë jetë prezent në shkollat suedeze në të cilat edhe pse prindërit janë shqiptar, fëmijët e tyre mësimin e gjuhës amtare po e ndjekin në greqisht. Është fjala për disa familje të imigracionit shqiptar që kanë ardhur nga Greqia për shkak të një krize ekonomike që mbretëron në atë vend dhe të cilat janë vendosur në Suedi. Vërtetë kjo është për t’u habitur se si mund të ndodh një gjë e tillë aq më tepër kur kihet parasysh fakti se Suedia ka shkallën më të lartë të demokratizimit në të gjitha poret e jetës dhe askënd nuk e detyron që të ndjek mësimin një gjuhë e cila nk është gjuhë e origjinës përkatësisht amtare. Do të thotë se nëse këto familje kanë qenë të detyruara të veprojnë kësisoj në Greqi, këtu vlejnë rregulla të tjera joobliguese për të gjithë fëmijët pa marrë parasysh identitetin e tyre fetar e kombëtar. Për këtë fenomen të pazakont deri me tash me neveri flet edhe mësuesi Murat Koci, i cili përkujton se në bazë të ligjit dhe rregullave të tjera që duhet t’i ndjekin me përpikëri shkollat, këta fëmijë shqiptar nuk kanë të drejt të vijojnë mësimin në greqishte si gjuhë amtare. Edhe nëse ato familje kanë shtetësinë greke apo edhe nëse fëmijët kanë lindur në Greqi, kjo nuk ua jap të drejtën që të veprojnë kësisoj, sepse origjina e gjuhës së tyre është shqipja. Raste të tilla ka edhe nga imigracioni shqiptar që kohëve të fundit ka ardhur nga Italia, por që tashpërtash është numër minor. Për të ndalur këtë trend antikombëtar do të duhej të angazhohej edhe ambasada shqiptare dhe Ministria e Diasporës, të cilat kanë për obligim që të kontaktojnë me këto familje dhe t’ua bëjnë me dije se kjo mënyrë e detyruar për fëmijët të ndjekin mësimin e gjuhës amtare në greqisht, që në të vërtetë është gjuhë e huaj sikurse që është Suedishtja është pafalshme dhe që nuk mund të tolerohet. Po ashtu, Ministria e Arsimit dhe Diasporës do të duhej që këtë çështje ta ngrisin edhe tek organet kompetete suedeze në mënyrë që të pengojnë përhapjen e kësaj dukurie të pazakontë në shkollat ku mbahet mësimi i gjuhës amtare.
Frika nga asimilimi i rrëmbyeshëm
Murat Koci ka braktisur vendlindjen tash e tridhjetë vjet më parë. Puna dhe angazhimi i tij parësor ka qenë mësimdhënia e gjuhës amtare për fëmijët shqiptar, punë këtë që e bënë akoma. Kontributi i tij i madh është evident, i prekshëm e me plot rezultate në përfshirjen e një numri sa më të madh të nxënësve shqiptar në mësimin e gjuhës së nënës. Ishte aktivist i madh dhe në çdo takim me bashkatdhetarë e sidomos nëpër shoqata ai ngriti zërin se sa i rëndësishëm është mësimi i gjuhës shqipe që është bazë për ruajtjen e identitetit kombëtar, Në të vërtetë, thotë ai, kemi miliona shqiptarë që jetojnë në Turqi, Lindjen e Afërt e Azi, që ndihen krenar për prejardhjen e tyre shqiptare, mirëpo ata nuk dinë të flasin gjuhën e tyre të origjinës dhe së atyre pak ose pak nuk ua kemi pa “ Hajrin”. Me keqardhje ai permend edhe disa shembuj të dhimbshëm në shkollat shqipe në Suedi ku ka nxënës që nuk i di dy- tre fjalë shqip.
Duke qenë një njohës i mirë i integrimit të shqiptarëve në shoqërinë suedeze, Murat Koci, me krenari thekson se ky integrim është bërë vërtetë rrëmbyeshëm. Nuk ka universitet e institucion shkollor n[ t[ cilat nuk janë të përfshirë pjesëtarë të komunitetit shqiptar. Ka drejtor spitalesh, politikan, deputet, udhëheqës fabrikash, doktorë shkencash e magjistra, ekonomist, juristë, avokatë, drejtor teatrosh, sportist të dalluar, policë, oficer e ushtarak. Thënë troç emri shqiptar ka marrë një dimesion tjetër, një dimension të punës e rezultateve konkrete në çdo fushë të punës e jetës. Sado që ndien kënaqësi e bëhet shumë krenar për këtë nam, për këtë shkallë kaq të lartë e të shpejt të integrimit shoqëror, bashkëbiseduesi ynë e ka kapluar një frikë e madhe sepse, siç thotë ai, sa më i rrëmbyeshëm është prezent ky integrim, po aq i rrëmyeshëm do të jetë edhe asimilimi i shqiptarëve në këtë vend të largët. Ndaj rekomandimi i tij është se qeveritë e të dy shteteve tona duhet të punojnë shumë e me shpejtësi të madhe që kjo të mos ndodh. Obligim kombëtar kanë edhe prindërit dhe komuniteti shqiptar në pëgjithësi që ky fenomen të mos ndodh shpejt.